VENDIM NË EMËR TË REPUBLIKËS
Kolegji Administrativ i Gjykatës se Lartë i përbërë nga:
Xhezair Zaganjori Kryesues
Evelina Qirjako Anëtare
Medi Bici Anëtar
në datën 05.11.2015, në dhomë këshillimi me prani të palëve, mori në shqyrtim çështjen administrative me nr.00418/2013 që u përket palëve:
PADITËS: REZARTA KALAJA
PALË E PADITUR: DREJTORIA RAJONALE E SHËNDETËSISË DURRËS
OBJEKTI:
Konstatimin e pavlefshmërisë së zgjidhjes së menjëhershme
të pajustifikuar të kontratës së punës.
Detyrimin e palës së paditur të paguajë dëmshpërblimin
prej dy muajsh pagë për shkak të mosrespektimit të procedurës
së zgjidhjes së kontratës së punës,
si dhe shpërblimin për vjetërsi në masën e 3,5 pagave mujore.
Detyrimin e palës së paditur t’i paguajë si dëmshpërblim
për shkak të zgjidhjes së menjëhershme dhe të pajustifikuar të kontratës së punës
shumën e pagave mujore të një viti, si dhe ta rikthejë atë në vendin e punës.
Baza Ligjore: Neni 31, 32/a, 36, 41, 43 të K.Pr.Civile;
si dhe nenet 144, 145, 155 të K.Punës.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës, me vendimin nr.3251, datë 19.12.2011 ka vendosur:
Të pranojë pjesërisht kërkesë padinë e paditëses Rezarta Kalaja me të paditur Drejtoria Rajonale e Shëndetësisë Durrës.
Të detyrojë palën e paditur Drejtoria Rajonale e Shëndetësisë Durrës që t’i paguajë
paditëses Rezarta Kalaja pagën për periudhën 1 Maj deri më 30 Shtator 2011 në shumën
237.200 lekë gjithsej.
Të rrëzojë kërkesë padinë për kërkimet e tjera.
Shpenzimet gjyqësore siç janë bërë.
Gjykata e Apelit Durrës, me vendimin nr.10-2012-1609 (788), datë 05.11.2012, ka vendosur:
Lënien në fuqi të vendimit nr.3251, datë 19.12.2011 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës.
Kundër këtij vendimi, ka paraqitur rekurs pala paditëse Rezarta Kalaja, e cila kërkon prishjen e vendimit nr.10-2012-1609 (788), datë 05.11.2012 të Gjykatës së Apelit Durrës dhe të vendimit nr.3251, datë 19.12.2011 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, si dhe pranimin e plotë padisë, duke parashtruar shkaqet e mëposhtme:
Gjykata e Apelit Durrës ka shkelur në mënyrë flagrante dhe në mënyrë të rëndë dispozitat proceduriale dhe pikërisht nenin 467/ç të K.Pr.Civile.
Senaca gjyqësore nuk është zhvilluar në orarin e përcaktuar ora 15.30 sipas shpalljes së datës 23.10.2012, por është zhvilluar pa pjesmarrjen tonë në orën 13.30.
Ky shkak përbën shkelje të rëndë të normave proceduriale dhe cënim të procesit të rregullt ligjor.
Të dyja gjykatat kanë marrë vendime në zbatim të gabuar të ligjit.
Pala paditëse, fillimisht nga data 05.01.2004 ka qenë e punësuar pranë anës së paditur si stomatologe me kontratë dhe që nga nëntori i po këtij viti, është punësuar si stomatologe definitive, fakte të cilat i pasqyrohen edhe në librezën e punës.
Pala paditëse ka pretenduar se është njoftuar në datën 26 maj se marrëdhëniet financiare do ti ndërpriteshin, pasi kishte fituar specializimin për “terapi stomatologjike” pranë Fakultetit të Mjeksisë Tiranë, por në të njëjtën kohë i është premtuar se meqënëse ajo kishte fituar në kuotat e lira (kuota për të cilat shteti nuk paguan) të vazhdonte të punonte, pasi një situatë e tillë do të rregullohej.
Pala paditëse ka vazhduar të punojë për anën e paditur pa të drejtë rroge deri në muajin korrik të vitit 2011, derisa e verifikoi këtë gjë pranë Degës së Tatim Taksave Durrës, ku paditësja nuk figuronte në listën e të punësuarve të anës së paditur.
Pra, ndërprerja e marrëdhënieve të punës me paditësesn është bërë pa dijeninë e saj që nga gusjti 2011.
Pala e paditur, jo vetëm që nuk ka arritur të provojë se ka respektuar procedurën e largimit nga puna të paditëses, por ajo as nuk ja ka dorëzuar paditëses aktet shkresore për njoftimin e ndërprerjes së marrëdhënies së punës, sipas parashikimeve të K.Punës, neni 143/1 i tij.
Shkresa mbi bazën e të cilës është mbështetur ana e paditur për të zgjidhur marrëdhënien e punës me paditësen, nga ana formale nuk përmbush elementët e një shkrese zyrtare. Kjo shkresë nuk mban vulën e institucionit nga i cili ka dalë dhe as nuk referon ndonjë dispozitë ligjore mbi bazën e të cilës kjo shkresë ka urdhëruar zgjidhjen e marrëdhënieve të punës për paditësesn.
Shkresat e anës së paditur janë nxjerrë në tejkalim të kompetencave të organeve të administratës, pasi marrëdhëniet e specializantëve me institucionet ku kanë punuar, janë rregulluar me shkresën nr.2239 prot., të Ministrit të Shëndetësisë.
Ne rastin e paditëses nuk ndodhemi në kushtet e dypunësimit, pasi paditësja përfshihet tek kuotat e lira, për të cilat nuk paguhet nga shteti.
Pra, paditësja duke mos u paguar për specializimin që kryen, cënohet në sigurimin e jetesës lidhur me humbjen e të ardhurave nga puna që kryente pranë të paditurit.
Në rastin konkret, nuk ndodhemi para rasteve të parashikuara nga neni 153, pika 3 të K.Punës, por ndodhemi para rastit të zgjidhjes së marrëdhënies së punës në mënyrë të menjëhershme, sipas nenit 155 të Kodit të Punës.
KOLEGJI ADMINISTRATIV I GJYKATËS SË LARTË
Pasi dëgjoi relacionin përkatës të gjyqtares Evelina Qirjako, verifikoi legjitimitetin e palës rekursuese Rezarta Kalaja, si dhe diskutoi çështjen në tërësi;
V Ë R E N
1. Nga aktet e administruara në dosjen gjyqësore, rezulton se, paditësja Rezarta Kalaja, në datën 05.01.2004 është punësuar pranë anës së paditur Drejtoria Rajonale e Shëndetësisë Durrës, në pozicionin e stomatologes, nëpërmjet kontratës së shërbimit (pa datë), nëpërmjet të cilës ka pranuar të vazhdojë specializimin pasuniversitar për një periudhë 5-vjeçare. Kjo kontratë është miratuar edhe nga Ministria e Shëndetësisë.
2. Pala paditëse ka pretenduar se, me shkresën nr.1545 prot., datë 20.04.20111 “Mbi shkëputjen e marrëdhënieve të punës me institucionin shëndetësor mjekëve që kanë fituar të drejtën për specializime afatgjata në Fakultetin e Mjekësisë”, Drejtoria e Përgjithshme e Politikave dhe e Planifikimit Shendetësor pranë Ministrisë së Shëndetësisë, i është drejtuar anës së paditur, duke i bërë me dije se: “...Të njoftoni në Ministrinë e Shëndetësisë, Drejtorinë e Përgjithhme të Politikave Shëndetësore dhe Drejtorinë e Burimeve Njerëzore, si dhe të respektoni ligjin, sipas të cilit ata duhet të ndërpresin marrëdhëniet e tyre të punës me institucionet tuaja”.
3. Bazuar si më sipër, me shkresën nr.311 prot, datë 21.04.2011, Drejtoria Rajonale e Shëndetësisë Durrës i është drejtuar Qendrës Shëndetësore, Klinikës Dentare që të konfirmojë se cilët mjekë kanë aplikuar, janë shpallur fitues, si dhe janë rregjistruar për programet afatgjata të specializimeve pranë Fakultetit të Mjekësisë.
4. Pala e paditur, ka pretenduar se me shkresën e datës 26.04.2011, ka njoftuar palën paditëse për ndërprerjen e marrëdhënieve financiare me këtë drejtori, duke filluar efektet financiare nga data 01.05.2011 dhe duke i kërkuar paditëses që të merrte edhe masat për dorëzimin e detyrës.
5. Shërbimi i Stomatologjisë pranë Drejtorisë Rajonale të Shëndetësisë Durrës, me shkresën e datës 28.04.2011, i ka kthyer përgjigje anës së paditur duke pasqyruar se: “...mjekja stomatologe Rezarta Kalaja ka fituar specializimin në degën terapi stomatologjike. Gjithashtu, mjekes së lartëpërmendur ju bë me dije shkresa me nr.1545 prot., datë 20.04.2001 e Ministrisë së Shëndetësisë, në bazë të së cilës i ndërpriten edhe marrëdhëniet e punës me institucionin...”.
6. Me shkresën nr.334 prot, datë 29.04.2011, Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Shëndetësisë Durrës, ka kryer ndërprerjen e marrëdhënieve financiare me palën paditëse, duke pasqyrur se: “Bazuar në shkresën me nr.33 prot., datë 28.04.2011 të Shefes së Shërbimit Stomatologjik të kësaj Drejtorie, mjekja stomatologe Rezarta Kalaja e evidentuar si fituese e specializimit për terapi stomatologjike, të ndërpresi marrëdhëniet financiare me këtë drejtori më datë 01.05.2011”.
7. Në kushtet kur pala paditëse nuk ka qenë dakord me ndërprerjen e marrëdhënieve të punës me palën e paditur, ka pretenduar se nuk janë respektuar as procedura e largimit nga puna dhe as afati i njoftimit, në datën 03.10.2011, kjo e fundit i është drejtuar Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës me padinë me objekt të sipërcituar, duke pretenduar detyrimin e palës së paditur për ta dëmshpërblyer dhe kthyer në punë, sipas parashikimeve të Kodit të Punës.
8. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës, me vendimin nr.3251, datë 19.12.2011 ka vendosur:
Të pranojë pjesërisht kërkesë padinë e paditëses Rezarta Kalaja me të paditur Drejtoria Rajonale e Shëndetësisë Durrës.
Të detyrojë palën e paditur Drejtoria Rajonale e Shëndetësisë Durrës që t’i paguajë
paditëses Rezarta Kalaja pagën për periudhën 1 Maj deri më 30 Shtator 2011 në shumën 237.200 lekë gjithsej.
Të rrëzojë kërkesë padinë për kërkimet e tjera.
Shpenzimet gjyqësore siç janë bërë.
8/1. Kjo gjykatë ka arsyetuar se: “....Së pari- Pala e paditur ka qenë e detyruar që ta paguante paditësen për punën e kryer edhe sipas shkresës së Ministrit të Shëndetësisë nr.2239 prot. datë 2011 (data e saktë nuk është shënuar në shkresën që ndodhet në dosjen gjyqësore) në të cilën ndër të tjera thuhet se: “specializantët që kanë fituar të drejtën e specializimit në programet e specializimit dhe kuotat e planifikuara për Ministrinë e Shëndetësisë, të cilët para fillimit të periudhës së specializimit, kanë qenë në marrdhënie pune me institucionet shëndetësore publike, të vazhdojnë të marrin pagën në institucionin shëndetësor ku kanë qenë të punësuar, deri në fund të muajit shtator 2011”. ...Duke bërë interpretimin gramatikor të urdhërit të ministrit, lidhëza “dhe” nënkupton të dy grupet e specializantëve si ato të kuotave të planifikuara edhe ato të kuotave të lira, me kushtin e vetëm që ato të kenë qenë në marrëdhënie pune para fillimit të specializimit. Paditësja e plotëson këtë kusht e për rrjedhojë asaj i takon paga për periudhën 01.05.2011-30.09.2011. Së dyti ....Gjykata i gjen të pa mbështetura në ligj, pretendimin e paditëses për zgjidhjen e menjëhershme e të pa justifikuar të kontratës së punës. Kodi i Punës në nenin 146 të tij përcakton rastet kur zgjidhja e kontratës së punës konsidertohet pa shkaqe të arsyeshme. Në rastin e paditësit nuk provohet të jetë prezent ndonjëri nga këto raste. Përkundrazi, Gjykata vlerëson se zgjidhja e kontratës së punës është bërë me shkak të arsyeshëm. Ky shkak është fitimi i specializimit nga paditësja. Po kështu i pa mbështetur në ligj është edhe kërkimi i shpërblimit për vjetërsi. Neni 145 i Kodit të punës ndër të tjera përcakton se: “Punëmarrësi e humbet të drejtën e shpërblimit për vjetërsi nëse është pushuar, me efekt të menjëhershëm për shkaqe të arsyeshme” Në paragrafin e mësipërm, Gjykata arsyetoi se, pushimi është bërë me shkak të arsyeshëm e për rrjedhojë, paditësja nuk përfiton shpërblimin për vjetërsi. ....Gjykata vlerëson se zgjidhja e kontratës së punës nuk ka ndodhur për shkak të punëdhënësit, por për shkak të punëmarrëses e cila ka aplikuar për specializim me dëshirën e saj dhe e ka fituar këtë të drejtë për t’u specializuar. Fitimi i së drejtës për kryerjen e specializimit pasuniversitar, passjell në mënyrë të pashmangshme ndërprerjen e marrdhënies së punës. Në këtë kuptim, edhe kërkimi për t’a rikthyer paditësen në vendin e saj të punës është i pa ligjshëm, pasi puna nuk mund të vazhdojë paralelisht me kryerjen e specializimit.....”.
9. Gjykata e Apelit Durrës, me vendimin nr.10-2012-1609 (788), datë 05.11.2012, ka vendosur:
Lënien në fuqi të vendimit nr.3251, datë 19.12.2011 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës.
9/1. Kjo gjykatë ka arsyetuar njësoj si gjykata e rrethit gjyqësor.
10. Kundër këtij vendimi, ka paraqitur rekurs pala paditëse Rezarta Kalaja, e cila kërkon prishjen e vendimit nr.10-2012-1609 (788), datë 05.11.2012 të Gjykatës së Apelit Durrës dhe të vendimit nr.3251, datë 19.12.2011 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, si dhe pranimine plotë padisë, duke parashtruar ato shkaqe që citohen në pjesën hyrëse të këtij vendimi.
KOLEGJI ADMINISTRATIV I GJYKATËS SË LARTË VLERËSON:
11. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, vlerëson se rekursi i paraqitur nga ana pala paditëse Rezarta Kalaja, përmban shkaqe ligjore nga ato të parashikuara në nenin 58 të Ligjit nr.49/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”, të cilat e bëjnë të cënueshëm vendimimin e dhënë nga Gjyakata e Apelit Durrës.
12. Ky Kolegj, vlerëson se, vendimi nr.10-2012-1609 (788), datë 05.11.2012 i Gjykatës së Apelit Durrës, është marrë në zbatim të gabuar të ligjës proceduriale dhe si i tillë ai duhet të prishet, duke u kthyer çështja për rigjykim në Gjykatën Administrative të Apelit Tiranë.
13. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, para shqyrtimit të themelit të çështjes objekt gjykimi, vlerëson të shqyrtojë pretendimin e ngritur nga pala paditëse Rezarta Kalaja, në lidhje me shkeljet proceduriale të lejuara nga gjykata e apelit. Ky Kolegj, vlerëson të theksojë se, Gjykata e Lartë, si gjykatë ligji ka të drejtë të shqyrtojë si zbatimin e ligjit material, ashtu dhe zbatimin e ligjit procedurial nga gjykatat më të ulëta, referuar kjo në nenin 58 të Ligjit 49/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”. Por ndërkohë, ky Kolegj, thekson se ekzistenca e gabimeve në procedim dhe e shkeljeve proceduriale, pengon gjykatën që të shqyrtojë gabimet në zbatimin e ligjit material, (në rast se ka të tilla) ose të gjykojë themelin e çështjes.
14. Tashmë është praktikë e konsoliduar që gabimet e rënda në procedim dhe në mënyrë të veçantë, ato të parashikuara në nenin 467 të K.Pr.Civile, (të cilat konsiderohen dhe si shkelje të rënda të ligjës proceduriale), shqyrtohen paraprakisht nga ana e Gjykatës së Lartë, para se kjo e fundit të shqyrtojë themelin e çështjes. Në varësi të shkeljeve proceduriale të lejuara nga gjykatat më të ulëta, Gjykata e Lartë, në respektim të nenit 63/c të Ligjit 49/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”, ka të drejtë të vendosë prishjen e vendimit të dhënë nga gjykata e apelit dhe dërgimin e çështjes për rishqyrtim, në gjykatën kompetente (Apelin Administrativ).
15. Në gjykimin e kësaj çështje, në rekurs është paraqitur pretendimi për shkelje të rëndë proceduriale në lidhje me mosrespektimin nga ana e Gjykatës së Apelit Durrës të nenit 467/ç të K.Pr.Civile, që shprehimisht thotë: “çështja është gjykuar në mungesë të pjesmarrësve në proces, pa patur dijeni për ditën e gjykimit”, pasi pala paditëse, ka pretenduar që gjykimi i kësaj çështje në Gjykatën e Apelit Durrës nuk është zhvillluar në orën e përcaktuar nga ana e kësaj gjykate, duke mos ju dhënë mundësia që të merrte pjesë në gjykim dhe të dëgjohej nga kjo gjykatë. Sipas pretendimeve të kësaj pale, Gjykata e Apelit Durrës, kishte planifikuar që të kryente shqyrtimin e kësaj çështje në datën 05.11.2012, ora 15.30, kur në fakt, e shqyrtoi atë pa pjesmarrjen e palës paditëse, e cila kishte ushtruar edhe të drejtën e ankimit, gati dy orë më përpara dhe konkretisht në orën 13.30.
16. Nga shqyrtimi i akteve të administruara në dosjen gjyqësore, ky Kolegj, konstataton se, çështja objekt shqyrtimi, është gjykuar në Gjykatën e Apelit Durrës në datën 05.11.2012, ora 13.44 (referojuni proces-verbalit të seancës gjyqësore në gjykatën e apelit, fq. 10 e dosjes gjyqësore), në mungesë të palës paditëse dhe të palës së paditur, dijenia e të cilëve ishte marrë nëpërmjet shpalljes së datës 23.10.2012. Referuar përmbajtjes së kësaj shpalljeje, rezulton se çështja objekt shqyrtimi, ishte planifikuar për tu zhvilluar në datën 05.11.2012, ora 15.30 (referojuni fq. 9 të dosjes gjyqësore të apelit), pra ajo është zhvilluar jo në orarin që ishte shpallur, por më shpejt, duke i mohuar palës paditëse në këtë gjykim, të drejtën për të marrë pjesë në gjykim. Për këtë arsye, ky Kolegj, çmon se, zhvillimi i gjykimit të çështjes nga ana e Gjykatës së Apelit Durrës, në një orar tjetër nga ai që ishte përcaktuar pa ja bërë me dije palëve në proces brenda një afati të përcaktuar në ligj, përbën cënim të së drejtës së individit për të pasur akses në gjykatë si dhe shkel një nga parimet më të rëndësishme të zvillimit të një procesi të rregullt.
17. Në kuadrin e zhvillimit të një procesi të rregullt ligjor, ishte detyrim i Gjykatës së Apelit Durrës që, të zhvillonte gjykimin e çështjes në datën dhe orën e përcaktuar në shpalljen publike, ose të njoftonte palët e interesuara (pjesmarrëse në gjykim) brenda një afati ligjor të arsyeshëm për ndryshimin e orarit të gjykimit, duke marrë masat që t’ju krijonte atyre mundësinë për të marrë pjesë në gjykim, me qëllim dëgjimin e tyre, si dhe t’ju garantonte të drejtën për të pasur akses në gjykatë. Ky fakt, vlerësohet si i domosdoshëm për sa kohë, pala paditëse është pala që ka investuar gjykatën për të zgjidhur një mosmarrëveshje, të cilën nuk ka mundur dot ta zgjidhë jashtëgjyqësisht, si dhe në kushtet kur kjo palë ka qenë një ndër palët që ka ushtruar të drejtën e ankimit ndaj vendimit të dhënë nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës.
18. Sa më sipër, vjen në përputhje edhe me qëndrimin që ka mbajtur Gjykata Kushtetuese në vendimin e saj nr.21/2008, në të cilin është shprehur se: “...cënimi i së drejtës për një proces të rregullt ligjor në kuptim të nenit 42 të Kushtetutës sjell cënimin e realizimit të të drejtave të tjera kushtetuese e ligjore, .... Në qëndrimet e arsyetimet e veta, Gjykata Kushtetuese, ndërsa ka pranuar se jo çdo shkelje e rregullave procedurale e bën procesin të parregullt në aspektin e shkeljes së të drejtave kushtetuese, ka pranuar gjithashtu se ndikim të drejtpërdrejtë në një proces ligjor, kanë ato shkelje thelbësore, vërtetimi i të cilave do të cënonte të drejtat dhe liritë themelore të individit...”. Në këtë kuptim, si dhe referuar dispozitave të sipërcituara, pala paditëse duhet të gëzojë të njëjtat të drejta dhe garanci që garantohen nga parimi i procesit të rregullt ligjor, si çdo palë tjetër në një proces të tillë. Shkelja nga ana e gjykatave të rregullave proceduriale për thirrjen e palëve ndërgjyqëse në procesin gjyqësor, si dhe mosdhënia e mundësisë për të marrë pjesë në gjykim pa asnjë shkak të arsyeshëm, konsiderohet nga Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, si cënim i parimit kushtetues të procesit të rregullt ligjor.
19. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, çmon të theksojë se, pretendimi kryesor i palës rekursuese (paditëses në këtë gjykim), lidhet me zhvillimin e gjykimit në padijeni të palëve ndërgjyqëse, e cila ka prekur themelin e zhvillimit të një procesi gjyqësor. Kjo çështje është trajtuar gjerësisht nga Gjykata Kushtetuese si një ndër aspektet e rëndësishme të të drejtës për një proces të rregullt ligjor. Zhvillimi i procesit gjyqësor në mungesë të palës ndërgjyqëse është e lidhur ngushtësisht me cënimin e disa të drejtave të tjera kushtetuese, si dhe me vetë drejtësinë e procesit. E drejta e shtetasve për t’u mbrojtur është një ndër këto të drejta dhe përbën thelbin e konceptit që jurisprudenca kushtetuese ka krijuar për procesin e rregullt ligjor. E drejta për të qenë i pranishëm në gjykim, është pjesë përbërëse e të drejtës për t’u mbrojtur. Kjo e drejtë, i ngarkon autoritetet me detyrat që të njoftojnë palët dhe mbrojtësit e tyre në kohë të mjaftueshme, për datën dhe vendin e mbajtjes së procedurave gjyqësore, për të kërkuar praninë e tyre dhe për të mos i përjashtuar padrejtësisht nga gjykimi.
20. Kjo tashmë, është një praktikë e njohur dhe e konsoliduar nga ana e Gjykatës Kushtetuese dhe e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, sipas të cilave, do të ishte pa vlerë përshkrimi në detaje i garancive procedurale të palëve në proces, në rast se atyre nuk do t’u sigurohej ajo, që në fakt bën të mundur respektimin e këtyre të drejtave dhe që është “pjesëmarrja në gjykim”. Garancitë që ofron Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, në analizë edhe të nenit 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, të cilat lidhen me njoftimin e akteve gjyqësore palëve, në respektim të së drejtës për t’u dëgjuar në një proces kontradiktorialiteti. Në rastet kur nga ana e Gjykatës Kushtetuese, është vërejtur se, është shkelur e drejta e palëve për të marrë pjesë në një shqyrtim gjyqësor, për shkak të mosdijenisë së tyre rreth orës dhe datës kur do të zhvillohej gjykimi, është cilësuar se, ka cënim të së drejtës për të pasur një proces të rregullt ligjor dhe si rrjedhojë, janë shfuqizuar vendimet gjyqësore si antikushtetuese.
21. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, vlerëson të theksojë për gjykatën më të ulët administrative që, pavarësisht se Gjykata e Lartë nuk shqyrtoi në këtë proces, zbatimin e ligjit material nga ana e gjykatave më të ulëta, thirrja në këtë gjykim e palëve ndërgjyqëse do të sjellë një hetim të plotë dhe të gjithanshëm të çështjes, si dhe një zgjidhje të drejtë dhe të bazuar në ligj të konfliktit gjyqësor.
22. Përfundimisht, Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, çmon se, në kushtet kur vendimi i Gjykatës se Apelit Durrës është marrë në kundërshtim me rregullat procedurialë, ky vendim duhet të prishet dhe në zbatim të Ligjit nr.49/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative” dhe Dekretit nr.7818, datë 16.11.2012 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, çështja duhet të dërgohet për rigjykim pranë Gjykatës Administrative të Apelit Tianë.
23. Në rigjykim, Gjykata Administrative e Apelit Tianë, do t’u bëjë të qartë palëve që është detyrë e secilës prej tyre që, në përputhje me ligjin të provojnë faktet mbi të cilat bazojnë pretendimet për të drejtat që kërkojnë. Palët ashtu siç kanë të drejta kanë dhe detyrime që rrjedhin prej këtij procesi, në format dhe afatet e parashikuara me ligj. Gjykata duhet të lejojë palët që të paraqesin prova shkresore me anën e të cilave, ato të provojnë pretendimet e tyre bazuar në nenin 12 dhe 19 të K.Pr.Civile, t’i lejojnë palët që t’ia nënshtrojnë këto prova hetimit e debatit gjyqësor, si dhe të kërkojë nëse nevojitet zyrtarisht nga organet kompetente (neni 224 K.Pr.Civile) paraqitjen e provave dhe të dhënave të cilat ndihmojnë në zgjidhjen e drejtë dhe përfundimtare të çështjes. Kryerja e veprimeve të përmendura më sipër, si dhe e të tjerave që eventualisht mund të lindin gjatë rigjykimit, do të lejojnë gjykatën të arrijë në përfundime të drejta dhe objektive lidhur me zgjidhjen e çështjes.
PËR KËTO ARSYE
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, në bazë të nenit 63/c të ligjit nr.49/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”, si dhe nenit 490 të K.Pr.Civile,
V E N D O S I
Prishjen e vendimit me nr.10-2012-1609 (788), datë 05.11.2012 të Gjykatës së Apelit Durrës dhe dërgimin e çështjes për rigjykim në Gjykatën Administrative të Apelit Tiranë.
Tiranë më 05.11.2015
Nr. 31001-00052-00-2013 i Regj. Themeltar
Nr. 00-2015- 4293 i Vendimit (582)
Do'stlaringiz bilan baham: |