VENDIM
NË EMËR TË REPUBLIKËS
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, i përbërë prej :
Xhezair Zaganjori Kryesues
Ardian Dvorani Anëtar
Arjana Fullani Anëtare
Evelina Qirjako Anëtare
Andi Çeliku Anëtar
Mori në shqyrtim në seancë gjyqësore të datës 03.11.2015, çështjen administrative që i përket:
PADITËS: PERIKLI KOLIÇI
I PADITUR: MINISTRIA E MBROJTJES.
OBJEKTI I PADISË:
Detyrimi i Ministrisë së Mbrojtjes (Ministrit të Mbrojtjes)
të nxjerrë një akt administrativ (propozim) që t’i drejtohet
Presidentit të Republikës për dhënien e gradës madhore gjeneral brigade,
në përputhje me kërkesat e ligjit nr.9171, datë 22.01.2004
dhe me vlerësimin dhe rekomandimin e Komisionit të Veçantë të Karrierës,
drejtuar Ministrit të Mbrojtjes me shkresën nr.6368, datë 24.08.2009
“relacion mbi punën e bërë nga Komisioni i Veçantë i Karrierës për vitin 2009”.
Baza Ligjore: Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, nenet 4, 15/2, 18, 44;
Konventa Evropiane e të Drejtave të Njeriut, neni 14;
Ligji nr.9171, datë 22.01.2004 “Për gradat dhe karrierën ushtarake në FA të RSH”,
nenet 9, 10, 13/5, 16/d, 21, 27;
Ligji nr.9210, datë 23.03.2004 “Për statusin e ushtarakut të FA të RSH”, nenet 9, 16/b;
Ligji nr.8671, datë 26.10.2000
“Për pushtetet dhe autoritetet e komandimit të drejtimit strategjik të FA të RSH”;
Nenet 3, 9/1, 12, 105 të Kodit të Procedurave Administrative;
Nenet 31, 32/a, 117, 154, 324, 333 të Kodit të Procedurës Civile.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë me vendimin nr.4947 datë 09.06.2011 vendosi:
“Rrëzimin e Kërkesë Padisë. Shpenzimet gjyqësore i ngarkohen paditësit”.
Gjykata e Apelit Tiranë, me vendimin nr.723 datë 29.3.2012 vendosi:
“Ndryshimin e vendimit nr.4947, datë 09.06.2011 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, në këtë mënyrë: “Pranimin e padisë. Detyrimin e Ministrit të Mbrojtjes që të nxjerrë një akt administrativ në përputhje me ligjin, me qëllim rivendosjen e së drejtës së cenuar, paditësit Perikli Koliçi, në vijim të procesit të gradimit, iniciuar me urdhrin nr.821, datë 11.06.2009 të Ministrit të Mbrojtjes”.
Kundër vendimit nr.723 datë 29.3.2012 të Gjykatës së Apelit Tiranë, ka ushtruar rekurs, brenda afatit ligjor, pala e paditur Ministria e Mbrojtjes e cila kërkon prishjen e vendimit të Gjykatës së Apelit dhe lënien në fuqi të vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor, duke parashtruar shkaqet e mëposhtme:
-
Me këtë vendim të Gjykatës së Apelit Tiranë ne nuk jemi dakord, pasi nga ana e gjykatës nuk është zbatuar drejt ligji material, duke e bërë vendimin e gjykatës të cenueshëm.
-
Ushtarakët për të fituar të drejtën e gradimit të radhës duhet të plotësojnë disa kushte të cilat kanë të bëjnë me vitet e qëndrimit në gradën paraardhëse(neni 10), arsimimin dhe kualifikimin e nevojshëm në shkolla e kurse, ushtarake e civile dhe rezultatet e vlerësimeve vjetore të punës.
-
Bazuar në nenin 21 të ligjit nr.9171, datë 22.01.2004 “Për gradat dhe karrierën ushtarake në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, autoritetet përgjegjëse për vlerësimin e përparimit të oficerëve në gradë dhe karrierë janë “Komisionet e Karrierës”, të cilët shqyrtojnë përmbushjen e kushteve të mësipërme nga oficerët kandidues dhe në vazhdim të kësaj procedure i propozojnë Ministrit të Mbrojtjes avancimin në gradë të ushtarakëve, sipas nevojave të Forcave të Armatosura gjë e cila është parapërcaktuar më parë.
-
Në vazhdim të kësaj procedure, bazuar në nenin 13/4 të ligjit nr.917l, datë 22.01.2004 “Për gradat dhe karrierën ushtarake në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, Ministri i Mbrojtjes, bazuar në listën e kandidatëve të renditur nga komisionet e karrierës, ushtron kompetencën e tij, për dhënien e gradës disa ushtarakëve nga lista e propozuar, duke bërë kështu që disa prej tyre të marrin gradën në përputhje me numrin limit të propozuar sipas nevojave të Forcave të Armatosura nga Shtabi i Përgjithshëm.
-
Të pretendosh se propozimet e komisioneve të karrierës janë të detyrueshme për t’u zbatuar nga Ministri i Mbrojtjes për dhënien e gradave ushtarakëve do të thotë t’i japësh këtij komisioni me pa të drejtë një kompetencë të cilën ligjërisht ai nuk e ka.
-
Në asnjë dispozitë të ligjit nuk detyrohet Ministri i Mbrojtjes të japë gradën sipas renditjes të listës nga Komisionet e Karrierës por vetëm bazuar në propozimin e tyre.
-
Ministri i Mbrojtjes në bazë të propozimit të Shefit të Shtabit të përgjithshëm miraton numrin limit sipas gradave në përputhje me strukturën e FA. Në propozim tjetër do të sillte ndryshimin e strukturës së FA.
KOLEGJI ADMINISTRATIV I GJYKATËS SË LARTË
Pasi dëgjoi relatimin e gjyqtares Arjana Fullani, përfaqësuesin e paditësit Perikli Koliçi, Av. Ndue Marku, i cili kërkoi lënien në fuqi të vendimit të Gjykatës së Apelit, përfaqësuesin e palës së paditur Ministria e Mbrojtjes, juristin Z. Gjergji Pihoni, i cili kërkoi prishjen e vendimit të Gjykatës së Apelit dhe lënien në fuqi të vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor, si dhe diskutoi çështjen në tërësi,
V Ë R E N
1. Siç rezulton nga aktet e administruara në dosjen gjyqësore, pala paditëse Perikli Koliçi është oficer aktiv i Forcave të Armatosura, mban gradën Kolonel, që nga viti 2004, duke kryer gjatë karrierës së tij ushtarake, disa kualifikime profesionale, si dhe zotëron gjuhën angleze dhe turke.
2. Bazuar në urdhrin e Ministrit të Mbrojtjes nr.821, datë 11.06.2009 “Për krijimin e Komisionit të Veçantë të Karrierës në Ministrinë e Mbrojtjes”, është mbledhur ky Komision, i cili ka kryer vlerësimin profesional të të gjithë oficerëve me gradën “Kolonel”, që përmbushnin kriteret ligjore për të marrë gradën pasardhëse, atë të “Gjeneralit të Brigadës”. Këtij vlerësimi i është nënshtruar edhe paditësi, Kolonel Perikli Koliçi.
3. Komisioni i Veçantë i Karrierës, në përfundim të vlerësimit, ka hartuar relacionin përkatës me nr.6368 Regj., datë 24.08.2009, mbi punën e kryer prej tij. Pas vlerësimit Komisioni ka hartuar listën përfundimtare në rend progresiv, të të pesëmbëdhjetë kolonelëve të vlerësuar, sipas pikëve të fituara nga gjithsecili. Bazuar në këtë renditje, Komisioni i Veçantë i Karrierës i ka rekomanduar Ministrit të Mbrojtjes tre kandidatura për t’u graduar “Gjeneral Brigade”, ku ndër to, i renditur i pari edhe në listën e konkurrentëve, është paditësi Perikli Koliçi (dy rekomandimet e tjera u përkasin kandidatëve që janë renditur i dyti dhe i treti, në listën e vlerësimeve).
4. Me shkresën nr.5725 Prot., datë 03.09.2009, Ministri i Mbrojtjes i ka propozuar Presidentit të Republikës promovimin në gradën madhore “Gjeneral”, të pesë kolonelëve të Forcave të Armatosura, të cilët referuar listimit të kryer në përfundim të vlerësimit janë renditur respektivisht : propozimi i parë – vendi i nëntë; propozimi i dytë – vendi i gjashtë; propozimi i tretë – vendi i trembëdhjetë; propozimi i katërt – vendi i tetë dhe propozimi i pestë – vendi i pestë. Për çdo propozim, Ministri i Mbrojtjes ka nxjerrë aktin individual, nga ku rezulton se propozimi është bazuar në vlerësimet e Komisionit të Veçantë të Karrierës, si dhe në nenin 13, pika 5 të ligjit nr.9171, datë 22.01.2004 “Për gradat dhe karrierën ushtarake në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë” dhe nenet 19, pika 9 e 7, pika 7 të ligjit nr.8671, datë 26.10.2000 “Për pushtetet dhe autoritetet e komandimit e të drejtimit strategjik të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”.
5. Presidenti i Republikës, me dekretet nr.6260, 6261, 6262, 6263 dhe 6264, datë 15.09.2009 ka dekretuar në gradat madhore të pestë kandidatët e propozuar nga Ministri i Mbrojtjes.
6. Në datë 13.10.2009 paditësi Perikli Koliçi ka ushtruar ankim pranë Ministrit të Mbrojtjes, lidhur me procedurën e ndjekur për dhënien e gradave madhore si dhe lidhur me faktin se atij nuk i janë dhënë kopje të raportit të Komisionit të Veçantë të Karrierës, si dhe propozimet e Ministrit të Mbrojtjes për gradimin e oficerëve, në grada madhore.
7. Me shkresën nr.7970/1 prot., datë 20.10.2009 të Drejtorisë së Personel Organizimit pranë Ministrisë së Mbrojtjes paditësit i është kthyer përgjigje, me të cilën ai vihet në dijeni zyrtarisht se, në listën klasifikuese të kandidatëve, ai ka zënë vendin e parë, me 8.39 pikë. Lidhur me ankimin e tij, drejtuar Ministrit të Mbrojtjes në lidhje me procedurën për dhënien e gradave rezulton se paditësi nuk ka marrë asnjë përgjigje.
8. Ndodhur në këto kushte pala paditëse Perikli Koliçi i është drejtuar gjykatës më datë 16.11.2009 me padinë objekt gjykimi.
9. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë me vendimin nr.4947 datë 09.06.2011 vendosi:” Rrëzimin e Kërkesë Padisë. Shpenzimet gjyqësore i ngarkohen paditësit”.
9.1 Arsyetimi i Gjykatës: “Kjo e drejte e Ministrit të Mbrojtjes për ti propozuar Presidentit për dhënien e gradave madhore ushtarakeve sipas ligjit 9171 datë 22.01.2004“Për gradat dhe karrierën ushtarake në FA të RSH” sanksionohet dhe në nenin 19/9 të ligji nr.8671 datë 26.10.2000”Për Pushtetet dhe Autoritetet e Komandimit të Drejtimit Strategjik të FA. Të RSH.” të ndryshuar me ligjin 9194 datë 19.02.2004. Në asnjë rast dhe në asnjë dispozitë referuar ligjeve që rregullojnë këtë veprimtari ,nuk përcaktohet që Ministri I Mbrojtjes duhet ti propozoje presidentit për gradimet e gjeneralëve në bazë të renditjes së Komisionit të Veçantë të Karrierës si pretendon pa u bazuar në asnjë dispozitë ligjore konkrete paditësi Perikli Koliçi. Nuk rezulton që propozimi i Ministrit te Mbrojtjes drejtuar Presidentit të Republikës propozim tek i cili nuk është përfshirë emri i paditësit të jetë nxjerre në kapërcim ose ne shkelje të kompetencave që atij i jep ligji ose jashtë qëllimit të tij. E drejta e propozimit për gradat madhore të ushtarakeve të F.A. të R.SH. është një e drejtë dhe kompetencë vetëm e Ministrit të Mbrojtjes e cila shpreh dhe duhet të shprehi vetëm vullnetin e tij të bazuar në ligj, në këtë kontekst asnjë autoritet ose Komision qofte edhe i Veçantë i Karrierës nuk mund ti imponojë vullnetin e tij Ministrit të Mbrojtjes në lidhje me këto propozime, sepse ai është i vetmi Institucion që ligji ia jep këtë të drejtë dhe kompetencë ligjore, për ta ushtruar me vullnet të plotë”.
10. Gjykata e Apelit Tiranë, me vendimin nr.723 datë 29.3.2012 vendosi: “Ndryshimin e vendimit nr.4947, datë 09.06.2011 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, në këtë mënyrë: “Pranimin e padisë. Detyrimin e Ministrit të Mbrojtjes që të nxjerrë një akt administrativ në përputhje me ligjin, me qëllim rivendosjen e së drejtës së cenuar, paditësit Perikli Koliçi, në vijim të procesit të gradimit, iniciuar me urdhrin nr.821, datë 11.06.2009 të Ministrit të Mbrojtjes”.
10.1 Arsyetimi i gjykatës: “Procedura, që neni 21 i ligjit ka parashikuar, duke autorizuar Komisionin e Veçantë të Karrierës në Ministrinë e Mbrojtjes për të shqyrtuar dhe vlerësuar mbi bazën e aftësive profesionale përparimin në gradë të ushtarakëve. Përderisa ligjvënësi ka parashikuar për këtë lloj konkurrimi, rregulla procedurale që duhen ndjekur, si nga ushtarakët, ashtu edhe nga autoritetet përgjegjëse që ushtrojnë vendimmarrjen konkrete, atëherë shmangia prej tyre do të konsiderohej e papërligjur. Është e vërtetë që Ministri i Mbrojtjes ka diskrecionin e tij në ushtrimin e kësaj kompetence, por mosrespektimi i këtij rekomandimi për dhënie grade, ose shmangia prej tij, do të konsiderohet në diskrecionin e Ministrit, vetëm kur ai ka arsye të rëndësishme shtetërore, të cilat ka detyrimin për t’i bërë publike për individin, që cenohet nga një veprim i tillë. Diskrecion nënkupton që një e drejtë ose një veprim duhet të bëhen dhe të ushtrohen sipas rregullave të arsyes dhe drejtësisë dhe jo sipas opinionit personal të organit. Pra, ushtrimi i një të drejte ose kryerja e një veprimi nuk duhet të jenë arbitrar, të paqartë ose imagjinarë, por duhet të jenë ligjorë dhe të ushtrohen brenda hapësirës që i është dhënë organit, me synim, realizimin e një qëllimi të ligjshëm. Ushtrimi i diskrecionit nuk mund të përdoret për një qëllim të ndryshëm nga qëllimi i ligjit, sepse përndryshe, akti i organit administrativ do të konsiderohet i paligjshëm. Ligji e nënkupton që diskrecioni i Ministrit të Mbrojtjes duhet të përdoret vetëm për qëllimin, për të cilin i është dhënë; pra të propozojë dhënien e gradës madhore pas vlerësimit të aftësive profesionale nga Komisioni i Veçantë i Karrierës. Pas vlerësimit nga Komisioni i Veçantë i Karrierës, rezulton se paditësi është renditur i pari. Ushtrimi i një pushteti diskrecionar nga Ministri i Mbrojtjes, duke shmangur renditjen dhe vlerësimin e kryer nga Komisioni i Veçantë i Karrierës, e ka vendosur paditësin në një pozitë të pafavorshme, aq më tepër kur rezulton se Ministri nuk ka dhënë arsye për ushtrimin e diskrecionit në atë mënyrë. Për rrjedhojë, masa e zgjedhur nga Ministri i Mbrojtjes që përjashton paditësin, pa ndonjë arsye ose motiv të shprehur, konsiderohet si një masë e papërshtatshme dhe jo proporcionale., që e bën ushtrimin e pushtetit të tij diskrecionar të paligjshëm. Nga sa më sipër, bazuar në nenin 331 të Kodit të Procedurës Civile, gjykata e apelit konkludoi se Ministri i Mbrojtjes, në ushtrim të kompetencave të tij, duhet të nxjerrë një akt administrativ, në përputhje me qëllimin e ligjit lidhur me konkurrimin e paditësit Perikli Koliçi për marrjen e gradës “Gjeneral Brigade”, në procedurën e kryer sipas urdhrit 821, datë 11.06.2009”.
11. Kundër vendimit nr.723 datë 29.3.2012 të Gjykatës së Apelit Tiranë, ka ushtruar rekurs, brenda afatit ligjor, pala e paditur Ministria e Mbrojtjes e cila kërkon prishjen e vendimit të Gjykatës së Apelit Tiranë dhe lënien në fuqi të vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, duke parashtruar shkaqet e pasqyruar në pjesën hyrëse të këtij vendimi.
LIGJI I ZBATUESHËM
12. Dispozitat e ligj nr.49/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatave Administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”;
12.1 Neni 1/2: Dispozitat e këtij ligji plotësohen me parashikimet e Kodit të Procedurës Civile, me përjashtim të rasteve dhe për aq sa ky ligj nuk parashikon ndryshe.
12.2 Neni 17: Gjykata zgjidh mosmarrëveshjet në përputhje me dispozitat ligjore dhe normat e tjera në fuqi, që janë të detyrueshme. Ajo bën një cilësim të saktë të fakteve dhe veprimeve që lidhen me mosmarrëveshjen, pa u lidhur me përcaktimin që mund të propozojnë palët.
13. Dispozitat e ligjit nr.9171, datë 22.1.2004 “Për gradat dhe karrierën ushtarake në forcat e armatosura të Republikës së Shqipërisë”;
13.1 Neni 13: 1. Titullimi oficer aktiv dhe dhënia e gradës së parë të oficerit bëhet me urdhër të Ministrit të Mbrojtjes.
2. Gradën nëntoger e marrin studentet që mbarojnë arsimin e lartë ushtarak në akademitë ushtarake brenda ose jashtë vendit të njësuara me to dhe titullohen oficerë aktive.
3. Të drejtën e propozimit për titullimin oficer aktiv dhe për dhënien e gradës nëntoger e ka titullari i institucionit të arsimit të lartë ushtarak.
4. Gradat ushtarake të oficerëve, nga nëntoger deri në kolonel, jepen me urdhër të Ministrit të Mbrojtjes, sipas propozimit të komisioneve të karrierës.
5. Gradat madhore u jepen oficereve me dekret të Presidentit të Republikës dhe me propozimin e Ministrit të Mbrojtjes.
6. Gradat e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm dhe, në kohë lufte, Komandantit të Forcave të Armatosura, jepen me dekret të Presidentit të Republikës dhe me propozimin e Kryeministrit;
13.2 Neni 21/4: Përbërja e komisioneve te karrierës është si me poshtë: a) Komisioni i Veçante i Karrierës përbehet nga: Shefi i Shtabit të Përgjithshëm kryetar, një gjeneral major anëtar, tre gjeneralë brigade të specialiteteve të ndryshme anëtarë.
Komisioni i Veçante i Karrierës mblidhet me kërkesë të Ministrit të Mbrojtjes për të vlerësuar dhe rekomanduar gradimin e oficereve në grada madhore;
14. Dispozitat e ligjit nr.8671 datë 26.10.2000 “Për pushtetet dhe autoritetet e komandimit e të drejtimit strategjik të forcave të armatosura të Republikës së Shqipërisë”;
14.1 Neni 19/9: Ministri i Mbrojtjes ka këto detyra e përgjegjësi: I propozon Presidentit dhënien e gradave madhore ushtarakeve, sipas ligjit nr.9171, datë 22.1.2004 "Për gradat dhe karrierën në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë";
KOLEGJI ADMINISTRATIV I GJYKATËS SË LARTË VLERËSON:
15. Se rekursi i paraqitur nga pala e paditur ministria e Mbrojtjes, përmban shkaqe nga ato që motivojnë cenimin e vendimit nr.723 datë 29.3.2012 të Gjykatës së Apelit Tiranë.
16. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, në shqyrtim të akteve që ndodhen në dosjen gjyqësore e të administruara gjatë gjykimeve, pretendimeve e prapësimeve të palëve, vendimeve të gjykatave të faktit, si dhe shkaqeve të parashtruara në rekurs, arrin në përfundimin se vendimi nr.723 datë 29.3.2012 i Gjykatës së Apelit Tiranë, që ka ndryshuar vendimin nr.4947 datë 09.06.2011 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, është rrjedhojë e mosrespektimit të ligjit dhe për këtë shkak duhet të prishet.
17. Ky Kolegj e vlerëson të drejtë përfundimin e arritur nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe për rrjedhojë vendimi i kësaj gjykate duhet të lihet në fuqi. Ndërsa arsyetimi i Gjykatës së Apelit Tiranë është rrjedhojë e zbatimit të gabuar të ligjit, ç’ka e bën vendimin e kësaj gjykate të cenueshëm.
18. Në vlerësim të natyrës juridike të mosmarrëveshjes, shkakut të lindjes së saj, Kolegji Administrativ, çmon se jemi përpara një mosmarrëveshje administrative, dhe nga pikëpamja lëndore, në referim të nenit 7 të ligjit nr.49/2012, ky Kolegj është kompetent për shqyrtimin e kësaj mosmarrëveshje.
19. Rezulton se, kërkimi i palës paditëse në këtë gjykim, referuar kërkesë padisë është që të detyrohet pala e paditur, Ministria e Mbrojtjes (Ministri i Mbrojtjes) të nxjerrë një akt administrativ (propozim) që t’i drejtohet Presidentit të Republikës për dhënien e gradës madhore gjeneral brigade, në përputhje me vlerësimin dhe rekomandimin e Komisionit të Veçantë të Karrierës, i cili i është drejtuar Ministrit të Mbrojtjes.
20. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, ka arsyetuar se :“ Në asnjë rast dhe në asnjë dispozitë referuar ligjeve që rregullojnë këtë veprimtari, nuk përcaktohet që Ministri i Mbrojtjes duhet ti propozojë presidentit për gradimet e gjeneralëve në bazë të renditjes së Komisionit të Veçantë të Karrierës. Nuk rezulton që propozimi i Ministrit të Mbrojtjes drejtuar Presidentit të Republikës propozim tek i cili nuk është përfshirë emri i paditësit të jetë nxjerrë në kapërcim ose në shkelje të kompetencave që atij i jep ligji ose jashtë qëllimit të tij”. Mbi këtë konkluzion gjykata ka disponuar se padia e paditësit Perikli Koliçi duhet rrëzuar.
21. Ndryshe nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor, Gjykata e Apelit Tiranë, mbi të njëjtat fakte parashtron se: “Ligji e nënkupton që diskrecioni i Ministrit të Mbrojtjes duhet të përdoret vetëm për qëllimin, për të cilin i është dhënë; pra të propozojë dhënien e gradës madhore pas vlerësimit të aftësive profesionale nga Komisioni i Veçantë i Karrierës. Pas vlerësimit nga Komisioni i Veçantë i Karrierës, rezulton se paditësi është renditur i pari. Ushtrimi i një pushteti diskrecionar nga Ministri i Mbrojtjes, duke shmangur renditjen dhe vlerësimin e kryer nga Komisioni i Veçantë i Karrierës, e ka vendosur paditësin në një pozitë të pafavorshme, aq më tepër kur rezulton se Ministri nuk ka dhënë arsye për ushtrimin e diskrecionit në atë mënyrë. Për rrjedhojë, masa e zgjedhur nga Ministri i Mbrojtjes që përjashton paditësin, pa ndonjë arsye ose motiv të shprehur, konsiderohet si një masë e papërshtatshme dhe jo proporcionale., që e bën ushtrimin e pushtetit të tij diskrecionar të paligjshëm”, ka arritur në përfundimin se vendimi i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë duhet të ndryshohet duke u vendosur pranimi i padisë.
22. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë vlerëson që, gjykata e apelit në mënyrë të gabuar ka arsyetuar se, përbën detyrim ligjor për palën e paditur Ministria e Mbrojtjes (Ministri i Mbrojtjes) që, në momentin e propozimit të Komisionit të Veçantë të Karrierës, t’i propozojë Presidentit të Republikës marrjen e gradës “Gjeneral Brigade” në bazë të klasifikimit përfundimtar të hartuar nga Komisioni i Veçantë i Karrierës. Ndërkohë që Kolegji e vlerëson të drejtë, arsyetimin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, e cila e ka rrëzuar kërkesën e paditësit duke argumentuar se në propozimet që i dërgohen Presidentit të Republikës për marrjen e gradave madhore, Ministri i Mbrojtjes ka diskrecionin që nga lista e dërguar nga Komisioni i Veçantë i Karrierës të zgjedhë midis ushtarakëve që plotësojnë kriteret për ngritjen në gradë.
23. Në ligjin nr.9171, datë 22.1.2004 “Për gradat dhe karrierën ushtarake në forcat e armatosura të Republikës së Shqipërisë”, parashikohet se ky ligj ka për objekt, kriteret dhe autoritetin për pranimin në Forcat e Armatosura, rendin e gradave, përparimin në gradë dhe në karriere, përgjegjësitë që rrjedhin nga karakteri i veçantë i detyrës dhe i shërbimit ushtarak dhe ndërprerjen e karrierës për ushtaraket e Forcave të Armatosura.
24. Ligj nr.9171/2004 në dispozitat e kreut II dhe III qartësisht parashikon rregulla të posaçme që zbatohen nga organet përkatëse, rreth gradave, rritjes në grada ushtarake, ngritjes në karrierë, procedurave të posaçme etj, në funksione të ndryshme brenda Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë. Në këtë legjislacion janë përcaktuar në mënyrë eksplicite rastet kur ushtaraku ngrihet në gradë, por ligji ka përcaktuar dhe rregulla të detyrueshme për t’u zbatuar nga ana e organit administrativ, strukturave kompetente të Forcave të Armatosura gjatë ecurisë së ngritjes në gradë.
25. Konkretisht, në nenin 21, pika 4, parashikohet se për marrjen e gradës “Gjeneral Brigade”, Ministri i Mbrojtjes vendos për krijimin e Komisionit të Veçantë të Karrierës, i cili ka për detyrë që të vlerësojë dhe të rekomandojë gradimin e oficereve në grada madhore. Ndërkohë që në nenin 13 të po këtij ligji parashikohet se : “Gradat madhore u jepen oficereve me dekret të Presidentit të Republikës dhe me propozimin e Ministrit të Mbrojtjes”. Gjithashtu nën ligjin nr.8671 datë 26.10.2000 “Për pushtetet dhe autoritetet e komandimit e të drejtimit strategjik të forcave të armatosura të Republikës së Shqipërisë”, në nenin 19 shprehimisht parashikohet se:” Ministri i Mbrojtjes i propozon Presidentit dhënien e gradave madhore ushtarakeve, sipas ligjit nr.9171, datë 22.1.2004 "Për gradat dhe karrierën në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë".
26. Nisur nga parashikimet ligjore të sipërcituara, Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, vlerëson se në punën e tij Komisioni i Veçantë i Karrierës i cili ngrihet me urdhër të Ministrit të Mbrojtjes, ka për detyrë të vlerësojë aplikimet e ushtarakëve që kërkojnë të avancojnë në gradën madhore “Gjeneral Brigade”, në bazë të kritereve ligjore dhe aftësive profesionale të tyre, duke mbajtur parasysh edhe kriteret e veçanta të përcaktuara në ligjin e posaçëm. Në bazë të këtyre kritereve ligjore, Komisioni harton një listë me ushtarakët që plotësojnë kriteret për të avancuar në gradë nga numri i përgjithshëm i aplikimeve që i paraqiten duke përcaktuar edhe renditjen në formën e pikëzimit. Në përfundim të punës, Komisioni i Veçantë i Karrierës, listën me ushtarakët që plotësojnë kriteret për avancim në gradë ia rekomandon Ministrit të Mbrojtjes për të zgjedhur midis kandidatëve që plotësojnë kriteret ligjore për gradën “Gjeneral Brigade”, në bazë të numrit të përcaktuar më parë sipas nevojave të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë. Sa më sipër, është në diskrecionin e Ministrit të Mbrojtjes që ti propozojë Presidentit të Republikës ushtarakët që do të avancojnë në gradën madhore “Gjeneral Brigade”, në bazë të listës të paraqitur nga Komisioni i Veçantë i Karrierës pasi vetëm ata kandidatë plotësojnë kriteret ligjore për marrjen e asaj grade por në asnjë rast në bazë të pikëzimit apo renditjes së kryer nga Komisioni.
27. Rrjedhimisht, është detyrimi i pakushtëzuar i ministrit të Mbrojtjes që të zgjedhë nga lista e kandidatëve sipas diskrecionit që i jep ligji. Detyrimi i Ministrit që të propozojë emrat e ushtarakëve sipas renditjes së bërë nga Komisioni është një pretendim që nuk parashikohet në ligjin e posaçëm mbi gradat në forcat e armatosura. Përkundrazi, ky ligj ka parashikuar taksativisht të drejtën e Ministrit të Mbrojtjes për të zgjedhur dhe për ta ushtruar pushtetin diskrecional duke u kufizuar propozimi i tij drejtuar Presidentit të Republikës, tek lista e përgatitur nga Komisioni i Veçantë i Karrierës por jo sipas renditjes apo pikëzimit.
28. Në bazë të analizës të mësipërme, Kolegji Administrativ vlerëson se Gjykata e Apelit Tiranë ka gabuar kur ka ndryshuar vendimin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor dhe ka pranuar padinë e paditësit Perikli Koliçi, duke detyruar Ministrin e Mbrojtjes që ti propozojë Presidentit të Republikës për dhënien e gradës Madhore “Gjeneral brigade”.
29. Ndryshe nga sa ka konkluduar Gjykata e Apelit, Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë e vlerëson të drejtë arsyetimin dhe konkluzionin e arritur nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, sipas së cilës, Ministri i Mbrojtjes në çdo rast ka diskrecionin e tij që të zgjedhë nga lista e propozuar nga Komisioni i Veçantë i Karrierës dhe nuk ka asnjë parashikim ligjor i cili e detyron atë që t’i propozojë Presidentit të Republikës emrat e renditur sipas pikëzimit, pasi në çdo rast do të humbiste edhe qëllimi i vetë dispozitës e cila ia ka atribuuar Ministrit të drejtën që të zgjedhë. Do të ishim në shkelje të parashikimeve ligjore dhe në ushtrimit e diskrecionit të mënyrë të paligjshme vetëm nëse Ministri i Mbrojtjes do ti propozonte Presidentit të Republikës një emër i cili nuk figuron në listën e paraqitur nga Komisioni, pasi e vetmja detyrë e komisionit është vetëm përcaktimi i ushtarakëve që plotësojnë kriteret ligjore për avancim në gradë dhe rekomandimin e këtyre emrave Ministrit të Mbrojtjes.
30. Gjithashtu, Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë e vlerëson të gabuar arsyetimin e Gjykatës së Apelit se Ministri është i detyruar të dekretojë emrat sipas renditjes së Komisionit të Veçantë të Karrierës, pasi në këtë logjikë propozimi i ministrit drejtuar presidentit të Republikës do të ishte thjesht një akt formal dhe vendimmarrjen për avancimin në gradë do të ishte kompetencë e Komisionit duke anashkaluar kështu parashikimin në ligjin e posaçëm i cili ia ka dhënë kompetencën Ministrit për të propozuar emrat që plotësojnë kriteret ligjore.
31. Mbështetur sa më sipër, ky Kolegj konkludon se vendimi i Gjykatës së Apelit Tiranë është rrjedhojë e mosrespektimit të ligjit përkundrejt vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë e cila ka zgjidhur drejtë çështjen objekt gjykimi.
PËR KËTO ARSYE
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, në bazë të nenit 63 ligjit 49/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”
V E N D O S I
Prishjen e vendimit nr.723 datë 29.3.2012 të Gjykatës së Apelit Tiranë dhe lënien në fuqi të vendimit nr.4947 datë 09.06.2011 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Tiranë, më 03.11.2015
Nr. 31001-00801-00-2012 i Regj. Themeltar
Nr. 00 - 2015 - 4638 i Vendimit (570)
VENDIM
NË EMËR TË REPUBLIKËS
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, i përbërë prej:
Ardian Dvorani Kryesues
Arjana Fullani Anëtare
Evelina Qirjako Anëtare
Andi Çeliku Anëtar
Medi Bici Anëtar
Mori në shqyrtim në seance gjyqësore të datës 03.11.2015, çështjen administrative që i përket:
PADITËS: SHOQËRIA TV “JOHANITER”
I PADITUR: AUTORITETI I MEDIAVE AUDIOVIZIVE
OBJEKTI I PADISË:
Anulimi i vendimit nr.660, datë 18.12.2007, të KKRT-së për heqjen e licencës,
duke detyruar të paditurin të rivendosë të drejtën e cenuar.
Baza Ligjore: Nenet 32/a, 324/a, 329, 331 të K.Pr.Civile,
Nenet 116/c, 117/1 i K.Pr.Administrative.
Ligji nr.8410, datë 30.09.1998 “Për radion dhe televizionin publik
e privat në Republikën e Shqipërisë” i ndryshuar.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë me vendimin nr.8565 datë 10.10.2008 vendosi:
“Pranimin e kërkesë-padisë. Anulimin vendimit nr.660 dt.18/12/2007 të KKKRT-së për heqjen e licencës dhe detyrimin e të paditurit KKRT të marrë masa për rivendosjen e të drejtës së cënuar. Shpenzimet gjyqësore palës së paditur”.
Gjykata e Apelit Tiranë, me vendimin nr.55 datë 21.1.2010 vendosi:
“Prishjen e vendimit civil nr.8565 datë 10.10.2008 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe kthimin e çështjes për rigjykim pranë saj por me tjetër trup gjykues”.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë me vendimin nr.2952 datë 15.04.2011 vendosi:
“Pranimin e kërkesë-padisë së ngritur nga paditësi Shoqëria “TV Johaniter ”. Anulimin e vendimit nr.660, datë 18.12.2007, të KKRT-së për heqjen e licencës së “TV JOHANITER”, si një akt i nxjerrë në kundërshtim me ligjin. Detyrimin e të paditurit KKRT të rivendosë paditësit TV Johaniter të drejtën e cenuar”.
Gjykata e Apelit Tiranë, me vendimin nr.121 datë 24.1.2012 vendosi:
“Lënien në fuqi të vendimit civil nr.2952 datë 15.04.2011, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë”.
Kundër vendimit nr.121 datë 24.1.2012 të Gjykatës së Apelit Tiranë, ka ushtruar rekurs, brenda afatit ligjor, pala e paditur Këshilli Kombëtar i Radios dhe Televizionit (Autoriteti i Mediave Audiovizive) e cila kërkon prishjen e vendimeve të gjykatave të faktit dhe pushimin e çështjes, duke parashtruar shkaqet e mëposhtme:
-
Të dy gjykatat në gjykimin e kësaj çështjeje kanë shkelur haptazi dispozitat ligjore në fuqi. Kështu si gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë ashtu edhe Gjykata e Apelit, kanë arsyetuar se shndërrimi i formës ligjore të shoqërisë “TV Johaniter” sh.a. në shoqërinë “TV Johaniter” sh.p.k., është bërë në përputhje me dispozitat e ligjit nr.7638, datë 19.11.1992 “Për shoqëritë tregtare”.
-
Gjatë gjykimit në këto shkallë nga ana jonë janë dorëzuar provat me të cilat vërtetohet e kundërta, se nuk ka patur asnjëherë shndërrim të formës ligjore të palës paditëse nga shoqëri anonime në shoqëri me përgjegjësi të kufizuar. Ky fakt është provuar me vërtetimin e gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, (Zyra e Regjistri Tregtar) e cila me shkresën nr.2609/1, datë 21.05.2007, ka vërtetuar se shoqëria “Johaniter” sh.a., dhe shoqëria “Johaniteri” sh.p.k., janë 2 shoqëri të ndryshme.
-
Në ekstraktin e Qendrës së Regjistrit Tregtar të paraqitur nga ana e palës paditëse vërtetohet se personaliteti juridik i shoqërisë «TV Johaniter» sh.p.k., nuk është fituar për shkak të shndërrimit në të tillë të shoqërisë «TV Johaniter» sh.a., pasi në kolonën historiku i regjistrimeve nuk ka asnjë shënim mbi ndryshimet e ndodhura.
-
Provat e paraqitura nga ana jonë nuk janë çmuar dhe vendimi është mbështetur vetëm në pretendimet e palës paditëse.
-
Në mbështetje të nenit 34, pika 1 të ligjit nr.8410, datë 30.09.1998 “Për radion dhe televizionin publik e privat në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar. Kjo dispozitë ligjore parashikon se: “Këshilli Kombëtar i Radios dhe Televizionit ka të drejtë të heqë licencën e transmetimit: është fituar sipas të dhënave të rreme të paraqitura në kërkesë...”
-
Operatori gjatë periudhës së vlefshmërisë së licencës ka shkelur nenin 22 të ligjit organik nr.8410, datë 30.09.1998 “Për radion dhe televizionin publik e privat në Republikën e Shqipërisë” i ndryshuar, sipas të cilit “Licenca e transmetimit është e patjetërsueshme dhe vlen vetëm për subjektin të cilit i është dhënë... ” si dhe nenin 30 të ligjit.
KOLEGJI ADMINISTRATIV I GJYKATËS SË LARTË
Pasi dëgjoi relatimin e gjyqtares Arjana Fullani, përfaqësuesen e Avokaturës së Shtetit, Znj. Lorana Kasapi e cila kërkoi ndryshimin e vendimeve dhe rrëzimin e padisë, në mungesë të palëve ndërgjyqëse, si dhe diskutoi çështjen në tërësi,
V Ë R E N
1. Siç rezulton nga aktet e administruara në dosjen gjyqësore, pala paditëse shoqëria “Johaniter” sh.a, është regjistruar me vendimin nr.22008 datë 23.09.1999 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë si shoqëri anonime dhe ka për veprimtari të saj fushën e radiotelevizioneve, etj .
2. Me vendimin nr.22/7, datë 23.10.2000 të Këshillit Kombëtar të Radio Televizionit, shoqëria “JOHANITER” sh.a., është licencuar si operator televiziv lokal privat, me afat vlefshmërie licencimi 5-vjeçar.
3. Pas përfundimit të afatit 5-vjeçar të licencimit, pala paditëse ka paraqitur në KKRT dokumentacionin e ri te aplikimit për rilicencim.
4. Gjatë verifikimit të dokumentacionit të paraqitur është konstatuar se kërkesa nuk ishte bërë në emër të shoqërisë “JOHANITER” sh.a, e cila është licencuar me vendimin nr.22/7, datë 23.10.2000, por në emër të Shoqërisë “JOHANITERI” sh.p.k e cila ishte themeluar me vendimin nr.33927 datë 07.09.2005 të Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë.
5. Sa më sipër me vendimin nr.401 datë 30.11.2005 KKLRT vendosi të mos rinovojë licencën e subjektit TV Johaniteri.
5. Pas ankimit të shoqërisë, me vendimin nr.408 datë 23.01.2006 “Për rinovimin e licencës së subjektit televiziv vendor “TV Johaniter”, KKRT ka vendosur: “Të miratojë ndryshimet e të dhënave të paraqitura në kërkesën për marrjen e licencës nga ana e subjektit televiziv vendor privat “TV Johaniter” si dhe pasqyrimin e këtyre ndryshimeve në licencën e subjektit. Në mbarim të afatit të licencimit sipas licencës nr.007/TVL të rinovojë për një afat të ri 5 vjeçar në fushën e transmetimeve televizive tokësore analogjike subjektin televiziv “TV johaniter”. Kushtet e licencës sipas pikës 2 të këtij vendimi mbeten të pandryshuara”.
6. Ndaj vendimit të lartpërmendur shtetasi Maksim Reka (Kryetari i Parë i Këshillit Mbikëqyrës të Shoqërisë “JOHANITER” sh.a) ka bërë një ankesë, duke parashtruar se gjithë veprimet e ndërmarra në lidhje me shoqërinë “JOHANITERI” sh.p.k., janë bërë në padijeni të plotë të tij.
7. Sa më sipër, pas kryerjes së verifikimeve përkatëse, me vendimin nr.604, datë 01.10.2007 “ Mbi vlefshmërinë e licencës së “ TV Johaniter”, KKRT, ka vendosur: Ti heqë licencën subjektit “TV Johaniter”, duke argumentuar se: për shkak të paraqitjes së të dhënave të rreme ( pasi shoqëria “Johaniteri” sha nuk rezulton të jetë shndërruar në shoqërinë “ Johaniteri” shpk sikurse është parashkruar në kërkesën e dt. 08/12/2005).
8. Ky vendim i është njoftuar palës paditëse e cila nuk ka paraqitur ndonjë pretendim apo ankesë lidhur me vendimin e mësipërm.
9. Më tej me vendimin nr.660, datë 18.12.2007 “Për heqjen e licencës së TV Johaniter”, KKRT, ka vendosur: “T’i heqë licencën subjektit ‘TV Johaniter”. Licenca me nr.007/TVL e rinovuar me vendimin nr.408 datë 23.01.2006 të KKRT-së bëhet e pavlefshme. Subjekti “TV Johaniteri”detyrohet të ndërpresë menjëherë transmetimin.”
10. Vendimi i mësipërm i është njoftuar palës paditëse me shkresën nr.28 prot., datë 11.01.2008.
11. Ndodhur në këto kushte pala paditëse shoqëria “TV Johaniter” i është drejtuar gjykatës me padinë objekt gjykimi.
12. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë me vendimin nr.8565 datë 10.10.2008 vendosi:” Pranimin e kërkesë-padisë. Anulimin vendimit nr.660, dt.18/12/2007 të KKKRT-së për heqjen e licencës dhe detyrimin e të paditurit KKRT të marrë masa për rivendosjen e të drejtës së cenuar. Shpenzimet gjyqësore palës së paditur”.
13. Gjykata e Apelit Tiranë, me vendimin nr.55 datë 21.1.2010 vendosi: “Prishjen e vendimit civil nr.8565 datë 10.10.2008 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe kthimin e çështjes për rigjykim pranë saj por me tjetër trup gjykues”.
13.1 Arsyetimi i gjykatës:” Vendimi i gjykatës është i parregullt pasi nuk janë respektuar kërkesat e ligjit për pjesëmarrjen e avokatit të shtetit në shqyrtimin e çështjes, detyrim i parashikuar nga neni 79/a i Kodit të Procedurës Civile”.
14. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë me vendimin nr.2952 datë 15.04.2011 vendosi:” Pranimin e kërkesë-padisë së ngritur nga paditësi Shoqëria “TV Johaniter”. Anulimin e vendimit nr.660, datë 18.12.2007, të KKRT-së për heqjen e licencës së “TV JOHANITER”, si një akt i nxjerrë në kundërshtim me ligjin. Detyrimin e të paditurit KKRT të rivendosë paditësit Tv Johaniter të drejtën e cenuar”.
14.1 Arsyetimi i Gjykatës: “Në vijim , në faqen nr.3 të vendimit nr.660 i padituri KKRT deklaron se me dt.08/12/2005 “Tv Johaniteri” i ka drejtuar një shkresë kësaj të fundit me anë të së cilës shoqëria “Johaniteri” sha vendosi të shndërrohej në shoqëri me përgjegjësi të kufizuar dhe se objekti i saj do të jetë ekskluzivisht vetëm veprimtari televizive, fakt që provohet me nr.33927/1, datë 22.11.2005 të Gjykatës së Shkallës së Parë, Tiranë, çka do të thotë se pala e paditur ka patur dijeni për shndërrimin e shoqërisë. Gjithashtu, ky fakt provohet dhe me vendimin nr.408, dt.23/01/2006 të KKRT-së ku thuhet se krahas miratimit të ndryshimit të të dhënave të paraqitura në kërkesën për marrjen e licencës, në të njëjtën kohë vendos ta riliçencojë “TV Johaniter” për një periudhë 5- vjeçare. Vendimi nr.660, datë 18.12.2007, të KKRT-së është i pambështetur në ligj, referuar dhe vetë bazës ligjore në dispozitivin e këtij vendimi, konkretisht n.137/3 I ligjit nr.8410, dt.30/09/1998, nga ku ndër të tjera citohet “Kur inspektorët e KKRT vërtetojnë se i licencuari ka shkelur dispozitat e këtij ligji, kushtet e licencës dhe rregulloret e miratuara nga KKRT-ja kanë të drejtë , t’i Propozojnë KKRT-së Pezullimin e përkohshëm i licencës, reduktimin e kohës së vlefshmërisë së licencës ose heqjen e saj” , çka do të thotë se masa e vendosur nga pala e paditur është masa më ekstreme dhe për më tepër e pambështetur . Në Seancë gjyqësore për tu provuar pretendimin e saj palës paditëse paraqiti në seancë gjyqësore me cilësinë e provës shkresore ekstrakt i QKR i dt.22/12/2010 për shoqërinë “Johaniteri” shpk, dhe me këtë provë provohet se nuk ekziston shoqëria “Tv Johaniter” sha por vetëm “Johaniteri” shpk, çka do të thotë se shndërrimi i kësaj shoqërie nga shoqëri anonime në shoqëri me përgjegjësi të kufizuar është bërë sipas rregullave të përcaktuara nga n.188 i ligjit 7638, dt.19/11/1992 “Për shoqëritë tregtare” duke u bërë ndryshimet në statutin e shoqërisë.”.
15. Gjykata e Apelit Tiranë, me vendimin nr.121 datë 24.01.2012 vendosi: “Lënien në fuqi të vendimit civil nr.2952 datë 15.04.2011, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë”.
15.1 Arsyetimi i gjykatës:” I njëjtë me atë të faktit”.
16. Kundër vendimit nr.121 datë 24.01.2012 të Gjykatës së Apelit Tiranë, ka ushtruar rekurs, brenda afatit ligjor, pala e paditur Këshilli Kombëtar i Radios dhe Televizionit (Autoriteti i Mediave Audiovizive) i cili kërkon prishjen e vendimeve të gjykatave të faktit dhe pushimin e çështjes, duke parashtruar shkaqet e pasqyruara në pjesën hyrëse të këtij vendimi.
LIGJI I ZBATUESHËM
17. Dispozitat e ligjit nr.49/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatave Administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”;
17.1 Neni 1/2: Dispozitat e këtij ligji plotësohen me parashikimet e Kodit të Procedurës Civile, me përjashtim të rasteve dhe për aq sa ky ligj nuk parashikon ndryshe.
17.2 Neni 14 i KPC Gjykata ka për detyrë që të zhvillojë një proces të rregullt ligjor, nëpërmjet garantimit të zhvillimit të një hetimi të plotë dhe të gjithanshëm, në përputhje me ligjin.
17.3 Neni 17/2: Gjykata zgjidh mosmarrëveshjet në përputhje me dispozitat ligjore dhe normat e tjera në fuqi, që janë të detyrueshme. Ajo bën një cilësim të saktë të fakteve dhe veprimeve që lidhen me mosmarrëveshjen, pa u lidhur me përcaktimin që mund të propozojnë palët.
18. Dispozitat e ligjit nr.8410 datë 30.09.1998 “Për radion dhe televizionin publik e privat në Republikën e Shqipërisë”;
KOLEGJI ADMINISTRATIV I GJYKATËS SË LARTË VLERËSON:
19. Se rekursi i paraqitur nga pala e paditur Autoriteti i Mediave Audiovizive përmban shkaqe ligjore që motivojnë cenimin e vendimit nr.121 datë 24.01.2012 të Gjykatës së Apelit Tiranë me të cilin është lënë në fuqi vendimi nr.2952 datë 15.04.2011 të Gjykatës Rrethit Gjyqësor Tiranë.
20. Gjatë gjykimit të çështjes në Gjykatën e Lartë rezultoi se, Këshilli Kombëtar i Radios dhe Televizionit me ligjin nr.73/2010 “Për Mediat Audiovizive në Republikën e Shqipërisë’ është shndërruar në Autoritetin e Mediave Audiovizive, prandaj Kolegji Administrativ, duke u bazuar në nenin 199/2 të K.Pr.Civile vendosi të bëjë kalimin procedural, duke thirrur me cilësinë e palës së paditur Autoritetin e Mediave Audiovizive.
21. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, në shqyrtim të akteve që ndodhen në dosjen gjyqësore e të administruara gjatë gjykimeve, pretendimeve e prapësimeve të palëve, të vendimeve të gjykatave të faktit, të shkaqeve të rekurseve, arrin në përfundimin se vendimi i Gjykatës së Apelit Tiranë është rrjedhojë e mosrespektimit të ligjit dhe për këtë shkak duhet të prishet dhe çështja të dërgohet për rishqyrtim pranë Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë.
22. Gjykata e Lartë, pa i hyrë analizës së provave, nga shqyrtimi i materialeve të dosjes gjyqësore dhe pretendimeve të parashtruara në rekurs evidenton nëse nga gjykatat e faktit janë lejuar ose jo shkelje të normave procedurale dhe nëse ligji material është respektuar ose jo. Në varësi të zgjidhjes së këtyre çështjeve nga gjykatat e faktit, Gjykata e Lartë, në realizim të funksionit të saj rishikues, shprehet për bazueshmërinë ose jo në ligj të vendimeve të gjykatave të faktit.
23. Në vlerësim të natyrës juridike të mosmarrëveshjes, shkakut të lindjes së saj, Kolegji Administrativ, çmon se çështja objekt shqyrtimi, përbën një mosmarrëveshje administrative dhe në zbatim të nenit 7 dhe 11 të ligjit nr.49/2012, ky Kolegj është kompetent nga pikëpamja lëndore për shqyrtimin e kësaj mosmarrëveshje.
24. Referuar padisë objekt gjykimi, konstatohet se në thelb të kërkimit të saj pala paditëse ka kërkuar anulimin e vendimit të Autoritetit të Mediave Audiovizive i cili i heq licencën subjektit “TV Johaniter” . Në thelb, vendimi i heqjes së licencës argumenton faktin se nga aktet e administruara gjatë hetimit administrativ nuk rezulton që shoqëria “Johaniteri” sh.a të jetë shndërruar në shoqërinë “Johaniter” sh.p.k. Pala paditëse duke mos qenë dakord me këtë vendim i është drejtuar gjykatës duke e bërë çështjen konflikt gjyqësor.
25. Gjykatat e faktit kanë pranuar padinë me arsyetimin se:” në faqen nr.3 të vendimit nr.660 i padituri KKRT deklaron se me dt.08/12/2005 “ Tv Johaniteri” i ka drejtuar një shkresë kësaj të fundit me anë të së cilës shoqëria “ Johaniteri “ sha vendosi të shndërrohej në shoqëri me përgjegjësi të kufizuar dhe se objekti i saj do të jetë ekskluzivisht vetëm veprimtari televizive, fakt që provohet me nr.33927/1, datë 22.11.2005 të Gjykatës së Shkallës së Parë, Tiranë, çka do të thotë se pala e paditur ka patur dijeni për shndërrimin e shoqërisë. Ekstrakt i QKR i dt.22/12/2010 për shoqërinë “Johaniteri” shpk, dhe me këtë provë provohet se nuk ekziston shoqëria “ Tv Johaniter” sha por vetëm “Johaniteri” shpk, çka do të thotë se shndërrimi i kësaj shoqërie nga shoqëri anonime në shoqëri me përgjegjësi të kufizuar është bërë sipas rregullave të përcaktuara nga nr.188 i ligjit 7638, dt.19/11/1992 “Për shoqëritë tregtare” duke u bërë ndryshimet në statutin e shoqërisë”.
26. Kolegji Administrativ në realizimin e funksionit të tij rishikues për bazueshmërinë ose jo në ligj të vendimeve të gjykatave të faktit, vlerëson se zgjidhja e mosmarrëveshjes e dhënë me vendimin nr.121 datë 24.01.2012 të Gjykatës së Apelit Tiranë, nuk gjen mbështetje në ligj.
27. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë gjen të drejta pretendimet e ngritura në rekurs nga pala e paditur Autoriteti i Mediave Audiovizive se mungon hetimi gjyqësor dhe analiza nga Gjykata e Apelit lidhur me pretendimet e ngritura në lidhje me shndërrimin e shoqërisë në koneksitet me të gjitha provat e administruara nga gjykatat , fakt i cili ka vlerë thelbësore për zgjidhjen e drejtë të çështjes.
28. Ndryshe nga sa është kërkuar vazhdimisht nga pala e paditur Autoriteti i Mediave Audiovizive, se shoqëria “Johaniteri” sh.a nuk është shndërruar në shoqërinë “Johaniter” sh.p.k pasi nga organet zyrtare nuk rezulton që të ekzistojë një vendim për shndërrimin e shoqërisë dhe gjithashtu vetë organet përkatëse kanë konfirmuar se këto janë dy shoqëri të ndryshme, gjykata ka ardhur në përfundimin se padia duhet pranuar, duke mos analizuar në tërësi pretendimet e palës së paditur, por duke i anashkaluar ato.
29. Në analizë të sa më sipër, Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë vlerëson se kjo mosmarrëveshje e krijuar mes palëve ndërgjyqëse duhej analizuar nga Gjykata e Apelit Tiranë duke i dhënë përgjigje të argumentuar të gjithë pretendimeve të palës së paditur. Në kushtet kur pala e paditur pretendon se nga vetë organet kompetente konfirmohet se kemi të bëjmë me dy shoqëri të ndryshme, rrjedhimisht ky fakt duhej analizuar nga Gjykata e Apelit në tërësi me të gjitha pretendimet e tjera e ngritura nga pala e paditur.
30. Gjithashtu, Kolegji vlerëson se ishte detyrim i Gjykatës së Apelit, në respektim të nenit 14 të Kodit të Procedurës Civile, të hetonte pretendimin e palës së paditur në lidhje me ekzistencën ose jo të vendimit të shndërrimit të shoqërisë pasi edhe Gjykata e Apelit në arsyetimin e saj nuk e përmend ekzistencën ose jo të këtij vendimi por thjesht citon një fakt nga vendimi administrativ i palës së paditur Autoriteti i Mediave Audiovizive. Në këto kushte, kjo gjykatë, nuk duhet të kishte anashkaluar hetimin lidhur me verifikimin e këtij fakti nëse ekzistonte apo jo një vendim për shndërrimin e shoqërisë e parë kjo në koneksitet edhe me dokumentet e ndodhura pranë Qendrës Kombëtare të Regjistrimit.
31. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, vlerëson se procesi gjyqësor ka për qëllim zhvillimin e një gjykimi të drejtë e të paanshëm në përputhje me normat procedurale që konsiston në vlerësimin dhe analizimin nga pikëpamja e së drejtës të një fakti ose grup faktesh, të cilat para se të vlerësohen nga gjykata duhet domosdoshmërisht të vërtetohen prej saj gjatë gjykimit, në të kundërt, sikundër është edhe rasti konkret, vendimi nuk është i argumentuar dhe i bazuar në ligj.
32. Duke marrë në konsideratë vlerësimet e mësipërme, Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë konkludon se në gjykimin e kësaj çështje, gjykatat e faktit nuk kanë realizuar “një hetim gjyqësor të plotë dhe të gjithanshëm në përputhje me ligjin” (neni 14 i K.Pr.Civile), nuk kanë bërë një cilësim të saktë të fakteve dhe rrethanave në këtë mosmarrëveshje; nuk i kanë dhënë përgjigje pretendimeve të palës së paditur dhe nuk kanë realizuar një analizë tërësore dhe objektive të provave (neni 126 i K.Pr.Civile), për ta zgjidhur mosmarrëveshjen në përputhje me ligjin dhe normat e tjera në fuqi, që janë të detyrueshme të zbatohen prej saj (neni 16 i K.Pr.Civile).
33. Përsa më sipër, Kolegji Administrativ vlerëson se vendimi i Gjykatës së Apelit duhet të prishet dhe çështja t’i dërgohet për rishqyrtim Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë, e cila i ka mundësitë ligjore të marrë në shqyrtim dhe të zgjidhë drejt çështjen si gjykatë kompetente në kuptim të nenit 7 të ligjit nr.49/2012 dhe vendimit unifikues nr.3/2013 të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë.
34. Ndodhur në këtë situatë Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë vlerëson se Gjykata Administrative të Apelit Tiranë në rigjykim për një zgjidhje të drejtë të këtij konflikti gjyqësor duhet të hetojë se, nëse kemi të bëjmë me dy shoqëri të ndryshme dhe nëse ekziston një vendim për shndërrimin e shoqërisë “Johaniteri” sh.a në shoqërinë “Johaniteri” sh.p.k, kjo në përputhje me të gjithë provat e tjera të administruara në dosjen gjyqësore dhe ato që mund të sjellin palët gjatë shqyrtimit të çështjes për të mbështetur pretendimet e tyre.
35. Në rigjykim, Gjykata Administrative e Apelit Tiranë, për t’iu dhënë zgjidhje problemeve të mësipërme, në respektim së të drejtave të palëve dhe detyrimeve të tyre që rrjedhin nga procesi gjyqësor, “... ka për detyrë që të zhvillojë një proces të rregullt ligjor, nëpërmjet garantimit të zhvillimit të një hetimi të plotë dhe të gjithanshëm, në përputhje me ligjin dhe, duke bërë një “cilësim të saktë të fakteve dhe veprimeve që lidhen me mosmarrëveshjen” ta zgjidhë atë “në përputhje me dispozitat ligjore dhe normat e tjera në fuqi”.
36. Gjykata duhet t’u bëjë të qartë palëve se është detyrë e secilës prej tyre, që në përputhje me ligjin nr.49/2012, të paraqesin dokumentacionin e nevojshëm e të provojnë faktet mbi të cilat bazojnë pretendimet për të drejtat që kërkojnë. Në zgjidhjen e drejtë e ligjore të mosmarrëveshjes, ashtu si palët kanë të drejta, ato kanë dhe detyrime “që rrjedhin prej këtij procesi, në format dhe afatet e parashikuara” sipas ligjit.
PËR KËTO ARSYE
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, në bazë të neni 63 të ligjit 49/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”
V E N D O S I
Prishjen e vendimit nr.121 datë 24.01.2012 të Gjykatës së Apelit Tiranë dhe dërgimin e çështjes për rishqyrtim në Gjykatën Administrative të Apelit Tiranë.
Tiranë, më 03.11.2015
Nr.11241-03176-00-2013 i Regj. Themeltar
Nr.00-2015-3670 i Vendimit (575)
Do'stlaringiz bilan baham: |