VENDIM
NË EMËR TË REPUBLIKËS
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, i përbërë prej:
Ardian Dvorani Kryesues
Arjana Fullani Anëtar
Andi Çeliku Anëtar
mori në shqyrtim në dhomën e këshillimit të datës 30.03.2016, çështjen administrative që i përket:
PADITËS: SHOQËRIA”KLAUDIO PETROL”SH.A
E PADITUR: SHOQËRIA ”SHËRBIMIT PËRMBARIMOR ZIG“ SH.P.K;
INSPEKTORATI QENDROR TEKNIK TIRANË
OBJEKTI:
Kërkohet pavlefshmëria e titullit ekzekutiv dhënë me
vendim nr.3481 dt 12.03.2012 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Njëherësh pezullimin e ekzekutimit të tij pranë
shoqërisë “Shërbimit Përmbarimor Privat ZIG shpk.
Baza Ligjore: Nenet 154-158,e vijues K.Pr.C ,
ligji 10052 dt 29.12.2008,
“Për disa ndryshime dhe shtesa
në ligjin 8116 dt 29.03.1996 K.Pr.C, të ndryshuar
nenet 609/1,3 e vijues të K.Pr.C.
Nenet 25,26 e vijues të ligjit 10279 dt 20.05.2010
“Për kundërvajtjet administrative”.
Ligji nr.8450 dt 24.02.1999 “Për përpunimin ,
transportimin dhe tregtimin e naftës
të gazit dhe nënprodukteve të tyre” i ndryshuar.
Ligji nr.8730 dt 18.01.2001”Për organizimin dhe Funksionimin
e Shërbimit të Përmbaruesit Gjyqësor”.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë me vendimin nr.11467 datë 23.11.2012 ka vendosur:
“Rrëzimin e kërkesë padisë së paditësit Shoq.”Klaudio Petrol”shpk, si të pabazuar në ligj e në prova. Shpenzimet gjyqësore në ngarkim të palës paditëse”.
Gjykata e Apelit Tiranë, me vendimin nr.635 datë 26.11.2013 vendosi:
“Lënien në fuqi të vendimit nr.11467 datë 23.11.2012 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë”.
Kundër vendimit nr.635 datë 26.11.2013 të Gjykatës së Apelit Tiranë, ka ushtruar rekurs, brenda afatit ligjor, pala paditëse shoqëria “Klaudio Petrol” sh.a e cila kërkon ndryshimin e vendimeve dhe pranimin e padisë duke parashtruar shkaqet e mëposhtme:
-
Pala paditëse nuk ka marrë dijeni asnjëherë për gjobën e vendosur ndaj tij dhe gjykata e apelit në mënyrë të padrejtë nuk e ka vlerësuar këtë fakt.
-
Në asnjë moment gjatë gjykimit nuk u vërtetua asnjëherë marrja dijeni e palës paditëse dhe gjithashtu nuk është provuar asnjëherë komunikimi i tij.
-
Të gjitha veprimet e palës së paditur janë bërë në kundërshtim me ligjin nr.10279/2010 “Për kundërvajtjet administrative”.
KOLEGJI ADMINISTRATIV I GJYKATËS SË LARTË
Pasi dëgjoi relacionin e gjyqtares Arjana Fullani dhe diskutoi çështjen në tërësi,
V Ë R E N
1. Nga shqyrtimi i akteve në dosje gjyqësore rezulton se pala paditëse shoqëria “Klaudio Petrol” sh.a, është regjistruar në organet tatimore dhe ushtron aktivitet në fushën e karburanteve me seli në qytetin e Lushnjës.
2. Inspektorati Qendror Teknik, me vendimin administrativ nr.3646, datë 13.06.2011, ka vendosur të ndëshkojë paditësin subjektin, shoqëria “Klaudio Petrol”me gjobë në masën 500.000 (pesëqind mijë) lekë për kundërvajtjen administrative “për shkelje të cilësisë së karburanteve”, e parashikuar nga neni 25 pika “1”, germa “f’ të ligjit nr 8450, datë 24.02.1999 “Për përpunimin transportimin dhe tregtimin e naftës, të gazit dhe nënprodukteve të tyre”.
3. Për ekzekutimin e këtij vendimi është lëshuar urdhri i ekzekutimit me vendimin nr.3481 datë 12.03.2012 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë .
4. Pas lëshimit të urdhrit të ekzekutimit Shërbimi Përmbarimor Zig sh.p.k me shkresën nr.1837/12 regj dhe nr.19478 prot., datë 11.07.2012 ka njoftuar paditësin shoqërinë “Klaudio Petrol” sh.a për ekzekutim vullnetar të këtij titulli ekzekutiv.
5. Ndodhur në këto kushte pala paditëse shoqëria “Klaudio Petrol” sh.a i është drejtuar gjykatës me padinë objekt gjykimi.
6. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë me vendimin nr.11467 datë 23.11.2012 ka vendosur: “Rrëzimin e kërkesë padisë së paditësit Shoq.”Klaudio Petrol”shpk, si të pabazuar në ligj e në prova. Shpenzimet gjyqësore në ngarkim të palës paditëse”.
6.1 Arsyetimi i gjykatës: “Gjykata konstaton se në rastin konkret kundërvajtësi shoqëria “Klaudio Petrol” sh.p.k kishte dijeni për shqyrtimin e kundërvajtjes administrative nga akti i konstatimit datë 14.04.2011 mbajtur në pikën e karburantit të kundërvajtësit shoqërisë “Klaudio Petrol” sh.p.k të ndodhur në adresën Lagja “Loni Dhamo” Lushnjë në prezencë të administratorit të saj Albert Taullahu i cili rezulton të ketë refuzuar firmosjen. Ky akt së bashku me raport analizën i janë dorëzuar nga inspektorët e Inspektoratit Qendror Teknik z.Albert Taullahu. Në akt konstatimin e mësipërm përcaktohej e drejta e pjesëmarrjes në shqyrtimin e kundërvajtjes administrative,duke përcaktuar kohën dhe vendin e shqyrtimit nga ana e komisionit të kundërvajtjes së mësipërme. Konkretisht në akt përcaktohet se komisioni shqyrtimit të gjobave mblidhet të hënën e dytë të çdo muaji në adresën e Inspektoratit Qendror Teknik , Rruga “Muhamet Gjollesha” nr.56 Tiranë. Gjithashtu edhe për vendimin nr.3646, date 13.06.2011 të Inspektoratit Qendror Teknik Tiranë, shoqëria “Klaudio Petrol” sh.p.k rezulton të jetë njoftuar fakt ky i cili provohet me procesverbalin e datës 14.06.2011 të cilin përfaqësuesi i subjektit z.Albert Taulaj ka refuzuar ta firmosë. Nuk rezulton që shoqëria “Klaudio Petrol” sh.p.k të ketë paraqitur ankim në gjykatë kundër vendimit të Inspektoratit Qendror Teknik Tiranë fakt që provohet me shkresën nr.126/1 prot., datë 08.02.2012 të lëshuar nga ana e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë”.
7. Gjykata e Apelit Tiranë, me vendimin nr.635 datë 26.11.2013 vendosi: “Lënien në fuqi të vendimit nr.11467 datë 23.11.2012 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë”.
7.1 Arsyetimi i gjykatës:“ I njëjtë me atë të faktit”.
8. Kundër vendimit nr.635 datë 26.11.2013 të Gjykatës së Apelit Tiranë, ka ushtruar rekurs, brenda afatit ligjor, pala paditëse shoqëria “Klaudio Petrol” sh.a e cila kërkon ndryshimin e vendimeve dhe pranimin e padisë, duke parashtruar shkaqet e pasqyruar në pjesën hyrëse të këtij vendimi.
LIGJI I ZBATUESHËM
9. Dispozitat e ligjit nr.49/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatave Administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”;
9.1 Neni 1/2: “Dispozitat e këtij ligji plotësohen me parashikimet e Kodit të Procedurës Civile, me përjashtim të rasteve dhe për aq sa ky ligj nuk parashikon ndryshe”.
9.2 Neni 17/2: “Gjykata zgjidh mosmarrëveshjet në përputhje me dispozitat ligjore dhe normat e tjera në fuqi, që janë të detyrueshme. Ajo bën një cilësim të saktë të fakteve dhe veprimeve që lidhen me mosmarrëveshjen, pa u lidhur me përcaktimin që mund të propozojnë palët”.
9.3. Neni 54: “Gjykata Administrative e Apelit prish vendimin e gjykatës administrative të shkallës së parë dhe ia dërgon çështjen organit kompetent për rigjykim kur: a) gjykata administrative e shkallës së parë ka shkelur dispozitat mbi juridiksionin dhe kompetencën lëndore dhe funksionale....”.
10. Dispozitat e Kodit të Procedurës Civile;
10.1. Neni 467: “Gjykata e apelit prish vendimin e gjykatës së shkallës së parë dhe e dërgon çështjen për rigjykim kur: a) gjykata e shkallës së parë ka shkelur dispozitat mbi juridiksionin dhe kompetencën...”
11. Vendimi unifikues nr.3 datë 06.12.2013 i Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë;
12. Dekreti nr.8349 datë 14.10.2013 i Presidentit të Republikës së Shqipërisë;
KOLEGJI ADMINISTRATIV I GJYKATËS SË LARTË VLERËSON:
13. Se pas shqyrtimit të akteve procedurale që ndodhen në dosjen gjyqësore, objektit dhe shkakut të padisë, pretendimeve të palëve të parashtruara në këto akte, vendimit të gjykatës dhe parashtrimeve të rekursit, në interpretim të dispozitave ligjore të zbatueshme për rastin konkret, arrin në konkluzionin se vendimi i dhënë nga Gjykata e Apelit Tiranë është marrë në shkelje të ligjit procedural, në kushtet kur kjo gjykatë ka shkelur dispozitat ligjore për kompetencën lëndore. Prandaj, për këtë shkelje të dispozitave procedurale, vendimi i dhënë prej saj duhet të prishet e çështja të dërgohet për gjykim pranë Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë.
14. Gjykata e Lartë, pa i hyrë analizës së provave, nga shqyrtimi i materialeve të dosjes gjyqësore dhe pretendimeve të parashtruara në rekurs evidenton nëse nga gjykatat e faktit janë lejuar ose jo shkelje të normave procedurale dhe nëse ligji material është respektuar drejtë ose jo. Në varësi të zgjidhjes së këtyre çështjeve nga gjykatat e faktit, Gjykata e Lartë, në realizim të funksionit të saj rishikues, shprehet për bazueshmërinë ose jo në ligj të vendimeve për të cilat është paraqitur rekurs.
15. Në analizë të akteve dhe provave të administruara në dosjen gjyqësore rezulton se paditësi shoqëria “Klaudio Petrol” sh.a i është drejtuar me padi gjykatës, duke kërkuar pavlefshmërinë e titullit ekzekutiv, vendimit të dënimit me gjobë të lëshuar nga pala e paditur Inspektorati Qendror Teknik Tiranë.
16. Me vendimin nr.11467 datë 23.11.2012, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, në përfundim të gjykimit ka vendosur të rrëzojë padinë. Mbi ankimin e palës paditëse, Gjykata e Apelit Tiranë me vendimin nr.635 datë 26.11.2013 ka vendosur të lërë në fuqi vendimin e gjykatës së rrethit gjyqësor.
17. Në rastin konkret nga objekti i gjykimit, si dhe nga shkaku ligjor i kërkimeve të padisë, Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë konstaton se natyra e çështjes në gjykim është administrative.
18. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë pa i hyrë zgjidhjes në themel të çështjes konstaton se nga Gjykata e Apelit Tiranë janë lejuar shkelje të ligjit procedural që lidhen me kompetencën lëndore të gjykatës për të gjykuar çështjen, të cilat pasjellin zhvillimin e një procesi jo të rregullt ligjor.
19. Kolegji Administrativ e gjen me vend të konfirmojë qëndrimin se kompetenca e gjykatës nga pikëpamja lëndore për gjykimin e një mosmarrëveshje është shumë e rëndësishme si një element që garanton procesin e rregullt ligjor. Nëse një gjykatë nuk ka juridiksion/kompetencë për të gjykuar çështjen objekt shqyrtimi, në përputhje me dispozitat që zbatohen sipas legjislacionit përkatës, ajo nuk është një gjykatë “e krijuar me ligj” sipas kuptimit të nenit 42/2 të Kushtetutës dhe nenit 6/1 të Konventës Evropiane. Nëse një gjykatë nuk ka juridiksion/kompetencë për të gjykuar çështjen objekt shqyrtimi, në përputhje me dispozitat që zbatohen sipas legjislacionit përkatës nuk mund të kryejë asnjë veprim procedural.
20. Në kuptimin e së drejtës procedurale, kompetenca lëndore është një kusht i domosdoshëm procedural, që bën të vlefshëm procesin gjyqësor, si dhe të gjitha aktet e marra në administrim gjatë zhvillimit të tij, në kuptimin që një gjykatë jokompetente nuk mund të kryejë asnjë veprimtari procedurale dhe një gjykatë jokompetente duhet të deklarojë moskompetencën e saj, (neni 61 K.Pr.Civile, neni 7 i Ligjit 49/2012). Këto parime janë përcaktuar qartë në Ligjin nr.9877, datë 18.02.2008 “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”, në Ligjin nr.49/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e gjykata administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative” si dhe në Kodin e Procedurës Civile.
21. Me Dekretin nr.8349 datë 14.10.2013 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë është përcaktuar data 04.11.2013 si data e fillimit të funksionimit të Gjykatave Administrative. Ndërkohë që, Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë, me vendimin nr.3 datë 6.12.2013, kanë konkluduar se: “Gjykatat administrative të shkallës së parë, Gjykata e Apelit Administrativ dhe Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, të krijuara me ligjin nr.49, datë 03.05.2012 “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”, janë kompetente për shqyrtimin e të gjitha çështjeve, të cilat sipas nenit 7 të këtij ligji përbëjnë mosmarrëveshje administrative, pavarësisht gjendjes, fazës apo shkallës së gjykimit. Këto gjykata janë kompetente për çështjet administrative për të cilat padia, ankimi ose rekursi është depozituar përpara datës 04.11.2013, respektivisht në gjykatat e shkallës së parë, të apelit apo në Gjykatë të Lartë dhe deri në këtë datë shqyrtimi në këto gjykata nuk ka përfunduar akoma”.
22. Si rrjedhojë, duke nisur nga data 04.11.2013 të gjitha mosmarrëveshjet që kanë qenë administrative, janë në kompetencë dhe janë objekt gjykimi i gjykatave administrative sipas parashikimeve të ligjit 49/2012, pavarësisht nëse çështja gjyqësore i është paraqitur gjykatës për shqyrtim është regjistruar ose ka qenë në gjykim, në çdo shkallë të gjykimit, përpara datës 04.11.2013.
23. Kolegji vëren se vendimi i Gjykatës së Apelit Tiranë është shpallur në datën 26.11.2013, pra pas datës 04.11.2013. Nisur nga sa u trajtua më sipër të gjitha çështjet që përbëjnë mosmarrëveshje administrative pas datës 04.11.2013 duhet të shqyrtoheshin nga gjykatat administrative, ndërkohë që Gjykata e Apelit Tiranë nuk e ka konstatuar mungesën e kompetencës lëndore për shqyrtimin e çështjes dhe ka dhënë një vendim në kundërshtim me dispozitat ligjore të zbatueshme duke sjellë si pasojë zgjidhjen e çështjes nga gjykata jo kompetente nga pikëpamja lëndore.
24. Në përfundim, Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë arrin në konkluzionin se mosrespektimi i kompetencës lëndore nga ana e gjykatës përbën shkelje të rëndë procedurale, e cila ndikon drejtpërsëdrejti në dhënien e vendimit, e cila e bën vendimin gjyqësor absolutisht të pavlefshëm. Gabimet në procedim, të cilat parashikohen në nenin 467/a të K.Pr.Civile dhe në nenin 54 të ligjit nr.49/2012, shqyrtohen nga gjykata edhe kryesisht, pikërisht për shkak të efektit të drejtpërdrejtë që ato kanë në vendimin e dhënë.
25. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë vlerëson të theksojë se në çështjen objekt gjykimi, nuk mund të marrë në shqyrtim dhe të analizojë, nëse ligji material është zbatuar drejtë apo jo nga gjykatat e faktit.
26. Për sa më sipër, Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë vlerëson se vendimi nr.635 datë 26.11.2013 i Gjykatës së Apelit Tiranë duhet të prishet dhe çështja t’i dërgohet Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë si gjykatë kompetente nga pikëpamja lëndore për shqyrtimin e çështjes.
PËR KËTO ARSYE
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, në bazë të nenit 63 të ligjit nr.49/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”
V E N D O S I
Prishjen e vendimit nr.635 datë 26.11.2013 të Gjykatës së Apelit Tiranë dhe dërgimin e çështjes për shqyrtim në Gjykatën Administrative të Apelit Tiranë.
Tiranë, më 30.03.2016
Nr. 31001-03964-00-2014 i Regj. Themeltar
Nr. 00 - 2016 - 1307 i Vendimit (200)
Do'stlaringiz bilan baham: |