VENDIM
NË EMËR TË REPUBLIKËS
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë i përbërë nga:
Xhezair Zaganjori Kryesues
Evelina Qirjako Anëtare
Medi Bici Anëtar
Në datën 31.03.2016 mori në shqyrtim në Dhomën e Këshillimit çështjen administrative me nr.31003-03910-00-2014 akti që iu përket palëve:
PADITËS: FAHRUDIN RAKIPI
I PADITUR: AGJENCIA E TRAJTIMIT TË KREDIVE
OBJEKTI:
Konstatimi absolutisht i pavlefshëm i vendimit
nr.11, datë 12.07.2012 i Këshillit Mbikëqyrës së ATK-së
“Mbi disa ndryshime në strukturën dhe organikën e Agjencisë së Trajtimit të Kredive”
për pjesën që suprimon vendet e punës së Zv/Drejtorit të Përgjithshëm të ATK-së.
Detyrimin e të paditurit Agjencia e Trajtimit të Kredive t’i paguajë paditësit:
-dëmshpërblimin për shkak të zgjidhjes së menjëhershme të pajustifikuar
të kontratës së punës, deri në masën e pagës së një viti.
-tre muaj pagë që do të ishte fituar deri në përfundim të afatit të njoftimit.
- dy muaj pagë si dëmshpërblim për mosrespektim
të procedurës së zgjidhjes së marrëdhënies së punës,
sipas nenit 144 të Kodit Punës.
- shpërblimin për vjetërsi në punë, në masën e një page 15 ditore
për çdo vit të plotë pune të kryer nga paditësi.
Baza Ligjore: Nenet 31, 32, 324, 325 të K.Pr.Civile;
nenet 116/b, 117 të K.Pr.Administrative,
ligji nr.8894, datë 15.05.2002
“Për Agjencinë e Trajtimit të Kredive” (i ndryshuar)
dhe nenet 149.1, 151, 152, 155 të Kodit Punës.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë me vendimin nr.12879, datë 26.12.2012 ka vendosur:
Pranimin pjesërisht të kërkesëpadisë.
Detyrimin e palës së paditur Agjencia e Trajtimit të Kredive t’i paguajë paditësit Fahrudin Rakipi si dëmshpërblim pagën e 9 (nëntë) muajve punë, si dhe shpërblimin përkatës për vjetërsi në punë për periudhën 20.03.2008-30.07.2012.
Rrëzimin për pjesën tjetër të kërkesëpadisë.
Gjykata e Apelit Tiranë me vendimin nr.372, datë 11.02.2014 ka vendosur:
Moskompetencën e Gjykatës së Apelit Tiranë për shqyrtimin e çështjes civile nr.2611/407 akti, datë regjistrimi 18.02.2013, si dhe dërgimin e saj për kompetencë Gjykatës Administrative të Apelit.
Gjykata Administrative e Apelit me vendimin nr.2291, datë 05.06.2014 ka vendosur:
Ndryshimin e vendimit nr.12879, datë 26.12.2012 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Pranimin e pjesshëm të padisë së paditësit Fahrudin Rakipi.
Detyrimin e palës së paditur Agjencia e Trajtimit të Kredive, t’i paguajë paditësit Fahrudin Rakipi, pagën për periudhën 01.08.2012 deri në 31.12.2012 për shkak të zgjidhjes së menjëhershme dhe të pajustifikuar të kontratës së punës me afat.
Detyrimin e palës së paditur, Agjencia e Trajtimit të Kredive, t’i paguajë paditësit Fahrudin Rakipi dy paga mujore si dëmshpërblim për zgjidhjen e menjëhershme të pajustifikuar të kontratës së punës.
Detyrimin e palës së paditur, Agjencia e Trajtimit të Kredive t’i paguajë paditësit Fahrudin Rakipi dy paga mujore si dëmshpërblim për mosrespektimin e procedurës së zgjidhjes së kontratës së punës.
Detyrimin e palës së paditur Agjencia e Trajtimit të Kredive, t’i paguajë paditësit Fahrudin Rakipi dy paga mujore si shpërblim për vjetërsinë në punë.
Rrëzimin për pjesët e tjera të padisë si të pabazuar në ligj.
Ndaj vendimit të sipërcituar rezulton të ketë paraqitur rekurs pala e paditur Agjencia e Trajtimit të Kredive, e cila kërkon:
Ndryshimin e vendimit nr.2291, datë 05.06.2014 të Gjykatës Administrative të Apelit dhe vendimit nr.12879, datë 26.12.2012 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Shkaqet që pala e paditur Agjencia e Trajtimit të Kredive paraqet në rekurs, janë:
-
Gjykata ka dhënë një vendim në kundërshtim me ligjin material dhe procedural, duke kryer një hetim të mangët gjyqësor dhe të pabazuar në prova. Nga të gjitha shpjegimet dhe provat që kemi dhënë më sipër dhe do ti paraqesim në seancë gjyqësore, del e qartë se: Nuk kemi të bëjmë me zgjidhje të menjëhershme të pajustifikuar të kontratës së punës, por në bazë të ristrukturimit të organikës së institucionit me vendim të Këshillit Mbikëqyrës, si organi më i lartë drejtues në hierarkinë e Institucionit.
-
Nuk kemi të bëjmë me mosrespektim të afatit të njoftimit, por nga provat dhe argumentet e mësipërme del qartë se, janë zbatuar të gjitha afatet e njoftimit për përfundimin e marrëdhënieve të punës e dokumentuar me njoftimet e përmendura më sipër;
-
Nuk kemi të bëjmë me mosrespektim të procedurës për zgjidhjen e kontratës, sepse çdo procedurë në lidhje me ndërprerjen e kontratës së punës është bërë dhe i është njoftuar paditësit sipas përcaktimeve ligjore të mësipërme, gjithashtu vetë pozicioni i punës si zv. Drejtor i Përgjithshëm (anëtar i Drejtorisë në kuptimin kolegjial të saj) e ka vënë në dijeni të mënyrës së evoluimit të marrëdhënieve të punës në Institucion, të vështirësive financiare dhe të nevojave imediate për ristrukturim të organikës.
-
Po kështu, duke qenë një marrëdhënie detyrimore për të cilën kërkohet një shpërblim, nga ana e paditësit nuk është paguar taksa gjyqësore në shumën 3 % e vlerës së kërkuar, shkelje procedurale kjo që provon edhe një herë ngutjen e gjykatës në nxjerrjen e vendimit;
-
Gjithashtu gjykata në këtë proces gjyqësor ka kryer shkelje proceduriale, duke mos thirrur në gjykim Avokaturën e Shtetit;
-
Gjykata Administrative e Apelit nuk ka marrë parasysh faktin se pala paditëse është riemëruar me Urdhrin e Brendshëm nr.99, datë 01.03.2013 në pozicionin e Auditit të Brendshëm dhe me Urdhrin e Brendshëm nr.56, datë 06.02.2014 është emëruar Përgjegjës i Sektorit Juridik edhe pse në kundërshtim me ligjin. Gjithashtu kemi paraqitur para gjykatës se pala paditëse figuron edhe debitor pranë ATK-së, detyrim për të cilin është lëshuar urdhër ekzekutimi nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë.
KOLEGJI ADMINISTRATIV I GJYKATËS SË LARTË
pasi dëgjoi relacionin e gjyqtarit Medi Bici dhe bisedoi çështjen në tërësi, në Dhomën e Këshillimit, në përfundim;
V Ë R E N
1. Në Gjykatën e Lartë me datë 31.10.2014 është regjistruar çështja administrative nr.31003-03910-00-2014 regj. them, që iu përket palëve ndërgjyqëse: paditës Fahrudin Rakipi dhe e paditur Agjencia e Trajtimit të Kredive, me objekt: Konstatimi absolutisht i pavlefshëm i vendimit nr.11, datë 12.07.2012 i Këshillit Mbikëqyrës së ATK-së “Mbi disa ndryshime në strukturën dhe organikën e Agjencisë së Trajtimit të Kredive” për pjesën që suprimon vendet e punës të Zv/Drejtorit të Përgjithshëm të ATK-së. Detyrimin e të paditurit Agjencia e Trajtimit të Kredive ti paguajë paditësit dëmshpërblimin për shkak të zgjidhjes së menjëhershme të pajustifikuar të kontratës së punës, etj.....
2. Vendimi nr.2291, datë 05.06.2014 i Gjykatës Administrative të Apelit për pjesën e detyrimit të palës së paditur ATK për periudhën 01.08.2012 deri me 31.12.2012 është i drejtë dhe i bazuar në ligj, prandaj si i tillë ai duhet të lihet në fuqi në këtë pjesë nga Kolegji Administrativ i Gjykatës se Lartë. Përsa i përket dëmshpërblimeve të tjera vendimi i Gjykatës Administrative të Apelit dhe vendimi i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë janë të pabazuara në ligjin material, prandaj si të tillë ato duhet të ndryshohen, duke u vendosur rrëzimi i kërkesëpadisë në këto pjesë.
I. Rrethanat e çështjes:
3. Paditësi Fahrudin Rakipi ka qenë punonjës, pranë palës së paditur Agjencia e Trajtimit të Kredive, në detyrën Zv/Drejtor i Përgjithshëm, me pagë mujore 115.000 lekë/muaj. Marrëdhënia e tij e punës me palën e paditur është rregulluar vazhdimisht sipas kontratave të punës me afat një vjeçar dhe së fundmi sipas kontratës individuale të punës nr.07 prot., datë 01.01.2012. Në nenin 2 të kësaj kontrate është parashikuar se, kjo kontratë lidhet për një periudhë të caktuar kohe një vjeçare nga data 01.01.2012 deri në datën 31.12.2012.
4. Me Urdhrin e Brendshëm nr.379, datë 30.07.2012 të Drejtorit të Përgjithshëm të ATK-së, paditësi është njoftuar se i është zgjidhur kontrata e punës dhe ajo financiare për shkak të suprimimit të pozicionit në strukturën organizative të ATK-së. Këtë vendim pala e paditur e ka marrë në bazë të vendimit nr.11, datë 12.07.2012 të Këshillit Mbikëqyrës të ATK-së “Mbi disa ndryshime në strukturën e Agjencisë e Trajtimit të Kredive”. Sipas këtij vendimi ndër të tjera rezulton se është vendosur suprimimi i vendeve të punës së dy zv/drejtorëve të përgjithshëm, në mbështetje të nenit 14/f të ligjit nr.8894, datë 14.05.2002 “Për Agjencinë e Trajtimit të Kredive”, i ndryshuar.
II. Vendimet e gjykatave dhe arsyetimi i tyre:
5. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendimin nr.12879, datë 26.12.2012 ka vendosur:
Pranimin pjesërisht të kërkesëpadisë.
Detyrimin e palës së paditur Agjencia e Trajtimit të Kredive ti paguajë paditësit Fahrudin Rakipi si dëmshpërblim pagën e 9 (nëntë) muajve punë, si dhe shpërblimin përkatës për vjetërsi në punë për periudhën 20.03.2008-30.07.2012.
Rrëzimin për pjesën tjetër të kërkesëpadisë.
6. Gjykata e rrethit gjyqësor ndër të tjera arsyeton se:
....Gjykata çmon se lidhur me shkakun e zgjidhjes së marrëdhënies së punës, gjykata vëren se pretendimet e paditësit janë të drejta dhe të mbështetura në prova e në ligj. Në këndvështrim të rregullimeve që përcakton Kodi i Punës, pala e paditur ka kryer zgjidhje të menjëhershme dhe pa shkaqe të justifikuara të marrëdhënieve të punës së paditësit, pasi është kryer në bazë të një vendimi të marrë nga organi administrativ (në rastin konkret Këshilli Mbikëqyrës i ATK-së) në kapërcim të kompetencave që i ka dhënë ligji dhe në kundërshtim me ligjin e posaçëm.
Konkretisht në nenin 11 të ligjit 8894, datë 14.05.2002 “Për Agjencinë e Trajtimit të Kredive”, i ndryshuar, parashikohet se: Organet drejtuese të Agjencisë janë: Këshilli Mbikëqyrës; Drejtoria. Në nenin 15 të këtij ligji parashikohet se: Drejtoria e Agjencisë përbëhet nga tre anëtarë të emëruar nga Këshilli Mbikëqyrës, nga të cilët njëri prej tyre caktohet Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë dhe dy të tjerët caktohen zëvendësdrejtorë të përgjithshëm.
Në nenin 14/2 të këtij Ligji parashikohet se: Këshilli Mbikëqyrës ka këto kompetenca:emëron anëtarët e Drejtorisë dhe të Këshillit të Investimeve, si dhe lidh kontratat e punës me ta; emëron Drejtorin dhe zëvendësdrejtorët e Drejtorisë...Bazuar në dispozitat sa më sipër rezulton se vendi i punës së nëndrejtorit të përgjithshëm të ATK-së është i përcaktuar me ligj dhe mund të ndryshohet po me ligj dhe jo me një vendim të Këshillit Mbikëqyrës së ATK-së. Si rrjedhojë, gjykata vëren se vendimi nr.11, datë 12.07.2012 i Këshillit Mbikëqyrës të ATK-së në lidhje me suprimimin e vendeve të punës së dy zv/drejtorëve të përgjithshëm është në kundërshtim me dispozitat ligjore dhe është nxjerrë në kapërcim të kompetencave të tij ligjore. Në bazë të nenit 116/b të K.Pr.Administrative ky vendim është absolutisht i pavlefshëm dhe si i tillë nuk sjell asnjë pasojë juridike. Meqenëse zgjidhja e marrëdhënies së punës së paditësit është bërë në bazë të një akti administrativ absolutisht të pavlefshëm edhe kjo zgjidhje është e tillë dhe është kryer pa shkaqe të justifikuara.
Bazuar në nenin 149/1 të K.Punës, meqenëse kontrata e punës ka qenë me afat të caktuar një vjeçar dhe zgjidhja e marrëdhënieve të punës së paditësit është bërë në mënyrë të menjëhershme dhe pa shkaqe të justifikuara, Gjykata konkludon se Agjencia e Trajtimit të Kredive, e cila ka bërë këtë zgjidhje, duhet të detyrohet t’i japë paditësit Fahrudin Rakipi një dëmshpërblim prej 5 muajsh pagë, që korrespondon me periudhën e parealizuar të kontratës nga datë 01.08.2012-31.12.2012, duke pranuar kështu pjesërisht këtë kërkim të paditësit. Gjykata vëren se në rastin konkret kontrata e punës së paditësit ka qenë me afat të caktuar dhe jo me afat të pacaktuar dhe si rrjedhojë, gjen zbatim neni 149 i K.Punës dhe jo neni 146/3 i K.Punës.
Pala e paditur ATK ka kryer shkelje të dispozitave ligjore të parashikuara në nenet 144/1,2,3 të K.Punës. Në këto dispozita parashikohet se kur punëdhënësi mendon të zgjidhë kontratën e punës ai duhet të njoftojë më shkrim punëmarrësin të paktën 72 orë para takimit dhe të bisedojë me të dhe punëdhënësi gjatë kësaj bisedë i parashtron punëmarrësit arsyet e vendimit të parashikuar për t’u marrë dhe i jep atij mundësi për t’u shprehur. Gjithashtu, zgjidhja i njoftohet me shkrim brenda një afati prej 48 orë deri në një javë pas takimit. Gjatë hetimit gjyqësor pala e paditur nuk provoi që ta kishte njoftuar paraprakisht me shkrim, apo t’i kishte dhënë mundësinë paditësit për t’u dëgjuar e për t’u shprehur pas njoftimit për zgjidhjen e marrëdhënieve të punës.
Në nenin 144/5 të K.Punës parashikohet se: Punëdhënësi që nuk respekton procedurën e përcaktuar në këtë nen, detyrohet t’i japë punëmarrësit një dëmshpërblim prej dy muajsh pagë, që i shtohet dëmshpërblimeve të tjera të mundshme”.
Bazuar në këtë dispozitë dhe në nenin 154/3 të K.Punës, Gjykata konkludon se pala e paditur ATK duhet të detyrohet të dëmshpërblejë paditësin Fahrudin Rakipi për mosrespektim të proçedurës së zgjidhjes së marrëdhënieve të punës në mënyrë të menjëhershme dhe të pajustifikuar, me një vlerë të barabartë me pagën e dy muajve punë, duke pranuar kështu këtë kërkim të paditësit.
Në nenin 143/1 të Kodit të Punës parashikohet se:Pas kohës së marrjes në provë, për të zgjidhur kontratën me periudhë të pacaktuar, palët duhet të respektojnë një afat njoftimi prej një muaji, gjatë vitit të parë të punës, prej dy muajsh për dy deri në pesë vjet pune, prej tre muajsh për më shumë se pesë vjet punë. Bazuar në këtë dispozitë dhe nenin 155/1 të K.Punës, meqenëse zgjidhja e marrëdhënieve të punës ka qenë e menjëhershme dhe pa shkaqe të justifikuara, kontrata e punës ka qenë me afat të caktuar dhe paditësi ka më pak se pesë vjet punë, paditësi duhet të ishte njoftuar dy muaj përpara për zgjidhjen e marrëdhënieve të punës. Duke qenë se ky afat nuk është respektuar nga pala e paditur, paditësi e përfiton si dëmshpërblim pagën e dy muajve punë që i përket afatit të njoftimit, duke pranuar kështu pjesërisht edhe këtë kërkim të paditësit, i cili ka pretenduar tre muaj dëmshpërblim.
Lidhur me kërkimin tjetër të paditësit për vjetërsinë në punë, gjykata vëren se meqenëse marrëdhëniet e punës së paditësit me palën e paditur kanë zgjatur më shumë se tre vjet, dhe zgjidhja e marrëdhënies së tij të punës është bërë pa shkaqe të justifikuara, në bazë të nenit 145/1 dhe 152 të K. Punës, paditësi përfiton dhe shpërblimin përkatës për vjetërsi në punë, për periudhën 20.03.2008-30.07.2012, i cili përllogaritet sipas këtyre dispozitave. Si rrjedhojë, Gjykata konkludon se edhe ky kërkim i paditësit duhet të pranohet......
7. Gjykata Administrative e Apelit Tiranë me vendimin nr.2291, datë 05.06.2014 ka vendosur:
Ndryshimin e vendimit nr.12879, datë 26.12.2012 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Pranimin e pjesshëm të padisë së paditësit Fahrudin Rakipi.
Detyrimin e palës së paditur Agjencia e Trajtimit të Kredive, t’i paguajë paditësit Fahrudin Rakipi, pagën për periudhën 01.08.2012 deri në 31.12.2012 për shkak të zgjidhjes së menjëhershme dhe të pajustifikuar të kontratës së punës me afat.
Detyrimin e palës së paditur Agjencia e Trajtimit të Kredive, ti paguajë paditësit Fahrudin Rakipi dy paga mujore si dëmshpërblim për zgjidhjen e menjëhershme të pajustifikuar të kontratës së punës.
Detyrimin e palës së paditur Agjencia e Trajtimit të Kredive t’i paguajë paditësit Fahrudin Rakipi dy paga mujore si dëmshpërblim për mosrespektimin e procedurës së zgjidhjes së kontratës së punës.
Detyrimin e palës së paditur Agjencia e Trajtimit të Kredive, t’i paguajë paditësit Fahrudin Rakipi dy paga mujore si shpërblim për vjetërsinë në punë.
Rrëzimin për pjesët e tjera të padisë si të pabazuar në ligj.
8. Gjykata e apelit ndër të tjera arsyeton se:
.....Gjykata çmon se të marrë në shqyrtim kushtet e pranueshmërisë së ankimeve. Sikurse është referuar edhe më sipër në këtë vendim, rezulton që vendimi të jetë shpallur në datën 26.12.2012
ankimi nga pala paditëse është paraqitur në datën 07.01.2013, kurse nga pala e paditur është dërguar nëpërmjet shërbimit postar në datën 10.01.2013. Pra të dy ankimet rezulton të jenë paraqitur brenda afatit pesëmbëdhjetë ditor të përcaktuar në nenet 443 paragrafi i parë dhe neni 444 paragrafi i parë të K.Pr.Civile. Po kështu, nuk rezulton të ekzistojnë kriteret penguese të parashikuara në nenin 45 të ligjit nr.49/2012 që e bëjnë vendimin të paankimueshëm. Ankimet rezultojnë të jenë të plotë edhe në elementët e tjerë, si në elementët e formës edhe të përmbajtjes, lidhur me nënshkrimin nga pala që i ka paraqitur, tregimin e palëve ndërgjyqëse, vendimin kundër të cilit është paraqitur ankim, apo kërkimet për të cilat janë paraqitur këto ankime. Për të gjitha sa më sipër gjykata çmon se ankimet e paraqitura kundër vendimit nr.12879, datë 26.12.2012 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, objekt gjykimi, duhet të pranohen për shqyrtim.
Lidhur me pretendimet e parashtruara në ankimet e paraqitura, referuar fakteve të mësipërme, kjo gjykatë vlerëson se janë të pabazuara në ligj e prova. Në këto pretendime nuk rezulton të jetë paraqitur asnjë fakt apo argument që të provojë se analiza e rrethanave të faktit e bërë në vendimin e gjykatës së shkallës së parë është e pabazuar në ligj e prova.
Konstatohet se gjithë pretendimeve të paraqitura në ankim u është dhënë zgjidhje në vendim nga gjykata e shkallës së parë. Ky vendim konstatohet të jetë rrjedhojë e një analize të hollësishme të rrethanave të faktit e të ligjit që janë përcaktuar në mënyrë të plotë e të drejtë. Kjo analizë rezulton të jetë plotësisht e bazuar në kriteret e dispozitave përkatëse të përmendura në vendim, lidhur me mënyrën e rregullimit të marrëdhënieve të punës midis palëve, kohëzgjatjen e tyre, mënyrën e ndërprerjes së këtyre marrëdhënieve dhe respektimin e procedurës së njoftimit. Me të drejtë gjykata e shkallës së parë ka arritur në konkluzionin se marrëdhëniet midis palëve janë rregulluar nga kontrata pune me afat të përcaktuar, zgjidhja e kontratës së punës së paditësit është bërë pa përfunduar afati i kontratës, pa shkaqe të justifikuara dhe pa respektuar procedurën e njoftimit, në përputhje me kriteret e neneve 149, 144 e 153 të Kodit Punës.
Por, Gjykata Administrative e Apelit konstaton se pjesërisht i gabuar është vlerësimi nga gjykata e shkallë së parë lidhur me moszbatimin e afatit të njoftimit. Gjatë gjykimit në shkallë të parë nga palët është paraqitur si provë edhe kontrata individuale e punës e lidhur midis palëve. Kjo kontratë rezulton të jetë lidhur në datën 01.01.2012 dhe është lidhur për një periudhë kohore një vjeçare. Drejtë vlerëson gjykata se kontrata është zgjidhur në mënyrë të menjëhershme e pa shkaqe të justifikuara, por në shqyrtimin e bazueshmërisë në ligj të zgjidhjes së kontratës në fjalë, gjykata e shkallës së parë i referohet dispozitave që parashikojnë zgjidhjen e menjëhershme të kontratës së punës me kohë të pacaktuar. Duke qenë se jemi në kushtet e zgjidhjes së kontratës me kohë të caktuar në mënyrë të menjëhershme dhe pa shkaqe të justifikuara, në zgjidhjen e pasojave gjykata duhet të vlerësojë parashikimet e neneve 149, 152-155 të Kodit të Punës. Afatet e parashikuara në nenin 143 të Kodit Punës zbatohen në rastin e zgjidhjes së kontratës me afat të pacaktuar. Pra detyrimi i palës së paditur të paguaj për paditësin si dëmshpërblim për mosrespektim të afatit të njoftimit është disponim që bie ndesh me dispozitat e Kodit të Punës. Ky pretendim i palës paditëse është i pabazuar në ligj e si i tillë duhet të rrëzohet......
III. Ligji i zbatueshëm:
9. Në nenin 149 të Kodit Punës parashikohet se:
1. Kontrata me afat të caktuar përfundon në fund të kohës së parashikuar, pa zgjidhje paraprake.
2. Kur, mbas përfundimit të afatit të caktuar, kontrata zgjatet në heshtje tej këtij afati, ajo konsiderohet si kontratë me afat të pacaktuar.
10. Në nenin 151 të Kodit Punës parashikohet se:
1. Kur ndërmjet palëve kanë qenë lidhur disa kontrata të njëpasnjëshme me afat të caktuar, për jo më pak se tre vjet, mosripërtëritja e kontratës së fundit nga punëdhënësi vlerësohet si zgjidhje e kontratës me afat të pacaktuar.
2. Kur kontrata lidhet për më shumë se 3 deri në 5 vjet, ajo mund të zgjidhet nga punëmarrësi pas 3 vjetësh. Në këtë rast afati i njoftimit është 2 muaj dhe zgjatet deri në fund të muajit të dytë. Kur kontrata lidhet për më shumë se 5 vjet, ajo mund të zgjidhet nga punëmarrësi pas 5 vjetësh. Në këtë rast afati i njoftimit është 3 muaj dhe zgjatet deri në fund të muajit të tretë.
11. Në nenin 152 të Kodit Punës parashikohet se:
Në përfundim të marrëdhënieve të punës që kanë zgjatur jo më pak se tre vjet, punëmarrësi përfiton shpërblim për vjetërsinë si në rastin e zgjidhjes së kontratës me afat të pacaktuar nga punëdhënësi.
12. Në nenin 153 të Kodit Punës parashikohet se:
1. Punëdhënësi e punëmarrësi, në çdo kohë, mund të zgjidhin menjëherë kontratën për shkaqe të justifikuara.
2. Vlerësohen si shkaqe të justifikuara të gjitha rrethanat e rënda që nuk lejojnë, sipas parimit të mirëbesimit, t’i kërkohet atij që ka zgjidhur kontratën, vazhdimin e marrëdhënieve të punës.
3. Gjykata vendos nëse ekzistojnë shkaqe të justifikuara për zgjidhjen e menjëhershme të kontratës. Konsiderohen shkaqe të justifikuara rastet kur punëmarrësi shkel detyrimet kontraktuale me faj të rëndë, si edhe rastet kur punëmarrësi shkel detyrimet kontraktuale me faj të lehtë, në mënyrë të përsëritur, me gjithë paralajmërimin me shkrim të punëdhënësit.
13. Në nenin 155 të Kodit Punës parashikohet se:
1. Punëmarrësi ka të drejtën e pagës që do të kish fituar, nëse marrëdhëniet e punës do të kishin përfunduar në fund të afatit të njoftimit të parashikuar në ligj ose me kontratë ose në përfundim të kontratës me afat të caktuar.
2. Punëdhënësi mund të zbresë nga paga të ardhurat që punëmarrësi ka kursyer si rezultat i ndërprerjes së punës, të ardhurat nga një punë tjetër ose të ardhurat prej të cilave ai ka hequr dorë qëllimisht.
3. Në rastet e zgjidhjes së menjëhershme të pajustifikuar të kontratës së punës nga punëdhënësi, gjykata, duke vlerësuar të gjitha rrethanat, vendos detyrimin e punëdhënësit ndaj punëmarrësit me një dëmshpërblim jo më shumë se paga e një viti punë. Për punëmarrësit në administratën publike, kur ka një vendim të formës së prerë për kthimin në vendin e mëparshëm të punës, punëdhënësi është i detyruar të zbatojë këtë.
IV. Arsyetimi i Kolegjit Administrativ dhe zgjidhja e çështjes:
14. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë vlerëson se, rekursi i paraqitur nga pala e paditur Agjencia e Trajtimit të Kredive është pjesërisht i bazuar në ligj, prandaj si i tillë ai duhet të pranohet pjesërisht.
15. Përsa i përket llojit të kontratës së punës dhe zgjidhjes së saj, si gjykata e shkallës së parë ashtu edhe ajo e apelit kanë arritur në përfundime të bazuara në ligj, sepse ndërmjet palëve ndërgjyqëse me datë 07.12.2011 është lidhur një kontratë individuale pune me afat, e cila ka formë të shkruar. Sipas kësaj kontrate marrëdhëniet e punës fillonin me datë 01.01.2012 dhe përfundonin me datë 31.12.2012, prandaj me të drejtë gjykatat kanë vlerësuar se në rastin në gjykim kemi të bëjmë me një kontratë individuale pune me afat të caktuar.
16. Gjithashtu edhe për zgjidhjen e kontratës së punës nga punëdhënësi dy gjykatat kanë arritur në përfundime të bazuara në ligj, sepse shkaku i pretenduar nga pala e paditur nuk ka të bëjë me veprimet ose mosveprimet e punëmarrësit, të kryera me faj të rëndë ose me faj të lehtë dhe në mënyrë të përsëritur, kur ka patur vërejtje me shkrim të mëparshme të cilat kanë qenë të paparashkruara, por sipas palës së paditur shkaku i ndërprerjes së marrëdhënieve të punës është ristrukturimi i agjencisë.
17. Në nenin 14/2 të ligjit nr.8894, datë 14.05.2002 “Për Agjencinë e Trajtimit të Kredive” parashikohet se: Këshilli Mbikëqyrës ka këto kompetenca: emëron anëtarët e Drejtorisë dhe të Këshillit të Investimeve, si dhe lidh kontratat e punës me ta; emëron Drejtorin dhe zëvendësdrejtorët e Drejtorisë...Bazuar në dispozitat sa më sipër rezulton se vendi i punës së nëndrejtorit të përgjithshëm të ATK-së është i përcaktuar me ligj dhe mund të ndryshohet po me ligj dhe jo me një vendim të Këshillit Mbikëqyrës së ATK-së. Si rrjedhojë, vendimi nr.11, datë 12.07.2012 i Këshillit Mbikëqyrës të ATK-së në lidhje me suprimimin e vendeve të punës së dy zv/drejtorëve të përgjithshëm është në kundërshtim me dispozitat ligjore dhe është nxjerrë në kapërcim të kompetencave ligjore.
18. Në rastin e kontratave me afat të caktuar, Kodi i Punës parashikon rregullime të posaçme në nenet 149-152 të tij. Kështu, në nenin 149 të Kodit Punës parashikohet se: Kontrata me afat të caktuar përfundon në fund të kohës së parashikuar, pa zgjidhje paraprake....Kjo dispozitë ligjore dhe ato vijuese të Kodit Punës nuk parashikojnë as procedura dhe as afate njoftimi për zgjidhjen e kontratës së punës me afat të caktuar. Rrjedhimisht, punëmarrësi nuk mund të pretendojë dhe përfitojë dëmshpërblime për mosrespektim të afatit të njoftimit dhe/ose të procedurës së zgjidhjes së kontratës së punës.
19. Neni 149 i Kodit Punës bën fjalë vetëm për “përfundim” të kontratës së punës në fund të afatit të saj, pa “zgjidhje paraprake”. Kjo do të kuptohet se, në rastet kur kontrata zgjidhet njëanshmërisht nga punëmarrësi, përpara mbarimit të afatit të caktuar të kontratës së punës, punëdhënësi i shlyen punëmarrësit pagat që i takojnë ti përfitojë deri në përfundim të këtij afati kontraktor. Ky detyrim nuk ekziston vetëm nëse vërtetohet që zgjidhja para afatit e kontratës së punës është bërë për “fajin” e punëmarrësit. Nëse zgjidhja është bërë pa shkaqe të arsyeshme ose të justifikuara, punëmarrësi përfiton pagat që i takojnë deri në përfundim të afatit të kontratës, por jo dëmshpërblimet apo shpërblim për vjetërsi pune sikurse në rastet e kontratave pa afat të caktuar ose me “afat të gjatë“ (nenet 151 dhe 152 të Kodit Punës).
20. Gjykata Administrative e Apelit me të drejtë në arsyetimin e saj thotë se, kjo kontratë është me afat të caktuar dhe gjykata e shkallës së parë ka gabuar kur arsyeton që palës paditëse duhet ti paguhet dëmshpërblimi për moszbatimin nga punëdhënësi të afatit të njoftimit, i parashikuar nga neni 143 i Kodit Punës, kur në të vërtetë kontrata e punës me afat të përcaktuar zgjidhet pa njoftim paraprak të palëve, por gjykata e apelit ka gabuar kur arsyeton që palës paditëse i takon shpërblimi për vjetërsinë në punë dhe dëmshpërblimi për moszbatimin e procedurës së pushimit nga puna, në një kohë kur këto janë përfitime që jepen vetëm në rastet e zgjidhjes së menjëhershme dhe të pajustifikuar të kontratës së punës pa afat të përcaktuar.
21. Ky qëndrim i ligjvënësit ka të bëjë me faktin se në kontratën e punës me afat të përcaktuar punëmarrësi ka dijeni për kohën se kur i përfundon kontrata e punës dhe ai është i përgatitur në një farë mënyre për të kërkuar dhe gjetur një punë tjetër, ndërsa në kontratën e punës pa afat të përcaktuar punëmarrësi është i papërgatitur për përfundimin e marrëdhënies së punës dhe ai nuk ka arsye që të mendojë për të gjetur ndonjë punë tjetër, prandaj edhe masës së dëmshpërblimit për zgjidhjen e menjëhershme dhe të pajustifikuar të kontratës së punës nga punëdhënësi i shtohen dëmshpërblimet për moszbatimin e procedurës së pushimit nga puna, të afatit të njoftimit dhe shpërblimi për vjetërsinë në punë.
22. Për këto që u thanë më sipër, Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë arrin në përfundimin se rekursi i paraqitur nga pala e paditur Agjencia e Trajtimit të Kredive është pjesërisht i bazuar në ligj, vetëm në pjesën që i përket shpërblimit të dëmit për moszbatimin e procedurës së pushimit nga puna, të parashikuar nga neni 144 i Kodit Punës dhe shpërblimit për vjetërsinë në punë, të parashikuar nga neni 145 i Kodit Punës, pasi paditësit Fahrudin Rakipi i takon një dëmshpërblim në masën që i përket periudhës 01.08.2912 deri me datë 31.12.2012, prandaj në këtë pjesë vendimi i Gjykatës Administrative të Apelit duhet të lihet në fuqi, ndërsa për pjesët e tjera të dy vendimet e gjykatave janë të pabazuar në ligjin material, prandaj si të tillë ato duhet të ndryshohen, duke u rrëzuar kërkesëpadia në këto pjesë të saj.
PËR KËTO ARSYE
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, duke u bazuar në nenin 63/e dhe dh të ligjit nr.49, datë 03.05.2012 “Për Organizimin dhe Funksionimin e Gjykatave Administrative”.....
V E N D O S I
Lënien në fuqi të vendimit nr.2291, datë 05.06.2014 të Gjykatës Administrative të Apelit, përsa i përket disponimit për detyrimin e palës së paditur, Agjencia e Trajtimit të Kredive që t’i paguajë paditësit Fahrudin Rakipi pagën për periudhën nga data 01.08.2012 deri me datë 31.12.2013.
Ndryshimin e vendimit nr.12879, datë 26.12.2012 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe vendimit nr.2291, datë 05.06.2014 të Gjykatës Administrative të Apelit dhe rrëzimin e padisë për pjesët e tjera të saj.
Tiranë, më 31.03.2016
Nr. 31003-03853-00-2014 Regj. Themeltar
Nr. 00 - 2016 - 2332 Vendimi (208)
Do'stlaringiz bilan baham: |