IV. Arsyetimi i Kolegjit Administrativ dhe zgjidhja e çështjes:
15. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë vlerëson se, rekursi i paraqitur nga pala paditëse Këshilli i Qarkut Korçë përmban shkaqe nga ato që parashikohen në ligj, prandaj vendimi i gjykatës së shkallës së parë dhe vendimi i gjykatës së apelit bëhen të cënueshëm.
16. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë dhe Gjykata e Apelit Korçë kanë arritur në përfundimin se pala e paditur Theodhor Gaçe ka kryer detyrat e tij funksionale në përputje me ligjin dhe aktet nënligjore të dala në zbatim të tij. Gjithashtu gjykatat arsyetojnë se, me vendim të formës së prerë të gjykatës, zgjidhja e kontratës së punës ndërmjet tij në cilësinë e punëmarrësit dhe paditësit në cilësinë e punëdhënësit është zgjidhur pa shkaqe të justifikuara nga punëdhënësi, prandaj ai nuk duhet të detyrohet për të paguar diferencat që janë konstatuar në karburant, me administrimin e të cilit ka qenë i ngarkuar pala e paditur.
17. Përfundimi që kanë arritur gjykata e shkallës së parë dhe gjykata e apelit janë të pabazuara në ligj, sepse detyrimet që mund të ketë punëmarrësi ndaj punëdhënësit gjatë kryerjes së marrëdhënies së punës nuk kanë lidhje me shkaqet e zgjidhjes së kontratës së punës. Në nenin 27 të Kodit Punës është parashikuar përgjegjësia për dëmin e shkaktuar nga punëmarrësi kundrejt punëdhënësit. Në rastin në gjykim, pala e paditur Theodhor Gaçe gjatë kohës së kryerjes së punës pranë palës paditëse ka qenë i ngarkuar me administrimin e karburantit që duhej të harxhohej për nevojat e palës paditëse, Këshillit i Qarkut Korçë, për të cilin është ushtruar një kontroll nga ana e Prefekturës Korçë, ku në përfundim të kontrollit ka rezultuar një diferencë në shumën 527.365 lekë, duke ngarkuar të paditurin me përgjegjësi, e cila pas azhurnimeve të duhura ka rezultuar që të jetë në shumën 485.550 lekë.
18. Gjykata e shkallës së parë dhe gjykata e apelit nuk arsyetojnë në vendimet e tyre në lidhje shkeljet e të paditurit të konstatuara në raportin final të datës 05.09.2007, i cili ndodhet në faqen 11 të dosjes nr.11118-01556-01-2010 akti, dosje e cila është administruar gjatë shqyrtimit gjyqësor në shkallë të parë, por ato mjaftohen vetëm me faktin se pala e paditur ka zbatuar rregullat e vendosura për administrimin e karburantit, në një kohë që ai ka kryer detyrën e magazinierit të karburantit dhe për çdo shërbim të kryer duhet ta kishte justifikuar harxhimin e karburantit me fletë udhëtime. Duhet theksuar se në raportin final që ndodhet në dosje thuhet se fletët e udhëtimit për periudhën Nëntor - Dhjetor 2006 dhe Janar - Maj 2007 mungojnë, atëhere lind pyetja si mund ta justifikojë magazinieri daljen e karburantit nga magazina?
19. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë vlerëson se, gjykatat më të ulta arsyetojnë në mënyrë të pabazuar në ligj kur thonë se përgjegjësi ka edhe Drejtoria e Financës, sepse është detyrë e magazinierit të karburantit që të mos bëjë dorëzimin e sasisë së karburantit nëse për shërbimet që do të kryhen nuk janë plotësuar fletët e udhëtimit. Gjykata e shkallës së parë dhe gjykata e apelit duhet të vlerësonin sipas bindjes së tyre të brendshme raportin e auditit të administruar prej tyre si provë gjatë shqyrtimit gjyqësor të çështjes, pa qenë të detyruara që vendimet e tyre ti bazojnë në të, por nga ana tjetër ato kanë qenë të detyruara që të arsyetojnë se, përse konkluzionet e arritura nga auditi nuk kanë qenë të sakta, duke treguar edhe provat që e kundërshtojnë atë (raportin final të auditit) dhe jo të veprojnë duke anashkaluar provat që i janë nënshtruar shqyrtimit gjyqësor.
20. Duke arsyetuar si më sipër, Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë arrin në përfundimin se gjykata e shkallës së parë edhe gjykata e apelit kanë arritur në përfundime të pabazuara në provat që vetë ato ia kanë nënshtruar shqyrtimit gjyqësor, duke e përjashtuar me të padrejtë të paditurin Theodhor Gaçe nga përgjegjësia materiale që ai ka patur gjatë kryerjes së marrëdhënies së punës, i cili i shkaktuar një dëm jo të vogël palës paditëse. Këto veprime të palës së paditur janë kryer në faj, pasi ai nuk ka qenë korrekt në zbatimin e ligjit dhe akteve nënligjore, të cilat kanë të bëjnë me administrimin dhe ruajtjen e vlerave monetare dhe materiale, prandaj ai është i detyruar që të çdëmtojë palën paditëse për dëmin që i ka shkaktuar.
21. Për të gjitha këto që u thanë më sipër, Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë vlerëson se rekursi i paraqitur nga pala paditëse Këshilli i Qarkut Korçë është i bazuar në ligj, prandaj si i tillë ai duhet të pranohet dhe për rrjedhojë vendimi i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë dhe vendimi i Gjykatës së Apelit Korçë duhet të ndryshohen, duke u vendosur pranimi i padisë.
PËR KËTO ARSYE
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, duke u bazuar në nenin 63/dh të ligjit nr.49, datë 03.05.2012 “Për Organizimin dhe Funksionimin e Gjykatave Administrative dhe Gjykimin e Mosmarrëveshjeve Administrative”......
V E N D O S I
Ndryshimin e vendimit nr.41-2011-3562 (1991), datë 16.09.2011 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë dhe vendimit nr.118, datë 28.02.2012 të Gjykatës së Apelit Korçë dhe pranimin e padisë.
Detyrimin e palës së paditur Theodhor Gaçe që t’i paguajë palës paditëse Këshillit të Qarkut Korçë dëmin e shkaktuar në shumën 485.550 (katërqind e tetëdhjetë e pesë mijë e pesëqind e pesëdhjetë) lekë.
Tiranë, më 05.11.2015
Nr. 11241-02593-00-2013 Regj.Themeltar
Nr. 00-2015-4622 Vendimi (589)
VENDIM NË EMËR TË REPUBLIKËS
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, i përbërë nga:
Xhezair Zaganjori Kryesues
Evelina Qirjako Anëtare
Medi Bici Anëtar
Me datë 05.11.2015 mori në shqyrtim në Dhomën e Këshillimit çështjen administrative nr.02593/2013 akti, që iu përket palëve:
PADITËS: SHPRESA SINANI
PADITUR: PREFEKTI I QARKUT GJIROKASTËR
OBJEKTI:
Rikthimin në detyrë.
Dëmshpërblimin prej 12 muaj pagë
për zgjidhjen e kontratës së punës pa shkaqe të arsyeshme.
Dëmshpërblimin prej dy muaj pagë
për moszbatim të procedurës të zgjidhjes së kontratës së punës.
Dëmshpërblimin prej 3 muaj pagë
për mosrespektim të afateve të njoftimit.
Shpërblim me katër 15 ditësha për vjetërsinë në punë.
Baza Ligjore: Nenet 31, 32, 153, 154, 154/a, 156 të K.Pr.Civile,
nenet 12, 13, 15, 35 të ligjit nr.8766, datë 05.04.2011
“Për mbrojtjen nga zjarri dhe shpëtimin”,
si dhe aktet nënligjore në zbatim të tij, VKM nr.279, datë 02.06.2000
“Për miratimin e rregullores së disiplinës së Policisë së Shtetit”,
VKM nr.565, i vitit 2002 “Për njësimin e funksioneve të PMNZSH-së
me funksionet respektive të Policisë së Shtetit”,
Urdhri i Ministrit nr.24, datë 16.05.2002
“Për funksionimin e stacioneve të PMNZSH në qark”,
Udhëzimi nr.01, datë 14.01.2003 “Rregullat e klasifikimit, pranimit,
lirimit, transferimit, komandimit, inspektimit në detyrë
për personelin e strukturave të PMNZSH”,
ligji nr.l0142, datë 15.05.2009 “Për sigurimin Shoqëror Suplementar
të Ushtarakëve të Forcave të Armatosura të Punonjësve të Policisë së Shtetit
dhe të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit”,
neni 2 pika 6, 12 dhe nenet 143, 144, 145, 146, 153 dhe 155/3 të Kodit Punës.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, me vendimin nr.21-2013-955/486, datë 29.05.2013 ka vendosur:
Pranimin e pjesshëm të padisë.
Detyrimin e të paditurit, Prefekti i Qarkut Gjirokastër të dëmshpërblejë paditësen Shpresa Sinani për mosrespektim të procedurës së zgjidhjes së kontratës së punës me pagën e dy muajve punë.
Detyrimin e të paditurit, Prefekti i Qarkut Gjirokastër të dëmshpërblejë paditësen Shpresa Sinani për mosrespektim të afatit të njoftimit për zgjidhjen e kontratës së punës me pagën e dy muajve punë.
Detyrimin e të paditurit, Prefekti i Qarkut Gjirokastër të dëmshpërblejë paditësen Shpresa Sinani për zgjidhjen e menjëhershme të kontratës së punës me pagën e shtatë muajve punë.
Detyrimin e të paditurit, Prefekti i Qarkut Gjirokastër të dëmshpërblejë paditësen Shpresa Sinani për periudhën e vjetërsisë në punë me pagën e dy muajve punë. Përllogaritja e dëmshpërblimit të secilit prej detyrimeve të mësipërme të bëhet mbi bazën e pagës që ka ekzistuar në momentin e ndërprerjes së marrëdhënies së punës.
Rrëzimin e padisë për pjesën tjetër të objektit.
Gjykata e Apelit Gjirokastër, me vendimin nr.386, datë 10.07.2013 ka vendosur:
Lënien në fuqi të vendimit nr.21-2013-955/486, datë 29.05.2013 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër.
Ndaj vendimit të sipërcituar rezulton të kenë paraqitur rekurs pala e paditur Prefekti i Qarkut Gjirokastër, i cili kërkon:
Ndryshimin e vendimit nr.386, datë 10.07.2013 të Gjykatës së Apelit Gjirokastër dhe vendimit nr.21-2013-955/486, datë 29.05.2013 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër.
Shkaqet që pala e paditur Prefekti i Qarkut Gjirokastër paraqet në rekurs, janë:
Në datë 31.03.2013 nga shefi i PMNZSH-së është paraqitur pranë prefektit një propozim për marrje mase disiplinore ndaj punonjëses Shpresa Sinani bazuar ky në performancën e punonjëses, e cila nuk ka përmbushur siç duhet detyrat e saj.
Nisur nga ky propozim prefekti ka vlerësuar se masa disiplinore duhet të ishte largim nga detyra, pasi detyra e personelit të këtij shërbimi është një detyrë specifike, e cila kërkon zbatim me rigorozitet të detyrave të përcaktuara ne ligj, nisur nga rëndësia dhe natyra e këtij shërbimi lidhur me afatet dhe procedurën e njoftimit për zgjidhjen e kontratës, institucioni prefektit e ka trajtuar këtë kontratë sipas ligjit nr.8766, datë 5.4.2001 “Për mbrojtjen nga zjarri dhe për shpëtimin”, i cili është ligji specifik për këtë shërbim, duke u mbështetur në arsyetimin që është përdorur edhe në vendimin unifikues të Gjykatës së Lartë nr.31, datë 14.04.2003 ku përcaktohet se këto detyra si policia e shtetit, policia zjarrfikëse, etj, janë marrëdhënie kontraktore në formën e kontratës së shërbimit publik.
Në këtë vendim, Gjykata e Lartë është shprehur se: Meqenëse kemi një ligj të posaçëm, siç është ligji për policinë (për analogji edhe ligji për Policinë e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin) edhe mosmarrëveshja objekt gjykimi duhet të zgjidhet në përputhje me këtë ligj. Po t’i referohemi ligjit të posaçëm të këtij shërbimi vërejmë se në këtë ligj nuk përcaktohet ndonjë detyrim për ndjekjen e procedurave të veçanta apo afateve për rastet e largimit nga detyra.
Duke qenë se konsiderojmë se shkaku i largimit nga detyra, është i justifikuar për arsye të natyrës dhe rëndësisë së detyrës në një sektor të rëndësishëm, siç është ai i PMNZSH-së, mendojmë se kërkimet për dëmshpërblim nuk qëndrojnë.
KOLEGJI ADMINISTRATIV I GJYKATËS SË LARTË
Pasi dëgjoi relatimin e gjyqtarit Medi Bici dhe bisedoi çështjen në tërësi, në Dhomën e Këshillimit, në përfundim;
V Ë R E N
1. Në Gjykatën e Lartë me datë 23.09.2013 është regjistruar çështja administrative nr.11241-02593-00-2013 regj. them, që iu përket palëve ndërgjyqëse: paditëse Shpresa Sinani dhe i paditur Prefekti i Qarkut Gjirokastër, me objekt: Rikthimin në detyrë. Dëmshpërblimin prej 12 muaj pagë për zgjidhjen e kontratës së punës pa shkaqe të arsyeshme. Dëmshpërblimin prej dy muaj pagë për moszbatim të procedurës të zgjidhjes së kontratës së punës. Dëmshpërblimin prej 3 muaj pagë për mosrespektim të afateve të njoftimit dhe shpërblim me katër 15 ditësha për vjetërsinë në punë.
2. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër dhe Gjykata e Apelit Gjirokastër kanë zbatuar keq ligjin material, prandaj vendimet e tyre duhet të ndryshohen, duke u vendosur detyrimi i palës së paditur Prefekti i Qarkut Gjirokastër që t’i paguajë paditëses Shpresa Sinani pagën e një viti pune.
I. Rrethanat e çështjes:
Do'stlaringiz bilan baham: |