6
TEORIA E KURRIKULËS
Pyetje ku duhet të përqëndrohemi
-
Shpjegoni përplasjen midis teorisë dhe praktikës.
-
Në ç’drejtime teoria zë vend qendror në sipërmarrjen për kurrikulën?
-
Cili është kuptimi i teorisë?
-
Cilat janë funksionet kryesore të teorisë?
-
Si kanë ndikuar qëndrimet teorike të rikonceptualistëve dhe postmodernistëve në mendimin kurrikular?
-
Ç’përparësi ka të menduarit e kurrikulës si lloje të ndryshme tekstesh?
-
Shpjegoni dallimet ndërmjet kampeve kryesore teorike.
Teoria e kurrikulës është baza më pak e vlerësuar e kurrikulës. Shumë prej pjesëtarëve të arsimit dhe të publikut të përgjithshëm mendojnë se teoria e kurrikulës ose tezat teorike kanë pak lidhje me zhvillimin dhe lëvrimin e kurrikulës. Madje, edhe ju si lexues mund të mendoni se ky kre mund të anashkalohet; se ky kre nuk përmban ndonjë gjë praktike.
Kjo tëhuajtje, që Ivor Gudson thotë se është e thellë, ka një histori të kahershme. Mundet që reagimi negativ i shumë arsimtarëve, sidomos i zbatuesve në terren, ndaj qëndrimeve teorike shpjegohet me faktin se mjaft teori të kurrikulës nuk lidhen me botën e vërtetë konkrete të shkollave. Siç pohon Gudson, shumë teori të sotme mbi kurrikulën janë utopike e jo realiste. Ato trajtojnë vetëm atë që duhet të jetë ose mund të ekzistonte, por jo “me artin e asaj që është e mundur.”1 Me një fjalë, mësuesit i shohin këto teori si “ëndrra në diell,” pa parë mundësinë e shfrytëzimit konkret të tyre si udhërrëfyese për krijimin e një programi arsimor për “të sotmen”. Shumë nga këto teori, argumenton Gudson, nuk bëjnë asnjë tentativë për të dhënë shpjegime, çka përbën një ndër funksionet themelore të teorisë. Në vend të kësaj, ato i këshillojnë njerëzit të kryejnë “veprimin e duhur”, por veprimi i duhur përcaktohet shpesh nga një ideologji ose “izëm” i caktuar.
Sigurisht, teoria e kurrikulës mund të këshillojë apo të shërbejë si recetë. Funksioni udhëzues i teorisë shpesh huazohet nga orientimet e ndryshme filozofike që sjell njeriu në arenën kurrikulare. Jo rrallë, “izmat” dhe ideologjitë distilohen nga “leximi” filozofik që i bëhet botës. Në themel të filozofive për arsimin, të diskutuara në Kreun 2, nënkuptohen receta të ndryshme për mënyrën e zgjedhjes së përmbajtjes së kurrikulës, organizimin e saj, modelimin e aspektit mësimor të programit arsimor dhe bërjen e gjykimeve vlerësuese nëse nxënësit kanë arritur të mësojnë. Teoria është pjesë e të menduarit tonë, qofshim të vetëdijshëm ne si arsimtarë për këtë apo jo. Për mendimin tonë, ndërgjegjësimi për teorinë si bazë themelore e kurrikulës është i domosdoshëm për marrjen e masave të duhura në shkolla, në drejtim të kurrikulës.
Në rast se arsimtarët dhe publiku i përgjithshëm vazhdojnë t’i largohen teorisë, duke e vlerësuar si diçka jo praktike, ka të ngjarë të mos e kuptojmë plotësisht dinamikën e kurrikulës; të mos kemi sukses në krijimin, lëvrimin dhe vlerësimin e kurrikulave që trajtojnë nevojat e kohëve të sotme apo të së ardhmes. Disa vite më parë, A. Uaiz bënte këtë pohim: “Në mënyrë të pashmangshme, ajo (politika arsimore) duhet të mbështetet në disa teori ose hipoteza rreth praktikës arsimore. Nëse këto hipoteza janë të sakta, politika do të arrijë rezultatet e synuara.”2
Në mendimin teorik nuk ushtrojnë ndikim vetëm filozofitë e ndryshme arsimore. Edhe metodat e ndryshme të zhvillimit të kurrikulës, të përmendura në Kreun 1, i mbështesin orientimet e tyre në qëndrime teorike. Metoda bihevioriste e kurrikulës mbështetet kryesisht në teoritë psikologjike të të mësuarit. Edhe metoda e sistemeve dhe ajo menaxheriale e kurrikulës kanë bazat teorike të tyre. Në të njëjtën mënyrë, metoda humaniste mbështetet në filozofi dhe teori të ndryshme politike. Një pjesë e mirë e dialogut që buron nga bazat sociale, mbështetet në qëndrime të ndryshme teorike. Biseda rreth postmodernizmit mund të kuptohet më qartë po të kuptohen bazat teorike të lëvizjeve.
Në të vërtetë, teoria nuk mund të mos jetë pjesë e debateve tona. Disa kanë shpallur se epoka e zhvillimit të kurrikulës ka kaluar dhe kemi hyrë në epokën e gjurmimit të të kuptuarit. Sot pranojmë se theksi vihet në të kuptuarit e asaj që kërkojmë nga arsimi dhe nga mekanizmi kryesor i tij, kurrikula. Por, siç mendon Pinar, këtu nuk kemi zhvendosje nga zhvillimi tek të kuptuarit.3 Sigurisht, ne përqëndrohemi tek të kuptuarit e kurrikulës, “e shkruajtur me gërma të mëdha”; megjithatë, ne po përpiqemi edhe të kuptojmë si krijohen dhe zhvillohen kurrikulat, përse dhe si duhet të angazhohen grupe të caktuara. Ne nuk kënaqemi më duke vepruar thjesht si teknicienë e duke zbatuar receta mbi zhvillimin e kurrikulës me një besnikëri të verbër ndaj modeleve të mendimit pararendës. Në kundërshtim me pohimet e disa teoricienëve, ata që merren me zbulimin e mënyrave të krijimit të kurrikulave dinamike, nuk janë një “grup intelektualisht pasiv dhe i plogësht” specialistësh të kurrikulave.4 Në fakt, disa janë treguar mjaft aktivë në këto kohë të zhvillimit të postmodernizmit, feminizmit dhe fenomenologjisë. Ata janë angazhuar plotësisht në hulumtimin e mënyrës si krijohen dhe mirëmbahen kurrikulat e sotme, si evoluojnë dhe lindin probleme të caktuara në përgjigje të kohërave dinamike. Ata dëshirojnë të prodhojnë dije teorike që mund t’u shërbejnë qëllimeve praktike të shpjegimit, parashkrimit, udhëzimit dhe përshkrimit të asaj që bëjnë njerëzit e arsimit brenda sferës së kurrikulës dhe kuadrit të përgjithshëm social.5
Nëpërmjet teorisë, vendim-marrësit e kurrikulave mund të përfitojnë nga njohuritë më të përparuara e me vlerë, dhe t’i zbatojnë ato në shumë situata. Ne mund t’i ofrojmë vetes mënyra të vështrimit të botës dhe funksionimit të saj, me qëllim që arsimi të jetë “real”, të lidhet me botën, të zbatohet në çështje konkrete dhe të bëjë sfida të vërteta. Zotërimi i njohurive teorike në këtë fushë na lejon të jemi më të aftë në analizimin dhe sintetizimin e të dhënave, organizimin e koncepteve e parimeve, dhe në dhënien e mendimeve për ide dhe lidhje të reja. Ky zotërim na lejon të përqëndrohemi në ato vizione të së ardhmes që shtrihen brenda kufijve të së mundurës.
Do'stlaringiz bilan baham: |