VENDIM NË EMËR TË REPUBLIKËS
Kolegji Administrativ i Gjykatës se Lartë i përbërë nga:
Xhezair Zaganjori Kryesues
Ardian Dvorani Anëtar
Evelina Qirjako Anëtare
Arjana Fullani Anëtare
Andi Çeliku Anëtar
në seancë gjyqësore në datën 03.11.2015 mori në shqyrtim çështjen administrative me nr.03176/2014 që u përket palëve:
PADITËS: SOKOL SHETI
I PADITUR: MINISTRIA E BRENDSHME
OBJEKTI:
Shfuqizimin e aktit nr.1570/5, date 25.03.2013
te Sekretarit te Përgjithshëm te Ministrisë te Brendshme,
për dhënie mase disiplinore "Largim nga shërbimi civil".
Shfuqizimin e aktit nr.1570/9, date 02.04.2013
te Sekretarit te Përgjithshëm te Ministrisë te Brendshme
për lirim nga detyra dhe ndërprerjen e marrëdhënieve financiare.
Kthimin ne detyrën e mëparshme si Drejtor ne Drejtorinë Juridike,
ne Drejtorinë e Përgjithshme te Shërbimeve Mbështetëse ne Ministrinë e Brendshme.
Pagimin e plote te pagës duke filluar qe nga data e ndërprerjes
se marrëdhënieve financiare deri ne rikthimin ne pune.
Baza Ligjore: Neni 25, pika 4 e Ligjit nr.8549, date 11.11.1999
"Statusi i nepunesit civil".
Komisioni i Shërbimit Civil me vendimin nr.100, datë 16.05.2013, ka vendosur:
Pranimin e ankesës së Sokol Sheti.
Shfuqizimin e aktit nr.l570/5, datë 25.03.2013 të Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë të Brendshme, për dhënie mase disiplinore "Largim nga shërbimi civil", si të pabazuar në ligj e në prova.
Shfuqizimin e aktit nr.1570/9, datë 02.04.2013 të Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë të Brendshme, për ndërprerjen e marrëdhënieve financiare, kthimin e ankuesit në pozicionin e punës Drejtor i Drejtorisë Juridike, në Ministrinë e Brendshme, si dhe pagimin e pagës për të gjithë kohën, duke filluar nga moment i ndërprerjes së marrëdhënieve financiare, deri në zbatimin e këtij vendimi.
Të njoftohen për këtë vendim: ankuesi Sokol Sheti; Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë të Brendshme dhe Departamenti i Administratës Publike.
Gjykata e Apelit Tiranë me vendimin nr.72, datë 26.09.2013 ka vendosur:
Lënien në fuqi të Vendimit nr.100, datë 16.05.2013 të Komisionit të Shërbimit Civil.
Kundër vendimit mund të bëhet rekurs në Gjykatën e Lartë.
Kundër këtij vendimi ka ushtruar të drejtën e rekursit pala e paditur Ministria e Brendshme, që kërkon prishjen e vendimit të Gjykatës së Apelit Tiranë dhe rrëzimin e padisë dhe ka parashtruar këto shkaqe:
- Komisioni i Shërbimit Civil ka gabuar në vendimin e tij, mbasi nga ana jonë janë zbatuar procedurat e parashikuar nga Ligji nr.8549, datë 11.11.1999 “Statusi i nëpunësit civil” dhe VKM nr.306, datë 13.06.2000, “Për disiplinën në shërbimin civil”, duke plotësuar elementet procedural për fillimin e ecurisë disiplinore dhe marrjen e masës disiplinore.
- Pala paditëse, ndaj të cilit ka filluar ecuria disiplinore nuk është paraqitur dhe nuk ka njoftuar ndonjë arsye për mosparaqitjen.
- Gjatë gjithë shqyrtimit në Komisionin e Shërbimit Civil kemi vërtetuar ta gjitha shkeljet e konstatuara në veprimtarinë e paditësit në cilësinë e Drejtorit të Drejtorisë Juridike.
Kështu janë evidentuar shkelje të tilla si:
-
Në ripunimin e variantit përfundimtar të projektligjit për armët, ankuesi nuk ka mbajtur parasysh porosinë e mbledhjes së Këshillit të Ministrave për kufizimin e numrit të subjekteve që kanë të drejtë të mbajnë armë.
-
Projektligji "Për mbrojtjen nga zjarri dhe shpëtimi", nuk është ridërguar për mendim në Ministrinë e Financave.
-
Projektligji "Për të huajt" është bllokuar nga kabineti i Ministrit, sepse duheshin vlerësuar disa aspekte juridike.
-
Komunikim i parregullt dhe paraqitje me vonesë në vendin e punës.
-
Paditësi ka munguar në takimet e grupit të punës për kontratën koncensionare Safran, në Hotel “Tirana”.
Paditësi Sokol Sheti ka paraqitur kundërankim, duke parashtruar se:
- Pala paditëse pretendon se ka zbatuar procedurën e parashikuar nga Ligji nr.8549, datë 11.11.1999 dhe VKM nr.306, datë 13.06.2000, duke plotësuar elementet procedurale, por në fakt është në shkelje të hapur të akteve ligjore, nënligjore, e për me tepër në shkelje të akteve ligjore të sanksionuara e njohura nga Kuvendi i Shqipërisë, të cilat janë cituar nga ana jonë.
- Pala paditëse nuk ka shpjeguar pse që në fillimin e ecurisë disiplinore nuk janë të përcaktuara e të detajuara “shkeljet” konkrete, si dhe me kryesorja të kishte bashkëlidhur materialet provuese.
- Pala paditëse nuk ka shpjeguar pse tek proces verbali i mbajtur në datë 11.03.2013 në zyrën e eprorit në Ministrinë e Brendshme, nuk është evidentuar fakti se, pala paditëse ka paraqitur raport mjekësor nga spitali dhe ka shprehur gatishmërinë për ballafaqim.
- Pala paditëse ka pranuar vetë se është marrë dijeni për pamundësinë e paraqitjes, e justifikuar për arsye shëndetësore gjë që vërtetohet me Njoftimin nr.1570, datë 01.03.2013, Njoftimin nr.1570/2, datë 07.03.2013, Kthim përgjigje nr.1570, datë 01.03.2013, me konfermën postare, Kthim përgjigje shkresës nr.1570/2, datë 07.03.2013 në datë 09.03.2013 me konfermën postare, Depozitimi i raporteve mjekësore nga posta e spitalit datë 11.03.2013 me konfermën postare, Vendimi për marrjen e masës disiplinore datë 25.03.2013 së bashku me procesverbalin datë 11.03.2013.
- Pretendimi për shkeljet e konstatuara në hartimin e projektligjit për “Për Mbrojtjen nga Zjarri dhe Shpëtimi”, nuk qëndron për arsye se, materiali është dërguar për procedurë nga ana e Drejtorit Juridik në përputhje me afatet dhe duke respektuar përgjigjen dhe afatet e përgjigjes nga Ministria e Financave në përmbajtje dhe kohë.
- Pretendohet se nuk është ridërguar për mendim në Ministrinë e Financave, drafti pas shkresës nr.4867/1, datë 18.04.2012 mbi efektet financiare, por në realitet është e kundërta. Ministria e Financave në përgjigje të shkresës sonë datë 16.11.2012 ku kërkohet përsëri mendim, njofton me shkresën e saj nr.4867/3, datë 27.11.2012, se për arsye të efekteve financiare në vlerën prej 17 milion në vit, kërkon reduktimin e gradave në nivelin bazë nga pesë në tre grada, sugjerim i cili është marrë parasysh nga ana jonë, duke e ndryshuar draftin dhe pasqyruar në relacionin përkatës. Projekt-akti është hedhur në sistem qysh në datën 17.12.2012, pasi janë reflektuar mendimet e ministrive, fakt i pranuar nga drejtoria e kabinetit dhe është bllokuar nga ana e saj, në mungesë të informacionit të plotë dhe në përgjegjësinë e plotë të saj.
- Mbi pretendimet për funksionimin e Grupit të Punës “Për negocimin me Morfo (më parë të quajtur Sagem Securite) dhe fondin Shqiptar – Amerikan të ndërmarrjeve, pretendohet shkelje e përgjegjësi e përgjithshme pa saktësuar se çfarë është shkelur konkretisht.
- Është pretenduar rreth projektligjit “Për të Huajt”, se ka pasur disa aspekte juridike, që duheshin trajtuar nga Drejtori Juridik. Për këtë rast ka funksionuar një Grup Pune, në të cilin nuk kam bërë pjesë unë.
- Pretendohet shkelje për projekt ligjin “Për armet”, kur siç dihet është miratuar drafti nga K.Ministrave.
- Pretendohet për mungesa në punë, kur në të gjithë periudhën kohore jam paguar rregullisht, duke mos pasur asnjë mungesë. Për më tepër nuk ka asnjë shkrese zyrtare që të vërtetojë shkeljen apo evidentimin e këtij fakti.
KOLEGJI ADMINISTRATIV I GJYKATËS SË LARTË
pasi dëgjoi relatimin e gjyqtares Evelina Qirjako, përfaqësuesen e palës së paditur, juristen Lira Kolasi që kërkoi prishjen e vendimit të Gjykatës së Apelit Tiranë, dhe rrëzimin e padisë, paditësin Sokol Sheti që kërkoi lënien në fuqi të vendimit të Gjykatës së Apelit Tiranë, dhe si bisedoi çështjen në tërësi,
V Ë R E N
1. Nga aktet e administruara në dosjen gjyqësore, rezulton se paditësi Sokol Sheti ka punuar pranë palës së paditur në detyrën e Drejtorit të Drejtorisë Juridike pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve mbështetëse. Me Vendimin nr.1570/5, datë 25.03.2013 të Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Brendshme ndaj paditësit është marrë masa disiplinore “Largim nga shërbimi civil” e për rrjedhojë me Vendimin nr.1570/9, datë 02.04.2013, është urdhëruar lirimi i tij nga detyra, me arsyetimin “moskryerjen e detyrave, mospjesëmarrje në grup pune, përfshirja në projektligjin për armët e dispozitave të parëna dakord me grupin e punës, mosrespektim i përsëritur i orarit zyrtar dhe sjellje të parregullt me vartësit”.
2. Paditësi Sokol Sheti, i ka kundërshtuar këto Vendime të palës së paditur pranë Komisionit të Shërbimit Civil, duke pretenduar se: « …- Në rastin konkret nuk është zbatuar procedura e parashikuar nga Ligji nr.8549, date 11.11.1999 dhe VKM nr.306, datë 13.06.2000 për fillimin e ecurisë disiplinore dhe marrjen e masës disiplinore. -Ministria nuk ka shpjeguar pse që në fillimin e ecurisë disiplinore nuk janë të përcaktuara e të detajuara “shkeljet” konkrete si dhe me kryesorja të kishte bashkëlidhur materialet provuese. -Ministria nuk ka shpjeguar pse tek proces verbali i mbajtur në datë 11.03.2013 në zyrën e eprorit, nuk është evidentuar fakti se pala paditëse ka paraqitur raport mjekësor nga spitali dhe ka shprehur gadishmerinë për ballafaqim. -Ministria ka pranuar vetë se është marrë dijeni për pamundësinë e paraqitjes e justifikuar për arsye shëndetësore gjë që vërtetohet me Njoftimin nr.1570, datë 01.03.2013, Njoftimin nr.1570/2, datë 07.03.2013, Kthim përgjigje nr.1570, datë 01.03.2013, me konfermën postare, Kthim përgjigje shkresës nr.1570/2, datë 07.03.2013 në datë 09.03.2013 me konfermën postare, Depozitimi i raporteve mjekësore nga posta e spitalit datë 11.03.2013 me konfermën postare, Vendimi për marrjen e masës disiplinore datë 25.03.2013 sëbashku me procesverbalin datë 11.03.2013. - Pretendimi për shkeljet e konstatuara në hartimin e projektligjit për “Për Mbrojtjen nga Zjarri dhe Shpëtimi”, nuk qëndron, për arsye se materiali është dërguar për procedurë nga ana e Drejtorit Juridik në përputhje me afatet dhe duke respektuar përgjigjen dhe afatet e përgjigjes nga Ministria e Financave në përmbajtje dhe kohë. -Pretendohet se nuk është ridërguar për mendim në Ministrinë e Financave drafti pas shkresës nr.4867/1, datë 18.04.2012 mbi efektet financiare, por në realitet është e kundërta. Ministria e Financave në përgjigje të shkresës sonë datë 16.11.2012 ku kërkohet përsëri mendim, njofton me shkresën e saj nr.4867/3, datë 27.11.2012, se për arsye të efekteve financiare në vlerën prej 17 milion në vit, kërkon reduktimin e gradave në nivelin bazë nga pesë në tre grada, sugjerim i cili është marrë parasysh nga ana jonë duke e ndryshuar draftin dhe pasqyruar në relacionin përkatës. Projektakti është hedhur në sistem qysh në datën 17.12.2012, pasi janë reflektuar mendimet e ministrive, fakt i pranuar nga drejtoria e kabinetit dhe është bllokuar nga ana e saj në mungesë të informacionit të plotë dhe në përgjegjësinë e plotë të saj. -Mbi pretendimet për funksionimin e Grupit te Punës “Për negocimin me Morfo (me parë të quajtur Sagem Securite) dhe fondin Shqiptar–Amerikan të ndërmarrjeve, pretendohet shkelje e përgjegjësi e përgjithshme pa saktësuar se çfarë është shkelur konkretisht. –Është pretenduar rreth projektligjit “Për të Huajt” se ka pasur disa Aspekte juridike, që duheshin trajtuar nga Drejtori Juridik. Për këtë rast ka funksionuar një Grup Pune, në të cilin nuk kam bërë pjesë unë. -Pretendohet shkelje për projekt ligjin “Për armet”, kur siç dihet është miratuar drafti nga K.Ministrave. -Pretendohet për pengesa në punë, kur në të gjithë periudhën kohore jam paguar rregullisht duke mos pasur asnjë mungesë. Për me tepër nuk ka asnjë shkrese zyrtare që të vërtetojë shkeljen apo evidentimin e këtij fakti… ».
3. Gjate procedimit administrativ pranë KSHC, pala e paditur ka prapësuar se: “…- Nga ana e jonë janë zbatuar procedurat e parashikuar nga Ligji nr.8549, datë 11.11.1999, “Statusi i nëpunësit civil” dhe VKM nr.306, datë 13.06.2000, “Për disiplinën në shërbimin civil”, duke plotësuar elementet procedural, për fillimin e ecurisë disiplinore dhe marrjen e masës disiplinore. -Personi, ndaj të cilit ka filluar ecuria disiplinore nuk është paraqitur dhe nuk ka njoftuar ndonjë arsye për mosparaqitjen. -Gjatë veprimtarisë së tij si Drejtor i Drejtorisë Juridike janë vërtetuar shkelje të ndryshme, të cilat konsistojnë në:
-
Në ripunimin e variantit përfundimtar të projektligjit për armët, personi ankues Sokol Sheti nuk ka mbajtur parasysh porosinë e mbledhjes së Këshillit të Ministrave për kufizimin e numrit të subjekteve që kanë të drejtë të mbajnë armë.
-
Projektligji "Për mbrojtjen nga zjarri dhe shpëtimi", nuk është ridërguar për mendim në Ministrinë e Financave.
-
Projektligji "Për të huajt" është bllokuar nga kabineti i Ministrit sepse duheshin vlerësuar disa aspekte juridike.
-
Komunikim i parregullt dhe paraqitje me vonesë në vendin e punës.
-
Paditësi ka munguar në takimet e grupit të punës për kontratën koncensionare Safran, në Hotel “Tirana”.
4. Komisioni i Shërbimit Civil me Vendimin nr.100, datë 16.05.2013, ka vendosur:
-
Pranimin e ankesës së Sokol Sheti.
-
Shfuqizimin e aktit nr.l570/5, datë 25.03.2013 të Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë të Brendshme, për dhënie mase disiplinore "Largim nga shërbimi civil", si të pabazuar në ligj e në prova.
-
Shfuqizimin e aktit nr.1570/9, datë 02.04.2013 të Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë të Brendshme, për ndërprerjen e marrëdhënieve financiare, kthimin e ankuesit në pozicionin e punës Drejtor i Drejtorisë Juridike, në Ministrinë e Brendshme, si dhe pagimin e pagës për të gjithë kohën, duke filluar nga moment i ndërprerjes së marrëdhënieve financiare, deri në zbatimin e këtij vendimi.
-
Të njoftohen për këtë vendim: ankuesi Sokol Sheti; Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë të Brendshme dhe Departamenti i Administratës Publike.
4/1. KSHC arsyeton se: “Vendimet nr.1570/5, datë 25.03.2013 dhe nr.1570/9, datë 02.04.2013 të palës së paditur (Sekretarit të Përgjithshëm), janë marre duke mos u respektuar kërkesat e parashikuara ne nenin “25/2” te Ligjit nr.8549, date 11.11.1999 "Statusi i nëpunësit civil", si dhe nenit “7/2” te VKM nr.306, date 13.06.2000 "Për disiplinën ne shërbimin civil", te cilat i garantojnë nëpunësit te drejtën për t'u informuar, për t'u dëgjuar, për t'u mbrojtur dhe për t'u ankuar.. ...ndonëse ecuria disiplinore ka filluar me veprim te drejtpërdrejte te eprorit direkt, nuk rezulton te ketë një akt apo vendim për fillim te ecurisë disiplinore ndaj ankues”... Kështu, pala e paditur ka parashtruar se ne ripunimin e variantit përfundimtar te projektligjit “Për armët”, Sokol Gjeti nuk ka mbajtur parasysh porosinë e mbledhjes se Këshillit te Ministrave për kufizimin e numrit te subjekteve qe kane te drejte te mbajnë arme. Nga aktet ne dosje, rezulton se procedurat e përgatitjes se projektligjit "Për armët" kane filluar ne muajin Qershor te vitit 2010 dhe sipas shkresës nr.3816/1, date 12.06.2010 te Sekretarit te Përgjithshëm te Ministrisë se Brendshme drejtuar disa ministrive dhe institucioneve për caktimin e anëtareve ne grupin e punës, është ngritur një grup pune ne nivel ekspertesh.Ne përfundim te procedurave te ndjekura institucionet përkatëse kane njoftuar zyrtarisht (shiko shkresat ne dosje) për miratimin e projektligjit. Me tej, Projektligji është diskutuar ne mbledhjen e Këshillit te Ministrave te datës 02.11.2012, ku është konkluduar (shiko shkresën nr.3355/1, date 08.11.2012 te Sekretarit te Përgjithshëm te Këshillit te Ministrave), qe t’i përcillet porosi Ministrisë se Brendshme dhe Ministrisë se Drejtësisë qe " ... projektligji te zbardhet pasi te rishqyrtohen dhe vlerësohen vërejtjet e Ministrisë se Drejtësisë dhe, bashkërisht te pranohet varianti përfundimtar për zbardhje. Gjate rishqyrtimit ... te mbahet ne konsiderate porosia për kufizimin e numrit te subjekteve qe kane te drejte te mbajnë arme". Pikërisht mosreflektimi ne variantin përfundimtar te projektligjit është konsideruar nga pala e paditur si shkelje disiplinore për ankuesin. Mirëpo, duke pare aktet e administruara ne dosje, rezulton se Ministria e Drejtësisë me shkresën nr.3610/2, date 11.07.2012, ka dhëne mendime për projektligjin për piken “10/2”, duke sugjeruar qe lista e subjekteve qe duhet te pajisen me arme te jete shteruese dhe te mos beje referime ne akte te tjera ligjore apo nënligjore. Ne kushtet kur varianti përfundimtar për zbardhje te projektligjit ishte se duhet te pranohej nga te dyja dikasteret, mbas marrjes se përgjigjes nga Ministria e Drejtësisë, praktika i është dërguar zyrtarisht Sekretarit te Përgjithshëm te Këshillit te Ministrave, duke sugjeruar vijimin e procedurave nga ana e këtij institucioni (shiko shkresën nr.7147/1, date 22.11.2012 "Kthim përgjigje" e Ministrisë te Drejtësisë dhe shkresën nr.1042/27, date 07.12.2012 "Mbi zbardhjen e një projektvendimi”).Ne analizën sa me sipër, del qarte se te gjitha procedurat e ndjekura për hartimin e projektligjit si dhe versioni përfundimtar i tij, janë miratuar nga përfaqësuesit e te dy dikastereve te linjës pa vërejtje. ...Me pas, pala e paditur Ministria e Brendshme ka parashtruar se projektligji "Për mbrojtjen nga zjarri dhe shpëtimi", nuk është ridërguar për mendim ne Ministrinë e Financave, gjë qe sipas saj ngarkon me përgjegjësi ankuesin ne cilësinë e Drejtorit te Drejtorisë Juridike.... grupi i punës për hartimin e këtij projektligji, ngritur me Urdhrin nr.354, date 03.10.2011 te Ministrit te Brendshëm, ka mbajtur korrespondence bashkëpunimi me disa dikastere, nder te cilët edhe me Ministrinë e Financave. Sikundër del nga aktet ne dosje, me shkresën nr.4867/1, date 18.04.2012 është dërguar mendimi për projektligjin. Ministria e Financave ka kërkuar pasqyrimin e një përllogaritje te efekteve financiare te tij. Për ketë, pavarësisht se ankuesi Sokol Gjeti nuk ka qene pjese e grupit te punës, ai ka organizuar punën dhe projektligji se bashku me relacionin shpjegues, rezulton t’i jete dërguar Ministrisë se Financave me shkresën nr.397/17, date 16.11.2012 te Ministrit, gjë qe do te thotë se nuk qëndron pretendimi për shkelje te tij.. Me tej akoma, Ministria ka pretenduar se projektligji "Për te huajt" është bllokuar nga kabineti i Ministrit dhe shkak për ketë ka qene se duheshin vlerësuar disa aspekte juridike, te cilat ngarkonin me përgjegjësi ankuesin ne cilësinë e Drejtorit te Drejtorisë Juridike....rreth pretendimit se ankuesi ka munguar ne takimet e grupit te punës për kontratën koncensionare “Safran”, ne Hotel Tirana. .. ankuesi nuk vërteton me asnjë akt se ka patur një grup pune, pozicionin e ankuesit ne te, mbledhjet e realizuara, si dhe rastet e mosparaqitjes....persa i përket rastit kur një nga vartësit i ka kërkuar ankuesit te justifikoje mungesën ne pune për shkak te pjesëmarrjes ne një seminar jashtë vendit, sipas nenit “13” te Rregullores se Brendshme te Ministrisë, “për çdo shërbim jashtë shtetit, nëpunësit e çdo niveli duhet te marrin miratim me shkrim tek drejtuesi me i larte i institucionit dhe ne te gjitha rastet titullarit i paraqitet paraprakisht mendimi nga Sekretari i Përgjithshëm”. Sa me sipër, del qarte se nuk është ankuesi ne cilësinë e Drejtorit te Drejtorisë Juridike qe te motivoje apo justifikoje mungesën për rastin ne fjale...Nga ana tjetër, persa i përket pretendimit për paraqitje me vonese ne pune, duke pare sistemin e te dhënave te Drejtorisë se IT, konstatohet vetëm një rast ne datën 03.01.2013, si regjistrim i ankuesit për hyrje ne postobllok ne orën 10:37. Për me tepër, nuk rezulton qe ankuesi te jete vene ne dijeni për ketë rast. Sikundër shihet nga e gjithë analiza e mësipërme, nuk konstatohen ne veprimet e ankuesit moskryerje te detyrave apo mangësi te tilla, qe te sjellin për pasoje marrjen e masës disiplinore “Largim nga shërbimi civil”. Përkundrazi, duke pare aktet ne dosje, rezulton se gjate gjithë periudhës ne detyre, ankuesi është vlerësuar për rezultate te larta, gjë qe konfirmohet nga Referenca nr.7864, date 12.11.2012 lëshuar nga Sekretari i Përgjithshëm. Dhe mbajtja parasysh e rezultateve te vlerësimit individual për nëpunësin e shërbimit civil, kur ndërmerret veprim për marrjen e një mase disiplinore, është një detyrim qe përcaktohet edhe ne kërkesat e pikës “6” te VKM nr.306, date 13.06.2000. Sa u tha dhe u analizua, ...nuk konkurojne shkelje te disiplinës ne ushtrimin e detyrës se tij, gjë qe çon ne përfundimin se Vendimet nr.1570/5, date 25.03.2013 dhe nr.1570/9, date 02.04.2013 te Sekretarit te Përgjithshëm te Ministrisë se Brendshme për “Largim nga shërbimi civil” dhe “Largimin nga detyra” te ankuesit, janë nxjerre te pamotivuara e për rrjedhoje, ne kundërshtim me kërkesat e Ligjit nr.8549, date 11.11.1999 “Statusi i Nëpunësit Civil” dhe VKM nr.306, date 13.06.2000 “Për disiplinën ne shërbimin civil”.
5. Gjykata e Apelit Tiranë, me vendimin nr.72, datë 26.09.2013 ka vendosur:
-Lënien në fuqi të Vendimit nr.100, datë 16.05.2013 të Komisionit të Shërbimit Civil.
-Kundër vendimit mund të bëhet rekurs në Gjykatën e Lartë.
5/1. Kjo gjykatë ka përdorur këtë arsyetim: “...Gjykata e Apelit çmon te drejte arsyetimin qe behet ne Vendimin e Komisionit te Shërbimit Civil...nga ana e palës se paditur nuk janë mbajtur parasysh kërkesat e nenit “20” te Kodit te Procedurave Administrative, sipas te cilave “te gjithë pjesëmarrësit ne një procedure administrative kane te drejte te marrin informacion dhe te njihen me dokumentet e përdorura ne ketë procedure, përveç rasteve kur me ligj janë vendosur kufizime”....ne veprimet qe lidhen me nisjen e procedurës disiplinore ndaj nëpunësit civil, konkretisht Sokol Gjeti, nuk janë mbajtur parasysh te drejtat e tij për t’u njohur paraprakisht me te gjitha veprimet apo mosveprimet, qe sipas palës se paditur përbejnë shkelje te disiplinës ne detyre....Drejte arsyeton Komisioni i Shërbimit Civil ne vendimin e tij, se ne kundërshtim me sa pretendon pala e paditur ne ankim, ne te gjithë procedurën disiplinore administrative te ndjekur ndaj ankuesit qe materializohet ne shkresën nr.l570, date 01.03.2013 "Njoftim për fillimin e ecurisë se procedurës disiplinore", shkresën nr.1570/2, date 07.03.2013 "Njoftim për shtyrjen e seancës", Procesverbali date 11.03.2013 “Për shqyrtimin e shkeljes disiplinore", si dhe Vendimi nr.1570/5, date 25.03.2013 “Për marrje mase disiplinore”, nuk është mbajtur parasysh fakti se ankuesi ka qene ne pamundësi objektive për t’u paraqitur për shkak se ishte i shtruar ne spital. .. Qenia e tij ne paaftësi për t’u paraqitur ne detyre për arsye shëndetësore, është konfirmuar gjate shqyrtimit te çështjes me raportet mjekësore nr.rregjistri 977, date 26 Shkurt 2013, lëshuar nga Qendra Shëndetësore nr.9 Tirane, sipas te cilave ankuesi ka qene i paafte për pune ne datat 26, 27 dhe 28 Shkurt 2013; me Raportet me nr.rregjistri 676485, date 08.03.2013 dhe nr.rregjistri 676485, date 11.03.2013 te lëshuar nga Qendra Spitalore Universitare Tirane, për paaftësi nga data 01.03.2013, deri ne datën 25.03.2013. ... Sa me sipër, ne kundërshtim me sa pretendon pala e paditur ne ankimin e saj, i është bere e ditur duke depozituar raportet, mbasi sikundër del nga aktet ne dosje, ato janë paguar ne mënyre te rregullt, gjë qe konfirmohet nga shkresa nr.1570/14, date 06.05.2013 "Informacion mbi pagesën e zotit Sokol Gjeti”.....Gjykata e Apelit Tirane, çmon objektive dhe ligjore arsyetimin e përfundimet qe arrihen ne vendimin e Komisionit te Shërbimit Civil, lidhur me analizën qe i behet shkeljeve konkrete te pretenduara nga ana e palës se paditur, se janë kryer nga pala paditëse”.
6. Kundër këtij vendimi ka ushtruar të drejtën e rekursit pala e paditur Ministria e Brendshme, që kërkon prishjen e vendimit të Gjykatës së Apelit Tiranë dhe rrëzimin e padisë, për ato shkaqe që pasqyrohen në pjesën hyrëse të këtij vendimi. Paditësi Sokol Gjeti ka paraqitur kundërankim, duke kërkuar mospranimin e rekursit të paraqitur nga Ministria e Brendshme.
7. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, vlerëson se, rekursi i paraqitur nga pala e paditur Ministria e Brendshme, nuk përmban shkaqe ligjore nga ato të parashikuara në nenin 58 të Ligjit nr.49/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”, të cilat çojnë në cënimin e vendimit të Gjykatës së Apelit Tiranë. Ky Kolegj, çmon se, vendimi i Gjykatës së Apelit Tiranë është marrë në zbatim të drejtë të ligjit procedurial dhe atij material dhe për rrjedhojë, ai duhet të lihet në fuqi.
8. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, duke iu referuar akteve që ndodhen në dosjen gjyqësore, ndan të njëjtin mendim me Gjykatën e Apelit Tiranë dhe arrin në të njëjtin konkluzionion me të se, shkaqet për të cilat është marrë vendimi për masë disiplinore ndaj paditësit, nuk përbëjnë fakte që përligjin masën e largimit nga shërbimin civil.
9. Referuar shkakut ligjor të kërkimeve të paditësit, Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, çmon se në çështjen objekt gjykimi, paditësi kërkon të rivendosë në vend, të drejtat që gëzon punonjësi i administratës shtetërore me statusin e nëpunësit civil, të drejta këto, të cilat paditësi pretendon se i janë cënuar nga pala e paditur, Ministria e Brendshme.
10. Ky Kolegj, fillimisht çmon të theksojë se, administrimi i shërbimit civil udhëhiqet nga ligji dhe bazohet në parimin e shanseve të barabarta, mosdiskriminimit, meritës, transparencës, profesionalizmit dhe paanësisë politike, si dhe garanton qëndrueshmërinë në detyrë të nëpunësit civil dhe vazhdimësinë e shërbimit civil. Qëndrueshmëria në detyrë është një prej elementëve thelbësore të legjislacionit që rregullon statusin e nëpunësve civile, si dhe të subjekteve që gëzojnë këtë status, për arsye se, ka lidhje të drejtëpërdrejtë me zbatimin dhe respektimin e parimit të një administrate të përgjegjshme, e cila gjatë kryerjes së detyrave të saj, zbaton me profesionalizëm, integritet dhe korrektësi kuadrin ligjor në mbrojtje të interesave publikë dhe atyre privatë. Për të garantuar një administratë të përgjegjshme publike, është e rëndësishme që të krijohen garancitë e nevojshme me qëllim palëvizshmërinë nga detyra të nëpunësve publikë të specializuar në fushën përkatëse, përveç rasteve të shkeljeve, të parashikuara shprehimisht në ligj.
11. Nisur nga rëndësia e madhe që paraqet respektimi dhe mbrojtja e interesave të nëpunësve civilë që punojnë në administratën publike, si dhe fakti që ata të mos bëhen pre e abuzimit nëpërmjet largimit të tyre në mosrespektim të ligjit, Ligji nr.8549, date 11.11.1999 “Statusi i nëpunësit civil”, ka si qëllim përcaktimin e rregullave të njëjta për kushtet dhe procedurat e pranimit në shërbimin civil, për mënyrën e fillimit dhe mbarimit të marrëdhënieve të punës, për zhvillimin e karrierës, për garantimin e të drejtave dhe përcaktimin e detyrimeve të nëpunësve civilë, për vlerësimin e ecurisë në punë, me synim krijimin e një shërbimi civil të qëndrueshëm, profesional dhe efecient.
12. Përveç sa më sipër, në këtë ligj, është përcaktuar qartë krijimi i Komisionit të Shërbimit Civil, i cili sipas nenit 8 të Ligjit nr.8549, datë 11.11.1999 “Statusi i nëpunësit civil”, ka këto kompetenca: “... a) zgjidh ankesat ndaj vendimeve lidhur me pranimin në shërbimin civil, periudhën e provës, ngritjen në detyrë, lëvizjen paralele, vlerësimin, masat disiplinore dhe të drejtat e nëpunësit civil...”. Në analizë të dispozitës së mësipërme, rezulton se është kompetencë e KSHC, zgjidhja e çdo ankese ndaj vendimeve të administratës publike në lidhje me nëpunësit civil dhe çdo pretendimi që rrjedh nga të drejtat e nëpunësit civil. Të drejtat e paditësit si punonjës civil, janë shqyrtuar nga KSHC në bazë të ankimit të tij dhe me vendimin nr.100, datë 16.05.2013 të Komisionit të Shërbimit Civil, ky i fundit ka vendosur për zgjidhjen e pretendimeve të paditësit në përputhje me Ligjin nr.8549, datë 11.11.1999 “Statusi i nëpunësit civil” dhe në bazë të kompetencave dhënë këtij organi me ligj.
13. Rezulton nga aktet e dosjes gjyqësore që, janë marrë në shqyrtim nga Gjykata e Apelit Tiranë se paditësit i është dhënë masa disiplinore “largim nga shërbimi civil” me aktin administrativ nr.1570/5, datë 25.03.2013 të Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Brendshme (eprori direkt i paditësit), dhe me Vendimin nr.1570/9, datë 02.04.2013, është urdhëruar lirimi i tij nga detyra, me arsyetimin “moskryerjen e detyrave, mospjesëmarrje në grup pune, përfshirja në projektligjin për armët e dispozitave të parëna dakord me grupin e punës, mosrespektim i përsëritur i orarit zyrtar dhe sjellje të parregullt me vartësit”.
14. Referuar nenit 25 të Ligjit nr.8549, datë 11.11.1999 “Statusi i nëpunësit civil”, nëpunësit civil i jepen masa disiplinore për (i) mosplotësimin e detyrave funksionale , (ii) për thyerjen e disiplinës në punë dhe të rregullave të etikës, (iii) si dhe në raste të tjera të parashikuara nga ky ligj. Llojet e masave disiplinore janë: a) Vërejtje me shkrim; b) Vërejtje me paralajmërim; c) Pezullimi nga e drejta e ngritjes në detyrë, për një periudhë deri në dy vjet; ç) Kalimi në një detyrë të një niveli apo klase më të ulët për një periudhë nga 30 ditë deri në 1 vit; d) Largimi nga shërbimi civil.
15. Procedurat që duhen ndjekur për fillimin e ecurisë disiplinore ndaj një nëpunësi civil, përcaktohen në VKM nr.306, datë 13.06.2000 “Për disiplinën në shërbimin civil”, në pikën 2 të te cilit parashikohet se: “Ecuria disiplinore fillon nga eprori i drejtpërdrejtë i nëpunësit civil, me vetëveprimin e drejtpërdrejtë të eprorit ose me kërkesën drejtuar atij, nga çdo organ apo person i interesuar”; pikën 3, në të cilën parashikohet se: “Kërkesa duhet të plotësojë këto kushte: a) Të jetë me shkrim; b) Të identifikojë nëpunësin civil, i cili pretendohet se ka kryer shkeljen disiplinore; c) Të përcaktojë veprimin konkret, që pretendohet se përbën shkelje disiplinore dhe rrethanat e kryerjes së tij”; dhe pikën 4 të saj, në të cilën parashikohet se: “Kur eprori i drejtpërdrejtë vendos fillimin e ecurisë disiplinore njofton menjëherë, me shkrim, nëpunësin civil; a) për të drejtën që ai ka, për të paraqitur me shkrim sqarimet e tij rreth shkeljes se pretenduar, afatin deri kur duhet të paraqitet ky sqarim; b) për të drejtën që ai ka të dëgjohet, ai vetë apo me përfaqësues ligjor, dhe për të paraqitur dëshmitare; c) për datën kur do të shqyrtohet shkelja e pretenduar. Kjo datë nuk mund të caktohet, më vonë se 8 ditë, nga marrja e njoftimit.”.
16. Referuar dispozitave ligjore të cituara më lart, si dhe provave shkresore që ndodhen në dosjen gjyqësore dhe që janë administruar nga gjykatat me të ulëta, rezulton se pala e paditur në këtë gjykim, në kundërshtim me ato që pretendon në rekursin e paraqitur, nuk ka përmbushur dhe plotësuar asnjë nga këto kushte dhe kritere ligjore që parashikon ligji.
17. Ky Kolegj, vlerëson të theksojë se, procedura e parashikuar në pikën 2 të VKM nr.306, datë 13.06.2000 është një procedurë e detyrueshme për t’u respektuar dhe përmbushur nga ana e punëdhënësit. Mosrespektimi i saj e bën aktin e nxjerrë nga punëdhënësi të pavlefshëm. Ky Kolegj, e vlerëson të domosdoshme që të theksojë faktin se, mungesa e respektimit të procedurës për marrjen e masës disiplinore ndaj një nëpunësi civil, passjell edhe mosevidentim të saktë të shkeljeve të pretenduara ndaj tij, shkallën e rëndësisë së tyre, si dhe llojin e masës që duhet të merret për këto shkelje, duke mbetur këto shkelje me karakter të njëanshëm dhe deklarativ, përsa kohë ato nuk janë diskutuar, trajtuar dhe vlerësuar midis eprorit të drejtpërdrejtë dhe nëpunësit civil. Jo më kot, ligjvënësi ka përcaktuar në mënyrë të prerë dhe të qartë se, respektimi i njoftimit dhe procedurës për fillimin e ecurisë disiplinore duhet të respektohet detyrimisht, pasi ky fakt ndikon dhe kushtëzon qartësisht edhe trajtimin e saktë të shkaqeve dhe rrethanave që detyrojnë ose obligojnë një epror (titullar) për të iniciuar dhe filluar ecurinë disiplinore ndaj një nëpunësi civil, fusha e veprimit të cilëve mund të ketë karakter specifik.
18. Diskutimi dhe trajtimi i këtyre shkaqeve fillimisht midis strukturave brenda shërbimit civil, është garanci që rasti do të marrë një trajtim specifik dhe profesional, brenda natyrës dhe detyrave funksionale të strukturës së shërbimit civil, gjë e cila do të ndikojë ndjeshëm në objektivitetin e gjykimit nga vetë kjo strukturë, por edhe nga strukturat e tjera të cilat mund ta shqyrtojnë këtë procedurë gjatë kontrollit hierarkik administrativ (nga ana e Komisionit të Shërbimit Civil) apo gjatë kontrollit gjyqësor (nga ana e gjykatave).
19. Në çështjen objekt gjykimi, rezulton nga aktet e administruara në dosjen gjyqësore se, në marrjen e vendimit për largimin nga shërbimi civil të paditësit, pala e paditur Ministria e Brendshme nuk ka respektuar procedurat e parashikuara shprehimisht në ligj, duke cënuar të drejtat e paditësit për t’ia nënshtruar një procesi të rregull administrativ. Rezulton e vërtetuar nga aktet e dosjes gjyqësore se, në të gjithë procedurën disiplinore administrative të ndjekur ndaj paditësit nga ana e Ministrisë së Brendshme, të fiksuar në shkresën nr.l570, datë 01.03.2013 "Njoftim për fillimin e ecurisë së procedurës disiplinore", shkresën nr.1570/2, datë 07.03.2013 "Njoftim për shtyrjen e seancës", Procesverbali datë 11.03.2013 “Për shqyrtimin e shkeljes disiplinore", si dhe Vendimi nr.1570/5, datë 25.03.2013 “Për marrje mase disiplinore”, nuk është mbajtur parasysh fakti se, ankuesi ka qenë në pamundësi objektive për t’u paraqitur , për t’u dëgjuar, për të dhënë objeksionet dhe kundërshtimet e tij për shkak të gjendjes së tij shëndetësore. Rezulton se gjatë kësaj periudhe, paditësi ka qenë i sëmurë siç rezulton nga raportet mjekësore nr.regjistri 977, datë 26 Shkurt 2013, lëshuar nga Qendra Shëndetësore nr.9 Tiranë, sipas të cilave, ankuesi ka qenë i paaftë për punë në datat 26, 27 dhe 28 Shkurt 2013; ndërsa me Raportet me nr.regjistri 676485, datë 08.03.2013 dhe nr.regjistri 676485, datë 11.03.2013 të lëshuar nga Qendra Spitalore Universitare Tiranë, për paaftësi nga data 01.03.2013, deri në datën 25.03.2013.
20. Shqyrtimi i marrjes së masës disiplinore nga ana e palës së paditur në mungesë të paditësit, dhe marrja e saj në një kohë të papërshtatshme për të (për shkak të gjendjes shëndetësore), ka cenuar të drejtën e këtij të fundit për t’u dëgjuar për t’u njohur me materialet që e ngarkonin me përgjegjësi disiplinore, për të realizuar të drejtën e mbrojtjes ndaj tyre, si dhe për të patur një proces të rregullt e mbrojtje efektive, të drejta këto të parashikuara shprehimisht në nenin 25, pika 2 të Ligjit nr.8549, datë 11.11.1999 “Statusi i nëpunësit civil” si dhe pikës 2, 3 dhe 4 të VKM nr.306, datë 13.06.2000 “Për disiplinën në shërbimin civil”.
21.Duke ballafaquar këtë moment me dispozitat e ligjit që rregullojnë marrëdhënien e punës në shërbimin civil, Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, vlerëson se, jemi para rastit të zbatimit të gabuar të ligjit nga ana e palës së paditur. Në lidhje me këtë konstatim, sqarojmë se, në nenin 25 të Ligjit nr.8549, datë 11.11.1999 “Statusi i Nëpunësit Civil”, ligjvënësi ka parashikuar në mënyrë të posaçme institutin e “disiplinës në shërbimin civil”. Masat disiplinore të parashikuara në këtë ligj, jepen sipas një procedurë të caktuar, e cila garanton të drejtën e nëpunësit civil për t’u njohur me pretendimet e eprorit të drejtpërdrejtë, për t’u shprehur në lidhje me to dhe për tu ankuar. Në rastin e aplikimit të masave disiplinore është mjaft e rëndësishme që të kihet parasysh ku qëndron shkelja e kryer nga paditësi si dhe vlerësimi i saktë i shkallës së fajësisë së nëpunësit, i cili duhet të jetë konkret, i identifikueshëm dhe në përputhje me pikën 1 të VKM nr.306, datë 13.06.2000 “Për disiplinën në shërbimin civil”. Jo pa qëllim, nëpërmjet këtij akti nënligjor është kërkuar zbatimi i procedurës në aplikimin e masës disiplinore, pasi një gjë e tillë, është baza e një procesi administrativ të drejtë dhe të paanshëm.
22. Në kuptim të sa më sipër, rezulton qartë se për paditësin nuk janë respektuar procedurat që duhen ndjekur për dhënien e masës disiplinore largim nga shërbimi civil në bazë të nenit 25 të Ligjit nr.8549, datë 11.11.1999 “Statusi i nëpunësit civil”, si dhe pikës 2, 3 dhe 4 të VKM nr.306, datë 13.06.2000 “Për disiplinën në shërbimin civil”. Në këto kushte, Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë vlerëson se, vendimi nr.1570/5, datë 25.03.2013 “Për marrje mase disiplinore”, është nxjerrë në kundërshtim me procedurën e parashikuar në ligj, duke bërë që ky vendim të jetë absolutisht i pavlefshëm sipas nenit 116/c të K.Pr.Administrative, ku shprehimisht thuhet: “Aktet administrative do të quhen absolutisht të pavlefshme, në kuptimin e këtij Kodi, në rastet e mëposhtme: c) kur akti është nxjerrë në kundërshtim me formën dhe proçedurën e kërkuar nga ligji”.
23. Përveç sa më sipër, Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, vlerëson se dhe shkaqet për të cilat ana e paditur ka marrë vendimin nr.1570/9, datë 02.04.2013 të Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë të Brendshme për lirim nga detyra dhe ndërprerjen e marrëdhënieve financiare, nuk janë të bazuara në ligj dhe në provat shkresore të administruara në dosjen gjyqësore.
24. Referuar nenit 21 të Ligjit nr.8549, datë 11.11.1999: “1. Nëpunësit civilë largohen nga shërbimi civil: a) kur japin dorëheqjen; b) kur mbushin moshën e pensionit; c) kur bëhen të paaftë përgjithmonë për të kryer detyrat e tyre zyrtare, për shkak të kushteve shëndetësore; ç) kur dënohen me vendim të formës të prerë të gjykatës me heqje lirie; d) kur konkludohet paaftësia për të kryer detyrat e tyre, të paktën, pas dy vlerësimeve negative të njëpasnjëshme të rezultateve në punë; dh) në rastet e parashikuara nga neni 23 i këtij ligji,(ristrukturimi); e) kur konstatohet papërshtatshmëria me vendin e punës, sipas nenit 24 të këtij ligji (lëvizja ne detyre); ë) kur merret ndaj tyre masa disiplinore e largimit nga shërbimi civil, nga organi kompetent, sipas procedurave të parashikuara në nenin 25 të këtij ligji”.
25. Në analizë të dispozitës së mësipërme, dhe siç u përmend dhe më lart në këtë vendim, masa disiplinore largim nga shërbimi civil për shkak të paaftësisë në punë, siç është dhënë në rastin konkret nga ana e paditur, merret nga eprori direkt sipas një procedure të caktuar shprehimisht në ligj, me kusht që për punonjësin civil të jenë marrë dy vlerësime negative të njëpasnjëshme. Në bazë të udhëzimit nr.2/2000 të Këshillit të Ministrave, vlerësimi është 1 – shumë mirë; 2- mirë; 3 – mjaftueshëm/kënaqshëm; 4 – jomjaftueshëm (negativ).
26. Në referim të akteve të administruara në dosjen gjyqësore dhe marrë në shqyrtim nga KSHC dhe Gjykata e Apelit Tiranë, sa i përket shkaqeve të përdorura nga pala e paditur për dhënien e masës disiplinore ndaj paditësit “largim nga shërbimi civil”, Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, vlerëson se këto shkaqe nuk janë të bazuara në ligj dhe në prova. Ky Kolegj, i çmon të drejta konkluzionet e arritura nga KSHC në vendimin nr.100, datë 16.05.2013 se, paditësi ka ushtruar me korrektësi dhe përgjegjësi detyrat e tij përsa i takon procedurave për hartimin e projekt ligjit për armët, projekt ligjin për mbrojtjen nga zjarri, projekt ligji për të huajt, ndërsa në kontratën me subjektin Morpho, paditësi nuk ka qenë në grup pune.
27. Konkretisht, rezulton nga provat e administruara në dosjen gjyqësore se, procedura e përgatitjes së projektligjit për armët ka nisur në qershor 2010. Në datë 12.06.2010, Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë ia ka dërguar projekt ligjin gjithë ministrive përkatëse , ku u kërkohet të caktojnë ekspertë për grupin e punës. Në datë 26.7.2010, kanë filluar mbledhjet e grupit të punës (janë mbajtur tre mbledhje datë 28.07.2010, datë 09.11.2010, datë 19.12.2011). Në datë 27.12.2011, drafti i projektligjit u dërgohet për mendim ministrive përkatëse, të cilat, deri në datë 02.11.2012 kanë dhënë mendimet e tyre. Ky projektligj është miratuar në parim nga Këshilli i Ministrave në datën 02.11.2012, ku janë lënë dhe disa detyra (të pasqyrohen sugjerimet e Ministrisë së Drejtësisë, si dhe të kufizohen numri i mbajtësve të armëve). Pasi janë kryer detyrat e lëna duke u pasqyruar në projektligj, ky i fundit i është dërguar për mendim ministrive; Ministria e Drejtësisë në shkresën datë 11.07.2012 shprehet se janë reflektuar sugjerimet e saj dhe te vazhdohet për miratim ne Këshill të Ministrave si dhe orienton që lista e mbajtësve të armëve të jetë shteruese. Pas këtij momenti, projektligji është përcjellë në Kuvendin e Shqipërisë dhe pasi ka kaluar procedurat e shqyrtimit në komisionet përkatëse, është miratuar. Vetë ministri i kohës e ka mbrojtura projektligjin gjatë procesit të shqyrtimit të tij, në komisionet e Kuvendit.
28. Në lidhje me projektligjin për mbrojtjen nga zjarri, nuk rezulton që paditësi të ketë qenë në grupin e punës; pretendimi i palës së paditur ka qenë që paditësi nuk i ka dërguar për mendim këtë projektligj Ministrisë së Financave. Nga aktet e dosjes gjyqësore, rezulton se Ministrisë së Financave, ky projekt ligj i është dërguar me shkresën 16.11.2012 dhe kjo Ministri ka dhënë opinionin e saj me përgjigjen datë 18.11.2012 dhe 27.11.2012, ku shprehet se janë reflektuar komentet dhe projektligji të kalojë për miratim. Ndërsa për sa i takon procedurave për projektligjin për të huajt, ku kryetar grupi ka qenë Z. Ndoci, nga aktet e dosjes gjyqësore, rezulton se, ka një korrespondencë ku paditësi ka kërkuar të përshpejtohen procedurat përkatëse, në mënyrë që projektligji të miratohet sa më parë. Në lidhje me mungesat e paditësit në punë në datën 25.2.2013, të pretenduara nga ana e paditur , rezulton se vërtet ai në këtë ditë nuk qenë në punë, pasi ai në po këtë ditë ka përfaqësuar Ministrinë në Komisionin e Ligjeve dhe në Komisionin e Integrimit në Kuvendin e R.Sh, (shih procesverbalet e mbledhjeve të komisioneve depozituar në dosjen gjyqësore).
29. Nga aktet e dosjes gjyqësore, rezulton gjithashtu se: i) paditësi ka patur vlerësime shumë mirë në punë, vit pas viti nga eprorët direkt (fq. 189 e vijim e dosjes gjyqësore); ii) ka qenë kandidat për Sekretar të Përgjithshëm të Ministrisë së Brendshme, ku dhe është renditur i treti në listën e fituesve, (fq. 180 e dosjes gjyqësore); iii) ka referenca vlerësimi profesional nga eproret e tij dhe vetë Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Brendshme, (fq. 200 e dosjes gjyqësore); iv) ka marrë pjesë në shumë grupe pune për hartimin e akteve të rëndësishme, që kanë kaluar fazat e shqyrtimit dhe janë miratuar nga organet kompetente; fakte të gjitha këto, që tregojnë për një nëpunës civil me aftësi profesionale dhe të përgjegjshëm në ushtrimin e detyrave të tij.
30. Në kuptim të sa më sipër, rezulton qartë se për paditësin nuk plotësohen kushtet për dhënien e masës disiplinore “largim nga shërbimi civil” në bazë të nenit 25 të Ligjit nr.8549, date 11.11.1999 “Statusi i nëpunësit civil”. Si rrjedhojë, Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë çmon të drejtë dhe të bazuar në ligj vendimin e KSHC nr.100, datë 16.05.2013 si dhe vendimin e Gjykatës së Apelit Tiranë, që ka lënë në fuqi këtë vendim.
PËR KËTO ARSYE
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë mbështetur në nenin 63 të Ligjit 49/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”,
V E N D O S I
Lënien në fuqi të vendimit nr.72, datë 26.09.2013 të Gjykatës së Apelit Tiranë.
Tiranë, më 03.11.2015
Nr. 11243-00613-00-2012 i Regj. Themeltar
Nr. 00-2015-3669 i Vendimit (576)
Do'stlaringiz bilan baham: |