VENDIM NË EMËR TË REPUBLIKËS
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë i përbërë nga:
Ardian Nuni Kryesues
Aleksandër Muskaj Anëtar
Mirela Fana Anëtare
në datën 17.03.2016 shqyrtoi në seancë gjyqësore çështjen civile me palë :
PADITËS: SANIJE BRAHOLLI, (në mungesë)
I PADITUR: AGJENCIA E KTHIMIT DHE KOMPENSIMIT TË PRONAVE, (në mungesë).
Me pjesëmarrjen e Avokaturës së Përgjithshme të Shtetit, përfaqësuar nga av. Lorana Kasapi.
OBJEKTI:
Anulimin e vendimit nr.231 datë 19.04.2011
të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave Tiranë.
Detyrimin e palës së paditur për tjetërsimin e oborrit në përdorim
të shtetases Sanije Braholli dhe kalimin në pronësi me kundërshpërblim
për truallin me sipërfaqe 300 m2, që i përket pasurisë nr.8/6
të ndodhur në lagja nr.13, ZK 8518 Durrës.
Baza Ligjore: Nenet 324, 325, 327 dhe 328 të Kodit të Procedurës Civile,
ligji nr.9235, datë 29.7.2004 “Për kthimin dhe kompensimin e pronës” i ndryshuar,
ligji nr.7843 datë 13.7.1994 “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme”, i ndryshuar,
VKM nr.200 datë 19.2.2009, “Për caktimin e kushteve dhe procedurën e tjetërsimit
të oborreve në përdorim për llogari të fondit të kompensimit”, i ndryshuar.
Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë me vendimin nr.5988, datë 11.06.2012 ka vendosur:
“1. Pranimin e padisë së paditëses Sanije Braholli.
2. Shfuqizimin e vendimit nr.231 datë 19.04.2011 të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Tiranë dhe detyrimin e palës së paditur të vendosë tjetërsimin e pronës së oborrit në përdorim të shtetases Sanije Braholli, nëpërmjet kalimit në pronësi me kundërshpërblim për truallin me sipërfaqe 300 m2, ndodhur në lagjia nr.13, ZK 8518 Durrës.
3.Shpenzimet gjyqësore të evidentuara në masën 42.000 lekë, janë në ngarkim të palës së paditur...”.
Gjykata e Apelit Tiranë me vendimin nr.260, datë 05.02.2013 ka vendosur:
“Ndryshimin e vendimit nr.5988, datë 11.06.2012, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë në këtë mënyrë : -Rrëzimin e kërkesë padisë së paditëses Sanije Braholli si të pabazuar në ligj dhe në prova.”.
Kundër këtij vendimi në datë ka paraqitur rekurs paditësja Sanije Braholli duke kërkuar: “Prishjen e vendimit nr.260 datë 05.02.2013 të Gjykatës së Apelit Tiranë dhe lënien në fuqi të vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë nr.5988 datë 11.06.2012.” .
KOLEGJI CIVIL I GJYKATЁS SЁ LARTЁ
pasi dëgjoi relatimin e gjyqtarit Aleksandër Muskaj; përfaqësuesin e Avokaturës së Përgjithshme të Shtetit av.Lorana Kasapi i cili kërkoi: “Lënien në fuqi të vendimit nr.260, datë 05.02.2013 të Gjykatës së Apelit Tiranë”, në mungesë të palëve të tjera pjesëmarrëse, si shqyrtoi në tërësi çështjen,
V Ё R E N
Se vendimi nr.260, datë 05.02.2013 i Gjykatës së Apelit Tiranë është rrjedhojë e zbatimit të gabuar të ligjit material dhe procedural civil e si rrjedhojë do të prishet dhe çështja do të kthehet për rishqyrtim në po atë gjykatë me tjetër trup gjykues.
I. RRETHANAT E FAKTIT
1. Kolegjit Civil të Gjykatës së Lartë, nga aktet e dosjes gjyqësore i rezultojnë të pranuara nga gjykatat e faktit rrethanat si vijon :
-
Shtetasja Sanije Braholli ka të regjistruar në pronësi të saj, një sipërfaqe trualli prej 250 m2, pasuri e cila ndodhet në Plazh/13, në ZK 8518 Durrës. Gjithashtu, kjo shtetase ka në pronësi banesë trekatëshe + papafingo me sipërfaqe ndërtimore prej 111 m2, në të njëjtën adresë dhe zonë kadastrale, (dokumentet hipotekore).
-
Objekti ndërtimor i sipërcituar “banesë tre kate + papafingo”, është ndërtuar, mbi banesën e vjetër të paditëses me lejen e ndërtimit nr.6, datë 26.08.2003 dhënë me vendim të K.R.R.T pranë Bashkisë Durrës, për të cilën rezulton të jetë lëshuar edhe leja e shfrytëzimit me nr.221 Prot., datë 22.01.2007 nga Bashkia Durrës.
-
Në bazë të VKM nr.200, datë 19.02.2009 të ndryshuar “Për caktimin e kushteve dhe për procedurën e tjetërsimit të oborreve në përdorim për llogari të fondit të kompensimit” paditësja pasi ka plotësuar dokumentacionin përkatës për tjetërsimin me kundërshpërblim të pronës së poseduar me sipërfaqe 300 m2 lidhje funksionale me ndërtimin, për këtë ka paraqitur kërkesën palës së paditur.
-
Pala e paditur AKKP Tiranë me vendimin nr.231, datë 19.04.2011 ka rrëzuar kërkesën, me arsyetimin se nuk plotësohet pika 3, gërma “9” të kreut të III të VKM nr.200, datë 19.02.2009 i ndryshuar me vendimin nr.251, datë 13.04.2010, në lidhje me kushtin që banesa duhet të jetë ndërtuar para datës 10.08.1991.
-
Pala paditëse duke mos qenë dakord me këtë vendim i është drejtuar gjykatës.
II. PROCEDURAT GJYQËSORE.
-
Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë me vendimin nr.5988, datë 11.06.2012 ka vendosur: “1. Pranimin e padisë së paditëses Sanije Braholli. 2. Shfuqizimin e vendimit nr.231 datë 19.04.2011 të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Tiranë dhe detyrimin e palës së paditur të vendosë tjetërsimin e pronës së oborrit në përdorim të shtetases Sanije Braholli, nëpërmjet kalimit në pronësi me kundërshpërblim për truallin me sipërfaqe 300 m2, ndodhur në lagja nr.13, ZK 8518 Durrës. 3. Shpenzimet gjyqësore të evidentuara në masën 42.000 lekë, janë në ngarkim të palës së paditur...”.
-
Gjykata e Apelit Tiranë me vendimin nr.260, datë 05.02.2013 ka vendosur: “Ndryshimin e vendimit nr.5988, datë 11.06.2012, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë në këtë mënyrë : -Rrëzimin e kërkesë padisë së paditëses Sanije Braholli si të pabazuar në ligj dhe në prova.”.
-
Kundër këtij vendimi në datë ka paraqitur rekurs paditësja Sanije Braholli duke kërkuar: “Prishjen e vendimit nr.260 datë 05.02.2013 të Gjykatës së Apelit Tiranë dhe lënien në fuqi të vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë nr.5988 datë l1.06.2012.”. Në shkaqet e rekursit veçohen:
-
Gjatë gjykimit në Apel gjykata ka marrë për bazë vetëm ato shkaqe që ka ngritur në ankim avokati i Shtetit dhe nuk ka bërë analizë në themel të provave.
-
Megjithëse në vendimin e shkallës së parë përcaktohet qartë se ka një leje ndërtimi e cila i korrespondon dt.23.10.1990, dhe shkresa me nr.240/1 prot.dt.10.04.2012 që verteton këtë fakt, Gjykata e Apelit në arsyetimin që i bën këtij fakt nuk e vlerëson këtë shkresë të dalë nga Arkivi Shteteror Vendor Durrës si një prove të plotë, por e anashkalon këtë duke përdorur si provë një shkresë tjetër të palës së paditur e cila është e kundërt me atë që e ka paraqitur pala paditëse dhe nuk e trajton fare si provë shkresën që neve kemi paraqitur dhe që ka dalë nga i njëjti organ kompetent administrativ, dhe që tregon kontradiktën që kanë këto dy prova.
-
Provat shkresore që bazohet vendimi i shkallës së parë nga gjykata e apelit jo vetëm që nuk janë përmendur në arsyetimin e këtij vendimi, por përkundrazi provat që avokati i shtetit ka paraqitur para gjykatës së apelit janë quajtur të mirëqena pa i ballafaquar me provat e palës paditëse.
-
Gjatë gjykimit të çështjes në Gjykaten e Apelit nuk janë respektuar kërkesat e neneve 460 dhe 461 të K.Pr.Civile për menyrën e njoftimit të palëve.
III. ARSYETIMI LIGJOR I VENDIMIT TË ANKIMUAR
-
Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë me vendimin nr.5988, datë 11.06.2012 ka argumentuar: “...(omissis)... Nga verifikimi i dokumentacionit të paraqitur në gjykim, dhe kriteret ligjore për tjetërsimin e oborrit funksional në përdorim me kundërshpërblim, gjykata i analizon këto kritere nën dritën e vlerësimit të tyre nga AKKP dhe palët në gjykim. Së pari: cila është gjendja juridike e pronës së pretenduar objekt gjykimi. Në rastin konkret, pasuria objekt gjykimi, në aspektin e saj faktik (sipas konstatimit në terren) dhe juridik (sipas përcaktimeve të mësipërme ligjore) konsiderohet tokë e llojit truall. Gjykata, në këtë analizë mban në konsideratë vetë qëndrimin e Z.V.R.P.P Durrës, e cila: nuk garanton se cila është gjendja juridike e pronës; ka si burim informacioni librin e ngastrave, të cilësuar prej saj jo si dokument zyrtar dhe sipas të cilit pasuria rezulton si një e tërë me sip. 27.340 m2.
Së dyti: a konsiderohet ndërtimi në funksion të të cilit pretendohet të kalojë pronësia e truallit objekt gjykimi, një ndërtim i ligjshëm dhe i ngritur para datës 10.08.1991?
Nga aktet verifikuese të paraqitura në këtë gjykim dhe të administruara edhe nga ana e AKKP-së, pala paditëse ka paraqitur leje ndërtimi të objektit datë 01.11.1990 për ndërtim banese në emër të shtetases Sanije Braholli, sipas vendimit nr.124 datë 23.10.1990 me afat njëvjeçar.
Rezulton se burim verifikimi gjatë procedurës administrative, ka qenë praktika e tërhequr nga Arkivi Shtetëror Vendor Durrës me shkresën nr.86/1 prot datë 16.03.2011, sipas të cilës, janë paraqitur vendimet nr.124 datë 06.12.1990 dhe nr.124 datë 23.10.1991 të Kom. Ekz. Qytetit për leje ndërtimesh për banesa vetjake, nga në të cilat nuk rezulton të jetë emri i paditëses.
Leja e ndërtimit të objektit e paraqitur nga pala, daton 23.10.1990 duke mos iu referuar kështu asnjë prej datave të vendimeve të sipërcituara, ndërsa po nga Arkivi Shtetëror Vendor Durrës, është paraqitur shkresa nr.240/1 prot, datë 10.04.2012, sipas të cilës shtetasja Sanije Braholli është pajisur me leje ndërtimi në vitin 1990 nga organet kompetente.
Rezulton në ecuri se objekti ndërtimor ka ndryshuar, pasi paditësja ka marrë leje ndërtimi për objekt banimi tre katësh + papafingo në vitin 2003, konfirmuar me lejen e ndërtimit dhe atë të shfrytëzimit të objektit dhënë nga Këshilli i Rregullimit të Territorit, Bashkia Durrës.
Gjykata, në analizë të konceptit ligjor mbi ndërtimin e ligjshëm dhe të ngritur para datës 10.8.1991, analizon qëllimin e ligjit (aktit nënligjor) sipas të cilit, bëhen përfitues të oborrit në përdorim ata subjekte të cilët duke filluar nga viti 1991, në mënyrë të vazhdueshme kanë qenë pronarë të objektit ndërtimor, në funksion të të cilit pretendohet oborri në përdorim. Pikërisht kriteri i vazhdueshmërisë së banimit në një ndërtim të ligjshëm duhet të plotësohet.
Në rastin konkret, paditësja ka pasur ndërtim me leje që nga viti 1990 dhe ndryshimet e bëra banesës sipas lejes së ndërtimit duke rritur sipërfaqen e saj, nuk privojnë të drejtën e paditëses për të pretenduar banimin në mënyrë të ligjshme që nga viti 1990.
Së treti: a plotëson ndërtimi në funksion të të cilit pretendohet të kalojë pronësia e truallit objekt gjykimi, kriteret ligjore mbi qëllimin e banimit dhe lidhjen funksionale me të?
Sipas pikës I/2 të VKM 200/2009, termi "Oborri në përdorim", kupton sipërfaqen e tokës në pronësi të shtetit, e cila është në funksion të një ndërtimi të ligjshëm, dhe përfshin tokën nën ndërtim dhe, sipas rastit, edhe tokën rreth saj.”.
Gjykata vlerëson se: koncepti i oborrit funksional ndaj ndërtimit, nuk lidhet domosdoshmërish me pozicionimin e tij në raport me sipërfaqen e objektit ndërtimor, (nën të, apo ngjitur me të) por me qëllimin të cilit i shërben ky oborr në raport me objektin. Pikërisht për këtë arsye, VKM e sipërcituar vlerëson si në funksion të ndërtimit, jo vetëm tokën nën ndërtim, por edhe atë rreth saj, dhe kjo e fundit, nuk mund të limitohet vetëm në sip. trualli që janë kufitare me ndërtimin.
Nga provat e sjella në gjykim, gjykata konstaton se:
- oborri objekt gjykimi është parcelë toke me sipërfaqe të matur grafikisht 300 m2, me formë relativisht të rregullt gjeometrike (katërkëndore) - oborri nuk është i rrethuar ... shërben për komunikim të ndërtimit me restorant katin e parë e rrugën kryesore dhe për parkim automjetesh.
Rezultoi gjatë këtij gjykimi se objekti ndërtimor është restorant në katin e parë dhe banesë në katet e sipërme, fakt që rezulton nga: leja e ndërtimit, ekstrakti i shoqërisë ku i vetmi aktivitet i paditëses është bar restorant dhe byrektore, si dhe nga vetë përcaktimi i bërë në vendimin nr.231 të AKKP-së, sipas të cilit, në objektin katërkatësh 3 katet e sipërme shërbejnë si shtëpi banimi.
Me qëllim hyrjen në banesë sipërfaqja e truallit ngjitur me të e pretenduar nga pala paditëse, konsiderohet në funksion të objektit ndërtimor, i cili sipas akteve të nxjerra nga organet kompetente është në katet e sipërme të tij “banesë”. ... padia e paditëses Sanije Braholli, është e bazuar në nenin 331 të K.Pr.C, në pjesën që bën fjalë për kërkimin ligjor të anulimit vendimit nr.231, datë 19.04.2011 të AKKP Tiranë, ..., është detyrimi i palës së paditur të vendosë tjetërsimin e oborrit në përdorim të shtetases Sanije Braholli, nëpërmjet kalimit në pronësi me kundërshpërblim për truallin me sipërfaqe 300 m2…(…).”.
-
Gjykata e Apelit Tiranë me vendimin nr.260, datë 05.02.2013, ka argumentuar se: “...(omissis)... Përsa më sipër referuar objektit të kërkimit dhe shkakut ligjor të ngritjes së padisë Gjykata e Apelit në zgjidhjen e konfliktit gjyqësor i referohet Ligji nr.9235, datë 29.07.2004 “Për kthimin dhe kompensimin e pronës” i ndryshuar, Nenit 8 i cili parashikon: 3. Në rastet e ndërtimeve mbi truall, të bëra para datë 10.8.1991, për të cilat nuk është regjistruar pronësia e truallit, ai që ka në pronësi ndërtesë detyrohet të paguajë vlerën fillestare të truallit, sipas nenit 10 të ligjit nr.7652, datë 23.12.1992 "Për privatizimin e banesave..." shumëzuar me indeksin e rritjes çmimeve.
Dhe vendimit nr.200, datë 19.02.2009 i Këshillit të Ministrave “Për caktimin e kushteve dhe për procedurën e tjetërsimit të oborreve në përdorim për llogari të fondit të kompensimit, i ndryshuar me VKM nr.251, datë 13.4.2010 i cili përcakton se: “Për efekte të zbatimit të këtij vendimi, me termin "Oborr në përdorim" do të kuptohet sipërfaqja e tokës, në pronësi shtetërore, në funksion të një ndërtimi të ligjshëm, qëllime banimi, ....“1. Oborret në përdorim tjetërsohen, sipas këtij vendimi, nëse: ... Nga verifikimi i dokumentacionit të paraqitur në gjykim, ... ndryshe sa ka arsyetuar Gjykata e Rrethit ... paditësja nuk plotëson kushtin ligjore të VKM nr.200, datë 19.02.2009 ndryshuar me VKM nr.251, datë 13.4.2010 “Për caktimin e kushteve dhe për procedurën e tjetërsimit të oborreve në përdorim për llogari të fondit të kompensimit kreu III pika” 9”‘Dokumentet, që provojnë faktin se ndërtimi, i cili gjendet brenda ose në lidhje funksionale me oborrin në përdorim, që kërkohet të tjetërsohet, është kryer përpara datës 10.8.1991. 1- Paditësja provon kushtin se ndërtimi është i regjistruar në ZVRPP Durrës sipas vërtetimit hipotekor nr.01 datë 14.01.2009 ku rezulton që paditësja është pronare e pasurisë me nr.8/119 banesë trekatëshe + papafingo me sipërfaqe ndërtimore prej 111 m2, 2- Paditësja nuk ka provuar kushtin se ky ndërtimi në funksion të të cilit kërkon tjetërsimin me kundërshpërblim të sipërfaqes prej 300 m2 në funksion të këtij objekti është i ngritur para datës 10.08.1991. Rezulton se paditësja sipas akteve të paraqitura në gjykim objektin banesë trekatëshe + papafingo me sipërfaqe ndërtimore prej 111 m2 ta ketë ndërtuar dhe ngritur në bazë të lejes së ndërtimi sipas vendimit të KRRT Durrës ... 26.08.2003 e konkretisht leje për objektin “banesë tre kate + papafingo” në emër të shtetases Sanije Braholli, për të cilin me pas është marrë leja e shfrytëzimit të objektit ... ngritur pas vitit 2003 dhe mbi këtë bazë është bërë dhe regjistrimi pranë Z.R.P.P, ndryshe sa ka arsyetuar dhe pranuar Gj.Rrethit se kemi të bëjmë me një ndërtim të ngritur para datës 10.08.1991 sipas lejes së ndërtimit datë 01.11.1990 pretenduar nga paditësja... ekspert specialist ku nga kqyrja në vend e objektit dhe pamjet e ndërtesës pasqyruar në aktin e ekspertimit ekspertja ka arritur në konkluzionin se - Pasuria ndërtimore në pronësi të paditëses është Bar Restorant në katin përdhe, dhe Hotel në katet e tjera me emrin “Edart” Prona nuk - është e rrethuar në terren dhe përdorej për komunikim të ndërtimit Bar-restorant - Hotel “Edart” me rrugën kryesore atë të Plazhit dhe për parkim automjetesh. VKM nr.200, datë 19.02.2009 ka përcaktuar qartë se me termin "Oborr në përdorim" do të kuptohet sipërfaqja e tokës, në pronësi shtetërore, në funksion të një ndërtimi të ligjshëm, qëllime banimi.... në kushte kur paditësja nuk ka plotësuar kushtet sipas aktit nënligjor për tjetërsimin me kundërshpërblim ....vendimi i palës së paditur A.K.K.P është marrë në përputhje me ligjin dhe nuk janë kushte ligjore që të vendoset anullimi i tij ...”.
IV. NË LIDHJE ME REKURSIN E USHTRUAR
-
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë vlerëson se, rekursi i paraqitur nga pala paditëse përmban shkaqe nga ato të parashikuara në nenin 472 të Kodit të Procedurës Civile që, motivojnë cenimin e vendimit nr.1995/3705 datë 20.07.2012 të Gjykatës së Apelit Tiranë.
-
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë çmon se, hetimi i plotë dhe i gjithanshëm i çështjes në përputhje me ligjin (neni 14 i K.Pr.Civile) është parim themeltar i gjykimit civil dhe përbën një detyrim për gjykatat në të gjitha shkallët e gjykimit. Gjykatat e shkallës së parë dhe ato të apelit janë gjykata të faktit dhe të ligjit, në ndryshim nga Gjykata e Lartë, e cila është gjykatë ligji. Duke qenë të tilla, në gjykimin në shkallë të parë dhe në apel nuk ka asnjë pengesë madje është detyrim që, gjykata të lejojë palët të paraqesin kërkimet e prapësimet, provat ku i mbështetin ato dhe të arrijnë në përfundimet përkatëse për zgjidhjen e çështjes, duke çmuar e vlerësuar provat sipas ligjit që është i zbatueshëm për gjykatën.
-
Në ndryshim nga dy gjykatat më të ulëta, Gjykata e Lartë ka për objekt vetëm zbatimin e ligjit material e procedural nga ana e tyre, por pa patur të drejtën të zhvillojë hetimin gjyqësor në drejtim të marrjes së provave, apo vlerësimit e çmimit të atyre që janë vënë në bisedim nga gjykatat më të ulëta.
-
Gjykata e Lartë nuk mund të përsërisë vetë tërësisht a pjesërisht hetimin gjyqësor, për shkakun e thjeshtë se, duke qenë vetëm gjykatë ligji, nuk i lejohet të marrë prova të reja apo të lejojë palët të debatojnë mbi provat, duke hetuar e çmuar ndryshe provat e debatuara në gjykimin në apel e shkallë të parë.
-
Nga ana e Gjykatës së Apelit nuk është kryer një hetim i mjaftueshëm gjyqësor në lidhje me faktin nëse, plotësohen kushtet e përcaktuara në VKM-në nr.200, datë 19.02.2009 “Për përcaktimin e kushteve dhe për procedurën e tjetërsimit të oborreve në përdorim, për llogari të fondit të kompensimit financiar”, lidhur me kushtin e ndërtimit të banesës para datës 10.08.1991.
-
Sipas VKM nr.200, datë 19.2.2009 “Për përcaktimin e kushteve dhe për procedurën e tjetërsimit të oborreve në përdorim, për llogari të fondit të kompensimit financiar ”, i ndryshuar, pika I/2 përcakton se: “Për efekte të zbatimit të këtij vendimi, me termin "Oborr në përdorim" do të kuptohet sipërfaqja e tokës, në pronësi shtetërore, në funksion të një ndërtimi të ligjshëm për qëllime banimi, në posedim, të qetë dhe pa ndërprerje, të pronarit të ndërtimit. Kjo sipërfaqe toke përfshin tokën nën ndërtim dhe, sipas rastit, edhe tokën rreth saj. Kjo sipërfaqe toke duhet të rezultojë fizikisht, e lirë dhe e pazënë nga ndërtime pa leje, sipas kuadrit ligjor përkatës”.
-
Pjesa II e VKM-së sipërcituar, parashikon kushtet për tjetërsim të oborrit në përdorim, sipas formulimit të mëposhtëm se: “1. Oborret në përdorim tjetërsohen, sipas këtij vendimi, nëse: a) Brenda tyre ose në lidhje funksionale me to gjendet ndërtim:
i) i regjistruar në regjistrat e ZRPP-së, në pronësi të kërkuesit;
ii) i ngritur para datës 10.8.1991.
b) janë në pronësi të shtetit, ndonëse të paregjistruara si të tilla, por të patransferuara në inventarin e pronave të organeve të qeverisjes vendore, në përputhje me ligjin nr.8744, datë 22.2.2001 "Për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore", të ndryshuar.
2. Oborret në përdorim tjetërsohen, sipas këtij vendimi:
i) pa kundërshpërblim, në rastin kur e drejta e pronësisë mbi këto sipërfaqe është hequr pa kompensim, për shkak të ligjeve të kohës;
ii) me kundërshpërblim, në rastet e tjera. Në këto raste, çmimi do të përcaktohet sipas aneksit 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi…”
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë vlerëson se, në kushtet kur rezultojnë dy akte që kanë përmbajtje të ndryshme, ku njëri akt përcakton se, ka një leje ndërtimi e cila i korrespondon datës 23.10.1990, dhe shkresa me nr.240/1 prot.dt.10.04.2012 vërteton këtë fakt, dhe gjithashtu janë paraqitur vendimet nr.124 datë 06.12.1990 dhe nr.124 datë 23.10.1991 të Kom. Ekz. Qytetit për leje ndërtimesh për banesa vetjake, nga në të cilat nuk rezulton të jetë emri i paditëses, mbetet i pasqaruar nëse kemi të bëjmë me një ndërtim ngritur para datës 10.8.1991 në respektim të kushteve të VKM nr.200, datë 19.2.2009 Për përcaktimin e kushteve dhe për procedurën e tjetërsimit të oborreve në përdorim, për llogari të fondit të kompensimit financiar ”.
-
Në kushtet kur kemi të bëjmë me dy akte shkresore zyrtare me fuqi të plotë provuese, por të cilat kanë përmbajtje që kontradiktore, gjykata duhet të kishte hetuar për të përcaktuar vërtetësinë e secilit prej këtyre akteve, ndërkohë që Gjykata e Shkallës së Pare Tiranë ka analizuar në mënyrë të plotë provat në tërësi.
-
Gjykata e Apelit në arsyetimin që i bën ekzistencës së lejes së ndërtimit, gabimisht nuk e ka vlerësuar shkresën e dalë nga Arkivi Shtetëror vendor Durrës si një prove të plotë por, e ka anashkaluar atë, duke përdorur si provë një shkresë tjetër të palës së paditur e cila është e kundërt me atë që e ka paraqitur pala paditëse dhe nuk e ka trajtuar si provë shkresën e paraqitur nga pala paditëse dhe që ka dalë nga i njëjti organ kompetent administrativ.
-
Sa më sipër me qëllim që të verifikohet nëse, objekti është ndërtuar para datës 10.08.1991, çështja do të prishet dhe do të kthehet për rishqyrtim në gjykatën e apelit.
-
Për arsyet e parashtruara më sipër Kolegji Civil vlerëson se, Vendimi nr.260, datë 05.02.2013 i Gjykatës së Apelit Tiranë, është rrjedhojë e një hetimi të pamjaftueshëm gjyqësor e për pasojë do të prishet dhe çështja të dërgohet për rishqyrtim në po atë gjykatë, me tjetër trup gjykues.
PËR KËTO ARSYE
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë, bazuar në përcaktimet e nenit 485, shkronja (c) të Kodit të Procedurës Civile,
V E N D O S I
Prishjen e vendimit nr.260, datë 05.02.2013 të Gjykatës së Apelit Tiranë dhe dërgimin e çështjes për rishqyrtim në po atë gjykatë, me tjetër trup gjykues.
Tiranë më 17.03.2016
Nr. 11243-00549-00-2013 i Regj. Themeltar
Nr. 00-2016-912 i Vendimit (90)
Do'stlaringiz bilan baham: |