Nga Sasa Dragojlo
“Të gjithë kolegët e mi po kërkojnë për një mënyrë që të largohen nga vendi”,- tha për “BIRN” 25-vjeçari Ognjen Petrovic, një farmacist nga Obrenovaç.
“Nuk ka të ardhme në Serbi për profesionistët e shëndetit. Është thuajse e pamundur të gjesh një punë të mirë dhe kur e gjen një… rruga është minimale”,- tha Petroviç.
Ai shpjegoi se me gjasa do të largohet për Kanada duke kërkuar mundësi më të mira profesionale për zhvillim.
Serbia po përballet me një mungesë afatgjatë të profesionistëve të shëndetit, teksa doktorët dhe infermierët largohen nga vendi për të ndjekur perspektiva më të mira.
Qeveria serbe nuk ka marrë ndonjë masë të rëndësishme për të ndaluar trendin negativ, argumentojnë kritikët.
Ministri serb i financave, Dusa Vujeviç shkaktoi një zemërim mes sindikatave të mjekësisë të dielën duke thënë se punonjësit në mjekësi duhet të gjejnë një tjetër shtet nëse nuk janë të kënaqur me këtë.
Vujeviç dhe përfaqësuesit e unioneve diskutuan uljen e planifikuar të rrogave në sektorin publik që do të rrisë problemet financiare për mjekët.
Zoran Saviç, president i Unionit të Mjekëve në Serbi i tha “BIRN” se, disa qeveri të serbisë vazhdimisht e kanë shpërfillur largimin e trurit, duke e vënë shëndetësinë në vend në rrezik.
“Në vitet e ardhshme, nuk do të kemi njerëz që kujdesen për shëndetin tonë. Mesatarisht, Serbia ka më pak punonjës mjekësor se shumica e shteteve europiane”,- tha Saviç.
Rroga mesatare e doktorëve në Serbi është rreth 450 euro dhe për specialistët rreth 600 euro.
Sipas Unionit të Doktorëve dhe Farmacistëve në Serbi, vendit i mungojnë 13,000 punonjës të mjekësisë në fusha të ndryshme, por njëkohësisht ka 13,000 nëpunës të tepërt në sektorin publik.
Dhoma Serbe e Mjekësisë pohon se çdo vit merr më shumë kërkesa për një “certifikatë të reputacionit të mirë”,- që është e nevojshme për punë jashtë shtetit.
Rreth 300 certifikata u lëshuan në 2012. Në vitin 2013 numri shkoi në 435 dhe në 2014 më shumë se 927. Vitin e shkuar numri arriti në 1000.
“Të rinjtë duan të bëjnë atë për të cilën mbaruan shkollën dhe të jetojnë me ndërshmëri. Nëse kjo nuk ndodh ata largohen”,- tha Petroviç./BIRN/
Namik Dokle fiton gjyqin për pagat e hequra nga Topalli: Ja sa merr
Heqja e pagës deputetit socialist Namik Dokle në periudhat shtator 2009-Maj 2010 nga ish-kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli është vlerësuar e padrejtë.
Deputeti socialist ka fituar në gjykatë të drejtën e fitimit të pagës për 9 muaj, ndërsa një padi të ngjashme rezulton ta kenë bërë dhe disa deputet të tjerë socialist të cilët në 2009 bojkotuan punimet e kuvendit.
Ish-nënkryetari i Parlamentit aktualisht deputeti i Partisë Socialiste për qarkun e Durrësit Namik Dokle, fiton gjyqin me Kuvendin duke përfituar pagën e munguar, shpërblimet dhe dietat për një periudhë 9-mujore.
Vendimi në favor të deputetit është dhënë nga gjyqtari Gentian Hamiti i cili i ka njohur Dokles të drejtën për të përfituar afro 1.4 milionë lekë përfitime për periudhën shtator 2009-maj 2010.
“Report TV” ka siguruar ekskluzivisht një kopje të këtij vendimi, ku gjyqtari sqaron se, për këtë periudhë parlamenti duhet të paguajë paditësit në këtë rast Dokles, pagën neto prej 780.243 lekë shpenzime telefonike në shumën 147.100 lekë, dieta në vlerën e 272.282 lekë, si dhe shpenzime transporti në vlerën e 223.042 lekë.
Por përse nuk e paguan deputetin Dokle?
Juristi i parlamentit në gjykatë ka sqaruar se konflikti financiar me deputetin, ka ardhur si pasojë e bojkotit të plotë që z.Dokle i ka bërë punës së Kuvendit, duke mos marrë pjesë në seanca plenare, komisione parlamentare dhe veprimtarinë e parlamentit.
Periudha shtator 2009- maj 2010, përkon me protestën e Partisë Socialiste në atë periudhë në opozitë, e cila nën moton “Hap Kutitë” bojkotoi për disa muaj punimet e Kuvendit.
Në atë periudhë Kuvendi drejtohej nga Jozefina Topalli, e cila vendosi që jo vetëm deputetit Namik Dokle, por plot 63 deputetëve të tjerë socialist t’i ndërpresë përfitimet financiare.
Mes deputeteve që ju ndërprenë pagat dhe kanë bërë padi në gjykatë janë Vali Leskajt, Olta Xhacka, e ish-deputetja Shegushe Ligori. Me këtë vendim të Gjykatës Administrative, vendimi i ish-kryetares së Kuvendit është konsideruar i padrejtë duke detyruar administratën aktuale të paguajë paratë.
Video: “Emocionohet” Nard Ndoka në Komision, ja gafa e tij
Deputeti Nard Ndoka teksa ka folur sot në Komisionin e Ligjeve, është “emocionuar” aq shumë saqë ka ngatërruar edhe termat e fjalëve që ka folur.
Duke u ndalur tek çështja e ligjit për sigurinë, konkretisht të armëmbajtjes pa leje, Ndoka që njihet si një personazh për mënyrën e tij të të folurit, ka ngatërruar fjalët duke thënë se: “Njerëzit shëtisin nëpër rrugë me leje pa armë, me leje me armë”, në vend që të thoshte “Me armë pa leje”.
Teksa ai është korrigjuar nga kolegët e tij, Ndoka për të kaluar gafën që bëri i’u tha atyre se, ky ishte një lapsus.
“Epo mirë se ishte një lapsus, doja të thoja armë pa leje”.
I prekur nga reagimi i tyre, ai iu ka thënë deputetëve që ishin në Komisionin se Ligjeve se, nuk duhej të qeshnin.
“Mos i zbardhni dhëmbët se nuk ishte ndonjë gafë e madhe. Termin e di më mirë se ju, por bëra lapsus”,- ka deklaruar Nard Ndoka.
Kur Nard Ndoka thotë të vërtetën…
Nga Skënder Minxhozi
Është kthyer prej kohësh në një sport të vërtetë kombëtar, sidomos nëpër rrjetet sociale, ironizimi (në të shumtën e rasteve pa të keq), i figurës së Nard Ndokës. Për të ka dhjetra batuta, barcaleta e shpoti të të gjitha llojeve. Gjithsesi vetë Ndoka është një politikan që përtej opinionit të një pjese të opinionit publik, ka ditur të notojë në ujrat e turbullta të politikës shqiptare për më shumë se një dekadë. Natyrisht duke lundruar herë djathtas e herë majtas, me “varkën” e tij modeste demokristiane.
Para dy ditësh, Nard Ndoka komentoi për Javaneës situatën brenda opozitës së sotme, duke afishuar një konkluzion që sot e ndajnë një masë e madhe njerëzish që merren ose janë të informuar për punët e politikës në Shqipëri. Ndoka tha me pak fjalë se e vetmja shpresë dhe e vetmja strategji e opozitës së sotme, është sesi të ndajë Edi Ramën nga Ilir Meta. Pra, me fjalë të tjera, sesi të shfrytëzojë gabimin e kundërshtarit, pa qenë në gjendje ta ndërtojë vetë rrugën drejt suksesit.
Ky koment i Nard Ndokës është i vjetër sa edhe aleanca mes PS dhe LSI. Pra, daton që nga pranvera e vitit 2013, kur u zyrtarizua divorci i Metës me Berishën dhe kur i pari kaloi gardhin e shumicës së asaj kohe për t’u bashkuar me Ramën. Në fakt bashkimi i PS me LSI ka pasur në themelet e tij një llogaritje të thjeshtë matematikore, e cila e ka shtyrë kreun e PS të shprehet se e mori nismën për krijimin e “aleancës së qelbësirave”, për shkak se pa LSI e majta e ka shumë të vështirë të vijë e vetme në pushtet. Numrat thonë se një bashkim mes dy partive në fjalë, ja bën thuajse të pamundur PD rikthimin në pushtet. Dhe Ndoka e nënkupton këtë rrethanë, duke kritikuar Bashën e Berishën për diversionin që po përpiqen të ushqejnë brenda qeverisjes aktuale.
Nga ana tjetër, kritikat e Nard Ndokës nënvizojnë edhe një aspekt tjetër, që e tejkalon aritmetikën e votave. Si një dëshmitar i brendshëm i dy kampeve, ai po vëren në këtë rast pa shumë vështirësi, sesa bosh dhe pa ide është aktualisht lidershipi Basha në krye të partisë më të madhe të opozitës. Dhe në këtë pikë është shumë e vështirë të thuhet se Nardi “po ja fut kot”…
27/01/2016........................
PD: Tahiri, ministri më i inkriminuar, shkatërroi besimin te policia
Partia Demokratike ka reaguar pas fjalës së ministrit Tahiri në konferencën për analizën e Policisë së Shtetit. Përmes një deklarate për mediat, zëdhënësja e PD-së, Ina Zhupa, akuzoi ministrin e Brendshëm se, ka shkelur ligjin dhe nuk mund të predikojë për zbatimin e ligjit nga qytetarët.
Sipas zëdhënëses së PD-së, Tahiri, duhet të ishte larguar nga detyra pasi pranoi se kishte shituar makinën e tij pa deklaruar shitjen.
Për të gjitha ngjarjet kriminale dhe shkeljet e ligjit, ministri Tahiri nuk ka mbajtur përgjegjësi, thotë zëdhënësja Zhupa, të cilin e etiketoi si ministrin më të inkriminuar në Ballkan.
Deklarata e zëdhënëses së PD Ina Zhupa
Saimir Tahiri predikoi pa turp sot ligjin, besimin dhe etikën në polici, tre elementë për të cilat ky ministër duhej të kishte ikur me kohë nga detyra e të ishte përgjigjur para drejtësisë.
Saimir Tahiri ka shkelur ligjin, dhe këtë e di çdo shqiptar. Ai vetë pranoi se ka shitur në të zezë taksinë e drogës, makinën e tij private, dhe këtë shitje nuk e ka deklaruar. Ai vetë, publikisht deklaroi se nuk pranon të zbatojë një vendim gjykate në fuqi. Një shkelje e rëndë e ligjit.
Saimir Tahiri ka shkelur besimin publik që duhet të kenë qytetarët tek policia, pasi me makinën e tij personale private, banda e habilajve i është fshehur kontrolleve dhe ka kryer trafik droge.
Saimir Tahiri është një shkelës i madh i etikës, pasi megjithë skandalet që kanë ndodhur, me gjithë provat e faktet e përfshirjes së tij në trafik e lidhje me krimin, ai nuk ka mbajtur përgjegjësi dhe ka vazhduar ti shërbejë bandave me postin e tij.
Një seri ekzekutimesh mafioze kanë ndodhur vetëm në muajin Janar. Dhe Tahiri nuk mban asnjë përgjegjësi.
Ai është ministri më i inkriminuar në Ballkan, dhe sa më shumë qendron në detyrë, aq më shumë stimulon krimin e trafiqet, dhe minon besimin e publikut tek policia.
Kundër Triumfalizmit
Nga Akri Çipa
Ndërkohë që Bashkimi Sovjetik shpërbëhej dhe komunizmi ishte në rënie e sipër, perëndimorët filluan të argumentojnë gjithmonë e më shumë për fitoren e pashmangshme të sistemit demokratik, i cili në fakt po fitonte simpati në shumë vende të cilat nuk kishin pasur asnjëherë më parë traditë demokratike. Mjaft mendimtarë dhe akademikë perëndimorë filluan të besojnë se, në vazhdën e këtyre zhvillimeve, demokracia ishte jo vetëm sistemi më i mirë politik, por edhe sistemi përfundimtar. Padyshim eksponenti më i njohur i kësaj vije mendimi është Fukuyama, i cili e metaforizoi demokracinë si “fundin e historisë”.
Vepra më e njohur e triumfalizmit perëndimor, libri “Fundi i historisë dhe njeriu i fundit” nga Francis Fukuyama, bazohet në një logjikë hegeliane. Hegel e shikonte procesionin historik si të ndarë në tre pjesë: teza, antiteza dhe sinteza. Sipas tij, teza konsistonte në një konceptualizim. Antiteza ishte reaksioni ndaj tezës dhe mëtonte ta kundërshtonte atë. Sinteza ishte rezultati i përplasjes ndërmjet tezës dhe antitezës. Kjo metodologji analitike nuk u përdor vetëm nga Fukuyama. Bota në kohën pas Luftës së Dytë Botërore ishte një arenë politike ideologjikisht e ndarë në dy kampe. Nga njëra anë ishte Perëndimi që proklamonte demokracinë liberale. Nga ana tjetër, blloku sovjetik propagandonte komunizmin. Kjo dikotomi në arenën ndërkombëtare ekzistoi që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore, deri në vitin 1989, kur fundi i bllokut sovjetik dhe i komunizmit u bë evident. Gjatë kohës së kësaj arene ndërkombëtare dypolare, ishte mjaft i përhapur besimi se përballja ndërmjet komunizmit dhe demokracisë do të përfundonte me një bashkim ideologjik të kapitalizmit dhe socializmit. Por ky version hipotetik i dialektikës hegeliane rezultoi të ishte i pasaktë, sikurse Fukuyama vetë e vë në dukje. Rënia e komunizmit, në mënyrë indirekte, shpalli fitoren e liberalizmit politik dhe ekonomik. Pikërisht në këto kondita, duke ndjekur një filozofi gjithaq hegeliane, Fukuyama e shikon demokracinë si tezë, komunizmin si antitezë dhe fitoren e demokracisë si sintezë. Pikërisht nëpërmjet këtij konceptimi ai e vlerëson liberalizmin si Fundin e Historisë.
Fukuyama argumenton kundra kundërshtarëve të mundshëm të demokracisë liberale. Ai hedh poshtë fillimisht nazi-fashizmin, duke vërejtur se e humbi luftën (reale dhe luftën e ideve) ndaj demokracisë në Luftën e Dytë Botërore. Së dyti ai hedh poshtë komunizmin. Duke iu referuar eventeve të kohës në të cilën ai shkruan (fillim të viteve 90’), ai konstaton se edhe komunizmi e humbi luftën ndaj demokracisë. Shembujt që ai merr janë Bashkimi Sovjetik, që kishte hyrë tashmë në rrugën e liberalizimit, por edhe Kina, e cila megjithëse ishte ende strikte nga ana politike, kishte filluar të liberalizohej nga ana ekonomike. Përvec ideologjive të strukturuara që përmendëm, Fukuyama argumenton edhe kundër nacionalizmit, duke e parë atë thjesht si një masë ideologjike që shtyhet thjesht nga dëshira për sovranitet dhe për krijimin e shteteve nacionale, por që nuk ka një axhendë politike të mirëfilltë. Dhe, pikërisht për këtë arsye, nuk është një ideologji që mund të mëtojë krijimin e një rendi politik. Së fundmi, Fukuyama fokusohet në doktrinat fetare. Ai konstaton se kërkesat fetare nuk janë aspak kundërshtuese të demokracisë në vetvete dhe fare mirë mund të bashkëjetojnë. Gjithsesi ai bën një theksim të vogël në lidhje me islamin. Theksimi nuk vjen për faktin se islami nuk mund të bashkëjetojë me demokracinë, por për shkak të faktit se islami ka treguar që mundësi të krijojë shtete teokratike që kundërshtojnë parimet demokratike. Por, Fukuyama është i bindur që islami ka ndikim rajonal dhe nuk e tejkalon dot këtë ndikim duke parë që nuk tërheq dot njerëz të cilët nuk bëjnë pjesë në komunitetin islamik (të paktën për kohën kur ai shkruante). Për shkak se nuk merr dot rol universal, islami nuk mund të jetë konkurrente e drejtpërdrejtë e demokracisë liberale.
Triumfalizmi që Fukuyama predikon u brohorit në 1989, në kohën që ai shkruajti artikullin “Fundi i historisë?”, por edhe më shumë në vitin 1992, kur ai e zgjeroi tezën e tij në librin “Fundi i historisë dhe njeriu i fundit”. Triumfalizmi i tij ishte një shfaqje perëndimore, një besim i verbër se “fitorja” ndaj komunizmit ishte jo vetëm një triumf i demokracisë liberale, por një provë e mëtejshme e supremacisë së Perëndimit. Dhe kjo supremaci nuk mëtonte tashmë që thjesht të dominonte, sikurse kishte bërë në epokën koloniale, por të rindërtonte botën bazuar në shëmbëllimin e saj.
Por pikëpamja optimiste nuk ishte dhe nuk mund të ishte e pranuar universalisht. Teza se evolucioni ideologjik i njeriut kishte mbaruar me demokracinë liberale ishte jo vetëm shumë thjeshtëzuese, por edhe empirikisht e pabazuar. Por, kundërshti ndaj tezës së “fundit të historisë” erdhën edhe nga bota akademike, ku skeptrin e kritikut kryesor e mban Samuel Huntington.
Ky i fundit e kundërshton tezën e Fukuyamës në artikullin “Përplasja e qytetërimeve” në 1993, të cilin e zgjeroi në një libër në 1996. Huntington besonte se me rënien e komunizmit ideologjia nuk do të ishte më faktori kryesor i konfliktit, dhe primare në këtë drejtim do të bëhej kultura. Gjithsesi Huntington nuk e shikonte luftën në të ardhmen si luftë ndërmjet shteteve të vecanta, por si një konflikt ndërmjet aleancave të mëdha shteërore, të cilat do të krijoheshin në bazë të aspektit të tyre më përcaktues: ndërmjet qytetërimeve. Rënia e komunizmit dhe zbehja e utopive të shekullit XX e lanë botën me shoqëri të cilat kishin probleme thelbësore me vetë-identifikimin. Bazuar pikërisht në këtë dukuri, Huntington parashikoi eminencën e vetë-identifikimit në bazë të qytetërimit. Perëndimi, bazuar në një traditë katolike dhe protestante dhe i galvanizuar nga triumfalizmi, ishte një qytetërim i mirë-përcaktuar. Nga ana tjetër, shumë qytetërime ishin duke u ravijëzuar, të paktën në kohën kur shkruan Huntington. Ndër to, ai përmend qytetërimin Ortodoks, qytetërmin Amerikano-Latin, qytetërimin Lindor (miksim i traditës kineze, japoneze, hinduiste dhe budiste), qytetërimin Afrikan dhe qyterërimin Islamik. Këtë të fundit Huntington e shikon në një proces të vështirë vetë-përcaktimi, por edhe tejet dinamik, duke u nisur edhe nga ideja që islami po fitonte gjithmonë e më shumë formën e një elementi identitet-krijues.
Vetë ekzsitenca e këtyre qytetërimeve, që nuk kishin lidhje me demokracinë liberale, ishte një refuzim i universalitetit të demokracisë që Fukuyama trumbetonte. Por, Huntington shkon edhe më shumë se thjesht konfirmimi i ekzistencës së qytetërimeve. Ai profetizon se këto qytetërime do të përplaseshin me njëra-tjetrën, veçanërisht qytetërimi Perëndimor dhe ai Islamik. Dhe, në fund, bota do të ravijëzohej si Perëndim, me tendencën për ta zgjeruar qytetërimin e vetë, dhe Të Tjerët, në një përpjekje për t’iu kundërvënë perëndimit.
Problemi me “Përplasjen e Qytetërimeve” është se teza është po aq thjeshtëzuese sa ajo e “fundit të historisë” dhe të dyja janë kritikuar mjaft në këtë drejtim. Por, nëse e anashkalojmë këtë veçori, mund të shikojmë se sot, 20 vjet pasi këto dy teza u shpalosën, bota ngjan shumë më tepër me përfytyrimin e Huntingon. Demokracia liberale sot nuk është e fortë siç ishte direkt pas rënies së komunizmit. Edhe demokracia në vetvete ka ndërruar formë dhe nuk mund të perceptohet si para 25 viteve.
Një kritikë tjetër ndaj Fukuyamës e ka pikënisjen tek lidhja e ngushtë që ekziston, sipas këndvështrimit të tij, ndërmjet demokracisë dhe tregut të lirë. Por koncepti i demokracisë së lidhur me ekonominë e tregut bazohet në një numër të limituar shembujsh dhe nuk vlen për përgjithësime. Aq më shumë kur Fukuyama nuk e trajton një paradoks që lind nga ky binom. Paradoksi qëndron në faktin se kapitalizmi dhe tregu i lirë përqëndrojnë pasuri të mëdha në duart e pak personave, ndërkohë që demokracia presupozon të drejta politike për të gjithë. Dhe është i natyrshëm tensioni ndërmjet të drejtave politike universale dhe pasurisë së përqëndruar. Praktikisht, ky tension është mbajtur nën kontroll nga fuqizimi ekonomik i klasës së mesme. Dhe pikërisht për këtë shkak profecia e Marksit se demokracitë kapitaliste do të përfundonin në komunizëm rezultoi të ishte e gabuar. Por, pavarësisht kësaj, tensioni vazhdon të ekzistojë dhe, në këtë prizëm, janë të kuptueshme paralajmërimet katastrofike për rezultatin e thellimit të pabarazisë ekonomike.
Gjithsesi, në tezën e tij Fukuyama nuk e konsideron aspak këtë paradoks dhe demokracia që ai ka në mendje është e ndërlidhur me tregun e lirë. Pra, teza e “fundit të historisë” është jo vetëm e pabazuar nga ana empirike, por edhe e kundërshtueshme nga ana teorike. Nëse flasim me gjuhën e tij, demokracia mund të ketë fituar betejën e ideve (edhe pse askush nuk mund të thotë nëse ishte beteja finale), por demokracia kapitaliste është shumë larg të qënurit një sistem universal. Indikatorët ekonomikë tregojnë se ka një tendencë të fortë që nga vitet 90’ për të adoptuar politika në vendet perëndimore që synojnë të ulin pabarazinë ekonomike dhe të krijojnë siguri për klasat e varfëra të shoqërisë. Këto politika nuk kanë asgjë të përbashkët me ato që liberalizmi ekonomik presupozon.
Pra, sipas kësaj logjike, demokracia nuk kundërshtohet si sistem politik. Ajo cfarë kundërshtohet është demokracia kapitaliste, të cilën Fukuyama e njehson me demokracinë. Dhe kundërshtia nuk vjen ndaj konceptit të gjerë të demokracisë, por ndaj konceptit të ngushtë për të cilin ai flet. Në këtë koncept të ngushtë tensioni është i fortë dhe ekzistenca e këtij tensioni, që synon të shkatërrojë rendin ekonomik, e bën demokracinë subjekt të zhvillimeve të mëtejshme ideologjike dhe, apriori, hedh poshtë tezën e “fundit të historisë”. Sipas perspektivës hegeliane, sinteza mund të ketë konflikte, por jo konflikte të brendshme. Rrjedhimisht demokracia e Fukuyamës nuk mund të jetë një sintezë në vetvete.
Së fundmi, Fukuyama kritikohet për kuptimin monokromatik të botës dhe për refuzimin apriori të evidencës që kundërshton idenë bazike të tezës së tij. Në këtë drejtim është tejet e rëndësishmë kritika që Zhak Derrida (Jacques Derrida) i bën triumfalizmit perëndimor dhe tezës së “fundit të historisë”. Në librin “Fantazmat e Marksit”, Derrida konstaton se ka probleme sistematike që lidhen me demokracinë. Ai i konsideron këto probleme si “sëmundje” dhe argumenton se trimfalizmi në vetvete nuk është vetëm mashtrues, por edhe i dëmshëm, për shkak se i neglizhon këto probleme që e gërryejnë sistemin nga brenda. Nëpërmjet dekonstruksionit që i bën Marksit, Derrida identifikon një sërë sëmundjesh të demokracisë liberale. Pra kritika e Derrida ndaj Fukuyamës nuk bëhet në betejën e ideve, por në prakticitetin e një ideologjie që nuk ka më rivalë të drejtpërdrejtë. Pavarësisht se demokracia e fitoi betejën e ideve ndaj komunizmit, ka një sens të menduari kritik në logjikën e Marksit që nuk i nënshtrohet dot liberalizmit. Është pikërisht ky sens i kritikës radikale, vecori kjo e panjohur për demokracinë liberale dhe, aq më shumë, për triumfalizmin perëndimor, që do u japë mundësi fantazmave të ideologjisë marksiste që të mbijetojnë.
Sëmundjet që Derrida liston janë të shumëllojshme. Disa lidhen me tensionin brenda demokracive kapitaliste, për të cilin folëm pak më parë. Por ka dhe disa që janë tejet të rëndësishmë në vazhdën e zhvillimeve të fundit. Vecanërisht dy prej tyre janë tejet të rëndësishmë në kontekstin e sotshëm dhe shërbejnë si kundërshembuj të mirë ndaj parashikimeve të Fukuyamës.
Një ndër sëmundjet që Derrida analizon është “borxhi i jashtëm”. Duke argumentuar me një stil marksist, Derrida e vlerëson borxhin e jashtëm si një varësi fictive ndërmjet vendeve të ndryshmë për të përforcuar dominimin e elitave drejtues. Borxhet nuk kanë mundur të instalojnë modele ekonomike funksionale në vendet në zhvillim, por janë përdorur nga elitat ineficente dhe të korruptuar për të mbuluar dështimet e modeleve të tyre ekonomike. Në të njëjtën kohë, ky borxh është përdorur për të thelluar pabarazinë ndërmjet elitës së vogël drejtuese dhe masave të gjera të popullsisë. Megjithëse Derrida nuk kundërshton parimet bazë të demokracisë kapitaliste, ai tregon problemet e brendshme të sistemit dhe profetizon paqëndrueshmërinë e sistemit. Duke konsideruar krizën ekonomike të vitit 2008 dhe turbulencat që e pasuan, mund të themi se Derrida kishte të drejtë deri diku. Sistemi financiar ndërkombëtar u ridizenjua pas krizës, por nuk ka asnjë garanci që tashmë sistemi është i sigurt ndaj tronditjeve të ardhshme, veçanërisht duke konsideruar faktin që nivelet e borxheve të jashtëm janë rritur edhe më shumë që atëherë. Tregu i lirë, të cilin Fukuyama e shikon si një zgjatim natyral të demokracisë, është sot më vulnerabël se kurrë.
Sëmundja tjetër e demokracisë është deportimi i emigrantëve dhe mbyllja e perëndimit ndaj “të tjerëve”. Kjo është interesante nëse kemi parasysh krizën e emigrantëve të kohëve të fundit. Derrida e kritikon deportimin e emigrantëve nga vende të cilat janë ndërtuar mbi lirinë e lëvizjes. Është kuptimplotë argumenti simbolik i Derridas se, që nga rënia e Murit të Berlinit, barrierat veçse janë shumëfishuar. Deportimi i emigrantëve dhe rritja e kontrolleve kufitare vetëm thekson edhe më shumë ndarjen ndërmjet Perëndimit dhe Të Tjerëve.
Për ta përmbledhur, teza se demokracia kapitaliste është Fundi i Historisë dhe fundi i evolucionit ideologjik të njerëzimit është e kritikueshme nga shumë perspektiva. Së pari, mund të themi se bota e ditëve tona është shumë larg botës së parashikuar nga Fukuyama. Nga ana tjetër, teza e “fundit të historisë” është tepër thjeshtëzuese edhe në konceptimin që i bën demokracisë si një-dimensionale dhe nuk konsideron aspak tensionin që lind ndërmjet demokracisë dhe ekonomisë së tregut. Në të njëjtën kohë, Fukuyama nuk vlerëson aspak problemet e brendshme të demokracisë, të cilat ngrejnë pikëpyetje jo vetëm për modelin e demokracisë që predikon Fukuyama, por edhe për demokracinë në përgjithësi. Problemet që liston Derrida në vitet 90’ janë sot më prezente se kurrë. As Fukuyama dhe as triumfalizmi perëndimor nuk i parashikuan këto probleme.
Së fundmi, problem i tezës së Fukuyamës është se, sikurse Hegel, e bazon të gjithë konceptimin e historisë në supozimin se historia është lineare dhe se ka një fund të botës politike. Por, megjithëse ka disa vëzhgime që mund ta mbështesin këtë supozim, përgjithësimi ngelet thjesht një supozim dhe pa kritere të vërtetash absolute dhe universale. Kjo gjë është e vërtetë si për Hegel, edhe për Fukuyamën. Ky i fundit, që nga koha e artikullit dhe librit të tij, është përpjekur ta përshtasë tezën e tij në bazë të zhvillimeve të ndryshme, por në të shumtën e rasteve ka dështuar. Në një koment të kohëve të fundit, Fukuyama shprehet se sot nuk është më aq optimist sa ishte kur shkroi librin. Por, historia nuk është cështje humori.
Do'stlaringiz bilan baham: |