VENDIM
NË EMËR TË REPUBLIKËS
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, i përbërë prej:
Ardian Dvorani Kryesues
Arjana Fullani Anëtare
Andi Çeliku Anëtar
mori në shqyrtim në dhomën e këshillimit të datës 30.03.2016, çështjen administrative që i përket:
PADITËS: ILIR DODE
I PADITUR: DREJTORIA E POLICISË QARKUT DURRËS; MINISTRIA E BRENDSHME
OBJEKTI:
Anulimin e procesverbalit të konstatimit të shkeljes
me nr.serie 1243525 nr.regj 97 datë 09.01.2014.
Anulimin e vendimit nr.224 datë 14.01.2014 të organeve administrative.
Baza Ligjore: Nenet 115, 118 dhe 137 të K.Pr.Administrative.
Nenet 72 dhe 202 të Kodit Rrugor.
Nenet 15/a/dh, 16/2/b, 17/a të ligjit nr.49/2012.
Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Durrës me vendimin nr.160 datë 24.02.2014 ka vendosur:
“Rrëzimin e padisë së ngritur nga paditësi Ilir Dode si e pabazuar në prova dhe në ligj. Shpenzimet gjyqësore i ngarkohen paditësit. Ky vendim është përfundimtar dhe kundër tij nuk lejohet ankim”.
Gjykata Administrative e Apelit Tiranë, me vendimin nr.2069 datë 27.05.2014 vendosi:
“Mospranimin e ankimit kundër vendimit nr.160 datë 24.02.2014 të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Durrës. Kundër vendimit nuk lejohet rekurs në Gjykatën e Lartë”.
Kundër vendimit nr.2069 datë 27.05.2014 të Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë, ka ushtruar rekurs, brenda afatit ligjor, pala paditëse Ilir Dode i cili kërkon ndryshimin e vendimeve dhe pranimin e padisë duke parashtruar shkaqet e mëposhtme:
-
Neni 45 i ligjit nr.49/2012, e kufizon të drejtën për t’u ankuar ndaj një vendimi gjyqësor në një gjykatë më të lartë, ne kundërshtim me neni 17 dhe 43 të Kushtetutës.
-
Kërkoj nga ana juaj të pezulloni gjykimin dhe të dërgoni kontrollin e kushtetutshmërisë së nenit 45 të ligjit nr.49/2012 në Gjykatën Kushtetuese.
-
Xhamat e autoveturave të cilat nuk përfshihen dhe nuk ndikojnë në fushëpamjen e shoferit, nuk mund të përfshihen në kërkesat teknike që parashikon neni 72 i Kodit Rrugor.
KOLEGJI ADMINISTRATIV I GJYKATËS SË LARTË
Pasi dëgjoi relacionin e gjyqtares Arjana Fullani dhe diskutoi çështjen në tërësi,
V Ë R E N
1. Nga shqyrtimi i akteve në dosje gjyqësore rezulton se pala paditëse Ilir Dode në datën 09.01.2014 ka qene duke udhëtuar ne aksin rrugor Sukth Durrës me automjetin e tij tip Audi me targa AA 368 BJ dhe gjate udhëtimit është ndaluar nga Patrullat e Policisë Rrugore.
2. Ndalimi i tij është bërë për shkak se paditësi udhëtonte me automjet i cili i kishte xhamat të veshur me letër të zezë në pjesën e dritareve të dyerve të pasme duke shkelur nenin 72/12 të K.Rrugor dhe VKM nr.153/2000. Në këto kushte punonjësit e policisë kane mbajtur procesverbalin e konstatimit dhe i kanë sugjeruar paditësit të paraqitet në Organin Administrativ të Shqyrtimit të Kundërvajtjeve në Qarkullimin Rrugor pranë Drejtorisë së Policisë Qarkut Durrës.
3. Ne datën 10.01.2014 paditësi ka paraqitur ankim para Organit Administrativ i cili ka marrë në shqyrtim Procesverbalin e Konstatimit të shkeljes datë 09.01.2014 me nr.serie 1243525 dhe në përfundim me vendimin nr.224 datë 14.01. 2014 ka vendosur dënimin e paditësit me 6000 lekë gjobë për shkelje të nenit 72/12 të K.Rrugor.
4. Ndodhur në këto kushte pala paditëse Ilir Dode i është drejtuar gjykatës me padinë objekt gjykimi.
5. Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Durrës me vendimin nr.160 datë 24.02.2014 ka vendosur: “Rrëzimin e padisë së ngritur nga paditësi Ilir Dode si e pabazuar në prova dhe në ligj. Shpenzimet gjyqësore i ngarkohen paditësit. Ky vendim është përfundimtar dhe kundër tij nuk lejohet ankim”.
5.1 Arsyetimi i gjykatës: “Nga provat rezultoi se paditësi ka qarkulluar me automjetin e tij të llojit autoveturë me xhama të dyerve të pasme dhe xhamin e pasmë të errësuar. Errësimi ishte bërë duke vendosur letër të errësuar. Këtë fakt e pohoi edhe vete paditësi. Ky fakt përbën shkelje të nenit 72/12 të K.Rrugor dhe kjo shkelje dënohet me gjobë nga 5000 deri në 20.000 lekë. Gjykata çmon se ligji ka parashikuar ndalimin e errësimit të xhamave të autoveturave dhe ky ndalim ka kuptimin për të gjithë xhamat e autoveturave dhe jo vetëm për xhamin e përparmë siç pretendon paditësi. Nëse ligji kishte për qellim ndalimin e errësimit të xhamit të përparmë gjë e cila nuk ka logjike interpretative, duhet ta kishte cilësuar këtë fakt”.
6. Gjykata Administrative e Apelit Tiranë, me vendimin nr.2069 datë 27.05.2014 vendosi: “Mospranimin e ankimit kundër vendimit nr.160 datë 24.02.2014 të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Durrës. Kundër vendimit nuk lejohet rekurs në Gjykatën e Lartë”.
6.1 Arsyetimi i gjykatës:“ Nga shqyrtimi i çështjes në dhomë këshillimi mbi bazën e dokumenteve, kolegji i Gjykatës Administrative të Apelit çmon se vendimi nr.160 datë 24.02.2014 i Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Durrës nuk duhet të ankimohet gjyqtari ka vendosur drejtë sipas parashikimit ligjor. Në lidhje më sa parashtron ankuesi për pezullimin e zbatimit dhe dërgimin e çështjes për kontroll të kushtetutshmërisë së tij , nenit 45 të ligjit nr 49/2012 ky kolegj vlerëson se për çështjen e ngritur nga paditësi kolegjet e bashkuara të gjykatës së lartë e kanë trajtuar në vendimin unifikues nr 3/2013. Me qëllim vlerësimin e zbatimit të parimit të proporcionalitetit kur me ligj vendoset një kufizim i një të drejte themelore, duhet të identifikohen interesat publikë për të cilat është vendosur masa kufizuese. Në rastin konkret, interesi publik i identifikuar ka të bëjë me nevojën e një administrimi sa më të mirë, efektiv dhe efikas të drejtësisë, duke i dhënë zgjidhje sa më të shpejtë mosmarrëveshjeve administrative dhe arritjen e paqes sociale me kosto sa më të ulët për shtetin dhe publikun. Nisur nga përfundimet e nxjerra nga gjykata e lartë në vendimin unifikues ky kolegj çmon se neni 45 i ligjit nr 49/2012 nuk përbën kufizim të së drejtës së ankimit për t'iu drejtuar një gjykate më të lartë.”.
7. Kundër vendimit nr.2069 datë 27.05.2014 të Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë, ka ushtruar rekurs, brenda afatit ligjor, pala paditëse Ilir Dode i cili kërkon ndryshimin e vendimeve dhe pranimin e padisë, duke parashtruar shkaqet e pasqyruar në pjesën hyrëse të këtij vendimi.
LIGJI I ZBATUESHËM
8. Dispozitat e ligjit nr.49/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatave Administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”;
8.1 Neni 1/2: “Dispozitat e këtij ligji plotësohen me parashikimet e Kodit të Procedurës Civile, me përjashtim të rasteve dhe për aq sa ky ligj nuk parashikon ndryshe”.
8.2 Neni 17/2: “Gjykata zgjidh mosmarrëveshjet në përputhje me dispozitat ligjore dhe normat e tjera në fuqi, që janë të detyrueshme. Ajo bën një cilësim të saktë të fakteve dhe veprimeve që lidhen me mosmarrëveshjen, pa u lidhur me përcaktimin që mund të propozojnë palët”.
8.3. Neni 56: “Nuk lejohet rekurs ndaj vendimeve përfundimtare të Gjykatës Administrative të Apelit për padi me objekt:
a) kundërshtimin e dënimit për kryerjen e kundërvajtjeve administrative, me vlerë më të vogël se dyzet fishi i pagës minimale, në shkallë vendi;
b) kundërshtimin e aktit administrativ që përmban detyrim në të holla, me vlerë më të vogël se dyzet fishi i pagës minimale, në shkallë vendi;
c) kundërshtimin e aktit administrativ që ka refuzuar dhënien e detyrimit në të holla, me vlerë më të vogël se dyzet fishi i pagës minimale, në shkallë vendi;
ç) mosmarrëveshjet që lidhen me mbrojtjen e të drejtave, lirive dhe interesave kushtetuese dhe ligjore, që rrjedhin nga sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, ndihma ekonomike dhe pagesa e aftësisë së kufizuar, me vlerë më të vogël se dyzet fishi i pagës minimale, në shkallë vendi”.
9. Vendimi Unifikues nr.3 datë 06.12.2013 i Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë.
KOLEGJI ADMINISTRATIV I GJYKATËS SË LARTË VLERËSON:
10. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë vlerëson se, rekursi i paraqitur nga pala paditëse Ilir Dode është ushtruar kundër një vendimi përfundimtar të Gjykatës Administrative të Apelit për të cilin nuk lejohet rekurs.
11. Në rastin konkret nisur nga objekti i gjykimit, akti që kundërshtohet në këtë gjykim, si dhe nga shkaku ligjor i kërkimeve të palës paditëse, Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë konstaton se natyra e çështjes në gjykim është administrative.
12. Në datën 04.11.2013 kanë filluar funksionimin gjykatat administrative, veprimtaria dhe kompetenca e të cilave është përcaktuar në ligjin e posaçëm nr.49, datë 03.05.2012 "Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative". Si rrjedhojë, duke nisur nga data 04.11.2013 të gjitha mosmarrëveshjet që kanë qënë administrative, janë në kompetencë dhe janë objekt gjykimi i gjykatave administrative sipas parashikimeve të ligjit 49/2012, pavarësisht nëse çështja gjyqësore i është paraqitur gjykatës për shqyrtim është rregjistruar ose ka qënë në gjykim përprara datës 04.11.2013.
13. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë pa i hyrë zgjidhjes në themel të çështjes konstaton se Ligji nr.49/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative” në nenin 56 të tij, ka klasifikuar një grup çështjesh, për të cilat për shkak të vlerës së objektit të padisë, nuk mund të paraqitet rekurs në Gjykatën e Lartë. Nëse objekti i padisë ka një vlerë më të vogël se ato që parashikohen në nenin 56 të këtij ligji, rekursi nuk lejohet. Ky rregullim i ri ka natyrë kufizuese në krahasim me rregullimin e mëparshëm të Kodit të Procedurës Civile që lejonte të drejtën e ankimit apo rekursit, pavarësisht nga vlera e kërkimit apo së drejtës që ishte objekt shqyrtimi përpara gjykatës.
14. Gjithashtu, Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë në vendimin unifikues nr.3, datë 06.12.2013 kanë arritur në interpretimin unifikues: “Kufizimet financiare që parashikojnë nenet 45 dhe 56 të Ligjit nr.49/2012, në lidhje me të drejtën për të paraqitur ankim në Gjykatën e Apelit Administrativ ose rekurs në Gjykatë të Lartë, nuk zbatohen në lidhje me ankimet apo rekurset e paraqitura përpara datës 04.11.2013”.
15. Rrjedhimisht, Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë çmon se për të gjitha rekurset e paraqitura pas datës 04.11.2013 do të zbatohen kufizimet e parashikuara në nenin 56 të ligjit nr.49/2012. Kufizimi i së drejtës së ankimit nisur nga vlera e padisë gjen zbatim pas datës 04.11.2013. Për rrjedhojë, Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë ka detyrimin për të verifikuar, rast pas rasti, nëse vlera e padisë apo kërkesës në çështjen për të cilën është paraqitur rekurs, është apo jo nën vlerën minimale të përcaktuar sipas nenit 56 të Ligjit nr.49/2012.
16. Në nenin 56 të Ligjit 49/2012 parashikohet shprehimisht se nuk lejohet, rekurs ndaj vendimeve përfundimtare të Gjykatës Administrative të Apelit, për padi me objekt kundërshtim i akteve administrative a mosmarrëveshje administrative me vlerë më të vogël se dyzetfishi i pagës minimale në shkallë vendi. Paga minimale në shkallë vendi, sipas legjislacionit në fuqi, dihet se përcaktohet periodikisht çdo vit nga Këshilli i Ministrave. Vendimi i Këshillit të Ministratave në fuqi në momentin e paraqitjes së rekursit është VKM nr.537 datë 03.07.2013, i cili përcakton se paga minimale në shkallë vendi është 22.000 lekë. Rrjedhimisht, vlera minimale e padisë për efekt të zbatimit të nenit 56 të Ligjit nr.49/2012 është 880.000 lekë, për efekt të pranueshmërisë për shqyrtim të rekursit.
17. Në rastin konkret objekt mosmarrëveshje administrative është kërkimi për anulimin e vendimit nr.224 datë 14.01.2014 të organit administrativ i cili ka dënuar paditësin në vlerën 6000 lekë. Kjo vlerë është dukshëm më e vogël sesa kufiri i parashikuar, prej 880.000 lekë (dyzetfishi i pagës minimale në shkallë vendi), nga neni 56 i Ligjit nr.49/2012, për efekt të pranueshmërisë për gjykim të rekursit të ushtruar kundër vendimit të gjykatës së apelit.
18. Përfundimisht, Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë çmon se vendimi nr.1555 datë 07.05.2014 i Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë është i pa rekursueshëm në Gjykatën e Lartë dhe nuk është objekt i shqyrtimit të këtij Kolegji sipas parashikimeve të nenit 56 të Ligjit nr.49/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative” dhe për pasojë janë kushtet ligjore kur duhet të vendoset pushimi i gjykimit të çështjes.
PËR KËTO ARSYE
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, duke u bazuar në nenin 63 të ligjit nr.49, datë 03.05.2012 “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”.
V E N D O S I
Pushimin e gjykimit të çështjes nr.31001-03964-00-2014- në Gjykatën e Lartë.
Tiranë, më 30.03.2016
Nr. 31001-00811-00-2014 i Regj. Themeltar
Nr. 00 - 2016 - 1300 i Vendimit ( 201)
Do'stlaringiz bilan baham: |