VENDIM NË EMËR TË REPUBLIKËS
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, i përbërë nga:
Xhezair Zaganjori Kryesues
Evelina Qirjako Anëtar
Medi Bici Anëtar
Në datën 24.03.2016 mori në shqyrtim në dhomën e këshillimit çështjen administrative me nr.31001-01997-00-2014 akti që iu përket palëve:
PADITËS: NDREC LOKA
I PADITUR: MINISTRIA E PUNËVE TË JASHTME TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
PERSON I TRETË: MINISTRIA E EKONOMISË, TREGTISË DHE ENERGJETIKËS
OBJEKTI:
Anulimin e vendimit nr.4, datë 19.01.2007 të Komisionit të Shërbimit Civil
dhe anulimin e vendimit nr.64, datë 11.03.2008 të Komisionit të Shërbimit Civil.
Sistemimin në punë në Ministrinë e Punëve të Jashtme.
Pagimin e pagës nga data e lënies pa punë 15 Korrik 2006, deri në datën e marrjes në punë.
Pagimin e kamatës ligjore nga data 15.07.2006 deri në datën e ekzekutimit të vendimit.
Pagimin e shpenzimeve gjyqësore.
Baza Ligjore: Ligji nr.9095, datë 3.7.2003
“Për shërbimin e jashtëm të Republikës së Shqipërisë”,
Rregullorja “Për shërbimin e jashtëm të Republikës së Shqipërisë”
dhe neni 120 i Kodit Punës së Republikës së Shqipërisë.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendimin nr.5115, datë 04.06.2008 ka vendosur:
Kthimin e kërkesëpadisë bashkë me aktet bashkëngjitur dhe do të quhet sikur nuk është paraqitur.
Gjykata e Apelit Tiranë, me vendimin nr.30, datë 05.02.2009 ka vendosur:
Prishjen e vendimit nr.5115, datë 04.06.2008 të Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë dhe dërgimin e çështjes për të vazhduar gjykimin.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendimin nr.8805, datë 29.10.2009 ka vendosur:
Pushimin e gjykimit të çështjes civile nr.7027 Akti.
Gjykata e Apelit Tiranë, me vendimin nr.268, datë 13.05.2010 ka vendosur:
Prishjen e vendimit civil nr.8805, datë 29.10.2009, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe dërgimin e çështjes për rigjykim në po atë gjykatë.
Në rigjykim, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendimin nr.8887, datë 01.10.2012 ka vendosur:
Rrëzimin e kërkesëpadisë së palës paditëse si të pabazuar në ligj dhe në prova.
Gjykata e Apelit Tiranë, me vendimin nr.2488, datë 14.11.2013 ka vendosur:
Ndryshimin e vendimit nr.8887, datë 01.10.2012, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, në këtë mënyrë:
Anullimin e vendimit nr.4, datë 19.01.2007 dhe nr.64, datë 11.03.2008, të Komisionit të Shërbimit Civil.
Detyrimin e palës së paditur Ministria e Punëve të Jashtme të rikthejë paditësin Ndrec Loka në pozicionin e mëparshëm të punës si Specialist në Sekretariatin Shqiptar të Paktit të Stabilitetit ose në një pozicion të barasvlefshëm me të.
Detyrimin e palës së paditur Ministria e Punëve të Jashtme t’i paguajë paditësit Ndrec Loka pagën për periudhën nga data 16.07.2006 dhe deri në ekzekutimin e këtij vendimi.
Ndaj vendimit të sipërcituar rezulton të ketë paraqitur rekurs pala e paditur Ministria e Punëve të Jashtme, e cila kërkon:
Ndryshimin e vendimit nr.2488, datë 14.11.2013 të Gjykatës së Apelit Tiranë dhe lënien në fuqi të vendimit nr.8887, datë 01.10.2012 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Shkaqet që pala e paditur Ministria e Punëve të Jashtme paraqet në rekurs, janë:
-
Gjykata e apelit në vendimin e saj ka keqinterpretuar ligjin për shërbimin e jashtëm, ligjin për statusin e nëpunësit civil dhe ka deformuar faktet e çështjes objekt gjykimi.
-
Vendimi i gjykatës së apelit në pjesën arsyetuese të tij është kontradiktor ka keqinterpretuar vendimin e gjykatës së shkallës së parë edhe prapësimet e palës së paditur në gjykim.
-
Gjykata ka shqyrtuar në themel një padi të parashkruar.
-
Vendimi i gjykatës së apelit është kontradiktor dhe në keqinterpretim të ligjit për shërbimin e jashtëm, ligjin për statusin e nëpunësit civil dhe pretendimet e palës së paditur në gjykim.
-
Gjykata në pjesën arsyetuese të vendimit ka keqinterpretuar ligjin material që rregullon këtë marrëdhënie pune. Sjellë në vëmendje të gjykatës se në të gjitha vendimet e saj Gjykata Kushtetuese thekson se: Me qëllim që të arrijmë në një konkluzion përfundimtar për kushtetutshmërinë e interpretimit të ligjit është e qartë se ligjit konkret i duhet dhënë një kuptim, duke u interpretuar në të gjitha aspektet e tij, si literal, gjyqësor, doktrinar, gramatikor, logjik, sistematik, historik, zyrtar, në interpretim të gjerë apo të ngushtë etj.
-
Rekrutimi në shërbimin e jashtëm është i parashikuar në nenin 28 të ligjit 9095, datë 3.7.2003 “Për shërbimin e jashtëm në Republikën e Shqipërisë”, i cili sanksionon se: Pranimi në shërbimin e jashtëm bëhet nëpërmjet konkurrimit të hapur, në përputhje me ligjin nr.8549, datë 11.11.1999 “Statusi i nëpunësit civil”. Gjithashtu, periudha e provës së nëpunësit u nënshtrohet kritereve dhe procedurave të parashikuara në këtë ligj.
-
Duke marrë në konsideratë parashikimet e ligjit nr.8370/1998, në ligjin e ri për shërbimin e jashtëm u rregullua me parashikime të posaçme pozita e nëpunësve civil të administratës qendrore që ushtronin funksione në përfaqësitë diplomatike të RSH- së jashtë vendit. Parashikimet ligjore në ligjin aktual (ligji nr.9095, datë 27.06.2003 “Për shërbimin e jashtëm në Republikën e Shqipërisë) për këtë kategori punonjësish në shërbimin e jashtëm janë të sanksionuara në paragrafin e 2 nenin 20: Në personelin e përfaqësive diplomatike mund të përfshihen edhe nëpunës, të emëruar nga Ministri i Punëve të Jashtme, në bazë të një marrëveshjeje me shkrim, të arritur me institucionet e tjera, për të kryer detyra në fushën ekonomike, kulturore, shkencore e të mbrojtjes dhe në çdo fushë tjetër për një kohë të përcaktuar. Gjatë kohës së shërbimit në përfaqësinë diplomatike, këta nëpunës gëzojnë të njëjtin status me diplomatët dhe pas përfundimit të këtij shërbimi rikthehen në pozicionin e mëparshëm, duke rifituar statusin që kanë pasur ose në një pozicion të barasvlefshëm me të. Ky parashikim ligjor ka patur për qëllim pikërisht rregullimin e situatës së nëpunësve të administratës shtetërore të punësuar pranë përfaqësive diplomatike mbi bazën e marrëveshjes ndërinstitucionale, duke sanksionuar në mënyrë të shprehur që këto nëpunës kthehen në pozicionin e mëparshëm. Me statusin e mëparshëm dhe rrjedhimisht, duke i përjashtuar nga statusi i diplomatit. As në parashikimet e këtij neni dhe në asnjë parashikim tjetër të ligjit dhe akteve nënligjore për shërbimin e jashtëm nuk parashikohet integrimi i tyre në shërbimin e jashtëm dhe përfitimi i trajtimit si nëpunës i shërbimit të jashtëm.
-
Interpretimi i gjykatës së apelit bie ndesh edhe me qëndrimin e konsoliduar tashmë në jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese dhe doktrinën e së drejtës lidhur me parimin sipas të cilit norma specifike ka përparësi nga norma e përgjithshme (lex specialis derogat generali).
-
Statusi i diplomatit rregullohet nga ligji nr.9095, datë 03.07.2003 dhe VKM-ja nr.839, datë 17.12.2004, e ndryshuar. Pas rekrutimit në përputhje me parashikimet e ligjit nr.8549, datë 11.11.1999 “Statusi i nëpunësit civil”, karriera diplomatike e nëpunësve të shërbimit të jashtëm rregullohet në bazë të akteve ligjore të sipërcituara dhe pikërisht nga ky moment fillon diferencimi ndërmjet nëpunësve civil dhe nëpunësve të shërbimit të jashtëm.
-
Konkretisht neni 25 i ligjit nr.9095, datë 03.07.2003 sanksionon se: Veprimtaria diplomatike në shërbimin e jashtëm kryhet nga diplomatët e karrierës dhe personat e tjerë të barazuar me ta, të cilët marrin funksione diplomatike, në përputhje me dispozitat e këtij ligji. Dispozitat më të detajuara mbi nëpunësit e shërbimit të jashtëm janë sanksionuar në Kreu II, pikën 4 të VKM-së nr.839, datë 17.12.2004, e ndryshuar, e cila sanksionon se: Nëpunësi i shërbimit të jashtëm që zhvillon veprimtari diplomatike dhe konsullore gëzon statusin e diplomatit.... Nëpunësi i emëruar në shërbimin e jashtëm në përputhje me nenin 20 paragrafi 2 të ligjit nr.9095, gëzon statusin e diplomatit për sa kohë ndodhet në shërbimin e jashtëm. Diplomatët gjatë karrierës së tyre fitojnë grada diplomatike ose konsullore.
-
Siç rezulton nga dispozitat e sipërcituara ligji dhe akti nënligjor i dalë në bazë dhe për zbatim të tij ndajnë mjaft qartë pozitën e nëpunësve civil dhe nëpunësve të shërbimit të jashtëm dhe veçanërisht nëpunësve të emëruar në bazë të marrëveshjes me institucionet e tjera, duke sanksionuar në mënyrë eksplicite që në përfundim të shërbimit ato i kthehen statusit dhe pozicionit të tyre të mëparshëm. Gjatë gjithë kohëzgjatjes së marrëdhënies së punës paditësi është konsideruar si nëpunës i Ministrisë së Ekonomisë Tregtisë dhe Energjetikës, i emëruar në Përfaqësinë Diplomatike në Prishtinë. Sa më sipër konfirmohet edhe nga sjellja e vetë paditësit, i cili gjatë qëndrimit pranë kësaj përfaqësie nuk ka paraqitur asnjë kërkesë për pajisje me grada diplomatike apo konsullore siç parashikojnë kërkesat e ligjit të sipërcituar.
-
Konkluzioni i gjykatës së apelit se: Një përfundim i tillë rezulton i pabazuar në ligj, pasi vetë ligji nr.9095/2003. “Për shërbimin e jashtëm” nuk ka parashikuar një gjë të tillë, pra nuk ka përjashtuar nga përfitimet sipas tij të atyre nëpunësve të shërbimit të jashtëm që ishin tashmë të punësuar dhe as ka bërë ndonjë rregullim të ndryshëm për këtë kategori nëpunësish të shërbimit të jashtëm bie në kundërshtim me nenet e sipërcituara të ligjit dhe rregullores për shërbimin e jashtëm. Përveç rregullimit të përgjithshëm të sanksionuar në nenin 28, ligji për shërbimin e jashtëm ka parashikime specifike për nëpunësit e shërbimit të jashtëm dhe nëpunësit e administratës të punësuar në përfaqësi që vijnë nga institucione të tjera të administratës shtetërore të cilat janë shumë të ndryshme nga parashikimet ligjore për diplomatët e karrierës.
-
Gjykata ka keqinterpretuar ligjin, duke anashkaluar tërësisht parashikimet ligjore mbi nëpunësit e administratës të punësuar mbi bazën e një marrëveshje ndërinstitucionale dhe duke referuar vetëm dispozitat mbi nëpunësit në përfaqësitë diplomatike ndërkohë që në bazën ligjore të shërbimit të jashtëm bëhet qartë dallimi ndërmjet këtyre dy kategorive të nëpunësve, duke sanksionuar se nëpunësit e administratës të punësuar mbi bazën e një marrëveshje ndërinstitucionale gëzojnë statusin e diplomatit për sa kohë ushtrojnë funksione në përfaqësi diplomatike dhe pas përfundimit të detyrës rikthehen në pozicionin dhe statusin e mëparshëm.
-
Qëndrimi i gjykatës së apelit bie ndesh me nenin 13 paragrafi 2 të ligjit nr.8549, datë 11.11.1999, i cili në mënyrë eksplicite sanksionon se: Në administratën qëndrore shpallja e konkurrimit bëhet nga Departamenti i Administratës Publike, me kërkesën e institucionit përkatës. Siç rezulton nga parashikimet e këtij neni statusi i nëpunësit civil është ngushtësisht i lidhur me institucionin ku konkurron kandidati dhe me specifikën e funksioneve që ai institucion ushtron. Në bazë të nenit 14 të ligjit në konfirmimin si nëpunës civil pas periudhës së provës një rol vendimtar ka eprori direkt, i cili vendos konfirmimin ose jo të nëpunësit ose shtyrjen e periudhës së provës deri në 6 muaj. Sa më sipër rezulton e provuar nga provat e depozituara nga pala e paditur në gjykim, të administruara në dosjen gjyqësore, veçanërisht shkresa nr.392/4, datë 27.04.2001 të DAP, nëpërmjet së cilës paditësi është emëruar specialist në periudhë provë në mënyrë nominative në Sekretariatin e Paktit të Stabiliteti në “Ministrinë e Bashkëpunimit Ekonomik dhe Tregtisë”.
-
Gjatë hetimit gjyqësor u provua nga pala e paditur se paditësi nuk ka qenë në listën e punonjësve që u përcollën nga Ministria e Ekonomisë si pjesë e Sekretariatit të Paktit të Stabilitetit, e cila u transferua pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme. Rrjedhimisht paditësi gëzonte të drejtën të kthehej në Ministrinë e Bashkëpunimit Ekonomik dhe Tregtisë, në një pozicion të barasvlefshëm me atë që kishte me parë. Paditësi është vënë në dijeni për sa më sipër disa herë nga Ministria e Punëve të Jashtme. Sa më sipër provohet edhe nga kërkesëpadia e depozituar në KSHC, nr.632, datë 03.10.2006, në të cilën ai shprehet se në takimin e zhvilluar me drejtoren e personelit është njoftuar se meqenëse është rekrutuar në MPJ nga Ministria e Ekonomisë duhet të kthehet pranë këtij institucioni. Sipas shkresës nr.8215/1, datë 4.12.2006 të METE, DAP me shkresën nr.392, datë 27.04.2001, ka emëruar paditësin si nëpunës civil në periudhë prove, në pozicionin specialist në Sekretariatin e Paktit të Stabilitetit, në ish-Ministrinë e Bashkëpunimit Ekonomik dhe Tregtisë, aktualisht Ministria e Ekonomisë Tregtisë dhe Energjetikës. Gjithashtu nëpërmjet kësaj shkrese të METE u provua se të gjitha procedurat e mëtejshme të sanksionuara në ligjin nr.8549/1999 “Statusi i nëpunësit civil”, sipas kësaj shkresë të METE, janë ndjekur nga ky institucion. Në referencë të nenit 14 të këtij ligji pas plotësimit të periudhës 1 vjeçare të kohës së provës nga METE është dërguar në DAP shkresa nr.3, datë 27.02.2002, e cila përmbante listën emërore të nëpunësve civil në periudhë prove me datat e emërimit dhe të përfundimit të periudhës së provës, në të cilën përfshihet dhe paditësi. Në vijim të sa më sipër dhe me qëllim zgjidhjen e kësaj çështje dhe qartësimin e situatës për paditësin, pala e paditur, bazuar në nenin 192 të K.Pr.C, thirri gjatë procesit gjyqësor si person të tretë të interesuar Ministrinë e Ekonomisë Tregtisë dhe Energjetikës, si pasuese e ish-Ministrisë së Bashkëpunimit Ekonomik, dhe punëdhënës i paditësit.
-
Përsa i përket procedurës së lirimit nga detyra, gjatë hetimit gjyqësor pala e paditur provoi si vijon: Si nëpunës që gëzojnë statusin e diplomatit për aq kohë sa janë në shërbimin e jashtëm, ndaj tyre respektohen parashikimet e ligjit e për shërbimin e jashtëm dhe akteve nënligjore të dala në bazë dhe për zbatim të tij. Siç provuam dhe gjatë hetimit gjyqësor dhe baza ligjore e urdhrit të lirimit nga detyra, në referencë të nenit 30/b të ligjit për shërbimin e jashtëm nr.9095, datë 03.07.2003, i cili sanksionon se: “Ministri i Punëve të jashtme urdhëron kthimin ose tërheqjen e diplomatit nga përfaqësia diplomatike, përpara mbarimit të afatit kohor, për arsyet e mëposhtme; b) në bazë të kërkesës së vet diplomatit, lirimi nga detyra është vendosur mbi bazën e kërkesës së paditësit. Procedurat e emërimit dhe lirimit në detyrë janë të përcaktuara qartë në VKM-në nr.839, datë 17.12.2004 “Për miratimin e Rregullores së Shërbimit të Jashtëm të Republikës së Shqipërisë”, e ndryshuar me VKM-në nr.767, datë 12.06.2005 “Për disa shtesa dhe ndryshime në Rregulloren për shërbimin e jashtëm të Republikës së Shqipërisë”.
-
Në urdhrin e lirimit nga detyra, në paragrafin 2, citohet se: “Pasi të ketë kryer në rregull të gjitha dorëzimet, të ndërpresë marrëdhëniet me detyrën dhe ato financiare në datën 25.06.2006 dhe të kthehet në atdhe”. Ky paragraf i referohet Kreut IV “Emërimi në misione/poste”, pika 25 dhe 27 e VKM-së nr.839, datë 17.12.2004 “Për miratimin e dokumentit Rregullorja e Shërbimit të Jashtëm të Republikës së Shqipërisë”, që është procedura e emërimit në detyrë të stafit diplomatik të Republikës së Shqipërisë dhe Kreu V “Transferimi ose kthimi nga misioni/posti” pika 34 dhe 39 e Rregullores se Shërbimit të Jashtëm. Referuar këtyre parashikimeve, nëpunësi ka afat 1 muaj (urdhëri lirimit nga detyra është i datës 23.05.2006) për dorëzimin e detyrës dhe kthimin në atdhe. Afati i njoftimit prej 1 muaji për kthimin e diplomatit është i kushtëzuar edhe nga parashikimet e nenit 25 të kësaj rregulloreje, e cila parashikon kohën brenda së cilës duhet të marrë detyrën diplomati tjetër, e cila parashikon gjithashtu afatin prej 1 muaji për marrjen e detyrës prej tij.
-
Vendimi i gjykatës së apelit në pjesën arsyetuese të vendimit është kontradiktor dhe ka keqinterpretuar vendimin e gjykatës së shkallës së parë edhe prapësimet e palës së paditur në gjykim.
-
Gjykata e apelit ka keqinterpretuar vendimin e gjykatës së rrethit gjyqësor dhe prapësimet e palës së paditur në të dyja shkallët e gjykimit të çështjes. Në asnjë moment të gjykimit nga pala e paditur nuk është ngritur pretendimi se paditësi nuk e gëzon statusin e nëpunësit civil. Ndryshe nga sa arsyeton gjykata e apelit kjo gjë nuk është lënë të nënkuptohet as nga vendimi i gjykatës së shkallës së parë.
-
Vendimi i gjykatës së apelit është kontradiktor përsa i përket konstatimit të tij lidhur me burimin e së drejtës dhe qëndrimin e saj lidhur me statusin e nëpunësit civil të paditësit. Nga njëra anë gjykata i njeh të drejtën paditësit të kërkojë, pranë MPJ-së ripozicionimin në një vend të barasvlefshëm bazuar me arsyetimin që paditësi e gëzon statusin e nëpunësit civil dhe nga ana tjetër kur shprehet për llogaritjen e afatit e legjitimon sërish atë për të kërkuar rifitimin e statusit të nëpunësit civil.
-
Gjykata ka shqyrtuar në themel një padi të parashkruar. Konkluzioni i gjykatës së paditësi nuk është vënë në dijeni për shqyrtimin e kërkesës së tij për rikthimin në pozicionin e mëparshëm është i pabazuar në fakte dhe prova. Siç e ka theksuar gjykata e shkallës së parë në vendimin e saj dhe siç rezulton nga provat e depozituara nga pala e paditur, paditësi ka marrë dijeni për lirimin nga detyra përpara datës 25.06.2006. Ky fakt rezulton i provuar nga “kërkesëpadia” e depozituar në KSHC nr.632, datë 03.10.2006, në të cilën vetë paditësi pohon tekstualisht: Më datë 25.06.2006, jam paraqitur në Ministri dhe kam bërë dorëzimet, në përputhje me Rregulloren e Shërbimit të Jashtë. Po në këtë datë, kam patur një takim me drejtoren e drejtorisë së personelit, e cila që në fillim të takimit më konfirmoi se kontrata ime me MPJ-në ka mbaruar, pasi sipas saj në MPJ nuk ka vende të lira dhe meqenëse unë jam rekrutuar në shërbimin e jashtëm nga Ministria e Ekonomisë unë duhet të rikthehem tek kjo ministri.
-
Pra siç rezulton paditësi jo vetëm është njoftuar për përfundimin e marrëdhënies së punës më MPJ por edhe mbi kërkesën për nxjerrjen e aktit të emërimit, duke u orientuar që të drejtën e tij ta kërkojë pranë METE.
-
Gjithashtu edhe kërkesa e drejtuar gjykatës është paraqitur jashtë afateve ligjore. Referuar parashikimeve të nenit 328 të K.Pr.C paragrafi 1 dhe paragrafit 2 të nenit 8 të ligjit “Statusi nëpunësit civil”, paditësi mund ti ishte drejtuar me ankim gjykatës brenda 1 muaji nga shpallja e vendimit ose njoftimi të vendimit. Paditësi nuk i është drejtuar gjykatës brenda këtij afati, duke pretenduar se nuk është njoftuar nga KSHC në përputhje me parashikimet e nenit 8 të ligjit “Statusi nëpunësit civil”, duke i hequr mundësinë të ankimonte vendimin. Ky pretendim i paditësit është i pambështetur në ligj. Mbështetur në parashikimet e paragrafit të dytë të nenit të 8 të ligjit “Statusi nëpunësit civil” paragrafit 2 të nenit 140 K.P.A dhe paragrafit 2 i nenit 328 të K.Pr.C, paditësi kishte mundësinë të ushtronte të drejtën e ankimit në gjykatë ndaj vendimit të KSHC-së nëse brenda afatit 30 ditor nga data depozitimit të kërkesës. Organi administrativ nuk shqyrton kërkesën e personit të interesuar. Konkretisht referuar nenit 8 të ligjit “Statusi nëpunësit civil”, nëse organi administrativ nuk e merr në shqyrtim kërkesën brenda këtij afati, personi ka të drejtë ti drejtohet gjykatës deri në 30 ditë nga dita në të cilën ka përfunduar afati brenda të cilit organi administrativ duhet të shqyrtonte kërkesën. Mbështetur në provat e administruara në dosje nuk rezulton që paditësi të ketë ushtruar të drejtën e ankimit ndaj vendimit brenda këtij afati.
KOLEGJI ADMINISTRATIV I GJYKATËS SË LARTË
pasi dëgjoi relatimin e gjyqtarit Medi Bici dhe bisedoi çështjen në tërësi, në dhomën e këshillimit, në përfundim;
V Ë R E N
1. Në Gjykatën e Lartë me datë 30.05.2014 është regjistruar çështja administrative nr.31001-01997-00-2014 regj. them, që u përket palëve ndërgjyqëse: paditës Ndrec Loka, e paditur Ministria e Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë dhe person i tretë Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, me objekt: Anulimin e vendimit nr.4, datë 19.01.2007 të Komisionit të Shërbimit Civil, dhe anulimin e vendimit nr.64, datë 11.03.2008 të Komisionit të Shërbimit Civil. Sistemimin në punë në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Pagimin e pagës nga data e lënies pa punë 15 Korrik 2006, deri në datën e marrjes në punë. Pagimin e kamatës ligjore nga data 15.07.2006 deri në datën e ekzekutimit të vendimit. Pagimin e shpenzimeve gjyqësore.
2. Vendimi nr.2488, datë 14.11.2013 i Gjykatës së Apelit Tiranë, është marrë në shkelje të rënda të rregullave procedurale, pasi kësaj gjykatë i mungonte kompetenca në lëndë, prandaj vendimi i saj duhet të prishet dhe çështja të dërgohet për tu shqyrtuar në gjykatën kompetente, që është Gjykata Administrative e Apelit.
I. Rrethanat e çështjes:
3. Në referim të dokumentacionit ligjor të administruar në dosje rezulton se me aktin nr.392/4 prot, datë 27.04.2001 të Departamentit të Administratës Publike, paditësi Ndrec Loka është emëruar nëpunës civil në periudhë prove në pozicionin specialist, në Sekretariatin e Paktit të Stabilitetit, në Ministrinë e Bashkëpunimit Ekonomik dhe Tregtisë (MBET).
4. Mbi shkresën e Ministrisë së Punëve të Jashtme nr.4433 prot, datë 18.12.2001 për dhënie kandidature për punonjës së Zyrës së Ndërlidhjes në Kosovë, Ministria e Bashkëpunimit Ekonomik dhe Tregtisë ka dërguar emrin e paditësit Ndrec Loka si një nga dy kandidatura të kësaj Ministrie në cilësinë e specialistit në Sekretariatin shqiptar të Paktit të Stabilitetit, pranë MBET.
5. Me Urdhrin nr.530, datë 31.12.2001, Ministri i Punëve të Jashtme ka emëruar paditësin Ndrec Loka specialist në Sekretariatin Shqiptar të Paktit të Stabilitetit, pranë MBET, atashe ekonomik në Zyrën e Përfaqësimit, Kosovë.
6. Me kërkesë të datës 14.01.2002 drejtuar Ministrisë së Bashkëpunimit Ekonomik dhe Tregtisë, shtetasi Ndrec Loka ka kërkuar lirimin nga shërbimi civil dhe ndërprerjen e marrëdhënieve financiare me MBET, duke u shprehur në këtë kërkesë se me marrjen e detyrës së re përfitoj statusin e shërbimit diplomatik.
7. Me Urdhër nr.4, datë 24.01.2002 të Ministrit të Bashkëpunimit Ekonomik dhe Tregtisë, paditësit i janë ndërprerë marrëdhëniet financiare me MBET më datë 16.01.2002 dhe në përmbajtjen e urdhrit, përcaktohet:
Z. Ndrec Loka, specialist pranë Sekretariatit Shqiptar për Paktin e Stabilitetit, lirohet nga kjo detyrë me kërkesën e tij, pasi është emëruar Atashe Ekonomik në Zyrën e Përfaqësimit, Kosovë.
8. Me shkresën e datës 01.02.2002 të Ministrisë së Punëve të Jashtme drejtuar Ministrisë së Bashkëpunimit Ekonomik dhe Tregtisë, i është kërkuar kësaj të fundit të dërgojë dosjen personale të Z. Loka.
9. Në vijim, me shkresën nr.1691/2 prot, datë 25.06.2002 Ministria e Ekonomisë i kërkon Ministrisë së Punëve të Jashtme informacion zyrtar mbi pozicionin e strukturës së Sekretariatit të Paktit të Stabilitetit.
10. Me shkresën nr.3899 prot, datë 28.06.2002 “Mbi lëvizjen e Strukturës së Sekretariatit Shqiptar për Paktin e Stabilitetit” të Ministrisë së Punëve të Jashtme, i komunikohet Ministrisë së Ekonomisë se, në bazë të Urdhërit nr.138, datë 31.05.2002 të Kryeministrit të Shqipërisë, Sekretariati Shqiptar për Paktin e Stabilitetit i përbërë prej katër punonjësish kalon si strukturë pranë Drejtorisë së Përgjithshme Rajonale të Ministrisë së Punëve të Jashtme. Po me të njëjtën shkresë, i kërkohet Ministrisë së Ekonomisë paraqitja pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme e Sekretariatit të Paktit, për të filluar detyrë më datë 01.07.2002.
11. Mbi komunikimin e përsëritur nga Ministria e Ekonomisë, Ministria e Punëve të Jashtme me shkresën nr.3999/1 prot, datë 18.07.2002, sqaron në mënyrë të përsëritur se Sekretariati Shqiptar për Paktin e Stabilitetit i përbërë prej vetëm katër punonjësish, kalon si strukturë e Drejtorisë së Nismave Rajonale Shumëpalëshe dhe Sekretariatit Teknik të Paktit të Stabilitetit, pranë Drejtorisë së Përgjithshme Rajonale të Ministrisë së Punëve të Jashtme.
12. Në shkresën nr.3999/1 prot. të MPJ, paragrafi i dytë dhe i tretë, përcaktohet shprehimisht, si më poshtë vijon:
Vendosja e Sekretariatit të Paktit pranë Institucionit tonë shoqërohet sigurisht edhe me kalimin e plotë të infrastrukturës së tij, përfshirë këtu edhe fondin përkatës të destinuar për këtë Sekretariat, që përbëhet nga fondi i pagave, fondet për veprimtarinë e tij në kuadër të Paktit të Stabilitetit dhe deri të logjistika dhe mjetet e punës. Me ketë rast, theksojmë se ky kalim duhet të bëhet menjëherë, pasi vonesa nuk do të ndihmonte në realizimin e detyrave të këtij Sekretariati.
Ju vemë gjithashtu në dijeni se nga MPJ janë marrë të gjitha masat e duhura për sistemimin e Sekretariatit të Paktit.
13. Me Urdhër nr.52, datë 25.07.2002 të Ministrit të Ekonomisë, referuar ndër të tjera edhe shkresës së datës 18.07.2002 të Ministrisë së Punëve të Jashtme, është urdhëruar:
Kalimin e Sekretariatit të Paktit të Stabilitetit të përbërë prej 4 punonjësish në Strukturën e Ministrisë së Jashtme, me emrat e mëposhtëm:
-
Gj. M. – Drejtor i Sekretariatit të Paktit të Stabilitetit
-
M. P. – specialiste
-
E. I. – specialist
-
F. Z. – specialist
Për këta katër punonjës, marrëdhëniet financiare sipas urdhërit të mësipërm, janë ndërprerë më datë 16.07.2002.
14. Urdhri i sipërcituar nr.52, datë 25.07.2002, i është komunikuar Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Departamentit të Administratës Publike me shkresën nr.1691/5 prot, datë 29.07.2002.
15. Me Urdhër nr.409, datë 23.05.2006 të Ministrit të Punëve të Jashtme, paditësi Ndrec Loka është liruar nga detyra. Fakti konfirmohet nga urdhri dhe shkresa nr.11820 prot, datë 29.05.2006 e Ministrisë së Punëve të Jashtme drejtuar Misionit të Republikës së Shqipërisë Prishtinë, në të cilën është komunikuar se marrëdhëniet me detyrën dhe ato financiare i ndërpriten më datë 25.06.2006.
16. Me shkresën nr.15589 prot, datë 08.11.2006 të Ministrisë së Punëve të Jashtme, i kërkohet Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës konferma dokumentare e statusit të nëpunësit civil për shtetasin Ndrec Loka.
17. Në përgjigje, Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës me shkresën nr.8215/1 prot, datë 04.12.2006 (protokolluar pranë MPJ më datë 06.12.2006) i komunikon Ministrisë së Punëve të Jashtme se:
-Periudha e provës së z. Loka përfundonte më datë 27.04.2002, datë në të cilën nuk përfshihej në organikën e Ministrisë së Bashkëpunimit Ekonomik dhe Tregtisë.
-Departamentit të Administratës Publike, i është dërguar lista emërore e nëpunësve civilë në periudhë prove me datat e emërimit dhe përfundimit të periudhës së provës në të cilën përfshihet edhe z. Ndrec Loka.
18. Paditësi i është drejtuar Komisionit të Shërbimit Civil me aktin e protokolluar me nr.632, datë 03.10.2006, “kërkesëpadi”, akt i cili mban datën e përpilimit 02.10.2006. Në këtë kërkesë, gjen pasqyrim pretendimi i paditësit, ndër të tjera, me këtë përmbajtje:
Më datë 25.06.2006, jam paraqitur në Ministri dhe kam bërë dorëzimet, në përputhje me Rregulloren e Ministrisë së Punëve të Jashtme. Po në këtë datë, kam patur një takim me Drejtoren e Drejtorisë së Personelit dhe Arkiv Dokumentacionit, znj. N.Ll., e cila që në fillim të takimit, më konfirmoi se kontrata ime me MPJ- në ka mbaruar, pasi sipas saj në M.P.J nuk ka vende të lira dhe meqenëse unë jam rekrutuar në shërbimin e jashtëm nga Ministria e Ekonomisë, unë duhet të rikthehem tek kjo Ministri...
19. Me vendim nr.4, datë 19.01.2007, Komisioni i Shërbimit Civil, ndaj kërkesës së mësipërme ka vendosur:
Rrëzimin e ankesës së z. Ndrec Loka, si të paraqitur jashtë afatit ligjor.
20. Në vendimin e KSHC ndër të tjera thuhet:
...Nga shqyrtimi i dokumentacionit rezulton se urdhëri i largimit nga puna, ankuesit i është bërë në datën 29.05.2006, provë e paraqitur nga vetë ankuesi dhe regjistrimi i ankesës pranë Komisionit të Shërbimit Civil është bërë në datën 03.10.2006....
.......meqenëse ankesa është paraqitur jashtë afatit ligjor dhe humbja e afatit konsiderohet pa shkak, mendojmë se ankesa nuk duhet të shqyrtohet.
21. Vendimi i sipërcituar me nr.4, datë 19.01.2007 i KSHC, i është nisur për komunikim shtetasit Ndrec Loka dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme me shkresën nr.632/2 prot, datë 26.01.2007.
22. Paditësi i është drejtuar KSHC me kërkesë për vazhdimin e shqyrtimit të ankesës së tij të datës 03.10.2006, lidhur me rikthimin e tij në pozicionin e mëparshëm të punës në strukturën ekzistuese të Paktit të Stabilitetit pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme.
23. Me vendim nr.29, datë 04.02.2008 Komisioni i Shërbimit Civil ka vendosur:
Pushimin e shqyrtimit të ankesës të z. Ndrec Loka për shkak se kjo mosmarrëveshje civile është, duke u gjykuar nga Gjykata e Rrethit gjyqësor Tiranë.
24. Me vendim nr.64, datë 11.03.2008 Komisioni i Shërbimit Civil ka vendosur:
Rrëzimin e ankesës së z. Ndrec Loka.
25. Në vendimin nr.64, datë 11.03.2008 të KSHC ndër të tjera thuhet:
...Nga shqyrtimi i dokumentacionit të administruar në dosje, vihet re se ankuesi i është drejtuar dhe më përpara Komisionit të Shërbimit Civil, i cili me vendimin nr.4, datë 19.01.2007 e ka trajtuar këtë çështje dhe në përfundim ka vendosur për rrëzimin e ankesës pasi ajo ishte paraqitur jashtë afatit ligjor.....
...Duke u ndodhur përpara faktit se kjo çështje me të njëjtin objekt është shqyrtuar edhe më parë, Komisioni i Shërbimit Civil arrin në përfundimin se ankesa e z. Ndrec Loka nuk duhet të pranohet.
26. Në këto rrethana paditësi i është drejtuar gjykatës me padinë objekt gjykimi në datë 26.03.2008.
II. Vendimet e gjykatave dhe arsyetimi i tyre:
27. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendimin nr.5115, datë 04.06.2008 ka vendosur:
Kthimin e kërkesëpadisë bashkë me aktet bashkëngjitur dhe do të quhet sikur nuk është paraqitur.
28. Gjykata e Apelit Tiranë, me vendimin nr.30, datë 05.02.2009 ka vendosur:
Prishjen e vendimit nr.5115, datë 04.06.2008, të Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë dhe dërgimin e çështjes për të vazhduar gjykimin.
29. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendimin nr.8805, datë 29.10.2009 ka vendosur:
Pushimin e gjykimit të çështjes civile nr.7027 Akti.
30. Gjykata e Apelit Tiranë, me vendimin nr.268, datë 13.05.2010 ka vendosur:
Prishjen e vendimit civil nr.8805, datë 29.10.2009, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe dërgimin e çështjes për rigjykim në po atë gjykatë.
31. Në rigjykim, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendimin nr.8887, datë 01.10.2012 ka vendosur:
Rrëzimin e kërkesëpadisë së palës paditëse si të pabazuar në ligj dhe në prova.
32. Gjykata e rrethit gjyqësor ndër të tjera arsyeton:
Lidhur me paligjshmërinë e dy vendimeve të Komisionit të Shërbimit Civil, të cilat nuk e kanë shqyrtuar në themel ligjshmërinë e pretendimit të paditësit, gjykata vëren se të dy këto vendime, nuk japin asnjë trajtim lidhur me statusin e paditësit gjatë ushtrimit të detyrës si atashe ekonomik.
Komisioni i Shërbimit Civil me vendim nr.29, datë 04.02.2008 ka vendosur të pushojë shqyrtimin e ankesës të z. Ndrec Loka për shkak se ka konstatuar se mosmarrëveshja civile ka qenë, duke u gjykuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë. Mbi disponimin e kësaj të fundit për trajtimin e çështjes në juridiksion administrativ, me vendim nr.64, datë 11.03.2008 Komisioni i Shërbimit Civil ka vendosur rrëzimin e ankesës së paditësit, duke e trajtuar atë si të gjykuar sipas përcaktimit me vendimin nr.4, datë 19.01.2007.
Gjykata vlerëson se ky vendim i tretë i KSHC gjithashtu nuk zgjidh thelbin e pretendimit të paditësit dhe se vetë ky i fundit, i është drejtuar gjykatës për të verifikuar ligjshmërinë e pretendimeve të tij. Në kushtet kur paditësi nuk pretendon më të shprehurit nga Komisioni i Shërbimit Civil, ai nuk justifikon interesin e ligjshëm nga goditja edhe e vendimit nr.64, datë 11.03.2008 të këtij Komisioni, pasi çështja është transferuar në juridiksion gjyqësor. Përsa i përket ligjshmërisë së pretendimeve të palës paditëse sipas ligjit organik për shërbimin e jashtëm, në analizë të provave të paraqitura në gjykim, gjykata, arsyeton si më poshtë:
Meqenëse neni 20 i ligjit 9095/2003 të cilit paditësi i referohet, parashikon rekrutimin e nëpunësve për shërbim në përfaqësi diplomatike në marrëveshje me shkrim me institucionet e tjera, gjykata vëren se ky rregullim ligjor, nuk është i aplikueshëm për rastin e paditësit, pasi emërimi i tij në vitin 2001 nuk mund të gjente mbështetje sipas përcaktimit në ligjin e miratuar dhe të hyrë në fuqi dy vite më pas. Parashikimi në dispozitën e sipërcituar, - sipas të cilës, pas përfundimit të shërbimit nëpunësit i lind e drejta të rikthehet në pozicionin e mëparshëm, - është pasojë e zbatimit të marrëveshjes institucionale në kohën e rekrutimit, dhe paditësi nuk mund të pretendojë që subjekti të respektojë pasojat e marrëveshjes të parashikuar nga ligji nr.9095, kur vetë marrëveshja ka lindur në kohë përpara miratimit të këtij ligji.
Në kohën e marrjes së detyrës nga paditësi, nuk ka pasur asnjë parashikim ligjor që të detyrojë MPJ-në ta sistemojë atë në vendin e mëparshëm të punës, ndërsa kjo e fundit vepron me miratimin e Komisionit të Shërbimit Civil, situatë e cila nuk rezultoi të ketë ndodhur.
Me kërkesë të datës 14.01.2002 drejtuar Ministrisë së Bashkëpunimit Ekonomik dhe Tregtisë, shtetasi Ndrec Loka ka kërkuar lirimin nga shërbimi civil dhe ndërprerjen e marrëdhënieve financiare me MBET, duke u shprehur në këtë kërkesë se: me marrjen e detyrës së re përfitoj statusin e shërbimit diplomatik. Me Urdhër nr.4, datë 24.01.2002 të Ministrit të Bashkëpunimit Ekonomik dhe Tregtisë, paditësit i janë ndërprerë marrëdhëniet financiare me MBET më datë 16.01.2002 dhe është liruar nga detyra si specialist pranë Sekretariatit Shqiptar për Paktin e Stabilitetit. Për konfirmim të humbjes së statusit në shërbimin civil, Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës me shkresën nr.8215/1 prot, datë 04.12.2006 shprehet se: Periudha e provës së z. Loka përfundonte më datë 27.04.2002, datë në të cilën nuk përfshihej në organikën e Ministrisë së Bashkëpunimit Ekonomik dhe Tregtisë.
Paditësi pretendoi se rifitimi i vendit të mëparshëm të punës lidhej me Sekretariatin e Paktit të Stabilitetit, i transferuar, pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme më datë 31.05.2002, kohë në të cilën:
-
Paditësi ushtronte detyrën e atasheut ekonomik në ambasadën e RSH në Prishtinë dhe
-
Paditësi ishte liruar nga pozicioni i specialistit pranë Sekretariatit Shqiptar për Paktin e Stabilitetit katër muaj më parë.
Rezulton se në kohën e transferimit të Sekretariatit Shqiptar të Paktit të Stabilitetit si strukturë pranë MPJ me urdhër të Kryeministrit të Shqipërisë, organika e saj përbehej vetëm nga katër persona nën përgjegjësinë punëdhënëse të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe sipas Urdhrit nr.52, datë 25.07.2002 të Ministrit të Ekonomisë, asnjë nga katër punonjësit nuk është paditësi Ndrec Loka.
Për sa më sipër, gjykata nuk e gjen të mbështetur pretendimin e paditësit për detyrimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme për ta sistemuar atë në marrëdhënien e mëparshme të punës, e cila rezulton të ketë qenë në shërbimin civil pranë ish Ministrisë së Bashkëpunimit Ekonomik dhe Tregtisë, (sot METE). Gjykata mban në konsideratë se pretendimet e marrëdhënies së punës lidhen me detyrimin e palës së paditur për ripozicionim të paditësit si “specialist pranë Sekretariatit të Paktit të Stabilitetit”, pozicion që nuk e ka ushtruar pranë MPJ.
Për pasojë as pretendimi për pagimin e pagës përgjatë gjithë periudhës që nga koha e lirimit nga detyra nuk qëndron, dhe as kërkimi derivat mbi kamatat e pagimit të saj me vonesë.
Për të gjithë argumentet e sipërcituara, gjykata arrin në përfundimin se padia e paditësit ka gjen mbështetje në ligj dhe në prova, dhe si e tillë duhet të rrëzohet.
33. Gjykata e Apelit Tiranë, me vendimin nr.2488, datë 14.11.2013 ka vendosur:
Ndryshimin e vendimit nr.8887, datë 01.10.2012, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, në këtë mënyrë:
Anullimin e vendimit nr.4, datë 19.01.2007 dhe nr.64, datë 11.03.2008, të Komisionit të Shërbimit Civil.
Detyrimin e palës së paditur Ministria e Punëve të Jashtme të rikthejë paditësin Ndrec Loka në pozicionin e mëparshëm të punës si specialist në Sekretariatin Shqiptar të Paktit të Stabilitetit ose në një pozicion të barazvlefshëm me të.
Detyrimin e palës së paditur Ministria e Punëve të Jashtme t’i paguajë paditësit Ndrec Loka pagën për periudhën nga data 16.07.2006 dhe deri në ekzekutimin e këtij vendimi.
34. Gjykata e apelit ndër të tjera arsyeton:
Gjykata e apelit çmon se vendimi i gjykatës së shkallës së parë është rrjedhojë e vlerësimit të gabuar të provave dhe interpretimit e zbatimit jo të drejtë të ligjit, përveç se ai përmban në vetvete qëndrime kontradiktore.
Por, ndryshe nga sa gjykata e shkallës së parë ka pranuar, gjykata e apelit çmon të drejtë pretendimet e ngritura në ankimin e paditësit, duke vlerësuar se paditësi ka fituar statusin e nëpunësit civil dhe, për këtë shkak, atij i takojnë të gjithë të drejtat që ligji i njeh punonjësve të administratës publike që gëzojnë një status të tillë.
Konkretisht, gjykata e apelit çmon se, siç pranohet edhe nga gjykata e shkallës së parë dhe nuk kontestohet as nga pala e paditur, paditësi, me datë 27.04.2001, është pranuar në shërbimin civil në përputhje me ligjin “Statusi i nëpunësit civil”, duke u emëruar si specialist në një institucion të administratës qendrore (Ministrinë e Bashkëpunimit Ekonomik dhe Tregtisë, Sekretariati Shqiptar i Paktit të Stabilitetit). ....
Ndërsa është pranuar në shërbimin e jashtëm, ndryshe nga sa gjykata e shkallës së parë ka pranuar, paditësi nuk është liruar nga shërbimi civil në kuptim të nenit 21 të ligjit “Statusi i nëpunësit civil”....
Kështu, me Urdhrin nr.4, datë 24.01.2002, Ministri i Bashkëpunimit Ekonomik dhe Tregtisë ka urdhëruar lirimin e paditësit nga detyra e specialistit pranë Sekretariatit Shqiptar për Paktin e Stabilitetit, por nuk ka urdhëruar lirimin e tij nga shërbimi civil siç në mënyrë të pasaktë arsyeton gjykata e shkallës së parë.
Nga ana tjetër, referuar ligjit të kohës për shërbimin e jashtëm, nenit 12 të ligjit nr.8370/1998, “Për shërbimin e jashtëm të Republikës së Shqipërisë”, rezulton që në shërbimin e jashtëm mund të pranoheshin, pa konkurs, edhe persona që nuk vinin nga karriera diplomatike, por që ishin punonjës të shërbimit civil, ndërkohë që, sipas nenit 20/ç të këtij ligji, anëtari i shërbimit të jashtëm kishte të drejtën për t’u emëruar dhe punuar në administratën qendrore në pozicione që vareshin nga grada diplomatike apo funksionit diplomatik që kishte ushtruar anëtari i shërbimit të jashtëm, minimalisht në pozicionin e specialistit në administratën qendrore.
.... Gjykata e apelit konkludon përfundimisht se paditësi Ndrec Loka ka fituar statusin e nëpunësit civil, duke gëzuar të gjithë të drejtat që njeh ligji “Statusi i nëpunësit civil”, përfshirë dhe të drejtën për t’u ankuar përpara KSHC, si dhe të drejtën për t’u ankuar në gjykatë ndaj vendime të KSHC të pafavorshme për të.
Në vijim, gjykata e apelit çmon të pabazuar përfundimin e gjykatës së shkallës së parë për parashkrimin e padisë, të kërkimit për anullimin e vendimit të KSHC nr.4, datë 19.01.2007.
Lidhur me këtë, gjykata e apelit vlerëson se gjykata e shkalles se pare, ashtu sikundër edhe KSHC, në llogaritjen e afatit ligjor për paraqitjen e ankimit përpara KSHC nga paditësi kanë konsideruar pa të drejtë momentin e njohjes se paditësit me Urdhërin nr.409, datë 23.05.2006, të Ministrit të Punëve të Jashtme, pikërisht datën 29.05.2006, urdhër nëpërmjet të cilit paditësi është liruar nga shërbimi i jashtëm, duke mos qenë ai objekt i ankesës se paraqitur nga ai përpara KSHC, ashtu sikundër, duke mos qenë ky akti që i ka mohuar paditësit të drejtën ligjore të pretenduar prej tij, pra të drejtën për t’u rikthyer në pozicionin e mëparshëm të punës dhe rifitimin e statusit të nëpunësit civil. Është fakt se paditësi, mbi të drejtën e pretenduar në bazë të nenit 20/2 të ligjit nr.9095/2003, i ka kërkuar palës se paditur Ministrisë së Punëve të Jashtme, me datë 27.06.2006, realizimin e kësaj të drejtë. Për një kërkesë të tillë, si dhe për të drejtën e pretenduar nga paditësi, rikthimin në pozicionin e mëparshëm të punës, pala e paditur nuk është shprehur asnjëherë zyrtarisht deri me datë 09.11.2007, ku me shkresën nr.15110 prot, datë 09.11.2007, ka refuzuar të përmbushë të drejtën e pretenduar nga paditësi, duke parashtruar dhe argumentet e saj në lidhje me këtë veprim. Pra, në rastin konkret, jemi në kushtet e mosveprimit të palës së paditur në lidhje me kërkesën e paditësit për nxjerrjen e një akti për rikthimin e tij në pozicionin e mëparshëm të punës dhe rifitimin e statusit të nëpunësit civil, duke bërë kështu qe, në kuptim edhe të nenit 140/2 të Kodit të Procedurave Administrative, ankimi i paraqitur nga paditësi me datë 03.10.2006 përpara KSHC të jetë brenda afatit ligjor. Nga ana tjetër, i vetmi rast kur ligji ka përcaktuar afat për paraqitjen e ankimit nga nëpunësi civil në KSHC është ai i parashikuar në nenin 25/4, që lidhet me ankesat kundër vendimeve për marrjen e masave disiplinore, ndërkohe që ligji nuk ka përcaktuar ndonjë afat për rastet e ankesave të nëpunësve civil, që lidhen me mohimin apo shkeljen e të drejtave të garantuara në këtë ligj (neni 20 i ligjit “Statusi i nëpunësit civil”). Për rrjedhojë, gjykata e apelit vlerëson se KSHC, mbi një argument të pambështetur në ligj dhe prova, ka refuzuar të shqyrtojë në themel ankimin e paraqitur nga paditësi, duke mos i njohur kështu të drejtën e pretenduar prej tij.
Çmohet i pabazuar nga gjykata e apelit arsyetimi i gjykatës së shkallës së parë se paditësi, në kushtet e mosshqyrtimit të ankimit të tij nga KSHC brenda afatit 30-ditor sipas nenit 8/2 të ligjit “Statusi i nëpunësit civil”, duhet të kishte paraqitur ankimin në gjykatë deri me datë 03.12.2006, referuar kësaj dispozite, nenit 1401 të Kodit të Procedurave Administrative dhe nenit 328§2 të Kodit të Procedurës Civile. Një arsyetim i tillë nuk qëndron për vete faktin se ai ngrihet mbi një realitet faktik dhe ligjor që nuk përputhet me atë në rastin konkret, pra mbi faktin se KSHC nuk ka shqyrtuar ankimin e paditësit, në një kohë kur pranohet dhe rezulton që KSHC të ketë marrë vendim në lidhje me ankimin e paraqitur nga ai. Fakti që paditësi ka patur të drejtë për t’u ankuar në gjykatë në kushtet kur KSHC nuk kishte marrë ende vendim për ankesën e tij brenda afatit ligjor 30-ditor, nuk i mohon paditësit të drejtën për të kundërshtuar në gjykatë vendimin që KSHC ka marrë në këtë rast mbi ankimin e tij, ashtu sikundër nuk kushtëzon realizimin e kësaj të drejtë mbi një afat të ndryshëm nga ai që fillon nga momenti i njoftimit të vendimit të KSHC, siç përcaktohet në nenin 8/2 të ligjit “Statusi i nëpunësit civil”, nenin 140/1/a të Kodit të Procedurave Administrative dhe nenin 328§1 të Kodit të Procedurës Civile.
Mbi arsyetimin si me lart, gjykata e apelit përfundimisht konkludon se ankimi i paditësit Ndrec Loka i datës 03.10.2006 paraqitur përpara KSHC, ashtu sikundër dhe kërkesëpadia e tij e datës 26.03.2008, janë paraqitur brenda afateve ligjore të përcaktuara nga ligji, prandaj ka qenë vendi për shqyrtimin e themelit të tyre.
Në lidhje me themelin e ankimit dhe të kërkesëpadisë se paditësit Ndrec Loka, gjykata e apelit çmon atë të bazuar në ligj dhe prova, ndryshe nga sa gjykata e shkallës së parë ka konkluduar.
Konkretisht, nisur nga sa me lart u parashtrua, rezulton i bazuar në prova dhe ligj kërkimi kryesor i padisë, ai për detyrimin e palës se paditur për të rikthyer paditësin në pozicionin e mëparshëm, si specialist në Sekretariatin Shqiptar të Paktit të Stabilitetit, si dhe për pagimin e pagave të papaguara nga data 16.07.2006 dhe deri në rikthimin në këtë pozicion apo në një pozicion të barasvlefshëm me të.
Si dhe me lart u arsyetua, paditësi ka fituar statusin e nëpunësit civil dhe bazuar në nenin 20/2 të ligjit nr.9095/2003, “Për shërbimin e jashtëm”, si dhe nenin 22/1 të ligjit “Statusi i nëpunësit civil”, ka të drejtën që, pas përfundimit të shërbimit të jashtëm, të rikthehej në pozicionin e mëparshëm, atë të specialistit në Sekretariatin Shqiptar të Paktit të Stabilitetit, duke rifituar statusin e nëpunësit civil ose në një pozicion të barazvlefshëm me të, e drejtë e cila padrejtësisht i është mohuar nga pala e paditur Ministria e Punëve të Jashtme, në strukturën organizative të të cilës bën pjesë Sekretariati Shqiptar i Paktit të Stabilitetit.
Për rrjedhojë, gjykata e apelit vlerëson të bazuar në prova dhe ligj kërkimin e paditësit për detyrimin e palës së paditur për ta rikthyer në pozicionin e mëparshëm të punës, specialist në Sekretariatin Shqiptar të Paktit të Stabilitetit ose në një pozicion të barasvlefshëm me të, si dhe për pagimin e pagave që paditësi duhet të kishte përfituar nga data 16.07.2006 dhe deri në momentin e rikthimit në pozicionin e mëparshëm të punës ose në një pozicion të barasvlefshëm me të. Lidhur me detyrimin e palës së paditur për pagimin e pagave paditësit për të gjithë periudhën që ajo ka refuzuar ta zërë atë me punë, gjykata e apelit mban parasysh se ky refuzim nuk ka të bëjë me arsye që lidhen me paditësin, i cili gëzon këtë të drejtë në përputhje me nenin 129/1 të Kodit Punës, sipas të cilit: Nëse një punëdhënësi refuzon të zërë me punë punëmarrësin, për një arsye që nuk lidhet me të, ai detyrohet të paguaje punëmarrësin edhe kur nuk vazhdon të punojë. Për aplikimin e kësaj dispozite, gjykata e apelit ka në konsiderate nenin 1§2 të Ligjit “Statusi i nëpunësit civil”, sipas të cilit: Për çështje të cilat nuk rregullohen shprehimisht nga ky ligj, do të zbatohet Kodi Punës dhe legjislacioni përkatës. Nga ana tjetër, gjykata e apelit vlerëson se në rastin konkret, pala e paditur, as pretendoi dhe as provoi ekzistencën e rrethanave, që sipas nenit 129/2 të Kodit Punës, përligjin zbritjen e detyrimit si me lart, kur sipas kësaj dispozite: Punëdhënësi mund të zbresë nga paga atë që ka kursyer punëmarrësi për shkak të pengesës për të punuar ose që ka fituar, duke kryer një punë tjetër ose fitim, nga i cili ka hequr dore qëllimisht.
Mbi këtë përfundim, gjykata e apelit çmon të bazuara edhe kërkimin dytësor të padisë, atë për anullimin e vendimeve të KSHC, me nr.4, datë 19.01.2007 dhe nr.64, datë 11.03.2008.
Sa mësipërm, gjykata e apelit konkludon se vendimi i gjykatës së shkallës së parë duhet të ndryshohet, si me lart u parashtrua.
III. Ligji i zbatueshëm:
35. Neni 7 germa “a” i ligjit nr.49/2012 “Për Organizimin dhe Funksionimin e Gjykatave Administrative” parashikon se:
Gjykatat administrative janë kompetente për: Mosmarrëveshjet që lindin nga aktet administrative individuale, aktet nënligjore normative dhe kontratat administrative publike, të nxjerra gjatë ushtrimit të veprimtarisë administrative nga organi publik.
36. Vendimi unifikues nr.03, datë 06.12.2013 i Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë, të cilat ndërmjet të tjerave thonë se:
....Gjykatat administrative të shkallës së parë, Gjykata e Apelit Administrativ dhe Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, të krijuara me ligjin nr.49, datë 03.05.2012 “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”, janë kompetente për shqyrtimin e të gjitha çështjeve, të cilat sipas nenit 7 të këtij ligji përbëjnë mosmarrëveshje administrative, pavarësisht gjendjes, fazës apo shkallës së gjykimit. Këto gjykata janë kompetente për çështjet administrative për të cilat, padia, ankimi ose rekursi është depozituar përpara datës 04.11.2013, respektivisht në gjykatat e shkallës së parë, të apelit apo në Gjykatën e Lartë dhe deri në këtë datë, shqyrtimi në këto gjykata nuk ka përfunduar akoma....
IV. Arsyetimi i Kolegjit Administrativ dhe zgjidhja e çështjes:
37. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë vlerëson se, rekursi i paraqitur nga pala e paditur Ministria e Punëve të Jashtme, përmban shkaqe nga ato që parashikohen në ligj, pasi Gjykata e Apelit Tiranë nuk ka qenë kompetente nga pikëpamja lëndore, prandaj ka arsye ligjore që vendimi i saj të cënohet.
38. Kolegji Administrativ, pasi shqyrtojë aktet procedurale që ndodhen në dosjen gjyqësore, objektin dhe shkakun ligjor të padisë, pretendimet e palëve të parashtruara në këto akte, vendimin e gjykatës dhe parashtrimet e rekursit, në interpretim të dispozitave ligjore të zbatueshme për rastin konkret, arrin në konkluzionin se vendimi i dhënë nga Gjykata e Apelit Tiranë është marrë në shkelje të ligjit procedural, në kushtet kur kjo gjykatë ka shkelur dispozitat ligjore mbi kompetencën lëndore, prandaj për këtë shkak, vendimi i dhënë prej saj duhet të prishet dhe çështja të dërgohet për rishqyrtim, pranë Gjykatës Administrative të Apelit.
39. Gjykata e Lartë, pa i hyrë analizës së provave, nga shqyrtimi i materialeve të dosjes gjyqësore dhe pretendimeve të parashtruara në rekurs evidenton nëse nga gjykatat e faktit janë lejuar ose jo shkelje të normave procedurale dhe nëse ligji material është respektuar drejtë ose jo nga ato. Në varësi të zgjidhjes së këtyre çështjeve nga gjykatat e faktit, Gjykata e Lartë, në realizim të funksionit të saj rishikues, shprehet për bazueshmërinë ose jo në ligj të vendimeve për të cilat është paraqitur rekurs përpara saj.
40. Në analizë të akteve dhe provave të administruara në dosjen gjyqësore rezulton se, pala paditëse Ndrec Loka i është drejtuar Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë me kërkesëpadi, duke kërkuar Anulimin e vendimit nr.4, datë 19.01.2007 të Komisionit të Shërbimit Civil, dhe anulimin e vendimit nr.64, datë 11.03.2008 të Komisionit të Shërbimit Civil. Sistemimin në punë në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Pagimin e pagës nga data e lënies pa punë 15 Korrik 2006, deri në datën e marrjes në punë. Pagimin e kamatës ligjore nga data 15.07.2006 deri në datën e ekzekutimit të vendimit. Pagimin e shpenzimeve gjyqësore. Gjykata e Apelit Tiranë, në përfundim të gjykimit me vendimin nr.2488, datë 14.11.2013 ka vendosur të ndryshojë vendimin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, duke vendosur: Anullimin e vendimit nr.4, datë 19.01.2007 dhe nr.64, datë 11.03.2008, të Komisionit të Shërbimit Civil. Detyrimin e palës së paditur Ministria e Punëve të Jashtme të rikthejë paditësin Ndrec Loka në pozicionin e mëparshëm të punës si specialist në Sekretariatin Shqiptar të Paktit të Stabilitetit ose në një pozicion të barasvlefshëm me të. Detyrimin e palës së paditur Ministria e Punëve të Jashtme t’i paguajë paditësit Ndrec Loka pagën për periudhën nga data 16.07.2006 dhe deri në ekzekutimin e këtij vendimi.
41. Në rastin në shqyrtim kemi të bëjmë me një marrëdhënie pune ku njëra nga palët është organ i administratës shtetërore, prandaj duke u bazuar në nenin 7, germa “a” të ligjit nr.49/2012 “Për Organizimin dhe Funksionimin e Gjykatave Administrative dhe Gjykimin e Mosmarrëveshjeve Administrative”, çështja ka patur natyrë krejtësisht administrative dhe Gjykata e Apelit Tiranë ka dhënë vendim për një çështje të tillë (me natyrë administrative) pas datës 04.11.2013, në një kohë kur në zbatim të Dekretit nr.7818, datë 16.11.2012 të Presidentit të Republikës kanë filluar veprimtarinë e tyre gjykatat administrative.
42. Meqenëse ligji nr.49/2012 “Për Organizimin dhe Funksionimin e Gjykatave Administrative”, në dispozitat e tij tranzitore heshte për mënyrën se si do të veprohej me çështjet administrative të regjistruara në gjykatën civile para datës 04.11.2013, për të unifikuar praktikën gjyqësore Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë me vendimin nr.03/2013 kanë arritur në këtë përfundim unifikues: ....Gjykatat administrative të shkallës së parë, Gjykata e Apelit Administrativ dhe Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, të krijuara me ligjin nr.49, datë 03.05.2012 “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”, janë kompetente për shqyrtimin e të gjitha çështjeve, të cilat sipas nenit 7 të këtij ligji përbëjnë mosmarrëveshje administrative, pavarësisht gjendjes, fazës apo shkallës së gjykimit. Këto gjykata janë kompetente për çështjet administrative për të cilat, padia, ankimi ose rekursi është depozituar përpara datës 04.11.2013, respektivisht në gjykatat e shkallës së parë, të apelit apo në Gjykatën e Lartë dhe deri në këtë datë, shqyrtimi në këto gjykata nuk ka përfunduar akoma....
43. Duke qenë se çështja kishte natyrë administrative dhe gjykimi i saj nuk kishte përfunduar akoma, në zbatim të nenit 7/a të ligjit nr.49/2013 “Për Organizimin dhe Funksionimin e Gjykatave Administrative dhe Gjykimin e Mosmarrëveshjeve Administrative” dhe vendimit unifikues nr.03/2013 të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë, Gjykata e Apelit Tiranë ka qenë e detyruar që të vendoste moskompetencën e saj lëndore dhe dërgimin e çështjes për shqyrtim në gjykatën kompetente, që është Gjykata Administrative e Apelit
44. Kolegji Administrativ thekson se kompetenca lëndore nuk duhet të shikohet vetëm me kërkesë të palëve të ngritura në ankim ose rekurs, por edhe vetë kryesisht nga gjykata e apelit ose Gjykata e Lartë, pasi kjo kompetencë nuk mund të “kurohet” qoftë edhe me zgjidhjen e drejtë të çështjes në themel nga gjykata më e ulët. Çështja e kompetencës lëndore konsiderohet e një rëndësie të veçantë në respektim të zhvillimit të një procesi të rregullt ligjor. Gjykata në çdo shkallë gjykimi është e detyruar që të marrë në shqyrtim dhe të vendosë në lidhje me kompetencën e saj lëndore përpara se të gjykojë çështjen që i paraqitet për shqyrtim. Ky detyrim i gjykatës për të vepruar edhe kryesisht është e lidhur drejtpërdrejt me zbatimin dhe respektimin e parimit të një procesi të rregullt ligjor, i sanksionuar në nenin 42/2 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe nenin 6 të KEDNJ. Nëse një gjykatë nuk ka kompetencë lëndore për të gjykuar çështjen objekt shqyrtimi, në përputhje me dispozitat që zbatohen sipas legjislacionit përkatës nuk mund të kryejë asnjë veprim tjetër procedural në lidhje me këtë çështje.
45. Duhet theksuar se, në kuptimin e së drejtës procedurale, kompetenca lëndore është një kusht i domosdoshëm procedural, që e bën të vlefshëm procesin gjyqësor, si dhe të gjitha aktet e marra në administrim gjatë zhvillimit të tij, në kuptimin që një gjykatë jokompetente nuk mund të kryejë asnjë veprimtari procedurale dhe një gjykatë jokompetente duhet të deklarojë moskompetencën e saj, (neni 61 i K.Pr.Civile, neni 7 i ligjit 49/2012). Ndarja e kompetencës, është përcaktuar qartë në ligjin nr.9877, datë 18.02.2008 “Për Organizimin e Pushtetit Gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”, ligjin nr.49/2012 “Për Organizimin dhe Funksionimin e Gjykatave Administrative dhe Gjykimin e Mosmarrëveshjeve Administrative” dhe Kodin e Procedurës Civile.
46. Përsa u thanë më sipër, Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë arrin në përfundimin se, moskompetenca lëndore për zgjidhjen e çështjes përbën shkelje të rëndë të rregullave procedurale, e cila ndikon drejtpërdrejt në dhënien e vendimit në kuptimin që, mosrespektimi i saj e bën vendimin gjyqësor absolutisht të pavlefshëm. Gabimet në procedim, të cilat parashikohen në nenin 467/a të K.Pr.Civile dhe nenin 54 të ligjit nr.49/2012 “Për Organizimin dhe Funksionimin e Gjykatave Administrative dhe Gjykimin e Mosmarrëveshjeve Administrative”, shqyrtohen nga gjykata edhe kryesisht, pikërisht për shkak të efektit të drejtpërdrejt që ato kanë në vendimin e dhënë, prandaj vendimi i Gjykatës së Apelit Tiranë duhet të prishet dhe çështja të dërgohet për rishqyrtim në Gjykatën Administrative të Apelit.
PËR KËTO ARSYE
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, duke u bazuar në nenet 7 dhe 63/c të ligjit nr.49, datë 03.05.2012 “Për Organizimin dhe Funksionimin e Gjykatave Administrative dhe Gjykimin e Mosmarrëveshjeve Administrative”;
V E N D O S I
Prishjen e vendimit nr.2488, datë 14.11.2013 të Gjykatës së Apelit Tiranë dhe dërgimin e çështjes për rishqyrtim në Gjykatën Administrative të Apelit.
Tiranë, më 24.03.2016
Nr. 31003-00869-00-2015 i Regj. Themeltar
Nr. 00-2016-1467 i Vendimit (178)
Do'stlaringiz bilan baham: |