VENDIM NË EMËR TË REPUBLIKËS
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, i përbërë prej:
Evelina Qirjako Kryesuese
Tom Ndreca Anëtar
Medi Bici Anëtar
në datën 17.03.2016, në dhomë këshillimi, mori në shqyrtim çështjen administrative me nr.00586/2013 akti, që u përket palëve:
PADITËS: SHOQËRIA “ALBSIG” SH.A
PALË E PADITUR: NJËSIA E TATIMPAGUESVE TË MËDHENJ TIRANË.
DREJTORIA E APELIMIT TATIMOR, PRANË DREJTORISË SË PËRGJITHSHME TË TATIMEVE.
OBJEKTI:
Shfuqizimin e njoftimit të vlerësimit për detyrimet tatimore,
gjobë nr.27614/2 prot., datë 18.10.2010
të Njësisë së Tatimpaguesve të Mëdhenj Tiranë.
Shfuqizimin e vendimit nr.20448/1 prot., datë 03.02.2011
të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve Tiranë.
Baza Ligjore: Neni 31, 32, 36, 41, 42, 153, 324 e vijues të K.Pr.Civile,
nenet 54, 55, 109 e vijues të Ligjit nr.9920, datë 19.05.2008
“Për procedurat tatimore në RSH”,
neni 118 i Ligjit nr.9267, datë 29.07.2004
“Për veprimtarinë e sigurimit, risigurimit dhe ndërmjetësimin në sigurime”,
VKM nr.781, datë 14.11.2008.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendimin nr.7710, datë 07.10.2011, ka vendosur:
-Pranimin e kërkesë padisë.
-Anullimin e njoftimit të vlerësimit për detyrimet tatimore, gjobë nr.27614/2 prot., datë 18.10.2010 të Njësisë së Tatimpaguesve të Mëdhenj Tiranë.
-Anullimin e vendimit nr.20448/1 prot., datë 03.02.2011 të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve Tiranë.
-Shpenzimet gjyqësore i ngarkohen palës së paditur.
Gjykata e Apelit Tiranë, me vendimin nr.1804, datë 06.07.2012, ka vendosur:
-Lënien në fuqi të vendimit nr.4076, datë 17.05.2011 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Kundër këtij vendimi, ka paraqitur rekurs pala e paditur, Drejtoria Rajonale e Tatimpaguesve të Mëdhenj Tiranë, e cila kërkon prishjen e vendimit nr.1804, datë 06.07.2012 të Gjykatës së Apelit Tiranë dhe rrëzimin e padisë, duke parashtruar shkaqet e mëposhtme:
-
Vendimi i gjykatës së apelit është marrë në kundërshtim me ligjin dhe provat e administruar në gjykim.
-
Vendimet e marra nga palët e paditura në këtë gjykim, janë të drejta dhe në përputhje të plotë me dispozitat ligjore në fuqi.
-
Inspektorët e Drejtorisë Rajonale Tatimore të Tatimpaguesve të Mëdhenj, kanë konstatuar se, pala paditëse ka kryer kundravajtje administrative, duke mos instaluar kasën fiskale. Gjithashtu, ky subjekt ka zbatuar keq parashikimet ligjore të VKM nr.781, datë 14.11.2007, konkretisht të neneve 37 e 38/a të saj.
-
Të gjithë subjektet tatimpagues kanë pasur detyrimin ligjor që të pajisen dhe instalojnë pajisjen fiskale, brenda periudhës “nëntor 2008 - maj 2009”.
-
Pretendimi i palës paditëse se, të gjitha transaksionet financiare është i detyruar që ti kryejë nëpërmjet bankave, bazuar në Ligjin nr.9267, datë 29.07.2004 “Për veprimtaritë e sigurimit dhe të risigurimit dhe ndërmjetësimit në sigurime dhe risigurime”, neni 118 i tij, nuk është i bazuar.
Bazuar në nenin 3, pika 20 dhe 21 të ligjit të sipërcituar, pagesa e primit bëhet me para në dorë dhe për këtë arsye, sipas Ligjit nr.9920, datë 19.05.2008 “Për Procedurat Tatimore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, paditësi është i detyruar të instalojë kasën fiskale.
-
Paditësi ka paraqitur si provë në këtë gjykim shkresën me nr.11700/1 prot. datë 28.12.2010 të Ministrit të Financave, lidhur me zbatimin e nenit 55 të Ligjit nr.9920, datë 19.05.2008 “Për Procedurat Tatimore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar.
-
Në lidhje me këtë shkresë, edhe pse i është kërkuar sqarim Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, ana e paditur në këtë gjykim ka qëndrimin e saj në lidhje me këtë shkresë.
-
Kjo shkresë nuk ka vlerë provueshmërie në lidhje me këtë gjykim, pasi interpretimi që është bërë në shkresën me nr.11700/1 prot. datë 28.12.2010 të Ministrit të Financave, drejtuar Drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve, lidhur me zbatimin e nenit 55 të Ligjit nr.9920, datë 19.05.2008 “Për Procedurat Tatimore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, vjen në kundërshtim Udhëzimin nr.16, datë 03.05.2010 “Për administrimin dhe dokumentimin e procedurave të pajisjeve fiskale”, pika 2.5, në të cilin përcaktohet se: “Tatimpaguesi që ka detyrimin për përdorimin e pajisjes fiskale në shitjen e mallrave dhe shërbimeve dhe që sipas kërkesave të ligjit ka lëshuar faturë tatimore (apo policë sigurimi e cila është njehsuar me faturën tatimore) është i detyruar të lëshojë edhe kuponin tatimor referuar kësaj fature në të cilin ka të evidentuar edhe numrin e faturës që ky kupon shoqëron”.
KOLEGJI ADMINISTRATIV I GJYKATËS SË LARTË
Pasi dëgjoi relacionin e çështjes objekt gjykimi nga gjyqtarja relatore Evelina Qirjako, dhe verifikoi legjitimitetin e palës rekursuese Drejtoria Rajonale e Tatimpaguesve të Mëdhenj Tiranë;
V Ë R E N
1. Nga aktet e administruara në dosjen gjyqësore, rezulton se Shoqëria “Albsig” sh.a, është rregjistruar si person juridik tregtar me numër NIPTI K42108801C dhe ushtron veprimtarinë e saj në fushën e sigurimeve dhe risigurimeve private.
2. Pranë palës paditëse, në pikën ku ushtronte aktivitetin e saj në qytetin e Korçës, është ushtruar kontroll nga ana e të paditurit, Njësia e Hetimit Tatimor Tiranë, nga i cili, sipas konstatimeve të inspektorëve të këtij të fundit, ka rezultuar se subjekti “Albsig” sh.a, nuk ka qenë i pajisur me kasë fiskale. Për këtë arsye, është mbajtur proces-verbali i Gjobës me nr.0028323, datë 27.09.2010, në të cilin është vendosur që pala paditëse në bazë të nenit 122, pika 1, gërma “a” e Ligjit nr.9920, datë 19.05.2008, i ndryshuar me Ligjin nr.10209, datë 23.12.2009, të gjobitet në masën e 100.000 lekëve.
3. Mbi bazën e këtij kontrolli të ushtruar nga inspektorët e Drejtorisë Rajonale të Tatimeve Tiranë, Njësia e Tatimpaguesve të Mëdhenj, ka dalë Njoftim Vlerësimi Tatimor me nr.27614/2 prot., datë 18.10.2010, nëpërmjet të cilit, subjekti paditës është gjobitur në masën prej 100.000 lekë.
4. Pala paditëse, duke mos rënë dakort me këtë Njoftim Vlerësimi Tatimor, e ka ankimuar atë pranë Drejtorisë së Apelimit Tatimor në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, e cila, pasi ka marrë në shqyrtim ankesën e paditësit, me vendimin nr.20446/1, datë 03.02.2011, ka vendosur: “Lënien në fuqi të aktit objekt ankimi administrativ, Njoftim Vlerësimi për Detyrimet Tatimore Gjobë, nr.27614/2 prot., datë 18.10.2010, të DRT NjTM Tiranë, për tatimpaguesin “Albsig” sh.a, për shumën 100.000 lekë”.
5. Në kushtet kur pala paditëse nuk ka rënë dakort me këtë vendim të marrë nga ana e palëve të paditura, në datën 04.03.2011 i është drejtuar Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë për të kundërshtuar aktet e nxjerra nga pala e paditur, me arsyetimin se, pala paditëse nuk është subjekt i nenit 55 të Ligjit nr.9920, datë 19.05.2008 “Për procedurat tatimore të Republikën e Shqipërisë”, dhe as i VKM nr.781, datë 14.11.2008.
6. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendimin nr.7710, datë 07.10.2011, ka vendosur:
-Pranimin e kërkesë padisë.
-Anullimin e njoftimit të vlerësimit për detyrimet tatimore, gjobë nr.27614/2 prot., datë 18.10.2010 të Njësisë së Tatimpaguesve të Mëdhenj Tiranë.
-Anullimin e vendimit nr.20448/1 prot., datë 03.02.2011 të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve Tiranë.
-Shpenzimet gjyqësore i ngarkohen palës së paditur.
6/1. Kjo gjykatë ka arsyetuar se: “...Nga analiza e dispozitave ligjore të sipërcituara, gjykata vlerëson se qëllimi i ligjit është të disiplinojë aktivitetin tregtar në drejtim të deklarimeve të plota të transaksioneve, me qëllim pagimin korrekt të detyrimeve tatimore, duke instaluar dhe përdorur kasën fiskale, situatë e cila logjikisht lidhet me ato subjekte të cilët nuk kryejnë transaksione bankare, pasi këto të fundit janë lehtësisht të evidentueshme. Neni 55/1 i ligjit, nuk bën diferencime në llojin e aktivitetit apo të shoqërisë tregtare që e ushtron atë, por e lidh detyrimin e pajisjes me kasë vetëm me qarkullimin e mallrave apo realizimin e shërbimeve të cilat nuk shoqërohen me pagesë në rrugë bankare. Në rastin konkret, pala paditëse e provoi një gjë të tillë, pasi natyra e aktivitetit të saj (fushën e sigurimeve dhe risigurimeve) çka do të thotë se, çdo veprim realizohet në rrugë bankare. Në vijim të arsyetimit të mësipërm vlen për t’u theksuar se në interpretim të nenit 55 të ligjit nr.9920, datë 19.05.2008 “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, Ministri i Financave i ka dërguar shkresë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, e cila mban nr.11700/1 prot., datë 28.12.2010, sipas të cilës thuhet se: “Duhet mbajtur në konsideratë se reforma e fiskalizimit shërben për kontrollin real të qarkullimit të mallrave dhe shërbimeve për të shmangur evazionin fiskal, nuk përbën detyrim për instalim të pajisjeve fiskale, rastet e mëposhtme, sepse në të kundërt do të rezultonin me kosto shtesë të panevojshme për subjektet apo raportim dyfish të transaksioneve për të njëjtin subjekt:... -Tatimpaguesit të cilët ushtrojnë veprimtarinë në fushën e sigurimit, risigurimit dhe ndërmjetësimit në sigurime dhe që operojnë nën mbikqyerjen e Autoritetit të Mbikqyerjes Financiare (AFM), nuk kanë detyrimin e instalimit të pajisjes fiskale, sepse policat e sigurimit janë të njehsuara me fatura tatimore”. Nisur dhe nga kjo shkresë konfirmohet edhe më i saktë fakti se shoqëritë e sigurimit, përderisa të gjitha veprimet dhe shërbimet përkundrejt subjekteve të tjerë tregtare joindividë, i kryejnë nëpërmjet sistemit bankar dhe policat e sigurimit janë të njehsuara me faturat tatimore, nuk kanë detyrimin për t’u pajisur me kasë fiskale...”.
7. Gjykata e Apelit Tiranë, me vendimin nr.1804, datë 06.07.2012, ka vendosur:
-Lënien në fuqi të vendimit nr.4076, datë 17.05.2011 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.
7/1. Kjo gjykatë ka arsyetuar njësoj si edhe Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë.
8. Kundër këtij vendimi, ka paraqitur rekurs pala e paditur, Drejtoria Rajonale e Tatimpaguesve të Mëdhenj Tiranë, e cila kërkon prishjen e vendimit nr.1804, datë 06.07.2012 të Gjykatës së Apelit Tiranë dhe rrëzimin e padisë, duke parashtruar ato shkaqe që pasqyrohen në pjesën hyrëse të këtij vendimi.
KOLEGJI ADMINISTRATIV I GJYKATËS SË LARTË VLERËSON:
9. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, vlerëson se, rekursi i paraqitur nga pala e paditur Drejtoria Rajonale e Tatimpaguesve të Mëdhenj Tiranë, përmban shkaqe nga ato të parashikuara në nenin 58 të Ligjit nr.49/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”, të cilat, i bëjnë të cënueshëm vendimet e gjykatave më të ulëta.
10. Përpara se ky Kolegj të marri në shqyrtim çështjen objekt shqyrtimi, e çmon të arsyeshme që të evidentojë faktin se, në dispozitivin e vendimit të dhënë nga Gjykata e Apelit Tiranë, ka një gabim material përsa i përket pasqyrimit të numrit dhe të vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë. Gjatë gjithë analizës që Gjykata e Apelit Tiranë ka bërë në vendimin e saj, i është referuar vendimit nr.7710, datë 07.10.2011 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë i cili ka qenë edhe objekt shqyrtimi, ndërsa në dispozitivin e saj ajo është shprehur për “Lënien në fuqi të vendimit nr.4076, datë 17.05.2011 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë”. Pra, është e dukshme që kemi të bëjmë me një gabim material në numrin e vendimit dhe datën e tij, në dispozitivin e vendimit të gjykatës së apelit.
11. Në shqyrtim të akteve të ndodhura në dosjen gjyqësore, të cilat i janë nënshtruar hetimit dhe debatit gjyqësor në gjykatat më të ulëta, objektit dhe shkakut ligjor të padisë, pretendimeve të parashtruara në këto akte, si dhe në analizë të vendimeve të gjykatave më të ulëta, Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë vlerëson se, si Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë ashtu edhe Gjykata e Apelit Tiranë, kanë interpretuar dhe zbatuar gabim ligjin material të zbatueshëm për zgjidhjen e çështjes objekt shqyrtimi dhe për këtë arsye çmon se, këto vendime duhet të ndryshohen, duke u rrëzuar kërkesë padia e paditësit.
12. Rezulton se, kërkimi i palës paditëse në këtë gjykim, është: “1. Shfuqizimin e njoftimit të vlerësimit për detyrimet tatimore, gjobë nr.27614/2 prot., datë 18.10.2010 të Njësisë së Tatimpaguesve të Mëdhenj Tiranë. 2. Shfuqizimin e vendimit nr.20448/1 prot., datë 03.02.2011 të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve Tiranë”. Këtë kërkim, pala paditëse e ka bazuar në nenet 31, 32, 36, 41, 42, 153, 324 e vijues të K.Pr.Civile, nenet 54, 55, 109 e vijues të Ligjit nr.9920, datë 19.05.2008 “Për procedurat tatimore në RSH”, neni 118 i Ligjit nr.9267, datë 29.07.2004 “Për veprimtarinë e sigurimit, risigurimit dhe ndërmjetësimin në sigurime”, si dhe VKM nr.781, datë 14.11.2008. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, në referim të kërkimeve të paditësit dhe shkakut ligjor ku ai mbështet këto pretendime, vlerëson se në rastin objekt gjykimi, jemi përpara një konflikti të krijuar si pasojë e nxjerrjes nga ana e administratës tatimore të akteve administrative me anën e të cilave, paditësi është ngarkuar me gjobë për vlerën 100.000 lekë për mospërdorim të kasës fiskale, konflikt ky, i cili duhet të zgjidhet në referim të ligjeve që rregullojnë këtë lloj veprimtarie.
13. Rezulton se, të dyja gjykatat më të ulëta kanë pranuar kërkimet e paditësit me arsyetimin se, shoqëria “Albsig” sh.a nuk ka detyrimin të pajiset me kasë fiskale pasi “...Neni 55/1 i ligjit, nuk bën diferencime në llojin e aktivitetit apo të shoqërisë tregtare që e ushtron atë, por e lidh detyrimin e pajisjes me kasë vetëm me qarkullimin e mallrave apo realizimin e shërbimeve të cilat nuk shoqërohen me pagesë në rrugë bankare. Në rastin konkret, pala paditëse e provoi një gjë të tillë, pasi natyra e aktivitetit të saj (fushën e sigurimeve dhe risigurimeve) ç’ka do të thotë se, çdo veprim realizohet në rrugë bankare...”. Këtë detyrim, shoqëritë e sigurimit e kanë nga neni 118/1 i Ligjit nr.9267, datë 29.07.2004 “Për veprimtaritë e sigurimit dhe të risigurimit dhe ndërmjetësimit në sigurime dhe risigurime”, në të cilin thuhet: “Transaksionet financiare dhe pagesat e dëmeve nga shoqëritë e sigurimeve kryhen nëpërmjet bankave të licensuara nga Banka e Shqipërisë”.
14. Nisur nga analiza e mësipërme, këto gjykata kanë arritur në konkluzionin se, kjo shoqëri nuk është objekt i detyrimeve dhe penaliteteve të parashikuara nga neni 122 i Ligjit nr.9920/2008, si dhe VKM–së nr.781, datë 14.11.2007, i ndryshuar, e për rrjedhojë, aktet administrative objekt gjykimi, duhet të anullohen si të nxjerra në kundërshtim me ligjin.
15. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, vlerëson se, të dyja gjykatat, në marrjen e vendimeve të mësipërm, në kundërshtim me nenin 16 të K.Pr.Civile, nuk e kanë kuptuar dhe nuk e kanë përcaktuar drejtë natyrën e vërtetë të mosmarrëveshjes, shkakun ligjor të kërkimeve të paditësit dhe për rrjedhojë, kanë marrë një vendim të pabazuar në ligj.
16. Referuar nenit 55, pika 1 të ligjit nr.9920, datë 19.05.2008 “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, ku shprehimisht thuhet se: “Tatimpaguesit, që kryejnë qarkullimin e mallrave dhe të shërbimeve, për të cilat pagesat nuk kryhen nëpërmjet bankës, janë të detyruar të fusin dhe të përdorin sistemin fiskal, nëpërmjet përdorimit të pajisjeve fiskale, për regjistrimin e pagesave me para në dorë dhe për lëshimin, në mënyrë të detyrueshme, të kuponit tatimor”, çdo subjekt tatimor, për të gjitha veprimet që nuk kryen nëpërmjet bankës, ka detyrimin të instalojë, mbajë dhe përdorë kasë fiskale. Ky Kolegj, ҫmon të theksojë se shoqëritë e sigurimit, referuar objektit dhe aktivitetit të tyre tregtar, ofrojnë si shërbime, transaksionet e të cilave kryhen nëpërmjet bankës, ashtu dhe shërbime të tjera për të cilat pagesa bëhet me para në dorë, një prej të cilave është dhe shitja e policave të sigurimit (e cila është e njehsuar me faturën tatimore).
17. Sa më sipër parashikohet dhe në Udhëzimin e Ministrit të Financave, nr.16, datë 03.05.2010, “Për administrimin dhe dokumentimin e procedurave të pajisjeve fiskale”, pika 2.5, e tij, ku parashikohet se: “Tatimpaguesi që ka detyrimin për përdorimin e pajisjes fiskale në shitjen e mallrave dhe shërbimeve dhe që sipas kërkesave të ligjit ka lëshuar faturë tatimore, është i detyruar të lëshojë edhe kuponin tatimor referuar kësaj fature në të cilin ka të evidentuar edhe numrin e faturës që ky kupon shoqëron, në rastet kur pagesa bëhet me lekë në dorë...”. Në analizë të kësaj dispozite, çdo subjekt i cili lëshon një faturë tatimore, është i detyruar që të lëshojë edhe kuponin tatimor, pra të instalojë, mbajë dhe përdorë kasë fiskale. Përsa kohë shoqëritë e sigurimit shesin polica sigurimi, të cilat janë të barasvlershme me faturën tatimore dhe shitja e tyre bëhet me para në dorë, pala paditëse në cilësinë e tatimpaguesit, nuk mund të pretendojë se të gjitha shërbimet i kryen nëpërmjet bankës, dhe se nuk ka detyrimin ligjor për t’u pajisur me kasë fiskale. Në kushtet kur pala paditëse, ofron shërbime kundrejt pagesës me para në dorë, është e detyruar të instalojë dhe mbajë kasë fiskale, si dhe të lëshojë kuponin tatimor, për çdo lloj shërbimi të tillë me para në dorë. Në të njëjtën kohë, ky Kolegj thekson se, as në Ligjin nr.9920, datë 19.05.2008 “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë” dhe as në aktet nënligjore që kanë dalë në bazë dhe zbatim të tij, nuk rezulton ndonjë parashikim i posaçëm, në të cilin të pasqyrohet fakti që, shoqëritë e sigurimeve të jenë të përjashtuara nga një detyrim i tillë.
18. Ky konkluzion i mësipërm, gjen mbështetje edhe në parashikimet e VKM nr.781, datë 14.11.2007 “Për karakteristikat teknike e funksionale të pajisjeve fiskale, sistemit të integruar të kompjuterizuar për transferimet periodike, automatike, të deklarimeve financiare, sistemit të komunikimit, për procedurën e dokumentacionit për miratimin e tyre dhe për kriteret për pajisjen, me autorizim, të shoqërive të autorizuara për ofrimin e pajisjeve fiskale”, i ndryshuar me VKM nr.96, datë 17.02.2010, Kreu III, pika 2, paragrafi pas gërmës “ç”, ku parashikohet shprehimisht se “Nuk janë të detyruar të përdorin pajisje fiskale, sipas kërkesave të këtij vendimi, ambulantët dhe shërbimi i transportit, të përcaktuar në shtojcën nr.5 të ligjit nr.9632, datë 30.10.2006 "Për sistemin e taksave vendore” (dispozitë ligjore në fuqi, në momentin e nxjerrjes së aktit “njoftim vlerësimi tatimor”, objekt i këtij gjykimi). Në analizë të kësaj dispozite, rezulton se shoqëritë e sigurimit nuk përfshihen në rrethin e subjekteve të përjashtuar nga detyrimi për mbajtjen e kasave fiskale, të cilët janë: i) shërbimet e transportit; ii) ambulantët. Pra, rezulton se, përveç subjekteve të mësipërm të cilët ligji i ka përjashtuar nga detyrimi për të instaluar dhe përdorur kasë fiskale, të gjithë subjektet e tjerë tatimpagues kanë një detyrim të tillë, mospërmbushja e të cilit, sjell si pasojë penalizimin e tyre sipas ligjit.
19. Përveç sa më sipër, Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, vlerëson të theksojë se, edhe në analizë të nenit 118 të Ligjit nr.9267, datë 29.07.2004 “Për veprimtarinë e sigurimit, risigurimit dhe ndërmjetësimit në sigurime dhe risigurime”, dispozitë kjo, që i referohen dhe janë mbështetur gjykatat më të ulëta në dhënien e vendimit të tyre, rezulton qartë se vetëm një kategori e caktuar veprimesh janë të detyruara të kryhen nëpërmjet bankës, dhe këto janë veprimet që lidhen me pagesën për dëmet, si dhe kur këto shoqëri kryejnë transaksione kundrejt të tretëve. Për shërbimet e tjera që këto shoqëri mund të ofrojnë në treg, kundrejt pagesës me para në dorë (cash), këto subjekte kanë detyrimin të lëshojnë faturë tatimore sipas ligjës dhe për rrjedhojë kanë edhe detyrimin e pajisjes me kasë fiskale, në bazë të detyrimeve të përcaktuara në Ligjin nr.9920, datë 19.05.2008 “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë.
20. Nga kontrolli që kanë kryer inspektorët e palës së paditur, Njësisë së Tatimpaguesve të Mëdhenj Tiranë, ka rezultuar se subjekti shoqëria “Albsig” sh.a, i cili ushtron aktivitet në fushën e sigurimeve dhe risigurimeve, nuk ka të instaluar dhe nuk ka përdorur pajisjen fiskale. Bazuar në nenin 122 të Ligjit nr.9920, datë 19.05.2008 “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, në të cilin parashikohet se: “Tatimpaguesi, person juridik, dënohet me gjobë nga 20 000 lekë deri në 100 000 lekë nëse:... a) nuk instalon dhe përdor pajisjen fiskale për regjistrimin e pagesave me para në dorë;...”, evidentohet se, mosinstalimi apo mospërdorimi i kasave fiskale, përbën kundravajtje administrative dhe dënohet me gjobë nga ana e organeve tatimore.
21. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, referuar akteve shkresore të administruara në dosje, pretendimeve të palëve në proçes, si dhe dispozitave ligjore të zbatueshme në mosmarrëveshjen objekt shqyrtimi, vlerëson se, përsa kohë pala paditëse nuk ka pasur të instaluar pajisjen fiskale, kjo palë ka kryer kundravajtje administrative, dhe në kuptim të nenit 122, gërma “a” të Ligjit nr.9920/2008, me të drejtë organet tatimore e kanë gjobitur atë në raport me shkeljen e kryer.
22. Në përfundim të analizës së mësipërme, Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë vlerëson se, si vendimi nr.7710, datë 07.10.2011 dhënë nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe vendimi nr.1804, datë 06.07.2012 i Gjykatës së Apelit Tiranë, janë marrë në interpretim të gabuar të ligjit material, dhe për këtë arsye këto vendime duhet të ndryshohen, duke u vendosur rrëzimi i kërkesë padisë së ngritur nga pala paditëse shoqëria “Albsig” sh.a.
PËR KËTO ARSYE
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, në bazë të nenit 63, të Ligjit nr.49/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”,
V E N D O S I
Ndryshimin e vendimit nr.7710, datë 07.10.2011 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe vendimit nr.1804, datë 06.07.2012 të Gjykatës së Apelit Tiranë, dhe rrëzimin e kërkesë padisë.
Tiranë më 17.03.2016
Nr. 31001-00449-00-2013 i Regj. Themeltar
Nr. 00 - 2016 - 2071 i Vendimit (168)
Do'stlaringiz bilan baham: |