VENDIM
NË EMËR TË REPUBLIKËS
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë i përbërë nga:
Majlinda Andrea Kryesuese
Admir Thanza Anëtar
Artan Broci Anëtar
Në seancën gjyqësore të datës 19.11.2015, mori në shqyrtim çështjen civile me nr.11243-03351-00-2012, që u përket palëve:
PADITËS: SHOQËRIA “TIRANA INERTE” SH.P.K, në mungesë,
I PADITUR: KESH SH.A, e përfaqësuar me autorizim nga juristi Artan Çela,
OBJEKTI:
Deklarimin e pavlefshëm të titullit ekzekutiv,
proces-verbalit të vendosjes së gjobës dhe dëmit.
Kundërshtimi dhe shfuqizimi i vendimeve nr.932
dhe nr.933, datë 20.12.2003, të Drejtorisë së Policisë Elektrike.
Baza Ligjore: Neni 12 i ligjit nr.8637, datë 06.07.2000,
“Për Policinë Elektrike”
dhe neni 609 i Kodit të Procedurës Civile.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendimin nr.937, datë 10.02.2009, ka vendosur:
“Rrëzimin e kërkesë-padisë”.
Gjykata e Apelit Tiranë, me vendimin nr.860, datë 11.05.2010, ka vendosur:
“Prishjen e vendimit nr.937, datë 10.02.2009, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe kthimin e çështjes për rigjykim pranë asaj gjykate me tjetër trup gjykues”.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendimin nr.7207, datë 23.09.2011, ka vendosur:
“Rrëzimin e kërkesë-padisë”.
Gjykata e Apelit Tiranë, me vendimin nr.838, datë 10.04.2012, ka vendosur:
“Lënien në fuqi të vendimit nr.7207, datë 23.09.2011, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë”.
Kundër këtij vendimi ka ushtruar rekurs pala paditëse Shoqëria Tirana Inerte shpk., të cilët kërkojnë, ndryshimin e vendimit të Gjykatës së Apelit Tiranë dhe të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, duke vendosur pranimin e padisë, duke parashtruar këto shkaqe:
-
Vendimi i apelit është dhënë nën kundërshtim të hapur me ligjin;
-
Në mënyrë absurde gjykatat kanë pranuar se vendimet në bazë të nenit 10 të ligjit “Për Policinë Elektrike”, nr.8637 datë 06.07.2000, gjobat e vendosura nga policia elektrike janë tituj ekzekutiv për efekt ekzekutimi jo në kuptim të nenit 510 të K.Pr.Civile;
-
Nga arsyetimi i gjykatës së shkallës së parë nuk janë mbajtur parasysh kërkimet tona duke e paragjykuar çështjen;
-
Interpretimi i bërë nga gjykata e shkallës së parë në lidhje me parashkrimin e padisë është i pabazuar në ligj;
-
Vendimet e gjykatave nuk kanë mbajtur parasysh vendimet e pushimit që janë marrë nga ana e organit të prokurorisë për përfaqësuesit e shoqërisë;
KOLEGJI CIVIL I GJYKATËS SË LARTË,
pasi dëgjoi relatimin e gjyqtarit Admir Thanza; përfaqësuesin me autorizim të palës së paditur KESH Sh.a, juristin Artan Çela që përfundimisht kërkoi, lënien në fuqi të vendimit nr.838, datë 10.04.2012, të Gjykatës së Apelit Tiranë me të cilin është lënë në fuqi vendimi nr.7207, datë 23.09.2011, i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë; në mungesë të palës paditëse dhe pasi shqyrtoi e bisedoi çështjen në tërësi,
V Ë R E N
-
Shoqëria “Tirana Inerte” Sh.p.k është themeluar si person juridik me vendimin nr.20436, datë 14.12.1998, të Gjykatës së Rrethit Tiranë.
-
Më datë 19.11.2003 nga inspektoret e Policisë Elektrike, Dega Tiranë është ushtruar kontroll në objektin “Tirana Inerte” Sh.p.k, me adresë në Zall-Herr Tiranë. Nga ky kontroll inspektorët kanë konstatuar cënim të sistemit të matjes dhe të vulave të tij, pasi njëra nga fijet e transformatorit të rrymës ishte e këputur dhe për këtë kanë mbajtur procesverbalin përkatës me nr.PE 011153 datë 19.11.2003 me të cilën pala paditëse është dënuar me gjobë në masën 40.000 (dyzet mijë) lekë.
-
Gjithashtu është mbajtur edhe proces-verbali i dëmit me nr.PE 005324 datë 19.11.2003, për dëm të shkaktuar entit të shpërndarjes si rrjedhojë e cenimit të sistemit matës dhe të vulave të tij sipas të cilit pala paditëse është ngarkuar të paguajë vlerën 1556100 (një milion e pesëqind e pesëdhjetë e gjashtëmijë e njëqind) lekë. Procedura e Policisë Elektrike është bazuar në nenin 10 të Ligjit nr.8637, dt.07.10.2000, “Për Policinë Elektrikë”, ligj i cili ka qenë në fuqi në momentin e daljes së këtyre akteve.
-
Pala paditëse, ndaj akteve të mësipërme në ezaurim të rekursit administrativ, brenda afatit ligjor ka bërë ankim tek Drejtori i Policisë Elektrike, i cili me vendimet nr.932, datë 20.12.2003 dhe nr.933, datë 20.12.2003, ka vendosur lënien e tyre në fuqi.
-
Në të tilla rrethana, pala paditëse i është drejtuar gjykatës së shkallës së parë me padinë në gjykim, duke kërkuar deklarimin e pavlefshëm të titullit ekzekutiv, proces-verbalit të vendosjes së gjobës dhe të dëmit, si dhe shfuqizimin e vendimeve të mësipërme të Drejtorit të Policisë Elektrike, me pretendimin se nuk ka bërë asnjë ndërhyrje ne sistemin matës.
-
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendimin nr.7207, datë 23.09.2011, ka vendosur rrëzimin e kërkesë-padisë.
-
Në marrjen e vendimit gjykata e shkallës së parë ka arsyetuar ndërmjet të tjerave se: “omissis...Gjatë gjykimit në aspektin procedurial nisur nga kërkesa e palës paditëse në kushtet kur ligji nr.8637 datë 06.07.2000 “Për Policinë Elektrike “ështe shfuqizuar me ligjin nr.9740 date 2.05.2007, në bazë të këtij të fundit si dhe të urdhrave përkatës nr.520 datë 20.07.2007 dhe nr.521 datë 20.07.2007, të Ministrit të Energjetikës, meqënëse struktura e Policisë Elektrike është përfshirë si strukturë në organizimin e brendshëm të Korporatës Elektroenergjitike Shqiptare, e cila u thirr nga Gjykata si palë e paditur.… gjykata çmon se padia duhet rrëzuar për sa më poshtë:
Së pari: Gjykata në referim të nenit 510 të Kodit të Procedurës Civile në koneksitet edhe me parashikimet e bëra në ligjin e posaçëm nr.8637. datë 06.07.2000. “Për Policinë Elektrike”, konkludon se procesverbali i gjobës dhe proces-verbali i dëmit të mbajtura nga ana e inspektorëve të palës së paditur nuk përbëjnë tituj ekzekutiv, dhe për rrjedhojë, në aspektin formalo-procedurial të padisë, pala paditëse e cila pretendon se prej tyre mund të jetë cënuar ose dëmtuar nga pala e paditur, nuk mund t’i kontestojë ato në gjykatë për pavlefshmëri, duke përmbajtur padia si shkak ligjor të saj nenin 609 të Kodit Procedurës Civile...omissis...Gjykata çmon se parashikimi i bërë në nenin 10 të ligjit të sipërcituar se gjobat e vendosura nga punonjësit e Policisë Elektrike, janë titull ekzekutiv, nuk i parashikon ato si tituj ekzekutiv në kuptim të nenit 510 të Kodit Procedurës Civile, pasi nuk është e parashikuar në ligjin e veçantë detyrimi i Zyrës së Përmbarimit me ekzekutimin e këtyre akteve, si një kërkesë ligjore që rrjedh nga parashikimi i dispozitës së mësipërme proceduriale.
Madje nga përmbajtja e ligjit “Për Policinë Elektrike”, neneve 12 dhe 14 të tij rezulton se është Policia Elektrike dhe Enti Shpërndarës, të cilët janë autoritetet përkatëse të ngarkuara me ligj për zbatimin e këtyre akteve.
Në interpretimin logjik e sistematik të dispozitave të mësipërme konkludohet se aktet e inspektorëve të palës së paditur, janë tituj ekzekutiv vetëm për efekt të ekzekutimit të tyre nga subjektet e ngarkuara nga ligji, por jo në kuptim të parashikimeve të dispozitës përkatëse, nenit 510 të Kodit Procedurës Civile.
Së dyti: Në nenin 12 të Ligjit të posaçëm me nr.8637, datë 06.07.2000, “Për Policinë Elektrike” ndër të tjera parashikohet se: Kundër vendimit të dënimit me gjobë bëhet ankim me shkrim brenda 5 ditëve nga data e njoftimit të tij tek Drejtori i Policisë Elektrike, i cili duhet të shprehet me shkrim brenda 10 ditëve. …“Kundër vendimit të Drejtorit të Drejtorisë së Policisë Elektrike mund të bëhet ankim në gjykatë”.
Sa sipër rezulton se akti që pala paditëse duhet të kontestonte në Gjykatë nëse asaj i cënoheshin interesat apo të drejtat e saj është vendimi i Drejtorit të Drejtorisë së Policisë Elektrike, i cili mund të kontestohet në gjykatë, si të gjitha aktet e tjera administrative.
Së treti: Gjykata ve në dukje se edhe sikur në mënyrë hipotetike të supozonim se pala paditëse do t’i kontestonte këto akte në gjykatë si akte administrative përsëri padia duhej të ishte rrëzuar, pasi është paraqitur jashtë afatit 5 ditor të përcaktuar në nenin 12 të ligjit nr.8637, datë 06.07.2000, “Për Policinë Elektrike”. Pra padia është parashkruar pasi pala paditëse është vënë në dijeni me vendimet e Drejtorit të Policisë Elektrike më datë 28.01.2004, fakt ky që rezulton edhe nga përmbajtja e kërkesë -padisë (me hollësisht shih kërkesë-padinë në dosje), ndërkohë që padia është paraqitur në gjykatë më datë 04.02.2004.”
-
Mbi ankimin e palës paditëse Shoqëria “Tirana Inerte” Sh.p.k, Gjykata e Apelit Tiranë, me vendimin nr.838, datë 10.04.2012, ka vendosur: “Lënien në fuqi të vendimit nr.7207, datë 23.09.2011, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë”.
-
Gjykata e apelit ndërmjet të tjerave ka arsyetuar se: “...omissis...Gjykata e Apelit e gjen të drejta konkluzionin e gjykatës së shkallës së parë...cilësia që ligji u ka dhënë vendimeve të dënimit me gjobë të inspektorëve të Policisë elektrike si tituj ekzekutiv nuk mundëson kundërshtimin e tyre sipas nenit 609 të K.Pr.Civile, në kushtet kur aktet administrative, përfshirë ato të dënimin e një kundravajtje, kanë një procedurë të posaçme kundërshtimi...jo pa qëllim ligji ka përcaktuar afate të shkurtra për shqyrtimin dhe dënimin e kundravajtjeve administrative, ndaj dhe kundërshtimi i akteve, që konstatojnë dhe ndërshkojnë këto shkelje duhet të bëhet konform akteve ligjore të përcaktuara;...Në kushtet e mësipërme paditësi nuk mund të ngrejë një padi për kundërshtimin e titullit ekzekutiv, që në rastin konkret është vendimi i një organi administrativ për dënimin e kundravajtjes, dhe të pretendojë që nëpërmjet një padie të tillë, e cila lidhet me mbrojtjen e të drejtave të debitorit gjatë fazës së ekzekutimit të detyrueshëm të shqyrtimit të mosmarrëveshjeve administrative; Gjykata e apelit vlerëson se i vetmi rast në të cilin për një akt administrativ titulli ekzekutiv, ka filluar procedura e ekzekutimit të detyrueshëm mund të kundërshtohet nëpërmjet pavlefshmërisë së titullit, është ai i pavlefshmërisë absolute të tij, fakt që e cilëson këtë të fundit si të paqenë. Në çdo rast tjetër, kur i interesuari pretendon shkaqe të pavlefshmërisë së natyrës relative, akti administrativ duhet të kundërshtohet në gjykatë brenda afateve ligjore nëpërmjet gjykimit të posaçëm, konform neneve 324 e vijues të K.Pr.Civile... për sa i përket pjesës tjetër të vendimit objekt ankimi, lidhur me afatin e ngritjes së padisë për kundërshtimin e vendimeve të drejtorit të Policisë Elektrike, gjykata e apelit vlerëson se kjo çështje nuk ka rëndësi për shqyrtimin e padisë objekt të këtij gjykimi për sa kohë që paditësi nuk ka iniciuar një gjykim për zgjidhjen e mosmarrëveshjes administrative...”
-
Kundër këtyre vendimeve ka ushtruar rekurs pala paditëse Shoqëria “Tirana Inerte” Sh.p.k, me të cilin kërkon ndryshimin e vendimit të gjykatës së apelit dhe të vendimit të gjykatës së shkallës së parë, duke pranuar padinë me shkaqet e lartpërmendura.
-
Ligji i zbatueshëm.
-
Dispozitat e Kodit të Procedurës Civile në të cilat është parashikuar:
9.1. Neni 14 i K.Pr.Civile: “Gjykata ka për detyrë që të zhvillojë një proces të rregullt ligjor, nëpërmjet garantimit të zhvillimit të një hetimi të plotë dhe të gjithanshëm, në përputhje me ligjin”.
9.2. Neni 16§1 i K.Pr.Civile:“Gjykata zgjidh mosmarrëveshjen në përputhje me dispozitat ligjore dhe normat e tjera në fuqi, që janë të detyrueshme të zbatohen prej saj. Ajo bën një cilësim të saktë të fakteve dhe veprimeve që lidhen me mosmarrëveshjen, pa u lidhur me përcaktimin që mund të propozojnë palët”.
9.3. Neni 20 i K.Pr.Civile: “Gjykata duhet të ndjekë dhe të kërkojë të zbatohet parimi i kontradiktoritetit.
Ajo e mbështet vendimin e saj vetëm në mjetet, shpjegimet, dokumentet e provat e tjera të treguara ose të sjella nga palët, kur këto të fundit kanë qenë në gjendje të debatojnë sipas parimit të kontradiktoritetit.”
-
Ligji nr.8637, datë 06.07.2000, “Për Policinë Elektrike”, i ndryshuar në të cilin është parashikuar:
10.1. Neni 10: “Lidhja elektrike pa kontratë, lidhja elektrike para aparatit matës dhe cënimi i vulave ose dëmtimi i sistemit matës të energjisë elektrike nga konsumatorët familjarë, kur këto shkelje nuk përbëjnë vepër penale, dënohen me gjobë si më poshtë:
a) Për lidhje abuzive para sistemit matës 5 000 deri në 10 000 lekë.
b) Për cënim të sistemit matës dhe të vulave të tij 5 000 deri në 12 000 lekë.
c) Për lidhje në rrjetin elektrik pa kontratë 15 000 deri 20 000 lekë, si dhe shlyerjen e dëmit shkaktuar entit shpërndarës përkatës.
Kur këto shkelje bëhen nga subjekte shtetërore ose private dhe fuqia e instaluar është më e madhe se ajo e përcaktuar në kontratë, masa e gjobës të jetë:
a) Për lidhje abuzive para sistemit matës 10 000 lekë deri në 50 000 lekë.
b) Për cenim të sistemit matës dhe të vulave të tij 20 000 deri 40 000 lekë.
c) Për lidhje në rrjetin elektrik pa kontratë 50 000 deri në 100 000 lekë.
ç) Për shtesë fuqie të instaluar mbi kontratë 5 000 deri 20 000 lekë, si dhe shlyerjen e dëmit shkaktuar entit shpërndarës përkatës.
Në përcaktimin e saktë të vlerës së gjobave, në përshtatje me llojin e shkeljes, madhësinë e fuqisë së instaluar në objektet dhe kohën e vërtetuar me shkelje abuzive, përdoret Tabela e Penaliteteve, e miratuar nga Ministria e Ekonomisë Publike dhe Privatizimit, e cila përmban edhe dëmin e shkaktuar entit elektrik të shpërndarjes, të miratuar nga Enti Rregullator i Energjisë së Republikës të Shqipërisë.
Gjoba vendoset nga punonjësit e Policisë Elektrike dhe quhet titull ekzekutiv.”
10.2. Neni 12: “Kundër vendimit të dënimit me gjobë bëhet ankim me shkrim brenda 5 ditëve nga data e njoftimit të tij te Drejtori i Policisë Elekrike. Kundër vendimit të Drejtorit të Drejtorisë së Policisë Elektrike mund të bëhet ankim në gjykatë brenda 5 ditëve.”
-
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë vlerëson se:
-
Në çështjen objekt rekursi se vendimi i Gjykatës së Apelit Tiranë si dhe vendimi i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë janë marrë pjesërisht në zbatim të gabuar të ligjit dhe në të tilla rrethana ato bëhen të cenueshme nga kjo gjykatë.
-
Në nenin 16 dhe 17 të ligjit nr.7697, datë 07.04.1993, “Për kundërvajtjet administrative” (i ndryshuar), të zbatueshme në çështjen objekt gjykimi, parashikohet se së bashku me kundërvajtjen administrative, kur është rasti, shqyrtohet edhe shpërblimi i dëmit të shkaktuar nga kundërvajtësi. Në vendimin e dënimit përmendet identiteti i kundërvajtësit, shkelja e kryer, dënimi i dhënë, masat administrative, sendet e marra dhe, kur është rasti, edhe detyrimi për shpërblimin e dëmit.
-
Kolegji vlerëson se bazuar në dispozita të veçanta ligjore, shqyrtimi i kundërvatjes administrative në rrugë gjyqësore ndjek një rrugë të posaçme, p.sh. vetëm me një shkallë gjykimi. E njëjta procedurë, si rregull, nuk mund të zbatohet edhe lidhur me kundërshtimin e shpërblimit të dëmit të ngarkuar subjektit për atë kundërvajtje administrative.
-
Anullimi, shfuqizimi, heqja a ndryshimi i pjesshëm i dënimit administrativ të dhënë në përfundim të shqyrtimit gjyqësor të çështjes mund të jetë rezultat e rrethanave faktike e ligjore nga më të ndryshmet. Mes tyre, përfshihen edhe rastet kur këto dënime të dhëna hiqen a pakësohen me vendim gjyqësor, me falje, amnisti, etj. . Këto janë raste a përfitime, të cilat nuk shuajnë apo, përkatësisht, pakësojnë, vetvetiu, edhe detyrimin për të shpërblyer dëmin e shkaktuar nga kundërvajtja e kryer.
-
Prandaj, nëse në zbatim të ligjit, gjykimi për kundërshtimin e dënimit administrativ të dhënë merr formë të prerë që në shkallën e parë, i njëjti fat nuk mund të ndjekë edhe kërkimin për heqjen e detyrimit për shpërblimin e dëmit.
-
Në çështjen objekt gjykimi, gjykata e apelit ka shqyrtuar pretendimet e palëve ndërgjyqëse lidhur me gjobën dhe shpërblimin e dëmit që i është ngarkuar paditësit “Tirana Inerte” Sh.P.K në lidhje me kundërvajtjen administrative të pretenduar nga pala e paditur, Policia Elektrike Tiranë.
-
Gjykata e apelit, ashtu si gjykata e shkallës së parë, pasi ka shqyrtuar e çmuar provat, ka ardhur në përfundimin e rrëzimit të padisë me arsyetimin se:”...omissis... cilësia që ligji u ka dhënë vendimeve të dënimit me gjobë të inspektorëve të Policisë elektrike si tituj ekzekutiv nuk mundëson kundërshtimin e tyre sipas nenit 609 të K.Pr.Civile, në kushtet kur aktet administrative, përfshirë ato të dënimit e një kundravajtje, kanë një procedurë të posaçme kundërshtimi.(...)
...omissis...jo pa qëllim ligji ka përcaktuar afate të shkurtra për shqyrtimin dhe dënimin e kundravajtjeve administrative, ndaj dhe kundërshtimi i akteve, që konstatojnë dhe ndëshkojnë këto shkelje duhet të bëhet konform akteve ligjore të përcaktuara;.(...).
...omissis...Në kushtet e mësipërme paditësi nuk mund të ngrejë një padi për kundërshtimin e titullit ekzekutiv, që në rastin konkret është vendimi i një organi administrativ për dënimin e kundravajtjes, dhe të pretendojë që nëpërmjet një padie të tillë, e cila lidhet me mbrojtjen e të drejtave të debitorit gjatë fazës së ekzekutimit të detyrueshëm të shqyrtimit të mosmarrëveshjeve administrative; Gjykata e apelit vlerëson se i vetmi rast në të cilin për një akt administrativ titulli ekzekutiv, ka filluar procedura e ekzekutimit të detyrueshëm mund të kundërshtohet nëpërmjet pavlefshmërisë së titullit, është ai i pavlefshmërisë absolute të tij, fakt që e cilëson këtë të fundit si të paqenë. Në çdo rast tjetër, kur i interesuari pretendon shkaqe të pavlefshmërisë së natyrës relative, akti administrativ duhet të kundërshtohet në gjykatë brenda afateve ligjore nëpërmjet gjykimit të posaçëm, konform neneve 324 e vijues të K.Pr.Civile...omissis... për sa i përket pjesës tjetër të vendimit objekt ankimi, lidhur me afatin e ngritjes së padisë për kundërshtimin e vendimeve të Drejtorit të Policisë Elektrike, gjykata e apelit vlerëson se kjo çështje nuk ka rëndësi për shqyrtimin e padisë objekt të këtij gjykimi për sa kohë që paditësi nuk ka iniciuar një gjykim për zgjidhjen e mosmarrëveshjes administrative.(...)”.
-
Kolegji Civil vlerëson se, lidhur me proces verbalin e anullimit të gjobës, vendimi i gjykatës së apelit është marrë në zbatim të gabuar të ligjit dhe si i tillë, vendimi i gjykatës së apelit do të prishet për këtë pjesë dhe të vendoset pushimi i gjykimit të çështjes në Gjykatën e Lartë.
-
Në Ligjin nr.7697, datë 07.04.1993, “Për kundërvajtjet administrative” (i ndryshuar), kundërvajtje administrative, si një ligj që përcakton rregulla me karakter të përgjithshëm mbi kundërvajtjet administrative, në Kreun I, neni 1 përcaktohet se: “Kundërvajtje administrative quhet shkelja me faj e dispozitave ligjore ose nënligjore të nxjerra nga organet shtetërore kompetente e kryer me veprim ose mosveprim dhe për të cilën parashikohet një dënim administrativ...”.
-
Ky është përcaktimi i përgjithshëm për kundërvajtjet, i bërë nga ligjvënësi, por që nuk përcakton dhe nuk mund të përcaktojë në mënyrë të detajuar llojet konkrete të kundërvajtjeve administrative.
-
Rastet konkrete të shkeljeve administrative që përbëjnë kundërvajtje administrative si dhe llojet e masat e dënimeve përkatëse nuk përcaktohen në këtë ligj, por përcaktohen nga ligjet e posaçme të nxjerra nga ligjvënësi për rregullimin e fushave të veçanta të marrëdhënieve juridike. Këto ligje të posaçme, mund të përmbajnë edhe rregulla të posaçme mbi rrugën administrative e gjyqësore të shqyrtimit të kundërvajtjes administrative dhe të dhënies së dënimeve përkatëse, nisur nga proporcionaliteti ndërmjet natyrës së shkeljeve administrative dhe llojeve e masave të dënimeve administrative të parashikuara prej tyre.
-
Konkretisht në ligjin e posaçëm nr.8637, datë 06.07.2000, “Për Policinë Elektrike”, i cili është ligji i zbatueshëm për çështjen objekt gjykimi, ligjvënësi ka parashikuar në nenin 10, llojet e shkeljeve administrative dhe dënimet përkatëse për secilën shkelje të kryer.
-
Në çështjen në gjykim, pala e paditur ka pretenduar se pala paditëse, Shoqëria “Tirana Inerte” Sh.p.k., ka kryer kundërvajtjen administrative të parashikuar në shkronjën “b”, të nenit 10 të cituar në paragrafin e mësipërm: “...kur këto shkelje bëhen nga subjekte shtetërore ose private dhe fuqia e instaluar është më e madhe se ajo e përcaktuar në kontratë, masa e gjobës të jetë: …b) për cënim të sistemit matës dhe të vulave të tij 20 000 deri në 40 000 lekë.(...)”.
-
Në vështrim të këtij parashikimi dhe atij të bërë në Kreun I, neni 1 të Ligjit nr.7697, datë 07.04.1993, “Për kundërvajtjet administrative”, shkelja e pretenduar e kryer nga ana e palës paditëse, Shoqëria “Tirana Inerte” sh.p.k., përbën kundërvajtje administrative.
-
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë, pa hyrë në shqyrtimin e çështjes në themel, në kuptimin që të marrë në shqyrtim nëse qëndron shkelja e pretenduar nga ana e palës së paditur apo jo, nëse çështja është zgjidhur drejt, etj., konstaton se Gjykata e Apelit Tiranë nuk ka patur kompetencë për gjykimin e kësaj çështje
-
Në nenin 18 të Ligjit nr.7697, datë 07.04.1993, “Për kundërvajtjet administrative” (i ndryshuar), si një ligj që përcakton rregulla me karakter të përgjithshëm mbi kundërvajtjet administrative, përcaktohet: “Kundër vendimit të dënimit nga organi administrativ mund të bëhet ankim ose protestë brenda 5 ditëve nga dita e shpalljes ose njoftimit në gjykatën e rrethit ku është kryer kundërvajtja, vendimi i të cilës është i formës së prerë... Kur dënimi jepet nga gjykata e rrethit, ankimi bëhet në gjykatën e apelit”. Sipas këtij parashikimi ligjor, meqënëse dënimi administrativ është dhënë nga organi administrativ, vendimi i gjykatës së shkallës së parë është i formës së prerë.
-
Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë, në Vendimin Unifikues nr.11, datë 02.10.2009, në funksion të unifikimit të praktikës gjyqësore për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të tilla kanë konkluduar: “…në rastet e kundërvajtjeve administrative, subjekti ka të drejtën të ngrejë padi në gjykatën e shkallës së parë kundër çdo lloj dënimi administrativ të dhënë nga një organ administrativ, pavarësisht nëse kjo e drejtë është e parashikuar ose jo shprehimisht nga ligji i veçantë. Vendimi i dhënë nga gjykata e shkallës së parë që ka shqyrtuar kundërvajtjen administrative është i formës së prerë dhe i paankimueshëm, përveç kur ligji i veçantë parashikon shprehimisht të drejtën për ndjekjen e rrugës së zakonshme të ankimit ndaj këtij vendimi gjyqësor në një gjykatë më të lartë. Ndërsa në rastet kur vendimi i dënimit administrativ është dhënë nga vetë gjykata e shkallës së parë, pala ndërgjyqëse ka të drejtën e ushtrimit të ankimit kundër këtij vendimi në gjykatën më të lartë në rrugën e zakonshme…”.
-
Në të tilla rrethana pranimi i çështjes për shqyrtim nga ana e Gjykatës së Apelit, Tiranë dhe gjykimi i çështjes mbi ankimin e palës së paditur, kundër vendimit të dhënë nga gjykata e shkallës së parë që kishte shqyrtuar kërkimin e palës paditëse për kundërshtimin e dënimit administrativ të dhënë nga organi administrativ (të paditurit), vlerësohet nga Kolegji Civil i gjykatës së Lartë në zbatim të gabuar të ligjit.
-
Në nenin 450 të K.Pr.Civile përcaktohet: “Gjykata që ka dhënë vendimin nuk e pranon ankimin kur: ...c) është bërë kundër një vendimi ndaj të cilit nuk lejohet ankim...”. Pra është e qartë se, meqënëse ankimi i palës së paditur është bërë kundër një vendimi ndaj të cilit nuk lejohet ankim, Gjykata e Apelit Tiranë, për pjesën e kundërshtimit të proces-verbalit të gjobës, bazuar në nenin 450/c të K.Pr.Civile, duhej të vendoste mospranimin e ankimit. Kjo edhe duke ju referuar paragrafit të fundit të nenit 450 të K.Pr.Civile që parashikon se: “... mospranimi i ankimit mund të deklarohet në çdo shkallë gjykimi...”.
-
Nga ana tjetër, Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë nuk mund të vendosë prishjen e vendimit të gjykatës së apelit dhe lënien në fuqi të vendimit të gjykatës së shkallës së parë, në respektim të rregullit të përcaktuar në shkronjën “b” të nenit 485 të K.Pr.Civile, pasi do të bënte të njëjtin gabim që ka bërë Gjykata e Apelit Tiranë.
-
Ligjvënësi ka parashikuar mundësinë që Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë mund të vendosë prishjen e vendimit të gjykatës së apelit dhe lënien në fuqi të vendimit të gjykatës së shkallës së parë, në respektim të rregullit të përcaktuar në shkronjën “b” të nenit 485 të K.Pr.Civile, vetëm pasi të ketë shqyrtuar çështjen në themel. Ky përcaktim i ligjvënësit del qartë nga dispozita e nenit 485 të K.Pr.Civile e konkretisht: “Pas shqyrtimit të çështjes, Kolegji Civil apo Kolegjet e Bashkuara vendosin:… b)prishjen e vendimit të gjykatës së Apelit dhe lënien në fuqi të vendimit të gjykatës së shkallës së parë…”.
-
Në kushtet e parashtruara, Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë, në interpretim të përcaktimit të bërë në shkronjën “e” të nenit 485 të K.Pr.Civile (Pas shqyrtimit të çështjes, Kolegji Civil apo Kolegjet e Bashkuara vendosin:…e) prishjen e vendimeve dhe pushimin e gjykimit të çështjes…), përsa i përket pjesës së vendimit që ka shfuqizuar proces-verbalin e gjobës, vlerëson me vend prishjen e vendimit nr.838, datë 10.04.2012, të Gjykatës së Apelit Tiranë dhe pushimin e gjykimit të çështjes.
-
Për sa i përket vendimeve të gjykatave të faktit lidhur me rrëzimin e padisë për pavlefshmërinë e titullit ekzekutiv të procesverbalit të dëmit ky Kolegj vlerëson se ato janë marrë në zbatim të gabuar të ligjit dhe për pasojë duhet të prishen dhe çështja të dërgohet për rishqyrtim në gjykatën e shkallës së parë me tjetër trup gjykues.
-
Kolegji konstaton se në vendimmarrjen sa sipër gjykatat e faktit kanë arsyetuar se nga ana proceduriale procesverbali i dëmit për shkak të cenimit të sistemit matës nuk përbën titull ekzekutiv dhe për rrjedhojë, në aspektin formalo-procedurial të padisë, pala paditëse e cila pretendon se prej tyre mund të jetë cenuar ose dëmtuar nga pala e paditur, nuk mund t’i kontestojë ato në gjykatë për pavlefshmëri, duke përmbajtur padia si shkak ligjor të saj nenin 609 të Kodit Procedures Civile.
-
Në interpretim të drejtë të këtyre dispozitave veprimet për vlerësimin e dëmit të shkaktuar dhe disponimin për ngarkimin e kundërvajtësit me detyrimin për dëmshpërblim, si rregull, i përkasin momentit pasi shqyrtohet vetë kundërvajtja administrative dhe pasi të jetë vërtetuar se ai dëm ka ardhur për shkak të asaj kundërvajtjeje. Madje, si rregull, ngarkimi me shpërblimin e dëmit për shkelje administrative caktohet me një akt më vete.
-
Disponimi i organit administrativ për ngarkimin e subjektit me detyrimin për shpërblimin e dëmit për kryerjen e një kundërvajtje administrative, pa dyshim, ka lidhje me gjykimin e disponimin e organit administrativ e më pas edhe të gjykatës lidhur me kryerjen ose jo të shkeljes administrative.
-
Kolegji Civil çmon se gjykatat e faktit nuk kanë hetuar në themel lidhur me kërkimin e paditësit për anullimin e vendimit nr.933, datë 20.12.2003, të Drejtorit të Drejtorisë së Policisë Elektrike si dhe procesverbalit të dëmit nr.PE 005324, datë 19.11.2003, të mbajtur nga punonjësit e palës së paditur nëse kjo masë dëmi është vendosur në përputhje me parashikimet e nenit 10, (paragrafi i fundit) i ligjit nr.8637, datë 06.07.2000, “Për Policinë Elektrike”, si ligj i kohës në të cilin është shkaktuar dëmi i pretenduar nga i padituri dhe i materializuar në aktet e kundërshtuara në këtë gjykim.
-
Kolegji vlerëson se duke e kthyer çështjen për rishqyrtim në gjykatën e shkallës së parë ajo gjykatë ka të gjithë hapësirën procedurale për t’iu dhënë zgjidhje problemeve të mësipërme, në respektim së të drejtave të palëve dhe detyrimeve të tyre që rrjedhin nga procesi gjyqësor civil. Ajo ka për detyrë që të zhvillojë një proces të rregullt ligjor, nëpërmjet garantimit të zhvillimit të një hetimi të plotë dhe të gjithanshëm, në përputhje me ligjin (neni 14) duke bërë një cilësim të saktë të fakteve dhe veprimeve që lidhen me mosmarrëveshjen dhe ta zgjidhë atë në përputhje me dispozitat ligjore dhe normat e tjera në fuqi (neni 16).
-
Përfundimisht Kolegji referuar arsyetimit sa sipër vlerëson se përsa i përket procesverbalit të gjobës duhet vendosur prishja e vendimit të gjykatës së apelit dhe pushimi i gjykimit të çështjes në këtë gjykatë, ndërsa përsa i përket procesverbalit të dëmit duhen prishur të dy vendimet e gjykatave të faktit dhe çështja duhet dërguar për rishqyrtim në gjykatën e shkallës së parë me tjetër trup gjykues.
PËR KËTO ARSYE
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë, bazuar në përcaktimet e nenit 485, shkronja “ç” dhe “e” të Kodit të Procedurës Civile,
V E N D O S I
Prishjen e vendimit të Gjykatës së Apelit Tiranë nr.838, datë 10.04.2012 dhe pushimin e gjykimit të çështjes përsa i përket procesverbalit të gjobës.
Prishjen e vendimit të Gjykatës së Apelit Tiranë nr.838, datë 10.04.2012 si dhe të vendimit nr.7207, datë 23.09.2011, të Gjykatës së Rrethit Tiranë përsa i përket proces verbalit të dëmit dhe kthimin e çështjes për rishqyrtim në Gjykatën e shkallës së parë Tiranë me tjetër trup gjykues.
Tiranë, më 19.11.2015
Nr. 11243-01449 -00 -2012 i Regj. Themeltar
Nr. 00-2015-3951 i Vendimit (487)
Do'stlaringiz bilan baham: |