VENDIM
NË EMËR TË REPUBLIKËS
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, i përbërë nga:
Ardian Dvorani Kryesues
Arjana Fullani Anëtare
Andi Çeliku Anëtar
Tom Ndreca Anëtar
Medi Bici Anëtar
në datën 08.03.2016 mori në shqyrtim në seancë gjyqësore çështjen administrative që iu përket palëve:
PADITËS: MINISTRIA E ZHVILLIMIT, TURIZMIT, TREGTISË DHE SIPËRMARRJES (ISH MINISTRIA E EKONOMISË, TREGTISË DHE ENERGJITIKËS) (Në mungesë).
I PADITUR: ZYRA VENDORE E REGJISTRIMIT TË PASURIVE TË PALUAJTSHME TIRANË (Në mungesë).
PERSON I TRETË: ZYRA QENDRORE E REGJISTRIMIT TË PASURIVE TË PALUAJTSHME TIRANË (Në mungesë).
SHOQËRIA “SUPERBETON” SH.P.K (Në mungesë).
OBJEKTI:
Konstatimin e pavlefshmërisë absolute të regjistrimit të pasurisë
me Hipotekë nr.3000, datë 09.07.1997, në emër të Shoqërisë “Superbeton” Sh.p.k.
Ndreqjen e pasojave juridike për shkak të pavlefshmërisë,
duke fshirë shënimet e bëra në regjistrat dhe kartelat e pasurive të mësipërme.
Baza Ligjore: Neni 18 e vijues të K.Pr.Administrative,
nenet 324-333 K.Pr.Civile
dhe ligji nr.7843, datë 13.07.1994
“Për Regjistrimin e Pasurive të Paluajtshme”, i ndryshuar.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë me vendimin nr.4552, datë 07.05.2012 ka vendosur:
Rrëzimin e kërkesëpadisë së ngritur nga paditësi METE, me të paditur ZVRPP Tiranë, person i tretë ZQRPP Tiranë, Shoqëria “Superbeton” Sh.p.k, me objekt: Konstatimin e pavlefshmërisë absolute të regjistrimit të pasurisë me Hipotekë nr.3000, datë 09.07.1997 në emër të Shoqërisë “Superbeton” Sh.p.k. Ndreqjen e pasojave juridike për shkak të pavlefshmërisë, duke fshirë shënimet e bëra në regjistrat dhe kartelat e pasurive të mësipërme, si një padi e pambështetur në ligj dhe në prova.
Gjykata e Apelit Tiranë me vendimin nr.768, datë 27.03.2013 ka vendosur:
Lënien në fuqi të vendimit nr.4552, datë 07.05.2012 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Ndaj vendimit të sipërcituar rezulton të ketë paraqitur rekurs pala paditëse Ministria e Zhvillimit, Turizmit, Tregëtisë dhe Sipërmarrjes (ish-METE), e cila kërkon:
Ndryshimin e vendimit nr.4552, datë 07.05.2012 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe vendimit nr.768, datë 27.03.2013 të Gjykatës së Apelit Tiranë dhe pranimin e kërkesëpadisë.
Shkaqet që pala paditëse Ministria e Zhvillimit, Turizmit, Tregëtisë dhe Sipërmarrjes (ish-METE), paraqet në rekurs, janë:
-
Vendimi i gjykatës është i pabazuar në ligj e në prova. Nga personi i tretë, Shoqëria “Superbeton” Sh.p.k Tiranë është kryer në mënyrë të jashtëligjshme regjistrimi i pasurisë truall me sipërfaqe 101.284 m2 në pronësi të saj, në një kohë që nga ana e shtetit shqiptar si pjesë e kapitalit është vendosur vetëm vlera e qirasë së truallit.
-
Ky regjistrim është bërë në kundërshtim me ligjin dhe si i tillë është absolutisht i pavlefshëm. Në këto kushte kemi kërkuar fshirjen e këtij regjistrimi.
-
ZQRPP ka sugjeruar që palët për zgjidhjen e pretendimeve të tyre me objekt fshirjen dhe çregjistrimin e pronësisë ti drejtohen gjykatës, pasi nuk hyn në kompetencën e saj dhe të ZVRPP fshirja e regjistrimeve të kryera në kundërshtim me ligjin apo të atyre që krijojnë mbivendosje.
KOLEGJI ADMINISTRATIV I GJYKATËS SË LARTË
pasi dëgjoi relacionin e gjyqtarit Medi Bici dhe bisedoi çështjen në tërësi, në mungesë të palëve ndërgjyqëse, në përfundim;
V Ë R E N
1. Në Gjykatën e Lartë është regjistruar çështja administrative nr.31003-02259-00-2013 regj. them., që u përket palëve: paditëse Ministria e Ekonomisë Tregtisë dhe Energjitikës, e paditur Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë dhe persona të tretë: Zyra Qëndrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme e Shoqëria “Superbeton” Sh.p.k, me objekt: Konstatimin e pavlefshmërisë absolute të regjistrimit të pasurisë me Hipotekë nr.3000, datë 09.07.1997, në emër të Shoqërisë “Superbeton” Sh.p.k. Ndreqjen e pasojave juridike për shkak të pavlefshmërisë, duke fshirë shënimet e bëra në regjistrat dhe kartelat e pasurive të mësipërme.
2. Vendimi nr.768, datë 27.03.2013 i Gjykatës së Apelit Tiranë është rrjedhojë i zbatimit të drejtë të ligjit procedurial dhe material, prandaj si i tillë ai duhet të lihet në fuqi nga Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë.
I. Rrethanat e çështjes:
3. Personi i tretë Shoqëria “Superbeton” Shpk, është shoqëri e përbashkët me përgjegjësi të kufizuar e krijuar me vendimin nr.6215, datë 28.09.1993 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, me kapital të nënshkruar prej 121.634.000 lekë, i cili zotërohet respektivisht 30% nga shteti shqiptar i përfaqësuar nga METE (sot MZHTTS), i cili kontribuon me ish-ndërmarrjen e prodhimit të betonit parafabrikat dhe 70% nga Shoqëria “Euroteorema” Spa Torino Itali.
4. Në pronësi të personit të tretë Shoqërisë “Superbeton” Sh.p.k, sipas vërtetimit të pronësisë datë 09.07.1997, të lëshuar nga Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë, është regjistruar edhe sipërfaqja e truallit prej 101.284 m2.
5. Sipas këtij akti, theksohet se në regjistrin hipotekor nr.3000, datë 09.07.1997, në pronësi të Shoqërisë “Superbeton” Shpk, figuron e regjistruar toka dhe ndërtimet e ish-ndërmarrjes së prodhimit parafabrikate me sip. 101.284 m2 e ndarë në dy sektorë.
6. Lidhur me këtë regjistrim të sipërfaqes së truallit prej 101.284 m2, me nr.pasurie 1/1 dhe nr.Hipoteke 3000, datë 09.07.1997 që ndodhet në zonën kadastrale nr.8120, volumi 18, faqja 195, pala paditëse Ministria e Zhvillimit, Turizmit, Tregëtisë dhe Sipërmarrjes (ish-METE) në mbrojtje të interesave të saj pasurore i ka kërkuar palës së paditur Zyrës Vendore të Rregjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë që sipërfaqja e truallit prej 101.284 m2, të regjistrohet truall shtetëror, duke pretenduar se ky regjistrim është bërë në kundërshtim me ligjin dhe për rrjedhojë është absolutisht i pavlefshëm duke i treguar palës së paditur se sipërfaqja e truallit prej 101.284 m2, nuk përfshihet në kapital të shoqërisë.
7. Sipas palës së paditur Zyrës së Rregjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë regjistrimi i sipërfaqes së mësipërme në pronësi të personit të tretë Shoqërisë “Superbeton” Shpk është bërë sipas rregullave ligjore.
8. Po kështu pala paditëse i është drejtuar personit të tretë ZQRPP për fshirje të regjistrimit të mësipërm me pretendimin se ai është bërë në kundërshtim me ligjin dhe si i tillë është absolutisht i pavlefshëm. Personi i tretë Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme me shkresën nr.3152/1 prot, datë 15.07.2011 i ka kthyer përgjigje palës paditëse se, në zbatim të vendimit nr.17, datë 23.04.2010 të Gjykatës Kushtetuese, fshirja e regjistrimeve të kryera në kundërshtim me ligjin nuk hyn në kompetencë të Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe as në kompetencë të Zyrës Qendrore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, duke rekomanduar që zgjidhja e konfliktit të bëhet në rrugë gjyqësore. Në këto kushte, duke mos qenë dakort me sa sipër, pala paditëse Ministria e Zhvillimit, Turizmit, Tregëtisë dhe Sipërmarrjes (ish-METE) i është drejtuar Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë me kërkesëpadinë objekt gjykimi.
II. Vendimet e gjykatave dhe arsyetimi i tyre:
9. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendimin nr.4552, datë 07.05.2012 ka vendosur:
Rrëzimin e kërkesëpadisë së ngritur nga paditësi METE, me të paditur Z.V.R.P.P Tiranë, person i tretë Z.Q.R.P.P Tiranë e Shoqëria “Superbeton” Sh.p.k. me objekt: Konstatimin e pavlefshmërisë absolute të regjistrimit të pasurisë me Hipotekë nr.3000, datë 09.07.1997 në emër të Shoqërisë “Superbeton” Sh.p.k. Ndreqjen e pasojave juridike për shkak të pavlefshmërisë, duke fshirë shënimet e bëra në regjistrat dhe kartelat e pasurive të mësipërme, si një padi e pambështetur në ligj dhe në prova.
10. Gjykata e rrethit gjyqësor ndër të tjera arsyeton:
.... Sa sipër, gjykata konkludon se kërkesëpadia e ngritur nga paditësi METE është e pambështetur në ligj e prova. Shkaqet që gjykata arrin në këtë konkluzion janë si më poshtë:
Përsa i përket themelit të kësaj çështje, referuar në nenin 16 të K.Pr.Civile është parashikuar se gjykata e zgjidh mosmarrëveshjen në përputhje me dispozitat ligjore dhe normat e tjera në fuqi që janë të detyrueshme të zbatohen prej saj. Konkretisht ligji i aplikueshëm për zgjidhjen e kësaj mosmarrëveshjeje është ligji nr.7843, datë 13.07.1994 “Për Rregjistrimin e Pasurive të Paluajtshme”, i ndryshuar, neni 193/h i K.Civil, nenet 18 e vijues të K.Pr.Administrative, etj.
Në lidhje me pretendimin e palës paditëse se trualli nuk është përfshirë në kapitalin e shoqërisë, por ai është dhënë me qira në bazë të pikës “3” të VKM-së nr.305, datë 20.07.1992 e për pasojë regjistrimi i pasurisë së Shoqërisë “Superbeton” Shpk është i pavlefshëm, si dhe se subjektet e huaja nuk mund të kishin truall në pronësi, por vetëm me qira në bazë të ligjit nr.7512, datë 10.08.1991, gjykata i gjen të pabazuara në ligj dhe në prova. Konkretisht, toka (trualli) i ish “Ndërmarrjes Prodhimit Beton e Parafabrikate” është shlyer si kontribut në natyrë nga ana e ortakut shtetëror në Shoqërinë e Përbashkët “Superbeton Sh.p.k. në bazë të neneve 40 e 42 të ligjit nr.7638, datë 19.11.1992 “Për shoqëritë tregtare” dhe vlerësimi është bërë në bazë të dispozitave të VKM nr.305, datë 20.07.1992, pika “6” e të cilit përcakton qartë se: Vlefta e tokës që zënë ndërtimet ekzistuese apo ato që do të ndërtohen të reja në ndërmarrjet e përbashkëta me persona juridik të huaj të përfshihet në vleftën e kapitalit të palës shqiptare. Kjo vleftë të llogaritet në bazë të nivelit vjetor të qirasë së tokës (truallit) për vendasit, shumëzuar me koeficientin 2(dy).
Që nga ky moment pronare mbi të gjithë pasurinë që përbën kapitalin shoqëror është shoqëria, ndërsa ortaku shtetëror dhe ortaku i huaj “Euroteorema” S.r.l. zotërojnë pjesë të kapitalit (kuotat) sipas përqindjeve përkatëse.
Mbi këtë bazë dhe në zbatim të germës “d” të nenit 193 të K.Civil, Shoqëria “Superbeton” Shpk ka regjistruar në ZVRPP Tiranë kapitalin e saj të përbërë nga pasuri të paluajtshme.....Ky moment është shqyrtuar dhe është bërë konflikt gjyqësor midis ish pronarëve (Hysni Fagu, etj.) dhe Shoqërisë “Superbeton” Shpk ku persona të tretë kanë qenë edhe Bashkia e Tiranë dhe Ministria e Ekonomisë dhe Privatizimi t(pra pala paditëse në gjykimin që po zhvillohet sot).
Konkretisht, Gjykata e Lartë me vendimin nr.1016, datë 04.10.2001 ka vendosur të rrëzojë pretendimet e mësipërme, duke u shprehur se: Gjykata e rrethit ka vendosur drejtë dhe ka konkluduar se pretendimi i paditësave se ka një kontratë qiraje të lidhur me palën e paditur është i pabazuar në prova e në ligj, pasi trualli i ish Ndërmarrjes Shtetërore të Prodhim Beton Parafabrikat është shlyer si kontribut në natyrë nga ana e ortakut shtetëror në shoqërinë e përbashkët në bazë të ligjit “Për Shoqëritë Tregtare.” Në këto kushte, sa sipër duke qenë se pala paditëse ka qenë palë në gjykimin e zhvilluar deri në Gjykatë të Lartë dhe është e mirë informuar përsa sipër, referuar nenit 451/a të K.Pr.Civile i cili sanksionon se: Vendimi që ka marrë formë të prerë është i detyrueshëm për palët, për trashëgimtarët e tyre, për personat që heqin të drejtat nga palët, për gjykatën që ka dhënë vendimin dhe për të gjitha gjykatat dhe institucionet e tjera. Vendimi që ka marrë formë të prerë ka fuqi vetëm për çka është vendosur midis apo atyre palëve, për të njëjtin objekt dhe për të njëjtin shkak. Një konflikt që është zgjidhur me vendim të formë të prerë nuk mund të gjykohet përsëri, përveçse kur ligji parashikon ndryshe, ky vendim (vendimi nr.1016, datë 04.10.2001 i Gjykatës së Lartë Tiranë) është i detyrueshëm jo vetëm për gjykatën, e cila po gjykon këtë mosmarrëveshje, por dhe për palët sipas këtij vendimi, pra dhe për vetë palën paditëse, çka do të thotë se kjo e fundit nuk legjitimohet të ngrejë padi. Sipas nenit 32/a të K.Pr.Civile momenti i ngritjes së padisë ka të bëjë me rivendosjen e një të drejte apo interesi të ligjshëm që është shkelur. Në rastin konkret palës paditëse nuk i është shkelur ndonjë e drejtë apo ti jetë prekur ndonjë interes i ligjshëm.
Dhe sikur për një çast të provohej legjitimiteti aktiv i palës paditëse, në lidhje me pretendimin e tij se jemi përpara pavlefshmërisë absolute të regjistrimit, gjykata konkludon se dhe ky pretendim është i pambështetur në ligj. Konkretisht, neni 116 i Kodit të Procedurave Administrative parashikon se aktet administrative do të quhen absolutisht të pavlefshme, në kuptimin e këtij Kodi, në rastet e mëposhtme:
-
kur akti është nxjerrë nga një organ administrativ i paidentifikuar;
-
kur akti është nxjerrë nga një organ administrativ në kapërcim të kompetencave të tij ligjore;
-
kur akti është nxjerrë në kundërshtim me formën dhe procedurën e kërkuar nga ligji.
Asnjë prej rasteve të mësipërme nuk gjen zbatim në rastin e regjistrimit, i cili është nxjerrë nga një organ i identifikuar dhe i pajisur nga ligji me tagrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme (ZVRPP). Regjistrimi është kryer në përputhje të plotë me kompetencat ligjore të ZVRPP, po kështu akti është nxjerrë në përputhje të plotë me formën dhe procedurën e kërkuar nga ligji nr.7843 i ndryshuar “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme, çka do të thotë se pretendimi i paditësit është i pambështetur jo vetëm në prova, por edhe në ligj. Në lidhje me pretendimin e paditësit se subjektet e huaja nuk mund të kishin truall në pronësi, por vetëm me qira në bazë të ligjit nr.7512, datë 10.08.1991, sepse subjekteve të huaja u ndalohej të kishin truallin në pronësi dhe ky pretendim është i pambështetur, pasi gjatë shqyrtimit gjyqësor u provua fakti se Shoqëria “Superbeton” Shpk është një subjekt shqiptar, person juridik i regjistruar me vendimin e Gjykatës së Rrethit Tiranë nr.6995, datë 28.09.1993, në bazë të ligjit nr.7638, datë 19.11.1992 “Për Shoqëritë Tregtare”.....
11. Gjykata e Apelit Tiranë, me të njëjtin arsyetim me vendimin nr.768, datë 27.03.2013 ka vendosur:
Lënien në fuqi të vendimit nr.4552, datë 07.05.2012 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.
III. Ligji i zbatueshëm:
12. Në nenin 116 të Kodit Procedurave Administrative është parashikuar se:
Aktet administrative do të quhen absolutisht të pavlefshme, në kuptimin e këtij Kodi, në rastet e mëposhtme:
-
kur akti është nxjerrë nga një organ administrativ i paidentifikuar;
-
kur akti është nxjerrë nga një organ administrativ në kapërcim të kompetencave të tij ligjore;
-
kur akti është nxjerrë në kundërshtim me formën dhe procedurën e kërkuar nga ligji.
13. Neni 193 i Kodit Civil parashikon se:
Duhet të regjistrohen në regjistrin e pasurive të paluajtshme:
a) kontratat për kalimin e pronësisë së sendeve të paluajtshme dhe aktet për pjesëtimin vullnetar të tyre;
b) kontratat me të cilat krijohen, njihen, ndryshohen ose pushojnë të drejta pronësie mbi sendet e paluajtshme, të drejta uzufrukti, përdorimi e bujtjeje, emfiteoze e servituti e të drejta të tjera reale;
c) aktet me të cilat hiqet dorë nga të drejta pasurore të mësipërme;
ç) vendimet e gjykatave me të cilat njihet cilësia e trashëgimtarit dhe fitohet pasuria e trashëguar;
d) aktet me të cilat krijohet një shoqëri ose një subjekt tjetër i së drejtës që ka në pronësi pasuri të paluajtshme ose gëzon të drejta të tjera reale mbi to;
dh) vendimet e gjykatave ose organeve kompetente shtetërore që përkatësisht përmbajnë fitimin ose njohjen e pronësisë mbi pasuritë e paluajtshme, pjesëtimin e pasurive të paluajtshme ose që deklarojnë të pavlefshme veprimet juridike për kalimin e pronësisë të regjistruar më parë rregullisht, si dhe aktet e përmbarimit gjyqësor për sekuestrimin e pasurisë së paluajtshme ose shitjen në ankand të tyre. Vërtetimi gjyqësor i faktit të pronësisë nuk regjistrohet.
14. Neni 24 i ligjit nr.7843, datë 13.07.1994 “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme”, parashikon se:
Mënyra e regjistrimit fillestar:
a) Pronësia dhe kufijtë e pasurive të paluajtshme përcaktohen nga aktet e fitimit të pronësisë, sipas nenit 193 të Kodit Civil.
b) Individët, familjet dhe personat juridikë, privatë apo shtetëror, që zotërojnë dokumente pronësie, sipas shkronjës “a”, por nuk kanë të përcaktuar në to sipërfaqen e pasurisë së paluajtshme, kanë të drejtë t’i paraqesin regjistruesit një kërkesë për regjistrim pronësie, e cila duhet të shoqërohet me dokumentin e pronësisë, me një planvendosje apo genplanin e pasurisë, deklaratën noteriale të pronarëve fqinjë, që vërtetojnë përmbajtjen e kërkesës për pronësinë dhe kufijtë e pasurisë që pretendohet, si dhe kopje të vërtetuara nga noteri të dokumenteve të ndryshme, që mbështesin kërkesën për regjistrim.
Regjistruesi, brenda 30 ditëve nga paraqitja e kërkesës, duhet t’i kthejë përgjigje kërkuesit pas pagesës së shpenzimeve, të cilat parapaguhen nga kërkuesi.
Kundër vendimit të regjistruesit ose në mungesë të përgjigjes, me kalimin e këtij afati, kërkuesi mund të ankohet në gjykatë. Në procesin gjyqësor gjykata thërret të gjithë pronarët, pronat e të cilëve janë ngjitur njëra-tjetrës e të cilët kanë interes të ligjshëm në gjykim.
c) Për kalimin në pronësi të sipërfaqes, kur në dokumentin e pronësisë është bërë shënimi “oborr në përdorim”, kërkuesit duhet t'u drejtohen organeve të kthimit dhe kompensimit të pronave. Për rastet, të cilat nuk janë subjekt i ligjit për kthimin dhe kompensimin e pronave, kërkuesit i drejtohen institucionit të autorizuar nga Këshilli i Ministrave. Procedura e kalimit të kësaj sipërfaqeje në pronësi, në këto raste, përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave.
15. Neni 38 i ligjit nr.7843, datë 13.07.1994 “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme”, parashikon se:
Regjistrimi i fitimit tё pronёsisё me anё tё ligjit, vendimit gjyqёsor apo aktit administrativ.
Nё rastet kur shteti, personi, fizik ose juridik, ka fituar tё drejtёn e pronёsisё mbi njё pasuri tё paluajtshme me anё tё ligjit, vendimit gjyqёsor tё formёs sё prerё pёr fitimin ose kalimin e sё drejtёs sё pronёsisё apo tё aktit tё njё organi administrativ, regjistruesi, mbёshtetur nё kёto akte tё paraqitura nga personi i interesuar, bёn regjistrimin, duke shёnuar pronar shtetin, personin, fizik ose juridik, tё cilit i ka kaluar e drejta e pronёsisё.
Regjistrimi i fitimit tё pronёsisё, sipas kёtij neni, bёhet nga zyra e regjistrimit tё pasurive tё paluajtshme pas plotёsimit tё kushteve tё regjistrimit, tё pёrcaktuara nё shkronjёn “h” dhe nё paragrafin e fundit tё nenit 193 tё Kodit Civil.
Nёse nuk plotёsohen kushtet e sipёrpёrmendura, regjistruesi propozon refuzimin e kёrkesёs pёr regjistrim dhe dosja e plotё e praktikёs, sё bashku me urdhërin e refuzimit, i kalojnё pёr kompetencё Kryeregjistruesit.
Kryeregjistruesi, brenda 30 ditёve, me urdhёr tё arsyetuar, duhet tё vendosё miratimin ose jo tё propozimit. Kundёr urdhërit tё Kryeregjistruesit pёr refuzimin e regjistrimit mund tё bёhet ankim nё rrugё gjyqёsore.
Elementet e vendimit, qё verifikohen nga zyra e regjistrimit tё pasurive tё paluajtshme dhe procedura e nxjerrjes sё urdhrit pёrcaktohen me udhёzim tё Kёshillit tё Ministrave.
16. Në nenin 13 të ligjit nr.7512, datë 10.08.1991 “Për sanksionimin dhe mbrojtjen e pronës private të nismës së lirë, të veprimtarive private të pavarur dhe privatizimit”, parashikohet:
Ndërmarrjet e përbashkëta që krijohen ndërmjet ndërmarrjeve ose njësive shtetërore me subjekte private të huaja, me subjekte private vendase ose vendase e të huaja, e ushtrojnë veprimtarinë e tyre në bazë të kontratës e të statutit të miratuar prej tyre dhe te dispozitave përkatëse ligjore.
17. Në pikën 6 të VKM nr.305, datë 20.07.1992, parashikohet se:
Vlefta e tokës që zënë ndërtimet ekzistuese apo ato që do të ndërtohen të reja në ndërmarrjet e përbashkëta me persona juridikë të huaj të përfshihet në vleftën e kapitalit të palës shqiptare. Kjo vleftë të llogaritet në bazë të nivelit vjetor të qirasë së tokës (truallit) për vendasit, shumëzuar me koeficientin 2 (dy).
IV. Arsyetimi i Kolegjit Administrativ dhe zgjidhja e çështjes:
18. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë vlerëson se, rekursi i paraqitur nga pala paditëse Ministria e Ekonomisë Tregëtisë dhe Energjitikës (sot-MZHTTS), nuk përmban shkaqe nga ato që parashikohen në ligj, prandaj nuk ka arsye ligjore që vendimi i gjykatës së apelit të cënohet.
19. Duke u bazuar në nenin 199/2 të K.Pr.Civile, Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë në seancën gjyqësore të datës 08.03.2016, kryesisht bëri kalimin procedurial, duke zëvendësuar palën paditëse Ministria e Ekonomisë Tregtisë dhe Energjitikës me Ministrinë e Zhvillimit, Turizmit, Tregëtisë dhe Sipërmarrjes, pasi ajo ka ndryshuar emrin për shkak të ristrukturimit të saj.
20. Nga citimi i nenit 193 pika “dh” i Kodit Civil evidentohen dokumentet që duhet të regjistrohen në regjistrin e pasurive të paluajtshme ... vendimet e gjykatave ose organeve kompetente shtetërore që përkatësisht përmbajnë fitimin ose njohjen e pronësisë mbi pasuritë e paluajtshme, .... dhe në zbatim të nenit 24 pika a të ligjit nr.7843/1994, i ndryshuar evidentohet se, pronësia dhe kufijtë e pasurive të paluajtshme përcaktohen nga aktet e fitimit të pronësisë, sipas nenit 193 të Kodit Civil.
21. Në nenin 13 të ligjit nr.7512, datë 10.08.1991 parashikohet se: Ndërmarrjet e përbashkëta që krijohen ndërmjet ndërmarrjeve ose njësive shtetërore me subjekte private të huaja, me subjekte private vendase ose vendase e të huaja, e ushtrojnë veprimtarinë e tyre në bazë të kontratës e të statutit të miratuar prej tyre dhe të dispozitave përkatëse ligjore. Ndërsa në pikën 6 të VKM-së nr.305, datë 20.07.1992, parashikohet se: Vlefta e tokës që zënë ndërtimet ekzistuese apo ato që do të ndërtohen të reja në ndërmarrjet e përbashkëta me persona juridik të huaj të përfshihet në vleftën e kapitalit të palës shqiptare.
22. Në zbatim të dispozitave ligjore të sipërcituara, Kolegji Administrativ vlerëson e arsyetimi i gjykatës së shkallës së parë dhe gjykatës së apelit se: ....pretendimi i paditësit se subjektet e huaja nuk mund të kishin truall në pronësi, por vetëm me qira në bazë të ligjit nr.7512, datë 10.08.1991, sepse subjekteve të huaja u ndalohej të kishin truallin në pronësi, është i pambështetur në prova dhe në ligj, pasi gjatë shqyrtimit gjyqësor u provua fakti se Shoqëria “Superbeton” Sh.p.k është një subjekt i të drejtës tregtare shqiptare, i regjistruar si person juridik në regjistrin tregtar me vendimin e Gjykatës së Rrethit Tiranë nr.6995, datë 28.09.1993, në bazë të ligjit nr.7638, datë 19.11.1992 “Për Shoqëritë Tregtare”...... është i drejtë dhe i bazuar në ligj, sepse personi i tretë Shoqëria “Superbeton” Sh.p.k është një subjekt që i përket të drejtës tregtare shqiptare, i regjistruar në regjistrin tregtar dhe nuk përfaqëson një shoqëri të huaj tregtare.
23. Gjatë gjykimit në shkallë parë dhe në apel ka rezultuar që objekt gjykimi është bërë kalimi në pronësi të personit të tretë Shoqëria “Superbeton” Sh.p.k, të tokës (truallit) ku ndodhen godinat, për të cilin pala paditëse pretendon se është dhënë me qira. Këtij pretendimi të palës paditëse i ka dhënë përgjigje Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë me vendimin nr.1016, datë 04.10.200, i cili ndërmjet të tjerave është shprehur se: Gjykata e rrethit ka vendosur drejtë dhe ka konkluduar se, pretendimi i paditësave se ka një kontratë qiraje të lidhur me palën e paditur është i pabazuar në prova e në ligj, pasi trualli i ish Ndërmarrjes Shtetërore të Prodhimit të Betonit dhe Parafabrikateve është shlyer si kontribut në natyrë nga ana e ortakut shtetëror shqiptar në shoqërinë e përbashkët në bazë të ligjit “Për Shoqëritë Tregtare.....
24. Në pikën 6 të VKM-së nr.305, datë 20.07.1992, parashikohet se: Vlefta e tokës që zënë ndërtimet ekzistuese apo ato që do të ndërtohen të reja në ndërmarrjet e përbashkëta me persona juridik të huaj të përfshihet në vleftën e kapitalit të palës shqiptare. Kjo vleftë të llogaritet në bazë të nivelit vjetor të qirasë së tokës (truallit) për vendasit, shumëzuar me koeficientin 2 (dy). Në rastin në shqyrtim kjo shoqëri me kapital të përbashkët italo-shqiptar është krijuar në përputhje të plotë me legjislacionin shqiptar, duke u regjistruar në regjistrin tregtar si shoqëri vendase, me miratimin e organeve kompetente. Në shoqërinë e përbashkët pala shqiptare (shteti) përveç aseteve të tjera, si godina, makineri, etj ka vendosur edhe truallin që i përkiste ish ndërmarrjes shtetërore që është bërë pjesë e shoqërisë së përbashkët. Ky fakt është pasqyruar edhe në dokumentacionin me të cilin është krijuar shoqëria e përbashkët (statuti, akt i themelimit, kontrata, etj). Pala paditëse i mbështet pretendimet e saj vetëm në pikën 3 të VKM-së nr.305, datë 20.07 1992, por ajo në asnjë rast nuk e përmend pikën 6 të po këtij vendimi, të cilën e cituam më sipër dhe që duhet të merren në unitet me njëra-tjetrën.
25. Në nenin 2 të Kontratës së Themelimit të datës 26.07.1993 të lidhur ndërmjet N.P.B.P Tiranë dhe Shoqërisë “Euroteorema” S.p.a Milano Itali thuhet se Shoqëria “Superbeton” Shpk e ka selinë në Tiranë Shqipëri, çka tregon se ajo është një shoqëri që i përket të drejtës tregtare shqiptare. Në nenin 5 të kësaj kontrate është parashikuar kapitali i ortakëve, ku pala shqiptare ka vendosur si kapital themeltar pasuri në natyrë dhe të drejta të vlerësuara sipas procesverbalit që i bashkëngjitet kontratës së themelimit, i cili është pjesë integrale e saj. Po të shikohet përmbledhësja në faqen 102 të dosjes gjyqësore del e qartë se është përfshirë në kapitalin themeltar të shoqërisë për pjesën shqiptare edhe vlera e tokës. Të njëjtin qëndrim mban edhe statuti i shoqërisë, për krijimin e së cilës është marrë mendimi i të gjitha organeve kompetente, duke filluar nga sindikatat e pavarura e deri tek autorizimi nr.80, datë 15.09.1993 i Ministrisë së Tregëtisë dhe Bashkëpunimit me Jashtë me të cilin është lejuar Shoqëria “Euroteorema” S.p.a që të krijojë një shoqëri të përbashkët me Ndërmarrjen e Prodhimit të Betoneve dhe Parafabrikateve Tiranë (faqe 105 e dosjes).
26. Pala paditëse Ministria e Zhvillimit, Turizmit, Tregëtisë dhe Sipërmarrjes (ish-METE) pretendon se ndodhemi përpara pavlefshmërisë absolute të aktit administrativ (regjistrimit). Neni 116 i Kodit të Procedurave Administrative parashikon se, aktet administrative do të quhen absolutisht të pavlefshme, në kuptimin e këtij Kodi, në rastet e mëposhtme: kur akti është nxjerrë nga një organ administrativ i paidentifikuar; kur akti është nxjerrë nga një organ administrativ në kapërcim të kompetencave të tij ligjore dhe kur akti është nxjerrë në kundërshtim me formën dhe procedurën e kërkuar nga ligji. Në rastin në shqyrtim nuk ndodhemi përpara rasteve, të parashikuara nga neni 116 i K.Pr.Administrative, pasi akti është nxjerrë nga një organ i identifikuar dhe i pajisur nga ligji me tagrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme siç është ZVRPP-ja. Regjistrimi është kryer në përputhje të plotë me kompetencat ligjore të ZVRPP-së dhe akti është nxjerrë në përputhje të plotë me formën dhe procedurën e kërkuar nga ligji nr.7843/1994, i ndryshuar “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme, që do të thotë se pretendimi i palës paditëse është i pambështetur në ligj.
27. Për këto që u thanë më sipër, Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë arrin në përfundimin se, rekursi i paraqitur nga pala paditëse Ministria e Zhvillimit, Turizmit, Tregëtisë dhe Sipërmarrjes (ish-METE) nuk është i bazuar në ligj, prandaj si të tillë ai nuk duhet të pranohet dhe për rrjedhojë vendimi e gjykatës së apelit duhet të lihet në fuqi.
PËR KËTO ARSYE
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, duke u bazuar në nenin 63/e të ligjit nr.49, datë 03.05.2012 të “Për Organizimin dhe Funksionimin e Gjykatave Administrative”.....
V E N D O S I
Lënien në fuqi të vendimit nr.768, datë 27.03.2013 të Gjykatës së Apelit Tiranë.
Tiranë, më 08.03.2016
Nr. 11243-00869-00-2013 i Regj. Themeltar
Nr. 00 - 2016 - 1289 i Vendimit (146)
Do'stlaringiz bilan baham: |