VENDIM
NË EMËR TË REPUBLIKËS
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, i përbërë nga:
Xhezair Zaganjori Kryesues
Evelina Qirjako Anëtar
Medi Bici Anëtar
Në datën 24.03.2016 mori në shqyrtim në dhomën e këshillimit çështjen administrative me nr.31001-02104-00-2014 akti që iu përket palëve:
PADITËS: XHEMIL BIRAÇI
I PADITUR: DREJTORIA E PËRGJITHSHME E POLICISË SË SHTETIT TIRANË
OBJEKTI:
Deklarimin absolutisht të pavlefshëm të aktit administrativ,
Urdhrit nr.739/2, datë 18.10.2012 për largimin tim nga puna,
pasi është nxjerrë në kundërshtim flagrant me ligjin.
Detyrimin e palës së paditur për të rregulluar e zgjidhur
të gjithë pasojat juridike që rrjedhin nga zgjidhja e njëanshme
e menjëhershme dhe pa shkaqe të justifikuara të marrëdhënieve të punës,
të dëmshpërblejë paditësen në masën:
-
12 paga mujore për zgjidhjen e njëanshme të menjëhershme
-
dhe pa shkaqe të justifikuara të marrëdhënieve të punës;
-
3 paga për mosrespektimin e afateve të njoftimit për zgjidhje kontrate;
-
2 paga mujore për mosrespektim të afateve të njoftimit për zgjidhje kontrate;
-
3 paga mujore për vjetërsi në punë;
-
Pagimin e lejes së zakonshme për periudhën Janar-Tetor 2013;
Detyrimin e palës së paditur të rikthejë paditësin në vendin e mëparshëm të punës.
Baza Ligjore: Nenet 31, 41, 54, 154, 154/a të K.Pr.Civile,
nenet 7/1, 2, 140, 141, 143, 144, 146, 152, 154 të Kodit Punës,
nenet 115/1, 116/1 të K.Pr.Administrative,
ligji nr.9749/2007 “Për policinë e shtetit” d
he VKM nr.786/2008
“Për miratimin e rregullores së disiplinës së Policisë së Shtetit”.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, me vendimin nr.21-2013-939/1737, datë 25.11.2013 ka vendosur:
Deklarimin e moskompetencës së Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër për gjykimin e çështjes civile nr.them 1062/21249-01355-21-2013 regj. them, datë 04.11.2013.
Dërgimin e padisë dhe akteve bashkëngjitur asaj, Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, me vendimin nr.20, datë 13.12.2013 ka vendosur:
Prishjen e vendimit nr.21-2013-939/1737, datë 25.11.2013 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër dhe dërgimin e çështjes për gjykim në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Gjirokastër.
Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Gjirokastër me vendimin nr.31, datë 29.01.2014 ka vendosur:
Pranimin pjesërisht të kërkesëpadisë.
Detyrimin e anës së paditur, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, ti paguajë paditësit Xhemil Biraçi 12 paga mujore si dëmshpërblim për dëmin e shkaktuar si rrjedhojë e marrjes në kundërshtim me ligjin të Urdhrit nr.739/2, datë 18.10.2013 “Për lirimin e paditësit nga detyra e shefit të komisariatit të Policisë Gjirokastër”.
Llogaritja e shpërblimeve të mësipërme të bëhet në bazë të pagës që paditësi ka patur në fund të ndërprerjes së marrëdhënieve të punës.
Rrëzimin e kërkesëpadisë për pjesën tjetër të objektit të saj.
Gjykata Administrative e Apelit me vendimin nr.1088, datë 26.03.2014 ka vendosur:
Ndryshimin e vendimit nr.31, datë 29.01.2014 të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Gjirokastër, në këtë mënyrë:
Rrëzimin e padisë së paditësit Xhemil Biraçi, si të pabazuar në ligj.
Ndaj vendimit të sipërcituar rezulton të ketë paraqitur rekurs pala paditëse Xhemil Biraçi, i cili kërkon:
Prishjen pjesërisht të vendimit nr.31, datë 29.01.2014 të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Gjirokastër për pjesën ku është vendosur rrëzimi i padisë dhe prishjen e vendimit nr.1088, datë 26.03.2014 të Gjykatës Administrative të Apelit me të cilin është vendosur rrëzimi i kërkesëpadisë.
Shkaqet që pala paditëse Xhemil Biraçi paraqet në rekurs, janë:
-
I kundërshtojmë këto vendime, pasi ligji material nuk është respektuar dhe vendimi i dhënë vjen në kundërshtim me vendimin e Kolegjeve të Bashkuara nr.31,datë 14.04.2003. Në qoftë se gjykata administrative e shkallës së parë Urdhrin nr.739/2 e ka konstatuar si një urdhër të marrë në kundërshtim me ligjin gjykata e apelit e ka rrëzuar tërësisht padinë, duke e konsideruar këtë një urdhër të drejtë e ndërkohë në arsyetimin e saj asnjëherë nuk i është referuar urdhërit dhe rrethanave të daljes së këtij urdhëri.
-
Padia e ngritur nga ana e jonë bazohet në ligj referuar konkretisht: nenet 20/2, 57, 78 të ligjit nr.9749, datë 04.06.2007 dhe VKM nr.804, datë 21.11.2007 “Për miratimin e rregullores së personelit të policisë së shtetit”. Sipas nenit 16 të K.Pr.Civile punonjësit që merren në radhët e policisë janë përpara një marrëdhënie kontraktore në formën e kontratës së shërbimit publik. Kushtet e kontratës parashikohen në ligjin specifik “Për Policinë e Shtetit” dhe përsa nuk specifikohet në këtë ligj zbatohen dispozitat e Kodit Punës.
-
Nisur nga përmbajtja e Urdhrit nr.739/2, datë 18.10.2013 “Për lirimin e paditësit nga detyra e Shefit të Komisariatit të Policisë Gjirokastër” rezulton se: I padituri në Urdhërin e nxjerrë prej tij nuk ka treguar asnjë shkak apo motivacion për të cilin ka ndërmarrë nismën për nxjerrjen e urdhërit, pasi nuk ekzistojnë, ndërkohë që ligjet e cituara më sipër të cilët normojnë veprimtarinë e policisë së shtetit, kanë të përcaktuara saktë bazën ligjore dhe kur nxirret urdhëri apo motivet e tij.
-
Përkundrazi në gjykimin në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Gjirokastër si dhe atë të apelit vërtetohet se unë paditësi plotësoj të gjitha kushtet për të qenë në detyrën që unë mbaja, për vlerësimet në punë kualifikimin dhe çdo parametër që normon veprimtarinë e punës që unë kam kryer. Në respektim të ligjit, nenit 78 kam ushtruar të drejtën e ankimit për të cilin nuk kam marrë asnjë përgjigje si dhe i jam drejtuar gjykatës, pasi një të drejtë të tillë ma jep po ligji.
-
I jam drejtuar gjykatës, pasi urdhëri i nxjerrë nuk ka bazë ligjore dhe për rrjedhojë, duke qenë një urdhër i nxjerrë në kundërshtim me ligjin i kam kërkuar që në bazë të Kodit Punës për zgjidhje të menjëhershme të marrëdhënieve të punës të dëmshpërblehem, pasi ligji specifik nuk e parashikon një gjë të tillë referuar edhe vendimit unifikues të Kolegjeve të Bashkuara nr.31, datë 14.4.2008.
-
Gjykata e apelit, duke rrëzuar padinë nuk shprehet në asnjë rresht të saj nëse urdhëri është nxjerrë apo ajo në kundërshtim me ligjin, por anashkalon argumentimin, duke u përqendruar nëse në rastin e lirimit zbatohen apo jo dispozitat e Kodit Punës. Pra së pari me anë të këtij rekursi kundërshtoj vendimin e gjykatës së apelit, e cila rrëzon padinë dhe në asnjë rast dhe asnjë argument nuk shprehet nëse urdhëri është nxjerrë në kundërshtim ose jo me ligjin, por merret me pasojat nëse duhet ti referohet zgjidhja e tyre Kodit Punës.
-
Përkundrazi pranon se urdhëri i lirimit është një e drejtë e Drejtorit të Policisë së Shtetit, por nuk i përmbahet ligjit se për cilat raste punonjësi del në lirim, por as e argumenton se ligji në rastin tonë është zbatuar.
-
Gjykata e apelit i referohet ligjit specifik dhe zgjidhjes së pasojave në rastin e lirimit, por kërkimi im është se lirimi im nga detyra është bërë në kundërshtim me ligjin dhe kur lirimi është bërë në kundërshtim me ligjin. Ligji specifik nuk ka asnjë referencë ndaj sipas praktikës unifikuese të Gjykatës së Lartë zbatohen dispozitat e Kodit Punës.
Rezulton të jetë paraqitur kundërrekurs nga pala e paditur Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, e cila kërkon: Mospranimin e rekursit të paraqitur nga paditësi. Lënien në fuqi të vendimit të Gjykatës Administrative të Apelit.
Shkaqet që pala e paditur Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit paraqet në kundërrekurs, janë:
-
Gjykata Administrative e Apelit ka nxjerrë një vendim të bazuar në ligj për këto arsye: Paditësi pretendon të zbatohet Kodi i Punës në rastin konkret, por Kodi i Punës shqyrtohet në katër aspekte: (i) në hapsirë “ratio loci” (neni 3 i K.Punës), (ii) sipas personave “ratio personale” (Neni 4 i K.Punës), (iii) sipas fushës “ratio materia” (neni 5 i K.Punës) dhe (iv) në kohë “ratio temporis”(neni 6 i K.Punës).
-
Në koherencë me rregullimet ligjore Kodi i Punës zbatohet në mënyrë subsidare, në çdo rast që për punëmarrësin nuk mund të zbatohet një ligj tjetër i veçantë. Në përcaktimin e ligjit të zbatueshëm për rastin në shqyrtim duhet referuar në kategorizimin e personit dhe të fushës ku paditësi ka ushtruar detyrën (“ratio personae” dhe “ratio materia”).
-
Në rastin konkret gjejnë zbatim dispozitat e ligjit të posaçëm, kjo për arsye se në legjislacionin e posaçëm (ligji nr.9749, datë 04.06.2007 “Për Policinë e Shtetit”), parashikohet statusi i punonjësit të policisë, pranimi në radhët e policisë, emërimi dhe lirimi, largimet dhe përjashtimet, masat disiplinore dhe ankimet për largimin ose përjashtimin nga policia. Ndonëse nuk janë përcaktuar në mënyrë shteruese rastet e zgjidhjes së kontratës së punës si dhe marrëdhëniet e punës midis punëdhënësit dhe punëmarrësit në tërësinë e saj, në këtë legjislacion janë përcaktuar në mënyrë eksplicite jo vetëm rastet kur punonjësi largohet nga policia e shtetit dhe për rrjedhojë i zgjidhet kontrata e punës, por ligji e ka përcaktuar dhe të drejtat që punonjësit të policisë i takojnë si përfitime suplementare nga zgjidhja e kontratës së punës.
-
Në kuptim të legjislacionit “Për Policinë e Shtetit”, largimi nga policia e shtetit është i ndryshëm nga përjashtimi, si për arsyet për të cilat ai kryhet ashtu edhe për pasojat juridike që vijnë prej tij. Në thelb largimi nga policia e shtetit është ndërprerje karriere ose pamundësi e vazhdimit të saj për rastet e parashikuara shprehimisht në ligj, ndërsa përjashtimi është i lidhur pazgjidhshmërisht me rrethana të tilla që kanë të bëjnë me veprime ose mosveprime të punonjësit në kundërshtim me ligjin dhe aktet nënligjore që normojnë veprimtarinë në Policinë e Shtetit apo thënë ndryshe me veprime ose mosveprime që përbëjnë të paktën shkelje disiplinore.
-
Përfitimet për rastet kur punonjësi i policisë ndërpret karrierën jo për shkaqe disiplinore nuk njehsohen me shpërblimin e dëmit që përfiton punonjësi i policisë së shtetit kur marrëdhënia e punës i zgjidhet në mënyrë të njëanshme, me efekt të menjëhershëm dhe pa shkaqe të arsyeshme apo të justifikuara në kuptim të neneve 146 dhe 153 të Kodit Punës. Por, nga ana tjetër, ndërprerja e karrierës për shkaqe të justifikuara nga ligji “Për Policinë e Shtetit” i shoqëruar me përfitimet e parashikuara në dispozitat ligjore të sipërcituara nuk përbën shkak ligjor që punonjësit të larguar nga policia ti jepen dëmshpërblimet sipas Kodit Punës (nenet 146, 145, 153, 154, 155). Kjo për arsye se nuk ndodhemi përpara rastit kur zgjidhja e kontratës së punës është bërë apo pretendohet se është bërë për shkaqe që lidhen me disiplinën në punë dhe/ose me respektimin ose jo të detyrimeve kontraktuale midis palëve.
-
Në rastin konkret nuk kemi asnjë të dhënë që ka të bëjë me disiplinën në punë dhe/ ose me shkelje ose jo të detyrimeve kontraktuale të palëve, fakt ky që ka rezultuar i vërtetuar gjatë gjykimit të kësaj çështje. Në vijim të argumentit të mësipërm për çështjen konkrete nuk shtrohet për shqyrtim nëse kanë ekzistuar shkaqe të arsyeshme apo të justifikuara në kuptim të neneve 146 dhe 153 të Kodit Punës, pasi për zgjidhjen e mosmarrëveshjes midis palëve gjejnë zbatim dispozitat e legjislacionit të posaçëm.
-
Në këto kushte nuk ka asnjë arsye ligjore të ngarkohet punëdhënësi për të dëmshpërblyer paditësin Xhemil Biraçi. Shkaqet e ngritura në këtë kërkesëpadi janë të pambështetura në ligjin nr.9749, datë 04.06.2007 “Për Policinë e Shtetit”.
KOLEGJI ADMINISTRATIV I GJYKATËS SË LARTË
pasi dëgjoi relacionin e gjyqtarit Medi Bici dhe bisedoi çështjen në tërësi, në dhomën e këshillimit, në përfundim,
V Ë R E N
1. Në Gjykatën e Lartë me datë 05.06.2014 është regjistruar çështja administrative nr.31001-02104-00-2014 regj. them, që iu përket palëve ndërgjyqëse: paditës Xhemil Biraçi, dhe e paditur Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit Tiranë, me objekt: Deklarimin absolutisht të pavlefshëm të aktit administrativ, Urdhrit nr.739/2, datë 18.10.2012 për largimin tim nga puna, pasi është nxjerrë në kundërshtim flagrant me ligjin, etj.
2. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë vlerëson se vendimi nr.1088, datë 26.03.2014 i Gjykatës Administrative të Apelit, është marrë në zbatim të gabuar të ligjit material, prandaj si i tillë ai duhet të prishet, duke u lënë në fuqi vendimi nr.31, datë 29.01.2014 i Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Gjirokastër.
I. Rrethanat e çështjes:
3. Paditësi Xhemil Biraçi ka qenë në marrëdhënie pune, pranë Komisariatit të Policisë Gjirokastër në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër, në pozicionin e Shefit të Komisariatit, me gradën Kryekomisar nga data 21.12.2009 deri në momentin e lirimit të tij nga detyra.
4. Me Urdhrin nr.739/2, datë 18.10.2013 të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit është vendosur: K/komisari Xhemil Biraçi, me detyrë Shef Komisariati në Komisariatin e Policisë Gjirokastër në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër, të lirohet nga detyra. Të drejtat administrative t’i ndërpriten me datë 18.10.2013 dhe të drejtat financiare pas dorëzimit të detyrës. Në urdhër nuk jepet motivacion, nga shënimi në librezën e punës rezulton se ndërprerja e marrëdhënieve të punës është bërë për ndryshim strukture.
5. Në zbatim të Urdhërit të mësipërm, Drejtori i Policisë së Qarkut Gjirokastër ka nxjerrë Urdhrin nr.714/b, datë 21.03.2013 “Për ndërprerjen e pagës së një punonjësi policie”, duke urdhëruar Sektorin e Financës, Sektorin e Burimeve Njerëzore dhe Sektorin Ekonomik të kësaj drejtorie që ti ndërpresin marrëdhëniet financiare dhe administrative që nga data 18.10.2013. Paditësi, duke i konsideruar aktet e sipërcituara në kundërshtim të hapur me ligjin, i është drejtuar gjykatës, me kërkesëpadinë objekt shqyrtimi.
II. Vendimet e gjykatave dhe arsyetimi i tyre:
6. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, me vendimin nr.21-2013-939/1737, datë 25.11.2013 ka vendosur:
Deklarimin e moskompetencës së Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër për gjykimin e çështjes civile nr.them 1062/21249-01355-21-2013 regj.them, datë 04.11.2013. Dërgimin e padisë dhe akteve bashkëngjitur asaj, Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.
7. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, me vendimin nr.20, datë 13.12.2013 ka vendosur:
Prishjen e vendimit nr.21-2013-939/1737, datë 25.11.2013 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër dhe dërgimin e çështjes për gjykim në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Gjirokastër.
8. Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Gjirokastër, me vendimin nr.31, datë 29.01.2014 ka vendosur:
Pranimin pjesërisht të kërkesëpadisë.
Detyrimin e anës së paditur, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, ti paguajë paditësit Xhemil Biraçi 12 paga mujore si dëmshpërblim për dëmin e shkaktuar si rrjedhojë e marrjes në kundërshtim me ligjin të Urdhrit nr.739/2, datë 18.10.2013 “Për lirimin e paditësit nga detyra e shefit të komisariatit të Policisë Gjirokastër”.
Llogaritja e shpërblimeve të mësipërme të bëhet në bazë të pagës që paditësi ka patur në fund të ndërprerjes së marrëdhënieve të punës.
Rrëzimin e kërkesëpadisë për pjesën tjetër të objektit të saj.
9. Gjykata e rrethit gjyqësor ndër të tjera arsyeton:
....Gjykata, duke cilësuar juridikisht faktet sipas nenit 16 të K.Pr.Civile vlerëson se për punonjësit që merren në radhët e policisë ndodhemi përpara një marrëdhënie kontraktore në formën e kontratës së shërbimit publik. Kushtet e kontratës parashikohen në ligjin specifik “Për Policinë e Shtetit” dhe nuk zbatohet për pasojë Kodi i Punës sipas parimit specialis derogat generalis.
Gjykata nisur nga përmbajtja e Urdhrit nr.739/2, datë 18.10.2013 “Për lirimin e paditësit nga detyra e Shefit të Komisarit të Policisë Gjirokastër”, ana e paditur, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, lirimin e paditësit e ka bazuar në nenin 20/2 të ligjit nr.9749, datë 04.06.2007 “Për Policinë e Shtetit dhe në nenin 62/2/b të Rregullores së Personelit të Policisë së Shtetit,... Ana e paditur në Urdhërin e mësipërm nuk ka treguar asnjë shkak apo motivacion për të cilën ana e paditur ka marrë aktin e lirimit të paditësit nga detyra.
Gjykata nisur nga fakti i mësipërm, i lirimit të paditësit nga detyra pa shkake motivacion, për të parë ligjshmërinë e urdhërit i referohet dispozitës ligjore nenit 57 të ligjit nr.9749, datë 04.06.2007 “Për Policinë e Shtetit”.
Në analizë të dispozitës ligjore të mësipërme lirimi i punonjësit nga policia e shtetit bëhet në rastet kur punonjësi i policisë: deklarohet i paaftë nga ana shëndetësore me vendim të komisionit mjeko-ligjor; i shkurtohet funksioni organik dhe nuk kërkon uljen në gradë; punësohet në struktura të tjera të administratës publike, në funksione që kanë për objekt çështje të rendit e të sigurisë publike; mbush moshën për pension të plotë pleqërie; nuk kalon kursin e Shkollës Bazë të Policisë, sipas nenit 41 pika 3 të këtij ligji dhe kërkon vetë të lirohet.
Në seancë gjyqësore ana e paditur që ka detyrimin ligjor për të provuar ligjshmërinë e aktit nuk provoi përpara gjykatës se paditësi është i paaftë nga ana shëndetësore, ana e paditur nuk provoi se është shkurtuar funksioni organik, përkundrazi në seancë gjyqësore u provua se paditësi është zëvendësuar me person tjetër, pra vend i punës së paditësit nuk është shkurtuar. Ana e paditur nuk paraqiti prova që të provojë se paditësi është i punësuar në struktura të tjera të administratës publike, në seancë gjyqësore u provua se paditësi është i papunë, nuk ka mbushur moshën për pension, nuk ka kërkuar të lirohet nga puna, pra nga ana e tij nuk është bërë dorëheqje.
Në analizë të provave dhe fakteve të shqyrtuara në seancë gjyqësore gjykata krijon bindjen se Urdhri nr.739/2, datë 18.10.2013 i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit është i paligjshëm, është marrë në kundërshtim me dispozitat ligjore të ligjit mbi policinë e shtetit.
Nisur nga fakti i mësipërm, gjykata për zgjidhjen e pretendimeve të paditësit i referohet dispozitave ligjore mbi policinë e shtetit dhe vendimeve unifikuese të Gjykatës së Lartë. Ligji për policinë e shtetit nuk e njeh rikthimin në punë. Ky ligj nuk i ka dhënë të drejtën gjykatës për të rikthyer në punë punonjësit e larguar nga radhët e policisë. Rikthimi në punë është në diskrecionin e administratës së policisë, dhe diskrecion nuk i nënshtrohet shqyrtimit gjyqësor, për pasojë kërkimi për anulimin urdhërit të lirimit dhe kthimin në detyrë është i pabazuar në ligj dhe duhet të rrëzohet.
Sipas vendimit unifikues të Gjykatës së Lartë nr.31,të vitit 2003 “E drejta rikthimit në punë nuk gëzon mbrojtje gjyqësore, ndërsa e drejta dëmshpërblimit është një e drejtë që gëzon mbrojtje. Pala që dëmtohet nga një pushim i pa drejtë nga puna gëzon të drejtën e dëmshpërblimit në rrugë gjyqësore”. Një konkluzion i tillë del edhe nga neni 44 i Kushtetutës...
Sa më sipër gjykata vlerëson se paditësi duhet të dëmshpërblehet nga pala e paditur për largim të padrejtë nga puna me 12 muaj pagë për të rivendosur gjendjen e tij pasurore të mëparshme, për pasojë padia e paditësit duhet të pranohet në këtë pjesë të objektit si e bazuar në prova dhe ligj. Në lidhje me kërkimin e paditësit për detyrimin e anës së paditur për pagimin e pagës si dëmshpërblim për mosrespektimin e afateve të njoftimit dhe për mosrespektim të procedurës së zgjidhjes se marrëdhënies së punës. Gjykata, referuar faktit se ligji specifik i Policisë së Shtetit nuk parashikon procedurë të veçantë që duhet të respektohet nga punëdhënësi, për lirimin apo përjashtimin e punonjësit të Policisë së Shtetit nuk e gjen të drejtë kërkimin e paditësit për detyrimin e anës së paditur për pagimin e pagave si dëmshpërblim për mosrespektimin e afateve të njoftimit dhe për mosrespektim të procedurës se zgjidhjes se marrëdhënieve të punës dhe për këtë fakt krijon bindje se ky kërkim i paditësit duhet të rrëzohet. Në lidhje me kërkimin e paditësit për detyrimin e anës së paditur për ti paguar lejen e zakonshme për vitin 2013. Në seancë gjyqësore ana e paditur provoi se paditësit Xhemil Biraçi i është bërë pagesa e lejes së zakonshme për vitin 2013 në shumën 113.448 lekë. Gjykata bazuar në faktin e mësipërm meqenëse kërkimi i paditësit është përmbushur në mënyrë vullnetare nga ana e paditur krijon bindje se ky kërkim i paditësit duhet të rrëzohet.....
10. Gjykata Administrative e Apelit, me vendimin nr.1088, datë 26.03.2014 ka vendosur:
Ndryshimin e vendimit nr.31, datë 29.01.2014 të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Gjirokastër, në këtë mënyrë:
Rrëzimin e padisë së paditësit Xhemil Biraçi, si të pabazuar në ligj.
11. Gjykata e apelit ndër të tjera arsyeton:
....Gjykata vlerëson se për rastin konkret gjejnë zbatim dispozitat e ligjit të posaçëm, sikundër me të drejtë ka parashtruar pala e paditur në ankim. Kjo për arsye se në legjislacionin e posaçëm (ligji nr.9749, datë 04.06.2007 “Për policinë e shtetit”), parashikohet statusi i punonjësit të policisë, pranimi në radhët e policisë, emërimi dhe lirimi, largimet dhe përjashtimet, masat disiplinore dhe ankimet për largimin ose përjashtimin nga policia. Ndonëse nuk janë përcaktuar në mënyrë shteruese rastet e zgjidhjes së kontratës së punës, si dhe marrëdhëniet e punës midis punëdhënësit dhe punëmarrësit në tërësinë e saj, në këtë legjislacion janë përcaktuar në mënyrë eksplicite jo vetëm rastet kur punonjësi largohet nga Policia e Shtetit dhe për rrjedhojë i zgjidhet kontrata e punës, por ligji ka përcaktuar dhe të drejtat që punonjësit të policisë i takojnë si përfitime suplementare nga zgjidhja e kontratës së punës.
Në kuptim të legjislacionit të sipërcituar, largimi nga policia e shtetit është i ndryshëm nga përjashtimi, si për arsyet për të cilat ai kryhet, ashtu dhe për pasojat juridike që vijnë prej tij. Në thelb largimi nga Policia e Shtetit është ndërprerje karriere ose pamundësi e vazhdimit të saj për rastet e parashikuara shprehimisht në ligj, ndërsa përjashtimi është i lidhur pazgjidhshmërisht me rrethana të tilla që kanë të bëjnë me veprime ose mosveprime të punonjësit në kundërshtim me ligjin dhe aktet nënligjore që normojnë veprimtarinë në Policinë e Shtetit apo thënë ndryshe me veprime apo mosveprime që përbëjnë, të paktën, shkelje disiplinore. Edhe në këtë rast ka ndërprerje të karrierës, por kjo ndërprerje është rrjedhojë e sanksioneve penale apo disiplinore ndaj punonjësit të përjashtuar nga policia e shtetit dhe ai nuk përfiton asnjë nga të drejtat që i takojnë punonjësit të larguar në bazë të po këtij ligji. Kështu, punonjësi që largohet nga Policia e Shtetit sipas nenit 57 të ligjit nr.9749/2007 “Për Policinë e Shtetit”, sipas nenit 58 të po këtij ligji jo vetëm që kur “riaftësohet apo kur krijohen funksione të reja organike në polici, ripranimin bëhet vetëm nga kategoria e të larguarve, duke marrë për bazë formimin, kualifikimin dhe vjetërsinë e shërbimit në polici para largimit”, por ai, ...përveç përfitimeve që rrjedhin nga ligji nr.7703/1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë” gëzon të drejtën e përfitimeve të tjera, suplementare” të tilla, “inter alia”, si: trajtim me pagesë kalimtare për dy vjet në masën pesëdhjetë për qind të pagës referuese, dhe dy paga mujore që jepen menjëherë sipas nenit 12 të ligjit nr.10142, datë 15.05.2009.
Në thelb përfitimet e sipërpërmendura për rastet kur punonjësi i policisë së shtetit ndërpret karrierën jo për shkaqe disiplinore nuk njehsohen me shpërblimin e dëmit që përfiton punonjësi i policisë së shtetit kur marrëdhënia e punës i zgjidhet në mënyrë të njëanshme, me efekt të menjëhershme dhe pa shkaqe të arsyeshme apo të justifikuara në kuptim të neneve 146 dhe 153 të Kodit Punës. Por, nga ana tjetër, ndërprerja e karrierës për shkaqet e parashikuara nga ligji “Për Policinë e Shtetit” i shoqëruar me përfitimet e parashikuara në dispozitat ligjore të sipërcituara nuk përbën shkak ligjor që punonjësit të larguar nga policia t’i jepen dëmshpërblimet sipas dispozitave të Kodit Punës (nenet 146, 145, 153, 154, 155).
Kjo dhe për arsye se nuk ndodhemi përpara rastit kur zgjidhja e kontratës së punës është bërë apo pretendohet se është bërë për shkaqe që lidhen me disiplinën e punës dhe/ose me respektimin ose jo të detyrimeve kontraktuale midis palëve (neni 153 i K.Punës).
Duke iu kthyer çështjes në shqyrtim rezulton se me Urdhërin nr.739/2, datë 18.10.2013 të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit paditësi është liruar nga detyra. Pra, në rastin konkret nuk ka asnjë të dhënë që ka të bëjë me disiplinën në punë dhe/ose me shkelje ose jo të detyrimeve kontraktuale të palëve, fakt ky që ka rezultuar i vërtetuar gjatë gjykimit në shkallë të parë.
Në vijim të argumentimit të mësipërm, për çështjen konkrete nuk shtrohet për shqyrtim nëse kanë ekzistuar shkaqe të arsyeshme apo të justifikuara në kuptim të neneve 146 dhe 153 të Kodit Punës, pasi për zgjidhjen e mosmarrëveshjes midis palëve gjejnë zbatim dispozitat e legjislacionit të posaçëm. Në këto kushte nuk ka arsye ligjore të ngarkohet punëdhënësi me përgjegjësi për të dëmshpërblyer punëmarrësit (paditësin). Për sa më sipër Gjykata Administrative e Apelit vlerëson se vendimi nr.31, datë 29.01.2014 i Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Gjirokastër duhet të ndryshohet.....
III. Ligji i zbatueshëm:
12. Në nenin 57 të ligjit nr.9749/2007 “Për policinë e shtetit” përcaktohet:
1. Një punonjës i Policisë lirohet ose përjashtohet nga Policia, në përputhje me kushtet e këtij neni dhe kur është dhënë autorizimi i nevojshëm, sikurse përcaktohet në pikën 4 të këtij neni.
2. Një punonjës i Policisë lirohet nga Policia nëse:
a) deklarohet i paaftë nga ana shëndetësore me vendim të komisionit mjeko-ligjor;
b) i shkurtohet funksioni organik dhe nuk kërkon uljen në gradë;
c) punësohet në struktura të tjera të administratës publike, në funksione që kanë për objekt çështje të rendit e të sigurisë publike;
ç) mbush moshën për pension të plotë pleqërie;
d) nuk kalon kursin e Shkollës Bazë të Policisë, sipas nenit 41 pika 3 të këtij ligji;
dh) kërkon vetë të lirohet.
3. Një punonjës i Policisë largohet nga Policia nëse dënohet me burgim me vendim gjyqësor të formës së prerë, si dhe kur ndaj tij merret masa disiplinore e përjashtimit nga Policia.
4. Lirimi dhe përjashtimi i punonjësit të Policisë bëhen me urdhër të titullarit kompetent për emërimin e tij, sipas nenit 42 të këtij ligji.
13. Në nenin 58 të ligjit nr.9749/2007 “Për policinë e shtetit” përcaktohet:
1. Një person i liruar sipas nenit 57 pika 2 shkronjat “a”, “b”, “c”, “d” e “dh” të këtij ligji, mund të ripranohet në Polici kur ka vende vakante në pozicionin për të cilin ai ka kualifikimin e duhur. Nëse ripranimi bëhet brenda 12 muajve të pandërprerë, atëherë ai rifiton gradën e tij të mëparshme.
2. Nëse ripranimi bëhet pasi kanë kaluar 12 muaj të pandërprerë, punonjësi i Policisë vazhdon karrierën një gradë më poshtë nga ajo që mbante para lirimit ose ricertifikohet për gradën që mbante më parë.
14. Në nenin 18 të VKM-ë nr.786/2008 “Për miratimin e rregullores së disiplinës së Policisë së Shtetit” përcaktohet:
Masat që mund të merren ndaj punonjësit të Policisë në rastet e shkeljeve disiplinore janë:
a) vërejtje;
b) vërejtje me paralajmërim;
c) gjobë në masën sa paga e punonjësit për pesë ditë pune;
ç) shtyrje e afatit të gradimit nga një muaj deri në një vit;
d) pezullim pa pagesë nga pesë ditë deri në tridhjetë ditë;
dh) ulje jo më shumë se një gradë deri në 12 muaj;
e) përjashtim nga Policia.
15. Në nenin 19 të VKM-ë nr.786/2008 “Për miratimin e rregullores së disiplinës së Policisë së Shtetit” përcaktohet:
Masat që mund të merren ndaj punonjësit të shërbimeve mbështetëse në rastet e shkeljeve disiplinore janë:
a) vërejtje;
b) vërejtje me paralajmërim;
c) pezullim pa pagesë nga pesë ditë deri në tridhjetë ditë;
ç) ulja në një detyrë më të ulët;
d) largim nga puna.
16. Në nenin 20 të VKM-ë nr.786/2008 “Për miratimin e rregullores së disiplinës së Policisë së Shtetit” përcaktohet:
1. Me ecuri disiplinore do të kuptohet gjithë veprimtaria që kryhet që në momentin e konstatimit të një shkeljeje disiplinore dhe vënies në dijeni me shkrim të personit që pretendohet se ka kryer shkeljen, deri në marrjen e një vendimi për ndëshkimin disiplinor ose mosndëshkimin e tij.
2. Gjatë ecurisë disiplinore të punonjësit merren parasysh koha, vendi dhe rrethanat e kryerjes së shkeljes, precedentët e mëparshëm disiplinorë ose të shërbimit të punonjësit që ka shkelur normat e detyrës, si dhe rrethanat lehtësuese dhe rënduese të kryerjes së shkeljes.
17. Në nenin 21 të VKM-ë nr.786/2008 “Për miratimin e rregullores së disiplinës së Policisë së Shtetit” përcaktohet:
1. Rrethana lehtësuese gjatë kryerjes së një shkeljeje disiplinore konsiderohen:
a) mungesa e përvojës në punë të punonjësit të Policisë;
b) kur nga rrethanat dhe faktet rezulton mosnjohja e rregullit ose normës;
c) kryerja e shkeljes për herë të parë;
ç) vlerësime dhe rezultate të mira në punë, si dhe sjellje korrekte e punonjësit.
2. Rrethana rënduese gjatë kryerjes së një shkeljeje disiplinore konsiderohen:
a) kryerja e shkeljes disiplinore në publik;
b) përsëritje e shkeljes përkatëse ose e shkeljeve të tjera;
c) ndëshkim i mëparshëm me masë disiplinore;
ç) përvojë pune të paktën dy vjet në atë shërbim;
d) ardhja e pasojës prej shkeljes disiplinore;
dh) vlerësime dhe rezultate jo të mira në punë;
e) kryerja e shkeljes nga punonjës me gradë “Kryekomisar e lart”;
ë) kryerja në të njëjtën kohë e më shumë se një shkeljeje disiplinore.
3. Në rastet e kryerjes së një shkeljeje në kushtet e rrethanave lehtësuese, punonjësi i Policisë mund të ndëshkohet me masë më të lehtë. Në rastet e kryerjes së një shkeljeje në kushtet e rrethanave rënduese, punonjësi i Policisë mund të ndëshkohet me masë më të rëndë.
4. Në rast se punonjësi i Policisë kryen një shkelje disiplinore gjatë kohës që është i ndëshkuar me masë disiplinore e cila nuk është shuar, ndëshkohet me një masë më të rëndë sesa ajo e mëparshme.
18. Vendimi unifikues nr.31, datë 14.04.2003 i Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë.
IV. Arsyetimi i Kolegjit Administrativ dhe zgjidhja e çështjes:
19. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë vlerëson se, rekursi i paraqitur nga paditësi Xhemil Biraçi, përmban shkaqe nga ato që parashikohen në nenin 58/a të ligjit nr.49/2012 “Për Organizimin dhe Funksionimin e Gjykatave Administrative dhe Gjykimin e Mosmarrëveshjeve Administrative” dhe për rrjedhojë vendimi i Gjykatës Administrative të Apelit duhet të prishet, duke u lënë në fuqi vendimi i Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Gjirokastër.
20. Nga citimi i nenit 57/2 të ligjit nr.9749/2007, evidentohet se: Një punonjës i policisë lirohet nga policia nëse: a) deklarohet i paaftë nga ana shëndetësore me vendim të komisionit mjeko-ligjor; b) i shkurtohet funksioni organik dhe nuk kërkon uljen në gradë; c) punësohet në struktura të tjera të administratës publike, në funksione që kanë për objekt çështje të rendit e të sigurisë publike; ç) mbush moshën për pension të plotë pleqërie; d) nuk kalon kursin e Shkollës Bazë të Policisë, sipas nenit 41 pika 3 të këtij ligji; dh) kërkon vetë të lirohet. Një punonjës i policisë largohet nga policia nëse dënohet me burgim me vendim gjyqësor të formës së prerë, si dhe kur ndaj tij merret masa disiplinore e përjashtimit nga Policia.
21. Nga dispozita ligjore e sipërcituar del qartë se, në rastin në gjykim është e provuar si në gjykimin e çështjes në shkallë të parë, ashtu edhe në gjykimin në apel që paditësi Xhemil Biraçi është liruar nga detyra e Shefit të Komisariatit të Policisë Gjirokastër, në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër pa ekzistuar më parë asnjëri prej rasteve të parashikuara në nenin 57/2 të ligjit nr.9749/2007 “Për Policinë e Shtetit”, i ndryshuar.
22. Gjykata administrative e shkallës së parë arsyeton se: ..... Pala e paditur që ka detyrimin ligjor për të provuar ligjshmërinë e aktit nuk provoi përpara gjykatës se paditësi është i paaftë nga ana shëndetësore, ana e paditur nuk provoi se është shkurtuar funksioni organik, përkundrazi në seancë gjyqësore u provua se paditësi është zëvendësuar me person tjetër, pra vend i punës së paditësit nuk është shkurtuar. Ana e paditur nuk paraqiti prova që të provojë se paditësi është i punësuar në struktura të tjera të administratës publike, në seancë gjyqësore u provua se paditësi është i papunë, nuk ka mbushur moshën për pension, nuk ka kërkuar të lirohet nga puna, pra nga ana e tij nuk është bërë dorëheqje. Në analizë të provave dhe fakteve të shqyrtuara në seancë gjyqësore gjykata krijon bindjen se Urdhëri nr.739/2, datë 18.10.2013 i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit është i paligjshëm, pasi është marrë në kundërshtim me dispozitat ligjore të ligjit mbi policinë e shtetit....
23. Ndërsa gjykata e apelit në vendimin e saj ka arsyetuar se: ...Punonjësi që largohet nga Policia e Shtetit sipas nenit 57 të ligjit nr.9749/2007 “Për Policinë e Shtetit”, sipas nenit 58 të po këtij ligji jo vetëm që kur “riaftësohet apo kur krijohen funksione të reja organike në polici, ripranimin bëhet vetëm nga kategoria e të larguarve, duke marrë për bazë formimin, kualifikimin dhe vjetërsinë e shërbimit në polici para largimit”, por ai, ...përveç përfitimeve që rrjedhin nga ligji nr.7703/1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë” gëzon të drejtën e përfitimeve të tjera, suplementare” të tilla, “inter alia”, si: trajtim me pagesë kalimtare për dy vjet në masën 50% të pagës referuese dhe dy paga mujore që i jepen menjëherë sipas nenit 12 të ligjit nr.10142, datë 15.05.2009....
24. Gjykata e shkallës së parë ka arritur në përfundimin se meqenëse pala e paditur nuk ka zbatuar kërkesat e ligjit të posaçëm për rastin e lirimit nga detyra të punonjësit të policisë së shtetit, urdhëri i lirimit të tij nga detyra është i paligjshëm, prandaj pala e paditur duhet të dëmshpërblejë paditësin në përputhje me vendimin unifikues nr.31, datë 14.04.2003 të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë. Ndërsa gjykata e apelit nuk thotë nëse urdhëri i lirimit të paditësit nga detyra është apo jo i bazuar në ligj, por ajo argumenton se, lirimi nga detyra i paditësit është bërë në bazë të një ligji të posaçëm, që është ligji nr.9749/2007 “Për Policinë e Shtetit”, i ndryshuar dhe për rrjedhojë edhe përfitimet e tij do të jepen vetëm në bazë të ligjit nr.10142, datë 15.05.2009....
25. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë thekson se, lirimi i një punonjësi policie nga detyra nuk mund të bëhet për çdo lloj shkaku që mund të pretendojë punëdhënësi, por në mënyrë kategorike ai bëhet vetëm për rastet e parashikuara në nenin 57/2 të ligjit nr.9749/2007 “Për Policinë e Shtetit”, i ndryshuar dhe në rast se, punonjësi i policisë është liruar nga detyra në përputhje të plotë me dispozitën ligjore të sipërpërmendur, atëhere ai do të trajtohet me përfitimet që rrjedhin nga ligji nr.10142/2009. Në rastin në gjykim nuk ndodhemi në këto rrethana, sepse lirimi nga detyra i paditësit Xhemil Biraçi është bërë për shkaqe të paparashikuara në ligj, prandaj urdhëri i nxjerrë nga pala e paditur për lirimin e paditësit nga detyra është një akt administrativ i paligjshëm dhe për rrjedhojë pala e paditur është e detyruar që të dëmshpërblejë palën tjetër për dëmin e pësuar.
26. Në zbatim të vendimit unifikues nr.31, datë 14.04.2003 të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë, në të cilin ndërmjet të tjerave thuhet se: E drejta rikthimit në punë nuk gëzon mbrojtje gjyqësore, ndërsa e drejta dëmshpërblimit është një e drejtë që gëzon mbrojtje. Pala që dëmtohet nga një pushim i pa drejtë nga puna gëzon të drejtën e dëmshpërblimit në rrugë gjyqësore, Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë vlerëson se, me të drejtë gjykata administrative e shkallës së parë ka konkluduar se pala e paditur duhet ta dëmshpërblejë palën paditëse në masën e 12 pagave mujore, për shkak të lirimit të tij nga detyra e Shefit të Komisariatit të Policisë Gjirokastër, pranë Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër në kundërshtim me kërkesat e nenit 57/2 të ligjit nr.9749/2007 “Për Policinë e Shtetit”, i ndryshuar.
27. Për këto që u thanë më sipër, Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë arrin në përfundimin se, rekursi i paraqitur nga paditësi Xhemil Biraçi është i bazuar në ligj, prandaj si i tillë ai duhet të pranohet dhe për rrjedhojë vendimi i gjykatës së apelit duhet të prishet, duke u lënë në fuqi vendimi i gjykatës së shkallës së parë.
PËR KËTO ARSYE
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, duke u bazuar në nenin 63 pika “b” të ligjit nr.49, datë 03.05.2012 “Për Organizimin dhe Funksionimin e Gjykatave Administrative dhe Gjykimin e Mosmarrëveshjeve Administrative”.
V E N D O S I
Prishjen e vendimit nr.1088, datë 26.03.2014 të Gjykatës Administrative të Apelit dhe lënien në fuqi të vendimit nr.31, datë 29.01.2014 të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Gjirokastër.
Tiranë, më 24.03.2016
Nr. 11243-01341-00-2014 Regj.Themeltar
Nr. 00-2016-1087 Vendimi (176)
Do'stlaringiz bilan baham: |