VENDIM
NË EMËR TË REPUBLIKËS
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, i përbërë nga:
Xhezair Zaganjori Kryesues
Evelina Qirjako Anëtare
Medi Bici Anëtar
Në datën 26.11.2015 mori në shqyrtim në Dhomën e Këshillimit çështjen administrative me nr.31001-01100-00-2013 akti që iu përket palëve:
PADITËS: SHOQËRIA “DAJTI FN” SH.P.K
I PADITUR: DREJTORIA E PËRGJITHSHME E PARANDALIMIT TË PASTRIMIT TË PARAVE
PERSON I TRETË: SHOQËRIA “PRO CREDIT BANK” SH.A
OBJEKTI:
Anullimin e aktit administrativ, nr.5718 prot, datë 28.09.2009 t
ë nxjerrë nga Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave.
Baza Ligjore: Neni 14 i ligjit nr.7697, datë 07.04.1993
“Për Kundërvajtjet Administrative”, i ndryshuar,
nenet 59 dhe 118 e vijues të K.Pr.Administrative,
pika 11 e nenit 27 të ligjit nr.9917, datë 19.05.2008
“Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimin e terrorizmit”.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendimin nr.4321, datë 24.05.2011 ka vendosur:
Pranimin e padisë së palës paditëse Shoqëria “Dajti Fn” Sh.p.k.
Anullimin e aktit administrativ nr.5718 prot, datë 28.09.2009 të Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave.
Gjykata e Apelit Tiranë, me vendimin nr.2310, datë 05.10.2012, ka vendosur:
Lënien në fuqi të vendimit nr.4321, datë 24.05.2011 të Gjykatës se Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Ndaj vendimit të sipërcituar rezulton të ketë paraqitur rekurs pala e paditur Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave, e cila kërkon:
Ndryshimin e vendimit nr.4321, datë 24.05.2011 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe vendimit nr.2310, datë 05.10.2012 të Gjykatës së Apelit Tiranë dhe rrëzimin e kërkesëpadisë.
Shkaqet që pala e paditur Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave paraqet në rekurs, janë:
-
Gjykata gabon në interpretimin që i bën nenit 14 të ligjit “Për kundërvajtjet administrative”, pasi dhe në këndvështrim të këtij neni, interpretimi i gjykatës për mosrespektimin e afateve të përcaktuara në këtë nen nuk qëndron.
-
Në përputhje me nenin 14 të ligjit “Për kundërvajtjet administrative”, shqyrtimi i kundërvajtjeve është bërë brenda afatit maksimal prej dy muaj, parashikuar nga ligji. Gjykata vlerëson dhe interpreton gabim afatet e parashkrimit në lidhje me marrjen e masës administrative.
-
Kundërvajtje administrative përbën mosraportim transaksionit dhe jo vetë transaksioni, në këtë këndvështrim gjykata momentin e fillimit të afatit të parashkrimit nuk duhet ta fillojë në datën e kryerjes së transaksionit. Në datën e kryerjes së inspektimit (18.08.2009) subjekti kishte transaksionet e paraportuara që do të thotë është në konsumim të kundravajtjes administrative, pra data kur subjekti është në konsumim të kundravajtjes administrative me datën e kryerjes së inspektimit është e njëjtë dhe nga kjo datë vendimi ka dalë brenda afatit 2 mujor (28.09.2009) të parashikuar në nenin 14 të ligji nr.7697, datë 07.03.1993, “Për kundërvajtjet administrative”, i ndryshuar.
-
Ligji nr.9917, datë 19.05.2008, ka bërë referim të drejtpërdrejtë tek ligji nr.7697/1993 “ Për kundërvajtjet administrative”, i ndryshuar përsa i përket procedurave të ankimit të vendimeve të gjobave, por nuk ka bërë referim tek ky ligj për konstatimin dhe shqyrtimin e kundravajtjeve administrative.
-
Sipas nenit 1 të ligjit nr.7697, datë 07.03.1993, “Për kundërvajtjet administrative”, i ndryshuar, kundërvajtjet administrative mund të kryhen me veprim ose me mosveprim. Në rastin konkret kundërvajtja administrative për të cilën është dënuar administrativisht pala paditëse, është kryer me mosveprim.
-
Paditësi sipas nenit 12, pika 2, germa “a” e ligjit nr.9917 dhe nenit 8, pika 3, germa a, e Udhëzimit nr.12, datë 05.02.2009 të M.Financave duhet të kryente veprimin e ngarkuar me ligj, pra dërgimin nëpërmjet formularëve, për të gjitha rastet e transaksioneve që arrin pragun e parashikuar nga ligji.
-
Për kundërvajtjet administrative të kryera me mosveprim afati i parashkrimit fillon të ecë nga çasti kur ka pushuar detyrimi i subjektit të kundërvajtjes për të vepruar, pra për të raportuar.
-
Të gjitha rastet e konstatuara nga inspektimi si të paraportuara, nuk kanë qenë të raportuara fare në momentin e inspektimit. Pra, detyrimi i paditësit për raportim ka pushuar vetëm në datën kur ai ka bërë raportimin e transaksioneve, pranë autoritetit përgjegjës.
-
Në këtë këndvështrim kryerja e kundravajtjeve përputhen me datën e konstatimit, pasi subjekti ishte në kryerje të kundravajtjes administrative, duke mosraportuar dhe shqyrtimi i kundërvajtjeve është brenda afatit 2 mujor nga mbajtja e aktit të inspektimit. Nga sa më sipër rezulton se paditësi ka konsumuar plotësisht kundërvajtjet administrative të parashikuara nga ligji nr.9917, datë 19.05.2008 “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimin e terrorizmit”.
KOLEGJI ADMINISTRATIV I GJYKATËS SË LARTË
Pasi dëgjoi relatimin e gjyqtarit Medi Bici dhe bisedoi në tërësi çështjen, në përfundim;
V Ë R E N
1. Në Gjykatën e Lartë me datë 12.04.2013 është regjistruar çështja administrative nr.31001-01100-00-2013 regj. them, që u përket palëve ndërgjyqëse: paditëse Shoqëria “Dajti Fn” Sh.p.k, e paditur, Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave dhe person i tretë Shoqëria “Pro Credit Bank” Sh.a, me objekt: Anullimin e aktit administrativ, nr.5718 prot, datë 28.09.2009 i nxjerrë nga Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave.
2. Vendimi nr.2310, datë 05.10.2012 i Gjykatës së Apelit Tiranë është marrë në shkelje të ligjit procedural, prandaj si i tillë ai duhet të prishet nga Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë dhe të vendoset pushimi i gjykimit të çështjes.
I. Rrethanat e çështjes:
3. Pala paditëse Shoqëria “Dajti Fn” Shpk është e regjistruar si person juridik që prej datës 22.05.1998, me objekt të veprimtarisë së saj: Në fushën e ndërtimeve dhe projektimeve, instalime elektrike, rikonstruksione, prodhime të materialeve të ndërtimit, parafabrikate në konstruksione metalike, etj.
4. Me shkresën nr.5074 prot, datë 12.08.2009 të Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave drejtuar palës paditëse Shoqëria “Dajti Fn” Shpk, rezulton që kjo e fundit të jetë njoftuar se nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave ishte planifikuar që në datat 14-18 Gusht 2009 të realizohej një inspektim pranë zyrave të Shoqërisë “Dajti Fn” Shpk, në zbatim të ligjit nr.9917, datë 19.05.2008 “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimin e terrorizmit” dhe Udhëzimit nr.11, datë 05.02.2009 të Ministrit të Financave “Për mënyrat dhe procedurat e raportimit të profesioneve të lira jo financiare”. Objekt i këtij inspektimi do të ishte respektimi i kuadrit ligjor në lidhje me parandalimin e pastrimit të parave dhe luftës kundër financimit të terrorizmit.
5. Nga përmbajtja e akt inspektimit të datave 14-18 Gusht 2009, të mbajtur nga ana e inspektorëve të Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave në prani të përfaqësueses ligjore të Shoqërisë “Dajti Fn” Shpk rezulton se nga ana e inspektorëve të Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave të jetë arritur në përfundimin se nga ana e palës paditëse Shoqërisë “Dajti Fn” Sh.p.k ishte konsumuar kundërvajtja administrative: E mosraportimit tek autoriteti përgjegjës të transaksioneve jo në para fizike, në një shumë të barabartë në vlerë me ose më të madhe se 6.000.000 (gjashtë milionë) lekë ose kundërvlerën në monedha të tjera të huaja, të kryera si një transaksion i vetëm ose si transaksione të lidhura me njëri-tjetrin”, kundërvajtje administrative kjo e parashikuar nga ana e nenit 12 pika 2 germa “b” të ligjit nr.9917, datë 19.05.2008 “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimin e terrorizmit”.
6. Me shkresën nr.5242 prot, datë 24.08.2009 të Drejtorit të Përgjithshëm të Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave rezulton që pala paditëse Shoqëria “Dajti Fn” Shpk të jetë njoftuar për të marrë pjesë dhe për të dhënë argumentet e saj gjatë shqyrtimit të kundërvajtjes administrative, e cila ishte evidentuar në procesverbalin “Akt-inspektimi” të datës 18.08.2009 të mbajtur nga punonjësit e Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave dhe të firmosur nga palët, që do të bëhej me datë 14.09.2009 ora 09.00 nga një komision i posaçëm i ngritur, pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave.
7. Në përfundim të shqyrtimit të kundërvajtjes administrative të konstatuar nga ana e inspektorëve të Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave, në aktin e inspektimit të datës 18.08.2009, rezulton që nga ana e Drejtorit të Përgjithshëm të Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave nëpërmjet aktit administrativ nr.5718 prot, datë 28.09.2009 në zbatim të nenit 27 pika 6 germa “a” dhe pika 9 të ligjit nr.9917, datë 19.05.2008 “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimin e terrorizmit”, si dhe në zbatim të neneve 10, 11, 12, 13 dhe 14 të ligjit nr.7697, datë 07.04.1993 “Për Kundërvajtjet Administrative’, të jetë vendosur: Dënimin e Shoqërisë “Dajti F.N” Shpk me 700.000 (shtatëqind mijë) lekë gjobë për mosrespektim të kërkesave për raportim të parashikuara në nenin 12 të ligjit nr.9917, datë 19.05.2008.
8. Nga përmbajtja e aktit administrativ të sipërcituar, si dhe nga pohimet e përfaqësuesve të palëve ndërgjyqëse rezulton se pala paditëse Shoqëria “Dajti Fn” Shpk të jetë dënuar me gjobë në masën 700.000 (shtatëqind mijë) lekë, për mosraportim tek autoriteti përgjegjës të një transaksioni në shumën e 55.000 (pesëdhjetë e pesë mijë) Euro, transaksion ky i kryer në zbatim të kontratës së sipërmarrjes me nr.2854 prot, nr.564/1 kol, të datës 14.05.2009 të lidhur ndërmjet Shoqërisë “Dajti Fn” Shpk me cilësinë e palës sipërmarrëse dhe shtetases Asibe Duli me cilësinë e palës porositëse, vlera e së cilës ishte në shumën 117.000 (njëqind e shtatëmbëdhjetë mijë) Euro.
9. Për aktin administrativ të sipërcituar pala paditëse rezulton që të ketë marrë dijeni me datë 01.03.2010, si dhe rezulton që të ketë ushtruar ankim në gjykatë ndaj këtij akti administrativ me datë 04.03.2010, brenda afatit 5 (pesë) ditor të parashikuar nga ana e nenit 27 pika 11 të ligjit nr.9917, datë 19.05.2008 “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimin e terrorizmit”.
II. Vendimet dhe arsyetimi i gjykatave:
10. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendimin nr.4321, datë 24.05.2011 ka vendosur:
Pranimin e padisë së palës paditëse Shoqërisë “Dajti Fn” Shpk.
Anullimin e aktit administrativ nr.5718 prot, datë 28.09.2009 të Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave.
11. Gjykata e rrethit gjyqësor ndër të tjera arsyeton se:
....Për të arritur në përfundimin nëse kundërvajtja administrative e sipërcituar rezulton që të jetë parashkruar apo jo, sikurse pretendohet nga ana e palës paditëse Shoqëria “Dajti Fn” Shpk, në kushtet kur ligji i posaçëm dhe konkretisht ai nr.9917, datë 19.05.2008 “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimin e terrorizmit”, në nenin 27 të tij, si dhe udhëzimi i Ministrit të Financave nr.11, datë 05.02.2009 i dalë në zbatim të tij, në pikën 9 të tij nuk rezultojnë të kenë parashikuar ndonjë rregullim të posaçëm lidhur me afatin e shqyrtimit të kundërvajtjeve administrative të konstatuara si rezultat i kontrollit të ushtruar pranë subjekteve të përcaktuara në ligjin e sipërcituar, atëhere nga ana e gjykatës arrihet në përfundimin se të zbatueshme në rastin konkret do të jenë dispozitat e ligjit kuadër për rregullimin e çështjeve mbi kundërvajtjet administrative, dhe konkretisht të ligjit nr.7697, datë 07.04.1993 “Për Kundërvajtjet Administrative”, i cili rezulton që të ketë qenë në fuqi jo vetëm në kohën e ushtrimit të kontrollit pranë palës paditëse Shoqërisë “Dajti Fn” Shpk në datat 14-18 Gusht 2009, por edhe në kohën e paraqitjes së kërkesëpadisë nga ana e Shoqërisë “Dajti Fn” Shpk me datë 04.03.2010, për arsye se ligji nr.10279, datë 20.05.2010 “Për Kundërvajtjet Administrative” rezulton që të ketë hyrë në fuqi me datë 14.07.2010, në kushtet kur rezulton që të jetë botuar në fletoren zyrtare nr.73, të datës 29.06.2010.
Në nenin 14 të ligjit nr.7697, datë 07.04.1993 “Për Kundërvajtjet Administrative” parashikohet shprehimisht se: Shqyrtimi i kundërvajtjes administrative bëhet brenda 15 ditëve nga data e konstatimit të saj, por jo më vonë se 2 muaj pas kryerjes.
Afati 2 (dy) mujor i përcaktuar në dispozitën e sipërcituar rezulton që të ketë për qëllim të përjashtojë nga efektet ndëshkimore të përcaktuara në ligjin e posaçëm apo atë të përgjithshëm, subjektin kundërvajtës, nëse rezulton të kenë kaluar 2 (dy) muaj nga koha e kryerjes së kundërvajtjes.
Në rastin konkret pala paditëse Shoqëria “Dajti Fn” Shpk rezulton që të jetë ndëshkuar për një kundërvajtje administrative, të cilën ajo rezulton ta ketë konsumuar me datë 15.05.2009, ndërkohë që një kundërvajtje e tillë rezulton të jetë konstatuar në datat 14-18 Gusht 2009, si dhe rezulton të jetë shqyrtuar me datë 14.09.2009, si tej afatit 15 ditor, ashtu edhe tej afatit 2 (dy) mujor të përcaktuar në nenin 14 të ligjit nr.7697, datë 07.04.1993 “Për Kundërvajtjet Administrative” fakt ky i cili të shpie në përfundimin se në rastin konkret ndaj palës paditëse Shoqërisë “Dajti Fn” Sh.p.k nuk mund të aplikohej masa ndëshkimore e parashikuar nga neni 27 pika 6 germa “b” e ligjit nr.9917, datë 19.05.2008 “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimin e terrorizmit”.
Në arritjen e përfundimit se i zbatueshëm në rastin konkret do të jetë neni 14 i ligjit nr.7697, datë 07.04.1993 “Për Kundërvajtjet Administrative” gjykata çmon të mbajë parasysh edhe faktin se një dispozitë e tillë rezulton që të jetë referuar nga vetë pala e paditur në aktin administrativ nr.5718 prot, datë 28.09.2009, objekt kundërshtimi nga ana e palës paditëse.
Nisur nga sa u tha më lart nga ana e gjykatës arrihet në përfundimin se padia e palës paditëse Shoqërisë “Dajti Fn” Shpk duhet pranuar si e bazuar në ligj në kushtet kur në kuptim të nenit 14 të ligjit nr.7697, datë 07.04.1993 “Për Kundërvajtjet Administrative”, kundërvajtja administrative e konsumuar nga ana e palës paditëse Shoqërisë “Dajti Fn” Shpk, si në momentin e ushtrimit të kontrollit nga ana e punonjësve të palës së paditur ashtu edhe në momentin e shqyrtimit të saj, rezulton që të ishte parashkruar.....
12. Gjykata e Apelit Tiranë, me të njëjtin arsyetim me vendimin nr.2310, datë 05.10.2012, ka vendosur:
Lënien në fuqi të vendimit nr.4321, datë 24.05.2011 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.
III. Ligji i zbatueshëm:
13. Neni 450 i K.Pr.Civile parashikon se:
Gjykata që ka dhënë vendimin nuk e pranon ankimin kur:
Është paraqitur jashtë afatit;
Nuk ndreqen të metat në afatin e caktuar. Në këto raste zbatohen rregullat e përcaktuara në nenin 157 të këtij Kodi;
Është bërë ndaj një vendimi ndaj të cilit nuk lejohet ankim;
Është bërë nga një person që nuk legjitimohet të bëjë ankim;
Është hequr dorë nga ankimi.
Mospranimi i ankimit mund të deklarohet në çdo shkallë gjykimi.
14. Neni 18/1 i ligjit nr.7697, datë 07.04.1993 “Për Kundravajtjet Administrative” parashikon se:
Kundër vendimit të dënimit nga organi administrativ mund të bëhet ankim brenda 5 ditëve nga dita e shpalljes ose njoftimit në gjykatën e rrethit ku është kryer kundravajtja, vendimi i së cilës është i formës së prerë.
15. Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë në vendimin nr.11, datë 02.10.2009, ndërmjet të tjerave shprehen se:
Në rastet e kundravajtjeve administrative, subjekti ka të drejtën të ngrejë padi në gjykatën e shkallës së parë kundër çdo lloj dënimi administrativ të dhënë nga një organ administrativ, pavarësisht nëse kjo e drejtë është parashikuar ose jo shprehimisht nga ligji i veçantë.
Vendimi i dhënë nga gjykata e shkallës së parë që ka shqyrtuar kundravajtjen administrative është i formës së prerë dhe i pa ankimueshëm, përveç kur ligji i veçantë parashikon shprehimisht të drejtën për ndjekjen e rrugës së zakonshme të ankimit ndaj këtij vendimi gjyqësor në një gjykatë më të lartë.
Ndërsa në rastet kur vendimi i dënimit administrativ është dhënë nga vetë gjykata e shkallës së parë, pala ndërgjyqëse ka të drejtën e ushtrimit të ankimit kundër këtij vendimi në gjykatën më të lartë në rrugë të zakonshme.
16. Neni 48/2 i ligjit nr.10279/2010 parashikon se:
.....Për të gjitha vendimet për kundërvajtjet administrative, që parashikojnë dënime administrative me gjobë, për të cilat kanë përfunduar procedurat e shqyrtimit administrativ përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji dhe për to nuk ka filluar procedura e shqyrtimit gjyqësor, zbatohen dispozitat e kreut III të këtij ligji......
IV. Arsyetimi i Kolegjit Administrativ dhe zgjidhja e çështjes:
17. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë vlerëson se, vendimi i Gjykatës së Apelit Tiranë është marrë në zbatim të gabuar të ligjit procedural, prandaj ka arsye ligjore që ky vendim të cënohet.
18. Në rastin në shqyrtim gjykata e apelit ishte e detyruar që të zbatonte kërkesat e nenit 450 të K.Pr. Civile, i cili parashikon se: Gjykata që ka dhënë vendimin nuk e pranon ankimin kur është bërë ndaj një vendimi ndaj të cilit nuk lejohet ankim....
19. Pala e paditur e ka gjobitur palën paditëse me datën 28.09.2009, ndërsa padia është regjistruar në gjykatën e shkallës së parë me datë 10.03.2010. Ligji nr.10279/2010 ka hyrë në fuqi me datën 14.07.2014 dhe seanca përgatitore është caktuar nga gjyqtari i vetëm në datën 14.03.2010, prandaj për këtë çështje konsiderohet se ka filluar procedura e shqyrtimit gjyqësor, sepse para se të hynte në fuqi ligji i ri për kundravajtjet administrative, gjykata e shkallës së parë ka bërë njoftimet e palëve dhe gjyqtari i vetëm është shprehur me vendim për caktimin e seancës përgatitore.
20. Meqenëse nuk ndodhemi përpara zbatimit kërkesave të nenit 48/2 të ligjit nr.10279/2010, atëhere Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë vlerëson se, për këtë çështje duhet të zbatohen kërkesat e ligjit nr.7697, datë 07.04.1993 “Për Kundravajtjet Administrative”, i cili në nenin 18/1 parashikon se: Kundër vendimit të dënimit nga organi administrativ mund të bëhet ankim brenda 5 ditëve nga dita e shpalljes ose njoftimit në gjykatën e rrethit ku është kryer kundravajtja, vendimi i së cilës është i formës së prerë, prandaj gjykata e apelit nuk mund ta shqyrtonte çështjen në shkallë të dytë, pasi vendimi i gjykatës së shkallës së parë ishte i formës së prerë.
21. Ky është qëndrimi që mbajnë Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë në vendimin nr.11, datë 02.10.2009, në të cilin ndërmjet të tjerave thuhet se: Në rastet e kundravajtjeve administrative, subjekti ka të drejtën të ngrejë padi në gjykatën e shkallës së parë kundër çdo lloj dënimi administrativ të dhënë nga një organ administrativ, pavarësisht nëse kjo e drejtë është parashikuar ose jo shprehimisht nga ligji i veçantë.
Vendimi i dhënë nga gjykata e shkallës së parë që ka shqyrtuar kundravajtjen administrative është i formës së prerë dhe i pa ankimueshëm, përveç kur ligji i veçantë parashikon shprehimisht të drejtën për ndjekjen e rrugës së zakonshme të ankimit ndaj këtij vendimi gjyqësor në një gjykatë më të lartë.
Ndërsa në rastet kur vendimi i dënimit administrativ është dhënë nga vetë gjykata e shkallës së parë, pala ndërgjyqëse ka të drejtën e ushtrimit të ankimit kundër këtij vendimi në gjykatën më të lartë në rrugë të zakonshme....
22. I ndodhur në këto rrethana, Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë arrin në përfundimin se, vendimi Gjykatës së Apelit Tiranë duhet të prishet dhe të pushohet gjykimi i çështjes, pasi vendimi i dhënë nga gjykata e shkallës së parë është një vendim i pa ankimueshëm.
PËR KËTO ARSYE
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, duke u bazuar në nenin 63/ç të ligjit nr.49, datë 03.05.2012 “Për Organizimin dhe Funksionimin e Gjykatave Administrative”...
V E N D O S I
Prishjen e vendimit nr.2310, datë 05.10.2012 të Gjykatës së Apelit Tiranë dhe pushimin gjykimit të çështjes.
Tiranë, më 26.11.2015
Nr. 31001-02193-00-2013 Regj.Themeltar
Nr. 00 - 2015 - 4456 Vendimi (648)
Do'stlaringiz bilan baham: |