VENDIM
NË EMËR TË REPUBLIKËS
Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë i përbërë prej:
Artan Broci Kryesues
Ardian Dvorani Anëtar
Guxim Zenelaj Anëtar
Edmond Islamaj Anëtar
Tom Ndreca Anëtar
Në datën 09.11.2015, shqyrtoi në seancë gjyqësore çështjen penale me palë:
KËRKUES: PERSONI NËN HETIM MARK FRROKU, i biri Prengës dhe Lezes, lindur në Pukë, datëlindja 06.10.1972, banues në Rr. "Leonard Frroku" nr.54 Tiranë, i mbrojtur në gjyq nga av. Sajmir Visha.
A K U Z U A R:
Për veprën penale të
“Vrasjes me paramendim e kryer në bashkëpunim”,
parashikuar nga nenet 78/1 dhe 25 të Kodit Penal.
OBJEKTI:
Kundërshtimin e vendimit të Prokurorëve mbi kërkesën
për leje të veçantë (vendosur mospranim),
pranimin e kërkesës për dhënie autorizim për leje të veçantë,
nga IEVP 302 Tiranë, për pjesëmarrje si deputet i Kuvendit të RSH,
në komisionin përkatës (ku bën pjesë deputeti)
dhe në seancat plenare të Kuvendit të RSH,
në ditët e caktuara sipas kalendarit të miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë.
ME PJESËMARRJEN: PROKURORIA E PËRGJITHSHME E REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, përfaqësuar në gjykim nga prokurori Madrid Kukolli.
Baza Ligjore: Nenet 242/2 e 278/1/2 K.Pr.Penale,
nenet 42/2,71/2, të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.
Ligji nr.8328, datë 16.04.1998,
“Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim”
dhe konkretisht nenin 75/5 që bën fjalë për të paraburgosurit.
KOLEGJI PENAL I GJYKATЁS SЁ LARTЁ
pasi dëgjoi personin nën hetim dhe mbrojtësin e tij, të cilët kërkuan: Ndryshimin e vendimit me nr.115/16 prot. datë 14.04.2015 të Prokurorisë së Përgjithshme duke e konsideruar në kundërshtim me ligjin procedural penal, si dhe me nenin 71 pika 2 të Kushtetutës së RSH, duke vendosur pranimin e kërkesës duke lejuar personin nën hetim, Deputetin Mark Frroku, të marrë pjesë në seanca plenare të Kuvendit të Shqipërisë në ditët sipas kalendarit të paracaktuar të Kuvendit Popullor, si dhe në komisionet parlamentare ku është anëtar;
Prokurorët pranë Gjykatës së Lartë, Rovena Gashi dhe Madrid Kullolli të cilët kërkuan: Mospranimin e kërkesës për “dhënien e lejes së veçantë për shtetasin Mark Frroku, deputet i Kuvendit të Shqipërisë për të marrë pjesë në seancat plenare të Kuvendit”, ndaj të cilit është në zbatim masa e sigurimit “arrest në burg” parashikuar nga nenin 238 i K.Pr.Penale e caktuar me anë të vendimit nr.17 datë 03.04.2015 të Gjykatës së Lartë Tiranë.
V Ё R E N
Se kërkesa e Personit nën Hetim Mark Frroku për Kundërshtimin e vendimit të Prokurorëve mbi kërkesën për leje të veçantë (vendosur mospranim), pranimin e kërkesës për dhënie autorizim për leje të veçantë, nga IEVP 302 Tiranë, për pjesëmarrje si deputet i Kuvendit të RSH, në komisionin përkatës (ku bën pjesë deputeti) dhe në seancat plenare të Kuvendit të RSH, në ditët e caktuara sipas kalendarit të miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë, është e pabazuar në ligj dhe në prova dhe si e tillë duhet të rrëzohet, për arsyet dhe shkaqet që vijojnë.
-
PROCEDURA
Më datë 28.03.2015 Prokuroria e Përgjithshme, ka regjistruar procedimin penal nr.nr.2, datë 28.03.2015, në ngarkim të shtetasve: a) Mark FRROKU, i biri i Prengës dhe i Lezes, lindur më 06.10.1972, në Pukë dhe banues në Tiranë; b)Arjan BYTYCI alias Kristian MORINA (MARINAJ) alias Hile JOKA alias Hile MORINA, lindur në Pukë më datë 02.02.1977 alias Ilir MORINA i lindur në Drenicë, Kosovë, më datë 2 Shkurt 1977, për veprën penale të “Vrasjes me paramendim e kryer në bashkëpunim”, parashikuar nga nenet 78/1 dhe 25 të Kodit Penal. Procedimi penal nr.2, i mësipërm, është regjistruar mbi bazën e materialeve të ardhura nga Zyra Qendrore Kombëtare Interpol Tirana me shkresën nr.2851/1 KL Prot.BM/FKB 1433/15, datë 27.03.2015 dhe Ministria e Drejtësisë me shkresën nr.266/2 datë 28.03.2015.
Zyra Qendrore Kombëtare Interpol Tirana me shkresën nr.2851/1 KL Prot.BM/FKB 1433/15, datë 27.03.2015 ka komunikuar se shtetasi shqiptar Mark FRROKU, lindur më 06.10.1972, në Këcirë - Pukë alias Besnik Morina, është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet belge të drejtësisë, mbi bazën e Urdhrit të Arrestit Ndërkombëtar me nr.B1/07 OPC, lëshuar më datë 03.12.2014, të Prokurorisë pranë Gjykatës së Apelit të Brukselit, Belgjikë, për veprën penale të “Vrasjes si pasojë e plagëve të marra” parashikuar nga nenet 66 dhe 394 të Kodit Penal Belg, vepër për të cilën parashikohet një dënim maksimal me burgim të përjetshëm. Sipas Z.Q.K Interpol Tirana, Shtetasi Mark Frroku është identifikuar si: Mark Frroku, i biri i Prengës dhe Lezes, lindur më 06.10.1972, në Këcirë, Pukë dhe banues aktualisht në adresën: Rruga “Bedri Karapici”, nr.390-1/6, Tiranë, me funksion Deputet i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë. Shkresës së Zyrës Qendrore Kombëtare të Interpol Tiranës i është bashkëlidhur dokumentacioni i mëposhtëm: Kopje e Urdhrit të Arrestit Ndërkombëtar (kartela Red Notice) me nr.control No: A-109/1-2015, lëshuar nga Interpol Bruksel, më datë 08.01.2015; Kopje e rezultateve të nxjerra nga kontrolli në sistemin e-ASF2 të Interpolit; Fotokopje e pasaportës me nr.BI9965569, lëshuar në emër të Mark Frrokut (të dhënat e nxjerra nga Sistemi i Administrimit Total të Informacionit -TIMS).
Ministria e Drejtësisë me shkresën nr.266/2 datë 28.03.2015 ka përcjellë shkresën nr.2851/1 KL Prot.BM/FKB 1433/15, datë 27.03.2015 të Zyrës Qendrore Kombëtare Interpol Tirana mbi shpalljen në kërkim ndërkombëtar të shtetasit shqiptar Mark FFROKU (FRROKU) alias Besnik MORINA. Gjithashtu Ministria e Drejtësisë ka komunikuar se duke marrë në konsideratë urdhrin e arrestit ndërkombëtar, bazuar në nenin 38 të Ligjit nr.10 193, datë 03.12.2009 “Për marrëdhëniet juridiksionale me autoritetet e huaja në çështjet penale”, mbetet në pritje të veprimeve për të komunikuar më tej me Autoritetet Belge.
Prokuroria e Përgjithshme, duke vlerësuar argumentet e parashtruara nga Autoritetet Belge të drejtësisë, të përcjella nëpërmjet Z.Q.K. Interpol-Tirana dhe Ministrisë së Drejtësisë, mbështetur në nenin 6 të Kodit Penal, nenin 287 të Kodit të Procedurës Penale, si dhe pikës 7 të nenit 38, të Ligjit nr.10 193, datë 3.12.2009 “Për marrëdhëniet juridiksionale me autoritetet e huaja në çështjet penale”, ka urdhëruar regjistrimin e procedimit penal në regjistrin e njoftimit të veprave penale të Prokurorisë së Përgjithshme, për veprën penale “Vrasje me paramendim” kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 78/1 dhe 25 të Kodit Penal.
Në vijim organi i Prokurorisë së Përgjithshme ka komunikuar drejtpërdrejt me Autoritetet Belge të drejtësisë, të cilat kanë dërguar Akt-Akuzën në ngarkim të shtetasit Mark Frroku. Këto autoritete kanë dhënë miratimin për përdorimin e këtij akti nga autoritetet shqiptare.
Me qëllim për t’i hapur rrugë një hetimi të plotë dhe të gjithanshëm të këtij rasti, organi i Prokurorisë, bazuar në nenet 73/2 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe nenit 288 të Kodit të Procedurës Penale, ka kërkuar nga Kuvendi Autorizimin për arrestimin ose heqjen e lirisë së shtetasit Mark Frroku, Deputet i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.
Me Vendimin nr.42, datë 02.04.2015, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë ka miratuar kërkesën e Prokurorisë për dhënien e autorizimit për arrestimin ose heqjen e lirisë të Deputetit të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Mark Frroku.
Sipas kërkesës për gjykim, organi procedues, Prokuroria e Përgjithshme i ka paraqitur Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë kërkesën për vleftësimin e ligjshëm të ndalimit dhe caktimin e masës së sigurimit “Arrest në burg” për të hetuarin Mark Frroku.
Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë me vendimin nr.17, datë 03.04.2015, ka vendosur: “Vleftësimin e ligjshëm të ndalimit të shtetasit Mark Preng Frroku. Caktimin e masës së sigurimit personal “Arrestit në burg”, parashikuar nga neni 238 I K.Pr.Penale për shtetasin Mark Preng Frroku, i dyshuar për veprën penale të parashikuar nga nenet 78/1 dhe 25 të K.Penal. Urdhërohet policia gjyqësore për ekzekutimin e këtij vendimi”.
Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë me vendimin nr.17/1, datë 11.06.2015, ka vendosur: “Rrëzimin e kërkesës për zëvendësimin e masës së sigurimit të kërkuesit Mark Frroku”
Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë me vendimin nr.17/2, datë 21.08.2015, ka vendosur: “Rrëzimin e kërkesës për zëvendësimin e masës së sigurimit të kërkuesit Mark Frroku”
II. RRETHANAT E FAKTIT
Në datë 05.03.1999, viktima Aleksandër KURTI, lindur më 03.01.1975, u qëllua me thikë për vdekje nga 4 autorë, ndërmjet të cilëve shtetasi Besnik VUKA, në hyrje të stacionit “Midi” në Saint - Gilles, Bruksel. Autor i kësaj ngjarje besohet të jetë shtetasi Mark FRROKU, i njohur ndryshe si Besnik MORINA, i njohur ndryshe si FRROKU Dritan, i njohur si Piro SFRANI (SOFRANI). Sipas disa dëshmitarëve, shtetasi Besnik VUKA ishte autori i goditjeve me thikë. Viktima kishte rënë në dashuri me një prostitutë, me emrin “L.S”. Kjo vrasje e paramenduar shtrihet brenda fushës së vrasjes mafioze e organizuar nga qarqet e tutorëve. Shtetasja L.S. kishte lënë takim me viktimën në ditën e ngjarjes (fakteve). Aleksandër KURTI kishte menduar se do të takonte prostitutën por ai ra në grackë, e cila rezultoi fatale për të. MARINAJ Kristian, i njohur si Arjan BYTYCI, si dhe Lek Bib DJAFA ishin bashkëpunëtorë të VUKA Besnik. Dëshmitarët kishin përmendur numrin e autorëve. Ata u arratisën jashtë vendit, disa ditë pas ngjarjes.
Prokurori i Përgjithshëm i Brukselit e akuzon shtetasin Mark Frroku, për kryerjen e veprës penale të “Vrasjes me paramendim”. Me vendim të datës 15 janar 2010 në mungesë, ndaj të akuzuarve Besnik MORINA, Besnik VUKA, Arjan BYTYCI dhe Bib Lek DJAFA, Gjykata e Krimeve të Rënda të Rrethit të Brukselit, ka dënuar secilin prej tyre me nga 10 vjet heqje lirie.
Duke qenë se, nga personat e dënuar është ankimuar vendimi i dënimit, Gjykata e Kasacionit me vendimin e datës 24 Mars 2010, ka kthyer çështjen për rigjykim Gjykatës për Krime të Rënda të Provincës Brabant-Wallon, Belgjikë. Avokati i të akuzuarit Besnik Morina, i identifikuar si Mark Frroku, ka kërkuar shtyrjen e seancës gjyqësore së datës 31 Janar 2014, për në datën 23 Shkurt 2015.
Nga veprimet hetimore të Prokurorisë së Përgjithshme të Brukselit ka rezultuar se: Nga këqyrja e vendit të ngjarjes, më datë 5 Mars 1999, rreth orës 17:45, Policia e Saint-Gilles, ka zbuluar në një rrugë në hyrje të Stacionit “Gare du Midi”, nr.47A të Avenue Fonsny, Bruksel, trupin e një djali të ri në agoni.
Nga këqyrja rezultoi se, hunda e tij ishte e mbuluar me gjak, kishte hematoma të rënda tek sytë, plagë në dorë dhe gjoksin e gjakosur me tre gjurmë goditjeje me thikë. Viktima, në bazë të dokumenteve të identifikimit që ju gjetën, është identifikuar si Azem SHKRELI, lindur në Jugosllavi, më 8 shtator 1980.
Policia ka konstatuar dhe marrë poshtë një kamioni, një thikë të madhe mishi, me një dorezë prej druri, tehu i të cilës ishte njollosur me gjak. Veprimet e para hetimore kanë treguar se bëhej fjalë për larje hesapesh ndërmjet personash të përfshirë në rrjetin e prostitucionit shqiptar.
Nga deklarimi i shtetasit Nickolas Kurti, vëllai i viktimës, i cili është pyetur nga hetuesit më 7 dhjetor 2000, ka rezultuar se vëllai tjetër i tij, i quajtur George, e ka informuar për “mbledhjen e baballarëve”, të mbajtur në Shqipëri, më 28 Mars 1999. Zakoni shqiptar parashikon në rastet e gjakmarrjes se, baballarët e përgjegjësve të këtij krimi paraqiten para familjes së viktimës dhe japin informacionin mbi identitetin e autorëve. Gjatë kësaj mbledhjeje, baballarët e përgjegjësve japin shpjegime mbi rrethanat e vrasjes dhe e pranojnë ose jo përgjegjësinë e tyre. Kjo mbledhje duhet t’i bëjë të mundur familjes së viktimës, të mund të ushtrojë më pas të drejtën e gjakmarrjes. Në «mbledhjen e baballarëve» të zhvilluar në një fshat të Shkodrës, nga ku viktima është me origjinë, kanë qenë prezentë:babai i viktimës; vëllai i viktimës, George KURTI; Preng FRROKU, babai i Mark FRROKU (Besnik MORINA); Bibe DJAFA, babai i Lek Bib JAFA (Lek Bib DJAFA); Fran Ded JOKA, babai i Hile JOKA (Arjan BYTYCI) .
Babai i autorit të katërt, Nikoll VUKOL nuk është paraqitur në mbledhje pasi, djali i tij Alex VUKA (Besnik VUKA) nuk e vlerëson veten përgjegjës për vdekjen e viktimës, duke pretenduar se viktima kishte vdekur para se ai të ndërhynte. Megjithë mungesën e babait të Alex VUKA (Besnik VUKA), borxhi i gjakut është vënë dhe secila prej katër familjeve duhet që këtej e tutje «të paguante një jetë» që të vendosej sërish paqja.
Sipas këtij zakoni, një dënim i rëndë në Belgjikë është i barabartë me një jetë. Mbledhja konfirmoi se, arsyeja e vrasjes së Aleksandër KURTI ka qenë larja e hesapeve në lidhje me shtetasen “L. A”.
Sipas Nickolas KURTI, vëllai i tij Aleksandër, kishte disa probleme me një farë Ben (Arben FRROKU), më të madhin e tre vëllezërve FRROKU, tutor i prostitutave me emrat “L”, “M” dhe “Z”. Nickolas KURTI, ka deklaruar se Arben FRROKU ishte porositës i vrasjes së shtetasit Aleksandër KURTI, e kryer nga vëllai i tij “Mark” alias Besnik MORINA. Lek Bib DJAFA (Xhafa) i ka deklaruar shumë shqiptarëve se, ka marrë shumën 10.000 dollarë amerikanë për ekzekutimin e shtetasit Aleksandër KURTI. Nga shpjegimet e shtetasit Nickolas KURTI, rezulton se ditën e ngjarjes, ka patur një debat midis viktimës dhe tre djemve të baballarëve, në Gare du Midi në Bruksel. Një person i katërt ka ndërhyrë, toni është rritur dhe personi ka nxjerrë thikën. Motivi i vrasjes së tij: raporti midis viktimës dhe shtetases “L” po bëhej më shumë se profesional dhe mund të vinte në rrezik organizatën e shfrytëzimit të qenieve njerëzore shqiptare nga Italia, Brukseli deri në Londër.
Në shtator dhe tetor 2000, Nickolas KURTI deklaron në polici se kunati i tij është lidhur me Markun (Besnik MORINA) dhe shtetasin Hilë JOKA për të vrarë shtetasin Aleksandër Kurti. Prindërit e KURTI-t jetojnë në Amerikë me djalin e tyre Nickolas. Vëllai i tij Georges është larguar nga Shqipëria për një destinacion të panjohur në Evropë. Ai është i kërkuar nga banda e të katërve.
Marku, me vëllezërit e tij Nardi dhe Arben, ka qenë përgjegjës për tre prostituta, që banojnë bashkë. Sipas dëshmitarit anonim ata quhen FRROKU. Viktima me origjinë nga Shkodra (Shqipëri) është hequr si polic i Interpolit dhe se në Shqipëri e njeh familjen e shtetases “L”.
Nga frika se mos familja e saj mësonte mbi punën që ajo bënte në Belgjikë, shtetasja “L” i telefonon tutorit të saj Nardi (FRROKU alias Shkurt LASKU) i cili ndodhej në atë kohë në Shqipëri. Ai e këshillon të njoftojë të vëllain Dritan (Besnik MORINA). Dritani e fton t’i ngrejë një kurth viktimës në Gare du Midi. Shtetasja L. kontakton me telefon me Aleksandër KURTI dhe e siguron se ajo do të ishte vetëm me të në takim. Në orën dhe vendin e caktuar, nuk është “L” e cila pret viktimën, por katër persona të cilët kanë për qëllim ta vrasin.
Gjithashtu, në ngarkim të personit nën hetim Mark Frroku është regjistruar procedimi penal nr.3, datë 01.04.2015, për veprat penale, 1. “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, parashikuar nga neni 287 i K.Penal dhe 2. “Refuzimi për deklarimin, Mosdeklarimi, Fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë”, parashikuar nga neni 257/a/2” i K.Penal.
Ky procedim është regjistruar mbi kërkesën e Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave e cila ka dërguar “Kërkesën për fillimin e ndjekjes penale” ndaj shtetasit Mark Frroku, me funksion Deputet i Kuvendit të Shqipërisë, për veprën penale të “Refuzimit për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, parashikuar nga neni 257/a/2 i K.Penal. Në kërkesë janë parashtruar dyshimet për kryerjen e veprës penale të parashikuar nga neni 257/a/2 i K.Penal nga ana e shtetasit Mark Frroku, pasi në “Deklaratën e interesave private ”Para Fillimit të Detyrës” në vitin 2013, subjekti deklarues ka deklaruar pasuri në shuma të konsiderueshme për të cilat ka refuzuar burimin e krijimit të tyre.
Nisur nga fakti se, subjekti ka refuzuar burimin e deklarimit të pasurive, krijohen dyshime të arsyeshme se subjekti deklarues ka fshehur pasuri të tjera të padeklaruara. Gjithashtu në deklaratën periodike/vjetore të vitit 2014, subjekti ka deklaruar pasuri në vlera të konsiderueshme të cilave sërish nuk i ka deklaruar burimin e krijimit të tyre. Në këto kushte, për shtetasin Mark Frroku krijohen dyshime të arsyeshme se, ka konsumuar elementë të veprës penale të “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim” parashikuar nga neni 257/a/2 i K.Penal.
Në datë 01.04.2015 është vendosur bashkimi i të dy procedimeve të mësipërme duke u numërtuar procedimi penal nr.2, viti 2015, nisur nga fakti se të dy procedimet penale bëjnë fjalë për të njëjtin person, i cili ka kryer disa vepra penale që lidhen midis tyre.
Rezultoi se pranë Prokurorisë së Përgjithshme, me anë të shkresës nr.l 115/14 prot., datë 08.04.2015 është paraqitur shkresa me lëndë - “Kërkesa për autorizim për leje të veçantë nga IEVP 302 Tiranë, për pjesëmarrje si deputet i Kuvendit të Shqipërisë në komisionin e sigurisë dhe në seancat plenare të Kuvendit të R.SH., Mark Frroku”.
Nga përmbajtja e saj rezulton se është kërkuar autorizimi për leje të veçantë nga IEVP 302 Tiranë, për pjesëmarrje si deputet i Kuvendit të Shqipërisë në komisionin e sigurisë (apo parlamentare ku bën pjesë deputeti) dhe në seancat plenare të Kuvendit të RSH, në ditët e caktuara sipas kalendarit të miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë.
Prokuroria e Përgjithshme pas studimit të kërkesës dhe pas konsultimit me bazën ligjore të kërkesës dhe korpusit ligjor në fuqi, ka arsyetuar se: “… ju bëjmë me dije se ndaj shtetasit Mark Preng Frroku, deputet i Kuvendit të R.SH, në funksion të hetimeve të procedimit penal nr.2 viti 2015 i Prokurorisë së Përgjithshme, është caktuar masa e sigurimit “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, me vendimin nr.17, të datës 03.04.2015 të Gjykatës së Lartë, për dyshimin e kryerjes së veprës penale të “Vrasjes me paramendim”, e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 78/1-25 i K.Penal.
Kjo masë sigurimi sipas K.Pr.Penale është masë sigurimi me karakter shtrëngues dhe kufizuese për lirinë personale të subjektit në ngarkim të të cilit ajo është vendosur, rrjedhimisht shtetasit Mark Frroku, nuk mund t’i jepet leje për të vazhduar detyrën e tij, qoftë edhe ajo e deputetit të Kuvendit të RSH.
Rastet specifike të dhënies së lejes për të paraburgosurit parashikohen në Ligjin nr.8328, datë 16.04.1998, “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim’, i ndryshuar dhe konkretisht neni 75/5 parashikon se: “Të paraburgosurit nuk përfitojnë leje shpërblyese. Me miratimin paraprak të prokurorit dhe të drejtorit të institucionit, të paraburgosurit mund t'i jepet leje e veçantë për: a) lindje të fëmijës së të paraburgosurit; b) martesë e fëmijës, vëllait, motrës apo prindit të të paraburgosurit; c) vdekje e fëmijës, bashkëshortit/bashkëshortes, vëllait, motrës apo prindit të të paraburgosurit ose të bashkëshortit të tij.
Lidhur me sa më sipër, duke vlerësuar se nuk ekziston asnjë nga shkaqet e përmendura në nenin 75/5 të Ligjit nr.8328, datë 16.04.1998, “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim”, i ndryshuar, rezulton se kërkesa e paraqitur nuk përmban shkaqe ligjore për t’u pranuar”.
Në këto rrethana nga Prokuroria e Përgjithshme është marrë vendimi nr.1115/16 prot i datës 14.04.2015 në të cilin është vendosur se: “Të mos e pranojmë kërkesën e shtetasit ndaj të cilit zhvillohen hetime, të dyshuarit Mark FRROKU, i biri i Preng dhe i Lize, datëlindjes 06.10.1972, lindur në Pukë e banues në Tiranë lidhur me kërkesën e tij “për leje të veçantë, për pjesëmarrje si deputet i Kuvendit të Shqipërisë në Komisionin e sigurisë (apo komisione parlamentare ku bën pjesë deputeti) dhe në seancat plenare të Kuvendit të RSH, në ditët e caktuara sipas kalendarit të miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë.”
Personi i interesuar duke mos qenë dakord me vendimmarrjen e mësipërme ka paraqitur kërkesë në Gjykatë të Lartë, me objektin e sipërcituar.
-
PRETENDIMET E PALËVE.
Vendimi i Prokurorisë së Përgjithshme me nr.1115/16 prot datë 14.04.2015 bie ndesh me Ligjin Procedural Penal dhe me nenin 71 pika 2 , i cili përcakton qartë se kur mbaron ose bëhet i pavlefshëm mandat i deputetit.
Në bazë të nenit 4 të K.Pr.P i cili shprehet se (...) i pandehuri prezumohet i pafajshëm gjersa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim të formës së prerë. Çdo dyshim për akuzën çmohet në favor të të pandehurit (...).
Neni 71 pika 2 e Kushtetutës i ka të qarta rastet se kur mandati i deputetit mbaron apo është i pavlefshëm, i marrim të gjitha rastet me radhë si më poshtë; a) Kur ai nuk bën betimin, deputeti Mark Frroku e ka bërë betimin; b) Kur heq dorë nga mandati, deputeti Mark Frroku nuk ka hequr dorë nga mandati; c) Kur mbaron mandati i Kuvendit, Kuvendi mbaron në vitin 2017 legjislaturën e tij; d) Kur mungon pa arsye mbi 6 muaj rresht, mungesa që nga data 28 mars 2015, është me arsye për shkak të masave të sigurimit personal; e) Kur dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një krimi, ku deri në këtë moment deputeti Mark Frroku nuk është dënuar me asnjë vendim gjykate brenda apo jashtë shtetit.
Deri tani është i vlefshëm mandatit të deputetit z Mark Frroku dhe ai ka të drejtë të jetë i pranishëm në seancat parlamentare apo në mbledhjet e komisioneve parlamentare ku ai bën pjesë në Kuvendin e RSH.
Edhe neni 240 i K.Pr.P. që ka të bëjë me masat ndaluese nuk ndalon personat e zgjedhur me ligjin elektoral që të pezullohen nga ushtrimi i një detyrë apo shërbimi publik dhe konkretisht neni 242 pika 2 e K.Pr.P. shprehet se (...) Kjo masë nuk zbatohet ndaj personave të zgjedhur sipas ligjit elektoral (...), çka do thotë për aq kohë që nuk ka masë ndaluese, deputeti Mark Froku duhet të lejohet me vendim gjykate të marri pjesë në parlament sipas kalendarit të punimeve të Kuvendit të Shqipërisë.
b) PRETENDIMET E PROKURORIT
Masa e sigurimit, e cila i është caktuar shtetasit Mark Frroku është masa e sigurimit arrest në burg parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale për dyshimin e kryerjes së një krim të rëndë në ngarkim të tij dhe bashkautorëve të tjerë. Masa e sigurimit e caktuar ndaj tij, sipas ligjit proceduralo-penal i ndalon personit një numër të drejtash dhe lirish sikurse është edhe liria për të kryer funksione publike. Pas caktimit të kësaj mase shtrënguese, personi i siguruar me ketë masë nuk mund të kryejë apo ushtrojë funksione publik, qoftë ajo edhe funksioni i përfituar nga ligji elektoral atë të deputetit të Kuvendit të Shqipërisë. Këtë funksion apo një sërë lirish dhe të drejtash, personit i kufizohen mbështetur në ligj, për shkak të një interesi të lartë publik sikurse është nevoja për kryerjen e hetimeve të një krimi të kryer, neni 17,18 i Kushtetutës, nenet 244.238 i K.Pr.Penale, neni 5 i K.E për të Drejtat e Njeriut.
Në kërkesën e paraqitur i arrestuari dhe mbrojtësi pretendojnë, midis të tjerave, se nga ana e Prokurorisë janë mbajtur dy qëndrime lidhur me dhënien e lejes së veçantë shtetasit Mark Prroku për të marrë pjesë ose jo në Kuvend.
Sqarojmë së pretendimi është i pa sakte, pasi nuk është mbajtur qëndrim i ndryshëm për të njëjtin fakt por është mbajtur qëndrim i ndryshëm për çështja apo kërkesa të ndryshme.
Kuvendi i Shqipërisë i ka kërkuar Prokurorisë së Përgjithshme, me anë të shkresës nr.1212/2 datë 31.03.2015, lejimin e pjesëmarrjes së deputetit Mark Frroku për t’u dëgjuar në seancën plenare në të cilën do të shqyrtohej kërkesa e Prokurorit të Përgjithshëm për dhënie të autorizimit për arrestimin ose heqjen e lirisë së tij (shtetasit Mark Frroku).
Gjithashtu, Kuvendi i Shqipërisë i ka kërkuar Prokurorisë së Përgjithshme, me anë të shkresës nr.3236/1, datë 16.10.2015, “lejimin e të arrestuarit Mark Frroku të marrë pjesë në mbledhjen e Këshillit për Rregulloren Mandatin dhe Imunitetin” lidhur me shqyrtimin e kërkesës për mbarimin e mandatit të deputetit Mark Frroku.
Për të dy këto kërkesa, nga ana e Prokurorisë është vendosur dhënia e lejes së veçantë për pjesëmarrjen e të arrestuarit Mark Frroku në Mbledhjet e Kuvendit duke çmuar se kërkesat janë në përputhje me ligjin, pasi Kuvendi kërkonte praninë e deputetit ndaj të cilit ishin drejtuar kërkesat përkatëse. Në këto dy raste, dhënia e lejes së posaçme për të marrë pjesë në punimet e Kuvendit, lidhet pazgjidhshmërisht me respektimin e lirive dhe të drejtave të njeriut si të drejta individuale të deputetit Mark Frroku. E drejta e tij për t’u dëgjuar, pranuar, kundërshtuar, apo dhënien e argumenteve që çmon të arsyeshme, lidhur me kërkesat në ngarkim të tij, janë të drejta të garantuara nga Kushtetuta dhe ligji.
Ndërkohë, me anë të kërkesës nr.l115/14 prot., datë 08.04.2015 nga ana e të arrestuarit dhe mbrojtësit të tij është paraqitur “Kërkesa për dhënien e autorizimit për leje të veçantë nga IEVP 302 Tiranë, për pjesëmarrje si deputet i Kuvendit të Shqipërisë në komisionin e sigurisë dhe në seancat plenare të Kuvendit të R.SH.,të deputetit Mark Frroku me qëllim realizimin e funksionit të tij publik atë të përfaqësimit të zgjedhësve në Kuvendin e Shqipërisë”.
Kjo kërkesë nuk është pranuar nga ana e organit të procedimit, pasi nuk lidhet me liritë dhe të drejtat e personit ndaj të cilit është caktuar masa e sigurimit, por është një kërkesë, e cila ka si qëllim realizimin e një funksioni publik, në rastin konkret atë të deputetit të Kuvendit të Shqipërisë, kërkesë e cila nuk gjen bazë ligjore në legjislacionin në fuqi. Nëse kërkesa do të pranohej, atëherë ky veprim nuk garantonte zbatimin sipas ligjit të masës së sigurimit të caktuar nga Gjykata. Në këto kushte, kur masa e sigurimit është vendosur mbi një bazë ligjore të qartë rezulton se kërkesa për lejimin e pjesëmarrjes apo kryerjes se funksioneve publike gjatë zbatimit të masës nuk mund të pranohet.
Në kërkesë pretendohet se duhet lejuar kryerja e funksionit, përderisa nuk ka një masë ndaluese sipas nenit 240, 242 të K.Pr.Penale.
Sqarojmë se pikërisht sipas llojit të masës së sigurimit të caktuar bëhet edhe ndarja e nevojës së sigurimit, në rastin konkret, nisur nga fakti që ndaj personit është caktuar një masë shtrënguese, sipas nenit 238 të K.Pr.Penale, rezulton se kjo dispozitë, nuk përmban parashikimin që ka masa ndaluese neni 242/2 të K.Pr.Penale; pra, "moszbatimin e masës për personat e zgjedhur sipas ligjit elektoral”.
Ligjvënësi ka parashikuar se kur caktohet kjo masë ndaluese gjen zbatim edhe parashikimi i paragrafit të dytë të nenit 242 të K.Pr.Penale, por jo në kushtet e masës shtrënguese të arrestit në burg.
Gjithashtu, lidhur me kërkesën për mbarimin e mandatit te deputetit apo kërkesës për lejimin e kryerjes së funksionit të deputetit të Kuvendit, Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin i Kuvendit të Shqipërisë me vendimin e datës 22.10.2015 ka vënë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese për interpretimin përfundimtar të Kushtetutës për nenin 71/2/b. Në këto rrethana, mendojmë se kërkesa e paraqitur para Gjykatës së Lartë është e pabazuar, pasi nuk është e mbështetur në ligj dhe për rrjedhojë nuk duhet pranuar.
-
VLERËSIMI I GJYKATËS.
Kolegji Penal i Gjykatës së Larte bazuar në nenin 141 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë ku përcaktohet se: “...Gjykata e Lartë ka juridiksion fillestar dhe rishikues. Ajo ka juridiksion fillestar kur gjykon akuzat penale kundër Presidentit të Republikës, Kryetarit dhe anëtarëve të Këshillit të Ministrave, deputetëve, gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë dhe gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese”, vlerëson se kërkesa do trajtohet nga ana e saj.
Kolegji vlerëson se kërkesa e paraqitur nga personi nën hetim Mark Frroku dhe mbrojtja e tij, është në kompetencën lëndore të Gjykatës së Lartë për t’u gjykuar, e cila në këtë rast ka juridiksionin fillestar, referuar edhe neneve 75/b/2, 79, 277/3, 288 dhe 289 të Kodit të Procedurës Penale.
Në nenin 75, pika “b” paragrafi i dytë të Kodit të Procedurës Penale përcaktohet se: “...Gjykata e Lartë gjykon në shkallë të parë, me trup gjykues të përbërë nga 5 gjyqtarë të përcaktuar me short, veprat penale të kryera nga Presidenti i Republikës, Kryetari dhe anëtarët e Këshillit të Ministrave, deputetët, gjyqtarët e Gjykatës së Lartë dhe gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese, kur këta janë në këto funksione në kohën e gjykimit...”.
Referuar rrethanave të faktit rezulton se: Procedimi penal nr.2, për veprën penale të “Vrasjes me paramendim e kryer në bashkëpunim” parashikuar nga neni 78/1-25 i Kodit Penal, është regjistruar mbi bazën e materialeve të ardhura nga Zyra Qendrore Kombëtare Interpol Tirana me shkresën nr.2851/1 KL Prot. BM/FKB 1433/15, datë 27.03.2015 dhe Ministria e Drejtësisë me shkresën nr.266/2, datë 28.03.2015.
Gjithashtu, në ngarkim të shtetasit në hetim është regjistruar procedimi penal nr.3, datë 01.04.2015, për veprat penale “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, parashikuar nga neni 287 i K.Penal dhe “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë”, parashikuar nga neni 257/a/2” i K.Penal mbi kërkesën e Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave dhe nga ana e organit të akuzës është kryer bashkimi i procedimeve bazuar në nenin 79 pika b të K.Pr.Penale.
Sipas kërkesës për gjykim, personi nën hetim i ka paraqitur Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë kërkesën për “Kundërshtimin e vendimit të Prokurorëve mbi kërkesën për leje të veçantë (vendosur mospranim), pranimin e kërkesës për dhënie autorizim për leje të veçantë, nga IEVP 302 Tiranë, për pjesëmarrje si deputet i Kuvendit të RSH, në komisionin përkatës (ku bën pjesë deputeti) dhe në seancat plenare të Kuvendit të RSH, në ditët e caktuara sipas kalendarit të miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë”
Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë vlerëson se në thelb, personi nën hetim Mark Frroku, ndaj të të cilit është caktuar dhe po zbatohet masa e sigurimit arrest në burg pretendon leje për të drejtën e tij kushtetuese me qëllim për të ushtruar mandatin e deputetit të Kuvendit të fituar sipas legjislacionit shqiptar dhe nëpërmjet marrjes pjesë në punimet e Kuvendit, ai pretendon edhe respektimin e zbatimit të parimit të prezumimit të pafajësisë nga ana e organit të akuzës.
Ndaj personit nën hetim rezulton se është duke u zbatuar vendimi për caktimin e masës së sigurimit arrest në burg. Kolegji vërën se edhe organi i prokurorisë thelbin e pretendimeve të tij e ka të bazuar në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, e cila në bazë të nenit 27, parashikon se “askujt nuk mund t’i hiqet liria, përveçse në rastet dhe sipas procedurave të parashikuara me ligj, përveçse (...) kur ka dyshime të arsyeshme se ka kryer një vepër penale ose për të parandaluar kryerjen prej tij të veprës penale ose largimin e tij pas kryerjes së saj.
Urgjenca rreth caktimit të masave të sigurimit është element që i karakterizon ato, sepse me anë të tyre synohet shmangia e rreziqeve, prania e të cilave do të vështirësonte zhvillimin e procedimit penal, prandaj shmangia e rreziqeve mund të konsiderohet si nevojë sigurimi për zhvillimin e hetimeve dhe më pas të gjykimit penal. Ndërhyrja e vonuar për t’i mënjanuar rreziqet që do t’i kanoseshin procesit penal, nga njëra anë, me shumë probabilitet do të lejonte ardhjen e këtyre rreziqeve, duke cenuar procesin e rregullt ligjor, por nga ana tjetër, Kushtetuta dhe Kodi i Procedurës Penale parashikojnë edhe garancitë themelore të personit ndaj të cilit zhvillohen hetime.
Fushëveprimi i masave të sigurimit në procesin penal është mjaft delikat, pasi duhet të përballet me një ndër parimet më themelore të drejtësisë penale, atë të prezumimit të pafajësisë. Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë parashikon se “kushdo” quhet i pafajshëm, përderisa nuk i është provuar fajësia me vendim gjyqësor të formës së prerë (neni 30). Nga ky përcaktim themelor kushtetues, rrjedh se dënimi (si ndëshkim) mund të zbatohet vetëm pasi vendimi gjyqësor të jetë bërë i parevokueshëm, pra, të ketë marrë formën e prerë dhe të përbëjë një gjendje a fakt të pandryshueshëm, domethënë gjë të gjykuar. Prandaj dispozitat përkatëse në Kodin e Procedurës Penale parashikojnë një listë taksative dhe shteruese të nevojave të sigurimit që përligjin aplikimin e një mase sigurimi personal dhe gjykatës i ndalohet të caktojë masa sigurimi për shkaqe dhe nevoja të ndryshme nga ato që parashikon shprehimisht Kushtetuta dhe ligji procedural penal.
Megjithatë, parimi kushtetues i prezumimit të pafajësisë, duhet të ballafaqohet edhe me përcaktimin kushtetues parashikuar në nenin 27, paragrafi 2, shkronja “c” të Kushtetutës, e cila lejon kufizimin e lirisë personale, kur ka dyshime të arsyeshme se është kryer një vepër penale ose për të parandaluar kryerjen e veprës penale ose largimin e autorit pas kryerjes së saj, përpara se të arrihet në një vendim gjyqësor themeli të formës së prerë për përcaktimin e akuzës. Kësisoj, Kolegji Penal vëren se, si pretendimet e personit nën hetim ndaj të cilit është aplikuar masa e sigurimit, ashtu edhe pretendimet e organit të akuzës, invokojnë zbatimin e parimeve kushtetuese të rëndësishme për funksionimin dhe organizimin e organeve të Republikës së Shqipërisë.
Në këto kushte, Kolegji Penal vëren se vetëm zbatimi në mënyrë korrekte i dispozitave kushtetuese dhe eventualisht, balancimi i parimeve kushtetuese do të mund të përcaktojë drejt bazën, por njëkohësisht, edhe kufirin logjik të ushtrimit të pushtetit publik për përmbushjen e interesave kushtetuese që kanë të bëjnë me sigurimin dhe synimin për të zhvilluar një proces të drejtë e të rregullt, në raport me interesin kushtetues për ushtrimin e funksioneve kushtetuese dhe respektimin e parimit të prezumimit të pafajësisë. Kështu, ndërsa deputeti përfaqëson popullin në Kuvend dhe nga kjo normë kushtuese buron e drejta e deputetit për të marrë pjesë në punimet e këtij organi kushtetues; edhe organi i prokurorisë ushtron ndjekjen penale, si dhe përfaqëson akuzën në gjyq në emër të shtetit dhe në ushtrimin e kompetencave të tij ai i nënshtrohet Kushtetutës dhe ligjeve; pra për kemi të bëjmë me interesa kushtetuese dhe zbatimin e parimeve kushtetuese të rëndësishme të funksionimit të shtetit. Kësisoj, paraqitja e kërkesës për caktimin e masës nga ana e organit të akuzës dhe vendimi gjyqësor për caktimin e masës së sigurimit personal arrest në burg, duhet të konsiderohet si ushtrim legjitim i autoritetit të prokurorisë, dhe i pushtetit gjyqësor me qëllim përmbushjen e interesit kushtetues që parashikon garantimin e nevojës për zhvillimin e procesit të rregull e të drejtë ligjor.
Masa e sigurimit arrest në burg konsiston, pikërisht, në urdhërimin për kapjen e personit dhe dërgimin e tij në një institut paraburgimi për të qëndruar në dispozicion të autoritetit procedues gjatë zhvillimit të hetimeve. Prandaj, për vetë faktin se kjo masë sigurimi konsiderohet si më ekstremja, kuptohet se edhe e drejta për të ushtruar profesionin, apo qoftë edhe mandatin e fituar nga zgjedhjet për në Kuvend, duhet të konsiderohet si e papajtueshme me zbatimin e kësaj mase. Aplikimi i masës së sigurimit të arrestit në burg, do të thotë se nevojat për sigurim dhe mbarëvajtje të procesit gjyqësor, janë më të mëdha e më se të domosdoshme se sa ato të vërtetuara nga llojet e tjera të masave të sigurimit personal. Kolegji Penal vlerëson se, në rastin kur gjykata në mënyrë legjitime ka vlerësuar, e më pas, ka caktuar masën e sigurimit personal arrest në burg ndaj personit nën hetim, nevojat dhe interesat kushtetuese për zhvillimin e një procesi të rregullt e të drejtë ligjor, duhet të konsiderohen si prevaluese, në raport me tagrin e deputetit ndaj të cilit zhvillohen hetime, për të marrë pjesën në punimet e Kuvendit.
Për më tepër, Kolegji Penal vlerëson se tagrat për mundësimin e ushtrimit të mandatit të deputetit, ndaj të cilit është caktuar masa e sigurimit personal arrest në burg, nuk është parashikuar në mënyrë të shprehur as nga Kushtetuta as nga dispozitat e Kodit të Procedurës Penale, pasi në fakt, njohja dhe lejimi i një të drejte të tillë, për personin ndaj të cilit është caktuar masa shtrënguese e arrestit në burg, do të binte ndesh me qëllimin dhe përmbajtjen e kësaj lloj mase sigurimi dhe do të cenonte garancitë dhe mbrojtjen që duhet të ofrohet për zhvillimin normal të procesi gjyqësor duke paragjykuar nevojat e sigurimit personal të procesit. Kolegji Penal nuk ka identifikuar ndonjë normë ligjore apo kushtetuese nga e cila të mund të deduktohet dhënia e një leje të natyrës së kërkuar nga ana e personin nën hetim, Mark Frroku. Leje, e cila në vetvete për nga natyra e saj, sidomos për nga kohëzgjatja dhe vazhdueshmëria thuajse e pandërprerë sipas kalendarit të punimeve të Kuvendit, dhe për nga moria e veprimtarive kuvendore do të zbehte pothuajse krejtësisht qëllimin dhe objektin e vendimit për caktimin e masës së sigurimit. Në Kodin e Procedurës Penale nuk identifikohet ndonjë dispozitë ligjore që të parashikojë mundësinë e dhënies së një leje të një natyre të tillë, kurse dispozitat e parashikuara në ligjin për trajtimin e të paraburgosurve, natyra e lejeve që mund të kërkohen ka karakter rastësor dhe të përjashtimor, pra nuk parashikohet as në ligjin nr.8328, datë 16.04.1998, “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim” ndonjë dispozitë që të mbështeti pretendimin e personin nën hetim. Në këto kushte, e drejta kushtetuese për të ushtruar funksionin e deputetit, nuk mund të konsiderohet si mbizotëruese në raport me përmbushjen e interesit kushtetues që ka të bëjë me plotësimin e nevojave për mbarëvajtjen e procedimit penal lidhur me ushtrimin e ndjekjes penale dhe zhvillimin e një procesi të rregullt ligjor që synon përcaktimin e së vërtetës lidhur me akuzat e ngritura dhe çështjen e përgjegjësisë penale.
Në rastin konkret, ndaj personit nën hetim Mark Frroku vërehet se me anë të vendimit nr.17, datë 03.04.2015, është vendosur, caktimi i masës së sigurimit personal “Arrestit në burg”, parashikuar nga neni 238, i K.Pr.Penale; gjithashtu, me anë të vendimit nr.17/1, datë 11.06.2015, si dhe të vendimit nr.17/2, datë 21.08.2015, është vendosur rrëzimi i kërkesës për zëvendësimin e masës së sigurimit ndaj personit nën hetim Mark Frroku. Ky fakt përbën një element që dëshmon ligjshmërinë dhe praninë e nevojave të sigurimit penal që akoma kërkojnë zbatimin dhe vazhdimin e zbatimit të masës si të nevojshme për zhvillimin e hetimeve dhe ushtrimin e ndjekjes penale.
Kolegji Penal vlerëson se në rrethanat konkrete, masa e sigurimit personal e caktuar ndaj personit në hetim Mark Frroku, sipas ligjit e kufizon personin në një numër të caktuar të drejtash dhe lirish, përfshirë edhe të drejtën e tij për të ushtruar funksionin e deputetit me qëllim që të marrë pjesën në punimet e Kuvendit, kur janë të pranishme nevojat procedurale që kanë legjitimuar aplikimin e masës së sigurimit personal të arrestit në burg.
Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë çmon se mbizotërimi i përmbushjes së interesave kushtetuese për mbarëvajtjen dhe zhvillimin e një procesi të drejtë e të rregullt, kur është provuar domosdoshmëria e nevojave siguruese për procesin penal, arrihet vetëm duke respektuar në mënyrë rigoroze dispozitat ligjore dhe garancitë për caktimin dhe zbatimin e masave në procesin penal, si mënyra më korrekte që vë në baraspeshim në vijë të drejtë, interesin publik dhe të drejtat themelore të individit dhe se nuk parashikohet në legjislacionin e brendshme baza ligjore për akordimin e lejes për personin ndaj të cilit zbatohet masa e sigurimit arrest në burg për shkak për të ushtruar mandatin kushtetues. Rrjedhimisht kërkesa e personin nën hetim Mark Frroku duhet të konsideruar e pambështetur në ligj e në prova.
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë nuk pranuar të kalojë për gjykim kërkesën për nenin 71/2/b, lidhur me kërkesën për mbarimin e mandatit të deputetit apo kërkesës për lejimin e kryerjes së funksionit të deputetit të Kuvendit, Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin i Kuvendit të Shqipërisë, me vendimin nr.82 e datës 28.05.2015 e cila ka arsyetuar ndër të tjera se: “...(...) Kërkuesi i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese (Gjykata), duke kërkuar: a) interpretimin e nenit 71/2 të Kushtetutës në lidhje me vlefshmërinë e mandatit të deputetit Mark Frroku për lejimin dhe pjesëmarrjen e tij në seancat parlamentare apo në mbledhjet e komisioneve parlamentare ku ai bën pjesë; b) shfuqizimin e vendimit nr.1115/16 prot., datë 14.04.2015, të Prokurorisë së Përgjithshme, duke e konsideruar në kundërshtim me nenin 71/2 të Kushtetutës. Ai ka pretenduar se është person i zgjedhur sipas ligjit elektoral dhe në bazë të Kushtetutës, nenit 71 të saj, mandati i tij si deputet është i vlefshëm për sa kohë nuk ka një masë ndaluese ndaj tij. Për pasojë, ai pretendon se Kuvendi, Prokurori i Përgjithshëm dhe Drejtori i Policisë së Qarkut Tiranë duhet ta lejojnë të marrë pjesë në seancat e komisionit parlamentar ku ai bën pjesë dhe në seancat dëgjimore apo votuese të Kuvendit. Kërkuesi ka pretenduar, gjithashtu, se vendimi nr.1115/16 prot., datë 14.04.2015 i Prokurorisë së Përgjithshme bie ndesh me nenin 71, pika 2, të Kushtetutës, i cili përcakton qartë rastet kur mandati i deputetit mbaron apo bëhet i pavlefshëm. Sipas tij, ai nuk ndodhet në kushtet e asnjërit prej rasteve të parashikuara nga neni 71/2 i Kushtetutës. .... Kushtetuta në nenin 124 të saj parashikon se Gjykata garanton respektimin e Kushtetutës dhe bën interpretimin përfundimtar të saj. Kompetenca interpretuese e Gjykatës detajohet edhe nga normat e ligjit nr.8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, konkretisht neni 71, i cili parashikon, ndër të tjera, edhe kategoritë e subjekteve që legjitimohen të kërkojnë interpretimin e Kushtetutës (përfshi 1/5-ën e deputetëve), elementet që duhet të plotësojë kërkesa për interpretim, si dhe subjektet pjesëmarrëse në gjykimin kushtetues (shih vendimin nr.29, datë 30.06.2011, të Gjykatës Kushtetuese).
Gjykata ka theksuar se Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë në nenin 134/1 ka përcaktuar rrethin e subjekteve kushtetuese, të cilat legjitimohen të vënë në lëvizje juridiksionin kushtetues. Kriteri kushtetues i “detyrimit për të justifikuar interesin”, i përcaktuar në paragrafin 2 të nenit të mësipërm, është interpretuar nga jurisprudenca kushtetuese si përcaktues në ndarjen e rrethit të subjekteve kushtetuese në dy kategori: subjekte të kushtëzuara dhe subjekte të pakushtëzuara. Në këtë kuptim, subjektet e parashikuara në shkronjat “dh”, “e”, “ë”, “f” dhe “g” të paragrafit 1 të nenit 134, të cilat mund të bëjnë kërkesë vetëm për çështje që lidhen me interesat e tyre, janë subjekte të kushtëzuara. Parashikimi i këtij kriteri kushtetues vetëm për një numër të kufizuar subjektesh kushtetuese, në një interpretim a contrario, do të thotë se ai nuk është i zbatueshëm për subjektet e tjera të parashikuara në shkronjat “a”, “b”, “c” dhe “ç” të pikës 1 të nenit 134 të Kushtetutës, të cilat nuk kanë detyrimin për të justifikuar interesin në rast se i drejtohen me kërkesë Gjykatës Kushtetuese (shih vendimin nr.59, datë 23.12.2014, të Gjykatës Kushtetuese).
Edhe neni 71/2 i ligjit nr.8577, datë 10.02.2000, “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë” parashikon se kërkesën për interpretim të Kushtetutës kanë të drejtë ta paraqesin subjektet e përmendura në shkronjat “a”, “b”, “c” dhe “ç” të paragrafit 1 të nenit 134 të Kushtetutës, ndërsa subjektet e tjera që përmenden në shkronjat “dh”, “e”, “ë” dhe “f”, mund ta kërkojnë vetëm për çështje që lidhen me interesat e tyre. Në vështrim të këtyre dispozitave, kërkuesi, edhe në cilësinë e deputetit, nuk përfshihet në kategorinë e subjekteve që mund të vënë në lëvizje Gjykatën për interpretimin e Kushtetutës, sipas nenit 134/1 të Kushtetutës dhe ligjit nr.8577, datë 10.02.2000, “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”.
-
Kërkuesi ka kërkuar, gjithashtu, edhe shfuqizimin e vendimit nr.1115/16 prot., datë 14.04.2015 të Prokurorisë së Përgjithshme, duke e konsideruar në kundërshtim me nenin 71/2 të Kushtetutës. Për sa i përket këtij pretendimi, Kolegji nënvizon se bazuar në nenin 131/f të Kushtetutës, individët janë subjekte me legjitimitet të kushtëzuar, të cilët mund t’i drejtohen Gjykatës për shkeljen e të drejtave të tyre kushtetuese për një proces të rregullt ligjor, pasi të jenë shteruar të gjitha mjetet juridike për mbrojtjen e këtyre të drejtave. Në rastin konkret, kërkuesi, si subjekt i parashikuar në nenet 131/f dhe 134/1/g të Kushtetutës, nuk i ka plotësuar këto kritere për të vënë në lëvizje Gjykatën për gjykimin përfundimtar të pretendimeve të tij për cenimin e të drejtës për një proces të rregullt ligjor”.
Bazuar në sa më lart, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë konkludon për rrëzimin e kërkesës për “Kundërshtimin e vendimit të Prokurorëve mbi kërkesën për leje të veçantë (vendosur mospranim), pranimin e kërkesës për dhënie autorizim për leje të veçantë, nga IEVP 302 Tiranë, për pjesëmarrje si deputet i Kuvendit të RSH, në komisionin përkatës (ku bën pjesë deputeti) dhe në seancat plenare të Kuvendit të RSH, në ditët e caktuara sipas kalendarit të miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë”.
PËR KËTO ARSYE
Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, mbështetur në nenet 323, 325 të Kodit të Procedurës Penale,
V E N D O S I
Të rrëzojë kërkesën e kërkuesit Mark Frroku për leje të veçantë për pjesëmarrjen si deputet i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë në Komisionet përkatëse dhe në seancat plenare të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë sipas ditëve të miratuara nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë.
Tiranë, më 09.11.2015
MENDIM PAKICE
Në lidhje me kërkesën e paraqitur nga ana e personin nën hetim, Mark Frroku, për sa i takon akordimit të lejes së veçantë për të marrë pjesë në punimet dhe veprimtaritë e Kuvendit në seancat parlamentare dhe veprimtarinë e grupeve parlamentare ku bën pjesë deputeti Mark Frroku, nuk pajtohem me vendimin e marrë nga shumica e anëtarëve të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë për shkaqet dhe arsyet si më poshtë.
Ndonëse shumica ka arsyetuar se ushtrimi i funksioneve gjyqësore nga ana e gjykatës gjatë zhvillimit të hetimeve paraprake lidhur me caktimin e masave të sigurimit përbën një funksion që ushtrohet në bazë të respektimit të interesave kushtetuese për mbarëvajtjen dhe zhvillimin e një procesi të rregull gjyqësor; po ashtu, edhe dhënia e lejes për deputetin e Kuvendit ndaj të cilit është caktuar masa e sigurimit personal arrest në burg do të mundësonte ushtrimin e një funksioni kushtetues.
Në arsyetimin e saj, shumica, nuk e ka vlerësuar drejtë baraspeshimin e interesave kushtetuese lidhur me rastin objekt gjykimi. Mospjesëmarrja e anëtarit të zgjedhur nga populli të një organi kushtetues siç është Kuvendi, kam bindjen se do të pengonte dhe madje do të paralizonte ushtrimin normal të funksioneve të Kuvendit. Në bazë të nenin 4 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, “e drejta përbën bazën dhe kufijtë e veprimtarisë së shtetit dhe dispozitat e Kushtetutës, si ligji më i lartë, zbatohen drejtpërsëdrejti. Ndjekja penale, e cila zhvillohet mbi bazën e akuzës publike duhet të jetë e mbështetur në dispozita ligjore të përcaktuara saktë, me qëllim dhënien nga gjykata të një vendimi të drejtë, brenda një afati të arsyeshëm, duke garantuar mbrojtjen e individit nga arbitrariteti dhe shpërdorimi i pushtetit shtetëror.
Ky detyrim i shtetit rrjedh nga fakti se ai është garanti i të drejtave dhe lirive themelore të individit dhe si i tillë duhet të parashikojë të gjithë mekanizmat e nevojshëm dhe procedurat konkrete për funksionimin e tyre, me qëllim dhënien e drejtësisë sipas kritereve të përcaktuara qartë dhe në mënyrë sa më të detajuar. Çështja e koordinimit dhe bashkëpunimit luajal ndërmjet organeve kushtetuese dhe funksionimi në mënyrë normale të tyre është një aspekt që shumica në vendimin e saj nuk e ka mbajtur sa duhet në konsideratë.
Në rastin konkrete duke qenë se kërkesa për leje kishte për qëllim pjesëmarrjen në punimet e Kuvendit, ajo lidhej drejtpërsëdrejti me funksionimin në tërësi të Kuvendit dhe për këtë shkak shpreh bindjen se ajo duhej të ishte pranuar nga ana e shumicës. Pjesëmarrja në punimet e Kuvendit duhet të ishte konsideruar nga ana e shumicës si një pretendim legjitimin lidhur me funksionimin normal të organit kushtetues të Kuvendit, dhe nën frymën e respektimit dhe mirë-funksionimit në mënyrë të ndërsjelltë të organeve shtetërore, leja për pjesëmarrjen në punimet e Kuvendit duhej të ishte disponuar nga ana e gjykatës nisur nga rrethanat më se të posaçme që kanë karakterizuar këtë çështje.
Gjithashtu, pozita e personit nën hetim i prezumuar i pafajshëm e që është në detyrën e deputetit të zgjedhur nga populli, përballë ushtrimit të juridiksionit penal dhe caktimit të masës së sigurimit personal gjatë zhvillimit të hetimeve paraprake, po të interpretohet sipas vendimit të shumicës do të ishte vulnerabël. Neni 71 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë që parashikon kushtet e kohës dhe rastet e fillimit dhe mbarimit të mandatit të deputetit nuk e parashikojnë të shprehur, domethënë si ndalim rastin e deputetit ndaj të cilit është caktuar masa e sigurimit, e cila vetëm de facto e pengon atë të marrë pjesën në punimet e Kuvendit, duke kontribuuar në këtë mënyrë në funksionimin normal të Kuvendit.
Shpreh bindjen se lista e rasteve të parashikuara në nenin 71 të Kushtetutës është shteruese dhe nuk lejon zbatimin e saj me analogji për raste që nuk janë parashikuar shprehimisht nga ky nen. Në këto kushte, dispozitat e Kushtetutës duhet të prevalojnë mbi ligjin e zakonshëm dhe deputetit ndaj të cilit është caktuar masa e sigurimit arrest në burg duhet t’i akordohej mundësia për të kontribuar në funksionimin normal të Kuvendit.
Për më tepër, nisur nga rëndësia e detyrës së deputetit, shkronja “dh” e nenit 71 të Kushtetutës, parashikon si rast pavlefshmërie ose mbarimi të mandatit të deputetit rastin kur ai dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një krimi. Me qëllim që të garantohet respektimi i kësaj dispozite, si dhe ushtrimi i funksionit gjyqësor lidhur me caktimin e masave gjatë hetimeve paraprake apo edhe gjatë fazës gjyqësore, dhe të garantohet një baraspeshim i të gjithave interesave kushtetuese të përfshira, është e nevojshme që hetimet lidhur me ushtrimin ndjekjes penale për personin nën hetim duhet të kryhen sa më shpejtë të jetë e mundur, dhe sidoqoftë brenda një afati gjashtë mujor, në mënyrë që sipas rastit brenda këtij afati, të arrihet në një vendim themeli që do të ishte përkatësisht ose vendim pafajësie ose vendim dënimi. Vetëm në këtë rastin e fundit do të gjente zbatim shkronja “dh” e nenit 71 të Kushtetutës. Një qëndrim i ndryshëm dhe mosrespektimi i afatit në fjalë do të “shtonte” në dispozitën e nenit 71 të Kushtetutës një rast apo një hipotezë tjetër, të pa parashikuar nga Kushtetuta shprehimisht që do të binte ndesh me parimin e ligjshmërisë kushtetuese dhe që në rast të një vendimi pafajësie do të vështirësonte së tepërmi rivendosjen në vend të së drejtës së personit në situatën e mëparshme.
Për këto arsye kam mendimin se kërkesa e personit nën hetim, Mark Frroku, duhej të ishte pranuar në themel, duke iu akorduar leja e posaçme për pjesëmarrje në punimet dhe veprimtaritë e Kuvendit.
Artan Broci
Nr.22/1 Regj. Themeltar
Nr.22/1 Vendimi
Do'stlaringiz bilan baham: |