Shkurtesat
AKK Agjencia Kadastrale e Kosovës
AKP Agjencia Kosovare e Privatizimit
BE Bashkimi Evropian
EASH Ekspert Afatshkurtër
EJK Ekspert Jo Kyç
EK Ekspert Kyç
GIZ Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit GmbH
GIZ InS GIZ International Services
GTHT Grupi Themelor Teknik për Strategjinë Nacionale për të Drejtat Pronësore
KEDNj Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Liritë Themelore
Komisioni Komisioni Qeveritar për Hartimin e Kodit Civil të Kosovës
LPDS Ligji për Pronën dhe të Drejtat tjera Sendore
MD Ministria e Drejtësisë
MDBE Menaxheri i Detyrës në ZBE
MM Memorandum Mirëkuptimi
MSA Marrëveshja për Stabilizim-Asocim
NSH Ndërmarrje Shoqërore
Projekti Përkrahje për Kodin Civil dhe të Drejtat Pronësore (CCPR)
PRP Programi i USAID-it për të Drejtat Pronësore
QeK Qeveria e Kosovës
RDPP Regjistri i të Drejtave mbi Pronën e Paluajtshme
TeR Termat e Referencës
UA Urdhër Administrativ
USAID Agjencia Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar
ZBE Zyra e BE-së në Kosovë
ZQM Zyra për Qeverisje të Mirë në Zyrën e Kryeministrit
Aktivitetet e kryera gjatë periudhës së raportimit
3.1 Komponenta 0 (“Bashkërendimi i donatorëve dhe strategjia e përgjithshme”), TeR
3.1.1 Sfondi
Synimi i kësaj komponente është të sigurojë që projekti të veprojë brenda një kornize të përbashkët koordinuese ndërmjet donatorëve të ndryshëm, ashtu që të shmangen ndërthurjet dhe mospërputhjet ndërmjet legjislacionit të ri të prodhuar.
Në këtë komponentë, TeR të Projektit përcaktojnë këtë Aktivitet:
-
Aktiviteti 0.1: Të krijohet një mekanizëm i fuqishëm bashkërendues me donatorët tjerë ndërkombëtarë për të shmangur mospërputhjet dhe ndërthurjet edhe në fushën e të drejtave pronësore por edhe në çështjet lëndore të kodit civil.
TeR kërkojnë nga Projekti që të bashkërendohet afërsisht me të gjithë donatorët relevantë, si dhe partnerët e tyre implementues, e në veçanti me Programin e USAID-it për të Drejtat Pronësore (PRP) (shih p.sh. f. 18, TeR). Qëllimi i përgjithshëm i PRP-së është që të përmirësojë regjimin e të drejtave pronësore në Kosovë, të përforcojë sundimin e ligjit, si dhe të rrisë zhvillimin ekonomik dhe investimet. Rrjedhimisht, ekzistojnë ndërthurje e konflikte potenciale ndërmjet PRP-së dhe Projektit, sidomos në lidhje me komponentën e të drejtave pronësore (por edhe me komponentën e Kodit Civil, ku theks i veçantë vihet tek ligji i trashëgimisë) në Projekt, e sidomos në kuptimin e Synimeve vijuese të PRP-së:
-
Synimi 1: Bashkërendim më i mirë dhe prioritete politikash. Në këtë kuptim, PRP pritet të shqyrtojë cilësinë e legjislacionit dhe të identifikojë fushat që kanë nevojë për rishikim, përforcim dhe/ose harmonizim. Megjithatë, siç specifikohet në termat e veta të referencës, PRP-ja duhet të identifikojë mangësitë dhe mospërputhjet në legjislacionin e të drejtave pronësore duke u fokusuar tek ato ligje që janë kritike për implementimin e programit, siç janë të drejtat e grave dhe komuniteteve pakicë.
-
Synimi 3: Të drejta të avancuara të grave për shfrytëzimin e pronës në praktikë. PRP është i përkushtuar të përmirësojë ligjet në lidhje me pronësinë e grave dhe të drejtat e tyre trashëgimore.
3.1.2 Aktivitetet dhe rezultatet
Aktiviteti 0.1: Të krijohet një mekanizëm i fuqishëm bashkërendues me donatorët tjerë ndërkombëtarë për të shmangur mospërputhjet dhe ndërthurjet edhe në fushën e të drejtave pronësore por edhe në çështjet lëndore të kodit civil.
|
-
Bashkërendimi me Programin e USAID-it për të Drejat pronësore
-
Sfondi
Derisa një kornizë fillestare bashkëpunimi e bashkërendimi me PRP-në paralele ishte pajtuar ndërmjet liderëve përkatës të projekteve në fund të gushtit 2014, pas negociatave të gjata e të ndërlikuara, u miratua një Memorandum Mirëkuptimi (MM) gjithëpërfshirës nga ZBE-ja dhe USAID-i, e pastaj edhe u nënshkrua nga dy kontraktorët, të përfaqësuar nga udhëheqësit përkatës të projekteve më 11 dhjetor 2014.
MM përcakton disa rregullime për bashkëpunim e bashkërendim ndërmjet dy projekteve në implementimin e aktiviteteve përkatëse të projekteve, me theks të veçantë tek ndihma për Qeverinë e Kosovës (QeK), e posaçërisht Ministrinë e Drejtësisë, në hartimin e Strategjisë Nacionale për të Drejtat Pronësore. Sipas nenit 3.3.1 të MM-së, PRP do të jetë përgjegjës për bashkërendimin e përgjithshëm të donatorëve, ministrive gjegjëse dhe agjencive të QeK-së në sektorin e të drejtave pronësore, si dhe do të sigurojë pjesëmarrje të plotë të Projektit në të gjitha aktivitetet e planifikuara dhe të implementuara në fushën e bashkërendimit të donatorëve.
Gjatë një punëtorie dy-ditore të mbajtur në qershor të vitit 2015, MD dhe PRP përcaktuan fushëveprimin dhe fokusin e Strategjisë Nacionale për të Drejtat Pronësore. Përmes një procesi përfshirës, u identifikuan pesë shtylla tematike: 1) Të drejtat pronësore dhe acquis communautaire; 2) Kthimi i tokës në kontekstin e zhvillimit ekonomik; 3) Avancimi i rolit të gjykatave në implementimin e të drejtave pronësore; 4) Adresimi i çështjeve pronësore në lidhje me Marrëveshjen për Stabilizim-Asocim (MSA); 5) Garantimi dhe zbatimi i të drejtave pronësore të grave. Janë themeluar Grupet Tematike të Punës (GTP) përkatëse për të analizuar thellësisht çështjet e secilës fushë. Anëtarësia e secilit grup është e vogël, si dhe përbëhet kryesisht nga aktorët kryesorë që veprojnë në kornizën e temave relevante (anëtarët e GTP-ve përfshijnë përfaqësues qeveritarë por edhe përfaqësues të disa agjencive e projekteve ndërkombëtare). Pesë GTP-të veprojnë nën ombrellën e GTHT-së, që është organi përgjegjës për menaxhimin dhe mbikëqyrjen e zhvillimit të Strategjisë Nacionale për të Drejtat Pronësore (secili anëtar i GTHT-së është gjithashtu anëtar i së paku njërit GTP). Ky është grup prej 14 personash që përfaqësojnë institucione të ndryshme të Kosovës, që kanë ekspertizën dhe përgjegjësitë përkatëse në lidhje me çështjet që do të adresohen nga Strategjia e ardhme.
GTP-të janë në fazën përfundimtare të finalizimit të pesë Koncept-Dokumenteve tematike, të cilët do të shërbejnë si bazë për hartimin e Strategjisë Nacionale për të Drejtat Pronësore. Draftet e Koncept-Dokumenteve janë shqyrtuar dhe komentuar nga GTHT-ja. Projekti është siguruar që rezultatet dhe komentet e dhëna të merren parasysh. Paralelisht, PRP-ja është duke punuar në një «draft zero» të dokumentit strategjik, në bazë të Koncept-Dokumenteve dhe kontributeve të palëve të interesit. Faza vijuese ka për qëllim hartimin e vetë dokumentit strategjik si dhe planit përkatës të veprimit.
Më 2 mars 2016, u mbajt një mbledhje koordinuese ndërmjet Projektit dhe PRP-së në zyrat e MD-së. Kjo mbledhje i mundësoi të dy projekteve që të njoftonin njëri-tjetrin në lidhje me zhvillimet më të fundit, duke përfshirë finalizimin e Planit të Përgjithshëm/Planit të Veprimit të CCPR-së për Kodin Civil si dhe Planit të Përgjithshëm/Planit të Veprimit për Reformën e Sektorit të Pronës, finalizimin e pritur të drafteve të Koncept-Dokumenteve nga PRP-ja, si dhe fushatën e vetëdijesimit publik të planifikuar nga PRP-ja në fushën e të drejtave pronësore.
Dy projektet u mblodhën sërish më 6 prill 2016. Gjatë kësaj mbledhjeje bashkërenduese, PRP-ja njoftoi CCPR-në për gjendjen aktuale të punës në hartimin e Koncept-Dokumenteve dhe Strategjisë së ardhme Nacionale për të Drejtat Pronësore. Derisa Koncept-Dokumentet qenë në proces të hartimit, PRP-ja informoi që Strategjia pritet të finalizohet në shtator të vitit 2016 si dhe të dorëzohet në Drejtorinë e Përgjithshme të Zgjerimit në Bruksel.
Një mbledhje tjetër bashkërenduese u mbajt më 10 maj 2016. U diskutuan afatet dhe kontributet e të dy projekteve në Koncept-Dokumente, si pjesë e përpjekjeve të përbashkëta në përkrahje të hartimit të Strategjisë Nacionale Kosovare për të Drejtat Pronësore. Derisa u theksua nevoja e adresimit të rregullave procedurale në fushën e të drejtës së familjes, PRP-ja shprehu interesin për t'u angazhuar në këtë çështje. Megjithatë, u theksua që derisa të finalizohet Kodi Civil (ose së paku të afrohet tek finalizimi), procedurat nuk mund të ndryshohen (edhe pse puna në rishikimin e tyre mund të fillojë më herët). PRP-ja gjithashtu shkurt shpjegoi para ekipit të projektit fushatën e vetëdijesimit që është lansuar nga PRP-ja në fushën e të drejtave pronësore të grave. Në fund, Projekti shprehu brengat në lidhje me faktin që gjatë një punëtorie të GTHT-së të mbajtur në Prizren në 21-22 prill 2016, si dhe moderuar nga PRP-ja, Z. Robert Muharremi, ekspert i kontraktuar nga PRP-ja, kishte prezantuar një Koncept-Dokument që shprehte qëndrime të mospërputhshme me qasjen e marrë nga QeK-ja në kodifikimin e Kodit Civil. Pa qëllim të tejzmadhimit të tij, «incidenti» raportohet vetëm për qëllimet e theksimit të frymës së mirë të bashkëpunimit ndërmjet dy projekteve siç shpjegohet më poshtë. Edhe pse Z. Roccia dhe Z. Beqiri tashmë kishin reaguar menjëherë ndaj deklaratave të ekspertit brenda të njëjtës Punëtori, në mbledhjen e 10 majit 2016, Shefi i Misionit në PRP i kishte kërkuar Projektit të reagonte me shkrim ndaj Koncept-Dokumentit në fjalë, gjë që u bë shpejt. Komentet e EK 2 për të Drejtën pronësore tashmë janë përfshirë brenda Koncept-Dokumentit dhe janë reflektuar në «draftin zero» të Strategjisë Nacionale për të Drejtat Pronësore. Është gjithashtu me rëndësi të përmendet që, me qëllim të sigurimit të inkorporimit të propozimeve të tjera të CCPR-së në Koncept-Dokumente, Projekti i ka ofruar prapë PRP-së versionet e rishkruara të dispozitave të ligjit të trashëgimisë në lidhje me heqjen dorë nga trashëgimia.
-
E drejta pronësore
Më 8 prill 2016, EK 2 për të Drejtën Pronësore u takua me Projektin e Implementimit të Bazelit të GIZ-it (Projekti i financimit të banimit – Përmbledhje e rishikimit ligjor në lidhje me financimin e banimit). Z. Ralf Raab, Këshilltar i Lartë dhe Z. Dardan Fusha, Shef i Divizionit të Rregullimit, të dy anëtarë të projektit, morën pjesë në mbledhje. Qëllimi i mbledhjes ishte që të përafrohej Projekti dhe të diskutohen sinergjitë e mundshme në fushën e hipotekave. Projekti i GIZ-it për Implementimin e Bazelit ka filluar në shtator të vitit 2014. Ai pritet të përfundojë në shtator të vitit 2016, por parashihet edhe vazhdimi 2016-2018. Qëllimi i projektit është të implementojë standardet ligjore të BE-së në fushën e hipotekave. Të dy projektet u pajtuan të këmbenin dokumentet dhe gjetjet e tyre.
Pas takimit, Z. Fusha ndau draftin e «Rregullores për Kredidhënien Banesore Hipotekare», të prodhuar nga projekti i tyre. EK 2 ofroi komentet e tij me shkrim. Në veçanti, sa i përket definicionit të pronës së paluajtshme të përcaktuar me nenin 2, u theksua që definicione të ngjashme jepen normalisht nga Libri i Pronës në Kodin Civil. Kosova nuk përbën përjashtim, pasi që definicioni i pronës së paluajtshme tashmë është përcaktuar me nenin 10 të Ligjit për Pronësinë dhe të Drejtat Tjera Sendore (LPDS). Për më tepër, projekt-rregullorja definon pronën e paluajtshme pak më ndryshe sesa LPDS-ja. Edhe pse ky definicion ofrohet vetëm për qëllimet e rregullores në fjalë, duhet theksuar që «fragmentimi» i një definicioni themelor juridik është i pazakontë në praktikë.
Një çështje tjetër që kërkon trajtim është ai i «barrës» që përmendet mjaft shpesh në rregulloren e lartpërmendur. I vetmi definicion i qartë i barrës në Kosovë jepet me nenin 1 të Ligjit për Administratën Tatimore dhe Procedurat. Barra e paraparë këtu është shumë specifike, pasi që vlen vetëm për qëllime tatimore. Derisa ligje e rregullore të ndryshme të Kosovës i referohen konceptit të barrës (që kryesisht bazohet tek tradita e të drejtës precedentale, Common Law), ende mungon rregullimi i përgjithshëm dhe gjithëpërfshirës i barrave në kornizën ligjore të Kosovës.
Me nenin 4 të projekt-Rregullores për Kredidhënien Banesore Hipotekare, prezantohet koncepti i «Marrëveshjes Hipotekare». Megjithatë, LDPS-ja tashmë ofron një definicion të marrëveshjeve të tilla (nenet 173 dhe 174), të cilat pak dallojnë nga ai që ofrohet me Rregulloren për Kredidhënien Banesore Hipotekare. Ne kemi kuptuar që nocioni i marrëveshjes hipotekare është dhënë këtu vetëm për qëllimet e financimit të shtëpive.
Më 21 prill 2016, EK 2 për të Drejtat Pronësore mori pjesë në Punëtorinë e GTHT-së për finalizimin e Strategjisë Nacionale për të Drejtat Pronësore. Gjatë punëtorisë, Z. Lulzim Beqiri, Kryesues i GTHT-së hapi debatin për Strategjinë Nacionale për të Drejtat Pronësore. Z. Robert Muharremi, ekspert i PRP-së, prezantoi gjetjet e tij në kuptimin e zhvillimit të kornizës ligjore që qartësisht definon të drejtat dhe krijon kushtet juridike për të drejta tokësore të tregtueshme, në përputhje me legjislacionin evropian. Z. Xhevat Azemi prezantoi gjetjet e tij në lidhje me ofrimin e shërbimeve me qëllim të adresimit të informalitetit dhe paqartësive. Një çështje tjetër e diskutuar gjatë punëtorisë ishte edhe përforcimi i të drejtave pronësore të personave të zhvendosur dhe komuniteteve jo-shumicë në Kosovë.
Në njërën prej gjetjeve të tij, eksperti i PRP-së sugjeroi ndryshim-plotësimin e LDPS-së ekzistues për të përmbajtur dispozita të ngjashme me ato në legjislacionin kroat dhe malazez, të cilat përcaktojnë transformimin e të drejtës së shfrytëzimit të pronës shoqërore në pronë të personit që regjistrohet si titullar i përhershëm i të drejtës së shfrytëzimit. Pronarët privatë të objekteve, të cilat ligjërisht janë ndërtuar në pronë publike apo shoqërore, do të ktheheshin në pronarë privatë të tokës ku është ndërtuar objekti, në kushtet e përcaktuara me ligj. Prona, ku komuna (apo cilido nga organet e saj) regjistrohet si titullare e të drejtës së shfrytëzimit, do të bëhej pronë komunale. Qiramarrja 99-vjeçare e pronës së paluajtshme shoqërore e fituar gjatë procesit të privatizimit do të transformohej në pronë private, në kushtet e përcaktuara me ligj. Pronat e regjistruara në emër të ish-Jugosllavisë, Serbisë dhe organeve administrative e agjencive të tyre do të transformoheshin në pronë të Republikës së Kosovës. Në të gjitha rastet ku ka të drejtë shfrytëzimi të pronës së paluajtshme shoqërore dhe nuk është e qartë se kush është titullari i atyre të drejtave, e drejta e shfrytëzimit do të transformohej në pronë të Republikës së Kosovës; çdo person që në këtë rast specifik bën ndonjë parashtresë apo ankesë në të kundërtën, do të bartte barrën e dëshmisë.
EK 2 për të Drejtat Pronësore qartësoi në fjalën e tij që LDPS-ja do të inkorporohet brenda Kodit Civil. Me modifikimet e domosdoshme, ai do të bëhet Libri i Pronës, si dhe do të rregullojë vetëm çështjet private pronësore. Shumica e çështjeve të lartpërmendura pra duhet të jenë objekt i një legjislacioni të posaçëm për këto arsye:
-
Librat për Pronën të Kodeve Civile (në hartim apo ekzistencë) në rajon (Serbi, Shqipëri) nuk trajtojnë çështje të tilla;
-
Librat për Pronën në Kodet Civile të vendeve perëndimore evropiane nuk trajtojnë çështje të tilla;
-
Praktikat e referuara të mira bazohen në sisteme ligjore (si Kroacia e Mali i Zi) të cilat nuk kanë Kod Civil (e as nuk janë në proces të hartimit të tij), që do të thotë se ligjvënësit kanë më shumë liri veprimi në rregullimin e çështjeve pronësore (pasi që Kodi Civil si i tillë mund të merret vetëm me të drejtën private);
-
Vendosja në të njëjtin ligj (qoftë ai edhe Kodi Civil) i parimit sipas të cilit personi që ka të drejtë shfrytëzimi të ndërtimit mund të bëhet pronar i tokës nën të, si dhe parimi i kundërt i accessio bonorum (që veçanërisht referohet nga secili Kod Civil edhe si ‘pandektistik» apo «institucional») mund të bëhet tejet konfuze. Edhe një herë, vendet evropiane përfshijnë vetëm parimin accessio bonorum në Kodet e tyre Civile;
-
Çështjet e përmendura nga eksperti i PRP-së janë të natyrës «kontingjente», si dhe, duke marrë parasysh që Kodi Civil pritet të ketë jetëgjatësi të gjatë, ato mund të tejkalohen në një periudhë relativisht të shkurtër kohore.
Më 10 maj 2016, EK 2 për të Drejtën Pronësore takoi Z. Destan Bujupaj, Zyrtar Përmbarimi. Qëllimi i takimit ishte diskutimi i nenit 206 të LDPS-së, si dhe në përgjithësi, çështjeve në lidhje me përmbarimin e hipotekave dhe pengjeve. Derisa u theksua që ligji i përmbarimit është aktualisht në rishikim e sipër me përkrahjen e USAID-it, këto çështje u nënvizuan:
-
Hipoteka:
-
Nenet 206, 207, 208 paragrafi 1, 209, 210 i LDPS-së duhen rishikuar me kujdes apo shfuqizuar (në Librin e Pronës brenda Kodit Civil) pasi që ato i referohen një procedure që ndërmerret përgjithësisht nga «agjentët» (që mund të jetë kushdo, agjent bankar, agjent i patundshmërive, etj.). Kjo është në kundërshtim me Ligjin për Përmbarimin, i cili parasheh rregulla speecifike të përmbarimit si dhe i referohet vetëm përmbaruesve privatë apo referentëve gjyqësorë si zyrtarë kompetentë;
-
Neni 208, paragrafi 1 i LDPS-së i referohet një afati pesëditor, që është 7 ditë në Ligjin e Përmbarimit;
-
Neni 210 i LDPS-së për «Shpërndarjen dhe publikimin e njoftimit për shitjen e paluajtshmërisë» është i pasaktë, pasi që përmbaruesit nuk kanë fuqi të bëjnë njoftimet e përcaktuara me këtë dispozitë.
Si rezultat i diskutimit të frytshëm, të gjitha nenet si më lart janë hequr nga Libri i Pronës së Kodit Civil.
-
Pengu:
-
Pengu duhet regjistruar kur vendoset kredia, derisa praktika është që të regjistrohet pengu vetëm në rast të mospagesës apo vonesës së debitorit në pagesën e detyrimit të garantuar. Problemi është që ndërkohë, prona e penguar mund të shitet ndërsa pronësia të fitohet bona fide nga një palë e tretë.
Në këtë të fundit, nuk u bë asnjë ndryshim në draftin e Kodit Civil, pasi që problemi i përmendur si më lart shkaktohet kryesisht nga një mangësi në implementim.
Më 17 maj 2016, EK 2 për të Drejtën Pronësore mbajti një takim me Z. David Egiashvili, Ekspert i Lartë, si dhe Znj. Aanchal Anand, Specialiste e Administrimit të Tokës, nga Projekti i Bankës Botërore për regjistrin e pronave të paluajtshme.
Më 19 maj 2016, EK 2 për të Drejtën Pronësore u takua me Z. Peter Laarakker, jurist nga Agjencia Kadastrale Holandeze, që aktualisht punon si Ekspert Ligjor për Projektin e Bankës Botërore për regjistrin e pronave të paluajtshme. Z. Laarakker përmendu që hartimi i Ligjit për Regjistrin e Pronave të Paluajtshme është në fazë tejet të hershme, si dhe ajo që është e sigurt deri më tash është që ligji do të rregulloje në një vend regjistrin e pronave të paluajtshme, kadastrin dhe regjistrimin e hipotekave. EK 2 për të Drejtën Pronësore qartësoi që pasi Kodi Civil nuk do të trajtojë ato fusha, nuk duhet të ketë kundërshti mes Kodit të ardhshëm Civil dhe Ligjit të ri për Regjistrin e Pronave të Paluajtshme. Ai gjithashtu përmendu që Banka Botërore duhet të shqyrtojë produktet e CCPR-së, e posaçërisht Kodin Civil, ashtu ëq të marrë pjesë në raundin e ardhshëm të konsultimeve.
-
E drejta trashëgimore
Më 22 prill 2016, një Eksperte Jo-Kyçe nga Projekti (Znj. Adelina Sokoli) mori pjesë në emër të EK 3 për të Drejtën Familjare dhe Trashëgimore në Punëtorinë “Strategjia Nacionale për të Drejtat Pronësore” mbajtur nga GTHT-ja dhe moderuar nga PRP-ja brenda Shtyllës 5 (“Garantimi dhe Realizimi i të drejtave pronësore të grave») të Strategjisë Nacionale për të Drejtat Pronësore.
Znj. Sokoli elaboroi qasjen e CCPR-së në lidhje me ligjin e rishikuar të trashëgimisë në lidhje me heqjen dorë nga trashëgimia dhe masat mbrojtëse të vendosura në Librin e ri të Trashëgimisë në Kodin Civil për të siguruar të drejtat pronësore të grave. Ajo gjithashtu shpjegoi regjimin e ri të pronës martesore të vendosur brenda ligjit të rishikuar të familjes, gjë që gjithashtu mëton të mbrojë bashkëshortët më të dobët – kryesisht gratë.
Më 29 prill 2016, EK 3 për të Drejtën Familjare dhe Trashëgimore mori pjesë, me ftesë të MD-së, në Punëtorinë për Projektligjin për të Drejtën Private Ndërkombëtare në Kosovë. Ky ligj ka disa pika të prekjes me projekt-Kodin Civil, si dhe do të ketë nevojë për bashkërendim me Kodin e ardhshëm civil. Dy akademikë të mirënjohur nga Gjermania folën para audiencës me komentet paraprake në lidhje me projektligjin (ende të papublikuar). EK 3 për të Drejtën Familjare dhe Trashëgimore theksoi rëndësinë e kodifikimit të një ligji të veçantë për të drejtën private ndërkombëtare, sidomos në dritën e faktit që ka dispozita në ligjet ekzistuese për familjen dhe trashëgiminë të cilat qartësisht nuk gjejnë vend në Kodin Civil. Këto dispozita do të duhen hequr nga aty dhe të barten tek ligji i posaçëm për të drejtën private ndërkombëtare. U theksua gjithashtu që Projektligji për të Drejtën Private Ndërkombëtare do të duhet të jetë në përputhje, mes tjerash, me standardet më të reja evropiane në fushën e të drejtës familjare dhe trashëgimore.
Më 26 maj 2016, EK 3 për të Drejtën Familjare dhe Trashëgimore mbajti një fjalim në Konferëncën Finale të Projektit të financuar nga BE-ja “Hulumtimi dhe monitorimi i institucioneve publike në lidhje me zbatimin e Ligjit për Familjen” (NORMA/”Zensko Pravo”). Në fjalimin e saj, Znj. Niethammer-Jürgens prezantoi fushëveprimin dhe qëllimin e tërësisë së re të dispozitave në ligjin e familjes (të rikodifikuara brenda Kodit Civil) të cilat janë qenësore për sigurimin e të drejtave të gruas në Kosovë. Në veçanti, u nënvizuan dispozitat vijuese:
-
Masat mbrojtëse të vendosura me regjimin e ri të pronës martesore të bashkëshorëve dhe personave në bashkëjetesë, me qëllim të përforcimit të të drejtave të bashkëshortit më të dobët. Masat e tilla i referohen posaçërisht administrimit dhe ndarjes së pronës së përbashkët, si dhe fuqisë mbikëqyrëse të gjykatës në lidhje me kontratat martesore, gjë që i mundëson gjyqtarit jo vetëm të rregullojë marrëveshjet martesore dhe ato të ndarjes së pronës së përbashkët, por edhe t'i heqë apo t'i rrëzojë ato në rrethana të jashtëzakonshme;
-
Koncepti i qartë i «amësisë» që nuk lejon dhurimin e vezës dhe prindërinë surrogate, si dhe si i tillë, duke penguar të ashtuquajturën «prindëri të egër surrogate», përveç nëse përcaktohet ndryshe me ligj të posaçëm (i cili duhet të specifikojë kushtet specifike që duhen përmbushur);
-
Koncepti i rishikuar i «familjes së gjerë», i cili bazohet në një marrëdhënie kontraktuale ndërmjet anëtarëve për aq gjatë sa ekziston ajo marrëdhënie.
EK 3 për të Drejtën Familjare dhe Trashëgimore gjithashtu foli para audiencës në lidhje me nevojën për të promovuar avancimin e rregullave procedurale në lidhje me çështjet familjare brenda një ligji gjithëpërfshirës dhe të ndarë të procedurës së familjes, në plotësim të Librit IV të Kodit Civil (ose përmes reformimit të kodit ekzistues të procedurës civile, pra Ligjit për Procedurën Kontestimore).
Do'stlaringiz bilan baham: |