VENDIM
NË EMËR TË REPUBLIKËS
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, i përbërë prej:
Ardian Dvorani Kryesues
Arjana Fullani Anëtare
Andi Çeliku Anëtar
Mori në shqyrtim në dhomën e këshillimit të datës 05.11.2015, çështjen administrative që i përket:
PADITËS: VASILLAQ VESHI
I PADITUR: DREJTORIA RAJONALE E SIGURIMEVE SHOQËRORE TIRANË
OBJEKTI I PADISË:
Të paguajë diferencat e masës së pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi,
të krijuar nga zbatimi i gabuar i Nenit 11 germa a dhe b e Ligjit nr.8087 dt. 13.03.1996
“Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakeve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, të ushtarakeve të Ministrisë së Rendit Publik dhe Shërbimit Informativ Kombëtar” i ndryshuar me Ligjin nr.8521 dt. 30.07.1999 me efekt veprues
nga dt. 01.01.1999 (Periudha e plotë 01.01.1999 deri me 01.03.2009 e trajtimit
me pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi sipas Ligjit nr.8087 dt. 13.03.1996 i ndryshuar me Ligjin nr.8521 dt. 30.07.1999)
Të indeksojë masën e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi
dhe paguar shumën që rezulton nga data 01.01.1999.
(Periudha e plotë 01.01.1999 deri me 01.03.2009 e trajtimit me
pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi sipas Ligjit nr.8087 dt. 13.03.1996
i ndryshuar me Ligjin nr.8521 dt. 30.07.1999).
Baza Ligjore: Kodi i Procedurës Civile, Nenet 31, 32/a, 153, 154.
Ligji nr.8087 dt. 13.03.1996 i ndryshuar me Ligjin nr.8521 dt. 30.07.1999,
Neni 6 “Për Sigurimet Shoqërore Suplementare të Sigurimeve Shoqërore të ushtarakeve”. Ligji nr.9210, dt. 23.03.2004 “Për Statusin e Ushtarakut
të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”,
Nenet 35, 49. Ligji nr.9377 dt. 21.04.2005
“Për disa shtesa dhe ndryshime në Ligjin nr.7703 dt. 15.03.1993
“Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë” neni 20,
Vendimi nr.2 dt. 28.01.2005 i Gjykatës së Lartë.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë me vendimin nr.8566 datë 25.09.2012 vendosi:
“Pranimin padisë së paditësit Vasillaq Veshi kundër palës së paditur Drejtoria Rajonale e Sigurimeve Shoqërore Tiranë si të bazuar në prova dhe në ligj. Detyrimin e palës së paditur t’i paguajë paditësit Vasillaq Veshi diferencat e papaguara të pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi ( të rezultuar në datën e fillimit të këtij pensioni 01.01.1999 në Shumën 3421 (tre mije e katërqind e njëzet e një) lekë), rrjedhur për shkak të zbatimit të gabuar nga pala e paditur të nenit 11 të Ligjit nr.8087, datë 13.3.1996 "Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakeve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, të ushtarakeve të Ministrisë së Rendit Publik dhe të Shërbimit Informativ Shtetëror", i ndryshuar me Ligjin nr.8521 dt. 30.07.1999 si dhe shumën e plotë të rezultuar nga indeksimi i diferencave të përllogaritura; për periudhën nga dt. 01.01.1999 deri ne datën e fillimit të përcaktuar në pensionin e tij të pleqërisë, 01.03.2009. Shpenzimet gjyqësore në ngarkim të palës së paditur”.
Gjykata e Apelit Tiranë, me vendimin nr.1614 datë 16.07.2013 vendosi:
“Ndryshimin e vendimit nr.8566 datë 25.09.2012 të Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë dhe rrëzimin e kërkesë padisë së paditësit Vasillaq veshi”.
Kundër vendimit nr.1614 datë 16.07.2013 të Gjykatës së Apelit Tiranë, ka ushtruar rekurs, brenda afatit ligjor, pala paditëse Vasillaq Veshi i cili kërkon prishjen e vendimit të gjykatës së apelit dhe lënien në fuqi të vendimit të gjykatës së rrethit gjyqësor, duke parashtruar shkaqet e mëposhtme:
-
Gjykata e Apelit është mbështetur në ligjin nr.8510 datë 15.07.1999 “Për përgjegjësinë jashtëkontraktore të organeve të administratës shtetërore”, ligj i cili nuk trajton problemin e pensioneve dhe aq më tepër atë të pensioneve të parakohshëm.
-
Gjykatat ka anashkaluar në mënyrë të padrejtë të gjithë kuadrin ligjor në lidhje me përfitimet që kanë ish ushtarakët.
-
Zbatimi nga gjykata i Apelit i ligjit nr.8510/1999 është një përpjekje për të interpretuar një ligj jo organik i cili mund të prevalojë mbi një ligj organik siç është ai nr.7703/1993.
-
Paditësi i është drejtuar gjykatës me padi për shfuqizimin e aktit administrativ dhe jo me padi për shpërblim dëmi.
-
Neni 31 i ligjit nr.9418 datë 20.05.2005 në pikën 3 ka përcaktuar se: Përfitimet e caktuara por të paguara më pak jepen në çdo kohë”.
-
Ankimi i paraqitur nga DRSSH Tiranë nuk trajtonte parashkrimin e padisë, pretendim i cili nuk është ngritur as në gjykimin në shkallë të parë.
KOLEGJI ADMINISTRATIV I GJYKATËS SË LARTË
Pasi dëgjoi relacionin e gjyqtares Arjana Fullani, si dhe diskutoi çështjen në tërësi,
V Ë R E N
1. Siç rezulton nga aktet e administruara në dosjen gjyqësore, pala paditëse Vasillaq Veshi ka qenë ushtarak i shërbimit aktiv me gradë “Major” deri më datë 05.08.1993, datë në të cilën rezulton që të ketë dalë në rezervë me urdhrin nr.1886/2, datë 05.08.1993 , me një vjetërsi të përgjithshme si ushtarak në Forcat e Armatosura një periudhë prej 26 (njëzet e gjashtë) vite e 6 (gjashtë) muaj
2. Me Vendimin nr.1906 datë 04.05.2000 “Për caktim Pensioni” të Drejtorisë rajonale të Sigurimeve Shoqërore Tiranë, pala paditëse ka përfituar pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi në masën prej 8000 lekë në muaj, me të drejtë pagese nga data 01.01.1999.
3. Me urdhrin nr.184/40 dt. 20.01.2009 pala e paditur ka vendosur mbylljen e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimit paditësit për shkak të daljes së paditësit në pension pleqërie. Pensioni i parakohshëm i paditësit rezulton të jetë paguar deri më datën 28.02.2009.
4. Paditësi ka pretenduar se masa e pensionit te tij ne momentin e përfitimit prej 8000 lekë për rrjedhoje ne vijim, nuk është në përputhje me përcaktimet ligjore, Ligji nr.8087 dt. 13.03.1996 i ndryshuar me Ligjin nr.8521 dt. 30.07.1999 dhe Ligjin nr.9210 dt. 23.03.2004 “Për statusin e ushtarakut të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, dhe për këtë shkak i është drejtuar palës së paditur DRSSH Tiranë duke kërkuar rillogaritje të pensionit të parakohshëm.
5. Me Shkresën datë 27.6.2011 të titulluar “Kthim përgjigje” DRSSH Tiranë ka sqaruar paditësin se: “Llogaritja e pensionit të parakohshëm ushtarak është bërë si më poshtë: në bazë të nenit 11/a të ligjit nr.8521 datë 30.7.1999 , Masa e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi do të jetë:50 për qind të pagës referuese mbi të cilën është derdhur kontributi për 15 vite. Për çdo vit tjetër të vjetërsisë së shërbimit mbi përcaktimin e mësipërm, masa e pensionit shtohet me 2 për qind të pagës referuese, por jo më shumë se masa e pensionit maksimal në shkallë vendi. Në bazë të këtij ligji nuk mund të paguheni më shumë se vlera maksimale e pensionit të pleqërisë në shkallë vendi. Për këtë arsye vlera e pensionit tuaj më datën 1.1.1999 datë në të cilën u ka lindur e drejta e pensionit është 8.000 lekë”.
6. Ndodhur në këto kushte pala paditëse Vasillaq Veshi i është drejtuar gjykatës me padinë objekt gjykimi.
7. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë me vendimin nr.8566 datë 25.09.2012 vendosi:” Pranimin padisë së paditësit Vasillaq Veshi kundër palës së paditur Drejtoria Rajonale e Sigurimeve Shoqërore Tiranë si të bazuar në prova dhe në ligj. Detyrimin e palës së paditur t’i paguajë paditësit Vasillaq Veshi diferencat e papaguara të pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi ( të rezultuar në datën e fillimit të këtij pensioni 01.01.1999 në Shumën 3421 (tre mije e katërqind e njëzet e një) lekë), rrjedhur për shkak të zbatimit të gabuar nga pala e paditur të nenit 11 të Ligjit nr.8087, datë 13.3.1996 "Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakeve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, të ushtarakeve të Ministrisë së Rendit Publik dhe të Shërbimit Informativ Shtetëror", i ndryshuar me Ligjin nr.8521 dt. 30.07.1999 si dhe shumën e plotë të rezultuar nga indeksimi i diferencave të përllogaritura; për periudhën nga dt. 01.01.1999 deri ne datën e fillimit të përcaktuar në pensionin e tij të pleqërisë, 01.03.2009. Shpenzimet gjyqësore në ngarkim të palës së paditur”.
7.1 Arsyetimi i Gjykatës: “Në interpretim të këtyre dispozitave ligjore konkludohet e bazuar referenca ligjore e pretendimeve të paditësit sipas Nenit 11 të Ligjit nr.8087, datë 13.3.1996 I ndryshuar me Nenin 11 të Ligjit 8521 dt. 30.07.1999. Përfundimin e saj gjykata e mbështet në faktin se ky ligj është shfuqizuar sipas Nenin 29 të Ligjit nr.10142 dt. 15.05.2009 paragrafi i pare në të cilit përcaktohet se: “1. Dispozitat e ligjeve nr.8087, date 13.3.1996 “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakeve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar dhe nr.8661, datë 18.9.2000“Për sigurimin suplementar të punonjësve të Policisë së Shtetit” zbatohen deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji”. Ne interpretim të këtyre dispozitave ligjore, gjykata e vlerëson të drejtë pretendimin e palës paditëse pasi çmon se përcaktimi ligjor i germës (b) të nenit 11 të ligjit 8087 /1996 i ndryshuar me Ligjin 8521/1999 se: “për çdo vit tjetër të vjetërsisë së shërbimit mbi përcaktimin e mësipërm, masa e pensionit shtohet me 2 për qind të pagës referuese, por jo më shumë se masa e pensionit maksimal të pleqërisë në shkallë vendi” është detyrues në zbatimin e kësaj dispozite për përllogaritjen e asaj pjese të pensionit lidhur me elementin vjetërsi në shërbim, i ndryshëm nga ai i germës (a) i cili lidhet me elementin pagë referuese. Për pasojë, interpretimi i palës së padituri kufizimit në germën b“por jo më shumë se masa e pensionit maksimal të pleqërisë në shkallë vendi”si kufizim I shumës totale të rrjedhur nga përcaktimet a dhe b është I gabuar dhe pa bazë ligjore. Lidhur me pretendimin objekt gjykimi, rezultoi se paditësi, i datëlindjes 01.09.1946 është trajtuar me pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi 26 vjet e 6 muaj me datë fillimi 01.12.2007 mbyllur me dt. 20.01.209 për shkak plotësimit të kushteve për pension pleqërie. Paga referuese që paditësi Vasillaq Veshi ka pasur në kohen e përfitimit të pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi, referuar vendimit të caktimit të pensionit nr.1906 dt. 04.05.2000 ka qenë 154.34 lekë dhe masa e pensionit të përfituar nga paditësi ka qene 8.000 lekë në muaj, shume e cila nuk përben gjysmën e pagës referuese dhe as shtesën prej 2 përqind për çdo vit, mbi 15 vjet , vjetërsi në shërbim.”.
8. Gjykata e Apelit Tiranë, me vendimin nr.1614 datë 16.07.2013 vendosi: “Ndryshimin e vendimit nr.8566 datë 25.09.2012 të Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë dhe rrëzimin e kërkesë padisë së paditësit Vasillaq veshi”.
8.1 Arsyetimi i gjykatës: “Pala e paditur Drejtoria Rajonale e sigurimeve shoqërore nuk ka përmbushur plotësisht një detyrim të rrjedhur nga ligji, si dhe kur nuk pranon të përmbushë plotësisht në vijim një detyrim të tillë, në kundërshtim me sa pretendohet në ankimin e ushtruar, çmohet i bazuar arsyetimi dhe përfundimet që arrihen nga Gjykata e shkallës së parë Tiranë në vendimin e saj për rillogaritjen e pensionit. Gjykata e apelit çmon se e drejta e paditësit Vasillaq Veshi për të kërkuar detyrimin monetar të papaguar nga pala e paditur, është e parashkrueshme brenda një afati 3 vjeçar. Një gjë e tille do të thotë se e drejta e padisë, përsa i përket kërkimit të këtij detyrimi për periudhën para 3 vjetëve nga dita e ngritjes së padisë (për periudhën para datës 23.3.2009) konsiderohet e parashkruar, duke patur parasysh për këtë se kërkesa objekt shqyrtimi është depozituar në Gjykatën e shkallës së parë më datë 23.3.2012. Vendimi për caktimin e pensionit është me efekte të zgjatura në kohë (përsa kohë ekziston e drejta për pension të parakohshëm, që si rregull shkon deri në lindjen e të drejtës së përfituesit për pension të plotë pleqërie). Ndërsa, përsa i përket masës së pensionit, që është një përfitim monetar mujor i mbajtësit të së drejtës, akti është i ndryshueshëm sipas përcaktimeve të vetë ligjit. Si përfundim, çmohet se përsa kohë ekziston e drejta subjektive e pensionit të Parakohshëm, mbajtësi i saj në çdo kohë mund të kundërshtojë edhe gjyqësisht, çdo veprim të subjektit që mbart detyrimin nga ligji, për përmbushjen e plotë të kësaj të drejtë. Gjykata e apelit çmon se e drejta e paditësit për të kërkuar pagimin e detyrimit monetar të papaguar nga pala e paditur, është e parashkrueshme brenda një afati 3-vjeçar. Një gjë e tillë do të thotë se e drejta e padisë, përsa i përket kërkimit të këtij detyrimi për periudhën përtej 3 vjetëve nga dita e ngritjes se padisë (për periudhën para datës 23.3.2009) konsiderohet e parashkruar, duke patur parasysh për këtë se kërkesa objekt shqyrtimi është depozituar në Gjykatën e shkallës së parë me datë 23.3.2012. Për arritjen e një përfundimi të tillë, mbahet parasysh se dispozitat e ligjit të posaçëm (ligji për sigurimin suplementar të ushtarakeve të Forcave të Armatosura) nuk kanë bërë rregullime konkrete për situatën që pretendohet në rastin konkret - kërkimin e një përfitimi (pension të parakohshëm) të caktuar më pak. Në nenin “31 të Ligjit nr.9418/2005, parashikohet se “7. E drejta e përfitimeve nga ky ligj nuk parashkruhet. Personit, që kërkon përfitimet jo me vone se 1 vit nga data kur i lind kjo e drejte, përfitimi i paguhet nga data e lindjes së të drejtës. Në raste të tjera përfitimi paguhet nga data e paraqitjes se kërkesës për përfitim. 2. Përfitimet e njohura, por të patërhequra, paguhen në çdo kohë, por jo me shume së për 3 vjet. 3. Përfitimet e caktuara, por të paguara me pak, jepen në çdo kohë. Përcaktimi sa më sipër, megjithëse nuk jep zgjidhje konkrete për situatën objekt gjykimi, nuk rezulton të ketë vendosur ndonjë kufizim kohor për ushtrimin e të drejtës për të kërkuar pagimin e përfitimeve të caktuara me pak. Përkundrazi, njihet detyrimi i institucionit publik për t’i paguar në çdo kohë subjektit (pensionistit) përfitimet e njohura dhe të patërhequra, apo përfitimet e caktuara dhe te paguara me pak. Parashikimi në piken “3” të kësaj dispozite, ndryshe nga sa pretendon Paditësi, nuk është i aplikueshëm për situatën në rastin konkret, ku detyrimi i Paguar nga pala e paditur është në të njëjtën mase me pensionin e caktuar prej saj. Në këtë situate, për zgjidhjen e këtij momenti duhet referuar në rregullime të përgjithshme të parashikuara në akte ligjore të tjera, që rregullojnë marrëdhënie juridike të njëjta apo të ngjashme me atë mes palëve ndërgjyqëse në rastin konkret. Për këtë, Gjykata e apelit mban parasysh marrëdhënien juridike që pretendohet të ketë lindur në rastin konkret, që është një marrëdhënie juridike detyrimi e lindur nga ligji. Gjykata e apelit ka në konsideratë se në këtë marrëdhënie pretenduar, pala e paditur që mbart detyrimin ligjor për njohjen, caktimin dhe pagimin e pensionit të parakohshëm, është institucion publik, ashtu sikundër mbahet parasysh se përgjegjësia e këtij institucioni publik për mos aplikimin e plotë dhe të saktë të ligjit të posaçëm (ligji për sigurimin suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura) nuk është përgjegjësi e rrjedhur nga kontrata. Pra është përgjegjësi jashtëkontraktore. Nga sa sipër, çmohet se për parashkrimin e të drejtës së padisë për kërkimin - pagimin e detyrimit monetar të papaguar nga pala e paditur, janë të aplikueshme kërkesat e nenit “17” të Ligjit nr.8510, datë 15.7.1999, “Për përgjegjësinë jashtëkontraktore të organeve të administratës shtetërore”, që parashikojnë një afat 3 vjeçar për kërkimin e shpërblimit të dëmeve të shkaktuara nga organet e administratës shtetërore. Nisur nga sa më lart, Gjykata e apelit si rregull i çmon të drejta pretendimet e ngritura në kërkesë padi apo edhe gjatë shqyrtimit të mosmarrëveshjes nga paditësi, vetëm për periudhën tre vjeçare deri në datën e ngritjes së kërkesë padisë. Mirëpo sikundër del nga aktet e administruara në dosje, me shume se tre vjet para paraqitjes së kërkesë padisë nga ana e palës paditëse në datën 23.3.2012 dhe konkretisht në datën 28.2.2009, paditësit Vasillaq Veshi i është ndërprerë pensioni i parakohshëm për shkak se ka mbushur moshën për pension të plotë pleqërie. Në këtë mënyrë, më shumë se tre vjet me parë ka përfunduar marrëdhënia e Paditësit me palën e paditur rreth pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi”.
9. Kundër vendimit nr.1614 datë 16.07.2013 të Gjykatës së Apelit Tiranë, ka ushtruar rekurs, brenda afatit ligjor, pala paditëse Vasillaq Veshi i cili kërkon prishjen e vendimit të gjykatës së apelit dhe lënien në fuqi të vendimit të gjykatës së rrethit gjyqësor, duke parashtruar shkaqet e pasqyruar në pjesën hyrëse të këtij vendimi.
LIGJI I ZBATUESHËM
10. Dispozitat e ligjit nr.49/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative” në të cilat është parashikuar:
10.1. Neni1/2: Dispozitat e këtij ligji plotësohen me parashikimet e Kodit të Procedurës Civile, me përjashtim të rasteve dhe për aq sa ky ligj nuk parashikon ndryshe.
10.2 Neni 17/2: Gjykata zgjidh mosmarrëveshjet në përputhje me dispozitat ligjore dhe normat e tjera në fuqi, që janë të detyrueshme. Ajo bën një cilësim të saktë të fakteve dhe veprimeve që lidhen me mosmarrëveshjen, pa u lidhur me përcaktimin që mund të propozojnë palët.
11. Ligji nr.7703 datë 11.05.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”;
12. Vendimi nr.2/2013 i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë;
KOLEGJI ADMINISTRATIV I GJYKATËS SË LARTË VLERËSON:
13. Se rekursi i paraqitur nga pala paditëse Vasillaq Veshi, përmban shkaqe ligjore që motivojnë cenimin e vendimit nr.1614 datë 16.07.2013 të Gjykatës së Apelit Tiranë.
14. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, në shqyrtim e në vlerësim të akteve që ndodhen në dosjen gjyqësore e të administruara gjatë gjykimeve, pretendimeve e prapësimeve të palëve, vendimeve të gjykatave të faktit, si dhe shkaqeve të parashtruara në rekurs arrin në përfundimin se vendimi i Gjykatës së Apelit Tiranë me të cilin është ndryshuar vendimi i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, është rrjedhojë e mosrespektimit të ligjit dhe për këtë shkak duhet të prishet.
15. Në vlerësim të natyrës juridike të mosmarrëveshjes, shkakut të lindjes së saj, Kolegji Administrativ, çmon se në çështjen objekt shqyrtimi marrëdhënia krijohet midis personit që përfiton pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi dhe shtetit (DRSSH), institucioneve shtetërore të ngarkuara nga ligji me të drejtën dhe detyrimin për të ndjekur dhe zbatuar procedurat për përfitimin e pensioneve. Në këtë kuptim çështja objekt shqyrtimi përbën mosmarrëveshje administrative, dhe nga pikëpamja lëndore, në referim të nenit 7 dhe 11 të ligjit nr.49/2012, ky Kolegj është kompetent për shqyrtimin e kësaj mosmarrëveshje.
16. Ky Kolegj duke iu referuar shkakut ligjor të kërkimeve të paditësit Vasillaq Veshi arrin në konkluzionin se objekt i këtij gjykimi është e drejta e paditësit për të përfituar pensionin e parakohshëm për vjetërsi shërbimi në bazë të ligjit të zbatueshëm.
17. Paditësi ka kërkuar në këtë proces gjyqësor të drejtën për të përfituar pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi, duke pretenduar se masa e përfitimit të tij duhet të llogaritet sipas Ligjit 8087/1996, ligjit nr.8521/1999 si dhe ligjit nr.9210 datë 23.03.2004.
18. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka pranuar padinë e paditësit Vasillaq Veshi. Ndryshe nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, Gjykata e Apelit, parashtron se: “E drejta e padisë, përsa i përket kërkimit të këtij detyrimi për periudhën përtej 3 vjetëve nga dita e ngritjes se padisë (për periudhën para datës 23.3.2009) konsiderohet e parashkruar, duke patur parasysh për këtë se kërkesa objekt shqyrtimi është depozituar në Gjykatën e shkallës së parë me datë 23.3.2012. Çmohet se për parashkrimin e të drejtës së padisë për kërkimin - pagimin e detyrimit monetar të papaguar nga pala e paditur, janë të aplikueshme kërkesat e nenit “17” të Ligjit nr.8510, datë 15.7.1999, “Për përgjegjësinë jashtëkontraktore të organeve të administratës shtetërore”, që parashikojnë një afat 3 vjeçar për kërkimin e shpërblimit të dëmeve të shkaktuara nga organet e administratës shtetërore”, ka arritur në përfundimin se vendimi i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë duhet të ndryshohet duke u vendosur rrëzimi i padisë së paditësit Vasillaq Veshi.
19. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë vlerëson se ky arsyetim dhe përfundim i Gjykatës së Apelit Tiranë nuk gjen mbështetje ligjore.
20. Kolegji Administrativ, vlerëson të theksojë se e drejta për përfitim pensioni pleqërie hyn në rrethin e të drejtave themelore të njeriut, që përfshihet në grupin e të drejtave social-ekonomike të garantuara nga aktet ndërkombëtare dhe nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë. E vendosur në rangun e të drejtave të njeriut, e drejta për përfitim pensioni është e paparashkrueshme dhe nuk mund të kufizohet, përveç rasteve të parashikuara shprehimisht në ligj. Kjo e drejtë ka karakter pozitiv që nënkupton detyrimin e administratës shtetërore (në rastin konkret organet e administratës shtetërore), të krijojnë të gjitha mundësitë dhe kushtet për gëzimin e plotë të tij nga ana e subjekteve përfituese.
21. Sa më sipër, duke qenë se e drejta për pension, trajtohet si një të drejtë themelore e njeriut, aksesi në gjykatë për rivendosjen e kësaj të drejte nuk mund të kufizohet nga efekti kohë. Nisur nga natyra e të drejtës, kjo e drejtë është e paparashkrueshme. Aksesi në gjykatë nënkupton të drejtën e subjekteve të kërkojnë nëpërmjet gjykatës rivendosjen e të drejtave të pretenduara të shkelura dhe të përfitojnë nëpërmjet procesit gjyqësor riparimin e këtyre shkeljeve (vendimet nr.08/2008 dhe nr.07/2008 të Gjykatës Kushtetuese).
22. Kolegji thekson se në kuptim të nenit 62/2 të ligjit nr.7703/1993 të ndryshuar, kërkimi i paditësit është bërë i kërkueshëm brenda afatit ligjor. Ai ka kërkuar pensionin e parakohshëm pranë palës së paditur brenda afatit 1 vjeçar nga lindja e të drejtës dhe pala e paditur ia ka lidhur pensionin pikërisht nga kjo ditë. Sipas nenit 62/2 të ligjit të mësipërm e drejta për pension nuk parashkruhet. Pra, ajo kërkohet në çdo kohë. Por, nëse përfituesi i pensionit e kërkon atë jo më vonë se 1 vit nga data që i lind kjo e drejtë, ky pension i paguhet që nga kjo ditë. Në raste të tjera pensioni do të paguhet nga data e paraqitjes së kërkesës. Në këtë kuptim e drejta për të kërkuar llogaritjen e saktë të pensionit (kur ky i fundit është të kërkuar sipas afateve ligjore të nenit 62/2 të ligjit të mësipërm) nuk parashkruhet. Ky parim gjen zbatim si për pensionet e pleqërisë, ashtu dhe për pensionin e parakohshëm për vjetërsi shërbimi që është objekt gjykimi. Sa më sipër Gjykata e Apelit ka konkluduar në kundërshtim me ligjin se paditësit i ka humbur e drejta e padisë, pra për të kërkuar nga gjykata llogaritjen e pensionit sipas ligjit dhe diferencat e tjera, më arsyetimin se në këtë rast duke qenë se ligji organik nuk parashikon shprehimisht afate, zbatohet neni 17 i ligjit nr.8510 datë 15.7.1999 “Për përgjegjësinë jashtëkontraktore të organeve të administratës shtetërore”.
23. Kolegji Administrativ vlerëson se argumentimi i Gjykatës së Apelit në lidhje me afatet e parashkrimit të padisë të parashikuara nga neni 17 i ligjit nr.8510/1999, i cili referon në mosmarrëveshje që rrjedhin për përgjegjësinë jashtëkontraktore të organeve të administratës shtetërore është i pabazuar. Ndryshe nga sa arsyeton Gjykata e Apelit, Kolegji vlerëson të theksojë se jemi para dy situatave ligjore krejtësisht të ndryshme, ligji për pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi ka një rregullim krejtësisht të posaçëm ligjor dhe nuk ka të bëjë aspak me marrëdhënien juridike të përgjegjësisë jashtëkontraktore të organeve të administratës.
24. Në përfundim të analizës së mësipërme, Kolegji thekson se Gjykata e Apelit ka lejuar shkelje të zbatim të ligjit në zgjidhjen e mosmarrëveshjes objekt gjykimi, si dhe shkelje të ligjit procedural, pasi në kundërshtim me nenet 6, 16 dhe 20 të KPrC, ajo nuk i ka kthyer përgjigje kërkimit të paditësit, si dhe nuk ka shqyrtuar nëse vendimi i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor, që ka pranuar padinë, ka qenë apo jo në përputhje me ligjin dhe provat.
25. Përsa më sipër, Kolegji Administrativ vlerëson se vendimi i Gjykatës së Apelit duhet të prishet dhe çështja t’i dërgohet për rishqyrtim Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë, e cila i ka mundësitë ligjore të marrë në shqyrtim dhe të zgjidhë drejt çështjen si gjykatë kompetente në kuptim të nenit 7 të ligjit nr.49/2012 dhe vendimit unifikues nr.3/2013 të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë.
26. Në rigjykim, kjo gjykatë, duke pasur parasysh situatën e re ligjore të krijuar, duhet të kryejë një hetim të plotë gjyqësor dhe t’i japë përgjigje të gjitha pretendimeve e kërkimeve të ngritura në padi dhe në ankimet e palëve.
PËR KËTO ARSYE
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, në bazë të nenit 63/c të ligjit 49/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”
V E N D O S I
Prishjen e vendimit nr.1614 datë 16.07.2013 të Gjykatës së Apelit Tiranë dhe dërgimin e çështjes për rishqyrtim në Gjykatën Administrative të Apelit Tiranë.
Tiranë, më 05.11.2015
Nr. 31001-03280-00-2014 i Regj. Themeltar
Nr. 00 - 2015 - 4618 i Vendimit (584)
Do'stlaringiz bilan baham: |