KËNDVËSHTRIME TEORIKE
Sfida e përqëndrimit në vizionet e së ardhmes dhe, pas kësaj, në nisma për të ndërmarrë veprimet e duhura që sigurojnë realizimin e këtyre vizioneve, nuk është e vogël. Kurrikula është një dukuri e ndërlikuar që ekziston brenda dinamikës sociale dhe politike gjithnjë në rritje. Si teoricienët ashtu dhe zbatuesit do të argumentonin se kjo mënyrë “leximi” e kurrikulës është me vend. Dhe të dyja palët sëbashku do të ishin në një mendje se, kur shtrojmë pyetjen si krijohen e vlerësohen kurrikulat, në fakt u hapim rrugën pyetjeve të tjera.6 Shumë nga këto pyetje prijnë teorizimin për kurrikulën. Ky teorizim është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme për interpretimin e realitetit kurrikular konkret.7 Kurse pyetjet përbëjnë tentativën për ngritjen e një sistemi kuptimplotë dhe për krijimin e mekanizmave për të kuptuar të gjitha aspektet e veprimtarisë kurrikulare, lidhjen e individëve me kurrikulën e krijuar dhe reagimin ndaj saj.
Zbatuesit do ta pranonin më lehtë teorinë dhe teorizimin për kurrikulën, në qoftë se këto të fundit do të ishin të një lloji, e njëjta mënyrë e vështrimit të botës dhe interpretimit të kuptimit të saj. Sikur teoria të ishte e thjeshtë, ndoshta pak njerëz do të ngrinin zërin për të thënë, “mos ma shit mua këtë teori, dua diçka praktike që mund ta përdor.” Por teoria nuk mund të jetë e thjeshtë nëse përpiqet të fitojë kuptim, të jetë mënyrë e vështrimit të dukurive që në vetvete nuk janë të thjeshta. Një dukuri e koklavitur si kurrikula nuk mund të shpjegohet me një teori të thjeshtë apo të thjeshtëzuar.
Ndoshta teorinë do ta pranojmë më natyrshëm po të ndërgjegjësohemi se teorizimi është një proces që na bën të përfytyrojmë si dhe përse ekzistojnë dukuri të caktuara. Ai na vendos përballë sprovës së arsyetimit përse mendojmë që kurrikula duhet zhvilluar në një mënyrë të caktuar për nxënës të caktuar dhe përse duhet të përqëndrohet në një përmbajtje të caktuar. Teoria mund të parashtrojë edhe ide për mënyrën si t’ua mësojmë të tjerëve gjërat që i mendojmë të rëndësishme. Ajo nuk thotë pikërisht, “po bëtë këtë, do të ndodhë kjo gjë.” Kjo mund të jetë një arsye përse në të kaluarën zbatuesit ushqyen njëfarë mospëlqimi për teorinë. Teoria prodhonte një tërësi të dhënash që ishin të vlefshme në përgjithësimet abstrakte, por që rrallë mund të zbatoheshin në një situatë konkrete. Megjithatë, zbatuesit dhe teoricienët do të bënin mirë të kujtonin se ne shohim, mendojmë dhe njohim nëpërmjet teorisë.8
Në shumë drejtime, teoria është shprehje e bindjes.9 Të menduarit e teorisë në këtë mënyrë e lidh mendimin teorik me atë filozofik dhe me mënyrat si e shohim ose si e përfytyrojmë botën.
Ndërlikueshmëria e vetë kurrikulës dhe ajo që rrethon kurrikulën, mund të përpunohen vetëm nëse arrijmë njëfarë kuptimi teorik të çështjes. Vite më parë, Hilda Taba nënvizonte se “çdo sipërmarrje po aq e ndërlikuar sa kurrikula duhet të udhëhiqet nga një kuadër teorik ose konceptual të menduari.”10 Xhorxh Posner argumenton se këndvështrimet teorike na lejojnë t’i mendojmë dhe “t’i shohim” tablotë arsimore në mënyra të caktuara.11 Nëse dëshirojnë të konceptojnë dhe zhvillojnë kurrikula me vlerë për nxënësit, specialistët e kurrikulave duhet t’i kuptojnë më mirë aspektet teorike të kësaj fushe.
Xhorxh Boshamp ka pohuar se teoritë burojnë nga tre kategori të mëdha të dijes: (1) shkencat humane; (2) shkencat e natyrës; dhe (3) shkencat sociale.12 Këto ndarje të dijes janë përcaktuar tashmë si lëmet bazë të dijes. Për shembull, në shkencat humane përfshihen disiplinat e filozofisë, muzikës, artit dhe letërsisë. Në shkencat sociale përfshihen, ndër të tjera, lëndët e historisë, sociologjisë, psikologjisë dhe antropologjisë. Në shkencat e natyrës përfshihen lëndët e kimisë, fizikës, botanikës, gjeologjisë, e kështu me radhë.
Boshamp argumenton se nga këto ndarje bazë të dijes vijnë fushat e dijes së zbatuar – ku do të përmendnim disa fusha si arkitektura, mjekësia, inxhinjeria, arsimi dhe drejtësia. Ajo që i dallon lëmet e dijes së zbatuar nga disiplinat është se lëmet e zbatuara e formojnë përmbajtjen, madje dhe autoritetin e tyre, nga teoria e disiplinave. Për shembull, kur bën fjalë për rritjen dhe zhvillimin e njeriut, arsimi huazon nga psikologjia, sociologjia dhe historia, madje përdor informacion edhe nga biologjia. Ajo që e bën arsimin fushë të dijes, është mënyra në të cilën ai gërsheton njohuritë e disiplinave të ndryshme dhe formulon rregulla dhe procedura mbi përdorimin e këtyre njohurive.
Boshamp ka identifikuar një sërë nënteorish të arsimit: teoritë administrative, teoritë e këshillimit, teoritë e mësimdhënies, teoritë e vlerësimit dhe teoritë e kurrikulës. Këto të fundit ndahen në dy kategori të mëdha: teoritë e hartimit të kurrikulës dhe teoritë e inxhinjerisë së kurrikulës. Teoritë e hartimit trajtojnë organizimin bazë të planit të kurrikulës. Për këtë, specialistët e kurrikulës përdorin filozofinë, teorinë sociale dhe psikologjinë.
Teoritë e inxhinjerisë shpjegojnë, përshkruajnë, parashikojnë, madje paraprijnë, veprimtaritë për zhvillimin e kurrikulës. Ato përmbajnë plane, parime dhe/ose metoda e procedura të veçanta. Teoritë e inxhinjerisë kurrikulare mbështeten pjesërisht edhe në parimet e matjeve dhe të statistikave.
Kuptimi i teorisë
Pavarësisht nga moria e veprave për natyrën dhe funksionet e teorisë, specialistët e kurrikulës nuk kanë dhënë ndonjë përkufizim të përgjithshëm të teorisë. Kjo nuk të habit sepse të tri lëmet kryesore të dijes – shkencat humane, shkencat sociale dhe ato të natyrës – e shohin realitetin në mënyra të ndryshme dhe përkufizimet që japin në lidhje teorinë, pasqyrojnë interesat e tyre.
Megjithë ndryshimet, midis llojeve kryesore të teorisë vihen re edhe anë të përbashkëta. Shumica e përkufizimeve të teorisë kanë të bëjnë me tërësi ngjarjesh ose dukurish dhe lidhjet ndërmjet tyre. Abraham Kaplan bën një pohim të përgjithshëm në përkufizimin e teorisë: “Teoria është mënyra e nxjerrjes së kuptimit të një situate të paqartë, gjë që na lejon të ndikojmë sa më shumë në repertorin e zakoneve tona, madje, më e rëndësishmja, t’i modifikojmë këto zakone ose t’i fshijmë nga repertori e t’i zëvendësojmë me të reja, në varësi të situatës…”13 Sipas këtij pohimi, teoria shfaqet si mjet për interpretimin, kritikën dhe njësimin e ligjeve ekzistuese, duke i modifikuar këto ligje për t’ua përshtatur të dhënave të paparashikuara në formimin e tyre. Teoria shfaqet edhe si mjet orientues në veprimtarinë për zbulimin e përgjithësimeve të reja e më të fuqishme.
Ricard Snou pohon: “Në thelb teoria është një përbërje simbolike që ka si pikësynim të bëjë lidhjen sistematike ndërmjet ligjeve ose fakteve të përgjithësueshme.” Vetë teoria përbëhet nga një tërësi njësish që mund të jenë “fakte, koncepte ose ndryshore, dhe nga vendosja e lidhjeve ndërmjet njësive të identifikuara.”14
Do'stlaringiz bilan baham: |