VENDIM
NË EMËR TË REPUBLIKËS
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, i përbërë prej:
Ardian Dvorani Kryesues
Arjana Fullani Anëtare
Andi Çeliku Anëtar
Mori në shqyrtim në dhomë këshillimi të datës 24.03.2016, çështjen administrative që i përket:
PADITËS: SUBJEKTI TREGTAR MARKO VELAJ
I PADITUR: DREJTORIA RAJONALE TATIMORE, FIER; DREJTORIA E PËRGJITHSHME E TATIMEVE, DREJTORIA E APELIMIT TATIMOR
OBJEKTI I PADISË:
Konstatimin e pavlefshmërisë absolute të aktit administrativ njoftim vlerësimi për detyrimet tatimore nr.11773/6 prot., datë 06.12.2012.
Pezullimin e zbatimit të këtij akti administrativ.
Shfuqizimin e aktit administrativ,
vendimit të drejtorisë së apelimit tatimor nr.3105/3 prot., datë 17.04.2013
Caktimin e masës së përkohshme të heqjes së urdhrit
nr.2686 prot., datë 26.02.2013 për bllokimin e llogarive bankare
ndaj subjektit tregtar Marko Velaj deri ne përfundim të gjykimit;
Baza Ligjore: Nenet 324 , 329 , 331 të K.Pr.C,
nenet 116/b/c e 138 të K.Pr.Administrative,
nenet 71, 74, 88, 89, 90, 91 e 69 të ligjit nr.9920, datë 19.05.2008,
‘Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar,
ligji nr.7928 datë 27.04.1995 i ndryshuar,
udhëzimi nr.17 datë 13.05.2012 për “TVSH” i ndryshuar,
neni 8.7 “Operacionet hidrokarbure”,
ligji për nr.7746 datë 28.07.1993 “Për hidrokarburet”.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier me vendimin nr.61-2013-2304 (1117) datë 20.06.2013 vendosi:
“Pranimin e padisë. Konstatimin e pavlefshmërisë absolute të aktit administrativ njoftim vlerësimi për detyrimet tatimore nr.11773/6 prot datë 06.12.2012 të Drejtorisë Rajonale Tatimore Fier.
Pushimin e gjykimit përsa i përket pikës 3 të kërkimit të objektit të padisë. Ligjërimin e masës së sigurimit të padisë sipas vendimit të ndërmjetëm të datë 12.06.2013 për pezullimin e zbatimit të urdhrit administrativ nr.2686 prot., datë 26.02.2013 për “Bllokimin e llogarive bankare ndaj subjektit tregtar Marko Velaj”, deri në zgjidhjen me vendim të formës së prerë të kësaj mosmarrëveshje civile. Shpenzimet gjyqësore i ngarkohen paditëse”.
Gjykata e Apelit Vlorë, me vendimin nr.634 (60-2013-1005) datë 17.10.2013 vendosi:
“Lënien në fuqi të vendimit nr.1117, datë 20.06.2013 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier”.
Gjykata e Apelit Vlorë, me vendimin nr.94 datë 03.12.2013 vendosi:
“Pranimin e kërkesës. Ndreqjen e vendimit nr.634 datë 17.10.2013 të Gjykatës së Apelit Vlorë në këtë mënyrë- në pjesën arsyetuese të këtij vendimi, emri i shënuar gabimisht shoqëria II 2k Plaka” sh.p.k të shënohet personi fizik II Marko Velaj”i cili është subjekt që ushtron aktivitet “tregtim materiale ndërtimi me pakicë”.”.
Kundër vendimit nr.634 (60-2013-1005) datë 17.10.2013 të Gjykatës së Apelit Vlorë, ka ushtruar rekurs, brenda afatit ligjor, Avokatura e Shtetit, Zyra Vendore Vlorë e cila kërkon prishjen e vendimeve të gjykatave të faktit dhe pushimin e çështjes ose ndryshimin e vendimeve dhe rrëzimin e padisë, duke parashtruar shkaqet e mëposhtme:
-
Kjo mosmarrëveshje nuk hyn në juridiksionin gjyqësor, bazuar në nenet 36, 59 të K.Pr.Civile, me ndryshimet përkatëse dhe në nenet 106,107/4 të ligjit nr.9920/2008 "Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë" çështja duhet nxjerrë jashtë juridiksionit gjyqësor pasi pala paditëse nuk ka ezauruar rekursin administrativ dhe në këtë mënyrë nuk mund të shqyrtohet gjyqësisht.
-
Nga shqyrtimi paraprak i ankimit ndaj njoftim vlerësimit nr.11773/6 prot., Drejtoria e Apelimit Tatimor ka konstatuar se kërkesa për apelim është bërë jashtë afatit ligjor, 30 dite kalendarike, të përcaktuar në nenin 106/3 i ligjit nr.9920, datë 19.05.2008 ‘Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë dhe Udhëzimit nr.24, datë 02.09.2008 “Për procedurat tatimore në RSH”.
-
Rezulton se akti administrativ objekt ankimi mban datën 06.12.2012 ndërsa ankimi është dorëzuar në DP Tatimeve më datë 15.02.2013.
-
Në lidhje me kërkimin për pezullimin e zbatimit të aktit administrativ dhe marrjen e masës së përkohshme për heqjen e urdhrit nr.2686 prot, datë 26.02.2013 "Për bllokimin e llogarive bankare" në përfundim të gjykimit, edhe kjo kërkesë është jashtë juridiksionit gjyqësor, pasi nuk është ankimuar në rrugë administrative, në bazë të nenit 92 të ligjit "Për procedurat tatimore në RSH-së", si dhe nuk është i bazuar në ligj pasi nuk provohen kërkesat e nenit 329 të K.Pr.Civile, pra nuk ekziston rreziku i shkaktimit të një dëmi të rëndë dhe të pazëvendësueshëm.
-
Akti administrativ "Njoftim vlerësimi për detyrimet tatimore nr.11773/6 prot, datë 06.12.2012", i lëshuar nga Drejtoria Rajonale Tatimore Fier nuk është absolutisht i pavlefshem, në kuptim të nenit 116 të K.Pr.Administrative.
-
Ky akt administrativ është një akt i lëshuar nga një organ kompetent i identifikuar, që ka vepruar brenda kompetencave ligjore, duke respektuar rregullisht procedurën dhe formën e kërkuar nga ligji.
-
Në kushtet kur ligji i posaçëm parashikon në mënyrë eksplicite apelimin administrativ dhe akti i kundërshtuar nuk është absolutisht i pavlefshem, gjykata e shkallës së parë duhet te kishte vendosur nxjerrjen tërësisht të mosmarrëveshjes jashtë juridiksionit gjyqësor.
-
Derisa akti administrativ i nxjerrë nga Drejtoria e Apelimit Tatimor Tiranë ndodhet në juridiksionin administrativ, atëherë edhe akti i nxjerrë nga Drejtoria Rajonale Tatimore Fier ndodhet në juridiksionin administrativ. Pra, kjo gjykatë nuk mund të merrte për shqyrtim aktin e parë dhe të vendoste pushimin e gjykimit për aktin e dytë.
-
Gjykata në kundërshtim me ligjin ka vendosur marrjen e masës së sigurimit të padisë njëlloj sikur të ishim përpara një padie civile të mirëfilltë. Instituti i sigurimit të padisë rregullohet nga titulli II (Shqyrtimi i çështjes), kreu IV (Sigurimi i padisë), sipas neneve 202 e vijues të K.Pr.Civile. Gjykata ka bërë një interpretim të gabuar të ligjit procedural civil duke vendosur një masë për sigurimin e padisë administrative.
-
Rezulton se gjykata e shkallës së parë nuk është shprehur në lidhje me kërkimin e dytë të kërkesëpadisë "pezullimin e zbatimit të aktit administrativ". Është detyrim ligjor që gjykata duhet të shprehet për të gjitha kërkesat që parashtrohen në padi.
KOLEGJI ADMINISTRATIV I GJYKATËS SË LARTË
Pasi dëgjoi relatimin e gjyqtares Arjana Fullani, si dhe diskutoi çështjen në tërësi,
V Ë R E N
1. Siç rezulton nga aktet e administruara në dosjen gjyqësore, pala paditëse Marko Velaj , është subjekt tregtar person fizik , që operon në fushën e tregtimit të materialeve të ndërtimit.
2. Midis paditësit Marko Velaj dhe shoqërisë “Bankers Petrolium Albania LTD” është lidhur një marrëveshje hidrokarbure me objekt : Kontrate me nr.PM-LC -4333-10 “Shitjeje mallrash dhe shërbimesh”, datë 01.05.2010 , dhe sipas pikës 3 , titulli “Faturimi dhe pagesa’’, është rënë dakord që të gjitha faturat shoqëruese të dorëzimit mallit nuk do të kishin të përllogaritur vlerën e TVSH-së.
3. Pranë palës paditëse është ushtruar kontroll tatimor nga Drejtoria Rajonale Tatimore Fier për TVSH-në për periudhën nga 2010 - 2011.
4. Në përfundim të këtij kontrolli, është hartuar dhe raport kontrolli dhe më pas Drejtoria Rajonale Tatimore Fier ka nxjerrë njoftim vlerësimi për detyrimet tatimore nr.11773/6 datë 06.12.2012 sipas të cilit shoqëria ka një detyrim dhe gjoba për këtë periudhë në total në shumën 24.186.314 lekë.
5. Më tej pala paditëse ka ushtruar ankim ndaj njoftim vlerësimi tatimor nr.11773/6 datë 06.12.2012 në Drejtorinë e Apelimit Tatimor pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve.
6. Më vendimin nr.3105/3 datë 17.04.2013 Drejtoria e Apelimit Tatimor ka vendosur: Refuzimin e ankimit ndaj aktit administrativ, njoftim vlerësimi nr.11773/6 datë 06.12.2012 nxjerrë nga DRT Fier, për shkak se e konsideron ankimin të papranueshëm, pasi nuk është respektuar afati ligjor për bërjen e ankimit”.
7. Me pas Drejtoria Rajonale Tatimore Fier si organi i administratës rajonale në zbatim të ligjit 9920 datë 19.05.2008 “Për procedurat tatimore”, neni 90 dhe Udhëzimit të Ministrit e Financave nr.24, datë 02.09.2008 “Për procedurat tatimore’’ ka nxjerrë urdhrin nr.266 prot., datë 26.02.2013 për bllokimin e llogarive bankare në lekë apo valutë të tatimpaguesit.
8. Ndodhur në këto kushte pala paditëse, subjekti Tregtar Marko Velaj i është drejtuar gjykatës me padinë objekt gjykimi.
9. Rezulton se me vendimin e ndërmjetëm të datës 12.06.2013 Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier ka vendosur të pezullojë zbatimin e urdhrit të DRT Fier për bllokimin e llogarive bankare të tatimpaguesit deri në zgjidhjen përfundimtare të mosmarrëveshjes.
10. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier me vendimin nr.61-2013-2304 (1117) datë 20.06.2013 vendosi: “Pranimin e padisë. Konstatimin e pavlefshmërisë absolute të aktit administrativ njoftim vlerësimi për detyrimet tatimore nr.11773/6 prot., datë 06.12.2012 të Drejtorisë Rajonale Tatimore Fier. Pushimin e gjykimit përsa i përket pikës 3 të kërkimit të objektit të padisë. Ligjërimin e masës së sigurimit të padisë sipas vendimit të ndërmjetëm të datë 12.06.2013 për pezullimin e zbatimit të urdhrit administrativ nr.2686 prot., datë 26.02.2013 për “Bllokimin e llogarive bankare ndaj subjektit tregtar Marko Velaj” ,deri në zgjidhjen me vendim të formës së prerë të kësaj mosmarrëveshje civile. Shpenzimet gjyqësore i ngarkohen paditëse.”.
10.1 Arsyetimi i Gjykatës: “Me vërtetimet e Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore për periudhën nga datë 30.11.2010 deri më datë 03.01.2013 paditësi i provoi gjykatës sipas nenit 12 të K.PR.C se si nënkontraktor i shoqërisë së huaj “Bankers Petrolium Albania LTD” ishte përjashtuar nga TVSH-ja. Me shkresën 1345 prot., datë 29.01.2013 të Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore pala paditëse i provoi gjykatës se ishte në listën e kontraktorëve me nr.kontrate PM- LC-433-10. Sipas ligjit “Për tatimin për vlerën e shtuar”, dhe udhëzimit nr.17 datë 13.05.2008 “Për tatimin e T.V.SH”, të ndryshuar pika 8.7,”Operacionet hidrokarbure” se furnizimi i shërbimeve nga kontraktorët dhe nënkontraktorët ishte i përjashtuar nga detyrimi për pagimin e T.V.SH-së. Më konkretisht sipas nenit 25/1 ,dt. 7928 ,datë 27.04.1995 “Për Tatimin për Vlerën e Shtuar”’ te ndryshuar, neni 25/1 ,titulli “Operacionet Hidrokarbure”,ishte përcaktuar se : a) Furnizimi i shërbimeve që kryhen nga kontraktorët e nënkontraktorët e tyre, vërtetuar si të tillë nga Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore, lidhur me realizimin e fazave të kërkimit dhe të zhvillimit të operacioneve hidrokarbure. b) Furnizimi i mallrave që bëjnë kontraktorët për njëri-tjetrin ose nënkontraktorët për kontraktorët e tyre, të importuara sipas nenit 26/1 të këtij ligji "Operacionet hidrokarbure", për efekt të këtij paragrafi, ka të njëjtin kuptim si në ligjin nr.7746, datë 28.7.1993 "Për hidrokarburet". Me konkretisht sipas udhëzimit nr.17 datë 13.05.2008 “Për tatimin e T.V.SH”, te ndryshuar pika 8.7,”Operacionet hidrokarbure”, ishte përcaktuar se : Janë të përjashtuara nga TVSH: - Furnizimi i shërbimeve që kryhen nga kontraktorët dhe nënkontraktorët e tyre, të vërtetuar si të tillë nga Agjencia Kombëtare e Hidrokarbureve, lidhur me realizimin e fazave të kërkimit dhe të zhvillimit të operacioneve hidrokarbure. - Furnizimi i mallrave që bëjnë kontraktorët për njëri-tjetrin ose nënkontraktorët për kontraktorët e tyre, të importuara sipas nenit 26/1 të këtij ligji. "Operacionet hidrokarbure", për efekt të këtij paragrafi, ka të njëjtin kuptim si në ligjin nr.7746, datë 28.07.1993 "Për hidrokarburet". Kontraktorët dhe në nënkontraktorët që përfitojnë nga përjashtimet e mësipërme janë ato tatimpagues të TVSH,që kryejnë në emër të tyre vetëm furnizimet specifike të shërbimeve të përmendura në përcaktimet "Kërkim" dhe "Zhvillim", të Ligjit nr 7746 dt 28.07.1993"Për Hidrokarburet". "Kërkim "do të thotë kërkimi për hidrokarbure me mjete gjeologjike, gjeofizike e të tjera, dhe përfshin shpimin e puseve të kërkimit dhe vlerësimit. "Zhvillim" do të thotë ndërtimi dhe instalimi i pajisjeve për prodhimin e Hidrokarbureve dhe shpimi i puseve të shfrytëzimit. Në kuptim të këtij paragrafi, do të trajtohen si furnizime të përjashtuara nga TVSH, furnizimet e shërbimeve të ndërtimit që kryhen nga kontraktore e nënkontraktorë të panjohur nga AKH kur këto punime të ndërtimit konsiderohen nga AKH si të domosdoshme për realizimin e fazave të kërkim zhvillimit. Nuk e përfitojnë këtë përjashtim nënkontraktorët që furnizojnë shërbime që nuk lidhen në mënyrë të drejtpërdrejtë me fazat e kërkimit dhe të zhvillimit, si shërbime interneti, telefonike, akomodimi, etj. Sipas çmimit të kësaj Gjykate organi i administratës tatimore , Drejtoria Rajonale Tatimore Fier , në kundërshtim me ligjin “Për tatimin për vlerën e shtuar” neni 25/1 dhe udhëzimit nr.17 datë 13.05.2008 “Për tatimin e T.V.SH”, të ndryshuar pika 8.7 , ka vendosur një detyrim tatimor ndaj palës paditëse , nga e cila kjo ishte e përjashtuar. Ky veprim i saj ne nxjerrjen e aktit administrativ individual njoftim vlerësimi tatimor nga pikëpamja juridiko administrative përbën kapërcim të kompetencave të saj ligjore , pasi ky organ ka tejkaluar tagrat e dhëna nga ligji (vëllimi i te drejtave të dhëna me ligj ) dhe në tejkalim të ushtrimit të kompetencës së tij ligjore ka caktuar një detyrim tatimor në dëm të paditësit ndaj të cilit ky ishte i përjashtuar. Sipas ligjit nr.9920 datë 19.05.2008 “Për Procedurat Tatimore në Republikën e Shqipërisë”,neni 51 , subjekti tatimor duhet të lëshojë faturën e T.V.SH në kohën e realizimit të shitjes apo kryerjes se punimit apo shërbimit. Pala paditëse nuk mund të kryente një veprim të tillë juridiko -ekonomik pasi jo vetëm do të binte ndesh ligjin “Për tatimin për vlerën e shtuar” , neni 25/1 dhe udhëzimit nr.17 datë 13.05.2008 “Për tatimin e T.V.SH”’, të ndryshuar pika 8.7,por edhe me detyrimet e tij kontraktuale sipas marrëveshjes hidrokarbure me objekt : Kontrate me nr.PM-LC -4333-10 “Shitje mallrash dhe shërbimesh”, datë 01.05.2010 , me subjektin tregtar “Bankers Petrolium Albania LTD” , pika 3 , titulli “Faturimi dhe pagesa” ku është rënë dakord që të gjitha faturat shoqëruese të dorëzimit mallit nuk do të kishin të përllogaritur vlerën e TVSH-së . Gjykata ka juridiksion gjyqësor sipas nenit 59 të Kodit të Procedurës Civile për shqyrtimin e pavlefshmërisë absolute , pasi aktet administrative absolutisht të pavlefshme mund të kundërshtoheshin drejtpërsëdrejti në gjykatë pa qenë e nevojshme që më parë të ndiqet rruga administrative e ankimit të tyre,kështu qe nuk gjen vend prapësimi se duhej ndjekur rruga administrative e ankimit të aktit. Sipas vendimit unifikues nr.3, datë 12.02.2008, të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë ishte unifikuar praktika gjyqësore si me poshtë : “Nëse pretendohet pavlefshmëria absolute e akteve, kërkim që nuk është i ndërvarur nga ndonjë afat parashkrimi, gjykata, nuk mund të nxjerrë çështjen jashtë juridiksionit gjyqësor, por në zbatim të nenit 121 të K.Pr.Administrative dhe 331 të K.Pr.Civile, konstaton pavlefshmërinë për efekt të zgjidhjes së pasojave juridike që janë krijuar nga akti’’. Akti absolutisht i pavlefshem “Njoftim vlerësimi për detyrimet tatimore”, nr.11773/6 prot., dt.06.12.2012 të Drejtorisë Rajonale Tatimore Fier’’ është një akt “nul’’ që nuk mund të prodhojë pasoja që nga momenti i konstatimit të tij ,nuk mund të rregullohet me aprovim të palëve pjesëmarrëse dhe nuk i nënshtrohet afateve të parashkrimit dhe as është i lidhur me zhdukjen e mëvonshme të shkakut të pavlefshmërisë .Ky akt nuk ka fuqi detyruese ndaj subjektit tatimor të cilit i drejtohet dhe për rrjedhoje ai nuk mund të krijojë ndonjë urdhërim të mëtejshëm për derdhjen , mbledhjen me forcë të detyrimit tatimor të përmendur në të. Në lidhje me kërkimin shfuqizimin e aktit administrativ, vendimit nr.3105/3 prot., datë 17.04.2013 të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve Tiranë , Drejtoria e Apelimit Tatimor ,gjykata çmon se ai duhet pushuar. Ky kërkim ngrihet prej palës paditëse në formën e pavlefshmërisë relative të aktit administrativ , kështu që edhe pse formalisht pala paditëse i është drejtuar me ankim organit hierarkik , ky i fundit nuk e ka përfunduar fazën e tij vendimmarrëse administrative . Drejtoria e Apelimit Tatimor nuk e ka marrë me të drejtë në shqyrtim ankimin e paditësit për pavlefshmëri relative te aktit administrativ ,kjo për shkak se paditësi e ka paraqitur këtë ankim jashtë afatit procedural 30-ditor të përcaktuar në nenin 106/3 te ligjit nr.9920 ,datë 19.05.2008 “Për Procedurat Tatimore në Republikën e Shqipërisë’’ dhe Udhëzimit nr.24, datë 02.09.2004 “Për Procedurat Tatimore në Republikën e Shqipërisë’’ , pika 106.3.1. Me pranimin e konstatimit e pavlefshmërisë absolute të aktit administrativ sipas nenit 331 të K.Pr.C. dhe nenit 116/b, 117 të Kodit të Procedurave Administrative Gjykata çmon se duhet ligjërojë edhe sigurimin e padisë sipas nenit 329 të k.p.c në lidhje me pezullimin e zbatimit të urdhrit administrativ të Drejtorisë Rajonale Tatimore Fier, nr.2686 prot., datë 26.02.2013, me objekt : “Për bllokimin e llogarive bankare në lek apo valute të tatimpaguesit Marko Velaj “,deri në zgjidhjen me vendim përfundimtar të kësaj mosmarrëveshje civile. Gjykata çmon se nuk qëndrojnë prapësimet e subjektit te interesuar Avokatura e Shtetit , Zyra Vendore Vlore ne lidhje me juridiksionin administrativ të këtij kërkimi ,pasi në rastin konkret paditësi pezullimin e zbatimit të këtij akti ja kishte nënshtruar rrugës gjyqësore , pra juridiksionit gjyqësor ,dhe përderisa vetë Kodi i Procedurës Civile në nenin 329 të K.Pr.C. ka parashikuar pezullimin e zbatimit të aktit nuk kishte asnjë arsye që gjykata të mos shprehet në lidhje me këtë situate ,pasi në të kundërt kjo do te binte ndesh me parimin e sigurisë juridike. Në pezullimin e këtij akti administrativ Gjykata nuk ra ndesh me Vendimin Unifikues të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë nr.10 datë 24.03.2004 ,pasi ky pezullim nuk kërkohej në bazë të nenit 202 dhe 202/b të K.Pr.C., pasi padia për kundërshtimin e aktit administrativ në gjykatë nuk është një padi e mirëfilltë dhe për rrjedhoje nuk kishte vend të konsiderohet si mase e përkohshme e sigurimit të padisë. Është për tu theksuar se gjykata në ligjërimin e kësaj mase sigurimi padie mbështetet në nenin 329 të K.Pr.C ,meqenëse padia e paditësit u pranua , mirëpo aktualisht ky nen nuk ka të specifikuar ligjërimin e kësaj masë së sigurimit të padisë ne lidhje me pezullimin e zbatimit të aktit administrativ”.
11. Gjykata e Apelit Vlorë, me vendimin nr.634 (60-2013-1005) datë 17.10.2013 vendosi: “Lënien në fuqi të vendimit nr.1117, datë 20.06.2013 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier”.
11.1 Arsyetimi i gjykatës: “Nga shqyrtimi gjyqësor ka rezultuar se paditësi shoqëria “2K Plaka" sh.p.k, ka për objekt të veprimtarisë së saj tregtar import, eksport, transport, nënprodukte, hidrokarbure, përpunim qumështi etj. Është provuar se si subjekt tregtar Marko Velaj me veprimtari të aktivitetit tregtar shërbime të ndryshme, me datën 01.05.2010 ka nënshkruar Kontratën Shitje mallrash dhe shërbimesh PM-LC-433-10 me shoqërinë kanadeze Bankers Petroleum Albania Ltd. Kjo shoqëri kryen aktivitet në fushën e hidrokarbureve në bazë të "Marrëveshja Hidrokarbure e lidhur ndërmjet BPAL dhe METE. Në bazë të kësaj marrëveshje kjo shoqëri dhe nënkontraktorët e saj janë të përjashtuar nga TVSH në fushën e hidrokarbureve. Për të klasifikuar se cilat shërbime bëjnë pjese në fushën Hidrokarbure ose jo është e ngarkuar Agjencia Kombëtare e Hidrokarbureve e cila ndjek të gjithë shërbimet që lidhen me operacionin hidrokarbure të kryera nga kontraktorët ose nen kontraktorët. Një procedurë kjo e cila konkretizohet me lëshimin e autorizimeve për përjashtimet nga TVSH. Në bazë të shkresës me nr.prot 1345 datë 29.01.2013 subjekti tregtar Marko Velaj për kontratën me nr.PM-LC-433-10 është në listën e nënkontraktorëve të Bankers Petroleum Albania. Ka rezultuar se ne kuadër të aktivitetit të saj tregtar shoqëria "2K Plaka" sh.p.k. ka blerë nga shoqëria "Stream oil & Gaz" sasinë prej 110.000 litra naftë bruto e cila del nga raporti i kontrollit i palës së paditur ndaj shoqërisë. Rezulton se me njoftim Vlerësimin tatimor nr.11773 6 prot., datë 06.12.2012 të Drejtorisë Rajonale të Tatimeve Fier, paditësi është ngarkuar në total me detyrimin prej 24.186.314 Leke i cili përfshin (Gjobe kamate vonesë interes dhe detyrim për TVSH për vitet 2010, 2011, 2012 ). Pala e paditur Drejtoria Rajonale Tatimore Fier, duke e konsideruar palën paditëse shoqërinë 2K Plaka sh.p.k, si subjekt të pagimit të akcizës për këtë sasi ka nxjerre Njoftim Vlerësimi” Për Detyrim Tatimor” në vlerën 66.664.673 leke, për detyrimin për akcize përfshirë gjobat dhe kamatë vonesat. Paditësi me pretendimin se nuk përfshihet në rrethin e subjekteve që kanë detyrimin e pagimit të akcizës, nëpërmjet gjykatës ka kërkuar konstatimin e pavlefshmërisë absolute të aktit administrativ, Njoftim Vlerësimi” Për Detyrim tatimor nr.13960 prot dt. 19 .09 .2011, të Drejtorisë Rajonale Tatimore Fier. Gjykata e Apelit e shqyrton çështjen në shkallë të dytë, mbi ankim të Avokatit të Shtetit. Gjykata e Apelit çmon se, pretendimet e ngritura nga pala e paditur janë të pambështetura në ligj dhe prova, për shkak se paditësi nuk është ne rrethin e subjekteve të cilët janë objekt të pagimit të akcizës, pasi mënyra dhe masa e pagimit të akcizës përcaktohet vetëm nga ligji specifik, konkretisht Ligjit nr.8976, Date 12.12 2002, Për Akcizat në Republikën e Shqipërisë". Në nenin 22 të këtij ligji përcaktohet çasti i pagimit të akcizës nga subjektet që kanë detyrimin për pagimin e këtij tatimi, dhe konkretisht; Akciza për mallrat, që i nënshtrohen akcizës në bazë të dispozitave të këtij ligji, paguhet në çastin e importimit ose të prodhimit të mallrave të akcizës në territorin e Republikës së Shqipërisë, përveç rasteve kur në këtë ligj parashikohet ndryshe. Nga aktet shkresore ka rezultuar se sasia e naftës bruto nuk është importuar apo prodhuar nga subjekti tregtar 2K Plaka" sh.p.k, por është blerë prej shoqërisë Stream oil & Gaz", provuar ky fakt nga raport kontrolli. Referuar përcaktimeve që bën neni 22 i Ligjit nr.8976, Date 12.12 2002 "Për akcizat në Republikën e Shqipërisë", shoqëria "2K Plaka" sh.p.k nuk është subjekt importues apo prodhues i naftës bruto. Pala e paditur, Drejtoria Rajonale Tatimore Fier, në nxjerrjen e aktit administrativ, Njoftim Vlerësimi Për Detyrim Tatimor nr.13960 prot., dt. 19.09.2011, është mbështetur dhe në nenin 38 të Ligjit nr.8976, Date 12.12.2002 ", në të cilën është parashikuar… Sipas këtij neni, çdo lëng i përdorur si zëvendësues për lendet djegëse tatohet me akcizë sipas të njëjtës tarife tatimore dhe në bazë të të njëjtave kushte si për lendet djegëse të cilën ka zëvendësuar. Nafta bruto e blerë nga paditësi nuk është përdorur si zëvendësues për lendet djegëse që të mund të tatohej me akcizën përkatëse. Sa me sipër të gjitha shitjet e kryera nga paditësi në cilësinë e nënkontraktorit të Bankers Petroleum Albania LTD jo vetëm që bëjnë pjese në shitjet e përjashtuara nga TVSH por edhe kanë marrë autorizimet dhe vërtetimet e nevojshme nga Agjencia Kombëtare e Hidrokarbureve për tu përfshirë në listën e shërbimeve të përjashtuara nga TVSH. Pra ky akt administrativ, në bazë të nenit 116/b të Kodit të Procedurës Administrative duhet të konsiderohet absolutisht i pavlefshem pasi fatura e TVSH nuk mund të pritet paraprakisht, pasi nëse ndodh kjo është shkelje ligjit nga subjektet e TVSH. Ligji për TVSH në nenin 51 të tij citon, Lëshimin e faturës tatimore, ku përmendet se Fatura Tatimore e TVSH-se duhet të lëshohet në kohen e realizmit të mallit”.
12. Gjykata e Apelit Vlorë, me vendimin nr.94 datë 03.12.2013 vendosi: “Pranimin e kërkesës. Ndreqjen e vendimit nr.634 datë 17.10.2013 të Gjykatës së Apelit Vlorë në këtë mënyrë- në pjesën arsyetuese të këtij vendimi, emri i shënuar gabimisht shoqëria II 2k Plaka” sh.p.k të shënohet personi fizik II Marko Velaj”i cili është subjekt që ushtron aktivitet “tregtim materiale ndërtimi me pakicë”.
13. Kundër vendimit nr.634 (60-2013-1005) datë 17.10.2013 të Gjykatës së Apelit Vlorë, ka ushtruar rekurs, brenda afatit ligjor, Avokatura e Shtetit, Zyra Vendore Vlorë e cila kërkon prishjen e vendimeve të gjykatave të faktit dhe pushimin e çështjes ose ndryshimin e vendimeve dhe rrëzimin e padisë, duke parashtruar shkaqet e pasqyruara në pjesën hyrëse të këtij vendimi.
LIGJI I ZBATUESHËM
14. Dispozitat e ligjit nr.49/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatave Administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”;
14.1 Neni 1/2: Dispozitat e këtij ligji plotësohen me parashikimet e Kodit të Procedurës Civile, me përjashtim të rasteve dhe për aq sa ky ligj nuk parashikon ndryshe.
14.2 Neni 17/2: Gjykata zgjidh mosmarrëveshjet në përputhje me dispozitat ligjore dhe normat e tjera në fuqi, që janë të detyrueshme. Ajo bën një cilësim të saktë të fakteve dhe veprimeve që lidhen me mosmarrëveshjen, pa u lidhur me përcaktimin që mund të propozojnë palët.
15. Dispozitat e Kodit të Procedurës Civile, në të cilat është parashikuar:
15.1 Neni 6: “Gjykata që gjykon mosmarrëveshjen duhet të shprehet mbi gjithçka që kërkohet dhe vetëm për atë që kërkohet”.
15.2 Neni 16/1: “Gjykata zgjidh mosmarrëveshjen në përputhje me dispozitat ligjore dhe normat e tjera në fuqi, që janë të detyrueshme të zbatohen prej saj. Ajo bën një cilësim të saktë të fakteve dhe veprimeve që lidhen me mosmarrëveshjen, pa u lidhur me përcaktimin që mund të propozojnë palët”.
15.3 Neni 310/II: “Në pjesën përshkruese - arsyetuese duhet të përmenden: 1) rrethanat e çështjes, ashtu siç janë konstatuar gjatë gjykimit, dhe përfundimet e nxjerra nga gjykata, 2) provat dhe arsyet në të cilat mbështetet vendimi, 3) dispozitat ligjore në të cilat bazohet vendimi”.
KOLEGJI ADMINISTRATIV I GJYKATËS SË LARTË VLERËSON:
16. Se rekursi i paraqitur nga Avokatura e Shtetit, Zyra Vendore Vlorë përmban shkaqe ligjore që të motivojnë cenimin e vendimit nr.634 (60-2013-1005) datë 17.10.2013 të Gjykatës së Apelit Vlorë.
17. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, në shqyrtim të akteve që ndodhen në dosjen gjyqësore e të administruara gjatë gjykimeve, pretendimeve e prapësimeve të palëve, vendimeve të gjykatave të faktit, shkaqeve të parashtruara në rekurs dhe parashtrimeve në seancë gjyqësore arrin në përfundimin se vendimi nr.634 (60-2013-1005) datë 17.10.2013 të Gjykatës së Apelit Vlorë është rrjedhojë e mosrespektimit të ligjit dhe për këtë shkak duhet të prishet dhe çështja të dërgohet për rishqyrtim pranë Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë.
18. Gjykata e Lartë, pa i hyrë analizës së provave, nga shqyrtimi i materialeve të dosjes gjyqësore dhe pretendimeve të parashtruara në rekurs evidenton nëse nga gjykatat e faktit janë lejuar ose jo shkelje të normave procedurale dhe nëse ligji material është respektuar ose jo. Në varësi të zgjidhjes së këtyre çështjeve nga gjykatat e faktit, Gjykata e Lartë, në realizim të funksionit të saj rishikues, shprehet për bazueshmërinë ose jo në ligj të vendimeve të gjykatave të faktit.
19. Thelbi i kërkimit i padisë objekt shqyrtimi, është kundërshtimi i vendimit të organeve tatimore që e ngarkojnë palën paditëse me një detyrim tatimor.
20. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier ka arritur në përfundimin se padia e paraqitur duhet pranuar. Ky qëndrim i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier, është bërë objekt ankimi nga pala e paditëse në Gjykatën e Apelit, duke paraqitur shkaqet ligjore për kundërshtimin e vendimit të kësaj gjykate. Gjykata e Apelit, ka vendosur të lërë në fuqi vendimin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier, por në pjesën e parashtrimeve të faktit dhe arsyetuese të tij, përmban mospërputhje dhe është konfuz në lidhje unitetin që duhet të kenë pjesët e vendimit.
21. Në vështrim të sa më sipër, Kolegji Administrativ, në shqyrtim të ligjshmërisë të vendimit të Gjykatës së Apelit, konstaton se nga kjo gjykatë nuk janë respektuar kërkesat e ligjit procedural, neneve 10, 11, 14, 16, 29, 126 e 310 të Kodit të Procedurës Civile, sipas të cilëve gjykata mbështet vendimin mbi faktet dhe provat që janë paraqitur gjatë procesit gjyqësor, të marra në seancë gjyqësore, duke bërë një cilësim të saktë të fakteve dhe veprimeve.
22. Referuar dispozitat procedurale të parashikuar nga KPC të cilat kanë gjetur pasqyrim edhe në ligjin nr.49/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatave Administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative” për gjykimin në Gjykatën e Apelit, Kolegji e gjen me vend të sqarojë se, gjykata, me disa përjashtime, zbaton të gjitha rregullat e shqyrtimit gjyqësor të zbatueshme në gjykimin në shkallë të parë. Ligji procedural shprehimisht i njeh kompetencën, që do të thotë të drejtën e detyrimin, për të përsëritur pjesërisht madje edhe tërësisht hetimin gjyqësor, duke marrë edhe prova të reja.
23. Kolegji Administrativ vlerëson se vendimit të gjykatës së apelit i mungon argumentueshmëria, që do të thotë se vendimi nuk përputhet plotësisht me të dhënat objektive të çështjes dhe për rrjedhojë është dhe i pambështetur në ligj.
24. Kolegji e gjen me vend të rikonfirmoje qëndrimin e tij, se mungesa e arsyetimit përbën shkelje procedurale. Ne nenin 142 te Kushtetutës parashikohet se: “Vendimet gjyqësore duhet të jenë të arsyetuara”. Në interpretim të kësaj norme kushtetuese, me arsyetim të vendimit nuk do të kuptohet vetëm përmbajtja formale, skematike, në përbërje të një vendimi gjyqësor e pjesës përshkruese-arsyetuese të tij. Veçanërisht, kjo është e rëndësishme në lidhje me pjesën arsyetuese të vendimit, ku gjykata parashtron arsyet përse i vlerëson provat në favor të njërës apo tjetrës palë dhe përse çmon se për zgjidhjen e mosmarrëveshjes të interpretojë dhe zbatojë një ligj të caktuar. Sa me sipër, përbëjnë edhe detyrime nga kuptimi e interpretimi i neneve 6, 28, 29 apo 310 të Kodit të Procedurës Civile.
25. Evidentohet se vendimi i Gjykatës së Apelit Vlorë përmban mospërputhje të theksuar në përmbajtje dhe në pjesën arsyetuese. Pra, vendimit të i mungojnë arsyet dhe përfundimet e vetë gjykatës së apelit se përse i gjen të mbështetura në ligj dhe prova pretendimet konkrete të ngritura në ankim, si edhe ligjin përkatës ku e mbështet ajo gjykatë qëndrimin e saj, duke mos pasur koneksitet pjesa arsyetuese dhe konkluzionet e nxjerra prej saj.
26. Në një gjendje të tillë të gjykimit dhe arsyetimit të vendimit gjyqësor, palës ndërgjyqëse i është mohuar efektivisht e drejta për t’iu drejtuar gjykatës dhe për të realizuar një gjykim sipas parashikimeve procedurale në Kodin e Procedurës Civile. Në varësi të natyrës së mosmarrëveshjes, shkaqeve të ngritura në ankim dhe mënyrës së parashtrimit të tyre, gjykata ka jo vetëm të drejtën por edhe detyrimin të gjejë, rast pas rasti, arsyetimin e duhur që të krijojë bindjen se, në gjykim dhe në vendimin e saj, ajo gjykatë i ka dhënë përgjigje ezauruese pretendimeve të ngritura mbi kërkesën dhe ankimin e palës ndërgjyqëse.
27. Sa më sipër është në qasje të plotë edhe me praktikën e Gjykatës Kushtetuese e cila është shprehur se: “Vendimi gjyqësor në çdo rast duhet të jetë logjik, i rregullt në formë dhe i qartë në përmbajtje. Në tërësinë e tij ai duhet konsideruar si një unitet, në të cilin pjesët përbërëse janë të lidhura ngushtësisht mes tyre. Ato duhet të jenë në shërbim dhe funksion të njëra-tjetrës. Argumentet e pjesës arsyetuese duhet të jenë të bazuara dhe të lidhura logjikisht, duke respektuar rregullat dhe ligjet e mendimit të drejtë. Ato duhet të formojnë një përmbajtje koherente brenda vendimit, i cili përjashton çdo kundërthënie apo kontradiksion të hapur ose të fshehtë. Këto argumente duhet të jenë gjithashtu të mjaftueshme për të mbështetur dhe pranuar pjesën urdhëruese. Konkluzionet e pjesës arsyetuese duhet të bazohen jo vetëm në aktet ligjore, por edhe në parimet dhe rregullat që karakterizojnë mendimin e shëndoshë e logjik. Një arsyetim i saktë i vendimit është një mënyrë e sigurt që gjeneron legjitimitet në sytë e të interesuarve. Ky efekt do të jetë akoma më i madh nëse palët do ta përjetojnë këtë vendim si pasojë normale e një procesi të rregullt, në të gjithë komponentët e tij. Nga ana tjetër, pjesa urdhëruese e vendimit të gjykatës duhet të jetë rezultat i natyrshëm i përfundimeve të arritura në pjesën arsyetuese. Ajo është sintezë e këtyre përfundimeve dhe si e tillë, në asnjë rast, nuk mund të jetë në kundërshtim me to. Vendimi që përmban ose lejon kontradiktën logjike, cenon rëndë dhënien e drejtësisë. Ai nuk mund të jetë i kuptueshëm dhe bindës dhe për pasojë nuk mund të zbatohet në praktikë”. (shih vendimin e Gjykatës Kushtetuese nr.39/2012)
28. Në këto kushte, Kolegji Administrativ vlerëson se vendimi i gjykatës së apelit duhet të prishet dhe çështja t’i dërgohet për rishqyrtim Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë, e cila i ka mundësitë ligjore të marrë në shqyrtim dhe të zgjidhë drejtë çështjen.
29. Në vlerësim të natyrës juridike të mosmarrëveshjes, shkakut të lindjes së saj, në mbështetje me dispozitat ligjore, Gjykata Administrative e Apelit, duke mbajtur parasysh konkluzionet e mësipërme të këtij vendimi, qoftë edhe kryesisht, duhet të marrë në shqyrtim e t’i japë përgjigje shkaqeve të ngritura në ankimin e palës, dhe për këtë duhet të përcaktojë me vendim për secilën palë faktet që duhet të provohen prej tyre, provat që lejohen të paraqiten nga secila palë veçmas, vlerën provuese të secilës prove, si dhe barrën e provës për secilën palë.
PËR KËTO ARSYE
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, në bazë të neni 63 të ligjit 49/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”
V E N D O S I
Prishjen e vendimit nr.634 datë 17.10.2013 të Gjykatës së Apelit Vlorë dhe dërgimin e çështjes për shqyrtim në Gjykatën Administrative të Apelit Tiranë.
Tiranë, më 24.03.2016
Nr. 11217-01300-00-2014 i Regj. Themeltar
Nr. 00 - 2016 - 1752 i Vendimit ( 186 )
Do'stlaringiz bilan baham: |