6. Përfundime........................................................................................121
6.1 Perspektiva e Zhvillimit të Sipërmarrjes në Shqipëri....................................121
6.2 Përmbledhja e Rezultateve............................................................................131
7 Rekomandime.....................................................................................................134
7.1 Zhvillimi i Sipërmarrjes Nëpërmjet Arsimit të Lartë....................................134
7.2 Krijimi i Programeve Edukuese Efektive......................................................137
7.4 Kontributi i Studimit......................................................................................143
7.3 Limitimi i Kërkimit dhe Sygjerime për Kërkim Shkencor të Mëtejshëm......145
Anekse..............................................................................................................................148
Referenca..........................................................................................................................180
Lista e Tabelave
Tabela 1: Literatura Përmbledhëse e Studimit.......................................................60
Tabela 2: Niveli i Njohurive rreth Shoqërive të Biznesit, Entiteve Mbështetëse dhe Mundësive të Tjera për Krijimin e një sipërmarrjeje.............................................91
Tabela 3: Edukimi Sipërmarrës...................................................................................93
Tabela 4: Matja e Vullnetit Sipërmarrës.....................................................................94
Tabela 5: Kapaciteti Sipërmarrës...............................................................................94
Tabela 6: Statusi i Punësimit të Prindërve................................................................102
Tabela 7: Perceptimi i Burimit të Kontrollit..............................................................103
Tabela 8: Kapaciteti për Sipërmarrje.......................................................................104
Tabela 9: Pavarësia si Motiv.....................................................................................105
Tabela 10: Korrelacioni midis variablave vullnet-eksperiencë pune dhe vetpunësim................................................................................................111
Tabela 11: Korrelacioni midis variablave vullnet-vlerësim social.........................................................................................................113
Tabela 12: Korrelacioni midis variablave vullnet-kapacitet sipërmarrës...............................................................................................114
Tabela 13: Shpërndarja në Bllokun 0.........................................................................115
Tabela 14: Shpërndarja në Bllokun 1.........................................................................115
Tabela 15: Përmbledhja e Modelit.............................................................................116
Tabela 16: Variablat në ekuacion..............................................................................116
Tabela 17: Influenca e Modelit Inspirues..................................................................118
Tabela 18: Analiza e rezultatit: Marrëdhënia midis "vullnetit" dhe "njohjes së një sipërmarrësi" ...........................................................................................119
Tabela 19: Tabela Permbledhese...............................................................................119
Lista e Grafikëve
Grafiku 1: Gjinia..........................................................................................................91
Grafiku 2: Mosha.........................................................................................................91
Grafiku 3: Niveli i Njohurive rreth Shoqatave të Biznesit, Entiteteve Mbështetese
dhe mundësive të tjera për krijimin e një sipërmarrjeje.............................92
Grafiku 4: Vlerësimi Social i Aktivitetit Sipërmarrës ..................................................95
Grafiku 5: Mosha........................................................................................................102
Grafiku 6: Shpëndarja Gjinore....................................................................................102
Grafiku 7: Perceptimi i Burimit të Kontrollit..............................................................103
Grafiku 8: Pavarësia si Motiv....................................................................................105
Lista e Figurave
Figura 1: Struktura e Kërkimit, Kapitujt dhe Objektivat Kryesorë ..........................28
Figura 2: Modeli i Ngjarjes nga Shapero dhe Sokol.................................................50
Figura 3: Modeli i Teorisë së Sjelljes së Planifikuar nga Ajzen...............................52
Figura 4: Modeli konceptual i kërkimit.....................................................................88
1- HYRJE
"Koha që keni është e kufizuar kështu që mos e shpenzoni atë duke jetuar jetën e dikujt tjetër. Mos u zini në çark nga dogma, e cila thotë, jeto jetën duke u bazuar në mendimin e të tjerëve. Mos lejo zhurmat e opinioneve të të tjerëve t'ju bllokojnë zërin e brendshëm. Dhe më e rëndësishmja, kini kurajon të ndiqni zemrën dhe intuitën tuaj. Ato e dinë tashmë se çfarë duhet të bëheni në të vërtet . "
STEVE JOBS
1.1 Motivi
Sipërmarrja luan rol kryesor në krijimin e vendeve të punës, në përmirësimin e jetës së njerëzve dhe në progresin shoqëror. Këto avantazhe të sipërmarrjes kanë motivuar politikbërësit ta njohin dhe ta mbështetin atë si një atribut të rëndësishëm për zhvillim ekonomik.
Bazuar në Raportin e Monitorimit Global të Sipërmarrjes (2013) numri i punëtorëve në vendet në zhvillim, ka filluar një ulje të papreçedent dhe numri i vendeve të varfra po rritet me shpejtësi. Në qoftë se nuk krijohen vende pune, një numur i madh i fuqisë punëtore në vendet e zhvilluara do të përballet me nivele të larta të papunësisë ose me punë me produktivitet të ulët. Kjo situatë do të çojë në protesta politike dhe radikaliste duke krijuar një valë kaosi në botë.
Është mjaft e vështirë, ndoshta e pamundur për çdo qeveri të krijoj punë të mjaftueshme. Sfida në të ardhmen është shumë e madhe. Si mund të krijohen vende pune, në dekadat e ardhshme, veçanërisht në vendet më pak të zhvilluara ku varfëria, korrupsioni, papunësia masive janë tashmë fakte dominante të jetës ekonomike? Metodat e përdorura nga vendet e zhvilluara, në 50 vitet e fundit nuk kanë qënë efektive. Një kapital i dhënë thjesht në formë grandesh apo kredish ka krijuar borxhe e burime të keqmenaxhuara. Ndërtimi i rrugëve, kanaleve, stacioneve elektrike, bazuar në arsyetimin se në qoftë se vendet e zhvilluara i ndërtojnë ato, do të krijohen vende pune, ka qënë një shpresë e kotë. Metodat më të fundit, si mikrokredite, përmirësimi i zbatimit të ligjit, dhe mbështetja në rregjistrimin e pronës, të gjitha me synimin e formimit të bizneseve të vogla kanë ndihmuar shumë rajone, por nuk kanë prodhuar ende industri në shkallë të gjerë që do të ofroj vende pune për të plotësuar nevojat. Një nga zgjidhjet që do të mundësi punësimi në këtë nivel është kombinimi i inovacionit me sipërmarrjen.
Studimet mbi zhvillimin ekonomik në 30 vitet e fundit kanë theksuar se krijimi i shpejtë i vendeve të punës vjen nga zhvillimi i shpejtë i kompanive. Kështu nga krijimi i kompanive të reja të zhvilluara shpejt, të afta të ofrojnë produkte dhe shërbime të reja, me interes, do të mund të ofrohet punë e nevojshme për popullsinë në rritje. Shumica e këtyre kompanive janë krijuar nga eksplorimi i tregjeve të reja dhe ofrimi i produkteve, shërbimeve ose proçeseve që kanë pak konkurrentë. Kombinimi i produkteve të reja, konkurrentëve të paktë dhe kërkesës së lartë të tregjeve të reja do të sjellë përfitime të mëdha, që do të krijojnë kapital dhe incentiva për produkte të reja dhe punësim.
Disa ekonomistë mendojnë se zhvillimi i ekonomive në vendet në zhvillim duhet të bazohet në avantazhin e fuqisë së lirë punëtore dhe prodhimin e produkteve primare, ndërsa ekonomitë e zhvilluara funksionojnë si krijuese të novacioneve teknologjike dhe sipërmarrjes krijuese të industrive të reja. Kjo metodologji nuk ka qënë dhe nuk do të jetë e mjaftueshme të ndryshojë botën në zhvillim dhe të arrij sfidat e punësimit. Konkurrimi me fuqi punëtore me kosto të ulët ishte efektiv kur bota e pasur ishte e aftë të absorbonte importet e lira. Tashmë kjo është e përballueshme vetëm nga disa vende. Kjo strategji është e vështirë të funksionoj kur rreth një billion punëtorë të rinj po kërkojnë punë dhe ekonomitë e vendeve të pasura, të cilat vuajnë nga plakja dhe pagesa e borxhit të akumuluar po ngadalësojnë zhvillimin. Tregjet e vendeve në zhvillim kërkojnë produkte të reja që janë të lira, të lehta për t'u menaxhohen dhe më efiçente. Vetëm inovacioni dhe krijimi i sipërmarrjeve të reja është i aftë të krijoj zgjidhje afatgjatë për nevojat e ekonomive të vendeve të zhvilluara.
Në qoftë se zgjidhja në të ardhmen është inovacioni dhe sipërmarrja për vendet në zhvillim si mund të inkurajohet ajo? Hapi i parë është të përcaktojmë faktorët që favorizojnë sipërmarrjes, të gjejmë rrugën për të matur këta faktorë dhe të vlerësojmë mangësitë dhe nevojat e vendit.
Ofrimi i trajnimit sipërmarrës në nivel universitar është një zgjidhje për të përmirësuar situatën në një vend si Shqipëria. Pavarësisht dëshirës që ekziston tek individët vihet re mungesë e sipermarrësve me aftësi teknike dhe mangesi menaxhimi për të eksploruar këto mundësi.
Edukimi sipërmarrës bën më shumë se ofrimi i aftësive, ai ndryshon qëndrim dhe perceptim, një fushë që ka nevojë për përmirësim. Në Shqipëri akoma mjedisi i biznesit nuk është i shëndetshëm dhe politikbërësit dhe popullata nuk i japin rëndësinë e duhur.
Arsyet e lartpërmendura janë përbërësit kryesor të ndryshimit. Kështu duke njohur rëndësinë e sipërmarrjes dhe rolin e saj në zhvillimin ekonomik, njohuritë sipërmarrëse mund të ndryshojnë vullnetin sipërmarrës. Vullneti eshte pararendës i sjelljes. Sjellja sipërmarrëse çon drejt inovacioneve dhe si rezultat ndikon në prosperitetin ekonomik e shoqëror të një vendi si Shqipëria.
Nevoja e përshirjes dhe promovimit të sipërmarrjes në programet e edukimit bëhet e rëndësishme për faktin se individët ndryshojnë qëndrim dhe ky ndryshim ka lidhje të drejpërdrejt me zhvillimin ekonomik. Kështu studimi është fokusuar në vullnet dhe rekomandimet atakojnë sjelljen e individëve, pasi impakti ekonomik nuk arrihet nga dikush që ka vullnetin të bëj diçka, por vetëm nga njerëzit që transformojnë vullnetin në sjellje.
Përveçse arsyeve praktike, vullneti është identifikuar si predikuesi më i mirë i sjelljes së planifikuar. Identifikimi i mundësive të biznesit dhe të bërit sipërmarrje janë qartësisht aktivitete të sjelljes së planifikuar. Kështu sipërmarrja mund të përshkruhet si sjellje e planifikuar e cila mund të analizohet me ndihmën e modeleve të vullnetit. Përparësia e modeleve të vullnetit është se ato marrin në konsiderata variablat personale dhe konsiderojnë edhe situatën konkrete.
Pra, nëpërmjet modeleve të vullnetit studimi kërkon të njoh perceptimet e studentëve në lidhje me vullnetin sipërmarrjes dhe të nxjerr në pah faktorët ndikues në mjedisin shqiptar. Gjetjet e studimit besohet, duke u analizuar me kujdes nga ekspertët, mund të bëhen inspirim dhe udhëzues për politibërësit në Shqipëri dhe në rajon, për të reformuar kurrikulat mësimore dhe për të promovuar sipërmarrjen nëpërmjet edukimit të përgjegjshëm dhe efektiv.
1.2 Nevoja e Studimit
Sipërmarrja është motori i çdo ekonomie me impakt pozitiv në krijimin e ndërmarrjeve të reja dhe novatore. Ky aktivitet luan rol të rëndësishëm në krijimin e vendeve të punës dhe zhvillimin ekonomik e shoqëror të një vendi.
Në ditët e sotme del nevoja e promovimit të sipërmarrjes në programet arsimore, kjo duke konsideruar influencën që ato kanë në vullnetin e të rinjve dhe rolin që luajnë në zhvillimin ekonomik. Studime të shumta në këtë fushë tregojnë që studiuesit e konsiderojnë këtë iniciativë shumë serioze dhe përpjekjet janë të shumta. Gjetjet empirike kanë sygjeruar me bindje të plotë se pjesëmarrja në programet e arsimit sipërmarrës ka ndikuar pozitivisht në vullnetin e studentëve dhe sjelljen e tyre lidhur me këtë mundësi karriere. Kështu është konfirmuar se universitetet mund të formëzojnë dhe të nxisin vullnetin sipërmarrës.
Në të gjithë botën, ndërgjegjësimi në rritje për rëndësinë e sipërmarrjes nga autoritetet publike ka kontribuar në rritjen e vazhdueshme në numur të kolegjeve dhe universiteteve të cilat ofrojnë kurse sipërmarrjeje. Ndërsa fillesat dhe zhvillimi intensiv i edukimit sipërmarrës nisi në kontinentin amerikan, tashmë vende të tjera të zhvilluara në Evropë, si p.sh Gjermania kanë krijuar më shumë se 60 departamente universitare të lidhura me sipërmarrjen (Klandt et al., 2008).
Edukimi sipërmarrës është një komponent i rëndësishëm i shkollave të biznesit (Kolveroid dhe Moen, 1997) duke ofruar një stimul për individët, të cilët ndërmarrin këtë zgjedhje karriere. Studimet në fushën e edukimit sipërmarrës po zhvillohen vazhdimisht. E para Konferencë e dedikuar ka qenë ajo e quajtur “IntEnt” (Internationalising Entrepreneurship Education & Training) që është ndërmarrë në vitin 1994 (Allan Gibb, 1994).
Sipas autorëve Etzkowitz dhe Ranga universiteti luan një rol të rëndësishëm në shoqëritë e zhvilluara si rezultat i disa faktorëve specifik:
-
Funksionet tradicionale të universitetit, si mësimdhënia dhe kërkimi, ju është shtuar në vitet e fundit një funksion i tretë, ai i përfshirjes në zhvillimin ekonomiko-shoqëror (misioni i tretë). Ky mision është efekt i politikave të forta qeveritare për të forcuar lidhjen midis universiteteve dhe pjesës tjetër të shoqërisë, veçanërisht bizneseve. Kjo është gjithashtu dhe një tendencë e firmave për të përdorur infrastrukturën kërkimore të universiteteve për të realizuar objektivat e tyre R&D (kërkim dhe zhvillim), duke transferuar indirekt kostot e tyre tek shteti i cili është financuesi kryesor i universiteteve (Slaughter and Leslie, 1997). Universitetet kanë shtuar kapacitetet e tyre të mësimdhënies dhe të kërkimit dhe jane transformuar nga edukimi i individëve tek organizata të edukimit sipërmarrës dhe programe inkubimi duke ofruar formate të reja kërkimi dhe mësimdhënie, përforcuar nga qëndra ndërdisiplinore dhe organizata hibride si parqe shkencore, inkubatorë dhe firma kapitali (Etzkowitz, 2008).
-
Potenciali studentor për të ofruar ide të reja dhe talente sipërmarrëse. Studentët duhet të trajnohen dhe inkurajohen për t'u bërë sipërmarrës dhe të inspirohen të ndërmarrin role të reja si krijues sipërmarrjesh.
-
Kapaciteti i universiteteve për të gjeneruar teknologji. Dikur shikoheshin si burim i kapaciteteve njerëzore dhe njohurive, sot shikohen të lidhura me teknologjinë, pasi shumë prej tyre zhvillojnë kapacitete të brendshme organizative për të transferuar teknologjitë.
Si rezultat i faktorëve që përmendëm më sipër, vëndet e Evropës Qëndrore dhe Lindore, gjatë dy dekadave të fundit, kanë përfshirë ndryshime në sistemin universitar me qëllim përshtatjen me standarde evropiane. Megjithë dëshirën, vështirësitë në realitet janë të shumta, për faktin se vazhdojnë të ekzistojnë barriera kulturore dhe gjuhësore të trashëguara nga sistemi komunist. Gjuha akademike ka mungesë të theksuar të termave të përshtatshëm dhe ato vazhdojnë të mbartin ende konotacionin negativ gjeneruar nga sistemi komunist dhe tranzicioni i ashpër. Edukatorët megjithë përpjekjet për t'u shkolluar dhe trajnuar ende nuk kanë bërë pjesë të tyre realitetin e ri teorik dhe praktik. Atyre ju mungon pedagogjia e duhur për të përcjelle konceptet e reja dhe përshtatur me realitetin dhe ju mungon tradita e kërkimit në fushë. Modeli i mësimdhënies tradicionale të përcjellë në vite nga universitetet nuk përputhet me kërkesat e mësimdhënies bashkëkohore dhe bën që edukatorët të jetojnë dilemen e dy realiteteve. Këto faktorë shumëfishohen nga fakti se tregu nuk e shikon rolin e tyre ende si të nevojshëm dhe qeveritë në këtë vazhdë nuk i kanë dhënë mbështetjen e duhur.
Pas rënies së komunizmit në Evropën Qëndrore dhe Lindore përpjekjet e para nisen me krijimin e departamenteve të menaxhimit të biznesit në universitetet publike, dhe me hapjen e shkollave private ku biznesit ju kushtua vëmendje kryesore. Përmendim këtu degë të veçanta studimi si menaxhim biznesi, administrim biznesi në nivelet bachelor dhe master. Në këto vende zhvillimi i arsimit pësoi një hop cilësor me hapjen e degëve të shkollave perëndimore, të cilat sollën modele të përparuara.
Në Evropën Lindore dhe Qëndrore shumë universitete kanë krijuar degët e menaxhimit dhe kanë futur në kurrikula lëndë si sipërmarrja, inovacioni dhe teknologjia, menaxhimi i burimeve njerëzore dhe talenteve. Përpjekje janë bërë edhe donatorët për të asistuar në përmirësimin e cilësisë së edukimit duke ofruar asistencë financiare dhe trajnime të vazhdueshme. Trajnimet janë ofruar në vite nga donatorë ndërkombëtar.
Studimet e bëra në rajon dhe Shqipëri deklarojnë se ka nevojë për njohuri të reja në fushën e menaxhimit dhe sipërmarrjes. Me të drejtë akademikët ngrenë problematikën e një arsimi që t'i përgjigjet nevojave të tregut, ku teoria dhe praktika të jenë bashkëudhëtare, ku talentet të përkrahen e të inspirohen të krijojnë e të drejtojnë sipërmarrje në të ardhmen, dhe ku teknologjia të përshkruaj të gjithë kurrikulën.
Edukimi sipërmarrës është një disiplinë e re në Shqipëri dhe siç mund të konstatohet në shumë nga vëzhgimet në universitetet publike dhe private akoma nuk është integruar në kurse specifike apo në degë të veçanta. Përvoja në vende të zhvilluara dhe me eksperiencë tashmë në fushë, sygjeron rëndësinë që duhet të ketë integrimi sipërmarrjes në edukimin formal, jo vetëm në profilet e administrimit të biznesit, por edhe më gjerë.
Në Shqipëri tregu i punës për të rinjtë karakterizohet nga nivel i lartë i papunësisë, pjesëmarrja e ulët e fuqisë punëtore dhe nivele te ulëta të punësimit. Nisur nga këto fakte, shtrohet nevoja e nxitjes së edukimit sipërmarrës në institucionet e arsimit të lartë në Shqipëri, si një rrugë shumë e rëndësishme për të promovuar kreativitet, inovacion dhe vetpunësim. Të dhënat empirike tregojnë se Universitetet duhet të transformohen gradualisht në universitete sipërmarrëse, ku të rinjtë e diplomuar të kenë fituar qëndrim, besim dhe aftësi për të përballuar sfidat e tregut. Duke u ndjerë të aftë ata do të ndërmarrin inciativa për fillimin e bizneseve inovatore dhe gradualisht do të ndryshojnë kulturën dhe situatën në vend.
Shqipëria ka bërë hapa drejt këtij synimi në dy dekadat e fundit. Çdo vit janë vënë re përmirësime të ndjeshme në kurrikula, në pedagogjinë e mësimdhënies, në trajnimin e edukatorëve dhe përdorimin e metodave eksperimentale. Interesant është fakti se ky progres nuk është matur dhe për këtë lind nevoja e kërkimit në fushë.
Përveç edukimit rol të rëndësishëm luan eksperienca në fushën e sipërmarrjes. Studime të ndryshme mbështesin idenë se elementë të sipërmarrjes mund të merren dhe përforcohen me experiencë (Drucker, 1985, Gorman, Hanlon & King, 1997, Kuratko, 2005), dhe nënvizojnë nocionin se vullneti sipërmarrës i individëve mund të influencohet me trajnim dhe mbështetje (Henry et al, 2003). Bashkë me këtë gjetje vjen dhe sfida për akademikët, për të ofruar arsim praktik, e për të kultivuar tek studentët kreativitetin dhe të mësuarit nga eksperienca.
Po në këtë drejtim studimet kanë treguar se ekspozimi tek eksperienca të mëparshme të një individi në fushën e biznesit, influencojnë vendimarrjen e tyre dhe rezultatet në këtë fushë (Dyke et al., 1992). Studiuesit kanë identifikuar ekspozimet e mëparshme tek biznesi, modelet inspiruese dhe rrethin e njohjeve si faktorë shumë të rëndësishëm (Hisrich & Brush 1994, Kets de Vries, 1977; Scherer at al., 1989, Taylor & Thorpe, 2004). Kështu studiuesit e lartpërmendur Taylor & Thorpe (2004) propozuan se rrjeti njohës i një individi vepron si burim informacioni që mund të influencojë vendimarrjen gjatë proçesit të sipërmarrjes. Influencat personale, të familjes dhe të shoqërisë rritin motivimin sipërmarrës të të diplomuarve dhe aspiratat e tyre të karrierës (Matlay, 2006), si në aspektin pozitiv ashtu dhe atë negativ.
Por vazhdon të jetë kritik fakti që programet e edukimit arrijnë të mësojnë dhe inkurajojë sjelljen sipërmarrëse. Prandaj është e rëndësishme të kuptohet roli që mbart edukimi tek faktorët që influencojnë individin dhe formojnë vullnetin e tij për të zgjedhur vetpunësimin si karrierë. Studimet empirike në vite janë fokusuar në pyetjen e rëndësishme: A ka ndikim edukimi në vendimin e të rinjve për t'u bërë sipërmarrës? Kjo pyetje tashmë rezulton të jetë pozitive, provuar nga pjesa më e madhe e studimeve të bëra dhe na bën optimist. Po duke u nisur nga ky rezultat studiuesit kanë shkuar më tej. Në vitet e fundit vëmendje e veçantë i është kushtuar pyetjes: A është efektiv edukimi i bërë në shkolla për krijimin e sipërmarrësve të ardhshëm? Përgjigjia e kësaj pyetjeje do të ofronte politika të reja promovuese, që do të nxisnin krijimin e sipërmarrjeve të reja dhe do të rezultonte në zhvillim ekonomik të qëndrueshëm.
1.3 Objektivi i Studimit
Ky punim shkencor ka qëllim të rishikojë gjetjet dhe të kontribojë me një përpjekje më shumë lidhur me faktorët që influencojnë të rinjtë të bëhen sipërmarrës. Ai është ndërmarrë për të studiuar ndikimin e njohurive, aftësive, përvojës së punës, normave shoqërore dhe modelit inspirues në vullnetin sipërmarrës të të rinjve shqiptar. Është një studim i gjerë dhe rezultatet do të shërbejnë si një fillim i mirë për të siguruar të dhëna dhe ide, si dhe për të krijuar mjedisin e duhur në zhvillimin e praktikave sipërmarrëse në Shqipëri.
Me qëllim që të nxisin sipermarrjen, ulin papunësinë, zhvillojnë inovacionin dhe forcojnë ekonominë, politikbërësit duhet jo vetëm të njohin faktorët influencues por të krijojnë programe efektive në universitetet shqiptare. Problemi që haset është se megjithëse studentët ndjekin tre-pese vite programe biznesi, duket se rezultatet nuk janë ato që priten, pasi studentët me interes në këtë fushë nuk ndërmarrin veprime konkrete. Prandaj është e rëndësishme të kryhet ky studim për të kuptuar faktorët të cilët ndikojnë në perceptimin e studentëve lidhur me vullnetin sipërmarës si dhe të ofrohen rekomandime për hapat që duhet të ndiqen për përmirësime në të ardhmen.
Më konkretisht studimi është fokusuar në përpjekjet e bëra në këtë fushë, si dhe specifikisht, në analizën e situatës aktuale në rajon dhe Shqipëri. Objektivi kryesor ka qënë përcaktimi i faktorëve që ndikojnë në "vullnetin sipërmarrës" të të rinjve shqiptar. Studentët të cilët kanë marrë pjesë në këtë studim kanë qënë të ekspozuar ndaj njohurive sipërmarrëse dhe pranë diplomimit. Pra, nëpërmjet tyre studimi analizon perceptimet e studentëve në lidhje me vullnetin sipërmarrjes. Studimi riteston modelin psikologjik të Ajzen lidhur me sjelljen e planifikuar, për të identifikuar faktorët që do të ndikojnë të rinjtë të bëhen sipërmarrës. Si rezultat, shpresojmë, gjetjet e këtij studimi do të jetë një aset i vlefshëm për politikëbërësit në Shqipëri dhe në rajon.
1.4 Metodologjia
-
Në fazën e parë të kërkimit u studiua literatura e nevojshme. Rishikimi i literaturës ndihmoi në selektimin e faktorëve që do të studiohen dhe gjithashtu në formulimin e hipotezave. Në studim u aplikua Modeli Ajzen sipas të cilit qëndrimi pozitiv kundrejt sipërmarrjes duket se ka influencë të lartë në vullnetin sipërmarrës. Normat subjektive gjithashtu influencojnë vullnetin sipërmarrës. Kontrolli i sjelljes së perceptuar është konsideruar një parakusht për të krijuar një sipërmarrje dhe ka një influencë në vullnetin sipërmarrës. Ndjenja e përgjithshme se kapaciteti i një individi është i duhuri, është më me vlerë se njohja e detajeve të biznesit.
-
Të dhënat u mblodhën duke aplikuar një pyetësor të standartizuar, EIQ (Linan et al, 2006) të autorizuar nga autori. Ky pyetësor është vlerësuar nga një seri studimesh të bëra nga Linan dhe Chen (2009) dhe është realizuar në vende të ndryshme dhe kultura të ndryshme. Lidhur me përdorimin e këtij pyetësori në kontekstin shqiptar nuk ka asnjë provë. Pyetësori EIQ u krijua për të studiuar vullnetin sipërmarrës, për të mbledhur informacion e nevojshëm në studim. Të gjithë këta faktorë u matën duke përdorur shkallë Likert me 7 pikë (1=plotësisht kundërt, 7=plotësisht dakort), si dhe përgjigje pozitive/negative në rastet e nevojshme. Gjithashtu në këtë proçes janë mbledhur dhe të dhënat personale të studentëve dhe kontaktet e tyre (në rastin e një studim të mëtejshëm afatgjatë).
-
Në studim u përfshinë të dhëna demografike; statusi aktual dhe i mëparshëm i punës (eksperienca në punë); eksperienca të mëparshme vetpunësimi (nëse zotërojnë biznes aktualisht apo janë përpjekur ta bëjnë këtë më parë); normat sociale (mbështetja nga shoqëria, familja e kultura), aftësitë e njohuritë në fushë (edukimi), objektivi i karrierës dhe dëshira për vetpunësim (vullneti) si dhe modelet inspiruese (në familje, shoqëri apo njohje e njerëzve të tjerë të cilët janë sipërmarrës).
-
Studimi pilot u krye për të testuar fizibilitetin e përdorimit të pyetësorit në studimin bazë. Në këtë fazë u përfshinë studentët e vitit të fundit të Universitetit të New Yorkut, Tiranë me një kampion prej 64 pjesmarrësish. Kampioni u zgjodh bazuar në faktin se ky grup përfaqësues është më i motivuar për të marrë vendime karriere dhe ka njohuri në fushën e sipërmarrjes, si rezultat i studimit katër vjeçar në fushën e biznesit.
-
Studimi rajonal u ndërmorr bazuar në të dhënat e Departamentit të Menaxhimit në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Tiranës. Të dhënat janë mbledhur nga një pyetësor i aplikuar në disa universitete të rajonit përfshirë Rumaninë, Slloveninë, Bullgarinë, Bosnjë-Hercegovinën dhe Shqipërinë. Studimi rajonal është një analizë krahasuese e vendeve me veçori të përbashkëta historike, ekonomike dhe sociale, te cilët ende kanë një ekonomi në tranzicion. Në këtë pyetësor është përdorur shkalla Likert me 6 pikë.
-
Studimi bazë u ndërmorr me të dhënat e grumbulluara nga pyetësorët e plotësuar nga studentët e vitit të fundit në programet bachelor dhe master, në degët e lidhura me biznesin duke mbuluar të gjithë universitetet shtetërore si dhe disa private në Shqipëri. Pjesmarrësit në studim janë nga Universiteti i Tiranës, Universiteti i Elbasanit, Universiteti i Shkodrës, Universiteti i Vlorës, Universiteti i Gjirokastrës, Universiteti i Korçës, Universiteti "Aleksander Moisiu", Durrës, Universiteti i New Yorkut, Tiranë dhe Universiteti Evropian. Popullata e shqyrtuar përbëhet nga 434 studentë në vitet e fundit të studimit, rregjistruar me kohë të plotë në institucione të arsimit të lartë në të gjithë vendin. Studentët ishin të ekspozuar në edukimin sipermarrës gjatë viteve të kualifikimit të tyre.
Do'stlaringiz bilan baham: |