Dijetarët e shkencave humaniste e përdorin teorinë për të formuluar shpjegime të qëndrueshme dhe logjike në lidhje me vendin e njerëzve në botë. Këto teori dalin me një numër hipotezash ose bindjesh, që shpjegojnë atë që duhet të jetë. Këto hipoteza, të nxjerra në mënyrë induktive nga përvojat profesionale të dijetarëve dhe nga njohuritë e tyre për botën, ballafaqojnë mendimet e tyre me ato të kolegëve në disiplina të veçanta. Teoritë e filozofëve përshkruajnë botëkuptimet që ata kanë – pikëpamjet për realitetin dhe vendin e tyre brenda tij.
Një pjesë e mirë e teorisë që ka të bëjë me arsimin, dhe veçanërisht me kurrikulën, buron nga orientimi filozofik dhe/ose humanist.21 Një ndër tezat e ekzistencializmit është se, që të bëhen plotësisht ose të paktën më njerëzorë, njerëzit duhet të angazhohen aktivisht në jetën e tyre; pa angazhim, individët shkëputen dhe veçohen. Kjo “teori e angazhimit” mbështetet më tepër në çështje filozofike se sa në një argumentim shkencor.
Teoria filozofike dhe humaniste përfshihet në kategorinë që Herbert Klibard e ka përcaktuar si interesimi për analizën sistematike të një bashkësie konceptesh ose problemesh të ngjashme.22 Në këtë nivel, teoria është në thelb rezultat i tentativës për të qartësuar natyrën e koncepteve dhe të problemeve, prandaj të kuptuarit e tyre rrallë varet nga të dhënat empirike. Vlerësimet empirike luajnë një rol të vogël. Vërtetimi i teorisë mbështetet më tepër në logjikën e qëndrimeve të ndryshme dhe artikulimin e vlerave.
Teoria filozofike dhe humaniste është kryesisht normative (e mbështetur në vlera). Ajo tregon në thelb çfarë duhet përfshirë ose duhet bërë dhe çfarë jo në një veprim të caktuar. Teoria humaniste e vë theksin tek gërshetimi i emocionales dhe fizikes me intelektualen. Ajo trajton lidhjen logjike dhe përbën një mënyrë njohjeje, domethënë, ndërthurjen bashkarisht të ideve dhe veprimeve.23 Në përdorimin e kësaj teorie, specialistët e kurrikulës duhet të zbatojnë rregulla orientuese që tregojnë çfarë duhet ose nuk duhet bërë në krijimin e kurrikulës, domethënë, çfarë duhet përfshirë në kurrikul dhe çfarë duhet lënë jashtë saj.
FUNKSIONET E TEORISË
Arsimtarët mund të pyesin, “Përse na duhet teoria, në fund të fundit?” Shpesh nuk presin përgjigje ndaj pohojnë, “Teoria jote nuk më vlen.” Megjithatë, teorisë vërtet nuk mund t’i shpëtojmë. Si ta pranojmë, si të mos e pranojmë atë, veprimet tona përmbajnë informacion teorik ose qëndrime teorike dhe filozofike. Të mendosh se teoria është e tepërt në veprimet tona, do të thotë që, në argumentin kundër teorisë, të mbash një qëndrim teoriko-filozofik. Teorizimi për kurrikulën është shprehje e përfytyrimit të jetës nga ana e njerëzve.24 Ata dëshirojnë të dinë sa më shumë, dëshirojnë të kenë një bazë për shpjegimin e botës së tyre ose një justifikim për argumentimin e pozicionit të tyre. Të gjithë njerëzit, përfshirë shkencëtarët dhe filozofët, janë “programuar” nga natyra të përpiqen t’i kuptojnë dhe t’u japin gjërave kuptim. Qëllimi i shkencës është të kuptojë dukuritë e studiuara. Edhe filozofët kërkojnë përgjigje për pyetjet e tyre: ç’është njohja, ç’është realiteti, ç’gjë ka vlerë?
Fjala teori vjen nga fjala greke theoria që nënkupton “të mbash zgjuar mendjen”. Ajo është një lloj “vështrimi i mirëfilltë” i së vërtetës. Teoria shpjegon realitetin; ajo i bën njerëzit të vetëdijshëm për botën e tyre dhe veprimet e ndërsjella të saj. Shumë autorë i kanë veshur teorisë katër funksione: (1) përshkrimi; (2) parashikimi; (3) shpjegimi; dhe (4) drejtimi.25 Megjithëse disa nuk bien dakord se cili funksion është parësor, shumë të tjerë i shohin të gjitha si të rëndësishme dhe të lidhura ngushtë.
Përshkrimi. Përshkrimi bën klasifikimin shtjellues të njohurive në një fushë të caktuar teorike. Ai organizon dhe përmbledh njohuritë dhe krijon një strukturë me anën e së cilës mund të verifikohen interpretimet që individët u bëjnë veprimtarive të ndërlikuara. Teoria na “tregon” se ekzistojnë ndryshore të caktuara, të cilat ndërveprojnë në mënyra të caktuara ose kanë lidhje të caktuara me ndryshore të tjera; ajo nuk tregon përse disa ndryshore janë të rëndësishme, as përse janë të lidhura në mënyrë të ndërsjellë. Teoria paraqet një shtjellim të ngjarjeve. Ajo njëson dukuritë dhe organizon informacionin, me qëllim që fusha e veprimit dhe lidhjet e brendshme, edhe pa u shpjeguar, të paktën të bëhen të dallueshme.26
Parashikimi. Funksioni i dytë i teorisë është mjaft i dukshëm. Në bazë të parimeve shpjeguese të rrënjosuara në të, teoria mund të parashikojë rrjedhën e ngjarjeve ende të pavëzhguara. Ndoshta ky është funksioni përfundimtar i teorisë. Sigurisht, njerëzit e kujdesshëm mendohen mirë para se ta vlerësojnë teorinë. Arsyeja ështe se, pavarësisht nga të dhënat e grumbulluara për ta mbështetur, teoria nuk mund t’i shpjegojë të gjitha situatat. Nëse do ta bënte këtë, nuk do të ishte më teori por ligj. Megjithatë, sa më të shumta vëzhgimet që mund të shpjegohen nëpërmjet teorisë, aq më shumë besim kanë njerëzit në përdorimin e saj për të parashikuar dukuritë në fjalë.
Shpjegimi. Shpjegimi trajton “përse-në”. Nëpërmjet tij dalin në pah lidhjet midis dukurive, por edhe sugjerohen shprehimisht ose në mënyrë të nënkuptuar arsyet e këtyre lidhjeve. Shpjegimet më të mira bëhen për gjërat që njerëzit i dinë dhe jo për gjërat që ata i besojnë gabimisht. Për shembull, shpjegimi i vështirësive të të mësuarit të nxënësve duke iu referuar “shpirtrave të këqinj” do të ishte më pak i besueshëm se shpjegimi që do ta vinte theksin në motivimin dhe interesat e nxënësve.
Drejtimi. Teoria shërben edhe si udhërrëfyese. Ajo i ndihmon hulumtuesit të zgjedhin të dhënat që do të analizojnë dhe të bëjnë përmbledhje të shkurtër të këtyre të dhënave. Teoria e krijuar nxit hulumtime të mëtejshme. Në thelb, ajo përmbush funksion orientues. Mjaft shkencëtarë pohojnë se kjo është përgjegjësia e vërtetë ose parësore e teorisë shkencore, domethënë, të shërbejë si udhërrëfyese për studime të mëtejshme. “E rëndësishme është se ligjet veprojnë kur janë të njësuara në teori; teoria shërben si mbles, mami dhe nun, në të njëjtën kohë.”27
Teoricienët nuk mund të shkëputen nga vlerat dhe njohuritë e tyre kur trajtojnë funksionet orientuese të teorisë. Vlerat ndikojnë, sugjerojnë, madje japin receta lidhur me sjelljen e teoricienëve. Mbledhja e fakteve është hapi i parë i domosdoshëm në ndërtimin e teorisë. Por çfarë faktesh dhe çfarë interpretimi u duhet bërë këtyre fakteve? Pa orientime teorike njerëzit nuk mund të vendosin çfarë faktesh të mbledhin ose cilat çështje të trajtojnë. Vlerat e njerëzve ndikojnë në përcaktimin e fakteve ose të lidhjeve të volitshme për ta. Me fjalë të tjera, vlerat e njerëzve paraprijnë teorizimin që ata bëjnë.
Kur shërben si udhërrëfyese, teoria funksionon si për shkencëtarin ashtu dhe për ekzistencialistin humanist. Mendimi i njerëzve për realitetin ndikohet nga qëndrimi teoriko-filozofik i tyre. Siç thotë van Manen, teoria është akt përfytyrimi. Ne e përdorim teorinë për të formuar përfytyrimin tonë, madje për të përcaktuar nëse diçka është ose jo fakt. “Pikërisht nëpërmjet teorisë mund të shpresojmë të arrijmë atë që vë në dukje teoria.”28 Teoria është shprehje bindjeje; bindja në qëndrimin tonë teorik ndikon në atë që e vlerësojmë të rëndësishme. Prej këtej rrjedhin veprimet tona për interpretimin dhe zhvillimin e kurrikulës. Qëllimet e arsimit që përcaktojmë ndikohen nga prirjet teorike dhe sistemet e bindjeve tona. Mënyra si i vështrojmë bazat e ndryshme të kurrikulës dhe lidhjet e tyre me mendimin tonë formohet nga bindjet dhe qëndrimet tona teorike.
Pranimi i funksionit drejtues të teorisë na mundëson ta shfrytëzojmë teorinë si mjet në ndihmë të mendjemprehtësisë sonë. Kjo mendjemprehtësi duhet të shtrojë pyetje që vlejnë për të udhëhequr veprimet tona kur angazhohemi në zhvillimin, lëvrimin dhe analizën e kurrikulës.29 Sa herë shpallim që na duhet një kurrikul e caktuar, ose që kurrikulën duhet ta organizojmë në një mënyrë të caktuar, i hyjmë diskutimit teorik. Ky diskutim zë vend qendror në dialogun tonë për arsimin. Dhe në këtë diskutim përfshihemi të gjithë; të gjithë kemi bindje; dhe të gjithë i shprehim ato.
Do'stlaringiz bilan baham: |