Prokuroria s’pengoi hetimet
Parokuroria në Tiranë
Prokuroria e Përgjithshme e Shqipërisë ka reaguar për raportin e Dikk Martit, në lidhje me trafikun e organeve të kryera sipas tij në një shtëpi në rrethin e Matit, që Karla Del Ponte në librin e saj e etiketon si “shtëpia e verdhë”.
Sipas këshilltarit për Mediat në Prokurorinë e Përgjithshme, Plator Nesturi, për këto akuza të vjetra është hetuar që në vitin 2004 pa gjetur asnjë provë, prandaj Prokuroria e Shqipërisë nuk ka gjetur bazë për nisjen e çështjes penale.
“Deklarimeve të ish prokurores Karla del Ponte në librin e saj për një bazë në fshatrat e Burrelit ku pretendohej se kryhej heqja e organeve të ushtarëve serbë për qëllime tregtimi, i ka paraprirë në vitin 2004, një verifikim i një grupi të Prokurorisë së Hagës në bashkëpunim me prokurorë shqiptarë, që ka marrë në evidencë këto të dhëna në shtëpinë e supozuar si bazë për këtë qëllim”.
“Në bazë të verifikimit të përbashkët të ekspertëve të Hagës dhe atyre shqiptarë, nuk ka rezultuar se të dhënat e parashtruara të kenë ndonjë bazë vërtetësie, ndaj Prokuroria e Shqipërisë nuk ka gjetur bazë për nisjen e çështjes penale”, ka theksuar Nesturi.
Në reagimin e Prokurorisë së Përgjithshme theksohet se institucionet shqiptare nuk kanë dijeni për të dhënat që jep Dik Marti në raport, ndërsa shtohet se asnjëherë këto institucione nuk kanë penguar hetime të tilla, por janë të hapura për cdo bashkëpunim me hetues ndërkomëtarë.
“Pretendimet e paraqitura së fundmi në raportin e anëtarit të Asamblesë Parlamentare të KiE-së, Dik Marti, mbi ekzistencën e bazave të tilla ku presupozohet se janë kryer transplante, si në Fushë Krujë a diku gjetkë brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, janë të dhëna për të cilat Prokuroria e Shqipërisë nuk ka pasur asnjë dijeni dhe për të cilat nuk është njoftuar apo paraqitur kërkesë për hetim nga asnjë organ hetimor ndërkombëtar”.
“Prokuroria e Shqipërisë e deklaron të pabazë çdo insinuatë se institucionet shqiptare janë bërë pengesë për hetimin e kësaj çështjeje. Njëkohësisht, Prokuroria e Përgjithshme, në respekt të legjislacionit dhe konventave ndërkombëtare ku Shqipëria është palë, shpreh gatishmërinë për të vijuar bashkëpunimin me institucionet e specializuara nderkombetare”, theksohet në deklaratën e Prokurorisë.
Komisioni i Sigurisë thërret Bashën për dosjet e UÇK-së
Lulzim Basha
Lulzim Basha është thirrur nga Komisioni i Sigurisë për dosjet e UÇK-së. Komisioni do të kërkojë nga ministri i Brendshëm që të dëshmojë në lidhje me raportin e Dik Martit dhe ato që ai di për këtë çështje. Basha ka bashkëpunuar me Tribunalin e Hagës për mbledhjen e fakteve kundër UÇK-së në vitin 2003. Ai ka grumbulluar të dhëna në Shqipëri për këtë çështje. Vet ministri e ka mohuar këtë gjë deri më tani. Në Komision do të pyeten gjithashtu dhe drejtori i Shërbimit Informativ, Bahri Shaqiri dhe ministri i Jashtëm, Edmond Haxhinasto.
Akuzat e Marti, Berisha fton EULEX-in
Sali Berisha
Kryeministri Sali Berisha i ka bërë ftesë EULEX-it që të fillojë hetimin në lidhje me akuzat e Dik Marti dhe i garantoi institucionit evropian në Kosovë, se nuk do të ketë asnjë pengesë nga autoritetet në Shqipëri.
Duke folur në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, Berisha theksoi se Shqipëria mbështet hetimin, edhe pse të gjitha akuzat e ngritura janë të pabazuara në fakte.
“Pavarësisht se raporti i Dik Marti flet për akte makabre duke mosparaqitur as edhe një fakt të vetëm… ne ftojmë EULEX-in të ndërmarrë hetimin dhe garantojmë të gjitha lehtësirat dhe bashkëpunimin e plotë të autoriteteve shqiptare. Pavarësisht se EULEX-i ka një mandat për shtetin e pavarur të Kosovës, ne mbështesim hetimin e tij”, theksoi Berisha.
“Ministri i Drejtësisë do i drejtohet kryetarit të Gjykatës së Hagës që në Shqipëri nuk do të ketë asnjë pengim të vogël për çdo lloj hetimi”, theksoi kreu i qeverisë.
Duke folur për mendimin e tij personal për Dik Marti, kryeministri Berisha e cilësoi atë si një avokat të papërmbajtur të krimeve të shëmtuara mbi shqiptarët.
“Kam pasur rastin që kam qenë anëtar i delegacionit të KE-së. Marti ka qenë një avokat i papërmbajtur i krimeve të shëmtuara mbi shqiptarët. Teza e tij kryesore ka qenë kjo: në Kosovë nuk ka ekzekutorë dhe viktima, nuk mund të pranohet që serbët të jenë ekzekutorët dhe shqiptarët viktima”, është shprehur Berisha.
Organziata Ndërkombëtare kërkojn hetime dhe prova
Të hetohen pretendimet për tregti organesh
Amnesty International i ka bërë thirrje misionit të EULEX-it që të hapë hetime lidhur me pretendimet për përzierjen e kryeministrit Hashim Thaçi në rrëmbimin e shqiptarëve dhe serbëve pas luftës në Kosovë.
Thirrja nga organizata për të drejtat e njeriut i pasoi pretendimet e raportuesit të Këshillit të Evropës, Dik Marti, sipas të cilit, Thaçi një kohë ka qenë ‘bosi’ i bandës kriminale, e cila ka shitur organe të trupit, ka kryer vrasje dhe është marrë me drogë gjatë dhe pas konfliktit në Kosovë.
Amnesty International i mbështet thirrjet e Martit që BE t’i japë EULEX-it të gjitha resurset e nevojshme për të kryer hetime të plota dhe të paanshme mbi këto pretendime, përfshirë programin për mbrojtjen e dëshmitarëve.
“Familjet e serbëve, shqiptarëve dhe romëve të rrëmbyer pas luftës, kanë pritur tepër gjatë për drejtësinë. Ato meritojnë t’a dinë fatin e të afërmve të vet”, thuhet në njoftim.
Do'stlaringiz bilan baham: |