VENDIM
NË EMËR TË REPUBLIKËS
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë, i përbërë prej:
Majlinda Andrea Kryesuese
Aleksandër Muskaj Anëtar
Mirela Fana Anëtare
në datën 26.11.2015 shqyrtoi në seancë gjyqësore çështjen civile me palë:
PADITËS: SHPRESA GROPA (në mungesë)
ELVIRA KARAMANI (në mungesë)
AVNIE KARAMANI (në mungesë)
I PADITUR: AGJENCIA E KTHIMIT DHE KOMPENSIMIT TË PRONAVE TIRANË (në mungesë)
OBJEKTI:
Kundërshtim i Vendimit nr.824, datë 30.07.2008,
lënë në fuqi me vendimin nr.16, datë 20.01.2009
të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave Tiranë.
Baza Ligjore: Ligji nr.9235, datë 29.07.2004
"Për Kthimin dhe Kompensimin e Pronës" i ndryshuar.
Gjykata e Shkallës së Parë Fier me vendimin nr.1194, datë 16.07.2009, ka vendosur:
“-Pranimin e padisë së palës paditëse Shpresa Gropa, Avnie Karamani e Elvira Karamani, ndaj palës së paditur Zyra Rajonale e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Qarku Fier dhe Agjencia e Kthimit dhe e Kompensimit të Pronave Tiranë, duke kundërshtuar vendimin nr.824, datë 30.07.2008, të Zyrës Rajonale të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave Qarku Fier, lënë në fuqi me vendimin nr.16, datë 20.01.2009 të Agjencisë Kombëtare të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave Tiranë.
-Të njohë të drejtën e pronësisë trashëgimtarëve ligjore të ish-pronarit Jacë Myrselaj e Refat Myrselaj, kjo sipas vendimit gjyqësor civil nr.1041, datë 24.06.2009, të kësaj gjykate, e pikërisht të trashëgimtarëve ligjore Avnie Karamani, Shpresa Gropa e Elvira Karamani, mbi një sipërfaqe toke truall prej 93950 (nëntëdhjetë e tre mijë e nëntëqind e pesëdhjetë) m2, të ndodhura në qytetin e Ballshit.
-Ngarkohet Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave Tiranë për kompensimin e kësaj sipërfaqe toke truall sipas ligjit.
-Ky vendim, është i vlefshëm së bashku me plan-vendosjet e sipërfaqeve që shoqërojnë dy vendimet e cenuara të palës së paditur, objekt i këtij gjykimi.
-Shpenzimet gjyqësore palës së paditur.”.
Gjykata e Apelit Vlorë, me vendimin nr.794, datë 21.09.2011 ka vendosur:
“Lënien në fuqi të vendimit nr.1194, datë 16.07.2009 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier”.
Kundër vendimit nr.794, datë 21.09.2011 të Gjykatës së Apelit Vlorë brenda afatit ligjor kanë ushtruar rekurs pala e paditur Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave Tiranë si dhe Avokatura e Shtetit, Zyra Vendore Vlorë duke kërkuar: “Ndryshimin e vendimit nr.794, datë 21.09.2011 të Gjykatës së Apelit Vlorë dhe të vendimit nr.1194, datë 16.07.2009 Gjykatës së Shkallës së Parë Fier dhe rrëzimin e padisë.”
KOLEGJI CIVIL I GJYKATЁS SЁ LARTЁ
pasi dëgjoi relatimin e gjyqtarit Aleksandër Muskaj; si shqyrtoi në tërësi çështjen, në mungesë të palëve pjesëmarrëse,
V Ё R E N
Se, vendimi nr.794, datë 21.09.2011, i Gjykatës së Apelit Vlorë është rrjedhojë e zbatimit të gabuar të ligjit material e procedural civil e si rrjedhojë ai do të prishet dhe çështja dhe do të dërgohet për rishqyrtim në gjykatën e apelit.
-
RRETHANAT E FAKTIT
-
Kolegjit Civil të Gjykatës së Lartë, nga aktet e dosjes gjyqësore i rezultojnë të pranuara nga gjykatat e faktit rrethanat si vijon:
-
Me vendimin nr.824, datë 30.07.2008, të Komisionit të Kthimit të Pronave Qarku Fier, lënë në fuqi me vendimin nr.16, datë 20.01.2009 të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave Tiranë paditësve iu është refuzuar e drejta e njohjes së pronësisë për sipërfaqen e pronës prej 93950 m2, ndodhur në qytetin e Ballshit si pronë e trashëgimlënësve të tyre Kamber, Jace dhe Refat Myrselaj.
-
Të paditurit me vendimin e sipërpërmendur kanë arszetuar se kërkuesit (paditësat) nuk kanë patur dokumenta të sakta për të njohur origjinën e pronës së paluajtshme , pra dokumentacioni tekniko-ligjor nuk është i mjaftueshëm, nuk është në përputhje me V.K.M nr.747, datë 09.11.2006 pika 3/a “Për procedurat e mbledhjes, përpunimit dhe administrimit të kërkesave të subjekteve të shpronësuara, gjatë procesit të njohjes, kthimit apo kompensimit të pronës” si dhe ligji nr.9235, datë 29.07.2004 “Për kthimin dhe kompensimin e pronës”.
-
Paditësit kanë dhënë pronat e tyre, për formimin e ish- Kooperativës Bujqësore (Katundi Ballësh), sipërfaqen e tokës 93.950 m2 çka është pasqyruar origjina e hershme e pronës,
-
Vendimet janë marrë me arsyetimin se paditësit nuk kanë pasur dokumentet e sakta për njohjen e së drejtës së pronësisë në përputhje me V. K. M nr.747, datë 09.11.2006, pika 3/a.
-
Në të tilla rrethana paditësit i janë drejtuar gjykatës me padinë sa sipër.
B. PROCEDURAT GJYQËSORE.
-
Gjykata e Shkallës së Parë Fier me vendimin nr.1194, datë 16.07.2009, ka vendosur:
“-Pranimin e padisë së palës paditëse Shpresa Gropa, Avnie Karamani e Elvira Karamani, ndaj palës së paditur Zyra Rajonale e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Qarku Fier dhe Agjencia e Kthimit dhe e Kompensimit të Pronave Tiranë, duke kundërshtuar vendimin nr.824, datë 30.07.2008, të Zyrës Rajonale të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave Qarku Fier, lënë në fuqi me vendimin nr.16, datë 20.01.2009 të Agjencisë Kombëtare të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave Tiranë.
-Të njohë të drejtën e pronësisë trashëgimtarëve ligjore të ish-pronarit Jacë Myrselaj e Refat Myrselaj, kjo sipas vendimit gjyqësor civil nr.1041, datë 24.06.2009, të kësaj gjykate, e pikërisht të trashëgimtarëve ligjore Avnie Karamani, Shpresa Gropa e Elvira Karamani, mbi një sipërfaqe toke truall prej 93950 (nëntëdhjetë e tre mijë e nëntëqind e pesëdhjetë) m2, të ndodhura në qytetin e Ballshit.
-Ngarkohet Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave Tiranë për kompensimin e kësaj sipërfaqe toke truall sipas ligjit.
-Ky vendim, është i vlefshëm së bashku me plan-vendosjet e sipërfaqeve që shoqërojnë dy vendimet e cenuara të palës së paditur, objekt i këtij gjykimi.
-Shpenzimet gjyqësore palës së paditur.”.
-
Gjykata e Apelit Vlorë, me vendimin nr.794, datë 21.09.2011 ka vendosur:
“Lënien në fuqi të vendimit nr.1194, datë 16.07.2009 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor
Fier”.
-
Kundër vendimit nr.794, datë 21.09.2011 të Gjykatës së Apelit Vlorë brenda afatit ligjor në kanë ushtruar rekurs pala e paditur Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave Tiranë si dhe Avokatura e Shtetit, Zyra Vendore Vlorë duke kërkuar: “Ndryshimin e vendimit nr.794, datë 21.09.2011 të Gjykatës së Apelit Vlorë dhe të vendimit nr.1194, datë 16.07.2009 Gjykatës së Shkallës së Parë Fier dhe rrëzimin e padisë”. Në shkaqet e rekursit veçohen:
-
Së pari: dokumentet arkivore të paraqitura nga kërkuesi të siguruara nga fondi i Komitetit Ekzekutiv japin të dhëna për pronësi të vitit 1956, për më tepër identiteti i personit që figuron në fq.3 nuk është i njëjtë me identitetin e subjektit për të cilin pretendohet njohja e së drejtës së pronësisë. Në zbatim të nenit 4 të ligjit nr.9235, datë 29.07.2004 “Për kthimin e kompensimin e pronave” dispozitat e këtij ligji nuk zbatohen për pronat e përfituara nga ligji nr.108, datë 29.08.1945 “Për reformën agrare”.
-
Së dyti: dokumentacioni arkivor nuk jep të dhëna për vendndodhjen e sakta të pronës, si dhe për kufizimet e saj. Në këto kushte përcaktimi i vendndodhjes së pronës si dhe kufizimet e saj rezultojnë mbi bazën e pretendimit të subjektit, të pambështetur në asnjë dokument ligjor.
-
Së treti: referuar analizës së dokumentacionit ligjor mbi bazën e së cilit pretendohet të argumentohet kërkesa e paraqitur, konstatohet dhe vlerësohet ligjërisht se ai nuk mund të demonstrojë shpronësimin e e padrejtë, të subjektit Kamber Marselaj për pronën objekt gjykimi.
-
Subjekti nuk disponon asnjë dokument të vjetër, ligjërisht të vlefshëm që të provojë qenien pronar për pronën e pretenduar dhe të vërtetojë titullin e pronësisë, para datës 29.11.1944.
C. ARSYETIMI LIGJOR I VENDIMIT TË ANKIMUAR.
-
Gjykata e Shkallës së Parë Fier me vendimin nr.1194, datë 16.07.2009 ka arsyetuar ndër të tjera se: “…sipas dokumentave arkivore të nxjerrë nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave të Shtetit Tiranë, sipas shkresës nr.1688/3 prot., datë 18.04.1995, del i provuar fakti që ish-pronarët Jace dhe Refat Myrselaj, kanë pasur në pronësi sipërfaqen e tokës truall prej 93950 m2, të ndodhura në katundin e Ballshit.”.
-
Gjykata e Apelit Vlorë, me vendimin nr.794, datë 21.09.2011 ka arsyetuar ndër të tjera se: “...në rrethanat e lartpërmendura kërkimet e palës paditëse i referohen jo vetëm përmbajtjes së V.K.M nr.747, datë 09.11.2006 “Për procedurat e mbledhjes të përpunimit e administrimit të kërkesave të subjekteve të shpronësuara gjatë procesit të njohjes, kthimit e kompensimit të pronës” si dhe nenit 2 të ligjit nr.9235, datë 29.07.2004 “Për kthimin e kompensimin e pronave”.
D. NË LIDHJE ME REKURSIN E USHTRUAR.
-
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë, në shqyrtim e në vlerësim të akteve që ndodhen në dosjen gjyqësore e të administruara gjatë gjykimeve, pretendimeve e prapësimeve të palëve vendimeve të gjykatave si dhe shkaqet e parashtruara në rekurs, vlerëson që vendimi nr.794, datë 21.09.2011 i Gjykatës së Apelit Vlorë është marrë në zbatim të gabuar të ligjit material dhe atij procedural civil.
-
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë çmon se, hetimi i plotë dhe i gjithanshëm i çështjes në përputhje me ligjin (neni 14 i K.Pr.Civile) është parim themeltar i gjykimit civil dhe përbën një detyrim për gjykatat në të gjitha shkallët e gjykimit. Gjykatat e shkallës së parë dhe ato të Apelit janë gjykata të faktit dhe të ligjit, në ndryshim nga Gjykata e Lartë, e cila është gjykatë ligji. Duke qenë të tilla, në gjykimin në shkallë të parë dhe në apel nuk ka asnjë pengesë, madje është detyrim, që gjykata të lejojë palët të paraqesin kërkimet e prapësimet, provat ku i mbështetin ato dhe të arrijnë në përfundimet përkatëse për zgjidhjen e çështjes, duke çmuar e vlerësuar provat sipas ligjit që është i zbatueshëm për gjykatën.
-
Në ndryshim nga dy gjykatat më të ulëta, Gjykata e Lartë ka për objekt vetëm zbatimin e ligjit material e procedural nga ana e tyre, por pa patur të drejtën të zhvillojë hetimin gjyqësor në drejtim të marrjes së provave, apo vlerësimit e çmimit të atyre që janë vënë në bisedim nga gjykatat më të ulëta.
-
Gjykata e Lartë nuk mund të përsërisë vetë tërësisht a pjesërisht hetimin gjyqësor, për shkakun e thjeshtë se, duke qenë vetëm gjykatë ligji, nuk i lejohet të marrë prova të reja apo të lejojë palët të debatojnë mbi provat, duke hetuar e çmuar ndryshe provat e debatuara në gjykimin në apel e shkallë të parë (vendimi nr.160, datë 06.04.2010 i Kolegjit Civil të Gjykatës së Lartë).
-
Duke e parë vendimin e Gjykatës së Apelit në raport me ankimet e ushtruara dhe rrethanat e çështjes, Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë çmon se, ai është rrjedhojë e një hetimi gjyqësor jo të plotë dhe në mungesë të provave vendimtare për zgjidhjen e çështjes.
-
Nga aktet që ndodhen në dosjen gjyqësore dhe që i janë nënshtruar hetimit gjyqësor, rezulton se, pala paditëse nëpërmjet këtij procesi gjyqësor ka kërkuar ndryshimin e vendimit nr.824, datë 30.07.2008 të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave Qarku Fier, lënë në fuqi me vendimin nr.16, datë 20.01.2009 të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave Tiranë.
-
Paditësve iu është refuzuar e drejta e njohjes së pronësisë për sipërfaqen e pronës prej 93.950 m2, ndodhur në qytetin e Ballshit si pronë e trashëgimlënësve të tyre Kamber, Jace dhe Refat Myrselaj.
-
Vendimet janë marrë me arsyetimin se, paditësit nuk kanë pasur dokumentet e sakta për njohjen e së drejtës së pronësisë në përputhje me V.K.M nr.747, datë 09.11.2006, pika 3/a. Në të tilla rrethana paditësit i janë drejtuar gjykatës me padinë sa sipër.
-
Gjykata e Shkallës së Parë Fier ka vendosur pranimin e padisë, duke i njohur paditësit të drejtën e pronësisë mbi truallin e pretenduar prej tij, si dhe kthimin fizik të tij, vendim ky që është lënë në fuqi nga Gjykata e Apelit Vlorë.
-
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë vlerëson se, shkaku i padisë është i lidhur pazgjidhshmërisht me të drejta pronësie të pretenduara. Padia në shqyrtim ka për shkak të drejtën e pronësisë së pretenduar nga ana e palës paditëse. Nëpërmjet këtij kërkimi pala paditëse kërkon të realizojë në rrugë gjyqësore të drejtën e pronësisë. Procesi i kthimit dhe procesi i kompensimit të pronave ish pronarëve për sa parashikohet në ligjin nr.7698, datë 15.04.1993 “Për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave ish-Pronarëve”, nuk janë forma të reja të fitimit të pronësisë, pasi pronarët nuk e kanë humbur asnjëherë titullin e së drejtës së pronësisë mbi sendet e tyre, por vetëm posedimin (qëndrim ky i mbajtur në vendimin unifikues nr.5/2004 i Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë).
-
Me qëllim verifikimin e të drejtës së pronësisë, duhet që gjatë shqyrtimit gjyqësor të administroheshin dokumente provuese, në lidhje me pronësinë, të periudhës para daljes së ligjit nr.108, datë 29.08.1945 ″Për reformën agrare″, duhet të verifikohej se identiteti i personit të cilit i është shpronësuar prona të jetë i njëjtë me identitetin e subjektit për të cilin pretendohet njohja e së drejtës së pronësisë, gjithashtu duhet të përcaktohet vendndodhja e pronës.
-
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë çmon se, është detyrë e gjykatave të faktit, që në kuadër të një hetimi të plotë dhe të gjithanshëm, të ftojë palët për të paraqitur provat në lidhje me dokumentacionin hipotekor, apo të investohet qoftë edhe kryesisht për marrjen e dokumentacionit nga institucionet shtetërore, bazuar në nenin 223 të K.Pr.Civile, me qëllim që të mund të kryhet ekspertimi teknik, për të përcaktuar vendndodhjen e pronës së paditësve.
-
Duke e parë në tërësinë e vet gjykimin e çështjes, Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë vëren se, vendimi Gjykatës së Apelit Vlorë është rrjedhojë e një hetimi të pamjaftueshëm.
-
. Nga sa më sipër Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë arrin në përfundimin që, me qëllim kryerjen e një hetimi të plotë në lidhje me faktin nëse palët gëzojnë dokumenta në lidhje me pronësisë, të periudhës para daljes së ligjit nr.108, datë 29.08.1945 “Për reformën agrare”, në emër të subjektit për të cilin ata pretendojnë si trashëgimlënës si dhe të mund të kryhet ekspertimi teknik mbi hartat para periudhës së reformës agrare, për të përcaktuar vendndodhjen e pronës së paditësve, vendimi nr.794, datë 21.09.2011 Gjykatës së Apelit Vlorë do të prishet dhe çështja do të kthehet për rishqyrtim në po atë gjykatë me tjetër trup gjykues.
-
Në rekursin e palës së paditur ngrihen edhe pretendime që lidhen me zgjidhjen në themel të çështjes, për të cilat, në rigjykim, duhet të shprehet në mënyrë ezauruese gjykata e apelit, duke çmuar ajo vetë mbi nevojën dhe shkallën e përsëritjes së hetimit gjyqësor në funksion të dhënies përgjigje mbi pretendimet e palëve.
PËR KËTO ARSYE
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë, mbështetur në nenin 485, shkronja “c” të Kodit të Procedurës Civile,
V E N D O S I
Prishjen e vendimit civil nr.794, datë 21.09.2011 të Gjykatës së Apelit Vlorë dhe dërgimin e çështjes për rishqyrtim në po atë gjykatë, me tjetër trup gjykues.
Tiranë, më 26.11.2015
495
ÇËSHTJE PENALE
Nr. 17/5 i Regj. Themeltar
Nr. 17/5 i Vendimit
Do'stlaringiz bilan baham: |