VENDIM NË EMËR TË REPUBLIKËS
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, i përbërë nga:
Xhezair Zaganjori Kryesues
Evelina Qirjako Anëtare
Medi Bici Anëtar
Në datën 24.03.2016 mori në shqyrtim në dhomën e këshillimit çështjen administrative me nr.11243-01341-00-2014 akti që iu përket palëve:
KËRKUES: DREJTORIA RAJONALE E SIGURIMEVE SHOQËRORE SHKODËR
PERSON I TRETË: FAIK YMERI
OBJEKTI:
Ndreqjen e gabimit material të vendimit civil nr.435, datë 18.02.2010
të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër,
konkretisht në pjesën e shpenzimeve gjyqësore,
duke saktësuar nga 73.000 lekë në 53.000 lekë
sipas dispozitivit të këtij vendimi.
Baza Ligjore: Neni 312 K.Pr. Civile.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër, me vendimin nr.87 (3307), datë 20.04.2012 ka vendosur:
Rrëzimin e kërkesës.
Shpenzimet gjyqësore në masën 60.000 lekë në ngarkim të palës kërkuese.
Gjykata e Apelit Shkodër, me vendimin nr.30, datë 17.02.2014 ka vendosur:
Lënien në fuqi të vendimit nr.87 (3307), datë 20.04.2012 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër.
Ndaj vendimit të sipërcituar rezulton të ketë paraqitur rekurs kërkuesja Drejtoria Rajonale e Sigurimeve Shoqërore Shkodër, e cila kërkon:
Ndryshimin e vendimit nr.87 (3307), datë 20.04.2012 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër dhe vendimit nr.30, datë 17.02.2014 të Gjykatës së Apelit Shkodër dhe pranimin e kërkesës.
Shkaqet që kërkuesja Drejtoria Rajonale e Sigurimeve Shoqërore Shkodër paraqet në rekurs, janë:
-
Pranë D.R.S.SH. Shkodër ka ardhur për ekzekutim vendimi civil nr.435, datë 18.02.2010, i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër dhe D.R.S.SH. Shkodër ka ekzekutuar vendimin e cituar më lart.
-
Zyra e Përmbarimit ka ndërhyrë, duke vënë sekuestron konservative mbi llogaritë bankare të D.R.S.SH. Shkodër, duke ndaluar shumën 73.000 lekë, por në dispozitivin e vendimit është vendosur shuma 53.000 lekë.
-
Gjykata nuk ka pranuar korrigjimin e gabimit material, me arsyetimin se nuk jemi përpara kushteve të nenit 312 K.Pr.Civile.
-
Shuma për shpenzimet gjyqësore të vendosura nga gjykata në shumën 60.000 lekë është e pajustifikuar, pasi bie ndesh me urdhrin nr.1284/3, datë 16.03.2005 të Ministrisë së Drejtësisë dhe Dhomës Kombëtare të Avokatisë, për përfaqësimin e avokatit në seancë gjyqësore, e cila duhet të jetë në shumën 15.000 lekë.
-
Fatura tatimore duhet të jetë e shoqëruar me kuponin e kasës fiskale, apo mandat arkëtimi në bankë.
-
Relacioni i avokatit me klientin më shumë se profesional është familjar, pasi janë babë e bir.
-
Kjo shumë është e pajustifikueshme, abuzive, fiktive dhe shkelje e hapur e dispozitave ligjore, udhëzimeve, urdhërave që rregullojnë këtë marrëdhënie juridike.
KOLEGJI ADMINISTRATIV I GJYKATËS SË LARTË
pasi dëgjoi relatimin e gjyqtarit Medi Bici dhe bisedoi çështjen në tërësi, në dhomën e këshillimit, në përfundim;
V Ë R E N
1. Në Gjykatën e Lartë me datë 16.04.2014 është regjistruar çështja administrative nr.11243-01341-00-2014 regj. them, që u përket palëve ndërgjyqëse: kërkuese Drejtoria Rajonale e Sigurimeve Shoqërore Shkodër dhe person i tretë Faik Ymeri, me objekt: Ndreqjen e gabimit material të vendimit civil nr.435, datë 18.02.2010 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, konkretisht në pjesën e shpenzimeve gjyqësore, duke saktësuar nga 73.000 lekë në 53.000 lekë sipas dispozitivit të këtij vendimi.
2. Vendimi nr.30, datë 17.02.2014 i Gjykatës së Apelit Shkodër, është marrë në shkelje të rëndë të rregullave procedurale, pasi kësaj gjykate i mungonte kompetenca në lëndë, prandaj vendimi i saj duhet të prishet dhe çështja të dërgohet për tu shqyrtuar në gjykatën kompetente, që është Gjykata Administrative e Apelit.
I. Rrethanat e çështjes:
3. Në referim të dokumentacionit ligjor të administruar në dosje rezulton se me vendimin nr.435, datë 18.02.2010 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër është vendosur:
Pranimin e kërkesëpadisë.
Anullimin e vendimit nr.6823, datë 26.12.2009 të Degës së Përfitimeve në D.R.S.SH Shkodër, me të cilin paditësit i është bërë llogaritja e masës së pensionit të parakohshëm që përfiton për vjetërsi shërbimi si ushtarak.
Detyrimin e palës së paditur që përcaktimin e pagës referuese të paditësit Faik Ymeri, të përcaktuar në pikën “a” të paragrafit të dytë të nenit 6 të ligjit nr.8521, të mos e bëjë sipas nenit 7 të ligjit nr.8087 (pra si page neto mesatare mujore e vitit të fundit të shërbimit), por përcaktimin e pagës referuese të paditësit në fjalë, ta bëjë sipas nenit 5 paragrafi i parë dhe paragrafi i dytë pika “a” të ligjit nr.8521, (pra si paga që do të përfitonte paditësi në momentin e hyrjes në fuqi të ligjit nr.8521 (nëse do të ishte në marrëdhënie pune si ushtarak + shpërblimi për gradën që ka patur ushtaraku në kohën kur ka ndërprerë marrëdhëniet e punës).
Detyrimi e D.R.S.SH Shkodër, për t’i kthyer paditësit Faik Ymeri, diferencën e shumës që i është paguar atij në bazë të vendimit nr.6823, datë 26.12.2009 të Degës së Përfitimeve, me shumën që ai duhet të përfitonte nga llogaritja e masës së pensionit të parakohshëm sipas mënyrës së përcaktuar në pikën e dytë të pjesës urdhëruese të këtij vendimi.
Detyrimin e palëve të paditura që në përmbushjen në favor të paditësit të detyrimeve të shprehura në pikat 1, 2 dhe 3 të pjesës urdhëruese të këtij vendimi, të kufizohen vetëm në periudhën ndërmjet datave 15.09.1999 (periudhë në të cilën ka hyrë në fuqi ligji nr.8521, datë 30.07.1999) - 15.06.2009 (datë në të cilin ky ligj e ka humbur fuqinë juridike).
Detyrimin e palës së paditur D.R.S.SH Shkodër, që t’i rikthejë paditësit Faik Ymeri taksën mbi aktet në shumën 3.000 lekë, së bashku me 50.000 lekë të paguar prej paditësit si shpërblim për avokatin që e ka mbrojtur dhe përfaqësuar në gjykim.
4. Në dispozitivin e këtij vendimi ka përcaktuar detyrimin e D.R.S.SH Shkodër, ndër të tjera t’i kthejë paditësit Faik Ymeri, taksën mbi aktet në shumën 3.000 lekë, së bashku me 50.000 lekë, të paguar prej paditësit si shpërblim.
5. Pas firmosjes së vendimit nga sekretarja dhe gjyqtarja ka një shënim të bërë nga sekretarja ku shpenzimet e avokatit janë shënuar 70.000 lekë dhe taksa e regjistrimit të padisë 3.000 lekë, në total 73.000 lekë.
6. Ndaj këtij vendimi ka ushtruar ankim D.R.S.SH Shkodër dhe Gjykata e Apelit Shkodër me vendimin nr.338, datë 19.09.2011 ka vendosur lënien në fuqi të vendimit nr.435, datë 18.02.2010 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër.
7. Lidhur me këtë vendim, Drejtoria Rajonale e Sigurimeve Shoqërore Shkodër ka paraqitur kërkesën për korrigjimin e vendimit gjyqësor në pjesën ku sekretaria gjyqësore ka përcaktuar si shpenzime gjyqësore shumën prej 73.000 lekë në vend të 53.000 lekë, me pretendimin se nga ana e përmbaruesit gjyqësor është kërkuar ekzekutimi i shumës sipas tabelës bashkëlidhur vendimit.
II. Vendimet e gjykatave dhe arsyetimi i tyre:
8. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër, me vendimin nr.87 (3307), datë 20.04.2012 ka vendosur:
Rrëzimin e kërkesës.
Shpenzimet gjyqësore në masën 60.000 lekë në ngarkim të palës kërkuese.
9. Gjykata e rrethit gjyqësor ndër të tjera arsyeton:
Gjykata, pasi dëgjoi në respektim të parimit të kontradikorialitetit kërkuesin dhe personin e tretë dhe, pasi kaloi në analizë juridike të fakteve dhe të ligjit çmoi se kërkesa e paraqitur nga Drejtoria Rajonale e Sigurimeve Shoqërore është e pabazuar në ligj dhe për këtë arsye duhet të rrëzohet.
Instituti i korrigjimit të gabimeve materiale në vendimet gjyqësore parashikohet nga neni 312 i K.Pr.Civile i cili sanksionon se: “Pas shpalljes së vendimit gjykata nuk mund ta anulojë ose ta ndryshojë atë. Ajo, me kërkesën e palëve ose kryesisht, mund të ndreqë në çdo kohë vetëm gabimet e bëra në shkrim ose në llogari ose ndonjë pasaktësi të dukshme të vendimit”.
Logjika e këtij parashikimi ligjor është në rregullimin e atyre gabimeve të kryera nga gjykata, gabime të cilat konsiderohen si lajthitje në formulimin e vendimit dhe që nuk kanë të bëjnë absolutisht me mënyrën sesi kjo e fundit kupton dhe interpreton ligjin (ky rast i fundit do të mund të ndreqej vetëm nëpërmjet mjeteve të ankimit). Pra në çdo rast që palët cënohen nga këto pasaktësi në elementët e vendimit gjyqësor ato mund të kërkojnë korrigjimin e tyre gjyqësisht nga e njëjta gjykatë.
Në rastin konkret gjykata konstatoi se në elementët e tij vendimi nr.435, datë 18.02.2010 i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër nuk përmban asnjë gabim për të cilin legjitimohet korrigjimi. Konkretisht kërkuesi e bazon pretendimin e tij në korrigjimin e shënimit që sekretaria gjyqësore ka kryer në fund të vendimit pas firmës së gjyqtares së çështjes), por ky pretendim i kërkuesit çmohet i pabazuar nga kjo gjykatë përsa kohë që shënimet e sekretares gjyqësore nuk cilësohen si element të një vendimi gjyqësor.
Në vendimin nr.435, datë 18.02.2010 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër kjo e fundit në pjesën e dispozitivit ka përmendur fare qartë cilat janë detyrimet që rëndojnë mbi kërkuesin (në rolin e të paditurit në atë gjykim, duke përfshirë këtu edhe shpenzimet gjyqësore, duke i listuar ato në mënyrë të detajuar.
Në këtë rast është detyrim ligjor i përmbaruesit gjyqësor që pikërisht bazuar mbi dispozitivin e gjykatës të kryejë procedurat për ekzekutimin e detyrueshëm. Në çdo rast që ndonjëra nga palët e marrëdhënies juridike të ekzekutimit cënohet nga veprime të paligjshme të përmbaruesit gjyqësor ka të hapur rrugën për kundërshtimin e veprimeve përmbarimore. ....në rastin konkret kërkuesi duhet të kishte kundërshtuar gjyqësisht veprimet e përmbaruesit gjyqësor, duke i kërkuar këtij të fundit ekzekutimin në mënyrë të saktë dhe të plotë të asaj që përbën pjesën urdhëruese të vendimit dhe konkretisht dispozitivit të vendimit.....
10. Gjykata e Apelit Shkodër, me vendimin nr.30, datë 17.02.2014 ka vendosur:
Lënien në fuqi të vendimit nr.87 (3307), datë 20.04.2012, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër.
III. Ligji i zbatueshëm:
11. Neni 7 i ligjit nr.49/2012 “Për Organizimin dhe Funksionimin e Gjykatave Administrative”.
12. Vendimi unifikues nr.03, datë 06.12.2013 i Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë, të cilat ndërmjet të tjerave thonë se:
....Gjykatat administrative të shkallës së parë, Gjykata e Apelit Administrativ dhe Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, të krijuara me ligjin nr.49, datë 03.05.2012 “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”, janë kompetente për shqyrtimin e të gjitha çështjeve, të cilat sipas nenit 7 të këtij ligji përbëjnë mosmarrëveshje administrative, pavarësisht gjendjes, fazës apo shkallës së gjykimit. Këto gjykata janë kompetente për çështjet administrative për të cilat, padia, ankimi ose rekursi është depozituar përpara datës 04.11.2013, respektivisht në gjykatat e shkallës së parë, të apelit apo në Gjykatën e Lartë dhe deri në këtë datë, shqyrtimi në këto gjykata nuk ka përfunduar akoma....
IV. Arsyetimi i Kolegjit Administrativ dhe zgjidhja e çështjes:
13. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë vlerëson se, rekursi i paraqitur nga kërkuesja Drejtoria Rajonale e Sigurimeve Shoqërore Shkodër, përmban shkaqe nga ato që parashikohen në ligj, pasi Gjykata e Apelit Shkodër nuk ka qenë kompetente nga pikëpamja lëndore, prandaj ka arsye ligjore që vendimi i saj të cënohet.
14. Kolegji Administrativ, pasi shqyrtojë aktet procedurale që ndodhen në dosjen gjyqësore, objektin dhe shkakun ligjor të padisë, pretendimet e palëve të parashtruara në këto akte, vendimin e gjykatës dhe parashtrimet e rekursit, në interpretim të dispozitave ligjore të zbatueshme për rastin konkret, arrin në konkluzionin se vendimi i dhënë nga Gjykata e Apelit Shkodër është marrë në shkelje të ligjit procedural, në kushtet kur kjo gjykatë ka shkelur dispozitat ligjore mbi kompetencën lëndore, prandaj për këtë shkak, vendimi i dhënë prej saj duhet të prishet dhe çështja të dërgohet për rishqyrtim, pranë Gjykatës Administrative të Apelit.
15. Gjykata e Lartë, pa i hyrë analizës së provave, nga shqyrtimi i materialeve të dosjes gjyqësore dhe pretendimeve të parashtruara në rekurs evidenton nëse nga gjykatat e faktit janë lejuar ose jo shkelje të normave procedurale dhe nëse ligji material është respektuar drejtë ose jo nga ato. Në varësi të zgjidhjes së këtyre çështjeve nga gjykatat e faktit, Gjykata e Lartë, në realizim të funksionit të saj rishikues, shprehet për bazueshmërinë ose jo në ligj të vendimeve për të cilat është paraqitur rekurs përpara saj.
16. Në analizë të akteve dhe provave të administruara në dosjen gjyqësore rezulton se, kërkuesja Drejtoria Rajonale e Sigurimeve Shoqërore Shkodër i është drejtuar Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër me kërkesëpadi, duke kërkuar Ndreqjen e gabimit material të vendimit nr.435, datë 18.02.2010 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, konkretisht në pjesën e shpenzimeve gjyqësore, duke saktësuar nga 73.000 lekë në 53.000 lekë sipas dispozitivit të këtij vendimi. Gjykata e Apelit Shkodër, në përfundim të gjykimit me vendimin nr.30, datë 17.02.2014 ka vendosur të lërë në fuqi vendimin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, e cila kishte rrëzuar kërkesën.
17. Në rastin në shqyrtim kërkues është një organ i administratës publike, prandaj, duke u bazuar në ligjin nr.49/2012 “Për Organizimin dhe Funksionimin e Gjykatave Administrative dhe Gjykimin e Mosmarrëveshjeve Administrative”, çështja ka patur natyrë krejtësisht administrative dhe Gjykata e Apelit Shkodër ka dhënë vendim për një çështje të tillë (me natyrë administrative) pas datës 04.11.2013, në një kohë kur në zbatim të Dekretit nr.7818, datë 16.11.2012 të Presidentit të Republikës kanë filluar veprimtarinë e tyre gjykatat administrative.
18. Meqenëse ligji nr.49/2012 “Për Organizimin dhe Funksionimin e Gjykatave Administrative”, në dispozitat e tij tranzitore heshte për mënyrën se si do të veprohej me çështjet administrative të regjistruara në gjykatën civile para datës 04.11.2013, për të unifikuar praktikën gjyqësore Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë me vendimin nr.03/2013 kanë arritur në këtë përfundim unifikues: ....Gjykatat administrative të shkallës së parë, Gjykata e Apelit Administrativ dhe Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, të krijuara me ligjin nr.49, datë 03.05.2012 “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”, janë kompetente për shqyrtimin e të gjitha çështjeve, të cilat sipas nenit 7 të këtij ligji përbëjnë mosmarrëveshje administrative, pavarësisht gjendjes, fazës apo shkallës së gjykimit. Këto gjykata janë kompetente për çështjet administrative për të cilat, padia, ankimi ose rekursi është depozituar përpara datës 04.11.2013, respektivisht në gjykatat e shkallës së parë, të apelit apo në Gjykatën e Lartë dhe deri në këtë datë, shqyrtimi në këto gjykata nuk ka përfunduar akoma....
19. Duke qenë se çështja kishte natyrë administrative dhe gjykimi i saj nuk kishte përfunduar akoma, në zbatim të nenit 7/a të ligjit nr.49/2013 “Për Organizimin dhe Funksionimin e Gjykatave Administrative dhe Gjykimin e Mosmarrëveshjeve Administrative” dhe vendimit unifikues nr.03/2013 të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë, Gjykata e Apelit Shkodër ka qenë e detyruar që të vendoste moskompetencën e saj lëndore dhe dërgimin e çështjes për shqyrtim në gjykatën kompetente, që është Gjykata Administrative e Apelit
20. Kolegji Administrativ thekson se kompetenca lëndore nuk duhet të shikohet vetëm me kërkesë të palëve të ngritura në ankim ose rekurs, por edhe vetë kryesisht nga gjykata e apelit ose Gjykata e Lartë, pasi kjo kompetencë nuk mund të “kurohet” qoftë edhe me zgjidhjen e drejtë të çështjes në themel nga gjykata më e ulët. Çështja e kompetencës lëndore konsiderohet e një rëndësie të veçantë në respektim të zhvillimit të një procesi të rregullt ligjor. Gjykata në çdo shkallë gjykimi është e detyruar që të marrë në shqyrtim dhe të vendosë në lidhje me kompetencën e saj lëndore përpara se të gjykojë çështjen që i paraqitet për shqyrtim. Ky detyrim i gjykatës për të vepruar edhe kryesisht është e lidhur drejtpërdrejt me zbatimin dhe respektimin e parimit të një procesi të rregullt ligjor, i sanksionuar në nenin 42/2 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe nenin 6 të KEDNJ. Nëse një gjykatë nuk ka kompetencë lëndore për të gjykuar çështjen objekt shqyrtimi, në përputhje me dispozitat që zbatohen sipas legjislacionit përkatës nuk mund të kryejë asnjë veprim tjetër procedural në lidhje me këtë çështje.
21. Duhet theksuar se, në kuptimin e së drejtës procedurale, kompetenca lëndore është një kusht i domosdoshëm procedural, që e bën të vlefshëm procesin gjyqësor, si dhe të gjitha aktet e marra në administrim gjatë zhvillimit të tij, në kuptimin që një gjykatë jokompetente nuk mund të kryejë asnjë veprimtari procedurale dhe një gjykatë jokompetente duhet të deklarojë moskompetencën e saj, (neni 61 i K.Pr.Civile, neni 7 i ligjit 49/2012). Ndarja e kompetencës, është përcaktuar qartë në ligjin nr.9877, datë 18.02.2008 “Për Organizimin e Pushtetit Gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”, ligjin nr.49/2012 “Për Organizimin dhe Funksionimin e Gjykatave Administrative dhe Gjykimin e Mosmarrëveshjeve Administrative” dhe Kodin e Procedurës Civile.
22. Përsa u thanë më sipër, Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë arrin në përfundimin se, moskompetenca lëndore për zgjidhjen e çështjes përbën shkelje të rëndë të rregullave procedurale, e cila ndikon drejtpërdrejt në dhënien e vendimit në kuptimin që, mosrespektimi i saj e bën vendimin gjyqësor absolutisht të pavlefshëm. Gabimet në procedim, të cilat parashikohen në nenin 467/a të K.Pr.Civile dhe nenin 54 të ligjit nr.49/2012 “Për Organizimin dhe Funksionimin e Gjykatave Administrative dhe Gjykimin e Mosmarrëveshjeve Administrative”, shqyrtohen nga gjykata edhe kryesisht, pikërisht për shkak të efektit të drejtpërdrejt që ato kanë në vendimin e dhënë, prandaj vendimi i Gjykatës së Apelit Shkodër duhet të prishet dhe çështja të dërgohet për rishqyrtim në Gjykatën Administrative të Apelit.
PËR KËTO ARSYE
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, duke u bazuar në nenet 7 dhe 63/c të ligjit nr.49, datë 03.05.2012 “Për Organizimin dhe Funksionimin e Gjykatave Administrative dhe Gjykimin e Mosmarrëveshjeve Administrative”;
V E N D O S I
Prishjen e vendimit nr.30, datë 17.02.2014 të Gjykatës së Apelit Shkodër dhe dërgimin e çështjes për rishqyrtim në Gjykatën Administrative të Apelit.
Tiranë, më 24.03.2016
Nr. 31001-01997-00-2014 Regj.Themeltar
Nr. 00-2016-1090 Vendimi (177)
Do'stlaringiz bilan baham: |