EULEX-i: Marti t’ia dërgojë provat prokurorëve tanë
EULEX
Misioni i EULEX-it në Kosovë ka kërkuar nga raportuesi i Këshillit të Evropës, Dik Marti që t’ia dërgojë të gjitha të dhënat prokurorëve të BE-së në Prishtinë.
Marti ka hartuar një raport, ku akuzon kryeministrin Thaçi për përfshirje në „trafikimin e drogës dhe të organeve njerëzore“, akuza këto të hedhura poshtë nga Thaçi.
“EULEX-i i ka dërguar një letër Martit ku e inkurajon që t’ia ofrojë autoriteteve prokuroriale brenda EULEX-it informacionet ose të dhënat që mund të vënë dritë mbi dyshimet e bëra në raport”, i ka thënë agjencisë së lajmeve Reuters, zëdhënësi i EULEX-it, Blerim Krasniqi.
Duhet të paraqitën dëshmi për akuzat në raportin e Martyt
Erhald Byehler
Komandanti i KFOR-it, gjermani Erhad Buhler, ka thënë se Dick Marty, raportuesi i Këshillit të Evropës, duhet të paraqet dëshmi rreth raportit të tij skandaloz për Kosovën, ose në të kundërtën ai ka thënë se ato janë shpifje, dhe se individët që akuzohen janë të pa fajshëm.
Buhler ka thënë se raporti nuk ka kurrfarë ndikimi në Kosovë, duke e vlerësuar situatën tejet të qetë, dhe ka mohuar se do të ndikoj negativisht në raportet mes Gjermanisë dhe Kosovës.
“Ky raport nuk ka kurrfarë ndikimi në gjendjen në Kosovë, jo vetëm pjesërisht, por mund të them për gjithë territorin e Kosovës. Kosova është e qetë pas zgjedhjeve si kurrë më parë. Sa i përket raportit të Dick Martit unë kam qëndrim dhe kam thënë edhe më herët se duhet të paraqiten dëshmi. Përderisa nuk kemi dëshmi, atëherë të gjitha ato janë shpifje dhe individët të cilët akuzohen janë të pafajshëm deri në atë moment kur nuk kemi dëshmi”, ka theksuar Buhler të martën në një vizitë që i ka bërë Gjimnazit “Loyola” në Prizren.
Por komandanti i KFOR ka përsëritur se ky raport i ka bërë dëm imazhit të Kosovës. “Sigurisht që i ka shkaktuar dëm imazhit të Kosovës, por edhe ne sot këtu e pamë se Kosova është ndryshe. Vërtet duhet të punojmë edhe më tepër që të përmirësojmë imazhin e Kosovës se Kosova nuk është vend i kriminelëve dhe i krimit. Nëse janë bërë krime për këtë duhet të merren institucionet përkatëse. Unë kam besim të plotë se kjo do të ndodh dhe në atë rast duhet të merren vendime të prera dhe të shpejta”, ka theksuar Buhler. Për më tepër Buhler ka thënë se ky raport nuk do të ndikoj në raportet mes Gjermanisë dhe Kosovës.
“Nuk do të ketë kurrfarë ndikimi në raportin e Gjermanisë dhe Kosovës. Ajo çfarë duhet të pranojmë është se vërtet po dëmtohet imazhi i Kosovës, para së gjithash tek ata që lexojnë gazeta dhe nuk e njohin Kosovën. Mirëpo në aspektin afatgjatë nuk do të thotë asgjë, sepse Kosova ka përjetuar shumëçka tjetër, shumë gjëra më të këqija, pra kjo është e tejkaluar”, ka spikatur Buhler.
Ai ka thënë se gjendje në Kosovë në sferën e sigurisë është stabile dhe se për këtë KFOR po bënë reduktimin e trupave. “Mund të thuhet se vërtet gjendja është stabile dhe për këtë arsye kjo gjendje na mundëson reduktimin e trupave të KFOR-it që jemi duke bërë.
Mirëpo edhe pse gjendja është stabile nuk do të thotë që kjo gjendje është e pakthyeshme dhe për këtë arsye qëndrojmë edhe më tej të gatshëm edhe me forcat mobile. Sinjali është i qartë se situata është e qetë, mund t’i reduktojmë forcat dhe kjo na bënë të jemi të lumtur”, ka shtuar ai.
Reagimet e Institucioneve të Shqipërisë
Topi dënon ashpër raportin e Martit
Bamir Topi
Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, ka reaguar sot ndaj Projekt-Rezolutës së djeshme të Komisionit të Çështjeve Ligjore dhe të Drejtave të Njeriut të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës të përpirluar nga deputeti Dik Marti.
Në një komunikatë për media, Topi ka “dënuar ashpër të gjitha akuzat e pabazuara në prova konkrete”.
Ai i ka quajtur ato “pandehma të endura me një rrjetë thashethemesh, të cilat duken sikur janë të gatuara në kuzhinën e dalëmode të qarqeve të caktuara ultra-nacionaliste, që për fat të keq vazhdojnë të ekzistojnë në Ballkan – në një territor ku kohë pas kohe zbulohen varreza masive të genocidit të pashembullt të forcave serbe të Millosheviçit dhe ku ende strehohen kriminelë lufte të kërkuar nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës”.
“Këto akuza fantazmagorike, shumë herë të ngritura edhe më parë e të hetuara, por asnjëherë të vërtetuara, nuk bëjnë gjë tjetër veçse hedhin baltë mbi Shqipërinë, kombin shqiptar si dhe shtetin e ri shumë-etnik dhe demokratik të Kosovës dhe drejtuesit e tij legjitimë, të certifikuar jo vetëm nga qytetarët kosovarë, por edhe nga bashkësia ndërkombëtare”, ka thënë Topi për të shtua se “akuzat dhe tymnaja e rrezikshme që ato po ngrenë, dëmtojnë e kërcënojnë seriozisht jo vetëm imazhin dhe vlerat e vërteta të kombit shqiptar, por edhe paqen e qëndrueshmërinë afatgjatë të rajonit tonë”.
Në deklaratën e presidentit Topi thuhet se institucionet e Shqipërisë kanë qenë gjithmonë bashkëpunuese me institucionet e specializuara ndërkombëtare për të hetuar rreth dyshimeve që ringrihen në Projekt-Rezolutën e përpiluar nga Dik Marti, “i cili e ka bërë të njohur botërisht, prej kohësh, pozicionimin e tij kundër pavarësisë së Kosovës”.
“Rruga më e mirë për të mbyllur përfundimisht një kapitull të mbushur me akuza të pabazuara, shpifje dhe dashakeqësi, është që të bashkëpunojmë sërish me organet e specializuara të drejtësisë kombëtare dhe ndërkombëtare, edhe pse Gjykata Ndërkombëtare e Krimeve të Luftës, UNMIKU-u, EULEX-i si dhe prokuroritë e vendeve të ndryshme, sado që kanë hetuar me imtësi në të kaluarën, nuk kanë arritur të gjejnë prova bindëse e të mjaftueshme për të vënë ndokënd para drejtësisë”, ka thënë Topi.
“Duhet patjetër që e vërteta e kulluar të dalë e tëra në dritë ashtu siç ka ndodhur në Kosovën e martirizuar, ku shqiptarët Kosovës kanë ditur të falin, por jo të harrojnë. Kjo në mënyrë që mbi askënd të mos rishfaqen më hijet e dyshimit, si makthe që na rikujtonë periudhën e trazuar të konflikteve dhe genocideve etnike dhe fetare – të cilat rajoni ynë, i projektuar i gjithi drejt botës euro-atlantike, i ka lënë pas një herë e mire”, thuhet në deklaratën e presidentit Topi.
Do'stlaringiz bilan baham: |