NDËRTIMI I TEORISË
Në thelb, procesi i zhvillimit të teorisë është i lidhur me mendimin induktiv e deduktiv. Ndonjëherë, këto vlerësohen si drejtime të ndryshme në krijimin e teorisë, por pa dyshim përdoren së bashku në ndërtimin e teorisë.
Induksion do të thotë ndërtim i teorisë nëpërmjet grumbullimit dhe përmbledhjes së një larmie hulumtimesh. Ata që përdorin induksionin mbështeten më tepër në të dhënat empirike. Tezat formulohen në bazë të kërkimeve që nisin me hipoteza eksperimentale që testohen dhe vërtetohen.30
Deduksioni, në dallim nga induksioni, është procesi i nxjerrjes së përfundimeve të nevojshme nga gërshetimi i premisave, vërtetësia e të cilave është pranuar si e dhënë ose është menduar si e padiskutueshme. Njerëzit që përdorin deduksionin e zhvillojnë teorinë nëpërmjet ndërtimit të rrjedhës logjike.31 Ata kalojnë nga e përgjithshmja tek e veçanta.
Fazat e ndërtimit të teorisë
Të merresh me teori do të thotë të merresh me simbole, fakte ose fjalë që mund të klasifikohen në koncepte të gjera dhe përgjithësime. Aftësia për të parë dhe përshkruar lidhjet ndërmjet simboleve ose fakteve, dhe pastaj për t’i shprehur këto ide me fjalë, është gjithashtu pjesë e ndërtimit të teorisë. Problemi lind kur teoria duhet të zbatohet në jetën reale. Pa dyshim, abstragimi i ideve që kanë kuptim në letër, dhe pastaj testimi ose përdorimi i tyre në situara të veçanta, përmban rrezikun e vet. Për shkak se njerëzit nuk kontrollohen dhe nuk manipulohen lehtë, teoritë tona shpesh lëkunden në situatat jetësore. Shih Këshilla mbi kurrikulën 6-1.
Përkufizimi i termave. Një ndër rregullat bazë të ndërtimit të teorisë është të jemi të qartë për termat. Sipas dijetarit Boshamp, të biesh dakort për termat është themelore në punën e teoricienit. Termat që përdorin teoricienët janë gurët e themelit të teorisë. Përzgjedhja e termave diktohet nga dy rregulla: (1) formulimi duhet të jetë i qartë, dhe (2) me t’u përkufizuar, termat duhet të përdoren në mënyrë të njësuar.32
Këshilla mbi kurrikulën 6-1
Parashikimi i ndërtimit të teorisë
Ndërtimi i teorisë nuk është shkencë ekzakte dhe shumë prej nesh mund të përfshihen në teorizim thjesht duke menduar për teorinë. Pikat e mëposhtme mund të na ndihmojnë në këtë “teorizim”.
-
Caktoni një periudhë kohe për t’u thelluar në atë që po bëni. Këtë kohë duhet ta programoni; përndryshe, shqetësimet e përditshme do të sundojnë mbi veprimet tuaja.
-
Mbani shënim atë që keni bërë; mbani shënime për modelet e veprimeve dhe shmangiet prej këtyre veprimeve.
-
Përqëndrohuni në një aspekt të rëndësishëm të kurrikulës ose mësimdhënies. Përshkruajeni atë. Jini të ndërgjegjshëm për fjalët (konceptet, termat) që përdorni në përshkrimin e kësaj çështjeje qendrore.
-
Nënvizoni pyetjet e përgjithshme që duket se lindin nga hedhja në letër e përshkrimit tuaj.
-
Nënvizoni marrëdhëniet dhe lidhjet që shfaqen ndërmjet aspekteve të ndryshme të çështjes suaj qendrore.
-
Mbani shënim përfundimet tuaja. Thellohuni dhe modifikoni përfundimet tuaja. Jini të gatshëm të pranoni rreziqet e lidhjeve abstrakte – ose nxjerrjes së përfundimeve.
Termat përkufizojnë atë që vëzhgohet. Ata kanë të bëjnë me koncepteve dhe janë ndryshore ndërmjet të cilave duhet të kërkohen dhe të vendosen lidhjet empirike. Konceptet janë nominale ose operacionale.33 Përkufizimet nominale paraqesin cilësitë e termit ose të konceptit. Në dallim prej tyre, përkufizimet operacionale tregojnë kontekstin në të cilin përdoret koncepti.
Disa terma nuk mund të përkufizohen plotësisht as në bazë të cilësive nominale, as duke shfrytëzuar terma të tjerë të përkufizuar në mënyrë operacionale. Megjithatë, janë pjesë kritike, themelore e teorisë. Këta terma bazë pranohen nga ata që i përdorin në punën e tyre teorike. Për shembull, në matematikë, termat “pikë” ose “vijë e drejtë” janë terma bazë. Ata nuk mund të përkufizohen plotësisht as në aspektin nominal, as në atë operacional; ajo që mund të themi është se “pika” është pikë. Në arsim, terma të tillë si “nevojat e ndjera” dhe “përvojë” janë terma bazë.34 Ndonëse mund të mos jenë përherë në gjendje ta frenojnë përdorimin e termave bazë, teoricienët duhet të përpiqen t’i përdorin sa më rrallë që të jetë e mundur.
Një kategori tjetër termash të përdorur në teori është ajo e termave teorikë ose konstrukteve operacionale; terma të tillë përdoren në teoritë me një farë shkalle ndërlikimi. Konstrukti është koncept që përfaqëson lidhjet ndërmjet objekteve dhe/ose ngjarjeve dhe veçoritë e tyre.35 Termat teorikë nuk mund të përkufizohen duke vëzhguar drejtpërdrejt ngjarje të caktuara. Ata mund të përkufizohen më tepër nëpërmjet lidhjeve me terma të tjerë, të cilët janë përkufizuar në kuptimin operacional. Arsimtarët përdorin mjaft terma të tillë si, motivim, mospajtim, qëndrim, strukturim perceptual, bashkësi dhe nevojë shoqërore.
Klasifikimi. Veprimtaria e dytë në ndërtimin e teorisë është klasifikimi. Në këtë fazë, teoricienët tentojnë të organizojnë dhe gërshetojnë atë që dinë për fushat për të cilat po teorizohet. Ata nisin me përmbledhjen e anëve të përbashkëta të zbuluara në lidhjet midis dy a më shumë ndryshoreve ose koncepteve.36 Klasifikimet ose prononcimet për klasifikimet mund të kenë shkallë të ndryshme përpikmërie, por kjo nuk e zbeh rolin e tyre në ndërtimin e teorisë. Klasifikimi u mundëson teoricienëve të zbulojnë boshllëqet në njohuritë e tyre. Dhe, nëse duan që teorizimit t’i japin njëfarë kuptimi, ata duhet t’i mbushin këto boshllëqe me veprimtari kërkimore.
Kur klasifikojnë informacionin, teoricienët i grupojnë faktet dhe përgjithësimet në grupe homogjene. Megjithatë, edhe po të duket sikur kategoritë po marrin formë, përsëri mund të mungojë shpjegimi i lidhjeve të ndërsjella ndërmjet kategorive ose shpjegimi i lidhjeve ndërmjet fakteve dhe përgjithësimeve brenda çdo grupi informacioni.
Fazat në krijimin e teorisë ndikohen të gjitha nga mënyra si e “lexojmë” realitetin. A e perceptojmë realitetin si diçka jashtë nesh e që mund të manipulohet? Apo e soditim si “të shpikur” nga njeriu ose të ndërtuar nga teoricieni? Krahas kësaj, pikëpamjet tona për bazat e ndryshme politike, sociale dhe psikologjike ndikojnë në mënyrën si angazhohemi në fazat e ndërtimit të teorisë ose në kuptimin që u japim dukurive arsimore. Një pjesë e mirë e dialogut politik për arsimin ka të bëjë me racën, klasën dhe gjininë. Koncepti i racës, siç e përdorin arsimtarët këtë term, ndikohet nga mënyra si e kuptojmë realitetin politik. Ai është i ndryshëm nga mënyra si e përdorin biologët këtë term. Në fakt, biologët nuk e pranojnë konceptin e racës. Kur vendosin një lidhje të caktuar ndërmjet racës dhe të mësuarit, arsimtarët i përdorin këta terma nën ndikimin e teorisë politike dhe sociale. Mënyra si i interpretojmë situatat ngjyroset së tepërmi nga qëndrimet tona filozofiko-teorike. Në të vërtetë, ne nuk mund të dalim jashtë vetes. Njerëzit që e quajnë veten modernë në botëkuptimin e tyre, i përpunojnë detyrat e ndërtimit të teorisë ndryshe nga ata që i përmbahen qëndrimit postmodern. Kur angazhohemi në teorizime, dhe të gjithë merremi me një veprimtari të tillë intelektuale, ne orvatemi t’i mbështesim veprimet tona brenda dinamikës së arsimit.
Do'stlaringiz bilan baham: |