VENDIM
NË EMËR TË REPUBLIKËS
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, i përbërë prej:
Ardian Dvorani Kryesues
Arjana Fullani Anëtare
Andi Çeliku Anëtar
mori në shqyrtim në dhomën e këshillimit të datës 30.03.2016, çështjen administrative që i përket:
PADITËS: SH.P.K PAVARËSIA;
I PADITUR: DREJTORIA RAJONALE E TATIMEVE VLORË
OBJEKTI:
Pavlefshmëri e aktit administrativ njoftim vlerësimi
për detyrimet (gjobë) nr.11532 datë 20.07.2011.
Baza Ligjore: Nenet 324, 325, 326 e vijues të Kodit të Procedurës Civile.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë me vendimin nr.547 datë 06.03.2013 ka vendosur:
“Pushimin e gjykimit të çështjes civile me nr.3762/1162/123 e datës 07.12.2011 me palë paditëse Sh.p.k Pavarësia. Shpenzimet gjyqësore janë në ngarkim të palës paditëse”.
Gjykata e Apelit Vlorë, me vendimin nr.252 datë 12.12.2013 vendosi:
“Prishjen e vendimit gjyqësor civil nr.549 datë 06.03.2013 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë dhe kthimin e çështjes për rigjykim pranë asaj gjykate por me tjetër trup gjykues”.
Kundër vendimit nr.252 datë 12.12.2013 të Gjykatës së Apelit Vlorë, ka ushtruar rekurs, brenda afatit ligjor, pala e paditur Drejtoria Rajonale e Tatimeve Vlorë e cila kërkon prishjen e vendimit të gjykatës së apelit dhe lënien në fuqi të vendimit të gjykatës së rrethit gjyqësor duke parashtruar shkaqet e mëposhtme:
-
Me të drejtë gjykata e rrethit gjyqësor ka vendosur pushimin e gjykimit në bazë të neneve 179 dhe 299 të KPC.
-
Paditësi nuk ka bërë kërkesë me shkrim për shtyrjen e seancës gjyqësore dhe gjykata ka kryer të gjitha detyrimet e parashikuara në nenin 77 të KPC.
KOLEGJI ADMINISTRATIV I GJYKATËS SË LARTË
Pasi dëgjoi relacionin e gjyqtares Arjana Fullani dhe diskutoi çështjen në tërësi,
V Ë R E N
1. Siç rezulton nga aktet e administruara në dosjen gjyqësore, pala paditëse shoqëria “Pavarësia Vlorë” sh.p.k ushtron aktivitetin e saj tregtar kryesisht në hotele, restorante, tregti me shumicë dhe pakicë.
2. Në datën 01.07.2011, nga Inspektoret e Drejtorisë të Hetimit Tatimor , pranë Drejtorisë se Përgjithshme te Tatimeve, është ushtruar kontroll pranë subjektit “Pavarësia Vlorë” dhe sipas procesverbalit nr.0002960 dhe akt konstatimit nr.0158063 është konstatuar se, paditësi shoqëria nuk ka lëshuar kupton tatimor për 10 tavolina dhe për këtë shkelje është penalizuar me gjobë në shumën 2.000.000 lekë, bazuar në nenin 122, pika 1, germa b) të ligjit nr 9920, date 19.05.2008 “Për procedurat tatimore ne Republikën e Shqipërisë, ndryshuar me ligjin nr.10209, datë 23.12.2009.
3. Këto procesverbale gjobe, janë përcjellë me D.R.T. Vlorë. Nga ana e D.R.T. Vlorë është nxjerrë “Njoftim – Vlerësimi për Detyrimet Tatimore” nr.11532 prot., datë 20.07.2011, sipas te cilit Shoqëria ka detyrime për gjobën në masën 2.000.000 lekë, sipas verifikimit në terren.
4. Më tej paditësi ka ushtruar ankim ndaj njoftim vlerësimi tatimor nr.11532 prot., datë 20.07.2011 në Drejtorinë e Apelimit Tatimor pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve.
5. Me vendimin nr.15046/3 Prot datë 30.11.2011 Drejtoria e Apelimit Tatimor ka vendosur: “Lënien në fuqi të aktit objekt ankimi administrativ, Njoftim-Vlerësimi për Detyrimet Gjobë nr.11532 prot datë 20.07.2011 të Drejtorisë Rajonale Tatimore Vlorë, për shumën 2.000.000 lekë”.
6. Ndodhur në këto kushte pala paditëse shoqëria “Pavarësia Vlorë” sh.p.k i është drejtuar gjykatës me padinë objekt gjykimi.
7. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë me vendimin nr.547 datë 06.03.2013 ka vendosur: “Pushimin e gjykimit të çështjes civile me nr.3762/1162/123 e datës 07.12.2011 me palë paditëse Sh.p.k Pavarësia. Shpenzimet gjyqësore janë në ngarkim të palës paditëse”.
7.1 Arsyetimi i gjykatës: “Në seancën e datës 06.03.2013 nuk u paraqit paditësi as përfaqësuesi i tij megjithëse kishin dijeni për ditën dhe orën e gjykimit pasi kanë qenë prezent dhe gjithashtu nuk u paraqit asnjë shkak i ligjshëm e i justifikuar për mungesën në seancë gjyqësore”.
8. Gjykata e Apelit Vlorë, me vendimin nr.252 datë 12.12.2013 vendosi: “Prishjen e vendimit gjyqësor civil nr.547 datë 06.03.2013 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë dhe kthimin e çështjes për rigjykim pranë asaj gjykate por me tjetër trup gjykues”.
8.1 Arsyetimi i gjykatës:“ Nga gjykimi në apel ka rezultuar i provuar fakti se avokati i palës paditëse në atë datë dhe orë kur është vendosur pushimi i gjykimit ka qenë në një gjykim tjetër pranë Gjykatës së Apelit Vlorë. Megjithëse gjykata e shkallës së parë është njoftuar ajo përsëri nuk e ka marrë parasysh këtë fakt”.
9. Kundër vendimit nr.252 datë 12.12.2013 të Gjykatës së Apelit Vlorë, ka ushtruar rekurs, brenda afatit ligjor, pala e paditur Drejtoria Rajonale e Tatimeve Vlorë e cila kërkon prishjen e vendimit të gjykatës së apelit dhe lënien në fuqi të vendimit të gjykatës së rrethit gjyqësor, duke parashtruar shkaqet e pasqyruar në pjesën hyrëse të këtij vendimi.
LIGJI I ZBATUESHËM
10. Dispozitat e ligjit nr.49/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatave Administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”;
10.1 Neni 1/2: “Dispozitat e këtij ligji plotësohen me parashikimet e Kodit të Procedurës Civile, me përjashtim të rasteve dhe për aq sa ky ligj nuk parashikon ndryshe”.
10.2 Neni 17/2: “Gjykata zgjidh mosmarrëveshjet në përputhje me dispozitat ligjore dhe normat e tjera në fuqi, që janë të detyrueshme. Ajo bën një cilësim të saktë të fakteve dhe veprimeve që lidhen me mosmarrëveshjen, pa u lidhur me përcaktimin që mund të propozojnë palët”.
10.3. Neni 54: “Gjykata Administrative e Apelit prish vendimin e gjykatës administrative të shkallës së parë dhe ia dërgon çështjen organit kompetent për rigjykim kur: a) gjykata administrative e shkallës së parë ka shkelur dispozitat mbi juridiksionin dhe kompetencën lëndore dhe funksionale....”.
11. Dispozitat e Kodit të Procedurës Civile;
11.1. Neni 467: “Gjykata e apelit prish vendimin e gjykatës së shkallës së parë dhe e dërgon çështjen për rigjykim kur: a) gjykata e shkallës së parë ka shkelur dispozitat mbi juridiksionin dhe kompetencën...”
12. Vendimi unifikues nr.3 datë 06.12.2013 i Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë;
13. Dekreti nr.8349 datë 14.10.2013 i Presidentit të Republikës së Shqipërisë;
KOLEGJI ADMINISTRATIV I GJYKATËS SË LARTË VLERËSON:
14. Se pas shqyrtimit të akteve procedurale që ndodhen në dosjen gjyqësore, objektit dhe shkakut të padisë, pretendimeve të palëve të parashtruara në këto akte, vendimit të gjykatës dhe parashtrimeve të rekursit, në interpretim të dispozitave ligjore të zbatueshme për rastin konkret, arrin në konkluzionin se vendimi i dhënë nga Gjykata e Apelit Vlorë është marrë në shkelje të ligjit procedural, në kushtet kur kjo gjykatë ka shkelur dispozitat ligjore për kompetencën lëndore. Prandaj, për këtë shkelje të dispozitave procedurale, vendimi i dhënë prej saj duhet të prishet e çështja të dërgohet për gjykim pranë Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë.
15. Gjykata e Lartë, pa i hyrë analizës së provave, nga shqyrtimi i materialeve të dosjes gjyqësore dhe pretendimeve të parashtruara në rekurs evidenton nëse nga gjykatat e faktit janë lejuar ose jo shkelje të normave procedurale dhe nëse ligji material është respektuar drejtë ose jo. Në varësi të zgjidhjes së këtyre çështjeve nga gjykatat e faktit, Gjykata e Lartë, në realizim të funksionit të saj rishikues, shprehet për bazueshmërinë ose jo në ligj të vendimeve për të cilat është paraqitur rekurs.
16. Në analizë të akteve dhe provave të administruara në dosjen gjyqësore rezulton se paditësi shoqëria “Pavarësia Vlorë”sh.p.k i është drejtuar me padi gjykatës, duke kërkuar shfuqizimin e aktit administrativ të lëshuar nga pala e paditur Drejtoria Rajonale Tatimore e Tatimpagueseve Vlorë Tiranë i cili e ngarkon atë me pagimin e një njoftim vlerësimi tatimor.
17. Me vendimin nr.547 datë 06.03.2013, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë, në përfundim të gjykimit ka vendosur të pushojë gjykimin. Mbi ankimin e palës paditëse, Gjykata e Apelit Vlorë me vendimin nr.252 datë 12.12.2013 ka vendosur të kthejë çështjen për rigjykim pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë.
18. Në rastin konkret nga objekti i gjykimit, si dhe nga shkaku ligjor i kërkimeve të padisë, Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë konstaton se natyra e çështjes në gjykim është administrative.
19. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë pa i hyrë zgjidhjes në themel të çështjes konstaton se nga Gjykata e Apelit Vlorë janë lejuar shkelje të ligjit procedural që lidhen me kompetencën lëndore të gjykatës për të gjykuar çështjen, të cilat pasjellin zhvillimin e një procesi jo të rregullt ligjor.
20. Kolegji Administrativ e gjen me vend të konfirmojë qëndrimin se kompetenca e gjykatës nga pikëpamja lëndore për gjykimin e një mosmarrëveshje është shumë e rëndësishme si një element që garanton procesin e rregullt ligjor. Nëse një gjykatë nuk ka juridiksion/kompetencë për të gjykuar çështjen objekt shqyrtimi, në përputhje me dispozitat që zbatohen sipas legjislacionit përkatës, ajo nuk është një gjykatë “e krijuar me ligj” sipas kuptimit të nenit 42/2 të Kushtetutës dhe nenit 6/1 të Konventës Evropiane. Nëse një gjykatë nuk ka juridiksion/kompetencë për të gjykuar çështjen objekt shqyrtimi, në përputhje me dispozitat që zbatohen sipas legjislacionit përkatës nuk mund të kryejë asnjë veprim procedural.
21. Në kuptimin e së drejtës procedurale, kompetenca lëndore është një kusht i domosdoshëm procedural, që bën të vlefshëm procesin gjyqësor, si dhe të gjitha aktet e marra në administrim gjatë zhvillimit të tij, në kuptimin që një gjykatë jokompetente nuk mund të kryejë asnjë veprimtari procedurale dhe një gjykatë jokompetente duhet të deklarojë moskompetencën e saj, (neni 61 K.Pr.Civile, neni 7 i Ligjit 49/2012). Këto parime janë përcaktuar qartë në Ligjin nr.9877, datë 18.02.2008 “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”, në Ligjin nr.49/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e gjykata administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative” si dhe në Kodin e Procedurës Civile.
22. Me Dekretin nr.8349 datë 14.10.2013 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë është përcaktuar data 04.11.2013 si data e fillimit të funksionimit të Gjykatave Administrative. Ndërkohë që, Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë, me vendimin nr.3 datë 6.12.2013, kanë konkluduar se: “Gjykatat administrative të shkallës së parë, Gjykata e Apelit Administrativ dhe Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, të krijuara me ligjin nr.49, datë 03.05.2012 “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”, janë kompetente për shqyrtimin e të gjitha çështjeve, të cilat sipas nenit 7 të këtij ligji përbëjnë mosmarrëveshje administrative, pavarësisht gjendjes, fazës apo shkallës së gjykimit. Këto gjykata janë kompetente për çështjet administrative për të cilat padia, ankimi ose rekursi është depozituar përpara datës 04.11.2013, respektivisht në gjykatat e shkallës së parë, të apelit apo në Gjykatë të Lartë dhe deri në këtë datë shqyrtimi në këto gjykata nuk ka përfunduar akoma”.
23. Si rrjedhojë, duke nisur nga data 04.11.2013 të gjitha mosmarrëveshjet që kanë qenë administrative, janë në kompetencë dhe janë objekt gjykimi i gjykatave administrative sipas parashikimeve të ligjit 49/2012, pavarësisht nëse çështja gjyqësore i është paraqitur gjykatës për shqyrtim është regjistruar ose ka qenë në gjykim, në çdo shkallë të gjykimit, përpara datës 04.11.2013.
24. Kolegji vëren se vendimi i Gjykatës së Apelit Vlorë është shpallur në datën 12.12.2013, pra pas datës 04.11.2013. Nisur nga sa u trajtua më sipër të gjitha çështjet që përbëjnë mosmarrëveshje administrative pas datës 04.11.2013 duhet të shqyrtoheshin nga gjykatat administrative, ndërkohë që Gjykata e Apelit Tiranë nuk e ka konstatuar mungesën e kompetencës lëndore për shqyrtimin e çështjes dhe ka dhënë një vendim në kundërshtim me dispozitat ligjore të zbatueshme duke sjellë si pasojë zgjidhjen e çështjes nga gjykata jo kompetente nga pikëpamja lëndore.
25. Në përfundim, Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë arrin në konkluzionin se mosrespektimi i kompetencës lëndore nga ana e gjykatës përbën shkelje të rëndë procedurale, e cila ndikon drejtpërsëdrejti në dhënien e vendimit, e cila e bën vendimin gjyqësor absolutisht të pavlefshëm. Gabimet në procedim, të cilat parashikohen në nenin 467/a të K.Pr.Civile dhe në nenin 54 të ligjit nr.49/2012, shqyrtohen nga gjykata edhe kryesisht, pikërisht për shkak të efektit të drejtpërdrejtë që ato kanë në vendimin e dhënë.
26. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë vlerëson të theksojë se në çështjen objekt gjykimi, nuk mund të marrë në shqyrtim dhe të analizojë, nëse ligji material është zbatuar drejtë apo jo nga gjykatat e faktit.
27. Për sa më sipër, Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë vlerëson se vendimi nr.252 datë 12.12.2013 i Gjykatës së Apelit Vlorë duhet të prishet dhe çështja t’i dërgohet Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë si gjykatë kompetente nga pikëpamja lëndore për shqyrtimin e çështjes.
PËR KËTO ARSYE
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, në bazë të nenit 63 të ligjit nr.49/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”
V E N D O S I
Prishjen e vendimit nr.252 datë 12.12.2013 të Gjykatës së Apelit Vlorë dhe dërgimin e çështjes për shqyrtim në Gjykatën Administrative të Apelit Tiranë.
Tiranë, më 30.03.2016
Nr. 31003-03393-00-2014 i Regj. Themeltar
Nr. 00 - 2016 - 1756 i Vendimit ( 202 )
Do'stlaringiz bilan baham: |