VENDIM
NË EMËR TË REPUBLIKËS
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë i përbërë nga:
Ardian Dvorani Kryesues
Andi Çeliku Anëtar
Arjana Fullani Anëtare
Në datë 10.03.2016 mori në shqyrtim në dhomë këshillimi çështjen civile që i përket:
PADITËS: GËZIM BILALI
I PADITUR: BASHKIA KUKËS
OBJEKTI :
Deklarimin e pavlefshmerise se vendimit nr.36, date 17/11/2010
per zgjidhjen e kontrates se punes.
Detyrimin e anes se paditur per te me paguar demshperblimin
ne shumen e barabarte me ate te nje viti page, per zgjidhje te kontrates se punes,
pa shkaqe te justifikuara dhe ne menyre te menjehershme.
Detyrimin e anes se paditur per te me paguar demshperblim 2 muaj page,
per mosrespektim te procedures se zgjidhjes se kontrates se punes.
Baza Ligjore: Nenet 31, 32, 154 te K.Pr.Civile,
nenet 140, 143, 144, 145, 146, 153, 155 te K.Punes.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Kukës, me vendimin nr.108, datë 30.03.2011 ka vendosur:
1. Pranimin pjesërisht të kërkesëpadisë së paditësit Gëzim Bilali.
2. Detyrimin e palës së paditur, Bashkia Kukës, t’i paguajë paditësit Gëzim Bilali dëmshpërblim për zgjidhje të kontratës së punës pa shkaqe të justifikuara dhe në mënyrë të menjëhershme në shumën 12 (dymbëdhjetë) muaj pagë x 30 000 lekë.
3. Detyrimin e palës së paditur Bashkia Kukës t’i paguajë paditësit Gëzim Bilali 2 (dy) muaj pagë dëmshpërblim për zgjidhje të kontratës së punës në mënyrë të menjëhershme pa respektuar procedurën e zgjidhjes së kontratës së punës në shumën 2 (dy) x 30 000 lekë.
4. Detyrimin e palës së paditur Bashkia Kukës t’i paguajë paditësit Gëzim Alibali pagën deri në përfundim të afatit të kontratës së punës për periudhën 23.11.2010 deri më 31.12.2010 ( ku paga mujore është 30 000 lekë)
5. Detyrimin e palës së paditur Bashkia Kukës t’i paguajë paditësit Gëzim Alibali shpërblim për vjetërsi në punë shumën 14.5 x 30 000 lekë ( ose 29x15 000 lekë).
6. Rrëzimin përsa i përket kërkimit për deklarimin e pavlefshmërisë së vendimit nr.36, datë 17.11.2010 për zgjidhjen e kontratës së punës si e pabazuar në ligj.
7. Shpenzimet gjyqësore në ngarkim të palës së paditur, Bashkia Kukës.
Gjykata e Apelit Shkodër, me vendimin nr.348, datë 01.07.2013 ka vendosur:
Lënien në fuqi të vendimit nr.108, datë 30.03.2011 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kukës për paragrafin e parë të dispozitivit, për paragrafin katër, pesë, gjashtë dhe shtatë të po këtij dispozitivi.
Ndryshimin e paragrafit të dytë dhe të tretë të këtij dispozitivi, duke vendosur rrëzimin e padisë.
Kundër vendimit të Gjykatës së Apelit Shkodër, kanë ushtruar rekurs pala paditëse Gëzim Bilali,i cili kërkon prishjen e këtij vendimi dhe lënien në fuqi vendimin e gjykatës rrethit dhe pala e paditur Bashkia Kukës e cila kërkon prishjen e këtij vendimi dhe vendimin e gjykatës së rrethit e vendosjen e pushimit të çështjes, duke parashtruar këto shkaqe;
Shkaqet e parashtruara në rekursin e palës paditëse Gëzim Bilali:
-
Gjykata e apelit ka rrëzuar kërkimin për dëmshpërblimin për zgjidhjen e menjëhershme pa shkaqe të justifikuar të kontratës së punës që do të thotë se kjo gjykatë i ka gjetur shkaqet e prishjes së kontratës të justifikuara. Në këtë rast gjykata duhet të kishte rrëzuar gjithë padinë, pasi në këtë rast nuk do të legjitimoheshim në asnjë prej kërkimeve, bazuar në nenin 154 të Kodit të Punës.
-
Në të kundërt, nëse gjykata i ka gjetur të pajustifikuar shkaqet e largimit nga puna të paditësit, duhet të pranonte automatikisht edhe kërkimin për dëmshpërblimin për mosrespektim të procedurës së pushimit nga puna, për aq kohë se nga gjykimi ka rezultuar se nuk është ndjekur asnjë procedurë e posaçme siç parashikon K.Punës.
-
Unë në cilësinë e punëmarrësit kam patur me punëdhënësin një kontratë pune me afat të caktuar e cila duhej të përfundonte më datë 31.12.2010 dhe këtë afat pala e paditur nuk e respektoi.
-
Në rastin konkret, zgjidhja e kontratës së punës është bërë në mënyrë të menjëhershme nga ana e palës së paditur dhe është e pajustifikuar, pasi në analizë të kushteve të mësipërme rezulton se asnjë prej tyre nuk është shkelur nga ana e ime.
-
Në rastin e largimit tim nga puna është e aplikueshme neni 155 i K.Punës si paragrafi i parë dhe i treti. Ku në të parin jepet e drejta e përfitimit të pagës që do të kisha fituar deri në përfundimin e kontratës me afat. Dhe në të tretin parashikohet dëmshpërblimi deri një vit pagë. Pra nga dispozita e mësipërme del se duhet tëi përfitojmë të dyja.
-
Siç parashikon dhe neni 145 të Kodit të Punës ne duhet shpërblehemi dhe për vjetërsinë në punë.
-
Zgjidhja e marrëdhënieve të punës është bërë pa ndjekur ndonjë procedurë të caktuar, por vetëm duke ma komunikuar verbalisht vendimin e saj të njëanshëm, duke shkelur nenin 14 të kontratës si dhe nenin 144 të K.Punës.
-
Shkaqet e parashtruara në rekursin e palës së paditur Bashkia Kukës:
-
Nga ana e jonë është bërë zgjidhje e menjëhershme e kontratës së punës e cila ka qenë e lidhur me afat të caktuar. Paditësi ishte marrë në punë në Qëndrën Kulturore Kukës në lidhje me menaxhimin e biletave, por kishte kryer detyra të tjera duke shkelur në mënyrë flagrante kontratën individuale të punës e pikërisht në nenin 4 pika 8.
-
Më datë 03.11.2010 me urdhrin nr.223 i është dhënë masë disiplinore “Vërejtje me shkrim” dhe më datë 17.11.2010 ka dalë vendimi nr.36 për zgjidhjen e kontratës së punës.
-
Paditësi kishte bërë marrëveshje me Kancelarin e Fakultetit të Ekonomikut në Kukës, pa iu dhënë tagër nga ana e jonë, ku kishte përgjysmuar çmimin e biletës dhe kjo përbën një shkak të justifikuar për zgjidhje të menjëhershme.
-
Gjykata Apelit Shkodër me vendimin e saj ka pranuar që dëmshpërblimi për zgjidhje të kontratës pa shkaqe të arsyeshme bie dhe rrjedhimisht edhe procedura prej 2 muajsh shpërblim bie.
-
Gjykata e Apelit ka vepruar gabim kur ka pranuar shpërblimin për vjetërsinë në punë pasi bazuar në nenin 145/3 të K.Punës nuk e përfiton shpërblimin kur zgjidhja ka ndodhur në mënyrë të menjëhershme të justifikuar.
-
Pala paditëse në ushtrimin e së drejtës së saj dhe në zbatim të ligjit për auditin duhet të kishte bërë observacion dhe pas tij i lindte e drejta për të ngritur padi në gjykatë për pavlefshmëri të raportit të grupit të auditit dhe nëse gjykata vendoste se raporti i auditit dilte i pavlefshëm atëhere automatikisht shpallej nul vendimi nr.36, datë 17.11.2010.
KOLEGJI ADMINISTRATIV I GJYKATËS SË LARTË
Pasi dëgjoi relacionin e gjyqtarit Ardian Dvorani dhe diskutoi çështjen në tërësi në dhomën e këshillimit,
V Ë R E N
Vendimi nr.348, datë 01.07.2013 i Gjykatës së Apelit Shkodër duhet të prishet pjesërisht për pikën 5 të këtij vendimi (shpërblimin për vjetërsi në punë), duke vendosur rrëzimin e padisë për këtë pjesë.
Sipas vendimit të dhënë nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Kukës dhe Gjykata e Apelit, përsa i përket rrethanave të faktit rezulton se paditësi Gëzim Bilali është banorë i qytetit të Kukësit dhe ka qenë i punësuar pranë Qëndrës Kuturore Bashkia Kukës në bazë të kontratës individuale të punës nr.216/3, datë 01.07.2010.Kontrata ka qenë lidhur me afat të caktuar me datë përfundimi 31.12.2010.
Nga një kontroll i ushtruar nga auditi, më datë 25.10.2010, në lidhje me shitblerjet e biletave, të cilat rezultonin që të ishin marrë nga magazina pa procesverbal dhe për këtë ishte propozuar për paditësin masa disiplinore “largim nga puna”.
Paditësi duke mos qenë dakord me zgjidhjen e kontratës së punës i është drejtuar me kërkesëpadi Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kukës, duke pretenduar se zgjidhja e marrëdhënieve të punës ka qenë e menjëhershme dhe e pajustifikuar.
Në përfundim të gjykimit të çështjes, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Kukës, me vendimin nr.108, datë 30.03.2011, ka vendosur të pranojë pjesërisht të padinë, duke detyruar palën e paditur, Bashkia Kukës, të dëmshpërblejë paditësin Gëzim Bilali me 12 paga për zgjidhje të menjëhershme të pajustifikuar të kontratës së punës, me 2 paga për mosrespektim të procedurës së largimit nga puna, me pagën që do të përfitonte deri në përfundim të afatit të kontratës (periudha 23.11.2010 deri më 31.12.2010), me 14.5 paga për vjetërsinë në punë.
Kundër vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kukës, pala e paditur Bashkia Kukës, ka paraqitur ankim në gjykatën e apelit.
Gjykata e Apelit Shkodër, duke pranuar të njëjtat rrethana të faktit, ka vlerësuar pjesërisht të drejtë interpretimin dhe zbatimin e ligjit nga gjykata e rrethit, duke disponuar ndryshimin e këtij vendimi për paragrafin e dytë dhe të tretë të dispozitivit, përsa i përket detyrimit për t’i paguar dëmshpërblimin në masën e 12 pagave për zgjidhje të kontratës së punës pa shkaqe të justifikuara si dhe 2 paga për mos respektim të procedurës, duke vendosur rrëzimin për to.
Gjykata e Rrethit ka zbatuar gabim ligjin material kur ka arsyetuar dhe disponuar për pranimin e padisë ku i njihet dëmshpërblimi i mësipërm për zgjidhje të menjëhershme e të pajustifikuar dhe për mosrespektim të afatit të njoftimit sipas nenit 155 dhe 144 të Kodit të Punës.
Të dy gjykatat kanë pranuar se në rastin konkret gjendemi përpara zgjidhjes së kontratës me afat të caktuar, por në zgjidhjen e pasojave gjykata e rrethit ka gabuar, duke i dhënë shpërblimin për pagën që do të kishte përfituar deri në përfundim të kontratës si dhe dëmshpërblim për 12 paga për zgjidhjen e menjëhershme të pajustifikuar.
Ky Kolegj vlerëson se në rastin e kontratave me afat të caktuar, Kodi i Punës parashikon rregullime të posaçme në nenet 149-152 të tij. Kështu, në nenin 149 parashikohet se: “(1) Kontrata me afat të caktuar përfundon në fund të kohës së parashikuar, pa zgjidhje paraprake.....”
Kjo dispozitë dhe ato vijuese të Kodit të Punës nuk parashikojnë as procedura dhe as afate njoftimi për zgjidhjen e kontratës së punës me afat të caktuar. Rrjedhimisht, punëmarrësi nuk mund të pretendojë dhe përfitojë dëmshpërblime për mosrespektim të afatit dhe/ose të procedurës së zgjidhjes së kontratës së punës Po kështu, neni 149 bën fjalë vetëm për “përfundim” të kontratës në fund të afatit të saj, pa “zgjidhje paraprake”. Kjo do të kuptohet se, në rastet kur kontrata zgjidhet njëanshmërisht nga punëmarrësi, përpara mbarimit të afatit të caktuar të kontratës, punëdhënësi i shlyen punëmarrësit pagat që i takojnë ti përfitojë deri në përfundim të këtij afati kontraktor. Ky detyrim nuk ekziston vetëm nëse vërtetohet që zgjidhja para afatit e kontratës së punës është bërë për “fajin” e punëmarrësit. Nëse zgjidhja është bërë pa shkaqe të arsyeshme ose të justifikuara, punëmarrësi përfiton pagat që i takojnë deri në përfundim të afatit të kontratës, por jo dëmshpërblimet apo shpërblim për vjetërsi pune sikurse në rastet e kontratave pa afat të caktuar ose me “afat të gjatë” (neni 151 e 152).
Në çështjen objekt gjykimi, mbi provat e administruara dhe të çmuara nga gjykatat e faktit, rezultoi e provuar se palët ndërgjyqëse ishin të lidhura me një kontratë pune me afat të caktuar 6 mujor, e cila është zgjidhur në mënyrë të njëanshme nga pala e paditur punëdhënëse. Nga gjykimi nuk u vërtetua që zgjidhja e kontratës të ishte bërë me ndonjë shkak të arsyeshëm e të justifikuar, pra për “faj” të palës paditëse punëmarrëse. Drejt kanë arsyetuar gjykatat që në rastin në gjykim nuk konstatohet dhe as vërtetohet të ketë patur shkelje të disiplinës në punë, qoftë me faj të rëndë apo shkelje të përsëritura me faj të lehtë dhe për pasojë zgjidhja e kontratës së punës është në mënyrë të menjëhershme për shkaqe të pajustifikuara. Prandaj, paditësi Gëzim Alibali ka të drejtën të përfitojë pagën që duhet të merrte deri në fund të afatit të caktuar të kontratës së punës së lidhur me të paditurin Bashkia Kukës prej 1 muaj e 8 ditë, (ku paga mujore është 30 000 lekë në muaj), gjë që është pranuar nga të dy gjykatat më të ulëta.
Kundër vendimit të gjykatës së apelit, të dy palët ndërgjyqëse, pala paditëse Gëzim Alibali dhe pala e paditur Bashkia Kukës kanë paraqitur rekurs në Gjykatë të Lartë. Me anë të rekursit, në thelb, pala paditëse ka pretenduar se me rrëzimin që gjykata e apelit i ka bërë dëmshpërblimit për zgjidhje të menjëhershme të kontratës së punës ka pranuar se ekzistojnë shkaqe të justifikuar. Ndërsa në rekursin e palës së paditur është pretenduar se zgjidhja e marrëdhënieve të punës është bërë, pasi paditësi kishte shkelur në mënyrë flagrante kontratën individuale të punës.
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë vlerëson se rekursi i paraqitur nga paditësi Gëzim Alibali është i pambështetur në ligj, ndërsa rekursi i paraqitur nga pala e paditur është pjesërisht i mbështetur në ligj, vetëm përsa i përket dëmshpërblimit për vjetërsinë në punë.
Të dy gjykatat kanë interpretuar dhe zbatuar gabim ligjin material kur arsyetojnë dhe disponojnë për pranimin e padisë në pjesën që i njihet paditësit Gëzim Alibali shpërblimin për vjetërsi në punë sipas nenit 145 të K.Punës, prej 14.5 pagash (435.000 lekë).
Neni 145 i K.Punës parashikon se:
“Punëmarrësi përfiton shpërblim për vjetërsi, kur kontrata është zgjidhur nga punëdhënësi dhe marrëdhëniet e punës kanë zgjatur jo më pak se tre vjet. Punëmarrësi e humb të drejtën e shpërblimit për vjetërsi, nëse është pushuar me efekt të menjëhershëm, për shkaqe të arsyeshme”.
Kjo dispozitë parashikon dhënien e shpërblimit për vjetërsinë në punë kur marrëdhëniet e punës kanë zgjatur jo më pak se tre vjet në një kohë që kontrata midis palëve ka qenë e lidhur për një periudhë 6 mujore dhe ku vetë pala paditëse nuk e ka kundërshtuar kontratën me afat por e ka pranuar atë, ndonëse ka pretenduar dhe për shpërblimin sipas nenit 155/3 të K.Punës.
PËR KËTO ARSYE
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, në bazë të nenit 63 gërma “dh” të ligjit nr.49, datë 03.05.2012 “ Për Organizimin dhe Funksionimin e Gjykatave Administrative dhe Gjykimin e Mosmarrëveshjeve Administrative”,
V E N D OS I
Lënien në fuqi të vendimit nr.348, datë 01.07.2013 të Gjykatës së Apelit Shkodër me këtë ndryshim:
Rrëzimin e padisë lidhur me kërkimin për detyrimin e palës të paditur, Bashkia Kukës të paguajë paditësit Gëzim Alibali shpërblimin për vjetërsinë në punë.
Tiranë, më 10.03.2016
Nr. 31001-02553-00-2014 i Regj. Themeltar
Nr. 00 - 2016 - 1750 i Vendimit (150)
Do'stlaringiz bilan baham: |