VENDIM NË EMËR TË REPUBLIKËS
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë i përbërë nga:
Xhezair Zaganjori Kryesues
Evelina Qirjako Anëtare
Medi Bici Anëtar
Mori në shqyrtim në dhomën e këshillimit të datës 24.03.2016, çështjen administrative nr.11118-01899-00-2013 akti, që i përket:
PADITËSE: SHOQËRIA KODRA SH.P.K
I PADITUR: DEGA E DOGANËS TIRANË
DREJTORIA E PËRGJITHSHME E DOGANAVE TIRANË
ME PJESËMARRJEN E AVOKATURËS SË SHTETIT
OBJEKTI:
Detyrimin e Degës së Doganës Tiranë të kthejë shumën prej 11,185,000 lekë
të paguar nga shoqëria “Kodra”sh.p.k si pagesë e padetyruar nga ligji .
Baza Ligjore : Nenet 653,640,608 të K.Civil,
nenet 18, 34 dhe 249/1 të Kodit Doganor,
Vendimi i Këshillit të Ministrave nr.205 datë 13.03.1999
“Për Dispozitat Zbatuese të Kodit Doganor, neni 81.2 i ndryshuar,
dhe neni 32 i Kodit të Procedurës Civile .
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë me vendimin nr.5145, datë 21.05.2012 ka vendosur:
Pranimin e pjesshëm të padisë.
Detyrimin e palës së paditur Dega e Doganës Tiranë t’i kthejë paditësit shumën prej 4,266,620 lekë, si pagim i padetyruar.
Rrëzimin e kërkimit të palës paditëse për pjesën tjetër të shumës të paguar si TVSH për detyrimet doganore sipas përllogaritjes së Degës së Doganës Tiranë, si të pabazuar në ligj.
Gjykata e Apelit Tiranë, me vendimin nr.514, datë 01.03.2013 ,ka vendosur:
Ndryshimin e vendimit nr.5145 datë 21.05.2012, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe rrëzimin e padisë si të pambështetur në prova dhe në ligj.
Kundër këtij vendimi, ka paraqitur rekurs pala paditëse Shoqëria “Kodra” sh.p.k e cila kërkon ndryshimin e vendimit nr.514 datë 01.03.2013 të Gjykatës së Apelit Tiranë, duke parashtruar shkaqet e mëposhtme:
-
Vendimi i Gjykates se Apelit Tiranë është i padrejtë dhe jashtë kuadrit të provave që ndodhen në dosje.
-
U provua se vlera e mallit e deklaruar ne deklaratat doganore ishte reale dhe përbënte çmimin realisht të paguar për blerjen e mallit.
-
U provua se, nuk ka asnje shkak ligjor, për të ndërhyrë në fature ndërkohë, që me prova u vertetua se çmimi realisht i paguar ishte ai i deklaruar ndaj dhe kerkimi per rimbursimin e shumes, perben minimumin e se drejtes, për tu rivendosur.
-
Në seancat gjyqesore dhe nga ana e pales se paditur, nuk pati asnje kontestim se Dega e Doganes Tirane ne çastin e çdoganimit te mallit, jo vetëm nuk ka zbatuar drejt nenin 34, te K.Doganor, por ajo nuk ka zbatuar as procedurat që e detyron ligji.
-
Arsyetimi se në këtë konflikt gjyqësor objekti i padisë duhet të ishte detyrimi përnxjerrjen e një akti administrativ sipas përcaktimeve të ligjit doganor dhe jo kërkimi i i shumës në bazë të nenit 249 I KD de VKM 205/1999, është i gabuar pasi kur nuk ekziston asnjë akt administrativ i nxjerrë në zbatim të dispozitave të kodit doganor , subjekti nuk ka se çfarë akti të kundërshtojë. Ky qëndrim është mbajtur edhe nga Gjykata e Lartë në vendime të ngjashme të kësaj natyre (psh Vendimi nr.290 /2008 shoqëria Sprint sh.p.k kundër Degës së Doganës Durrës)
-
Lidhur me arsyetimin e Gjykatës se Apelit se baza ligjore nga paditësi kanë qenë dispozitat e Kodit Civil, gjykojmë se është i gabuar pasi në bazën ligjore nuk referojmë vetëm kodin civil por edhe Kodin Doganor i cili në nenin 249/1 të tij parashikon shprehimisht të drejtën e subjekteve për të kërkuar rimbursim për detyrimet e importit ose detyrimet e eksportit, kur konstatohet se në çastin e pagimit kjo shumë ligjërisht nuk përbënte detyrim .
-
Gjithashtu kërkimi i paditësit është i mbështetur edhe në nenin 44 të kushtetutës ku parashikohet se “kushdo ka të drejtë të zhdëmtohet në përputhje me ligjin, në rast se është dëmtuar për shkak të një akti, veprimi ose mosveprimi i paligjshëm të organeve shtetërore .
KOLEGJI ADMINISTRATIV I GJYKATËS SË LARTË
Pasi dëgjoi relatimin e çështjes objekt gjykimi, paraqitur nga gjyqtarja Evelina Qirjako, dhe verifikoi legjitimitetin e palës rekursuese, Shoqëria “Kodra” sh.p.k ;
V Ë R E N
1. Pala paditëse Shoqëria Tregtare “Kodra” sh.p.k. me qendër në Tiranë është shoqëri tregtare e së drejtës shqiptare. Rezulton se shoqëria është themeluar më datë 06.07.1995, është regjistruar pranë QKR në datë 12.03.2002 dhe është pajisur nga organet tatimore me NIPT K21512015V. Nga shqyrtimi i dokumentacionit rezulton se objekti tregtar i aktivitetit të saj, sipas ekstraktit të lëshuar nga QKR, është ushtrimi i veprimtarisë: “Në fushën e tregtimit të mallrave të ndryshme ushqimore, blegtorale, bujqësore, pjesë këmbimi me shumicë e pakicë, eksport-import të të gjitha mallrave e materialeve”.
2. Nga shqyrtimi i akteve dhe provave që janë administruar në dosjen gjyqësore rezulton se me datë 23.07.2010, pala paditëse është paraqitur në Degën e Doganës Tiranë për të kryer zhdoganimin e mallit, fishekzjarre, të importuara nga Republika Popullore e Kinës, duke paraqitur dokumentacionin e nevojshëm që përbëhej nga: deklarata doganore nr.R 38463 datë 23.07.2010, me vlerë të faturuar 27,745 USD dhe me pagesë totale në rubrikën llogaritja e detyrimeve në shumën 6,568,426 lekë; deklarata doganore nr.R 38467 datë 23.07.2010, me vlerë të faturuar 35,751 USD USD dhe me pagesë totale të pasqyruar në rubrikën llogaritja e detyrimeve në shumën 7,054,639 lekë; deklaratë doganore nr.R 38470 datë 23.07.2010, me vlerë të faturuar 36,514 USD dhe me pagesë totale në rubrikën llogaritja e detyrimeve në shumën 7,222,862 lekë; deklaratë doganore nr.R 38611 datë 24.07.2010, me vlerë të faturuar 32,045 USD dhe me pagesë totale të pasqyruar në rubrikën llogaritja e detyrimeve në shumën 6,701,231 lekë; deklaratë doganore nr.R 38938 datë 26.07.2010, me vlerë të faturuar 37,145 USD dhe me pagesë totale të pasqyruar në rubrikën llogaritja e detyrimeve në shumën 7,139,816 lekë.
3. Nga shqyrtimi i këtyre deklaratave doganore, rezulton se ky mall i përket kodit tarifor 36041000, fishekzjarrë, me një vlerë totale të faturuar 169,200 USD, me peshë neto 112,927 kg dhe peshë bruto 120,858 lekë. Shuma e detyrimeve (doganore + akcizë + TVSH) e llogaritur në bazë të vlerës së faturës është 34.686,974 lekë. Gjithashtu nga ana e pales paditëse janë paraqitur ne gjykim, si prova për të provuar transaksionet e kryera mes palëve dhe faturat si vijon: fatura nr.JS20100303/1, me çmim të blerjes 27,745 USD, fatura nr.JS20100303/5, me çmim të blerjes 35,751 USD, fatura nr.JS20100303/3, me çmim të blerjes 36,514 USD, fatura nr.JS20100303/1, me çmim të blerjes 32,045 USD, fatura nr.JS20100303/1, me çim të blerjes 37,145 USD
4. Rezulton se në momentin e zhdoganimit të mallit, pala paditese, ka paraqitur në cilësinë e provës, dokumente justifikuese se vlera e mallit fishekzjarrë me çmim të paguar realisht është në shumën totale prej 169,200 USD. Kjo vërtetohet nëpërmjet: (i) Lejes së Importit të Ministrisë së Mbrojtjes nr.387 datë 06.01.2009, me një vlerë totale 169,200 USD; (ii) kontrata me firmën Prodhuese nr.JS20090106 datë 06.01.2009, me një shumë totale të këtyre transfertave prej 169,200 USD; (iii) Urdhër transfertat e Bankës ProCredit Bank sh.a, sipas të cilave rezulton të jetë paguar vlera e detyrimeve për kontratën nr.JS20090106 datë 06.01.2009 (të referuara shprehimisht ne pikën 3 më lart).Gjithashtu nga ana e pales paditese me çertifikatën e origjinës, është provuar fakti se vendi i origjinës së mallit fishekzjarrë, është Republika e Kinës dhe sasia e importuar prej saj është 120.858 kg si peshë bruto.
5. Rezulton se, pala paditëse me anë të kërkesës nr.3902 datë 23.07.2010 i ka kërkuar palës së paditur që të mos aplikojë çmimin e referencës në përcaktimin e detyrimit doganor pasi paditësi disponon të gjithë dokumentacionin ligjor justifikues i cili vërteton cmimin relativisht të transaktuar në përputhje me nenin 34 të Kodit Doganor. Pavarësisht nga sa më sipër rezulton se Dega e Doganës Tiranë, nuk ka pranuar çmimin e transaksionit të deklaruar nga pala paditëse, dhe për pasojë ka aplikuar për efekt të përllogaritjes së detyrimit doganor çmimet e referencës 4000 USD/Ton, sipas parashikimeve të nenit 36 të Kodit Doganor. Në bazë të këtyre përllogaritjeve, rezulton se shuma e detyrimit doganor sipas deklaratave doganore të Degës së Doganës Tiranë është në masën 46,117,341 lekë.
6. Pala e paditëse ka bërë pagimin e detyrimit të përcaktuar nga organi doganor në shumën 46,117,341 lekë edhe pse nuk ishte dakord me këtë vlerë por e detyruar nga lloji i mallit i cili duhej të dilte sa më parë në treg dhe të shitej. Pala paditëse me kërkesën e datës 05.08.2010 drejtuar Degës së Doganës Tiranë, i ka bërë me dije organit doganor se ajo nuk ka qenë dakord me shumën e paguar me sipër dhe ka paguar më tepër se vlera që realisht duhet të paguante në masën 11,430,367 lekë. Gjithashtu përmes kësaj kërkese, pala paditëse i ka kërkuar autoritetit doganor , nxjerrjen e vendimit përfundimtar për arsyet e vlerësimit doganor sipas nenit 36 KD si dhe kthimin e shumës 11,430,367 lekë që përfaqëson shumën e paguar më tepër si rezultat I zbatimit të metodës së referencës .Gjithashtu në vijim të kërkesave të sipërpërmendura , pala paditëse ka paraqitur pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave kërkesë me nr.12535 datë 01.09.2010 , me të njëjtin objekt .
7. Sipas palës paditëse kontrata nr.JS20090106 datë 06.01.2009 e lidhur ndërmjet saj Shoqëria Tregtare “Kodra” sh.p.k. me cilësinë e blerësit dhe shitësit, tregon se vlera totale e kontraktuar e blerjes se mallit - çmimi i kontratës është 169.200 USD. Me lejen e importit nga autoriteti i Kontrollit Shtetëror të Eksporteve nr.387 prot. datë 03.09.2009 provohet se pala paditëse, Shoqëria Tregtare “Kodra” sh.p.k. është licencuar për të importuar nga Republika Popullore e Kinës mallin fishekzjarrë me vlerë totale 169,200 USD.
9. Rezulton se, Dega e Doganës Tiranë nuk ka nxjerrë një vendim përfundimtar brenda afatit 30 ditor siç parashikohet nga ligji (neni 18/2 i Kodit Doganor) por me shkresen nr.4186/1 prot. datë 16.09.2010,i ka kthyer përgjigje paditësit, sipas të cilës i komunikon subjektit se: “kërkesa juaj në bazë të nenit 81 të VKM dhe Kodit të Procedurave Administrative është jashtë afateve ankimore”. Rezulton se më datë 06.09.2010 me mandat postar nr.107002 pala paditëse i është drejtuar Drejtorit të Përgjithshme të Doganave, te cilit i ka kërkuar të detyrohet Dega e Doganës Tiranë të dalë me një vendim përfundimtar për vlerësimin doganor të mallit sipas parashikimeve të nenit 36 të Kodit Doganor apo të bënte rivlerësim doganor sipas parashikimeve të nenit 34 të Kodit Doganor dhe të kthehej shumë e mbajtur padrejtësisht në masën 11,430,367 lekë .
10. Kështu me shkresen nr.12535/2 prot. datë 25.09.2010, Drejtori i Përgjithshëm i Doganave ka kthyer përgjigje se: “është në kompetencë të Degës së Doganore ku ju kryeni veprimet të përcaktojë vlerën doganorë te mallrave të importuara duke u mbështetur në dokumentacionin që ju afroni dhe çdo informacion shtesë mbi deklarimin tuaj ... në asnjë rast metoda e vlerësimit nuk mund të përcaktohet nga organet doganore”.
Në këto kushte duke mos qenë dakord me vendimin e mësipërm,pala paditëse i është drejtuar Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë me kërkesëpadinë sipas objektit me date 11.11.2010.
11. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë me vendimin nr.5145, datë 21.05.2012 ka vendosur:
-
Pranimin e pjesshëm të padisë.
-
Detyrimin e palës së paditur Dega e Doganës Tiranë ti kthejë paditësit shumën prej 4,266,620 lekë, si pagim i padetyruar.
-
Rrëzimin e kërkimit të palës paditëse për pjesën tjetër të shumës të paguar si TVSH për detyrimet doganore sipas përllogaritjes së Degës së Doganës Tiranë, si të pabazuar në ligj.
11/1. Kjo gjykatë ka arsyetuar se:
Padia e ngritur në gjykatë nuk është padi e natyrës administrative, në kushtet kur nuk ka një akt administrativ të lëshuar nga autoritetet doganore i cili mund të ishte objekt i ankimi gjyqësor , për pasojë pretendimi i ngritur lidhur me kalimin e afatit 30 ditor sipas nenit 328 i K.Pr.Civile dhe nenin 18 i Kodit Doganor , nuk qëndron ....Në rastin konkret, nuk jemi para mungesës se ankimit administrativ, pasi pala paditëse i është drejtuar Degës së Doganës Tiranë dhe më pas Drejtorit të Përgjithshëm të Doganave duke kërkuar në mënyrë të shprehur nxjerrjen e një akti administrativ në lidhje me përcaktimin e vlerës doganore të bërë nga doganierët e vlerës si dhe faktin se asnjë nga autoritetet doganore nuk ka disponuar me akt administrativ ndaj pretendimit të subjektit dhe as rezulton ta ketë referuar atë në këtë natyrë konflikti, dhe nuk mund të pretendohet si argument nga këto autoritete detyrimi ligjor i subjektit të zgjidhë pretendimin e tij mbi një të drejtë të cenuar vetëm në aplikim të rrugës administrative, në kushtet kur akt administrativ nuk ka......Së dyti Gjykata merr në analizë nëse në vlerësim të akteve provuese të paraqitura, a ka pasur arsye dyshuese nga Dega e Doganës Tiranë, në nivel të justifikimit të aplikimit të çmimit të referencës. Rezulton se në referim të nenit 34 të Kodit doganor dhe VKM nr.205 datë 13.04.1999, nga ana paditëse janë paraqitur një sërë dokumentesh të detyrueshme për përcaktimin e vlerës doganore, dokumente të cilat janë paraqitur edhe para palës së paditur dhe të cilat në vetvete, në rastin konkret, nuk lejnë vend për dyshime për saktësinë e tyre . Nuk rezulton që pala e paditur ti jetë kërkuar ndonjë dokumentacion shtesë lidhur me kryerjen e transaksionit. Në këto kushte paraqitja e deklaratës së importit si provë në gjykim , në realitet nuk përbën një provë të re për praktikë doganore, por një akt i cili nuk është kërkuar të paraqitet në momentin e zhdoganimit të mallit. Lidhur me pretendimin e palës së paditur se nuk është paraqitur polica e sigurimit, përmbajtja e të cilës do ti shërbente realitetit të shumës reale të kontraktuar për qëllime siguruese të mallit,gjykata vlerëson se ky dokument nuk përbën një marrëveshje gjithnjë të detyrueshme për tu lidhur për sasinë e plotë të mallit të kontraktuar, në kushtet kur është në diskrecionin e palëve dhe në varësi të llojit të kontratës, sigurimi i pjesshëm apo tërësor i mallit, dhe vetëm mungesa e këtij dokumenti nuk përbën apriori shkak për të dyshuar në vlerën e transaksionit ..........Vlera e blerjes së mallit argumentohet me një sërë provash të administruara në gjykim si: deklarat doganore; kontrata për blerjen e mallit; transferta e pagimit në rrugë bankare të shumës së përcaktuar në kontratë; deklarata e eksportit të lëshuar nga autoritetet doganore të Republikës Popullore të Kinës. Sigurimi i informacionit për subjekte të tjera që importojnë të njëjtën natyrë malli mund të shërbej1 vetëm për ngritjen e “dyshimi të arsyeshëm “nga ana e autoriteteve doganore, por jo deri në vendimmarrje për shkak të rrethanave specifike të tregtimit dhe vendit të importit........Rezulton nga praktika doganore se Brenda masës së detyrimit objekt shqyrtimi, një pjesë e konsiderueshme e detyrimit përbëhet nga TVSH-ja e cila në zbatim të ligjit nr.7928 datë 27.04.1995 “Për Tatimin e vlerës së shtuar “ per mallrat e importit , vilet nga dega e doganës dhe përbëhet nga 20% e vlerës doganore .Gjykata vlerëson se rimbursimin e vlerës së TVSH-së së paguar më tepër në zhdoganim, e kryen organi tatimor dhe jo organi doganor, ndaj shuma për TVSH nuk konsiderohet e kthyeshme dhe aq më pak nga autoriteti doganor . Në këto kushte vlera prej 6,918,380 lekë e cila rezulton të jetë TVSH , duhet ti zbritet vlerës totale të kërkuar nga paditësi prej 11,430.360 lekë dhe duhet pranuar diferenca e këtyre dy shumave prej 4,266,620 lekë.
12. Gjykata e Apelit Tiranë, me vendimin nr.514, datë 01.03.2013 ,ka vendosur:
-
Ndryshimin e vendimit nr.5145 datë 21.05.2012, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe rrëzimin e padisë si të pambështetur në prova dhe në ligj.
12/1. Kjo gjykatë ka arsyetuar se : Marrëdhënia juridike objekt konflikti gjyqësor është një mosmarrëveshje administrative doganore dhe ligji tek i cili duhet të referohemi në zgjidhjen e saj është ligji specifik, Kodi Doganor.....Gjykata e Apelit e çmon te mbeshtetur pretendimin e pales se paditur ne ankimin e paraqitur perpara kesaj gjykate, pasi duke ju referuar bazës ligjore të padisë, paditësi ka përcaktuar si shkak ligjor për ngritjen e padisë, nenin 653 të Kodit Civil i cili parashikon institutin juridik të pagimit të padetyruar……Rezulton nga provat se pala paditëse ka paraqitur një dokument bankar në momentin e zhdoganimit të mallit, i cili nuk justifikonte transaksionin e deklaruar sipas faturës shoqëruese të mallit dhe ishte dukshëm më i ulët se niveli i çmimit të artikullit fishekzjarrë nga shoqëri të tjera si Shoqëria Tregtare “Apriko Trade”, Shoqëria Tregtare “S & M”, Shoqëria Tregtare “Indi 2000”. Po ashtu çmimet e deklaruara ishin dukshëm më të ulëta edhe se çmimet e dosjes së të dhënave të disponueshme, shkresa nr.15501/2 prot. datë 10.12.2009. Rezulton se ne referim të dyshimeve që ka pasur, Dega e Doganës Tiranë ka aplikuar metodat alternative të përllogaritjes së vlerës doganore te cilat janë të parashikuar ne nenit 34, 35 dhe 36 të K.Doganor dhe vendimeve të K.Ministrave të dala në zbatim të këtij kodi……Nga gjykimi, nuk rezultoi që pala paditëse të paraqiste prova në mbështetje të pretendimeve të saj dhe as arriti të argumentonte mungesat në dokumentacionin e saj, që ka pasur praktika doganore në momentin e zhdoganimit të mallit. ….Po kështu Gjykata e Apelit çmon se pala paditese pa kerkuar anullimin e aktit te rivleresimi pra anullimin e deklarates doganore te rivleresuar nuk mund te kerkoje detyrimin per te kthyer nje pagese të padetyruar. Kjo per faktin se nëse gjykata do te vendoste kthimin e nje pagimi te padetyruar pa kerkuar anullimin e aktit qe ka cuar ne marrjen e ketij detyrimi do te ishim perpara nje nonsensi juridik se nga njera ane shuma do ti ishte kthyer palës paditëse dhe nga ana tjeter dekalarata doganore e rivleresuar do mbetej ne fuqi pasi nuk eshte kundershtuar nga ana e palës paditëse……Gjykata e Apelit e gjen të mbeshtetur ne ligj dhe pretendimin e ngritur ne ankim nga ana e palës paditur ne lidhje me afatin e ankimit. Kështu pala paditese e ka ngritur padinë jashtë afatit të parashikuar nga neni 328 i Kodit të Procedurës Civile dhe neneve 18-20 të Kodit Doganor. Kjo për faktin se pas marrjes dijeni për aplikimin e vlerës doganore, pala paditëse duhet të kishte kërkuar menjëherë arsyet e aplikimit të vlerës doganore dhe brenda 20 ditëve duhet të ankohej në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, gjë që nuk ka ndodhur, por ka ngritur padi rreth 3 muaj më vonë, jashtë afatit të parashikuar nga neni 328 i Kodit të Procedurës Civile…, nisur nga rrethana dhe faktet e parashtruara me sipër dhe qe janë objekt gjykimi Gjykata e Apelit çmon se padia e pales paditese persa i perket kthimit te shumes si pasojë e pagimit të padetyruar dhe TVSH janë pretendime të pabazuara në prova dhe në ligj dhe si të tilla duhen rrëzuar.
13. Kundër këtij vendimi, ka paraqitur rekurs pala paditëse Shoqëria “Kodra” sh.p.k e cila kërkon ndryshimin e vendimit nr.514 datë 01.03.2013 të Gjykatës së Apelit Tiranë, duke parashtruar shkaqet e përmendura në pjesën hyrëse të këtij vendimi .
KOLEGJI ADMINISTRATIV I GJYKATËS SË LARTË VLERËSON:
14. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë vlerëson se rekursi i paraqitur nga pala paditëse shoqëria “Kodra sh.p.k përmban shkaqe ligjore nga ato te parashikuara në nenin 58 të Ligjit nr.49/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”, të cilat e bëjnë të cënueshëm vendimin e Gjykatës së Apelit Tiranë. Ky Kolegj, çmon se vendimi nr.514, datë 01.03.2013 i Gjykatës se Apelit Tiranë eshte marrë në zbatim të gabuar të ligjit procedurial dhe atij material dhe për rrjedhojë ky vendim duhet të prishet.
15. Rezulton që kjo gjykatë mbi të njëjtat prova dhe dokumenta të administruara dhe trajtuara nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka arritur në konkluzione dhe përfundime të ndryshme nga kjo e fundit, duke bërë një interpretim të ndryshëm ligjor të tyre dhe duke arritur në përfundimin se vendimi i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë duhet të ndryshohet dhe të rrëzohet kërkesë padia e paditësit .
16. Gjykata e Apelit Tiranë ka arritur në këtë përfundim pasi ka analizuar faktin se (i) marrëdhënia e krijuar mes palëve është një marrëdhënie juridike administrative dhe në këto kushte nuk mund të zbatohet neni 653 i KC (ii) paditësi nuk arriti të provonte me prova shkresore transaksionin e deklaruar dhe në këto kushte është pikërisht ana e paditur ajo qe në zbatim të nenit 34, 35, 36 të KD si dhe pikës 81/4 të VKM nr.205 datë 13.4.1999 dhe VKM nr.565 ka të drejtën e përcaktimit të çmimeve të referencës për përcaktimin e vlerës doganore të mallit (iii) pala paditëse pa kërkuar anullimin e aktit të rivlerësimit pra anullimin e deklaratës doganore nuk mund të kërkojë detyrimin për të kthyer një pagesë të padetyruar. (iv)padia e paditësit është jashtë afatit të parashikuar ne nenin 328 të Kodit të Procedurës Civile dhe neneve 18-20 të Kodit Doganor.
Këto konkluzione dhe ky arsyetim i Gjykatës së Apelit Tiranë vlerësohen nga ky kolegj, si të pabazuara në prova dhe në ligj për arsyet e mëposhtme.
17. Së pari : Kolegji administrativ i Gjykatës së Lartë vlerëson të theksojë dhe të sqarojë për gjykatat më të ulëta se konflikti i lindur mes paleve është i natyrës administrative. Pavarësisht se nga ana e organit doganor nuk ka një akt administrativ i cili të kundërshtohet (rasti klasik) përsëri ky konflikt ka lindur si pasojë e veprimeve të kryera nga administrata shtetërore gjatë procedurës së zhdoganimit te mallit të paditësit. Në përcaktimin e natyrës së mosmarrëveshjes (nëse ajo është e natyrës civile apo administrative) do të merren në konsideratë një sërë elementësh të cilat përbëjnë marrëdhënien juridike të palëve si dhe mosmarrëveshjen e krijuar prej tyre siç janë palët që marrin pjesë në këtë marrëdhënie juridike si dhe në konfliktin e krijuar , shkaku ligjor i mosmarrëveshjes, objekti i saj, ligji i e zbatueshëm etj. Rezulton se ne çështjen objekt gjykimi mosmarrëveshja ka lindur ndërmjet paditësit qe eshte person juridik dhe ushtron veprimtari tregtare nga njëra anë dhe organit doganor nga ana tjetër i cili nëpërmjet ushtrimit te pushtetit te tij përfaqëson vullnetin shtetëror ne këtë veprimtari. Shkaku i lindjes së mosmarrëveshjes eshte pagimi i vlerës doganore të mallit gjatë procedurës së zhdoganimit i cili realizohet bazuar në ligjin specifik dalë për këtë qëllim që është Kodi Doganor i Republikës së Shqipërisë. Veprimet e organit doganor nuk janë gjë tjetër veçse “ veprime administrative “ të njëanshme të organit publik në kryerjen e funksionit publik por që nuk plotësojnë kushtet për tu barazuar me aktin administrativ apo kontratën administrative por qe krijojnë pasoja juridike mbi te drejtat subjektive apo interesat e ligjshme te subjekteve. Bazuar në analizën e mësipërme ky kolegj vlerëson të drejtë konkluzionin e arritur nga Gjykata e Apelit Tiranë se marrëdhënia juridike e krijuar mes palëve është një marrëdhënie administrative e cila rregullohet nga Kodi Doganor dhe në këto kushte edhe konflikti i krijuar mes tyre ka natyre administrative, dhe zgjidhja e tij do të bëhet bazuar në këtë ligj specifik dhe në aktet nënligjore që kanë dalë në bazë e për zbatim të tij.
18. Ligji specifik KD parashikon në mënyrë të qartë kushtet dhe procedurat që duhen ndjekur nga subjektet e interesuara për të rivendosur të drejtat e tyre në rastet kur ata pretendojnë se kanë kryer pagesa për detyrime doganore, padrejtësisht dhe/ose në kundërshtim me ligjin. Parashikimet e nenit 653 të K.Civil, mund të zbatoheshin vetëm në ato raste, kur paditësi nuk ka asnjë lloj mundësie tjetër për t’u mbrojtur (nuk ngre dot asnjë padi tjetër) dhe kur ligji specifik që rregullon këtë marrëdhënie juridike, nuk parashikon shprehimisht kushtet dhe procedurat për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve.
19. Në rastin objekt gjykimi, (nisur nga kërkimi i paditësit si dhe baza ligjore e referuar në kërkesëpadi) kolegji vëren se kërkimi i paditësit është “Detyrimi i Degës së Doganës Tiranë të kthejë shumën prej 11,185,000 lekë të paguar nga shoqëria “Kodra”sh.p.k si pagesë e padetyruar nga ligji “ . Për realizimin e kërkimit të tij paditësi i është referuar nenit 653 të KC dhe nenit 249 të Kodit Doganor. Në kushtet kur ky kërkim i paditësit si dhe ky lloj konflikti rregullohet nga KD dhe është parashikuar shprehimisht në nenin 249 të tij atëherë nuk ka se si gjykatat të konfondohen dhe herë ta trajtojnë atë si konflikt civil ( Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë) dhe herë si administrativ ( Gjykata e Apelit Tiranë) apo të thonë që ky lloj kërkim nuk gjen rregullim në Kodin Civil dhe në këto kushte padia e paditësit është ngritur gabim .
20. Është tashmë qëndrim i njohur ai i Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë se shqyrtimi dhe zgjidhja e një çështjeje nga gjykata nuk mund të bazohet vetëm mbi atë që formalisht shkruhet në aktet e procesit dhe që mund të emërtohen objekti apo baza ligjore. Gjykatat gjatë shqyrtimit të çështjeve që u shtrohen për gjykim, kanë detyrimin të vlerësojnë dhe të marrin parasysh të gjithë përmbajtjen e akteve proceduriale, të identifikojnë shkakun ligjor të kërkimeve në mënyrë që të mund të japin vendime të drejta dhe përfundimtare për to. Qëllimi i gjykatës është zgjidhja e konfliktit dhe jo lënia e tij pa zgjidhje. Sa më sipër është shprehur qartë dhe në Vendimin unifikues të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë nr.3/2012: “Gjykata e zbulon shkakun e padisë së paditësit duke e analizuar padinë në tërësinë e saj dhe jo duke u kufizuar tek dispozitat ligjore të referuara nga paditësi në pjesën hyrëse të saj. Mund të ndodhë që paditësi të referojë gabimisht dispozitat ligjore, porse nga leximi i kërkesëpadisë del e qartë e drejta që ai kërkon të mbrojë. Në këtë rast gjykata duhet të zgjidhë çështjen konform shkakut që rezulton nga shqyrtimi në tërësi i kërkesëpadisë, duke bërë lidhjen midis fakteve që pretendohen prej paditësit se kanë ngjarë dhe të drejtave apo interesave që ai pretendon se i janë cenuar”.
21. Në përfundim të analizës së mësipërme ky kolegj vlerëson dhe sqaron se mosmarrëveshja e krijuar mes paleve eshte e natyrës administrative dhe për zgjidhjen e saj do te aplikohen dispozitat e Kodit Doganor dhe te akteve nënligjore te dala ne baze dhe për zbatim te tij te cilat kane lidhje me këtë mosmarrëveshje, dispozita të cilat janë përcaktuar edhe në objektin e padisë së paditësit.
22. Së dyti: Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë vlereson të pambështetur në provat e administruara në dosjen gjyqësore konkluzionin e arritur nga Gjykata e Apelit Tirane se pala paditëse nuk ka arritur me dokumenta te provoje çmimin realisht te paguar dhe transaksionet e kryera duke i dhëne te drejtën organit doganor qe te kryeje rivlerësimin e vlerës doganore mbi bazën e dyshimit te arsyeshëm,
23. Referuar Kodit Doganor përcaktimi i vlerës doganore parashikohet qartë në nenet 34, 35 dhe 36 të tij. Në këto dispozita jepen në mënyrë të detajuar mënyra se si përcaktohet kjo vlerë, procedura që ndiqet, aktet bazë që shërbejnë për përcaktimin e saj si dhe metodat qe aplikon ky organ hap pas hapi për përcaktimin e vlerës doganore.
Sipas nenit 34 te Kodit Doganor: Vlera doganore e mallrave të importuara është vlera e transaktuar, qe është çmimi realisht i paguar ose qe duhet paguar për mallrat e shitura për eksport drejt territorit doganor te Republikës se Shqipërisë, duke marre ne konsideratë edhe rregullimet qe mund t'i bëhen ne përputhje me nenet 37 dhe 38, me kusht qe:a) nuk ekziston asnjë kufizim për tjetërsimin ose përdorimin e mallrave nga blerësi, përveç kufizimeve që:i) janë vendosur ose parashikuar me ligj ose nga autoritetet publike te Republikës se Shqipërisë,ii) nuk ndikojnë ne mënyrë thelbësore ne vlerën e mallrave. b) shitja ose çmimi nuk janë objekt i kushteve ose shqyrtimeve, për shkak të të cilave nuk mund te përcaktohet vlera doganore e mallrave qe duhen vlerësuar; c) asnjë pjese e te ardhurave të nxjerra nga çdo rishitje, tjetërsim ose përdorim i mëvonshëm i mallrave nga blerësi, te mos i kthehet drejtpërdrejt ose tërthorazi shitësit, përveç rastit kur mund te behet një rregullim i duhur ne përputhje me nenin 37; dhe d) blerësi dhe shitësi nuk janë te lidhur, ose kur blerësi dhe shitësi janë te lidhur, vlera e transaktuar te jete e pranueshme për qëllime doganore sipas paragrafit 2. 2 a) Për te përcaktuar nëse vlera e transaktuar është e pranueshme për qëllimet e paragrafit 1, fakti qe blerësi dhe shitësi janë te lidhur nuk përfaqëson ne vetvete një arsye te mjaftueshme për ta konsideruar vlerën e transaktuar te papranueshme. Nëse është e nevojshme, shqyrtohen rrethanat e shitjes dhe pranohet vlera e transaktuar, me kusht qe lidhja te mos këtë ndikuar ne çmim. Nëse, ne baze te informacionit te dhënë nga deklaruesi ose te marre nga burime te tjera, autoritetet doganore kane arsye te mendojnë qe kjo lidhje ka ndikuar ne çmim, ata i komunikojnë arsyet deklaruesit, te cilit i jepet një mundësi e arsyeshme për t'u përgjigjur. Me kërkese te deklaruesit, arsyet njoftohen me shkrim. b) Në një shitje mes personash te lidhur, vlera e transaktuar pranohet dhe mallrat vlerësohen ne përputhje me paragrafin 1, vetëm kur deklaruesi provon qe kjo vlere i përafrohet shume njërës prej vlerave te mëposhtme, qe ekzistojnë ne te njëjtën ose përafërsisht ne te njëjtën kohe:i) vlerës se transaktuar ne rast shitjeje te mallrave identike ose te ngjashme për eksport drejt Republikës se Shqipërisë, midis blerësve dhe shitësve qe nuk janë te lidhur ne asnjë rast, ii) vlerës doganore te mallrave identike ose te ngjashme, siç përcaktohet ne nenin 35(2) (c ),iii) vlerës doganore te mallrave identike ose te ngjashme, siç përcaktohet ne nenin 35(2)(d).
Sipas nenit 35 te Kodit Doganor 1. Kur vlera doganore nuk mund te përcaktohet ne baze te nenit 34, ajo duhet te përcaktohet duke ndjekur sipas radhës nënparagrafët (a), (b), (c ) dhe (d) te paragrafit 2, duke u ndalur ne te parin nënparagraf qe lejon përcaktimin e saj, me përjashtim te rasteve ne te cilat radha e zbatimit te nënparagrafëve (c) dhe (d) mund edhe te shkëmbehet, nëse këtë e kërkon deklaruesi; dhe vetëm ne rast se kjo vlere nuk mund te përcaktohet ne baze te një nënparagrafi te caktuar, lejohet te zbatohen dispozitat e nënparagrafit qe vjen menjëherë pas tij sipas radhës qe përshkruhet me sipër ne këtë paragraf.
2. Vlera doganore e përcaktuar sipas këtij neni do te jete:a) vlera e transaktuar e mallrave identike te shitura për eksport drejt Republikës se Shqipërisë dhe te eksportuara ne ose afërsisht te njëjtën kohe me mallrat qe po vlerësohen; b) vlera e transaktuar e mallrave te ngjashme, te shitura për eksport drejt Republikës se Shqipërisë dhe te eksportuara ne ose afërsisht te njëjtën kohe me mallrat qe po vlerësohen;c) vlera e bazuar ne çmimin për njësi, ne te cilin mallrat e importuara qe u korrespondojnë mallrave identike ose te ngjashme te importuara dhe te shitura brenda Republikës se Shqipërisë ne sasinë me te madhe te përgjithshme, personave jo te lidhur me shitësit;d) vlera e përllogaritur e përbëre nga mbledhja e:i) kostos ose vlerës se materialeve e te fabrikimit ose te çdo përpunimi tjetër te përdorur për prodhimin e mallrave te importuara,ii) shumës se fitimit dhe te shpenzimeve te përgjithshme, qe ka bere prodhuesi ne vendin e eksportimit për t'i eksportuar ne drejtim te Republikës se Shqipërisë, qe janë te barabarta me shumat qe zakonisht rezultojnë nga shitja e mallrave te se njëjtës kategori ose lloj me mallrat qe po vlerësohen,iii) kostos ose vlerës se elementeve te përmendur ne nenin 37(1)(e)
Sipas nenit 36 të Kodit Doganor 1 Kur vlera doganore e mallrave te importuara nuk mund te përcaktohet në bazë të nenit 34 ose 35, ajo përcaktohet në bazë të të dhënave të disponueshme ne Republikën e Shqipërisë, duke përdorur mjete të arsyeshme, ne përputhje me:a) Marrëveshjen për zbatimin e nenit 7 te Marrëveshjes se Përgjithshme mbi Tarifat dhe Tregtinë;b) nenin 7 të Marrëveshjes se Përgjithshme mbi Tarifat dhe Tregtinë;c) dispozitat e këtij Kreu. 2. Ne rastet kur zbatohet paragrafit 1 vlera doganore nuk mund te përcaktohet mbi bazën e:a) çmimit te shitjes ne Republikën e Shqipërisë të mallrave te prodhuara ne Republikën e Shqipërisë; b) një sistemi, i cili, për qëllime doganore, parashikon pranimin e vlerës me te larte midis dy vlerave alternative; c) çmimit te mallrave ne tregun e brendshëm te vendit eksportues; d) kostos se prodhimit, te ndryshme nga vlerat e përllogaritura e te përcaktuara për mallra identike ose te ngjashme, ne përputhje me nenin 35(2)(d);e) çmimeve për eksport drejt një vendi tjetër te ndryshëm nga Republika e Shqipërisë; f) vlerave doganore minimale; ose g) vlerave arbitrare ose fiktive.
24. Gjithashtu, në nenin 81 të dispozitave zbatuese të K.Doganor thuhet shprehimisht:“ Autoritetet doganore nuk duhet të përcaktojnë vlerën doganore të mallrave të importuara mbi bazën e metodës së vlerës së transaktuar, në qoftë se në përputhje me procedurat e përcaktuara në paragrafin 2, ata nuk binden, mbi bazën e dyshimeve të arsyeshme, se vlera e deklaruar përfaqëson shumën totale realisht të paguar ose që duhet paguar sipas nenit 34 të Kodit.
81.2. Kur autoritetet doganore kanë dyshimet e përmendura në paragrafin 1, ata mund të kërkojnë informacion shtesë në përputhje me paragrafin 3. Nëse përsëri ka dyshime, autoritetet doganore, përpara se të marrin një vendim përfundimtar, duhet të lajmërojnë personin e interesuar, me shkrim në qoftë se ai e kërkon një gjë të tillë, për arsyet që çojnë në dyshime dhe t’i japin atij mundësinë reale për t’u përgjigjur. Vendimi përfundimtar dhe arsyet për marrjen e një vendimi të tillë i komunikohen me shkrim personit në fjalë. Kundër këtij vendimi, të interesuarit i lind e drejta e ankimimit në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, brenda 10 ditëve nga data e njoftimit. Drejtori i Përgjithshëm i Doganave është i detyruar që, brenda 5 ditëve, t’i kthejë përgjigje ankuesit.
25. Në nenin 249 të K.Doganor parashikohen rastet kur subjekti i interesuar ka të drejtë të kërkojë rimbursimin e detyrimeve të importit apo eksportit kur ai pretendon se këto detyrime janë vendosur nga ana e organit doganor në kundërshtim me ligjin. Në këtë dispozitë shprehimisht thuhet: “Detyrimet e importit ose detyrimet e eksportit rimbursohen kur konstatohet se ne çastin e pagimit kjo shume ligjërisht nuk përbënte detyrim ose se shuma ishte kontabilizuar ne kundërshtim me nenin 235(2)”... 2. Detyrimet e importit apo eksportit rimbursohen ose shuhen me paraqitjen e një kërkese në zyrën doganore kompetente, brenda një periudhe trevjeçare, që fillon nga data kur shuma e këtyre detyrimeve i është njoftuar debitorit...”.
26. Në analizë të dispozitave të mësipërme rezulton se: i) organi doganor kur ka dyshime te arsyeshme dhe te bazuara ka te drejte të aplikoje metodën e rivlerësimit ne përcaktimin e vlerës doganore sipas kritereve te përcaktuara në ligj (nenet 34, 35 dhe 36 të K.Doganor); ii) gjate kësaj procedure, ky organ mund te kërkoje informacione shtese nga subjekti; iii) ne përfundim te një procedure te tille organi administrativ del me vendim; iv) vendimi i njoftohet subjektit, i cili ka të drejtën e ankimit sipas kushteve dhe afateve të parashikuara në ligj në rrugë administrative e më tej në gjykatë; v) subjekti që pretendon kthimin e një shume të paguar, kur një pagesë e tillë nuk ka qenë e detyruar nga ligji, ka të drejtë të paraqesë kërkese për rimbursim pranë organit doganor brenda afatit tre vjeçar nga dita që ai ka marrë dijeni për detyrimin doganor; vi) nëse kërkesa për rimbursim nuk merret parasysh subjekti ka të drejtë që t’i drejtohet gjykatës duke kërkuar kthimin e shumës që pretendon si pagim të padetyruar sipas nenit 249 të K.Doganor.
27. Bazuar në sa më sipër si dhe në aktet e depozituara në dosjen gjyqësore, rezulton se Pala e paditur nuk ka zbatuar drejt ligjin kur ka aplikuar metodën e rivlerësimit për përcaktimin e vlerës doganore të mallit të paditësit. Ajo ishte e detyruar që në edhe ne rast se paditësi nuk do të kishte plotësuar kushtin e parashikuar ne nenin 34 te KD te aplikonte metodat e vlerësimit ne vijueshmëri siç parashikon ligji. Procedura e parashikuar në këto dispozita nuk lejon aplikimin e metodës se fundit pa aplikuar me pare metodat që janë para saj. Pra nuk mund te behej vlerësimi doganor sipas metodologjisë se nenit 35 te këtij Kodi pa u ezauruar me pare ajo e nenit 34 te Kodit.
28. Organet doganore kanë të drejtë të bëjnë rivlerësime të çmimeve te deklaruara vetëm nëse kanë dyshime të arsyeshme mbi çmimin realisht të transaktuar ndërkohë qe në rastin konkret organet doganore nuk kane dhëne asnjë prove dhe informacion për arsyet qe e kanë bërë te domosdoshëm rivlerësimin e çmimeve, për burimet e besueshme te përdorura për çmimet e përdorura si reference gjate rivlerësimit, si dhe për faktin nëse çmimet referencë janë apo jo aktuale, duke bërë kështu qe ne te jemi para mungesës se një korrespondence te mirëfillte zyrtare, qe eshte themelore për efektshmerinë e një procedure administrative;
29. Gjithashtu nuk rezulton që organi doganor përpara se të përcaktonte këtë vlerë ,të kishte lajmëruar personin e interesuar, me shkrim, për arsyet që e kanë çuar këtë organ në dyshime te arsyeshme dhe t’i japte atij mundësinë reale për t’u përgjigjur. Ligji parashikon qe në të tilla raste organi doganor është i detyruar që të marrë një vendim përfundimtar dhe arsyet për marrjen e një vendimi të tillë i komunikohen me shkrim personit në fjalë. (kërkesë kjo e nenit 81 të dispozitave zbatuese të K.Doganor). Jo me kot ligjvënësi ka parashikuar qe sa me sipër duhet te pasqyrohet ne një vendim përfundimtar i cili duhet te jete me shkrim dhe ti komunikohet subjektit. Sa me sipër behet (i) jo vetëm për shkak te pasojave ekonomike qe sjell marrja e një vendimi te tille dhe aplikimi i metodës se vlerësimit tek subjekti por (ii) dhe për shkak te dhënies mundësisë subjektit qe te ankimoje vendimin e organit doganor i cili ne këtë rast eshte akt administrativ. Në rastin objekt gjykimi rezulton qe jo vetëm nuk janë respektuar dispozitat ligjore të mësipërme në lidhje me aplikimin e metodës së vlerësimit të vlerës doganore të mallit, por dhe nuk është marrë një vendim me shkrim nga ana e paditur që ti komunikohej paditësit në lidhje me këtë rivlerësim .
30. Nisur nga sa më sipër, Kolegji vlerëson të drejtë hetimin e realizuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë si dhe arsyetimin e vendimit te saj kur shprehet se “Vlera e blerjes së mallit argumentohet me një sërë provash të administruara në gjykim si: deklaratë doganore; kontrata për blerjen e mallit; transferta e pagimit në rrugë bankare të shumës së përcaktuar në kontratë; deklarata e eksportit të lëshuar nga autoritetet doganore të Republikës Popullore të Kinës. Sigurimi i informacionit për subjekte të tjera që importojnë të njëjtën natyrë malli mund të shërbejë vetëm për ngritjen e “dyshimi të arsyeshëm “nga ana e autoriteteve doganore, por jo të ndikojë në mënyrë thelbësore deri në përcaktimin e vlerës së detyrimit doganor për shkak të rrethanave specifike të tregtimit dhe vendit të importit.
31. Nga aktet e administruara ne dosjen gjyqësore rezulton qartë se paditësi ka paraqitur gjithë dokumentet provues për të vërtetuar vlerën e transkatuar (i) Leje Importi të Ministrisë së Mbrojtjes nr.387 datë 06.01.2009, me një vlerë totale 169,200 USD; (ii) kontrata me firmën Prodhuese nr.JS20090106 datë 06.01.2009, me një shumë totale të këtyre transfertave prej 169,200 USD; (iii) Urdhër transfertat e Bankës ProCredit Bank sh.a,(iv) Çertifikata e Origjinës . Nga ana tjetër pala e paditur nuk paraqiti si gjatë hetimit administrativ ashtu dhe gjatë gjykimit asnjë dokument nga ana e paditur qe te vërtetonte te kundërtën e asaj qe kishte sjellë paditësi. Aktet e mësipërme persa kohe nuk janë goditur për falsitet, apo te jenë deklaruar të rreme kane vlerë provuese në baze të nenit 246 të KPrC dhe përbënin provë të plotë për anën e paditur në përcaktimin e vlerës doganore .
32. Së treti : Ky kolegj vlerëson të gabuar përfundimin e arritur nga gjykata e Apelit Tiranë se paditësi nuk mund të realizoje një kërkim të tillë në kushtet që nuk ka goditur më parë deklaratën doganore. E drejta për te realizuar këtë kërkim i eshte dhënë paditësit drejtpërsëdrejti me nenin 249/1 te KD ne te cilin thuhet shprehimisht se “Detyrimet e importit ose detyrimet e eksportit rimbursohen kur konstatohet se ne çastin e pagimit kjo shume ligjërisht nuk përbënte detyrim ose se shuma ishte kontabilizuar ne kundërshtim me nenin 235(2)”... 2. Detyrimet e importit apo eksportit rimbursohen ose shuhen me paraqitjen e një kërkese në zyrën doganore kompetente, brenda një periudhe trevjeçare, që fillon nga data kur shuma e këtyre detyrimeve i është njoftuar debitorit...”. Dispozita konkrete nuk e lidh këtë kërkim me goditjen e deklaratës doganore. Kushtet që duhet të plotësohet për realizimin e kërkimit të mësipërm referuar kësaj dispozite janë (i) të ekzistojnë detyrime të importit ose eksportit për subjektin që të jenë paguar prej tij (ii) dhe këto detyrime të mos përbëjnë detyrim për të në kuptim të ligjit në momentin që ato janë paguar. Pra këto janë dy kushtet qe i japin te drejtën subjektit të realizojë këtë lloj kërkimi. Legjislacioni doganor nga neni 87 deri në nenin 101 qe flet për rregjimet doganore dhe llojet e deklaratës doganore nuk parashikon se çfarë duhet të bëhet me këtë akt ( deklaratën doganore) në rastet kur subjekti kërkon te aplikohet neni 249 i KD.
33. I vetmi rast kur ligji parashikon rimbursimin si pasoje e pavlefshmërisë se deklaratës eshte ajo e parashikuar ne nenin 250 te KD (rimbursimet nga pavlefshmëria e deklaratës) ne te cilën thuhet shprehimisht se “ Detyrimet e importit ose detyrimet e eksportit rimbursohen kur një deklarate doganore anulohet dhe detyrimet janë paguar ......” Ne nenin 91 te KD thuhet se “ një deklarate eshte e pavlefshme kur deklaruesi paraqet prova qe mallrat ishin deklaruar gabimisht për regjimin doganor te treguar ne deklarate , ose kur për shkak te rrethanave te veçanta nuk justifikohet me vendosjen e mallrave nen rregjimin doganor te treguar ne deklarate. Po në këtë dispozite është parashikuar shprehimisht qe pasi mallrat të jenë çliruar deklarata nuk mund te behet e pavlefshme me përjashtim te rasteve te parashikuara ne aktet nënligjore ne zbatim te këtij kodi. Pra dhe ne rastin e pavlefshmërisë se deklaratës kjo mund te realizohej vetëm për sa kohe malli nuk ishte çliruar. Në analizë të kësaj dispozite arrihet në konkluzionin që ky lloj rimbursimi bën fjalë kur deklarata është e pavlefshme dhe ne rastin objekt gjykimi nuk jemi përpara rastit te pavlefshmërisë së deklaratës doganore në mënyrë që kjo e fundit të goditej bazuar ne nenin 250 te KD.
34. Përveç sa më sipër deklarata doganore për vetë natyrën qe ajo ka nuk përbën një akt te mirëfillte administrativ. Ai eshte një formular tip, model zyrtar i cili depozitohet pranë zyrës doganore nga deklaruesi ose përfaqësuesi i subjektit i cili mban përgjegjësi për deklarimet e bëra për saktësinë e informacionit, vërtetësinë e dokumentacionit bashkangjitur si dhe përmbushjen e detyrimeve që lidhen me vendosjen e mallrave. Vlera doganore e mallit që vendoset në këtë deklaratë përcaktohet nga organi doganor sipas rregullave të parashikuara ne nenin 34 e vijon të KD. Subjekti është i detyruar që të paguaje vlerën doganore të mallit ndryshe nuk realizohet zhdoganimi i mallit.
35. Deklarata doganore nuk përmban elementët e aktit administrativ ne kuptimin e nenit 106 te K.Pr.Administrative. Sipas ketij neni “…do të konsiderohen akte administrative të gjitha vendimet e organeve te administrates publike, te cilat krijojne pasoja juridike në raste individuale”....Deklarata doganore shpreh vullnetin e subjektit privat, i cili ka detyrimin ligjor ta plotesojë atë në përputhje me ligjin ne rastet e vendosjes se mallrave ne regjim doganor. Duke qene një akt shkresor i plotësuar nga paditësi ai nuk mund të kundërshtohet nga ky i fundit në formën e kundërshtimit të aktit administrativ konform nenit 324 të K.Pr.Administrative. Ky akt siç parashikohet dhe ne nenit 90 dhe 91 mundej vetëm të korrigjohej ose të deklarohej i pavlefshëm nga subjekti për ato shkaqe që parashikohen ne keto dispozita. Akti i vetëm i cili do të mund të goditej nga ana e subjektit privat ishte “ Vendimi përfundimtar “ që do të nxirrte organi doganor për rivlerësimin e vlerës doganore, akt të cilin ky organ nuk e nxori asnjëherë as kur kreu rivlerësimin dhe as kur paditësi kërkoi me anë të kërkesave të njëpasnjëshme nxjerrjen e tij.
36. Së katërti : Kolegji Administrativ vlereson gjithashtu të pabazuar ne ligj arsyetimin e Gjykatës së Apelit Tiranë se padia eshte ngritur jashtë afatit te parashikuar ne nenin 328 te K.Pr.C.
37. Siç u tha dhe më lart ne këtë vendim, nga provat e administruara në dosjen gjyqësore rezulton se nuk ka asnjë akt administrativ “ vendim përfundimtar” te lëshuar nga ana e paditur, ( i cili të detyronte paditësin të paguante një vlerë doganore më të lartë për efekt të aplikimit të nenit 36 të Kodit Doganor), ndaj të cilit paditësi do të kishte të drejtë të ankohej sipas parashikimit të nenit 328 apo dispozitave të Kodit Doganor. Këto dispozita përcaktojnë afate për goditjen e akteve administrative nga momenti i marrjes dijeni. Paditësi nëpërmjet kërkesave të njëpasnjëshme ka kërkuar nga pala e paditur lëshimin e një akti administrativ “ vendimi përfundimtar” ku të shpjegoheshin arsyet e aplikimit të çmimit të referencës në përcaktimin e vlerës doganore, por një vendim ti tillë nuk është nxjerrë nga ky i fundit duke bërë që ky organ të mos respektonte në ushtrimin e veprimtarisë se tij parimin e ligjshmërisë . (citojmë kërkesën datë 05.08,2010 drejtuar DD Tiranë, kërkesën nr.12535 datë 01.09.2010 si dhe kërkesën datë 06.09.2010 drejtuar Drejtorit të Përgjithshëm të Doganave). Mungesa e një vendimi të tille i cili në baze te ligjit ishte i detyrueshëm për tu lëshuar nga organi kompetent dhe që mund ta detyronte paditësin ti drejtohej gjykatës brenda afateve të parashikuara ne nenin 328 te K.Pr.C, bën që paditësi të vetmin mjet juridik për mbrojtjen e të drejtave të tij të pretenduar të shkelura të kishte pikërisht kërkimin sipas nenit 249 të KD dhe jo atë të goditjes së një akti administrativ, dhe i vetmi afat që duhet të respektonte ishte ai i parashikuar nga neni 249/2 te K.D, afat të cilin ai e ka respektuar pasi kërkimi i tij është brenda afatit 3 vjeçar që nga dita që ai kishte marrë dijeni .
38. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, konstaton nga praktika doganore se brenda masës së detyrimit objekt shqyrtimi, një pjesë e konsiderueshme e detyrimit përbëhet nga TVSH-ja e cila në zbatim të ligjit nr.7928 datë 27.04.1995 “Për Tatimin e vlerës së shtuar “ për mallrat e importit, vilet nga dega e doganës dhe përbëhet nga 20% e vlerës doganore. Lidhur me këtë fakt, Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë e gjen të drejtë arsyetimin e përdorur nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë kur shprehet se : “rimbursimin e vlerës së TVSH-së së paguar më tepër në zhdoganim,e kryen organi tatimor dhe jo organi doganor, ndaj shuma për TVSH nuk konsiderohet e kthyeshme dhe aq më pak nga autoriteti doganor .Në këto kushte vlera prej 6,918,380 lekë e cila rezulton të jetë TVSH , duhet ti zbritet vlerës totale të kërkuar nga paditësi prej 11,430.360 lekë dhe duhet pranuar diferenca e këtyre dy shumave prej 4,266,620 lekë.
39. Për sa më sipër dhe për një zgjidhje të drejtë dhe përfundimtare të çështjes, Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë çmon se vendimi nr.514 datë 01.03.2013 i Gjykatës së Apelit Tiranë duhet prishur dhe duhet lënë në fuqi Vendimi nr.5145 datë 21.05.2012 i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë
PËR KËTO ARSYE
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë mbështetur në nenin 63 të Ligjit 49/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”,
V E N D O S I
Prishjen e vendimit vendimi nr.514 datë 01.03.2013 i Gjykatës së Apelit Tiranë dhe lënien në fuqi të vendimit nr.5145 datë 21.05.2012 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë .
Tiranë, më 24.03.2016
Nr. 31003-03165-00-2013 i Regj. Themeltar
Nr. 00 - 2016 - 1762 i Vendimit (171)
Do'stlaringiz bilan baham: |