VENDIM
NË EMËR TË REPUBLIKËS
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, i përbërë prej:
Ardian Dvorani Kryesues
Arjana Fullani Anëtare
Andi Çeliku Anëtar
mori në shqyrtim në dhomën e këshillimit të datës 19.11.2015, çështjen administrative që i përket:
PADITËS: LUTFI GJIKA
I PADITUR: ZYRA VENDORE E REGJISTRIMIT TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, VLORË.
OBJEKTI I PADISË:
Kundërshtimin e aktit administrativ nr.153 të datës 14.09.2010
të Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Vlorë,
si dhe detyrimin e palës së paditur Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Vlorë
të bëjë regjistrimin e pasurisë të sipërfaqe ndërtimore dhe sipërfaqe e truallit
së bashku me katër rrënjë pemë dhe katër rrënjë hardhi prej 660 m2.
Baza Ligjore: Neni 31, 32, 324, 325 të Kodit të Procedurës Civile,
nenit 122/2 e 129 te Kodit të Procedurës Administrative
si dhe ligji nr.7843 datë 13.07.1994
“Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme” neni 24/a, b i tij,
si dhe udhëzimi nr.1 datë 30.01.2007 i Këshillit të Ministrave.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë me vendimin nr.1529 datë 05.07.2011 vendosi:
“Pranimin pjesërisht të padisë së paditësit Lutfi Gjika. Kundërshtimin pjesërisht të aktit administrativ nr.153 të datës 14.09.2010 të Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Vlorë, përsa i përket vetëm objektit të përfituar prej kontratës së shitblerje të datës 31.12.1955 të lidhur mes trashëgimlënësit të paditësit Bazo Gjika dhe Ndërmarrjes Komunale Banesa Vlorë, në cilën citohet shprehimisht: një godinë për shtëpi banimi e cila ndodhet në lagjen Uji i Ftohtë” të Vlorës, rruga :”Njazi Islami”, e përbërë nga dy dhoma, dy korridore me oborr dhe baçe 200 m2 si dhe detyrimin e palës së paditur Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Vlorë të bëjë regjistrimin vetëm të kësaj pasurie(sipas aktit të ekspertimit të ekspertes Tefta Konomi, që i bashkëngjitet këtij vendimi ku në fillim të fq.4 të këtij akti janë përcaktuar dhe kufijtë). Shpenzimet gjyqësore siç janë bërë”.
Gjykata e Apelit Vlorë, me vendimin nr.411 datë 24.04.2012 vendosi:
“Lënien në fuqi të vendimit nr.1529 datë 05.07.2011 të Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë”.
Kundër vendimit nr.411 datë 24.04.2012 të Gjykatës së Apelit Vlorë, ka ushtruar rekurs, brenda afatit ligjor, pala e paditur Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Vlorë e cila kërkon prishjen e vendimeve dhe rrëzimin e padisë dhe Avokatura e Shtetit e cila kërkon ndryshimin e vendimeve dhe rrëzimin e padisë, duke parashtruar shkaqet e mëposhtme:
Rekursi i palës së paditur Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Vlorë
-
Paditësit i është refuzuar regjistrimi i pasurisë prej 600 m2 dhe nuk legjitimohet që në rrugë gjyqësore të kundërshtojë këtë Akt Administrativ për një sipërfaqe truall më të madhe atë prej 600m2, ndërkohë që nuk e ka bërë objekt të shqyrtimit Administrativ ,për këtë sipërfaqe nuk është ezauruar rruga administrative.
-
Urdhri i refuzimit të ZVRPP Vlorë është tërësisht i bazuar në ligj i pasi kontratës së shitblerjes dhe vendimit të Gjykatës nr.4705 datë 04.06.1996 u mungojnë skicat përkatëse.
Rekursi i Avokaturës së Shtetit
-
Paditësi nuk legjitimohet të ngrejë padi me objekt të tillë në kuptim të nenit 32 të i Kodit te Procedurës Civile.
-
Pala paditëse qoftë edhe për këtë pretendim të saj për regjistrim të truallit prej 660m2 nuk legjitimohet në ngritjen e kësaj kërkesë-padie pasi ajo nuk ka ezauruar tërësisht rrugën administrative e më pas t'i drejtohej Gjykatës.
-
Akt ekspertimi lexohet me qartësi se cilët janë kufitarët dhe si kufizohet kjo pasuri e pretenduar nga pala paditëse,nxjerrë kjo nga dokumentet e fondit arkivor të Arkivës Qendrore Shtetërore, por edhe vetë ekspertja nuk ka gjetur askund hartë të Pasqyrimit të këtyre dokumenteve. Në faqen 4 të aktit të Ekspertimit thuhet se: “kjo kontratë shoqërohet me anën grafike pra nuk ka ndonjë skicë shoqëruese për pronën që shitet gjithashtu edhe harta e vjetër para 1990 nuk e pasqyron saktë gjendjen e pronës me kufizimet e saj.
KOLEGJI ADMINISTRATIV I GJYKATËS SË LARTË
Pasi dëgjoi relacionin përkatës të gjyqtares Arjana Fullani si dhe diskutoi çështjen në tërësi,
V Ë R E N
1. Siç rezulton nga aktet e administruara në dosjen gjyqësore, pala paditëse Lutfi Gjika, është trashëgimtar ligjor i të ndjerit Bazo Gjika.
2. Me kontratën e shitblerjes së datës 31.12.1955 të lidhur mes trashëgimlënësit të paditësit, Bazo Gjika dhe Ndërmarrjes Komunale Banesa Vlorë, palët kanë rënë dakord sa më poshtë: Ndërmarrja Komunale e Banesa Vlorë pasurinë prej një godinë për shtëpi banimi e cila ndodhet në lagjen “Uji i Ftohtë” të Vlorës, rruga “Njazi Islami”, e përbërë nga dy dhoma, dy korridore me oborr dhe baçe 200 m2, 4 rrënjë pemë dhe 4 rrënjë pjergulla ...kundrejt çmimit prej 40.000 leke ia shet blerësit Bazo Gjika, shumë e cila është shlyer tërësisht.
3. Me kërkesën e datës 03.10.2007, paditësi Lutfi Gjika i është drejtuar ZVRPP Vlorë për regjistrimin e pasurisë në zotërim të tij, ndërtesë dhe truall me sipërfaqe 660 m2 truall dhe 273 m2 ndërtesë.
4. Me urdhrin nr.153 datë 14.09.2010 Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Vlorë, është vendosur: “ refuzimi i kërkesës për regjistrimin e pasurisë truall dhe objekt në emër të Lutfi Gjika”, me argumentimin se: “vendimi është i paregjistrueshëm në bazë të nenit 24/b të ligjit dhe pikës 5/e të udhëzimit nr.1/2007, kur të dhënat e pasurisë nuk janë të plota e nuk kanë të përcaktuar minimalisht kufijtë dhe pozicionin gjeografik të pasurive të paluajtshme, dokumentacioni i paraqitur është i paplotë për shkak se mungon skica ligjore e titullit... si dhe kontrata e shitjes nuk ka skicë ligjore”.
5. Në këto kushte, pala paditëse Lutfi Gjika i është drejtuar gjykatës me padinë objekt gjykimi.
6. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë me vendimin nr.1529 datë 05.07.2011 vendosi: “Pranimin pjesërisht të padisë së paditësit Lutfi Gjika. Kundërshtimin pjesërisht të aktit administrativ nr.153 të datës 14.09.2010 të Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Vlorë, përsa i përket vetëm objektit të përfituar prej kontratës së shitblerje të datës 31.12.1955 të lidhur mes trashëgimlënësit të paditësit Bazo Gjika dhe Ndërmarrjes Komunale Banesa Vlorë, në cilën citohet shprehimisht: një godinë për shtëpi banimi e cila ndodhet në lagjen Uji i Ftohtë” të Vlorës, rruga :”Njazi Islami”, e përbërë nga dy dhoma, dy korridore me oborr dhe baçe 200 m2 si dhe detyrimin e palës së paditur Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Vlorë të bëjë regjistrimin vetëm të kësaj pasurie(sipas aktit të ekspertimit të ekspertes Tefta Konomi, që i bashkëngjitet këtij vendimi ku në fillim të fq.4 të këtij akti janë përcaktuar dhe kufijtë.). Shpenzimet gjyqësore siç janë bërë”.
6.1 Arsyetimi i Gjykatës: “Gjykata i referohet aktit të ekspertimit të kryer nga inxhinierja Tefta Konomi, në të cilën rezulton se: kjo prone e pretenduar nga paditësi përbëhet sot prej dy sipërfaqe ndërtimore të reja dhe konkretisht sipërfaqja ndërtimore e parë është 205 m2(ende në ndërtim aktualisht katër kate) si dhe sipërfaqja ndërtimore tjetër prej 127 m2 edhe ky ndërtim i papërfunduar të cilat janë kabina tre kate dhe një sipërfaqe trualli në të cilat ndodhet këto ndërtime prej 660m2 me këta kufitare: Veriu - Haxhi Ali Rapi, Jugu - Shaban habili, Lindje rruga e kampit dhe Perëndimi - rruge publike. Sipas nenit Neni 24/1/a të ligjit nr.7843 dt. 13.07.1994 “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme i ndryshuar kërkohet që çdo person i cili kërkon regjistrimin e pronësisë apo pajisjen e tij me certifikatë pronësie të provojë pronësinë dhe kufijtë e pasurisë se paluajtshme nëpërmjet akteve te fitimit të pronësisë sipas nenit 193 të Kodit Civil. Paditësi arriti të provojë se trashëgimlënësi i tij nëpërmjet kontratës së shitblerjes të datës 31.12.1955 të lidhur mes trashëgimlënësit të paditësit Bazo Gjika dhe Ndërmarrjes Komunale Banesa Vlore ka përfituar vetëm dy dhoma, dy korridore me oborr dhe baçe 200 m2 ndërsa për ndërtimet e reja të kryera si dhe sipërfaqen e zënë veç asaj që ka blerë nuk arriti ta provoje duke mos paraqitur në këtë gjykim asnjë akt për të treguar se si është bërë pronar.”.
7. Gjykata e Apelit Vlorë, me vendimin nr.411 datë 24.04.2012 vendosi: “Lënien në fuqi të vendimit nr.1529 datë 05.07.2011 të Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë”.
7.1 Arsyetimi i gjykatës: “I njëjtë me atë të faktit”.
8. Kundër vendimit nr.411 datë 24.04.2012 të Gjykatës së Apelit Vlorë, ka ushtruar rekurs, brenda afatit ligjor, pala e paditur Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Vlorë e cila kërkon prishjen e vendimeve dhe rrëzimin e padisë dhe Avokatura e Shtetit e cila kërkon ndryshimin e vendimeve dhe rrëzimin e padisë, duke parashtruar shkaqet e pasqyruara në pjesën hyrëse të këtij vendimi.
LIGJI I ZBATUESHËM
9. Dispozitat e ligjit nr.49/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatave Administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”;
9.1 Neni 1/2: Dispozitat e këtij ligji plotësohen me parashikimet e Kodit të Procedurës Civile, me përjashtim të rasteve dhe për aq sa ky ligj nuk parashikon ndryshe;
10. Dispozitat e Kodit të Procedurës Civile;
11. Dispozitat e ligjit nr.7843 datë 13.07.1994 “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme”;
KOLEGJI ADMINISTRATIV I GJYKATËS SË LARTË VLERËSON:
12. Se rekursi i paraqitur nga pala e paditur Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Vlorë dhe Avokatura e Shtetit përmban shkaqe që motivojnë cenimin e vendimit nr.411 datë 24.04.2012 të Gjykatës së Apelit Vlorë, me të cilin është lënë në fuqi vendimi nr.1529 datë 05.07.2011 i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë.
13. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, në shqyrtim të akteve që ndodhen në dosjen gjyqësore e të administruara gjatë gjykimeve, pretendimeve e prapësimeve të palëve, vendimeve të gjykatave të faktit, shkaqeve të rekursit, arrin në përfundimin se vendimi i Gjykatës së Apelit Vlorë dhe vendimi i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, janë rrjedhojë e mosrespektimit të ligjit dhe për këtë shkak vendimet duhet të prishen dhe të dërgohet çështja për gjykim pranë Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Vlorë.
14. Gjykata e Lartë, pa i hyrë analizës së provave, nga shqyrtimi i materialeve të dosjes gjyqësore dhe pretendimeve të parashtruara në rekurs evidenton nëse nga gjykatat e faktit janë lejuar ose jo shkelje të normave procedurale dhe nëse ligji material është respektuar ose jo. Në varësi të zgjidhjes së këtyre çështjeve nga gjykatat e faktit, Gjykata e Lartë, në realizim të funksionit të saj rishikues, shprehet për bazueshmërinë ose jo në ligj të vendimeve të gjykatave të faktit.
15. Arsyetimi dhe përfundimi i gjykatave të faktit është rrjedhojë e keqinterpretimit të dispozitave të ligjit nr.7843/1994 “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme” dhe dispozitave të Kodit të procedurës Civile ç’ka i bën vendimet e gjykatave të faktit të pambështetur në ligj. Ky Kolegj konstaton se gjykatat nuk kanë zbatuar drejtë dispozitat procedurale në lidhje me legjitimimin e palëve në proces dhe si rezultat nuk e kanë zgjidhur mosmarrëveshjen objekt gjykimi në përputhje me dispozitat ligjore dhe normat e tjera në fuqi, që janë të detyrueshme të zbatohen prej tyre.
16. Në analizë të akteve dhe provave të administruara në dosjen gjyqësore del e provuar se pala paditëse Lutfi Gjika i është drejtuar gjykatës duke kërkuar kundërshtimin e aktit administrativ të ZVRPP Vlorë dhe detyrimin e ZVRPP Vlorë të bëjë regjistrimin fillestar të pronës...
17. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë, më përfundim të gjykimit ka vendosur të pranojë pjesërisht padinë e paditësit Lutfi Gjika. Mbi ankimin e palëve të paditura, Gjykata e Apelit Vlorë pasi ka marrë në shqyrtim ankimin ka vendosur të lërë në fuqi vendimin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë i cili ka pranuar pjesërisht padinë.
18. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, konstaton se nga gjykatat e faktit janë lejuar shkelje të rënda të ligjit procedural që kanë lidhje me ndërgjyqësinë të cilat pasjellin zhvillimin e një procesi jo të rregullt ligjor.
19. Legjitimiteti konsiston në përcaktimin e personit të cilit i përket interesi për të ngritur padi, dhe në përcaktimin e personit kundrejt të cilit padia duhet të ngrihet. Personi i cili ka interes për të vënë në lëvizje gjykatën duhet të përcaktojë saktë pozitën e tij procedurale dhe gjithashtu duke qene se e drejta për të ngritur padi duhet të ushtrohet kundrejt një pale tjetër, ky i fundit duhet të jetë i përcaktuar saktë për pozitën e tij procedurale në gjykim, në mënyrë që vendimi gjyqësor të jetë i ekzekutueshëm dhe të japë efektet e kërkuara për palën që ka investuar gjykatën.
20. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë vlerëson se formimi i rregullt i ndërgjyqësisë lidhet me garantimin e një procesi të rregullt ligjor për palët pjesëmarrëse në gjykim, përfshirë edhe barazinë e palëve për të kërkuar dhe mbrojtur interesat e tyre të ligjshme, si pjesë thelbësore të misionit të gjykatës në gjykimin e çështjes që i është paraqitur për shqyrtim.
21. Në çështjen objekt i këtij gjykimi, Kolegji vëren se shkaku ligjor dhe objekti i padisë është regjistrimi fillestar i pasurisë së paluajtshme, banesë dhe truall funksional e fituar nga paditësi Lutfi Gjika si trashëgimtar ligjor i të ndjerit Bazo Gjika. Pala e paditur ZRRPP Vlorë ka refuzuar të regjistrojë vendimin e sipërcituar, banesën dhe truallin funksional, me argumentin se të dhënat e pasurisë nuk janë të plota e nuk kanë të përcaktuar minimalisht kufijtë dhe pozicionin gjeografik të pasurive të paluajtshme, dokumentacioni i paraqitur është i paplotë për shkak se mungon skica ligjore e titullit.
22. Sipas nenit 2 të Kodit të Procedurës Civile, janë palët që vënë në lëvizje gjykatën dhe janë ato që përcaktojnë e kërkojnë ndërgjyqësinë lidhur me padinë. Gjykata kujdeset dhe disponon për pranimin ose jo të kërkesës për thirrjen apo pjesëmarrjen në gjykim të personit të tretë në këtë cilësi, madje luan rol aktiv kur e çmon thirrjen kryesisht në gjykim të një personi të tretë. Ndonëse gjykata nuk ka rol aktiv dhe nuk mund të përcaktojë e urdhërojë thirrjen në gjykim të një subjekti në pozitën e paditësit apo të paditurit, ajo bën kujdes, veçanërisht në fazën e veprimeve përgatitore, për të qartësuar natyrën e mosmarrëveshjes dhe rrjedhimisht edhe për të shqyrtuar e orientuar rregullsinë e ndërgjyqësisë së përcaktuar nga ana e paditësit. Gjykata kujdeset që, palët e treguara në padi, si dhe palët e thirrura në gjykim edhe kryesisht prej saj si persona të tretë, të njihen me çështjen, të orientohen dhe t’u krijohen kushtet për të ushtruar të gjitha të drejta që iu njeh ligji, përfshirë për shembull edhe ato që lidhen me pozitën procedurale të tyre dhe mundësinë e hapësirën që parashikon ligji për ndryshimin e kësaj pozite apo daljen jashtë gjykimit.
23. Kolegji vlerëson se në çështjen objekt gjykimi, jemi përpara interpretimit të gabuar të ligjit nga vete gjykatat dhe mospërmbushjes së disa veprimeve procedurale të domosdoshme, për pasojë të së cilave, jo vetëm palët por edhe vetë gjykatat vendosen në vështirësi për zgjidhjen e drejtë të çështjes. Gjykatat e faktit e kanë shqyrtuar çështjen me kërkime detyrim për regjistrim fillestar duke thirrur si palë të paditur ZVRPP Vlorë, dhe pavarësisht pretendimeve të këtyre palëve se nuk mund të kryejnë regjistrimin për shkak se të dhënat e pasurisë nuk janë të plota e nuk kanë të përcaktuar minimalisht kufijtë dhe pozicionin gjeografik të pasurive, nuk kanë pasur parasysh se në këtë gjykim duheshin thirrur pikërisht pronarët e pasurive të cilat kufizohen me pronën e palës paditëse. Këta shtetas tërheqin të drejta dhe interesa direkte në këtë proces gjyqësor, pasi objekt gjykimi është regjistrimi i një pronë e cila kufizohet me pasuri të tjera të paluajtshme të cilat i zotërojnë persona të tretë. Vendimi i gjykatës në përfundim të shqyrtimit të kësaj mosmarrëveshje do të sillte efekte mbi të drejtat e këtyre pronarëve të pronave kufitare, pasi regjistrimi i pasurisë do të bëhej pikërisht në kufi me truallin në pronësi të personave të tretë.
24. Sa më sipër është në qasje edhe me parashikimin e nenit 24/b të ligjit nr.7843/1994 i cili shprehet se: “Individët, familjet dhe personat juridikë, privatë apo shtetërorë, që zotërojnë dokumente pronësie, sipas shkronjës “a”, por nuk kanë të përcaktuar në to sipërfaqen e pasurisë së paluajtshme, kanë të drejtë t’i paraqesin regjistruesit një kërkesë për regjistrim pronësie, e cila duhet të shoqërohet me dokumentin e pronësisë, me një planvendosje apo gentplanin e pasurisë, deklaratën noteriale të pronarëve fqinjë, që vërtetojnë përmbajtjen e kërkesës për pronësinë dhe kufijtë e pasurisë që pretendohet, si dhe kopje të vërtetuara nga noteri të dokumenteve të ndryshme, që mbështesin kërkesën për regjistrim. Regjistruesi, brenda 30 ditëve nga paraqitja e kërkesës, duhet t’i kthejë përgjigje kërkuesit pas pagesës së shpenzimeve, të cilat parapaguhen nga kërkuesi. Kundër vendimit të regjistruesit ose në mungesë të përgjigjes, me kalimin e këtij afati, kërkuesi mund të ankohet në gjykatë. Në procesin gjyqësor gjykata thërret të gjithë pronarët, pronat e të cilëve janë ngjitur njëra-tjetrës e të cilët kanë interes të ligjshëm në gjykim”.
25. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë në kuadrin e përcaktimit të natyrës së kësaj mosmarrëveshje, duhej të kishte orientuar palët për të rregulluar ndërgjyqësinë ose ta rregullonte vetë atë sipas parashikimeve të dispozitës së sipërcituar dhe më tej të vazhdonte me gjykimin e themelit të çështjes. Ndërsa Gjykata e Apelit Vlorë në kushtet kur mori në shqyrtim këtë çështje duhet të kishte konstatuar gabimet në formimin e ndërgjyqësisë të lejuar nga gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë.
26. Për sa më sipër, në kushtet kur Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë konstaton se të dyja gjykatat e faktit kanë lejuar një shkelje të rëndë procedurale, e cila i bën të cenueshme vendimet e marra nga prej tyre, çmon se këto vendime duhen prishur dhe çështja gjyqësore duhet dërguar për rishqyrtim në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Vlorë. Në rigjykim është detyrim i gjykatës që në respektim të dispozitave të sipërcituara, të orientojë palët ose kryesisht të ndërtojë drejtë ndërgjyqësinë sipas përcaktimeve të detyrueshme ligjore.
27. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë vlerëson të theksojë se në çështjen objekt gjykimi, nuk mund të marrë në shqyrtim dhe të analizojë zbatimin e ligjit material, nëse ligji është zbatuar drejtë apo jo nga gjykatat e faktit.
28. Në rishqyrtim, Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Vlorë, për një zgjidhje të drejtë të çështjes, në përputhje me ligjin material dhe procedural duhet t’u bëjë të qartë palëve që është detyrë e secilës prej tyre, të provojnë faktet mbi të cilat bazojnë pretendimet e tyre.
PËR KËTO ARSYE
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, në bazë të nenit 63 të ligjit nr.49/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”
V E N D O S I
Prishjen e vendimit nr.411, datë 24.04.2012 të Gjykatës së Apelit Vlorë dhe vendimit nr.1529, datë 05.07.2011 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë dhe dërgimin e çështjes për shqyrtim në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Vlorë.
Tiranë, më 19.11.2015
Nr. 11118-03032-00-2012 i Regj. Themeltar
Nr. 00 - 2015 - 4628 i Vendimit (628)
Do'stlaringiz bilan baham: |