Nr I vendimit Data palët faqe



Download 4,68 Mb.
bet29/157
Sana14.02.2017
Hajmi4,68 Mb.
#2528
1   ...   25   26   27   28   29   30   31   32   ...   157

VENDIM


NË EMËR TË REPUBLIKËS
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë i përbërë nga:

Majlinda Andrea Kryesuese

Admir Thanza Anëtar

Artan Broci Anëtar

Në seancën gjyqësore të datës 25.11.2015, mori në shqyrtim çështjen civile që i përket:
PADITËS: 1. SHOQËRIA “EUROVINI” SH.P.K

2. LULËZIM TAGANI

I PADITUR: 1. ZYRA E PËRMBARIMIT TIRANË

2. ADRIAN HATIBI

PALË E TRETË: 1. BANKA CREDINS SH.A.

2. SHOQËRIA “ZAIMAJ” SH.P.K.

3. BRIXHIDA TAGANI

4. BUJAR HASAJ


OBJEKTI:

Kundërshtim i veprimit përmbarimor

Lajmërim për shitjen e sendit në ankand

sipas shkresës 10617 Prot, dt.30.06.2010;

Kundërshtim i veprimit përmbarimor për Vendimin

për shpalljen e ankandit faza e dytë të mbajtur

me shkresën nr.11392 Prot, dt.15.07.2010;

Kundërshtim i veprimit përmbarimor zhvillimi Ankandit

faza e dytë të mbajtur me dt.30.07.2010.

Pezullimi i veprimit përmbarimor të vënies në posedim të Z.Adrian Hatibi

të sendit të blerë në ankandin e dt.30.07.2010.

Baza Ligjore: Nenet 610, 615 të K.Pr.Civile.





Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendimin nr.7712, datë 18.10.2010, ka vendosur:

- Pranimin e kërkesë – padisë për kundërshtimin e veprimeve përmbarimore duke anulluar aktet që pasqyrojnë këto veprime, si më poshtë:

- 1. Lajmërim “Procedura e shitjes në ankand neni 577 i K.Pr.Civile” nr.10617 Prot., dhe nr.1295/c, dt.30.06.2010 të Zyrës së Përmbarimit Tiranë.

- 2. Vendim “Për shpalljen e ankandit të pasurisë së paluajtshme, Faza e II” nr.11392 Prot., dhe nr.1295/c, dt.15.07.2010 të Zyrës së Përmbarimit Tiranë.

- 3. Procesverbal për zhvillimin e ankandit nr.1128 Prot., dhe nr.1295/c, dt.30.07.2010 të Zyrës së Përmbarimit Tiranë.
- Marrjen e masës së sigurimit të padisë, deri në përfundim të këtij gjykimi, duke pezulluar veprimet përmbarimore të vënies në posedim të të paditurit Adrian Hatibi të sendeve objekt gjykimi:

- 1. Apartament banimi me sipërfaqe 145 m2, i ndodhur në Tiranë, Rr. “Shyqyri Ishmi”, shk.3, kati 7, ap.19, i regjistruar në regjistrin hipotekor me nr.7/599+3-19, Vol.37, fq.155, Zonë Kadastrale 8150, në emër të Lulzim Tagani.

- 2. Apartament banimi me sipërfaqe 89.3 m2, i ndodhur në Tiranë, Rr. “Shyqyri Ishmi”, shk.2, kati 7, ap.27, i regjistruar në regjistrin hipotekor me nr.7/599+2-27, Vol.37, fq.155, Zonë Kadastrale 8150, në emër të Lulzim Tagani.”
Gjykata e Apelit Tiranë, me vendimin nr.59, datë 17.01.2012, ka vendosur:

“Ndryshimin e vendimit nr.7712, datë 18.10.2010, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe rrëzimin e kërkesë-padisë si të pabazuar ne ligj.”


Kundër vendimit të mësipërm ka ushtruar rekurs paditësi Lulëzim Tagani, i cili kërkon prishjen e vendimit të gjykatës së apelit dhe lënien në fuqi të vendimit të gjykatës së shkallës së parë, duke parashtruar shkaqet e mëposhtme:

  • Procedurat për ekzekutimin e detyrimit nga Zyra e Përmbarimit janë kryer në shkelje të hapur të dispozitave procedurale dhe konkretisht:

  • Fillimisht Zyra e përmbarimit ka proceduar me lajmërim për shitjen në ankand sipas kërkesave të nenit 567 të K.Pr.Civile të dy apartamenteve në procesi të paditësit Lulëzim Tagani. Ky lajmërim është bërë vetëm dy pronarëve të apartamenteve dhe nuk janë lajmëruar debitorët e tjerë duke vepruar në kundërshtim me kërkesat e nenit 567/1 të K.Pr.Civile.

  • Më datën 07.06.2010 Zyra e përmbarimit ka marrë vendim për shpalljen e ankandit ku për këtë është njoftuar vetëm Shoqëria “Euro Vini”shpk dhe nuk janë njoftuar debitorët e tjerë, kjo në kundërshtim me nenin 549 të K.Pr.Civile.

  • Më datën 30.06.2010, vetëm 7 ditë nga zhvillimi i ankandit të parë, pa kaluar afati 3 mujor nga ankandi i parë është përcaktuar me fazën e dytë të ankandit, për shitjen e dy apartamenteve. Për këtë veprim Zyra e përmbarimit ka lajmëruar vetëm Shoqërinë “Euro Vini” sh.p.k. dhe asnjë debitor tjetër. Në këtë rast janë shkelur dispozitat e nenit 557, 558 të K.Pr.Civile.

  • Pa bërë shpalljen për shitjen në ankand sipas kërkesave të nenit 567/II të K.Pr.Civile dhe pa kaluar afati 15 ditor nga shpallja e ankandit, kërkesë kjo e nenit 568/II të K.Pr.Civile dhe pa u caktuar radha e shitjes se sendeve në ankand, sipas kërkesave të nenit 558 të K.Pr.Civile, me datën 30.06.2010 është mbajtur procesverbal për shitjen e dy apartamenteve (faza e dytë). Për zhvillimin e ankandit nuk ka patur dijeni asnjë debitor.

  • Para se të zhvillohej ankandi i dytë, pala debitore kishte ekzekutuar pjesërisht detyrimin në masën 20.000.000 lekë dhe me datën 02.08.2010 është ekzekutuar i gjithë detyrimi ndaj bankës “Credins”.

  • Për zhvillimin e ankandit të fazës së dytë, pala debitore nuk ka patur dijeni dhe para këtij ankandi kishte ekzekutuar pjesën me të madhe të detyrimit .

  • Zyra e përmbarimit, gjatë fazës së ekzekutimit nuk ka respektuar dhe nuk ka zbatuar të drejtën e njoftimit të debitorëve, sipas nenit 567 të K.Pr.Civile me qellim që secili debitor të ushtrojë të drejtën e tij për të bërë prapësime sipas kërkesave të nenit 592 të K.Pr.Civile.

  • Zyra e përmbarimit nuk ka njoftuar debitorët as për procesverbalin datë 30.07.2010 të zhvillimit të ankandit dhe nuk ka afishuar shpalljen për zhvillimin e ankandit pranë gjykatës dhe vendin ku ndodhet sendi i paluajtshëm.

  • Të gjitha këto shkelje të mësipërme nuk janë vlerësuar nga gjykata e apelit.

  • Gjykata e apelit ka shkelur dhe nenin 455 te K.Civil që përcakton se “detyrimi për të paguar një shume parash, shlyhet me vleftën e vet nominale”, ndërsa në nenin 447/2 të K.Civil “pagesa quhet e kryer në momentin e kreditimit të saj në llogari”.


Kundër vendimit të mësipërm ka ushtruar rekurs paditësi Shoqëria “Eurovini” sh.p.k., i cili kërkon prishjen e vendimit të gjykatës së apelit dhe lënien në fuqi të vendimit të gjykatës së shkallës së parë, duke parashtruar shkaqet e mëposhtme:

  • Në rrugë jo zyrtare jemi vënë në dijeni se më datën 30.06.2010 Zyra e përmbarimit ka vendosur të lejojë vazhdimin e ekzekutimit në fazën e dytë të ankandit pa njoftuar konform ligjit dorëzanësit dhe posaçërisht debitorin dorëzanës Lulëzim Tagani prona e të cilit ishte vendosur për tu shitur në ankand.

  • Shpallja për zhvillimin e ankandit faza e dytë nuk është vendosur pranë gjykatës ku ndodhet sendi i paluajtshëm siç parashikon neni 568 i K.Pr.Civile.

  • Në këtë moment procedural Zyra e Përmbarimit ka shkelur dhe afatin prekluziv që parashikon neni 577 i K.Pr.Civile.

  • Ankandi i parë ka përfunduar datë 22.06.2010. Brenda 10 ditëve përmbaruesi gjyqësor ka përcaktuar çmimin e ri të sendit që do të shitej në ankandin e dytë. Çmimi është përcaktuar datë 30.06.2010. Nga data që përcaktohet çmimi i sendit përmbaruesi gjyqësor brenda 15 ditëve duhet të zhvillonte ankandin e dytë. Për çmimin e sendit është njoftuar vetëm paditësi Shoqëria “Eurovin” shpk (datë 01.07.2010) dhe debitorët e tjerë dorëzanës dhe posaçërisht debitorin dorëzanës Lulëzim Tagani prona e të cilit ishte vendosur për tu shitur në ankand. Nëse marrim si fillim të afatit prekluziv datën 01.07.2010 atëherë Përmbaruesi gjyqësor duhej që brenda datës 16.07.2010 të zhvillonte ankandin e dytë, një veprim i tillë nuk është kryer nga përmbaruesi gjyqësor.

  • Vendimi për shpalljen e ankandit faza e dytë nuk i është njoftuar asnjëherë konform ligjit debitorit Shoqërisë “Eurovini”shpk dhe dorëzanësve të tjerë.

  • Zyra e Përmbarimit as proces-verbalin e zhvillimit të ankandit datë 30.07.2010 nuk ja ka njoftuar debitorit dhe dorëzanësve

KOLEGJI CIVIL I GJYKATËS SË LARTË

pasi dëgjoi relatimin e gjyqtares Majlinda Andrea, dëgjoi paqësuesin e palës së tretë, juristin Vangjel Kusta, që kërkoi lënien në fuqi të vendimit nr.59, datë 17.01.2012 të Gjykatës së Apelit Tiranë, konstatoi mungesën e palëve të tjera ndërgjyqëse, dhe pasi e bisedoi çështjen në tërësi,
V Ë R E N


  1. Rrethanat e çështjes

1. Nga aktet e dosjes rezulton se pala paditëse Shoqëria “Eurovini” sh.p.k. ka lidhur me palën e paditur “Banka Credins” sh.a. një Kontratë për Hua Afatmesme me nr.1346, nr.7040 rep., nr.1641 kol., dt.10.05.2007, me qëllim vazhdimin e aktivitetit të biznesit të saj, për investime në ndërtimin e një objekti në Linzë, Komuna Dajt, Tiranë.

1.2. Kontrata sa sipër është lidhur për marrjen hua të shumës prej 25.000.000 lekë, e cila është parashikuar të jepet me dy disbursime. Huaja e marrë nëpërmjet kësaj kontrate është siguruar nga dorëzanësit Bujar Hasaj, Lulëzim Tagani, Brixhida Tagani dhe Shoqëria “Zaimaj” sh.p.k. (rregjistruar si person juridik me Vendimin nr.21350, dt.19.05.1999 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë).

1.3. Kohëzgjatja e huas është parashikuar në pikën 3 të jetë për një afat kohor prej 36 muaj, duke u paguar me këste mujore (principal plus interes), duke filluar nga data 10.06.2007, deri në datë 10.05.2010.

1.4. Në nenin 8 parashikohet se në rast se huamarrësi nuk përmbush detyrimin e pagimit në afatin dhe masën e parashikuar në pikën 3 të kësaj kontrate për tre muaj të njëpasnjëshëm kalendarike, kontrata do të konsiderohet e zgjidhur me efekt të menjëhershëm dhe banka rezervon të drejtën për të kërkuar lëshimin e urdhrit të ekzekutimit nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë.

1.5. Kjo kontratë është siguruar gjithashtu me Kontratën e Hipotekimit nr.7041 rep., nr.1642 kol., datë 10.05.2007, me noter Robert Koli, me qëllim garantimin e kthimit të huas prej 25.000.000 lekë, e cila është konsideruar si pjesë integrale e Kontratë për Hua Afatmesme me nr.1346, nr.7040 rep., nr.1641 kol., dt.10.05.2007.

1.6. Me këtë kontratë hipotekimi është vënë barrë, ndër të tjera, dhe mbi pasuritë objekt gjykimi:



i. Apartament banimi me sipërfaqe 145 m2, i ndodhur në Tiranë, në emër të Lulzim Tagani, i vlerësuar në shumën prej 124.000 euro.

ii. Apartament banimi me sipërfaqe 89.3 m2, i ndodhur në Tiranë, në emër të Lulzim Tagani, i vlerësuar në shumën prej 76.000 euro.

iii. Gjithashtu, me këtë kontratë janë vënë në hipotekë edhe dy prona të tjera garsonier, në emër të palës së tretë Shoqëria “Zaimaj” sh.p.k., të ndodhura në Linzë, Tiranë, (të cilat nuk po përmenden hollësisht, pasi nuk janë objekt i këtij gjykimi).

2. Për shkak se pala debitore nuk kishte përmbushur detyrimet kontraktore për shlyerjen e kësteve sipas parashikimeve në kontratë (12 këste me vonesë), pala kreditore Banka Credins sh.a. i është drejtuar Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë për lëshimin e urdhrit të ekzekutimit.

3. Me Vendimin nr.4423, datë 09.11.2009 Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka lëshuar Urdhrin e Ekzekutimit për Kontratën për Hua Afatmesme me nr.1346, nr.7040 rep., nr.1641kol., datë 10.05.2007.

4. Me kërkesë të palës së paditur Banka Credins sh.a., ka filluar procedurat e ekzekutimit të detyrueshëm pala e paditur Zyra Përmbarimore Tiranë. Konkretisht, janë kryer veprimet Lajmërim për Ekzekutim Vullnetar, vendim për fillimin e ekzekutimit të detyrueshëm, vendim për thirrje eksperti për vlerësimin e sendit të paluajtshëm, vendim për vendosjen e sekuestros konservative mbi të gjitha pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme të debitorëve.

5. Më pas, pala e paditur Zyra Përmbarimore Tiranë ka proceduar me Lajmërim për shitjen në ankand në bazë të nenit 567 të K.Pr.Civile të dy pasurive objekt gjykimi, apartamentet me sipërfaqe 145m2 dhe 89.3m2, në pronësi të paditësit Lulzim Tagani.

5.1. Në këtë lajmërim me nr.1295/C, nr.8180 prot., datë 21.05.2010, u është kërkuar debitorëve Lulzim e Brixhilda Tagani të paguajnë detyrimin në favor të kreditorit, brenda një afati 10 ditor, në të kundërt Zyra e Përmbarimit do të fillojë procedurat e shitjes në ankand. Ky lajmërim u është njoftuar debitorëve sa sipër me Letrën e Porositur nr.1295/C, dt.21.05.2010, komunikuar me datë 27.05.2010 dhe Shoqërisë “Eurovini” sh.p.k. komunikuar me datë 29.05.2010.

6. Me shkresën nr.1295/C, nr.8967 prot., datë 07.06.2010 Zyra e Përmbarimit Tiranë ka marrë vendim për shpalljen e ankandit të parë të pasurive të paluajtshme objekt gjykimi. Nga aktet e ekspertimit të kryera më parë me vendim të Zyrës Përmbarimore, apartamenti prej 145 m2 është vlerësuar në shumën prej 14.240.000 lekë, dhe apartamenti prej 89.3 m2 është vlerësuar në shumën prej 8.000.000 lekë. Çmimi total me të cilin fillon ankandi është vendosur në shumën prej 22.240.000 lekë. Publikimi i ankandit është bërë për 15 ditë nga data 07.06.2020, deri në datë 22.06.2010. Ky vendim u është komunikuar me datë 11.06.2010 vetëm palës paditëse Shoqëria “Eurovini” sh.p.k. dhe palës së tretë Brixhida Tagani. Nga aktet e paraqitura nga pala e paditur, nuk rezulton që debitorët e tjerë të kenë dijeni.

7. Me datë 22.06.2010 është mbajtur procesverbal për zhvillimin e ankandit për shitjen e pasurive të paluajtshme objekt gjykimi, sipas së cilit rezulton se kanë qenë të pranishëm pala kreditore Banka Credins dhe debitori Lulëzim Tagani. Ankandi i parë është mbyllur në kushtet kur nuk është paraqitur asnjë ofertues.

8. Me shkresën nr.1295/C, nr.10617 prot., datë 30.06.2010 Zyra e Përmbarimit Tiranë ka proceduar me Lajmërim për shitjen në ankand në bazë të nenit 577 të K.Pr.Civile (faza e dytë) të dy pasurive objekt gjykimi, apartamentet me sipërfaqe 145 m2 dhe 89.3 m2, në pronësi të paditësit Lulzim Tagani. Në këtë lajmërim u është kërkuar debitorëve Lulzim e Brixhida Tagani të paguajnë detyrimin në favor të kreditorit, brenda një afati 10 ditor, në të kundërt Zyra e Përmbarimit do të fillojë procedurat e shitjes në ankand për fazën e dytë, jo më vonë se 15 ditë nga caktimi i çmimeve të reja të sendeve. Konkretisht, apartamenti prej 145m2 është vlerësuar të dalë në ankand në shumën prej 11.396.000 lekë, dhe apartamenti prej 89.3 m2 është vlerësuar në shumën prej 6.400.000 lekë. Çmimi total për të dy apartamentet është në shumën prej 17.796.000 lekë. Ky lajmërim i është njoftuar vetëm debitorit Shoqëria “Eurovini” sh.p.k. me Letrën e Porositur nr.1295/C, datë 30.06.2010, komunikuar me datë 01.07.2010. Nga aktet e paraqitura nga pala e paditur, nuk rezulton që debitorët e tjerë të kenë dijeni.

9. Me shkresën nr.1295/C, nr.17392 prot., dt.15.07.2010, Zyra e Përmbarimit Tiranë ka marrë vendim për shpalljen e ankandit të dytë të pasurive të paluajtshme objekt gjykimi, me çmimet e reja të cituara sa sipër. Publikimi i ankandit është bërë për 15 ditë nga data 15.07.2010 deri në datë 30.07.2010. Ky vendim i është komunikuar me datë 30.07.2010 vetëm debitorit paditës Shoqëria “Eurovini” sh.p.k. Nga aktet e paraqitura nga pala e paditur, nuk rezulton që debitorët e tjerë të kenë dijeni.

10. Me datë 30.07.2010 është mbajtur Procesverbal për zhvillimin e ankandit për shitjen e pasurive të paluajtshme objekt gjykimi (faza e dytë), sipas së cilit rezulton se ka qenë e pranishme vetëm pala kreditore Banka Credins. Sipas këtij procesverbali dhe akteve, Kërkesë datë 29.07.2010, Veprim arke datë 15.07.2010, rezulton se është paraqitur vetëm një ofertues i padituri Adrian Nizamedin Hatibi, që ka dhënë çmimin më të mirë prej 17.800.000 lekë dhe ka paguar dhe 10/% të vlerës së sendeve. Në bazë të nenit 573 të K.Pr.Civile, i padituri Adrian Hatibi u shpall fitues i këtij ankandi.

11. Pasi i padituri Adrian Hatibi ka paguar të gjithë çmimin për sendet objekt gjykimi, me shkresën nr.1295/C, nr.12186 prot., datë 02.08.2010 Zyra e Përmbarimit Tiranë ka marrë vendim për kalimin e sendeve objekt gjykimi në pronësi të tij dhe ka urdhëruar ZVRPP Tiranë të kryejë regjistrimin e tyre në emër të të paditurit Adrian Hatibi.

12. Në kushtet kur sipas Letër e Porositur nr.1295/C, datë 02.08.2010 shtëpia në emër të Lulëzim Tagani është e mbyllur dhe nuk është njoftuar, me Urdhërin nr.1295/C, nr.13537 prot., datë 20.09.2010 Zyra e Përmbarimit Tiranë ka kërkuar vënien në posedim të sendit të blerë në ankand.

13. Ndërkohë, sipas Konfirmim nr.5307 prot., datë 03.08.2010 dhe Vërtetim nr.6956 prot., datë 04.10.2010 të Banka Credins rezulton se me datë 03.08.2010 pala paditëse Shoqëria “Eurovini” sh.p.k. ka kryer pagesën për mbylljen totale të detyrimeve ndaj bankës dhe ka shlyer cdo detyrim që buron nga Kontrata për Hua Afatmesme me nr.1346, nr.7040 rep., nr.1641 kol., datë 10.05.2007.

14. Pala paditëse ka pretenduar se për zhvillimin e ankandit faza e dytë datë 30.07.2010, ka marrë dijeni kur u paraqit në bankë për të kryer pagesat e huas me datë 03.08.2010.

15. Me Shkresën nr.12218 prot., datë 03.08.2010 pala paditëse Shoqëria “Eurovini” sh.p.k. dhe Lulëzim Tagani kanë paraqitur pranë palës së paditur Zyra Përmbarimore Tiranë kërkesë për ndalimin dhe anullimin e të gjitha procedurave përmbarimore, si edhe zhbllokimin e pasurive objekt gjykimi, pasi kanë shlyer të gjitha detyrimet kundrejt bankës.

16. Në datën 04.08.2010 pala paditëse ka paraqitur kërkesë-padi në gjykate, duke kërkuar kundërshtimin e veprimeve përmbarimore dhe marrje të masës për pezullimin e tyre deri në përfundim të këtij gjykimi, me argumentimin se shumë veprime proceduriale nuk i janë njoftuar debitorëve Shoqërisë “Eurovini” Sh.p.k. si debitor kryesor, apo Bujar Hasaj, Lulëzim Tagani, Brixhilda Tagani dhe Shoqërisë “Zaimaj” sh.p.k. si dorëzanës.

17. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendimin nr.7712, datë 18.10.2010, ka vendosur:



- Pranimin e kërkesë – padisë për kundërshtimin e veprimeve përmbarimore duke anulluar aktet që pasqyrojnë këto veprime, si më poshtë:

- 1. Lajmërim “Procedura e shitjes në ankand neni 577 i K.Pr.Civile” nr.10617 Prot., dhe nr.1295/c, dt.30.06.2010 të Zyrës së Përmbarimit Tiranë.

- 2. Vendim “Për shpalljen e ankandit të pasurisë së paluajtshme, Faza e II” nr.11392 Prot., dhe nr.1295/c, dt.15.07.2010 të Zyrës së Përmbarimit Tiranë.

- 3. Procesverbal për zhvillimin e ankandit nr.1128 Prot., dhe nr.1295/c, dt.30.07.2010 të Zyrës së Përmbarimit Tiranë.

- Marrjen e masës së sigurimit të padisë, deri në përfundim të këtij gjykimi, duke pezulluar veprimet përmbarimore të vënies në posedim të të paditurit Adrian Hatibi të sendeve objekt gjykimi:

- 1. Apartament banimi me sipërfaqe 145 m2, i ndodhur në Tiranë, Rr. “Shyqyri Ishmi”, shk.3, kati 7, ap.19, i regjistruar në regjistrin hipotekor me nr.7/599+3-19, Vol.37, fq.155, Zonë Kadastrale 8150, në emër të Lulzim Tagani.

- 2. Apartament banimi me sipërfaqe 89.3 m2, i ndodhur në Tiranë, Rr. “Shyqyri Ishmi”, shk.2, kati 7, ap.27, i regjistruar në regjistrin hipotekor me nr.7/599+2-27, Vol.37, fq.155, Zonë Kadastrale 8150, në emër të Lulzim Tagani.

17.1. Në marrjen e këtij vendimi kjo gjykatë ka arsyetuar (ndër të tjera) se: “... - Nga Zyra e Përmbarimit Tiranë gjatë ekzekutimit të Urdhrit të Ekzekutimit nuk është respektuar e drejta e njoftimit për zhvillimin e të gjitha procedurave ndaj të gjithë debitorëve dorëzanës Bujar Hasaj, Lulëzim Tagani, Brixhilda Tagani dhe Shoqëria “Zaimaj” Sh.p.k.



  • Pala paditëse dhe e tretë deklaruan gjithashtu se në lidhje me shlyerjen e detyrimit të plotë ishte rënë dakord verbalisht me kreditorin Banka Credins sh.a. që Shoqëria “Eurovini” sh.p.k. do ta shlyente tërësisht detyrimin e saj në fund të muajit Korrik – fillim i muajit Gusht 2010. Siç rezulton nga provat e paraqitura, me datë 30.07.2010 dhe me datë 03.08.2010 Shoqëria “Eurovini” sh.p.k. ka likujduar plotësisht detyrimin financiar përkundrejt kreditorit Banka Credins sh.a.

  • Nga gjykimi rezultoi e provuar se vazhdimi i ekzekutimit në fazën e dytë të ankandit, duke përcaktuar çmimin e ri të sendeve që do të shiteshin në fazën e dytë të ankandit, sipas nenit 577 të K.Pr.Civile, nuk iu njoftua asnjëherë konform ligjit dorëzanësve dhe posaçërisht debitorit dorëzanes Lulëzim Tagani, në emër të të cilit janë pronat e vendosura për t’u shitur në ankand. Ky fakt provohet nga letër porositë e Zyrës Përmbarimore Tiranë. Gjithashtu, shpallja për zhvillimin e ankandit faza e dytë nuk është vendosur pranë gjykatës ku ndodhet sendi i paluajtshëm, siç parashikon neni 568 i K.Pr.Civile.

  • Paditësi Lulëzim Tagani nuk rezulton të jetë njoftuar për fillimin e fazës së dytë të ankandit që starton me caktimin e çmimit të ri të sendit, duke mos respektuar as të drejtat e detyrimet e përcaktuara në nenet 563 dhe 567 të K.Pr.Civile.

  • Si rrjedhojë e mosrespektimit të njoftimit për fillimin e fazës së dytë të ankandit, edhe zhvillimi i këtij ankandi me datë 30.07.2010 nga Zyra e Përmbarimit Tiranë është kryer në shkelje procedurale, të cilat sjellin si pasojë pavlefshmërinë e zhvillimit të këtij veprimi dhe të veprimeve të tjera të kryera për shpalljen fitues të të paditurit Ardian Hatibi.

  • Po kështu, nga Zyra e Përmbarimit Tiranë nuk u është njoftuar debitorëve as procesverbali i zhvillimit të ankandit nr.12128 prot, datë 30.07.2010 dhe as vënia në posedim e sendeve të paluajtshme kundrejt fituesit të ankandit.

  • Duke konstatuar shkelje të procedurës së ndjekur nga pala e paditur Zyra Përmbarimore Tiranë, të cilat kanë cenuar të drejtat dhe interesat e ligjshme të dorëzanësit pronar Lulëzim Tagani, në bazë të nenit 610 dhe 611 të K.Pr.Civile, pala paditëse kërkoi dhe pezullimin e veprimeve përmbarimore për ekzekutimin e Urdhrit të Ekzekutimit. Konkretisht, pala paditëse kërkoi pezullimin e veprimit përmbarimor të vënies në posedim të sendeve objekt gjykimi fituesit të ankandit të paditurit Ardian Hatibi, deri në përfundim të gjykimit, me qëllim shmangien e dëmeve të tjera të mundshme në lidhje me të drejtat e saj të pronësisë objekt gjykimi. ...”

18. Gjykata e Apelit Tiranë, me vendimin nr.59, datë 17.01.2012 ka vendosur:

“Ndryshimin e vendimit nr.7712, datë 18.10.2010 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe rrëzimin e kërkesë-padisë si të pabazuar në ligj.”



18.1. Në marrjen e këtij vendimi kjo gjykatë ka arsyetuar (ndër të tjera) se: “... Ankimi ndaj veprimeve të përmbaruesit gjyqësor nuk gjen mbështetje ligjore për këto arsye :

  • Së pari, paditësit, ndonëse pretendojnë se duhej të njoftoheshin dhe se nuk janë njoftuar për veprimet që kundërshtojnë, nuk parashtrojnë asnjë pretendim për ligjshmërinë e veprimeve të kryera. Kështu, është evident fakti se për sa kohë detyrimi objekt ekzekutimi nuk ishte përmbushur prej paditësve, ekzekutimi i detyrueshëm do të vijonte në fazën ku kish mbetur, pra në shitjen e pasurisë në ankand, fakt ky i ditur prej debitorëve. Pretendimi i tyre për një marrëveshje verbale me kreditorin, për shlyerjen e një pjese të detyrimit, jo vetëm që nuk provohet por edhe nëse është i vërtetë, nuk ka asnjë pasojë juridike mbi procesin e ekzekutimit.

  • Së dyti, referuar vetë pretendimit të paditësve, rezulton se deri në përfundim të ankandit, datë 30.07.2010, dhe shpalljes së fituesit të tij, ata nuk e kishin shlyer ende detyrimin, gjë që ka ndodhur në datë 03.08.2010. Në fakt në këtë datë ekzekutimi rezulton të jetë shuar për shkak se çmimi i sendit të shitur në ankand, ishte paguar tashmë.

  • Së treti, realizimi i ankandit të dytë sipas nenit 577 të Kodit të Procedurës Civile zhvillohet në afate relativisht të shkurtra nga përfundimi i ankandit të parë. Kështu, brenda 10 ditëve nga përfundimi i këtij të fundit, përmbaruesi gjyqësor është i detyruar të përcaktojë çmimin e ri të sendit (jo më të ulët se 20% e çmimit fillestar). Ankandi i dytë zhvillohet jo më vonë se 15 ditë nga dita e caktimit të çmimit. Në total rezulton se ankandi i dytë zhvillohet jo më vonë se 25 ditë nga zhvillimi i të parit. Siç shihet, kjo dispozitë nuk parashikon asnjë njoftim për debitorin lidhur me ekzekutimin prej tij të detyrimit, me pasojë shitjen e sendit në ankand, në dallim nga procedura për zhvillimin e ankandit të parë. Megjithatë përmbaruesi ka nisur një njoftim të tillë për debitorët dhe ky njoftim është nënshkruar nga shoqëria “Eurovini” sh.p.k. dhe është dërguar me postë në adresë të debitorit Lulëzim Tagani. Më tej përmbaruesi, në datë 15.07.2010 ka përcaktuar çmimin e ri të sendeve dhe ka shpallur ankandin e dytë, i cili është zhvilluar në datë 30.07.2010, konform përcaktimeve të dispozitës së mësipërme. Në këtë kuadër pretendimet e paditësve se nuk janë njoftuar për zhvillimin e ankandit të dytë, nuk qëndrojnë jo vetëm sepse ligji nuk përcakton detyrimin e përmbaruesit gjyqësor për të kryer njoftimin e debitorit në këtë fazë, por edhe sepse shpallja e ankandit është publike dhe rezulton se ai është shpallur edhe në ambientet e jashtme të Njësive Bashkiake nr.1 dhe nr.2, sipas procesverbalit të datës 15.07.2010 (faqe 194 e dosjes).

  • Së katërti, shpallja e ankandit mbart në vetvete detyrime të përmbaruesit gjyqësor, si institucion publik, karshi të tretëve, që paraqiten si ofertues. Pikërisht për këtë arsye, me fillimin e procedurës së shitjes së sendit në ankand, debitori nuk mund të ndalojë shitjen e tij dhe i vetmi shkak, për të cilin mund të mos kryhet ankandi është pushimi i ekzekutimit të detyrimit, në kushtet e nenit 616 të Kodit të Procedurës Civile. Mbrojtja e të drejtave të të tretëve që marrin pjesë në ankand, rezulton edhe nga përcaktimi i shkronjës “c” të nenit 615 të Kodit të Procedurës Civile, sipas të cilit, shitja e sendit në ankand nuk pezullohet edhe në rast se vërtetohen shkaqe të pezullimit nga ato të parashikuara në shkronjat “c” dhe “ç” të nenit 297 të këtij Kodi.

  • Në kushtet e mësipërme, për sa kohë paditësit nuk vërtetojnë t’u jenë cënuar të drejtat e tyre të ligjshme, ata nuk kanë legjitimitet për të kundërshtuar veprimet e përmbaruesit gjyqësor. Paditësit nuk provuan se kryerja e veprimeve nga përmbaruesi gjyqësor, u ka cënuar atyre ndonjë të drejtë, cënim i cili nuk do të ndodhte në rast se njoftimi i veprimeve të përmbaruesit do të ishte kryer, ashtu siç pretendohet prej tyre. Përmbushja e detyrimit kontraktor, e pretenduar nga paditësit, është realizuar pas kryerjes së veprimeve që ata kundërshtojnë, fakt i cili nuk mund të ndikojë në ligjshmërinë e veprimeve të përmbaruesit gjyqësor.

  • Së fundi, paditësit pretendojnë se kanë ardhur në dijeni të shitjes së sendit në ankand, në datë 03.08.2010, kur ata kanë shlyer detyrimin pranë kreditorit. Bazuar në këtë pohim, rezulton se e drejta e tyre e ankimit ndaj veprimeve të përmbaruesit gjyqësor duhej të ushtrohej brenda pesë ditëve, duke filluar nga kjo datë, konform nenit 610 të Kodit të Procedurës Civile. Në fakt rezulton se ankimi ndaj veprimeve të përmbaruesit është bërë në datë 06.09.2010 (shih shënimin në padi). Duke qenë se edhe afati i ankimit ndaj vendimeve të përmbaruesit gjyqësor është tejkaluar, gjykata e shkallës së parë nuk duhej ta kish pranuar atë. Referuar procesverbalit të seancës përgatitore të datës 23.09.2010, përfaqësuesi i Zyrës së Përmbarimit Tiranë i ka bërë me dije gjykatës se është zhvilluar edhe një tjetër gjykim, me të njëjtin objekt “masë sigurimi”, duke paraqitur për këtë fakt edhe vendimin nr.331, datë 06.08.2010 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë. Rezulton se ky vendim, nuk është përfshirë në dosjen objekt gjykimi. Megjithatë, gjykata e apelit pavarësisht faktit nëse është paraqitur më parë ankim ndaj veprimeve të përmbaruesit gjyqësor, konstaton se ankimi i paraqitur në datë 06.09.2010, objekt i këtij gjykimi, është tej afatit ligjor dhe si i tillë nuk duhej të pranohej.

19. Kundër vendimit të mësipërm ka ushtruar rekurs paditësi Lulëzim Tagani, dhe Shoqëria “Eurovini” sh.p.k., që kërkojnë prishjen e vendimit të gjykatës së apelit dhe lënien në fuqi të vendimit të gjykatës së shkallës së parë, për shkaqet e parashtruara në pjesën hyrëse të këtij vendimi.
II. Ligji i zbatueshëm
20. Dispozitat e Kodit të Procedurës Civile, në të cilat është parashikuar:

20.1. Neni 16§1: “Gjykata zgjidh mosmarrëveshjen në përputhje me dispozitat ligjore dhe normat e tjera në fuqi, që janë të detyrueshme të zbatohen prej saj. Ajo bën një cilësim të saktë të fakteve dhe veprimeve që lidhen me mosmarrëveshjen, pa u lidhur me përcaktimin që mund të propozojnë palët.”

20.2. Neni 577: “Në rast se në ankandin e parë nuk është paraqitur asnjë ofertues, atëherë, brenda 10 ditëve nga përfundimi i tij, përmbaruesi gjyqësor përcakton çmimin e ri të sendit, jo më të ulët se 20 për qind të çmimit fillestar të caktuar në ankandin e parë. Ankandi i dytë për shitjen e sendit zhvillohet jo më vonë se 15 ditë nga data e caktimit të çmimit të ri.

Në rast se në ankandin e dytë nuk është paraqitur asnjë ofertues, atëherë përmbaruesi i propozon në fillim kreditorit që, kundrejt kredisë, të marrë sendin me çmimin e ankandit të dytë. Në rast se kreditori nuk pranon ta marrë sendin, përmbaruesi gjyqësor heq sekuestron mbi sendin e sekuestruar dhe vijon procedurat përmbarimore mbi pasuri të tjera të debitorit.

Kur kreditorët që kërkojnë të marrin sendin kundrejt kredisë janë disa, përmbaruesi gjyqësor deklaron blerës kreditorin që brenda 3 ditëve nga propozimi jep çmimin më të lartë se çmimi i caktuar për ankandin e ri.”

20.3. Neni 610§1: Kundër veprimeve të përmbaruesit gjyqësor dhe kundër refuzimit të tij për të kryer një veprim, palët mund të bëjnë ankim në gjykatën që ekzekuton vendimin brenda 5 ditëve nga dita e kryerjes së veprimit apo refuzimit, kur palët kanë qenë të pranishme në kryerjen e veprimit ose kanë qenë thirrur edhe në raste të tjera nga dita që i është njoftuar ose ka marrë dijeni për veprimin ose refuzimin.”


III. Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë vlerëson
21. Se, rekursi i paraqitur nga paditësit, nuk përmban shkaqe nga ato të parashikuara në nenin 472 të Kodit të Procedurës Civile, që motivojnë cenimin e vendimit nr.59, datë 17.01.2012, të Gjykatës së Apelit Tiranë.

22. Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë, në shqyrtim e në vlerësim të akteve që ndodhen në dosjen gjyqësore e të administruara gjatë gjykimeve, pretendimeve të paraqitura në rekurs, si dhe pjesës arsyetuese të vendimeve gjyqësore, arrin në përfundimin se vendimi nr.59, datë 17.01.2012, të Gjykatës së Apelit Tiranë është rrjedhojë e zbatimit të drejtë të ligjit.

23. Kolegji Civil çmon të parashtrojë se procesi gjyqësor civil ka për qëllim zhvillimin e një gjykimi që konsiston në vlerësimin nga pikëpamja e së drejtës të një fakti ose një grup faktesh që domosdoshmërisht para se të vlerësohen nga gjykata duhet të vërtetohen (në formën e parashikuar nga Kodi i Procedurës Civile) dhe që përfundon me dhënien e një vendimi i cili duhet t’u përgjigjet dispozitave ligjore të zbatueshme për rastin konkret.

24. Në rastin në shqyrtim, Kolegji Civil, pa i hyrë analizës së fakteve dhe provave, evidenton se pretendimet e parashtruara si shkaqe për prishjen e vendimit të Gjykatës së Apelit Tiranë nuk gjejnë mbështetje në ligj.

24.1. Gjykata e apelit ka vendosur ndryshimin e vendimit të gjykatës së rrethit, pasi ka marrë në analizë të plotë dhe të gjithanshme (analizë e mbështetur në prova) çështje të rëndësishme ligjore dhe të faktit lidhur me këtë natyrë mosmarrëveshje.

25. Nga dosja gjyqësore rezulton se padia objekt gjykimi është ajo e kundërshtimit të veprimeve përmbarimore, një padi që ngrihet nga palët kreditori e debitori, por edhe nga palë të tjera që rast pas rasti pretendojnë se kanë interesa konkrete, efektive dhe aktuale me procesin e ekzekutimit, pra që me anë të kësaj padie synojnë të mënjanojnë cenimin e interesit të tyre nga aktet e parregullta të përmbaruesit. Kjo padi ngrihet vetëm “Kundër veprimeve të përmbaruesit gjyqësor dhe kundër refuzimit të tij për të kryer një veprim...”. Me këtë padi kundërshtohet mënyra e ligjshmëria (para së gjithash formale) e zhvillimit të vetë procesit të ekzekutimit të titullit ekzekutiv, për shkak të mosrespektimit të ligjit në vendimmarrjen dhe veprimet e përmbaruesit. Në këtë rast, paditësit kanë kundërshtuar veprimet e përmbaruesit lidhur me shitjen në ankand të sendeve të paluajtshme, e konkretisht mungesën e njoftimeve për vijimin e procedurave në fazën e dytë të ankandit.

26. Në analizë të vendimit të gjykatës së apelit dhe shqyrtimit të çështjes në tërësi, Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë arrin në konkluzionin se arsyetimi i kësaj gjykate është i bazuar në ligj, përsa i përket faktit se Zyra e përmbarimit ka kryer të gjithë procedurat dhe veprimet e saj konform ligjit, përfundim i nxjerrë nga aktet e provat e administruara gjatë gjykimit dhe interpretimi i drejtë i dispozitave ligjore për ekzekutimin e detyrueshëm, e veçanërisht nenet 560-580 të Kodit të Procedurës Civile.

26.1. Kolegji Civil vëren se i vetmi moment i paarsyetuar drejt në vendimin e Gjykatës së Apelit lidhet me konstatimin e kohës së ngritjes së padisë, prej së cilës ka arritur në përfundimin se është tejkaluar afati i ankimit ndaj veprimeve të përmbaruesit gjyqësor dhe se ankimi nuk duhej pranuar. Gjykata e Apelit ka konstatuar në mënyrë të gabuar se “... ankimi ndaj veprimeve të përmbaruesit është bërë në datë 06.09.2010 (shih shënimin në padi).”, në një kohë që shënimi ku referon gjykata ka lidhje me momentin e caktimit të gjyqtarit të çështjes, ndërsa data e paraqitjes së padisë në gjykatë është data 04 gusht 2010, siç rezulton qartësisht nga vulat e vënë nga gjykata e shkallës së parë pas faqes së parë të padisë (në pullat e taksës). Ndaj padia nuk është paraqitur tej afatit të parashikuar nga neni 610 i Kodit të Procedurës Civile.

27. Përsa i përket themelit të pretendimeve, veprimeve të përmbaruesit gjyqësor që kundërshtohen me këtë padi, gjykata e apelit me të drejtë ka arritur në përfundimin se ato kanë qenë konform ligjit. Nga gjykatat është pranuar e provuar se përmbaruesi ka respektuar parashikimet ligjore dhe njoftimet për zhvillimin e fazës së parë të ankandit, duke njoftuar debitorin për çdo moment që nga lajmërimi i nisjes së procedurës së ankandit, deri në realizimin e ankandit të parë, ku madje paditësi Lulëzim Tagani ka qenë prezent.

27.1 Në rastin e mos shitjes së sendit në ankandin e parë, neni 577 i Kodit të Procedurës Civile parashikon përsëritjen e tij (ankandi i dytë), në afate relativisht të shkurtra nga përfundimi i ankandit të parë (në total jo më vonë se 25 ditë nga zhvillimi i ankandit të parë), por sikundër ka arsyetuar Gjykata e Apelit Tiranë, kjo dispozitë nuk parashikon asnjë njoftim të detyrueshëm për përmbaruesin në adresë të debitorit lidhur procedurën e ankandit të dytë, në dallim nga ajo e ankandit të parë. Megjithatë në rastin në shqyrtim rezulton se përmbaruesi ka nisur një njoftim për debitorët, njoftim i nënshkruar nga shoqëria “Eurovini” sh.p.k., i dërguar me postë edhe në adresë të debitorit Lulzim Tagani. Ndërsa në vijim, në datë 15.07.2010 ka përcaktuar çmimin e ri të sendeve dhe ka shpallur ankandin e dytë, i cili është zhvilluar në datë 30.07.2010, konform nenit 577 të Kodit të Procedurës Civile.

27.2. Në këto kushte, Kolegji e gjen të drejtë arsyetimin e gjykatës së apelit se pretendimet e paditësve për mos njoftim të veprimeve dhe ankandit të dytë nga përmbaruesi nuk qëndrojnë pasi: (i) ligji nuk përcakton detyrimin e përmbaruesit gjyqësor për të njoftuar debitorin në këtë fazë; (ii) shpallja e ankandit është bërë publike (në ambientet e jashtme të Njësive Bashkiake nr.1 dhe nr.2, sipas procesverbalit të datës 15.07.2010 - faqe 194 e dosjes) ; (iii) debitorët ishin në dijeni të nisjes së procedurave të shitjes së sendit në ankand (kishin marrë njoftimet përkatëse dhe ishin prezent në ankandin e parë), e për sa kohë sendi nuk ishte shitur dhe detyrimi nuk ishte përmbushur prej tyre, ekzekutimi i detyrueshëm në bazë të ligjit do të vijonte (neni 577).

27.3. Nga dispozitat për ekzekutimin e detyrueshëm del qartë se me nisjen e procedurës së shitjes së sendit në ankand, debitori nuk mund të ndalojë shitjen e tij dhe i vetmi shkak, për të cilin mund të mos kryhet ankandi është pushimi i ekzekutimit të detyrimit që parashikon neni 616 i Kodit të Procedurës Civile. Ndërkohë, shlyerja e detyrimit nga ana e debitorëve është kryer në datë 03.08.2010, pas përfundimit të ankandit (datë 30.07.2010) dhe shitjes së sendit, pra pas kryerjes së veprimeve që ata kundërshtojnë dhe rrjedhimisht ky fakt nuk mund të ndikojë në ligjshmërinë e veprimeve të përmbaruesit.

28. Në konkluzion, Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë çmon se Gjykata e Apelit Tiranë, në përputhje me kërkesat e normave procedurale, ka kryer “një hetim gjyqësor të plotë dhe të gjithanshëm në përputhje me ligjin”, në çështjen objekt gjykimi (neni 14 i K.Pr.Civile); i ka dhënë përgjigje një sërë pretendimeve të palëve, kanë bërë një analizë tërësore dhe objektive të provave (neni 126 i K.Pr.Civile), dhe si rezultat e ka zgjidhur “mosmarrëveshjen në përputhje me dispozitat ligjore dhe normat e tjera në fuqi, që janë të detyrueshme të zbatohen prej saj” (neni 16 i K.Pr.Civile).

29. Për sa më sipër, vendimi nr.59, datë 17.01.2012 të Gjykatës së Apelit Tiranë duhet të lihet në fuqi.


PËR KËTO ARSYE

Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë mbështetur në nenin 485, gërma “a” të K.Pr.Civile,


V E N D O S I

Lënien në fuqi të vendimit nr.59, datë 17.01.2012, të Gjykatës së Apelit Tiranë.


Tiranë, më 25.11.2015

Nr. 43000-00783-00-2012 i Regj. Themeltar

Nr. 00-2015-3952 i Vendimit (488)


Download 4,68 Mb.

Do'stlaringiz bilan baham:
1   ...   25   26   27   28   29   30   31   32   ...   157




Ma'lumotlar bazasi mualliflik huquqi bilan himoyalangan ©hozir.org 2024
ma'muriyatiga murojaat qiling

kiriting | ro'yxatdan o'tish
    Bosh sahifa
юртда тантана
Боғда битган
Бугун юртда
Эшитганлар жилманглар
Эшитмадим деманглар
битган бодомлар
Yangiariq tumani
qitish marakazi
Raqamli texnologiyalar
ilishida muhokamadan
tasdiqqa tavsiya
tavsiya etilgan
iqtisodiyot kafedrasi
steiermarkischen landesregierung
asarlaringizni yuboring
o'zingizning asarlaringizni
Iltimos faqat
faqat o'zingizning
steierm rkischen
landesregierung fachabteilung
rkischen landesregierung
hamshira loyihasi
loyihasi mavsum
faolyatining oqibatlari
asosiy adabiyotlar
fakulteti ahborot
ahborot havfsizligi
havfsizligi kafedrasi
fanidan bo’yicha
fakulteti iqtisodiyot
boshqaruv fakulteti
chiqarishda boshqaruv
ishlab chiqarishda
iqtisodiyot fakultet
multiservis tarmoqlari
fanidan asosiy
Uzbek fanidan
mavzulari potok
asosidagi multiservis
'aliyyil a'ziym
billahil 'aliyyil
illaa billahil
quvvata illaa
falah' deganida
Kompyuter savodxonligi
bo’yicha mustaqil
'alal falah'
Hayya 'alal
'alas soloh
Hayya 'alas
mavsum boyicha


yuklab olish