VENDIM NË EMËR TË REPUBLIKËS
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, i përbërë prej:
Ardian Dvorani Kryesues
Evelina Qirjako Anëtare
Arjana Fullani Anëtare
Andi Çeliku Anëtar
Medi Bici Anëtar
në datën 10.03.2016, në dhomë këshillimi, mori në shqyrtim çështjen administrative me nr.01299/2013 që u përket palëve:
PADITËS: ERMIRA DERVISHI
TË PADITUR: ZYRA VENDORE E REGJISTRIMIT TË PASURIVE TË PALUAJTSHME VLORË.
Me pjesëmarrjen e Avokaturës së Shtetit.
OBJEKTI:
Detyrimin e të paditurës Zyra Vendore
e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Vlorë
të pajisë paditësen Ermira Dervishi me çertifikatën e pronësisë
lidhur me pasurinë e regjistruar me vendimin nr.15, datë 05.11.1993
të Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave – Vlorë,
sipas vërtetimit hipotekor nr.905, datë 02.08.1994
të Zyrës Vendore të regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme – Vlorë.
Baza Ligjore: Ligji nr.7843, datë 13.07.1994
“Për Regjistrimin e Pasurive të Paluajtshme”, i ndryshuar, neni 28.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë, me vendimin nr.582, datë 03.03.2009 ka vendosur:
-Rrëzimin e kërkesë padisë të paditëses Ermira Dervishi me objekt: “Detyrimin e Z.V.R.P.P Vlorë të lëshoj asaj certifikatën e pronësisë në lidhje me pasurinë e regjistruar me vendimin nr.15, datë 05.11.1993 të KKK Pronave Vlorë, sipas vërtetimit hipotekor nr.905, datë 02.08.1994 të Z.R.P.P Vlorë”, si e pabazuar në ligj dhe në prova.
-Shpenzimet gjyqësore siç janë bërë.
Gjykata e Apelit Vlorë me vendimin nr.144, datë 10.02.2011 ka vendosur:
-Ndryshimin e vendimit nr.582, datë 03.03.2009 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë dhe duke e gjykuar çështjen në fakt:
-Pranimin e kërkesë-padisë së paditëses Ermira Dervishi.
-Detyrimin e palës së paditur Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Vlorë të pajisë paditësen Ermira Dervishi me çertifikatë pronësie lidhur me pasurinë e përfituar me vendimin nr.15, datë 05.11.1993 të Komisionit të Kthimit dhe të Kompensimit të Pronave Vlorë, të regjistruar sipas vërtetimit hipotekor me nr.905, datë 02.08.1994 të Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Vlorë.
-Shpenzimet gjyqësore i ngarkohen palës së paditur Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Vlorë.
Kundër këtij vendimi, ka paraqitur rekurs pala e paditur Avokatura e Shtetit, Zyra Vendore Vlorë, e cila kërkon ndryshimin e vendimit nr.144, datë 10.02.2011 të Gjykatës së Apelit Vlorë dhe lënien në fuqi të vendimit nr.582, datë 03.03.2009 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, duke rrëzuar padinë e paditësit, duke parashtruar shkaqet e mëposhtme:
-
Vendimi i dhënë nga Gjykata e Apelit është një vendim i pabazuar në ligj dhe në prova.
-
Vendimi i dhënë nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor është ia bazuar në ligj dhe në prova dhe si i tillë, duhet të lihet në fuqi.
-
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë ka patur në konsideratë se paditësja nuk ka kundërshtuar urdhrin e ZVRPP Vlorë për ezaurimin e rrugës administrative të ankimit.
-
Në aspektin material, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë ka marrë në konsideratë pretendimet e palës së paditur ZVRPP Vlorë dhe ZQRPP Tiranë sipas përgjigjes që i ka kthyer paditëses, duke i rekomanduar paditëses ti drejtohet organit përkatës administrativ për pajisjen me hartë.
-
Paditësi nuk legjitimohet të ngrejë një kërkesë padi me objekt të tillë në kuptim të nenit 32 të K.Pr.Civile e për pasojë kërkesë-padia e paraqitur nga Ermira Dervishi duhet rrëzuar si e pambështetur në ligj dhe në prova.
-
Pretendimet e paraqitura nga paditësi nuk përmbanin asnjë argument bindës për të pranuar padinë nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë, sepse nuk gjenin asnjë mbështetje ligjore sipas dispozitave të Ligjit nr.7843, datë 13.07.1994 ‘Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme”, i ndryshuar.
-
Padia e ngritur nga pala paditëse është e pabazuar në prova dhe në ligj.
-
Paditësi nuk provon të ketë asnjë interes të provuar nëpërmjet dokumentave të dorëzuara gjykatës dhe nuk legjitimohen të paraqesin kërkesë padi me një objekt të tillë në kuptim të nenin 32 të K.Pr.Civile e për pasojë duhet rrëzuar.
KOLEGJI ADMINISTRATIV I GJYKATËS SË LARTË
Pasi dëgjoi relacionin përkatës të gjyqtares Evelina Qirjako, verifikoi legjitimitetin e palës rekursuese Avokatura e Shtetit, Zyra Vendore Vlorë, si dhe e diskutoi çështjen në tërësi;
V Ë R E N
1. Nga aktet e administruara në dosjen gjyqësore, rezulton se paditësja Ermira Dervishi, nëpërmjet dëshmisë së trashëgimisë me nr.5508, datë 21.05.1994 të lëshuar nga Noterja Xhoziana Laze, është një ndër trashëgimtaret ligjore të trashëgimlënësit Hasan Nivica.
2. Me vendimin nr.15, datë 05.11.1993 të Komisionit Kthimit dhe Kompensimit të Pronave ish-pronarëve pranë Bashkisë së Qytetit Vlorë, është vendosur: “-Të miratojë të drejtën e njohjes së kthimit të dy banesave të shtetëzuara në lagjen “Centrale” të Vlorës që kanë këto dimensione dhe përkufizime: a) Godinë e parë 23 x 10.5 x 4 = 241 m2, me tetë dhoma, katër korridore si dhe ËC; b) Godina e Dytë 23.8 x 10.9 x 4 = 249 m2, me tetë dhoma, katër korridore me një aneks 5 x 3 x 2.5 = 15 m2 për kuzhinë, si dhe një ËC jashtë me oborr të përbashkët me dimensione 54 x 42 = 2268 m2 dhe me kufizime: Lindje- Ndërmarrja Bujqësore Ullishte; Perëndimi – rruga Vlorë-Centrale; Veriu- rrugica; Jugu – rrugicë...”.
3. Pala paditëse, ka pretenduar se ky vendim i Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave është regjistruar në ZVRPP Vlorë, e cila edhe e ka pajisur me vërtetimin hipotekor nr.905, datë 02.08.1994.
4. Sërish pala paditëse në vitin 2008, i është drejtuar ZVRPP Vlorë për tu pajisur me çertifikatë pronësie. Kjo e fundit, me urdhërin nr.51, datë 07.08.2008 të Regjistruesit të ZVRPP Vlorë, ka vendosur refuzimin e kërkesës së bërë nga znj. Ermira Dervishi për pajisjen me çertifikatë pronësie, duke arsyetuar se: “Kërkesa e paraqitur nga z. Ermira Dervishi e datës 25.02.2008 me nr.2044 për tu pajisur me çertifikatë pronësie për truallin dhe godinat e kthyer me vendimin nr.15, datë 05.11.1993 të Komisionit të Kthimit të Pronave, ku në këtë vendim komisioni vendosi të miratojë të drejtën e njohjes dhe kthimit të të dy banesave në Lagjen “Centrale” të Vlorës, të ndjerit Hasan Nivica me sipërfaqe 241 m2 dhe 249 m2 dhe të një sipërfaqe trualli prej 2268 m2 me kufijtë përkatës, është i pashoqëruar me skicën përkatëse nga Komisioni i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave...”.
5. Në kushtet kur, pala paditëse nuk ka qenë dakord me këtë urdhër-refuzimi, në datën 03.09.2008, i është drejtuar Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë me padinë me objekt të sipërcituar, duke pretenduar se, vendimi i regjistruesit për refuzimin e pajisjes së paditëses me çertifikatë pronësie, për pronën e njohur dhe kthyer me vendimin nr.15, datë 02.08.1994 të KKKP ish-Pronarëve pranë Bashkisë Vlorë, është një akt i cili bie në kundërshtim me dispozitat ligjore të përcaktuara në Ligjin nr.7843, datë 13.07.1994 “Për Regjistrimin e Pasurive të Paluajtshme”, i ndryshuar, pasi kjo pronë rezulton të jetë e regjistruar pranë ZVRPP Vlorë, sipas të dhënave që pasqyron vërtetimi hipotekor nr.905, datë 02.08.1994.
6. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë, me vendimin nr.582, datë 03.03.2009 ka vendosur:
-Rrëzimin e kërkesë padisë të paditëses Ermira Dervishi me objekt: “Detyrimin e Z.V.R.P.P Vlorë të lëshoj asaj certifikatën e pronësisë në lidhje me pasurinë e regjistruar me vendimin nr.15, datë 05.11.1993 të KKK Pronave Vlorë, sipas vërtetimit hipotekor nr.905, datë 02.08.1994 të Z.R.P.P Vlorë”, si e pabazuar në ligj dhe në prova.
-Shpenzimet gjyqësore siç janë bërë.
6/1. Kjo gjykatë ka arsyetuar se: “...Në rastin konkret, pala paditëse megjithëse në diskutimin përfundimtar ajo i referohet Udhëzimit nr.1 të KM, i cili ka dalë në zbatim të Ligjit nr.7843, ku pala paditëse përmend pikën 5 të këtij udhëzimi, në të cilin përmendet ankimi administrativ dhe ai gjyqësor, kur ai nuk ka përfunduar. Pra, është komisioni i kthimit dhe i kompensimit të pronave, kompetent i cili do të plotësojë dokumentacionin përkatës. Në rastin konkret pala paditëse nuk ka ndjekur rrugën administrative, pra pa përfunduar kjo rrugë nuk mund ti drejtohet gjykatës për të realizuar një të drejtë, për të cilën ajo pretendon në padinë e saj...”.
7. Gjykata e Apelit Vlorë me vendimin nr.144, datë 10.02.2011 ka vendosur:
-Ndryshimin e vendimit nr.582, datë 03.03.2009 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë dhe duke e gjykuar çështjen në fakt:
-Pranimin e kërkesë-padisë së paditëses Ermira Dervishi.
-Detyrimin e palës së paditur Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Vlorë të pajisë paditësen Ermira Dervishi me çertifikatë pronësie lidhur me pasurinë e përfituar me vendimin nr.15, datë 05.11.1993 të Komisionit të Kthimit dhe të Kompensimit të Pronave Vlorë, të regjistruar sipas vërtetimit hipotekor me nr.905, datë 02.08.1994 të Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Vlorë.
-Shpenzimet gjyqësore i ngarkohen palës së paditur Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Vlorë.
7/1. Kjo gjykatë ka arsyetuar se: “...Mungesa e hartës përkatëse (plan-vendosja e pronës), e cila nuk shoqëron vendimin nr.15, datë 02.08.1993 të Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave Vlorë, në një kohë kur prona objekt gjykimi është identifikuar dhe saktësuar me kufijtë përkatës në terren, pas azhornimit të bërë prej të paditurës Zyra Vendore e Registrimit të Pasurive të Paluajtshme – Vlorë, nuk mund të bëhet pengesë riregjistrimin e pronës për sa kohë: - nuk ka kontestime në lidhje me burimin e ligjshëm të origjinës së saj; - nuk ka kontestime me plan-vendosjen sot në terren; - nuk ka kontestime nga subjekte të ndryshme që mund t’u cënohet e drejta e pronësisë së tyre nëpërmjet mbivendosjes; - nuk ka shkaqe të tjera ligjore (kufitarë etj). Është e vërtetë se neni 38 i Ligjit nr.7843, datë 13.07.1994 “Për regjistrimin e pasurisë së paluajtshme” (ligji i kohës), i ndryshuar si dhe Udhëzimi nr.1, datë 31.01.2007 i Këshillit të Ministrave orientojnë subjektet të drejtohen pranë organeve kompetente për pajisjen me hartën përkatëse, por ky kërkim nuk mund të përdoret për mohimin e së drejtës që paditëses Ermira Dervishi i përket, lidhur me riregjistrimin e pronës, përsa kohë nga ana e të paditurës Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme – Vlorë nuk janë vërejtur veprime të paligjshme lidhur me pasqyrimin e pronës. Gjithashtu, plotësimi i dokumentacionit në këtë hartë (skicë) mund të ribëhet pas verifikimit në terren të saj, pasi edhe organi përkatës që ka dhënë vendimin nr.15, datë 05.11.1993 të Komisionit të Kthimit dhe të Kompensimit të Pronave – Vlorë, sot nuk ekziston....”.
8. Kundër këtij vendimi, ka paraqitur rekurs pala e paditur Avokatura e Shtetit, Zyra Vendore Vlorë, e cila kërkon ndryshimin e vendimit nr.144, datë 10.02.2011 të Gjykatës së Apelit Vlorë dhe lënien në fuqi të vendimit nr.582, datë 03.03.2009 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, si dhe rrëzimin e padisë, duke parashtruar ato shkaqe që pasqyrohen në pjesën hyrëse të këtij vendimi.
KOLEGJI ADMINISTRATIV I GJYKATËS SË LARTË VLERËSON:
9. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, vlerëson se rekursi i paraqitur nga Avokatura e Shtetit, Zyra Vendore Vlorë, përmban shkaqe ligjore nga ato të parashikuara në nenin 58 të Ligjit nr.49/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”, të cilat i bëjnë të cënueshme vendimet e gjykatave më të ulëta.
10. Ky Kolegj, vlerëson se, si vendimi nr.144, datë 10.02.2011 i Gjykatës së Apelit Vlorë dhe vendimi nr.582, datë 03.03.2009 i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, janë marrë në zbatim të gabuar të ligjës proceduriale dhe si të tillë, ato duhet të prishen dhe çështja duhet të kthehet për rigjykim në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Vlorë.
11. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, para shqyrtimit të pretendimeve të rekursuesit, që kanë lidhje me themelin e çështjes objekt gjykimi, vlerëson se duhet të shqyrtojë shkeljet proceduriale që kanë lejuar dy gjykatat më të ulëta, të cilat janë investuar në shqyrtimin e kësaj çështje. Ky Kolegj, vlerëson të theksojë se, Gjykata e Lartë, si gjykatë ligji ka të drejtë të shqyrtojë si zbatimin e ligjit material, ashtu dhe zbatimin e ligjit procedurial nga gjykatat më të ulëta, referuar kjo në nenin 58 të Ligjit 49/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”. Por ndërkohë, ky Kolegj, thekson se ekzistenca e gabimeve në procedim dhe e shkeljeve proceduriale, pengon gjykatën që të shqyrtojë gabimet në zbatimin e ligjit material, (në rast se ka të tilla) ose të gjykojë themelin e çështjes.
12. Tashmë është praktikë e konsoliduar që gabimet e rënda në procedim dhe në mënyrë të veçantë, ato të parashikuara në nenin 467 të K.Pr.Civile, (të cilat konsiderohen dhe si shkelje të rënda të ligjës proceduriale), shqyrtohen paraprakisht nga ana e Gjykatës së Lartë, para se kjo e fundit të shqyrtojë themelin e çështjes. Në varësi të shkeljeve proceduriale të lejuara nga gjykatat më të ulëta, Gjykata e Lartë, në respektim të nenit 63/d të Ligjit 49/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”, ka të drejtë të vendosë prishjen e vendimeve të gjykatave më të ulëta dhe dërgimin e çështjes për rishqyrtim, në gjykatën kompetente.
13. Në gjykimin e kësaj çështje, Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, konstaton se, të dyja gjykatat më të ulëta kanë lejuar shkelje të rënda proceduriale në gjykimin e kësaj çështje. Rezulton nga procesverbali gjyqësor, fletëthirjet, si dhe provat e administruara në dosjen gjyqësore se, nga ana e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë nuk janë respektuar parashikimet e nenit 79/a të K.Pr.Civile, në të cilën parashikohet shprehimisht se: “Avokatura e Shtetit ushtron përfaqësimin në rastet e parashikuara me ligj. Gjykata që shqyrton çështje për të cilat me ligj përfaqësimi dhe mbrojtja kryhet nga Avokatura e Shtetit, urdhëron njoftimin e akteve kësaj të fundit, me qëllim që ajo të ketë mundësi të marrë pjesë në gjykim”, si dhe dispozitave të Ligjit nr.10018, datë 13.11.2008 “Për avokaturën e shtetit”, neni 2 i tij, në të cilën thuhet se: “1. Avokatura e Shtetit është person juridik publik, në varësi të Ministrit të Drejtësisë, me seli në Tiranë. 2. Avokatura e Shtetit është institucion qendror i administratës publike, i ngarkuar ekskluzivisht për dhënien e asistencës juridike për institucionet shtetërore dhe entet publike. Asistenca juridike përfshin shërbimin këshillimor dhe të përfaqësimit. Për institucionet dhe për çështjet juridike të përcaktuara në nenin 5 të këtij ligji, asistenca juridike e Avokaturës së Shtetit është e detyrueshme. Në Avokaturën e Shtetit, funksioni i këshillimit juridik kryhet ekskluzivisht nga avokatët e shtetit. 3. Avokatura e Shtetit organizohet dhe e ushtron veprimtarinë sipas përcaktimeve të këtij ligji. 4. Buxheti i Avokaturës së Shtetit është zë i veçantë në buxhetin e Ministrisë së Drejtësisë”.
14. Në analizë të dispozitave të mësipërme, në kuadrin e zhvillimit të një procesi të rregullt ligjor, ishte detyrim i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë të njoftonte Avokaturën e Shtetit dhe t’i krijonte asaj mundësinë për të marrë pjesë në gjykim, me qëllim ushtrimin e funksioneve të saj për mbrojtjen e interesave të shtetit. Ky fakt, vlerësohet si i domosdoshëm për sa kohë, (i) palë në këtë mosmarrëveshje është Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme; (ii) objekti i konfliktit në këtë gjykim është një pronë “tokë truall”, origjina e së cilës pretendohet se ka qënë pronë shtetërore; (iii) si dhe në kushtet kur ligji procedurial, urdhëron kryerjen e një veprimi të tillë nga gjykata.
15. Këtë qëndrim kanë mbajtur edhe Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë në vendimin e tyre unifikues nr.13/2004, ku shprehimisht thuhet: “Thirrja e palëve nuk duhet kuptuar si e drejtë e pakushtëzuar për gjykatën dhe aq më pak, si e drejtë, bazueshmëria në ligj e së cilës, të mund të konsiderohet e pakontrollueshme dhe e pa verifikueshme në shkallët pasardhëse të gjykimit. Përderisa ligjvënësi ka parashikuar edhe mundesinë e thirrjes dhe pjesëmarrjes së palëve në këtë lloj gjykimi, Kolegjet e Bashkuara çmojnë se, gjykatës i del për detyrë që në çdo rast gjykimi të padive me objekt kundërshtimin e veprimeve të përmbaruesit gjyqësor, të mbaje parasysh edhe faktin nëse është ose jo e nevojshme, rast pas rasti, thirrja e palëve në gjykim dhe kur ajo çmon se ekzistojne shkaqe dhe rrethana që e bëjnë të nevojshme thirrjen e tyre, sikurse në rastin objekt gjykimi, urdhëron thirrjen e tyre. Në kuptim të nenit 79/a të K.Pr.Civile, gjykata kur shqyrton çështje për të cilat përfaqësimi dhe mbrojtja kryhet nga Avokatura e Shtetit, gjykata është e detyruar që të urdhërojë njoftimin e akteve kësaj të fundit. Vetëm kështu mund t’i krijohet mundësia reale Avokaturës së Shtetit që të marrë pjesë në gjyq, me qëllim përfaqësimi dhe mbrojtjeje të interesave të shtetit, në rastet e parashikuara nga ligji”.
16. Ndërsa, Gjykata Kushtetuese ka mbajtur qëndrimin që, jo çdo shkelje e rregullave procedurale e bën procesin të parregullt në aspektin e shkeljes së të drejtave kushtetuese. Ndikim të drejtpërdrejtë në një proces ligjor kanë ato shkelje thelbësore, vërtetimi i të cilave do të cënonte të drejtat dhe liritë themelore të individit (vendimi nr.21/2008 i Gjykatës Kushtetuese). Në këtë kuptim, si dhe referuar dispozitave të sipërcituara, Avokatura e Shtetit duhet të gëzojë të njëjtat të drejta dhe garanci që garantohen nga parimi i procesit të rregullt ligjor, si çdo palë tjetër në një proces të tillë. Shkelja nga ana e gjykatave të rregullave proceduriale për thirrjen e saj në procesin gjyqësor dhe mosdhënia e mundësisë Avokaturës së Shtetit për të siguruar mbrojtjen e interesit publik në këtë proces, konsiderohet nga Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, si cënim i parimit kushtetues të procesit të rregullt ligjor.
17. Gjykata e Apelit Vlorë, ndonëse i ka pasur të gjitha mundësitë ligjore që të konstatonte shkeljet proceduriale të lejuara nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë dhe të vendoste në lidhje me to sipas parashikimeve ligjore, nuk e ka bërë një gjë të tillë, duke anashkaluar faktin se, nga ana e gjykatës së shkallës së parë është zhvilluar një proces jo i rregullt ligjor.
18. Fakti që nga ana e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, nuk është kryer asnjë njoftim për Avokaturën e Shtetit, Zyra Vendore Vlorë (gjë e cila provohet qartësisht nga aktet e administruara në dosje), nuk lejonte Gjykatën e Apelit Vlorë të shqyrtonte në themel çështjen, pa u konstatuar dhe korrigjuar këto shkelje proceduriale. Mosmarrja pjesë e Avokaturës së Shtetit në një shkallë gjykimi, në kushtet kur ligji kërkon në mënyrë të domosdoshme pjesëmarrjen e saj, bën që ky gjykim në këtë shkallë të jetë i parregullt dhe në kundërshtim të plote me ligjin material dhe procedurial që rregullon këtë mosmarrëveshje. Pjesëmarrja e Avokaturës së Shtetit në gjykatën e apelit, nuk mund të rregullojë shkeljet e rënda proceduriale të lejuara nga Gjykata e Shkallës së Parë, pasi mungon pjesëmarrja e një pale të rëndësishme në një shkallë gjykimi. Shkeljet e rënda proceduriale, nuk rregullohen nga gjykata më e lartë duke mos i marrë në shqyrtim dhe duke u gjykuar themeli i çëshjes, por ato riparohen vetëm në mënyrën si ligji i parashikon (neni 467/ç të K.Pr.Civile), duke u prishur vendimi i shkallës së parë dhe duke u dërguar çështja për rigjykim pranë kësaj gjykate, me një tjetër trup gjykues. Në këto kushte, vendimi i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë dhe vendimi i Gjykatës së Apelit Vlorë, duhet të prishen dhe çështja të dërgohet për t’u rishqyrtuar në Gjykatën Administrative të Shkallës së parë Vlorë.
19. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë vlerëson të theksojë për gjykatën më të ulët administrative që, pavarësisht se Gjykata e Lartë nuk shqyrtoi në këtë proces, zbatimin e ligjit material nga ana e gjykatave më të ulëta, thirrja në këtë gjykim e Avokaturës së Shtetit do të sjellë një hetim të plotë dhe të gjithanshëm të çështjes, si dhe një zgjidhje të drejtë dhe të bazuar në ligj të konfliktit gjyqësor.
20. Përfundimisht, Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, çmon se, në kushtet kur vendimi i Gjykatës së Apelit Vlorë dhe vendimi i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë janë marrë në kundërshtim me rregullat proceduriale, këto vendime duhet të prishen dhe në zbatim të Ligjit nr.49/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative” dhe Dekretit nr.7818, datë 16.11.2012 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, çështja duhet të dërgohet për rigjykim pranë Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Vlorë.
21. Në rigjykim, Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Vlorë, do t’u bëjë të qartë palëve që është detyrë e secilës prej tyre që, në përputhje me ligjin, të provojnë faktet mbi të cilat bazojnë pretendimet për të drejtat që kërkojnë. Palët, ashtu siç kanë të drejta kanë dhe detyrime që rrjedhin prej këtij procesi, në format dhe afatet e parashikuara me ligj. Gjykata duhet t’i lejojë palët që të paraqesin prova shkresore, me anën e të cilave ato të provojnë pretendimet e tyre bazuar në nenin 12 dhe 19 të K.Pr.Civile; duhet t’i lejojë palët që t’ia nënshtrojnë këto prova hetimit e debatit gjyqësor, si dhe të kërkojë nëse nevojitet zyrtarisht nga organet kompetente (neni 224 K.Pr.Civile), paraqitjen e provave dhe të dhënave të cilat ndihmojnë në zgjidhjen e drejtë dhe përfundimtare të çështjes. Kryerja e veprimeve të përmendura më sipër, si dhe e të tjerave që eventualisht mund të lindin gjatë rigjykimit, do të lejojnë gjykatën të arrijë në përfundime të drejta dhe objektive lidhur me zgjidhjen e çështjes.
PËR KËTO ARSYE
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë mbështetur në nenin 63 të Ligjit 49/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”,
V E N D O SI
Prishjen e vendimit me nr.144, datë 10.02.2011 të Gjykatës së Apelit Vlorë dhe të vendimit nr.582, datë 03.03.2009 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, dhe dërgimin e çështjes për rigjykim në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Vlorë.
Tiranë, më 10.03.2016
Nr. 11241-02483-00-2013 i Regj. Themeltar
Nr. 00-2016-1631 i Vendimit (149)
Do'stlaringiz bilan baham: |