VENDIM
NË EMËR TË REPUBLIKËS
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, i përbërë prej:
Xhezair Zaganjori Kryesues
Evelina Qirjako Anëtare
Medi Bici Anëtar
Mori në shqyrtim në dhomën e këshillimit të datës 24.03.2016, çështjen administrative që i përket:
PADITËSE: SELIM HOXHA
TË PADITUR : DREJTORIA E PËRGJITHSHME E DOGANAVE
OBJEKTI:
Detyrimin e punëdhënësit për dëmshpërblim me 12 paga
për zgjidhjen e marrëdhënies së punës në mënyrë të pajustifikuar;
3 muaj pagë për mosrespektim të afatit të njoftimit;
2,5 paga shpërblim për vjetërsinë në punë;
1 pagë për pushimet pamarrë në vitin 2013.
Baza Ligjore: Nenet 32/a, 36, 41, 153 të K.Pr.Civile,
neni 141 e vijues i K.Punës.
Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Tiranë me vendimin nr.1428 datë 04.04.2014 ka vendosur:
Pranimin e pjesshëm të padisë.
Detyrimin e palës së paditur DPD, t`i paguajë paditësit pagën deri në fund të afatit të njoftimit nga data 06.12.2013- 31.03.2014.
Detyrimin e palës së paditur DPD, t`i paguajë paditësit dëmshpërblim prej 12 muajsh pagë për shkak të zgjidhjes së menjëhershme të pajustifikuar të kontratës së punës.
Detyrimin e palës së paditur DPD, t`i paguajë paditësit shpërblim prej tre muajsh pagë për vjetërsinë në punë.
Detyrimin e palës së paditur DPD, t`i paguajë paditësit pagën për pushimet vjetore të pamarra për vitin 2013.
Rrëzimin e kërkesëpadisë për pjesën tjetër të objektit të saj.
Gjykata Administrative e Apelit Tiranë me vendimin nr.3412 datë 15.09.2014 ka vendosur:
Lënien në fuqi të vendimit nr.1428 datë 04.04.2014 të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë.
Kundër vendimit nr.3412 datë 15.09.2014 të Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë, ka ushtruar rekurs pala e paditur Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, e cila ka kërkuar ndryshimin e vendimeve të gjykatave dhe rrëzimin e padisë, duke parashtruar këto shkaqe:
-
Akti i kundërshtuar nga paditësi nuk është absolutisht i pavlefshëm, pasi nuk është nxjerrë nga një organ i paidentifikuar, në kapërcim të kompetencave të tij, apo në kundërshtim me formën e kërkuar.
-
Zgjidhja e kontratës së punës është kryer për shkaqe të justifikuara, pasi ka qenë shkelja e kryer nga paditësi që ka ndikuar tek pala e paditur që kjo e fundit të ndërpresë marrëdhëniet e punës me paditësin.
KOLEGJI ADMINISTRATIV I GJYKATËS SË LARTË
pasi dëgjoi relacionin e Gjyqtarit Xhezair Zaganjori, dhe si bisedoi çështjen në tërësi,
V Ë R E N
Paditësi ka filluar punë pranë palës së paditur me datë 01.10.2007 si përgjegjës grupi në sektorin antitrafik në Drejtorinë e Antikontrabandës, në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave Tiranë. Me datë 14.04.2009 paditësi është emëruar si doganier kontrolli në Degën e Doganës Tiranë. Me shkresën nr.7077 datë 21.10.2013 Dega e Doganës Tiranë ka njoftuar DPD se me faturën 5611 datë 18.02.2011 shoqëria “Rushaj”ka deklaruar mall në sasi 9 522 33 kg. Ndërkohë nga krahasimi me faturat e doganës italiane kanë rezultuar diferenca. Për këtë arsye, është propozuar largimi i paditësit nga puna. Me datë 28.10.2013 paditësi është pezulluar nga puna dhe ndaj tij ka filluar procedimi disiplinor, ndërkohë që me datë 30.10.2013 paditësi është njoftuar për fillimin e procedurave disiplinore. Me datë 25.11.2013 Komisioni Disiplinor i ka propozuar Drejtorit të Përgjithshëm të Doganave dhënien e masës disiplinore “largim nga puna”. Me datë 05.11.2013 pala e paditur e ka njoftuar paditësin për zhvillimin e takimit me datë 02.12.2013, takim në të cilin pala e paditur i ka kundërshtuar arsyet e paraqitura nga pala e paditur. Me urdhrin nr.18064/9 datë 06.12.2013 pala e paditur ka vendosur largimin e paditësit nga detyra.
Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Tiranë me vendimin nr.1428 datë 04.04.2014 ka vendosur pranimin e pjesshëm të padisë dhe detyrimin e palës së paditur t`i paguajë paditësit pagën deri në fund të afatit të njoftimit nga data 06.12.2013- 31.03.2014; dëmshpërblim prej 12 muajsh pagë për shkak të zgjidhjes së menjëhershme të pajustifikuar të kontratës së punës; 3 muaj pagë për vjetërsinë në punë, si dhe pagën për pushimet vjetore të pamarra për vitin 2013. Në këtë vendim është arsyetuar se zgjidhja e kontratës së punës është kryer pa shkaqe të justifikuara, pasi në bazë të nenit 35 të ligjit 49/2012, pala e paditur ka detyrimin të provojë ligjshmërinë e veprimeve të saj.
Gjykata Administrative e Apelit Tiranë me vendimin nr.3412 datë 15.09.2014 ka vendosur lënien në fuqi të vendimit nr.1428 datë 04.04.2014 të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë. Në këtë vendim është arsyetuar se pretendimi i palës së paditur për shkeljen e kryer nga paditësi mbetet në kuadrin e pretendimeve të pabazuara në prova.
Kundër vendimit nr.3412 datë 15.09.2014 të Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë, ka ushtruar rekurs pala e paditur Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, e cila ka kërkuar ndryshimin e vendimeve të gjykatave dhe rrëzimin e padisë, duke parashtruar ndër të tjera se ka qenë shkelja e kryer nga paditësi ajo që ka ndikuar në zgjidhjen e marrëdhënieve të punës nga pala e paditur.
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë pasi u njoh me aktet e dosjes gjyqësore, vendimet e gjykatave dhe shkaqet e parashtruara në rekurs vëren se vendimet e gjykatave të faktit janë marrë në mungesë të një hetimi të plotë e të gjithanshëm gjyqësor. Gjykata Administrative e Apelit, megjithëse kishte mundësitë që të rregullonte këtë të metë të gjykimit në shkallë të parë, nuk ka zgjeruar më tej hetimin gjyqësor. Si rrjedhojë, çështja duhet kthyer për rigjykim në Gjykatën Administrative të Apelit.
Nga faktet e pranuara nga gjykatat rezulton se paditësi ka kryer pranë Degës së Doganës Tiranë si doganier kontrolli fizik. Shkaku për të cilin ka filluar procedimi disiplinor ndaj tij ka pasur të bënte me një shkelje të paditësit, pasi me datë 18.02.2011 shoqëria “Rushaj”ka deklaruar mall në sasi 9 522 33 kg, ndërkohë nga krahasimi me faturat e doganës italiane kanë rezultuar diferenca në sasi malli.
Sipas Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë këto shkelje të pretenduara bazohen në shkresën nr.7077 datë 21.10.2013 të Degës së Doganës Tiranë, sipas të cilës Drejtoria e Hetimit ka krahasuar faturat e paraqitura nga Shoqëria “Rushaj” shpk dhe një shoqëri tjetër, me ato të deklaruara nga dogana italiane dhe nga ky krahasim kanë rezultuar diferenca në mall. Sipas gjykatës së shkallës së parë, shkresa e mësipërme nuk përbën provë të mjaftueshme për të provuar faktin e pretenduar nga pala e paditur. Ndërkohë Gjykata Administrative e Apelit, pa e zgjeruar më tej hetimin gjyqësor, duke i kërkuar palës së paditur prova të tjera, me qëllim vërtetimin e fakteve të pretenduara nga pala e paditur dhe arritjen e përfundimit nëse nga ana e paditësit ishin kryer apo jo shkelje, lë në fuqi vendimin e gjykatës së shkallës së parë.
Gjykata e faktit kanë konsideruar të pamjaftueshme provat e përmendura më sipër për të arritur në konkluzionin se paditësi kishte kryer shkeljet që pretendonte pala e paditur. Ndërkohë, Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë vëren se pala e paditur ka sjellë në gjykim prova të cilat ajo e konsideronte se vërtetonin shkeljet e pretenduara nga paditësi. Po kështu, rezulton se shkelja që i është atribuar paditësit është konkrete. Nisur nga ky fakt, Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë vëren se gjykatat e faktit kanë zbatuar të mënyrë të gabuar ligjin procedural, i cili i detyron ato të kryejnë një hetim të plotë e të gjithanshëm gjyqësor. Nëse provat e paraqitura nga pala e paditur nuk ishin bindëse për gjykatën për të arritur në konkluzionin se paditësi kishte kryer shkelje, gjykatat duhet të hetonin më tej në drejtim të verifikimit të rrethanave të faktit dhe ligjit të zbatueshëm. Në këtë drejtim, gjykatat duhej të kishin zgjeruar hetimin gjyqësor, duke i kërkuar palës së paditur, aktet mbi bazën e të cilave ishin nxjerrë shkresa dhe memoja e përmendur më sipër.
Sa më sipër, Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë vlerëson se çështja duhet kthyer për rigjykim, në Gjykatën Administrative të Apelit Tiranë, e cila: a) duhet t`i kërkojë palës së paditur të vërtetojë shkeljet e pretenduara për paditësin, me anë të akteve shkresore, dokumente të doganës italiane, të cilat të pasqyrojnë mallin e zhdoganuar nga subjekti “Rushaj” shpk, me datë 18.02.2011, proçesverbale apo akte të mbajtura nga pala e paditur lidhur me rastin në fjalë, etj; b) të lejojnë palët të paraqesin provat në mbështetje të pretendimeve dhe prapësimeve të tyre; c) sipas rastit, në varësi të vërtetimit ose jo të shkeljeve të kryera nga paditësi, Gjykata Administrative e Apelit duhet të mbajë parasysh edhe zbatimin e drejtë të ligjit material lidhur me masën e dëmshpërblimit; d)të kryejnë çdo veprim që ato e konsiderojnë të nevojshëm, me qëllim kryerjen e një hetimi të plotë e të gjithanshëm gjyqësor, në funksion të zgjidhjes së drejtë të çështjes.
PËR KËTO ARSYE
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, në bazë të ligjit 49/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative” i ndryshuar.
V E N D O S I
Prishjen e vendimit nr.3412 datë 15.09.2014 të Gjykatës Administrative të Apelit dhe kthimin e çështjes për rigjykim në po atë gjykatë, por me tjetër trup gjykues.
Tiranë, më 24.03.2016
Nr. 11241-02928-00-2013 i Regj. Themeltar
Nr. 00 - 2016 - 796 i Vendimit (183)
Do'stlaringiz bilan baham: |