VENDIM
NË EMËR TË REPUBLIKËS
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë i përbërë nga:
Majlinda Andrea Kryesuese
Admir Thanza Anëtar
Artan Broci Anëtar
Në seancën gjyqësore të datës 23.03.2016, mori në shqyrtim çështjen civile që u përket palëve:
PADITËS: KOSTANDIN TONA, i përfaqësuar në gjykim nga av.A.Salati dhe G.Çifliku,
I PADITUR: SHOQËRIA “TONA-CO” SH.P.K. Korçë,
NIKOLLË TONA, të përfaqësuar në gjykim nga av.Sokol Mëngjesi,
OBJEKTI:
Konstatimi i pavlefshmërisë të zmadhimit të kapitalit
të shoqërisë “Tona-Co” sh.p.k Korçë, të kryer me anë
të vendimit nr.3, datë 04.11.2001 dhe të depozituar
me vendimin nr.20882/3 të Gjykatës Tiranë në vlerën 55.707.814 lekë
dhe me anë të cilit janë ndryshuar zotërimi i pjesëve
të kapitalit të shoqërisë si më poshtë: Nikolla Tona 51%,
Kostandin Tona 49 % dhe kthimin e palëve në gjendjen e mëparshme,
duke njohur të drejtën e ortakëve zotërimin e kapitalit themeltar të shoqërisë
përkatësisht në masën 50% të tij nga secili ortak.
Baza Ligjore: Nenet 32, 153, 142, 63, 231 e vijues
të Ligjit nr.7638, datë 19.11.1992 “Për Shoqëritë Tregtare”
dhe Ligji nr.9901, datë 14.04.2008
“Për Tregtarët dhe Shoqëritë Tregtare”.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë, me vendimin nr.42-2012-3594 (2096), datë 26.07.2012, ka vendosur:
“Konstatimin e pavlefshmërisë të pikës 2 të Vendimit nr.3, datë 04.11.2001, të Asamblesë së ortakëve të shoqërisë tregtare “EVITA” Sh.p.k, Korcë, sot “TONA-CO” Sh.p.k, për miratimin e ndarjes së pjesëve të kapitalit themeltar midis ortakëve themelues të shoqërisë tregtare në masën: për ortakun Nikolla Tona 51% ose 2841 pjesë me vlerë 28410000 lekë dhe për ortakun Kostandin Tona 49 % ose 2730 pjesë me vlerë 27297814 lekë.
Rimarrjen e së drejtës të zotërimit të kuotave në kapitalin themeltar të shoqërisë tregtare në masën 50% të tij nga secili ortak.
Shpenzimet gjyqësore të evidentuara në masën 12.000 lekë, taksë padie i ngarkohen të paditurve solidarisht.
Shpenzimet gjyqësore për pagesën e mbrojtësve nuk evidentohen në gjykim.”
Gjykata e Apelit Korçë, me vendimin nr.282, datë 14.05.2013, ka vendosur:
“Ndryshimin e vendimit nr.2096, datë 26.07.2012, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë si më poshtë:
Rrëzimin e padisë të paditësit Kostandin Tona kundër të paditurve Shoqëria “Tona-Co” dhe Nikolla Tona, si të pabazuar në ligj e në prova.
Shpenzimet gjyqësore i ngarkohen paditësit.”
Kundër vendimit nr.282, datë 14.05.2013, të Gjykates se Apelit Korçë brenda afatit ligjor, në mbeshtetje te nenit 472 te K.Pr.C. ka ushtruar rekurs pala paditëse Kostandin Tona me datë 10.06.2013 duke kërkuar bazuar në nenin 485/b të Kodit të Procedurës Civile, prishjen e vendimit të gjykatës së apelit dhe lënien në fuqi të vendimit të gjykatës së shkallës së parë për këto shkaqe:
-
Vendimi nr.3, datë 04.11.2001 i Asamblesë së Ortakëve të Shoqërisë “TONA-CO” shpk, është një vendim i cili rregullon zmadhimin e kapitalit në natyrë të shoqërisë, gje e cila sipas dispozitave që rregullonin këtë zmadhim në kohën që ai është kryer kërkonte që të kemi realisht kapital të derdhur në emër dhe për llogari të ortakut që ka marrë përsipër detyrimin e derdhjes të këtij kontributi, duhej që ky kontribut të derdhej realisht në shoqëri.
-
Procesi i transferimit të pjesëve të kapitalit ndërmjet ortakëve të shoqërisë dhe procesi i zmadhimit të kapitalit, janë dy procese krejt të ndryshëm nga njëri tjetri: Njëri ai i transferimit të kuotave kërkon shprehjen e vullnetit të ortakut që transferon kuotat pjesë të tij si dhe atë të pranuesit të këtyre kuotave për të pasur një vlefshmëri të marrëveshjes.
Tjetri ai zmadhimit të kapitalit është një proces ku ortakët ndërmjet një vendimi asambleje marrin përsipër të rrisin kapitalin e shoqërisë, që shoqërohet me derdhjen e kontributeve të tyre.
-
Në çështjen objekt gjykimi jemi përpara pavlefshmërisë së procesit të zmadhimit të kapitalit të shoqërisë për shkak se i padituri nuk ka përmbushur detyrimin si ortak i shoqërisë për derdhjen e kontributit për zmadhimin e këtyre kuotave. Procesi i fiktivitetit të derdhjes së kontributit nga ana e ortakut N.Tona është evident.
-
Nga ana e ortakut N.Tona kemi një përfitim të padrejtë në rritjen e kuotave të tij, pasi zmadhimi i kapitalit nuk ka ardhur si pasojë e parashikimeve të neneve 62 dhe 63 të ligjit nr.7638 dt.19.11.1992 “Për Shoqëritë tregtare”, por ky zmadhim rezulton të jetë kryer me investimet e vetë shoqërisë dhe që sjell zmadhimin me të njëjtën vlerë për secilin ortak.
-
Nuk provohet në gjykim se i padituri duke derdhur kontributet për kapitalin themeltar të shoqërisë bën zmadhimin në favor të tij dhe për rrjedhojë edhe zotërimi i pjesës takuese të nga ortaku i paditur të jetë fiktiv.
KOLEGJI CIVIL I GJYKATËS SË LARTË,
Pasi dëgjoi relatimin e gjyqtarit Admir Thanza; përfaqësuesit palës paditëse Konstandin Tona, av.Arjan Salati dhe Genci Çifliku të cilët kërkuan: prishjen e vendimit të gjykatës së apelit dhe lënien në fuqi të vendimit të gjykatës së shkallës së parë; përfaqësuesin e palëve të paditura “Tona-Co” sh.p.k Korçë dhe Nikollë Tona av. Sokol Mëngjesi i cili kërkoi: lënien në fuqi të vendimit të gjykatës së apelit, dhe si bisedoi çështjen në tërësi,
V Ë R E N
-
Rrethanat e çështjes:
-
Nga shqyrtimi gjyqësor dhe provat e administruara në gjykim rezultoi e provuar se ortakët Kostandin Tona dhe Nikollë Tona kanë krijuar në vitin 1999 shoqërinë tregtare “Evita” shpk me aktivitet prodhimin dhe përpunimin e llojeve të sallamit, mishit, pijeve të ndryshme, fruta perime, kinkaleri, lëndë ndërtimore, prodhime të ndryshme metalike etj. Në regjistrimin fillestar shoqëria është regjistruar në emër të të dy ortakëve me kuota të barabarta nga 50% secili.
-
Me vendimin nr.3, datë 04.11.2001, të Asamblesë së ortakëve është vendosur zmadhimi i kapitalit të shoqërisë dhe ndryshimi i kuotave të ortakëve në kapitalin themeltar, duke pasur paditësi Kostandin Tona 49% të këtij kapitali dhe i padituri Nikolla Tona 51%, si dhe është bërë dhe ndryshimi i emrit të shoqërisë nga “ELVITA” në “Tona-Co” sh.p.k.
-
Me vendimin nr.20.882/3, datë 20.11.2001, të gjyqtarit të vetëm në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë është bërë depozitimi i vendimit të Asamblesë së ortakëve sa sipër, duke u pasqyruar ky ndryshim në regjistrin tregtar në përputhje me ligjin 7638, datë 10.11.1992 “Për shoqëritë tregtare” si dhe ligjin nr.7667, datë 28.01.1993, “Për regjistrin tregtar”.
-
Duke qenë se midis ortakëve kanë lindur konflike lidhur me administrimin e shoqërisë, paditësi Kostandin Tona i është drejtuar gjykatës së shkallës së parë me padinë objekt gjykimi me pretendimin se në rastin konkret veprimet për zmadhimin e kapitalit të shoqërisë kanë qenë fiktive dhe se nuk janë plotësuar kërkesat e nenit 40 të ligjit të kohës për zmadhimin e këtij kapitali, duke mos u shoqëruar ky zmadhim me shlyerje faktike të pjesës së kapitalit të shtuar.
-
Ndërsa i padituri Nikolla Tona si administrator dhe ortak i shoqërisë ka prapësuar se veprimet për zmadhimin e kapitalit të shoqërisë janë tërësisht në përputhje me ligjin dhe vullnetin e ortakëve dhe gjithashtu padia për kërkimin e kësaj pavlefshmërie është parashkruar. Gjithashtu për zmadhimin e kapitalit të shoqërisë është shprehur gjykata kur ka vendosur pranimin për regjistrim të vendimit objekt gjykimi.
-
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë, me vendimin nr.42-2012-3594 (2096), datë 26.07.2012, ka vendosur:
Konstatimin e pavlefshmërisë të pikës 2 të Vendimit nr.3, datë 04.11.2001 të Asamblesë së ortakëve të shoqërisë tregtare “EVITA” Sh.p.k, Korçë, sot “TONA-CO” Sh.p.k, për miratimin e ndarjes së pjesëve të kapitalit themeltar midis ortakëve themelues të shoqërisë tregtare në masën: për ortakun Nikolla Tona 51% ose 2841 pjesë me vlerë 28410000 lekë dhe për ortakun Kostandin Tona 49 % ose 2730 pjesë me vlerë 27297814 lekë.
Rimarrjen e së drejtës të zotërimit të kuotave në kapitalin themeltar të shoqërisë tregtare në masën 50% të tij nga secili ortak.
Shpenzimet gjyqësore të evidentuara në masën 12.000 lekë, taksë padie i ngarkohen të paditurve solidarisht.
Shpenzimet gjyqësore për pagesën e mbrojtësve nuk evidentohen në gjykim.
-
Në marrjen e këtij vendimi ajo gjykatë përgjithësisht ka rsyetuar se: “...omissis....Paditësi e mbështet padinë e vet për pavlefshmërinë e aktit, në nenin 231 të ligjit...omissis...Referuar përmbajtjes sanksionuese të këtij neni, gjykata konstaton se Vendimi nr.3, datë 04.11.2001 i asamblesë së shoqërisë, për vendimmarrjen që lidhet me ndryshimin e pjesëmarrjes së kuotave në kapitalin themeltar të shoqërisë tregtare midis dy ortakëve themelues nuk është i mbështetur në dispozitat e ligjit për shoqëritë tregtare. Kjo pasi si dhe u argumentua, ky ndryshim nuk mbështetet nga zmadhimi i kapitalit në para dhe/ose në natyrë, nuk mbështetet nga transferimi i kuotave midis ortakëve, por mbështetet nga një marrëveshje e heshtur ndërmjet tyre....omissis... duke qenë një marrëdhënie juridike, ajo konstatohet se nuk është parashikuar nga ligji për shoqëritë tregtare dhe kushtet e ekzistencës së saj nuk janë rrjedhojë e asnjë dispozite materiale apo procedurale e këtij ligji. Për rrjedhojë kemi të bëjmë me një marrëveshje juridike, e cila është absolutisht e ndaluar nga ligji tregtar dhe lloji i pavlefshmërisë së saj në këtë rast individualizohet se është pavlefshmëri absolute...Kjo lloj marrëveshje nuk mund ti nënshtrohet asnjë lloj parashkrimi, ndaj afateve kohore të parashkrimit që referon ligji për aktet e shoqërisë tregtare nuk janë të aplikueshme për rastin konkret, pasi ato lidhen me pavlefshmëritë e aktit të shoqërisë të nxjerrë në zbatim të dispozitave urdhëruese të këtij ligji tregtar dhe jo të ekzistencës së aktit të shoqërisë mbi arsyet të marrëveshjes juridike, që nuk janë të parashikuara në ligj dhe që nuk kanë karakter tregtar por civil.(...).”
-
Gjykata e Apelit Korçë, me vendimin nr.282, datë 14.05.2013, ka vendosur:
Ndryshimin e vendimit nr.2096, datë 26.07.2012, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë si më poshtë:
Rrëzimin e padisë të paditësit Kostandin Tona kundër të paditurve Shoqëria “Tona-Co” dhe Nikolla Tona, si të pabazuar në ligj e në prova.
Shpenzimet gjyqësore i ngarkohen paditësit.
-
Në marrjen e këtij vendimi ajo gjykatë përgjithësisht ka arsyetuar se: “...omissis...Përsa i takon arsyetimeve të Gjykatës së Rrethit për pavlefshmëritë e marrëveshjes midis ortakëve, duke e trajtuar atë si marrëdhënie juridike civile që rregullohet me dispozitat e Kodit Civil për kontratat, gjykata e apelit vlerëson se ky qëndrim është tërësisht i gabuar dhe në kundërshtim si me ligjin dhe provat e paraqitura në gjykim prej palëve. Neni 235 i ligjit nr.7638, dt.19.11.1992, “Për Shoqëritë tregtare” parashikon afatet e parashkrimit të ngritjes së padisë në rastet e pavlefshmërisë të shoqërisë dhe akteve të marra nga ortakët e saj...omissis... Akti i kundërshtuar objekt gjykimi ka ndryshuar kuotat e kapitalit të shoqërisë për secilin ortak të saj e në këtë rast është i papranueshëm konstatimi i gjykatës së rrethit se ky akt është marrë në kundërshtim me kërkesat e ligjit dhe jashtë procedurave të kërkuara prej tij, e në këto rrethana nuk kemi transferim të kuotave mes ortakëve por një marrëveshje të heshtur dhe një marrëdhënie juridike mes ortakëve që u referohet legjislacionit të kontratave e për rrjedhojë pavlefshmëria e tyre do ti nënshtrohet këtij rregullimi ligjor. Edhe në rast se do të pranohej ky arsyetim përsëri gjykata nuk ka dhënë asnjë argument se pse marrëveshja e ortakëve referuar marrëdhënies juridike civile është një veprim absolutisht i pavlefshëm që nuk sjell pasojë juridike, duke mos dhënë asnjë argument apo mbështetje ligjore për këtë konstatim. Në kundërshtim me sa pranon Gjykata e Rrethit, Gjykata e Apelit vlerëson se marrëdhënia e krijuar midis ortakëve të shoqërisë Nikolla e Kostandin Tona për ndryshimin e kuotave të pjesëmarrjes në kapitalin themeltar të shoqërisë është tërësisht një akt i shoqërisë që gjen rregullim ligjor në dispozitat e ligjit nr.7638, dt.19.11.1992, “Për Shoqëritë tregtare”....të gjitha të dhënat e shoqërisë sipas këtij ligji regjistrohen në regjistrin tregtar ndodhur pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë. Pranimi i gjykatës se akt marrëveshja e shoqërisë nuk shoqërohet me asnjë akt procedural që ka shoqëruar këtë proces është një konkluzion i gabuar dhe i paprovuar. Vendimi nr.20882/3, dt.20.11.2001 i gjyqtares që ka regjistruar në regjistrin themeltar vendimin nr.3, datë 04.11.2001, është rrjedhojë e një procesi ligjor të përcaktuar nga ligji dhe detyrimi për të hetuar në lidhje me vendimin e depozituar për regjistrim. Pavarësisht mos gjetjes se akteve shoqëruese të këtij vendimi, kjo nuk bën të pavlefshëm vendimin....Ky vendim nuk mund të kundërshtohet dhe të konsiderohet nul në këto momente kur në kohën që ai është marrë nuk është kundërshtuar nga asnjë prej palëve megjithëse të dy ortakët ishin administratore të shoqërisë dhe ishin në dijeni të vendimit të gjykatës .(...).
-
Kundër vendimit të Gjykatës së Apelit Korçë, ka ushtruar rekurs pala paditëse Konstandin Tona, me të cilin kërkon prishjen e vendimit të gjykatës së apelit dhe lënien në fuqi të vendimit të gjykatës së shkallës së parë, me shkaqet e pasqyruara në pjesën hyrëse të këtij vendimi.
-
Ligji i zbatueshëm:
-
Dispozitat e Kodit të Procedurës Civile në të cilat është parashikuar:
9.1 Neni 6 i K.Pr. Civile: “Gjykata që gjykon mosmarrëveshjen duhet të shprehet mbi gjithçka kërkohet dhe vetëm për atë që kërkohet”
9.2 Neni 14 i K.Pr.Civile: “Gjykata ka për detyrë që të zhvillojë një proces të rregullt ligjor, nëpërmjet garantimit të zhvillimit të një hetimi të plotë dhe të gjithanshëm, në përputhje me ligjin”.
9.3 Neni 16§1 i K.Pr.Civile:“Gjykata zgjidh mosmarrëveshjen në përputhje me dispozitat ligjore dhe normat e tjera në fuqi, që janë të detyrueshme të zbatohen prej saj. Ajo bën një cilësim të saktë të fakteve dhe veprimeve që lidhen me mosmarrëveshjen, pa u lidhur me përcaktimin që mund të propozojnë palët”.
9.4 Neni 20 i K.Pr.Civile: “Gjykata duhet të ndjekë dhe të kërkojë të zbatohet parimi i kontradiktorialitetit.
Ajo e mbështet vendimin e saj vetëm në mjetet, shpjegimet, dokumentet e provat e tjera të treguara ose të sjella nga palët, kur këto të fundit kanë qenë në gjendje të debatojnë sipas parimit të kontradiktorialitetit.”
10. Dispozitat e ligjit nr.7638, datë 10.11.1992, “Për shoqëritë tregtare” në të cilat është parashikuar:
10.1. Neni 238 i ligjit: Parashkrimi i padive për pavlefshmëritë,
“Paditë për pavlefshmërinë e shoqërisë ose të akteve dhe çështjeve të shqyrtuara pas themelimit të saj parashkruhen për tre vjet, duke filluar nga dita kur shoqëria vihet përballë aktit të pavlefshmërisë, me përjashtim të rastit kur nuk mund të ndërmerret asnjë veprim pas kalimit të afatit të parashikuar në nenin 235 të këtij ligji.
Megjithatë padia për pavlefshmërinë e një bashkimi ose të një ndarjeje të një shoqërie parashkruhet për gjashtë muaj, duke filluar nga data e regjistrimit të fundit të nevojshëm për këtë veprim në regjistrin tregtar”.
-
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë vlerëson:
-
Pala që ka regjistruar ankimin, paditësi Konstandin Tona, legjitimohet ratione personae t’i drejtohen Gjykatës së Lartë lidhur me sa më sipër.
-
Ankimi është paraqitur brenda afatit ligjor, ndaj edhe legjitimohet ratione temporis.
Gjithashtu rezulton se ankimi i është njoftuar palëve të tjera ndërgjyqëse.
-
Në lidhje me thelbin (legjitimimi ratione materiae), Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë vlerëson se rekursi i paraqitur nga paditësi Konstandin Tona, nuk përmban shkaqe nga ato të parashikuara në nenin 472 të Kodit të Procedurës Civile, të cilat nuk motivojnë cenimin e vendimit nr.282, datë 14.05.2013, të Gjykatës së Apelit Korçë.
-
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë, në shqyrtim e në vlerësim të akteve që ndodhen në dosjen gjyqësore e të administruara gjatë gjykimeve, vendimeve të gjykatave të faktit, si dhe shkaqeve të parashtruara në rekurs, arrin në përfundimin se vendimi nr.282, datë 14.05.2013, të Gjykatës së Apelit Korçë, është rrjedhojë e respektimit të ligjit dhe për këtë shkak duhet të lihet në fuqi.
-
Gjykata e Lartë si gjykatë ligji nuk i hyn analizës së provave gjë që duhet ta bëjnë dy gjykatat e tjera, por nga shqyrtimi i materialeve të dosjes gjyqësore dhe pretendimeve të parashtruara në rekurs, evidenton shkeljet që kanë lejuar gjykatat e faktit, qoftë të normave procedurale dhe atyre materiale, duke kërkuar respektimin e tyre.
-
Ky Kolegj vlerëson se vendimi i gjykatës së apelit i cili ka ndryshuar vendimin e gjykatës së shkallës së parë është mbështetur në dispozitat ligjore të zbatueshme për gjykimin e çështjes konkrete dhe në argumente të nxjerra nga provat, të cilat janë marrë, administruar e vlerësuar si të tilla konform dispozitave të Kodit të Procedurës Civile si dhe ligjit të posaçëm nr.7638, datë 10.11.1992, “Për shoqëritë tregtare”.
-
Në çështjen objekt gjykimi, Kolegji konstaton se në momentin e krijimit dhe regjistrimit të shoqërisë me datë 22.02.1999 kapitali themeltar i saj paraqitet si kontribut në para në vlerën prej 100.000 lekë dhe është nënshkruar dhe derdhur nga të dy ortaket e shoqërisë në masën 50% secili (pra secili prej ortakeve ka kontribuar ne kapitalin themeltar të saj me para në vlerën 50.000 lekë).
-
Në vitet në vijim, referuar ekstraktit të QKR si dhe dokumentacionit të administruar në gjykimet në fakt rezulton se nga ana e ortakëve të shoqërisë janë marrë disa vendime në kuadër të funksionimit dhe të zhvillimit të aktivitetit të saj dhe më konkretisht gjejmë vendime për caktim ekspertësh me qëllim vlerësimin e kontributeve në natyrë që përbën zmadhimin e kapitalit të shoqërisë, miratimin e raportit të ekspertëve, etj.
-
Ndërsa, me vendimin nr.3, datë 04.11.2001 i Asamblesë së Ortakëve është vendosur zmadhimi i kapitalit të shoqërisë dhe ndryshimi i kuotave të ortakëve në kapitalin themeltar, për ortakun Nikollë Tona 51% dhe për ortakun Kostandin Tona 49%.
-
Vendimi sa sipër i asamblesë së ortakëve është pretenduar si i pavlefshëm nga paditësi me qëllimin e kthimit të së drejtës të kuotave zotëruese nga 50% për secilin ortak.
-
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë me vendimin nr.2096, datë 26.07.2012, ka vendosur konstatimin e pavlefshmërisë të pikës 2 të vendimit nr.3, datë 04.11.2001, të Asamblesë së ortakëve të shoqërisë tregtare “EVITA” Sh.p.k, Korçë, sot “TONA-CO” Sh.p.k, për miratimin e ndarjes së pjesëve të kapitalit themeltar midis ortakëve themelues të shoqërisë tregtare në masën: për ortakun Nikolla Tona 51% ose 2841 pjesë me vlerë 28410000 lekë dhe për ortakun Kostandin Tona 49 % ose 2730 pjesë me vlerë 27297814 lekë. Rimarrjen e së drejtës të zotërimit të kuotave në kapitalin themeltar të shoqërisë tregtare në masën 50% të tij nga secili ortak, duke arsyetuar se vendimi nr.3, datë 04.11.2001 i asamblesë së shoqërisë, për vendimmarrjen që lidhet me ndryshimin e pjesëmarrjes së kuotave në kapitalin themeltar të shoqërisë tregtare midis dy ortakëve themelues nuk është i mbështetur në dispozitat e ligjit për shoqëritë tregtare. Kjo pasi si dhe u argumentua, ky ndryshim nuk mbështetet nga zmadhimi i kapitalit në para dhe/ose në natyrë, nuk mbështetet nga transferimi i kuotave midis ortakëve, por mbështetet nga një marrëveshje e heshtur ndërmjet tyre. Duke qenë një marrëdhënie juridike, ajo konstatohet se nuk është parashikuar nga ligji për shoqëritë tregtare dhe kushtet e ekzistencës së saj nuk janë rrjedhojë e asnjë dispozite materiale apo procedurale e këtij ligji. Për rrjedhojë kemi të bëjmë me një marrëveshje juridike, e cila është absolutisht e ndaluar nga ligji tregtar dhe lloji i pavlefshmërisë së saj në këtë rast individualizohet se është pavlefshmëri absolute.
-
Në të kundërt Gjykata e Apelit e cila ka shqyrtuar çështjen mbi ankimin e të paditurve “Tona-Co” sh.p.k dhe Nikollë Tona mbi të njëjtat akte me vendimin nr.282, datë 14.05.2013, ka vendosur rrëzimin e padisë me arsyetimin se në kundërshtim me sa pranon Gjykata e Rrethit, marrëdhënia e krijuar midis ortakëve të shoqërisë Nikolla e Kostandin Tona për ndryshimin e kuotave të pjesëmarrjes në kapitalin themeltar të shoqërisë është tërësisht një akt i shoqërisë që gjen rregullim ligjor në dispozitat e ligjit nr.7638, dt.19.11.1992, “Për Shoqëritë tregtare”.
-
Gjykata e Apelit duke e konsideruar vendimin nr.3, datë 04.11.2001, të Asamblesë së Ortakëve si një akt të shoqërisë me të cilin janë shqyrtuar çështje pas themelimit të saj bazuar në nenin 238 të ligjit nr.7638, datë 19.11.1992, “Për Shoqëritë Tregtare” ka arritur në përfundimin se padia është e parashkruar.
-
Kolegji vlerëson se ky përfundim i gjykatës së apelit është i drejtë ligjërisht dhe i mbështetur në aktet e administruara në gjykim. Kështu rezulton se vendimi nr.3 i Asamblesë së Ortakëve është marrë në datë 04.11.2001, ndërsa padia për konstatimin e pavlefshëm të këtij vendimi është regjistruar në gjykatën e shkallës së parë me datë 05.03.2012, pothuajse pas 11 vjetësh nga marrja e tij.
-
Kolegji Civil konstaton se dhe pas marrjes së vendimit nr.3, datë 04.11.2001, të Asamblesë së Ortakëve, shoqëria ka funksionuar mbi kuotat e pranuara nga ortakët respektivisht 49% për paditësin dhe 51 % për të paditurin. Ky ndryshim është pranuar dhe në vendimin nr.7, datë 12.04.2004, të Asamblesë së Ortakëve të nënshkruar nga ortakët Nikolla Tona dhe Konstandin Tona. Siç u pranua dhe nga palët ndërgjyqëse në gjykim, mbi kuotat e ndryshuara është realizuar dhe ndarja e fitimit të shoqërisë për vite të tëra pa shfaqur pretendime asnjëra palë.
-
Për sa sipër Kolegji Civil vlerëson se pretendimet e ngritura në rekursin e palës paditëse për zbatim të gabuar të ligjit nr.7638, datë 10.11.1992, “Për shoqëritë tregtare” (ligj i kohës në të cilin është marrë vendimi i asamblesë së ortakëve) nuk qëndrojnë.
-
Në nenin 238 të ligjit nr.7638, datë 10.11.1992, “Për shoqëritë tregtare” është parashikuar se:
“Paditë për pavlefshmërinë e shoqërisë ose të akteve dhe çështjeve të shqyrtuara pas themelimit të saj parashkruhen për tre vjet, duke filluar nga dita kur shoqëria vihet përballë aktit të pavlefshmërisë.(...)”.
-
Në këto rrethana kur kërkimi për pavlefshmërinë e një akti të shoqërisë është ngritur pas 11 vjetësh nga marrja e tij dhe gjatë tërë kësaj periudhe është pranuar dhe zbatuar nga palët ndërgjyqëse, Kolegji çmon se kjo kërkesëpadi është e parashkruar.
-
Përsa i përket shkaqeve të tjera të ngritura në rekurs, Kolegji Civil çmon se janë jashtë objektit të gjykimit të Gjykatës së Lartë. Ato lidhen thjesht me çmimin e provës sipas ligjit e bindjes juridike nga ana e gjykatës së shkallës së parë dhe asaj të apelit, pretendime që, në zbatim të nenit 472 të Kodit të Procedurës Civile, nuk përbëjnë objekt shqyrtimi nga Gjykata e Lartë, si gjykatë ligji.
-
Përfundimisht, sa më sipër Kolegji Civil arrin në konkluzionin se vendimi i Gjykatës së Apelit Korçë, i cili ka ndryshuar vendimin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë, është i drejtë e për pasojë duhet të lihet në fuqi.
PËR KËTO ARSYE
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë, mbështetur në nenin 485/a të Kodit të Procedurës Civile,
V E N D O S I
Lënien në fuqi të vendimit nr.282, datë 14.05.2013, të Gjykatës së Apelit Korçë.
Tiranë, më 23.03.2016
Nr. 23000-00703-00-2016 i Regj. Themeltar
Nr. 00-2016-824 i Vendimit (99)
Do'stlaringiz bilan baham: |