VENDIM
NË EMËR TË REPUBLIKËS
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë i përbërë nga:
Majlinda Andrea Kryesuese
Admir Thanza Anëtar
Artan Broci Anëtar
Në seancën gjyqësore të datës 30.03.2016, mori në shqyrtim çështjen civile që u përket palëve:
PADITËS: QANI AVDIAJ
I PADITUR: AGJENCIA E KTHIMIT DHE KOMPENSIMIT TË PRONAVE
OBJEKTI:
Ndryshimin e pjesshëm të vendimit nr.23, datë 19.10.2001,
të Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave ish Pronarëve,
Prefektura e Qarkut Fier.
Baza Ligjore: Neni 31 dhe 32 i Kodit të Procedurës Civile
Ligji nr.9235, datë 29.07.2004
“Për kthimin dhe kompensimin e pronave ish pronarëve” i ndryshuar.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier, me vendimin nr.178, datë 15.02.2016, ka vendosur:
“Nxjerrjen jashtë juridiksionit gjyqësor të çështjes civile me nr.regjistri themeltar 21291-01310-62-2015 (1479/47) datë regjistri 03.06.2015/16.
Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim i veçantë brenda 5 (pesë) ditëve nga e nesërmja e shpalljes në Gjykatën e Lartë.
Për palët në mungesë ky afat fillon nga e nesërmja e komunikimit të vendimit.”
Kundër vendimit nr.178, datë 15.02.2016, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier, ka paraqitur ankim të veçantë pala paditëse Qani Avdiaj, i cili kërkon prishjen e vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier për nxjerrjen e çështjes jashtë juridiksionit të gjykatës, duke parashtruar ndër të tjera se:
-
Vendimi është i gabuar dhe në interpretim të keq të ligjit pasi nga pala paditëse është kërkuar ndryshimi i vendimit nr.23, datë 19.10.2001, të K.K.K.P Prefektura Qarkut Fier.
-
Duke qenë se në trashëgimtarët ligjorë të ish pronarit Refat Avdija nuk jemi kompensuar asnjëherë me vlerë me sipërfaqen prej 21.413 m2 iu drejtuam gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier për shkak se një pjesë e konsiderueshme e kësaj sipërfaqe është e lirë dhe ne kërkojmë kthimin fizik.
-
Vendimi i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier është një vendim i gabuar pasi në mbështetje të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, vendimet e Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave janë vendime “quasi gjyqësore”.
-
Çështjet që janë zgjidhur me këto vendime nuk mund të shqyrtohen më nga një organ administrativ si Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Këtë qëndrim ka mbajtur edhe Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë me vendimin nr.27/2010.
KOLEGJI CIVIL I GJYKATËS SË LARTË
pasi dëgjoi relatimin e gjyqtares Majlinda Andrea; konstatoi mungesën e palës paditëse; dëgjoi Avokatin e Shtetit Abaz Deda, që kërkoi lënien në fuqi të vendimit nr.178, datë 15.02.2016, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier; dhe pasi e bisedoi çështjen në tërësi,
V Ë R E N
-
Rrethanat e çështjes
1. Në analizë të akteve të dosjes gjyqësore rezulton se paditësi Qani Avdiaj është një nga trashëgimtarët ligjorë të radhës së parë të trashëgimlënësit Refat Avdiaj, fakt ky i provuar nga dëshmia e trashëgimisë ligjore nr.2419, datë 12.11.1993, të lëshuar nga notere Arjana Dodi.
2. Me vendimin nr.23, datë 19.10.2001 Komisioni i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave ish Pronarëve, Prefektura Qarkut Fier ka vendosur: (i) Ti njohë pronën ish pronarit Refat Avdiaj mbi një sipërfaqe toke bujqësore prej 38 dy; (ii) Ti njohë të drejtën e kompensimit trashëgimtarëve ligjorë të radhës së parë që janë Hava Avdiaj për 3454 m2, Hateme Turhani (Avdiaj) për 3454 m2, Hekuran Avdiaj për 695 m2, Ferrik Avdiaj për 3454 m2, Qani Avdiaj për 653 m2, Shaip Avdiaj për 984 m2, Lulëzime Sakaj 2354 m2, Sanie Korcari për 2054 m2, për diferencën e sipërfaqes së ish pronës prej 38 dy dhe asaj të përfituar nga Ligji nr.7501, datë 19.07.1991 prej 16.587 m2, në kufijtë e përcaktuar në nenin 8 të Ligjit nr.7699, datë 21.04.1993, pra për 21.413 m2; (iii) Bazuar në klasifikimin e fshatit të bërë në zbatim të pikës 4, të V.K.M nr.703, datë 18.12.1995 nga Drejtoria e Bujqësisë dhe Ushqimit të Rrethit Fier dhe në nenin 4 të Ligjit nr.7836, datë 22.06.1994 të bëjë kompensimin e ish pronarëve (trashëgimtarëve) të pikës 1 të këtij vendimi në vlerë si më poshtë: “Sipërfaqe 21413 x 17.1 l/m2 = 366162 lekë.”
3. Sipas palës paditëse trashëgimtarët ligjorë të ish pronarit Refat Avdiaj nuk janë kompensuar asnjëherë në vlerë për sipërfaqen e mësipërme të tokës bujqësore dhe se dosja aktualisht ndodhet pranë palës e paditur Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave Tiranë.
4. Sipas palës paditëse një pjesë e konsiderueshme e kësaj sipërfaqe toke bujqësore është e lirë dhe për këtë qëllim ata i janë drejtuar gjykatës për ndryshimin e pjesshëm të vendimit të mësipërm nr.23, datë 19.10.2001 të K.K.K.P Prefektura e Qarkut Fier, duke kthyer në natyrë pjesët e lira të kësaj prone.
5. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier për efekt të këtij gjykimi ka tërhequr nga Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave Tiranë kopje të dosjes nr.703, e cila ka lidhje me dosjen nr.1528, datë 23.11.2011, që përmban vendimin nr.23, datë 19.10.2001 të K.K.K.P Prefektura Qarkut Fier në emër të subjektit të shpronësuar Refat Avdiaj, ku në shkresën e kthyer gjykatës nr.3283/1 prot., datë 06.10.2015 e cila shoqëronte kopjen e dosjes së mësipërme drejtoresha e A.K.K.K.P Tiranë sqaron se: “Kjo dosje aktualisht ndodhet në trajtim në Sektorin e Shqyrtimit për qarqet Vlorë, Fier dhe Gjirokastër”.
6. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier, me vendimin nr.178, datë 15.02.2016, ka vendosur:
-
“Nxjerrjen jashtë juridiksionit gjyqësor të çështjes civile me nr.regjistri themeltar 21291-01310-62-2015 (1479/47) datë regjistri 03.06.2015/16.
-
Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim i veçantë brenda 5 (pesë) ditëve nga e nesërmja e shpalljes në Gjykatën e Lartë.
-
Për palët në mungesë ky afat fillon nga e nesërmja e komunikimit të vendimit.”
-
Në marrjen e këtij vendimi, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë arriti duke arsyetuar (ndër të tjera) se:
“... Rezulton nga aktet e mësipërme provuese se ndërsa është paraqitur në gjykatë nga paditësi kërkesë padia me objektin e mësipërm, paralelisht me të pranë A.K.K.P Tiranë është duke u trajtuar dosja përkatëse e ish pronarit Refat Avdiaj nga ana Sektorit të Shqyrtimit të ndodhur pranë të paditurit A.K.K.P Tiranë mbi bazën e kërkesës së bërë nga ana e trashëgimtarëve të tij ligjorë. Referuar ligjit nr.9583, datë 17.07.2006 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.9235, datë 29.07.2004 “Për kthimin dhe kompensimin e pronave të ndryshuar, parashikon krijimin e Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, person juridik publik e cila ka qendrën në Tiranë dhe zyra rajonale në çdo qark. Në nenin 16 të këtij ligji përcaktohen përgjegjësitë e zyrës qendrore në qendër dhe në qarqe. Në përgjegjësitë e zyrës së A.K.K.P në qendër është dhe shqyrtimi i ankimeve ose kërkesave ndaj vendimeve të zyrës rajonale të A.K.K.P në qark. Në zbatim të përgjegjësive të veta, për kompensimin dhe zgjidhjen e ankimeve drejtori i përgjithshëm i A.K.K.P shprehet me vendim. Nga sa më sipër rezulton se gjykata vendos përfundimisht në lidhje me zgjidhjen e çështjes në themel vetëm pas përfundimit të procesit të shqyrtimit në rrugë administrative dhe vetëm pasi A.K.K.P të jetë shprehur mbi kërkesën e paraqitur nga trashëgimtarët ligjore. Ligjvënësi ka pasur qëllim që me dispozitat e ligjit të mësipërm të vendosë procedura administrative sa më të hollësishme dhe rigoroze për organet administrative të specializuara dhe të ngarkuara me ligj që nxjerrin akte për njohjen dhe kthimin ose kompensimin e pronës së ish pronarëve, organin epror që mbikëqyr procedurën administrative të nxjerrjes së akteve dhe njëkohësisht kryen funksionin e rëndësishëm të shqyrtimit të ankimeve administrative kundër akteve të dhëna nga organet me të ulëta dhe së fundi të drejtën e ankimit në gjykatë të subjektit të shpronësuar, duke kaluar çështja në juridiksionin gjyqësor. Në këtë mënyrë ligji garanton të gjitha mundësitë juridike për kryerjen e dy procedurave të ankimit me radhë njëra pas tjetrës, e para rruga e ankimit në rrugë administrative dhe e dyta rruga gjyqësore e shqyrtimit të ligjshmërisë së akteve. Rruga gjyqësore e ankimit mbetet gjithmonë e hapur dhe garanci për subjektin pretendues por pasi të shterohet plotësisht procedura e shqyrtimit të ankimit administrativ në përputhje me dispozitat ligjore të sipërpërmendura...(...)”
7. Kundër vendimit nr.178, datë 15.02.2016, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier, ka paraqitur ankim të veçantë pala paditëse Qani Avdiaj, i cili kërkon prishjen e vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier për nxjerrjen e çështjes jashtë juridiksionit të gjykatës, për shkaqet e parashtruara në pjesën hyrëse të këtij vendimi.
-
Ligji i zbatueshëm
8. Dispozitat e Kodit të Procedurës Civile:
8.1. Neni 16§1: “Gjykata zgjidh mosmarrëveshjen në përputhje me dispozitat ligjore dhe normat e tjera në fuqi, që janë të detyrueshme të zbatohen prej saj. Ajo bën një cilësim të saktë të fakteve dhe veprimeve që lidhen me mosmarrëveshjen, pa u lidhur me përcaktimin që mund të propozojnë palët.”
8.2. Neni 36: “Në juridiksionin e gjykatave hyjnë të gjitha mosmarrëveshjet civile dhe mosmarrëveshjet e tjera të parashikuara në këtë Kod e në ligje të veçanta.
Juridiksioni gjyqësor civil ushtrohet sipas dispozitave të këtij Kodi dhe ligjeve të tjera.
Asnjë institucion tjetër nuk ka të drejtë të pranojë për shqyrtim një mosmarrëveshje civile që është duke u gjykuar nga gjykata.
Është e pavlefshme çdo marrëveshje që lidhet në kundërshtim me këtë dispozitë.”
8.3. Neni 59§1: “Gjykata në çdo fazë dhe shkallë gjykimi, qoftë edhe kryesisht, merr në shqyrtim nëse çështja që shqyrton, bën pjesë në juridiksionin gjyqësor. ...”
-
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë vlerëson
9. Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë, në shqyrtim e në vlerësim të akteve që ndodhen në dosjen gjyqësore e të administruara gjatë gjykimeve, pretendimeve të paraqitura në ankimin e veçantë, si dhe pjesës arsyetuese të vendimit të gjykatës, arrin në përfundimin se vendimi nr.178, datë 15.02.2016 i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier nuk është marrë në zbatim të drejtë të ligjit dhe për këtë arsye, ky vendim duhet të prishet dhe çështja të kthehet në po atë gjykatë për vazhdimin e gjykimit.
10. Kolegji Civil vëren se Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier nuk ka zbatuar drejt dispozitat ligjore dhe nuk ka përcaktuar drejt çështjen e juridiksionit, duke mos bërë një cilësim të saktë të fakteve dhe veprimeve që lidhen me mosmarrëveshjen, në përputhje me dispozitat e zbatueshme (neni 16 i K.Pr.Civile).
11. Sipas nenit 59 të K.Pr.Civile, gjykata në çdo shkallë gjykimi ka të drejtë të marrë në shqyrtim, të analizojë dhe të vendosë në lidhje me juridiksionin gjyqësor apo administrativ të çështjes objekt gjykimi. Kjo e drejtë e gjykatës për të vepruar edhe kryesisht është e lidhur drejtpërsëdrejti me zbatimin dhe respektimin e parimit të një procesi të rregullt ligjor në mbështetje të nenit 42/1 të Kushtetutës dhe nenit 6§1 të K.E.D.NJ. Por juridiksioni është çështje që përcaktohet shprehimisht nga ligji dhe nuk mund të përcaktohet mbi interpretimet apo qëndrimet që rrjedhin nga dispozitat me karakter lejues apo referues. Në mbështetje të nenit 36§1 të Kodit të Procedurës Civile janë në juridiksionin gjyqësor të gjitha mosmarrëveshjet civile e mosmarrëveshjet e tjera të parashikuara në këtë Kod e në ligje të veçanta.
12. Në këtë këndvështrim, ky Kolegj, çmon se Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier nuk ka përcaktuar drejt shkakun ligjor të kërkimeve të paditësit, si dhe nuk ka bërë një identifikim të elementeve dhe/ose kritereve ligjore, që për rastin konkret shërbejnë për përcaktimin e një parakushti të rëndësishëm procedural siç është ai i verifikimit të juridiksionit.
13. Konkretisht Kolegji Civil konstaton se, sipas akteve të dosjes gjyqësore, pala paditëse i është drejtuar organeve kompetente të kthimit të pronave ish pronarëve të kohës dhe ka marrë vendimin nr.23, datë 19.10.2001 të K.K.K.P Prefektura Qarkut Fier, që i ka njohur dhe kompensuar pronën (shih pikën 2 të këtij vendimi). Aktualisht, pala paditëse pretendon ndryshimin e vendimin e mësipërm, pasi sipas saj ajo nuk është kompensuar asnjëherë dhe aktualisht një pjesë e sipërfaqes së trajtuar me vendimin e mësipërm është e lirë e mund të kthehet fizikisht, në kuadër të ligjit nr.9235, datë 29.07.2004. Për këtë shkak e ka bërë çështjen objekt shqyrtimi gjyqësor.
13.1. Gjatë gjykimit, është konstatuar se pala paditëse ka investuar A.K.K.P. dhe vetë ky organ pranon se për këtë subjekt ka të regjistruar dosjen nr.703 (e cila ka lidhje me dosjes nr.1528, datë 23.11.2011, që përmban vendimin nr.23/2001), por çështja “është në trajtim”1. Pra, rezulton se nga ana e këtij organi nuk është nxjerrë asnjë vendim përfundimtar, apo akt tjetër zyrtar, ku të pasqyrohet vullneti i tij.
14. Për sa më sipër, Kolegji Civil vëren se: (i) pala paditëse ka një vendim nr.23, datë 19.10.2001 të K.K.K.P. Prefektura Qarkut Fier, që ka shqyrtuar në themel pretendimet e tij të pronësisë, duke i njohur të drejtën e pronësisë dhe atë të kompensimit; (ii) ajo që pala paditëse kërkon të realizojë nëpërmjet këtij gjykimi është kthimi fizik i pronës, brenda mundësive dhe hapësirave që lejon ligji nr.9235, datë 29.07.20042; (iii) AKKP shprehet se “e ka në trajtim dosjen”, por nuk ka dalë me një vendim, brenda afateve përkatëse ligjore3. Në këto kushte, ky Kolegj çmon se pala paditëse ka ezauruar procedurën administrative sipas ligjit nr.9235, datë 29.07.2004, i ndryshuar.
15. Referuar objektit të padisë, shkakut ligjor të saj, si dhe rrethanave e gjendjes së faktit, Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë çmon se shqyrtimi i kësaj çështje i përket juridiksionit gjyqësor. Pala paditëse ka marrë një vendim për njohje të së drejtës së pronësisë dhe të drejtës së kompensimit nga organi i posaçëm për kthimin e kompensimin e pronës4 dhe në kushtet e mosveprimit të AKKP, pala paditëse mund të realizojë pretendimet e saj vetëm nëpërmjet padisë në gjykatë.
16. Ky Kolegj mbështetet edhe në vendimet e Gjykatës Kushtetuese ku arsyetohet se “ ... kthimi i drejtpërdrejtë i pronës nga gjykatat e juridiksionit të zakonshëm, në rastet kur ajo shqyrton ankesat ndaj vendimeve të Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, nuk përbën tejkalim të juridiksionit gjyqësor. Do të kemi një tejkalim të tillë në rastet kur gjykata jep vendim për të drejta pronësie mbi sipërfaqe që nuk janë kërkuar dhe nuk janë marrë më parë në shqyrtim nga organi administrativ. Në raste të tilla gjykata merr kompetencat e këtij të fundit, duke cenuar parimet e shtetit të së drejtës e të ndarjes së pushteteve (shih vendimin nr.27, datë 27.07.2009, të Gjykatës Kushtetuese) 5.
17. Po ashtu, sipas Vendimit Unifikues nr.4, datë 10.12.2013 të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë (megjithëse ai ka lidhje me përcaktimin e gjykatës kompetente nga pikëpamja lëndore), kundërshtimi i akteve të AKKP në gjykatë është konsideruar mosmarrëveshje civile. Kolegjet e Bashkuara kanë arsyetuar se në këto raste “... gjykata zhvillon një gjykim themeli lidhur me titullin e pronësisë duke ndryshuar apo shfuqizuar vendimin e K.K.K.Pronave apo A.K.K.Pronave si dhe duke zgjidhur në themel këtë konflikt që është një konflikt pronësie, pra i natyrës civile. ...”.
18. Referuar vendimeve të mësipërme, Kolegji Civil çmon se mosmarrëveshja objekt shqyrtimi i përket juridiksionit gjyqësor, sepse padia në shqyrtim nuk ka si shkak pretendime për njohje të së drejtës së pronësisë mbi sipërfaqe që nuk janë kërkuar dhe nuk janë marrë ndonjëherë më parë në shqyrtim nga organi i caktuar me ligj, por pretendime për ndryshimin e vendimit të njohjes së të drejtës së pronësisë nga kompensim në kthim fizik.
19. Përveç se u arsyetua, nëse këtë çështje do të konsideronim jashtë juridiksionit gjyqësor, kur e drejta e pronësisë është njohur më parë organi kompetent dhe në kushtet e mosveprimit të A.K.K.P.-së, Kolegji Civil çmon se subjektit do t’i mohohej drejta kushtetuese për një proces të rregullt ligjor dhe zhvillimit të tij brenda afateve të arsyeshme në mbështetje me nenet 42 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, neneve 6, 13 të K.E.D.NJ.
20. Në përfundim, Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë vlerëson se vendimi nr.178, datë 15.02.2016 e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier, duhet të prishet dhe çështja duhet të dërgohet për rishqyrtim pranë po asaj gjykate për vazhdimin e gjykimit. Është kjo gjykatë që duhet të vlerësojë nëse ajo që paditësi pretendon se i është cënuar apo që duhet t’i njihet, parashikohet nga e drejta pozitive në aspektin material, e akoma më tej, nëse e drejta pozitive i njeh paditësit të drejtën që këtë të kërkojë t’a realizojë nëpërmjet gjykatës, atëherë gjykata ka detyrimin të vijojë me shqyrtimin dhe zgjidhjen e çështjes për të verifikuar nëse ajo kërkohet konkretisht me padi (në objekt) është e mbështetur në prova. Për këtë, gjykata duhet të mbajë në konsideratë se ka për detyrë “...të zhvillojë një proces të rregullt ligjor, nëpërmjet garantimit të zhvillimit të një hetimi të plotë dhe të gjithanshëm, në përputhje me ligjin (neni 14 i K.Pr.Civile) dhe, duke bërë një “cilësim të saktë të fakteve dhe veprimeve që lidhen me mosmarrëveshjen”, dhe zgjidhur atë “në përputhje me dispozitat ligjore dhe normat e tjera në fuqi” (neni 16 i K.Pr.Civile).
PËR KËTO ARSYE
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë mbështetur në nenin 59 dhe 485 të Kodit të Procedurës Civile,
V E N D O S I
Prishjen e vendimit nr.178, datë 15.02.2016, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier dhe dërgimin çështjes në po atë gjykatë për vazhdimin e gjykimit.
Tiranë, më 30.03.2016
Nr. 11118-00505-00-2013 i Regj. Themeltar
Nr. 00-2016-836 i Vendimit (102)
Do'stlaringiz bilan baham: |