PËRKUFIZIMET PËR TË ARDHMEN
Pavarësisht nga kampi i tyre filozofik, teoricienët që përqëndrohen tek kurrikula, ndajnë një shqetësim të përbashkët: t’i japin kuptim përvojës dhe njohjes njerëzore, me qëllim që të zhvillojnë tek njerëzit (mësuesit dhe nxënësit) kompetencat, shprehitë, kuptimet dhe vlerat që kërkohen për rritjen dhe përparimin. Shpjegimi i cilësisë së përvojave njerëzore dhe mënyra e ndikimit në to nuk është bisedë sa për të thënë. Është pikërisht ndërliksja e përvojës njerëzore ajo që i bën teoricienët të pranojnë vështirësinë e jashtëzakonshme të asaj që po përpiqen të bëjnë: të krijojnë teori të kurrikulës për të udhëhequr, për të shpjeguar, për të përshkruar dhe, në disa raste, për të parashikuar veprimin.
Hulumtimi i kurrikulës
Specialistët e kurrikulës po përpiqen t’i japin kuptim botës, jo sa për ta përshkruar atë, por edhe për ta administruar sot dhe për të nxitur e për të ndërmarrë modifikimin e saj në të ardhmen. Rikonceptualistët kanë hedhur idenë që specialistët e kurrikulës duhet të mbajnë një qëndrim psiko-analitik, me qëllim që, para se të përshkruajnë dhe të orientojnë botën e jashtme të tyre, të zbulojnë botën e brendshme të tyre. Deker Uoker, i cili klasifikohet nga disa si specialist konceptualist i kurrikulës, ka renditur pesë pyetje kryesore:
-
Cilat janë tiparet kryesore të një kurrikule të caktuar?
-
Cilat janë pasojat individuale dhe shoqërore të një kurrikule të caktuar?
-
Çfarë e shpjegon qëndrueshmërinë dhe ndryshimin e tipareve të kurrikulës?
-
Çfarë i shpjegon gjykimet e njerëzve për meritën ose vlerën e tipareve të ndryshme të kurrikulës?
-
Çfarë lloje tiparesh të kurrikulës duhet të jenë pjesë e kurrikulës së hartuar për një qëllim të caktuar?89
Uoker duket se e sheh kurrikulën si fushë studimi praktike që krijon një produkt që, kur përdoret nga nxënësit, sjell ndryshime në të mësuarit e tyre. Por koncepti i Uokerit mbi “tiparin e kurrikulës” është i paqartë. Sidoqoftë, konceptimi i përpiktë ndoshta është i pamundur, sepse përkufizimet dhe konceptimet e kurrikulës janë të shumta.
Për t’i dhënë kuptim dinamikës së fushës së kurrikulës, specialistët e saj duhet të analizojnë mjedisin e përgjithshëm arsimor ku realizohet veprimtaria. Kjo përfshin shkollën dhe komunitetin jashtë saj. Një teori “e mirë” e kurrikulës nuk mund të shpërfillë ndikimin e mjedisit rrethues, përndryshe kuptimi që del nga teoria, nuk do të jetë i plotë. Megjithatë, edhe po ta shohin kurrikulën nga një këndvështrim tërësor ose makro-analitik, specialistët e saj nuk do të jenë në gjendje të administrojnë gjithë panoramën, as ta përdorin këtë teori për të administruar plotësisht fushën e arsimit. E shumta, ata do të arrijnë të planifikojnë ose modifikojnë vetëm disa pjesë të kurrikulës dhe mjedisin që ndikon mbi to.
Konceptimi i detyrës
Lidhur me çështjet se çfarë është kurrikula, si duhet të jetë dhe si duhet të teorizohet, mendimet janë të shumta. Debati zhvillohet edhe për njësitë e analizës së teorizimit dhe hulumtimit në këtë fushë. A janë zona shkollore, shkolla, klasa ose nxënësi, njësi të kësaj analize? Po rrjeti ndërveprues që ekziston ndërmjet shkollës dhe komunitetit vendor? A janë njësi përmbajtja, veprimtaritë, shprehitë ose vlerat që përpiqemi të përcjellim?
Detyra e teoricienëve të kurrikulës është të thellohen në lidhje me përmasat e shumta të kësaj fushe. Teoricienët e kurrikulës mund të shprehen për fushën e kurrikulës në tërësi, dinamikën e përgjithshme të saj, ku po shkon dhe përse. Ose mund të teorizojnë në mikronivele, domethënë, për elementet ose aspektet e ndryshme të kurrikulës, për shembull, zhvillimin e kurrikulës, zbatimin e kurrikulës ose vlerësimin e saj. Si në rastin kur teoricienët e vështrojnë fushën e kurrikulës në tërësi, ashtu dhe kur e ndajnë në mikro-elemente, këndvështrimet janë të larmishme dhe ndikohen nga “prirjet” që këta teoricienë shpalosin në hulumtimet e tyre.
KËNDVËSHTRIMI I BARASPESHUAR I TEORIZIMIT
Në pjesën më të madhe të shekullit të njëzetë ka sunduar shkolla tradicionale. Sidomos në drejtim të kërkimit shkencor, kjo shkollë është mbështetur kryesisht në hulumtimin sasior. Hulumtimi empirik ka qenë normë dhe klasa ku zhvillohet mësimi është parë si laborator në të cilin ndryshoret duhet të manipulohen në një atmosferë të kontrolluar.
Ky lloj kërkimi është me vlerë dhe do të vazhdojë të shfrytëzohet. Megjithatë, specialistët e kurrikulës, që mendojnë se kurrikula si dukuri është shumë më tepër se thjesht një lëndë në shkollë, po kuptojnë se nga hulumtimi cilësor në shkolla dhe shoqërinë e përgjithshme mund të përftohet shumë informacion. Në të vërtetë, shumë specialistë të kurrikulës pranojnë se këndvështrimet e teorizimit dhe metodat hulumtuese duhet t’i nxjerrim nga ato fusha që dikur i mendonim jashtë arsimit, fusha të tilla si sociologjia, gjuhësia, shkenca politike, antropologjia, fenomenologjia, psikiatria dhe teologjia.
Ata që na nxisin ta mendojmë kurrikulën si lloje të ndryshme tekstesh, mbështeten në shumë nga këto fusha. Ndërsa ata që mbrojnë post-strukturalizmin dhe postmodernizmin, jo vetëm mbështeten në këto fusha, por edhe po u bëjnë intepretime të reja fushave më tradicionale të hulumtimit. Teorizimi shkencor dhe kërkimet në mbështetje të tij kanë ndryshuar mjaft si pasojë e “qëndrimeve” të shkencëtarëve në fillim të shekullit të njëzetë. Sot dijetarët teorizojnë për natyrën dhe qëllimin e kurrikulës, duke iu afruar realiteteve të tyre nëpërmjet këndvështrimeve dhe nën ndikimin e ideologjive të tyre.
Ata që janë përfshirë në fushën e kurrikulës, madje dhe zbatuesit, po përpiqen të kuptojnë dukurinë e kurrikulës. Thelbësore është të pranojmë që veprimet tona për të kuptuar kurrikulën kanë nevojë për “një hulumtim në shumë drejtime dhe me çdo mjet që mund të ketë peshë” në kërkimin tonë.90 Megjithëse hulumtimet tona mund t’i interpretojmë sipas një ideologjie të caktuar, duhet të pranojmë se ekzistojnë ose mund të dalin në dritë edhe ideologji të tjera që meritojnë vëmendje. Në angazhimet tona për kurrikulën duhet të kemi vullnetin të punojmë brenda kampeve të ndryshme ideologjike.
Baraspesha nuk kërkon një pikë të mesme. Baraspesha varet nga pesha që u jep njeriu qëndrimeve, pyetjeve, teorive, prirjeve, vlerave dhe pikëpamjeve të ndryshme. Ka të ngjarë që teorizimi për kurrikulën të ndërlikohet gjithnjë e më tepër. Ne i kemi lënë prapa kohët e zgjedhjes o kështu-o ashtu, ose moderne-ose postmoderne. Sot jemi në periudhën ‘si kjo pikëpamje, ashtu dhe ajo pikëpamje’. Ne jemi modernë dhe postmodernë. Jemi si liberalë ashtu dhe konservatorë, si strukturalistë ashtu dhe post-strukturalistë, si në gjendje statike ashtu dhe në zhvillim.
Në diskutimin për kohët postmoderne, David Harvei ka nënvizuar se kohët tona duhen menduar “të hëpërhëshme dhe të përkohshme, për shkak se format kulturore të veshura me misteret e ndryshimit dhe të zhvendosjes së vrullshme, janë të shumta e të pakapshme.”91 Sido që t’i emërtojmë kohërat, komentet e Harveit janë “me vend”. Në përpjekjen tonë për të kuptuar kurrikulën duhet të kemi të qartë se kemi vetëm pamje të pjesëshme, vetëm copëza të enigmave të jetës. Ne duhet të bëjmë kujdes që të mos e izolojmë veten brenda terminologjisë dhe të biem në kurthin e metodave të caktuara. Kurrikula si fushë është e shndërrueshme, me rryma dhe kundër-rryma të vrullshme, që ushtrojnë forca dhe kundërforca. Pavarësisht se për çfarë teorizojmë dhe çfarë metodash hulumtimi teorik përdorim, ne jemi mjaft të zhytur në fushën kaotike të kurrikulës, e cila gjithashtu ndodhet brenda jetës dhe botës kaotike sociale dhe natyrore. Po të kemi parasysh dinamikën e kohëve të sotme dhe të atyre që do të vijnë, “me gërma të mëdha do të shkruanim” që teoria e kurrikulës po bëhet gjithnjë e më e rëndësishme për arsimtarët.
Do'stlaringiz bilan baham: |