VENDIM
NË EMËR TË REPUBLIKËS
Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë i përbërë nga:
Artan Broci Kryesues
Ardian Dvorani Anëtar
Edmond Islamaj Anëtar
Guxim Zenelaj Anëtar
Tom Ndreca Anëtar
Në seancën gjyqësore të datës 05/11/2015, mori në shqyrtim çështjen penale me nr.22/1 Regj.Them., që i përket:
KËRKUESE: PROKURORIA E PËRGJITHSHME, përfaqësuar në gjykim nga prokurori Madrit Kullolli.
PERSONI NËN HETIM: ARJAN BYTYCI alias KRISTIAN MORINA (MARINAJ) alias HILË JOKA alias HILË MORINA, lindur në Pukë, më dt. 22.02.1977 alias Ilir Morina, lindur në Drenicë, Kosovë, më dt. 22.02.1977 (në mungesë).
A K U Z A:
“Vrasja me paramendim”, e kryer në bashkëpunim,
e parashikuar nga neni 78/1-25 i K.Penal.
OBJEKTI:
1- Deklarimi i ikjes së shtetasit Arjan Bytyci
alias Kristian Morina (Marinaj) alias Hilë Joka alias Hilë Morina,
lindur në Pukë, më dt. 22.02.1977 alias Ilir Morina, lindur në Drenicë, Kosovë,
më dt. 22.02.1977, i cili dyshohet për kryerjen e veprës penale të
“Vrasjes me paramendim” e kryer në bashkëpunim,
parashikuar nga neni 78/1 e 25 të K.Penal,
ndaj të cilit është caktuar masa e sigurimit “Arrest në burg” në mungesë.
2- Caktimin e një avokati mbrojtës kryesisht për personin e ikur Arjan Bytyci
alias Kristian Morina (Marinaj) alias Hilë Joka alias Hilë Morina,
lindur në Pukë, më dt. 22.02.1977 alias Ilir Morina,
lindur në Drenicë, Kosovë, më dt. 22.02.1977
Baza Ligjore: Neni 247/1/2/3 i K.Pr.Penale.
KOLEGJI PENAL I GJYKATËS SË LARTË
pasi dëgjoi relacionin e gjyqtarit Tom Ndreca, prokurorin Madrit Kullolli, i cili kërkoi pranimin e kërkesës, deklarimin e ikjes dhe caktimin e një mbrojtësi kryesisht për personin nën hetim Kristian Morina (Marinaj) dhe pasi bisedoi çështjen në tërësi,
V Ë R E N:
Se kërkesa e Prokurorisë së Përgjithshme për deklarimin e ikjes së shtetasit Kristjan Marinaj, alias Arjan Bytyci alias Kristian Morina alias Hilë Joka alias Hilë Morina, lindur në Pukë, më dt. 02.02.1977 alias Ilir Morina, lindur në Drenicë, Kosovë, më dt. 02.02.1977, i cili dyshohet për kryerjen e veprës penale të “Vrasjes me paramendim” e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 78/1 e 25 të K.Penal, ndaj të cilit është caktuar masa e sigurimit “Arrest në burg” në mungesë dhe caktimin e një avokati mbrojtës kryesisht për personin e ikur, është e bazuar në ligj dhe në prova dhe si e tillë do të pranohet.
-
Rrethanat e çështjes dhe procedurat e ndjekura.
Se më datë 28.03.2015 Prokuroria e Përgjithshme, ka regjistruar procedimin penal nr.2, datë 28.03.2015, në ngarkim të shtetasve: a) Mark FRROKU, i biri i Prengës dhe i Lezes, lindur më 06.10.1972, në Pukë dhe banues në Tiranë; b)Arjan BYTYCI alias Kristian MORINA (MARINAJ) alias Hile JOKA alias Hile MORINA, lindur në Pukë më datë 02.02.1977 alias Ilir MORINA i lindur në Drenicë, Kosovë, më datë 2 Shkurt 1977, për veprën penale të “Vrasjes me paramendim e kryer në bashkëpunim”, parashikuar nga nenet 78/1 dhe 25 të Kodit Penal.
Procedimi penal nr.2, i mësipërm, është regjistruar mbi bazën e materialeve të ardhura nga Zyra Qendrore Kombëtare Interpol Tirana me shkresën nr.2851/1 KL Prot.BM/FKB 1433/15, datë 27.03.2015 dhe Ministria e Drejtësisë me shkresën nr.266/2 datë 28.03.2015.
Zyra Qendrore Kombëtare Interpol Tirana me shkresën nr.2851/13 KL Prot, datë 01.04.2015 ka komunikuar se, më datë 04.11.2014 Interpol Brukseli ka shpallur në kërkim ndërkombëtar shtetasin Arjan Bytyci, lindur më 02.02.1977 në Brenicë, Shqipëri, alias Hilë Joka, Hilë Morina dhe Ilir Morina, pasi nga Gjykata e Shkallës së Parë Bruksel, Belgjikë, është lëshuar urdhri i arrestit nr.37/99 dt. 10.01.2000 ndaj këtij shtetasi, si i akuzuar për veprën penale “Vrasja” e parashikuar nga nenet 66 dhe 394 të K.P.Belg, për të cilën dënimi maksimal i parashikuar është ai me burgim të përjetshëm.
Sipas Z. Q. K Interpol Tirana, më dt. 09.01.2015, Interpol Brukseli e ka hequr nga kërkimi ndërkombëtar personin nën hetim me arsyetimin se urdhri i arrestit i lëshuar ndaj tij nuk është më i vlefshëm dhe se gjeneralitetet e sakta të tij janë Kristjan Marinaj, i dtl. 18.02.1975.
Në vijim, më dt. 26.01.2015 Interpol Brukseli ka shpallur në kërkim ndërkombëtar shtetasin Kristian Marinaj, i dtl. 18.02.2015, lindur në Serbi, me kombësi Serbe të konfirmuar, duke specifikuar se ky shtetas njihet ndryshe si Arjan Bytyci, lindur më 02.02.1977, Hilë Joka, Hilë Morina lindur më dt. 02.02.1977 dhe Ilir Morina lindur më 02.02.1977.
Ndaj këtij shtetasi është lëshuar Urdhri Europian i Arrestit B1/070PC, dt. 12.01.2015 nga Gjykata e Apelit Bruksel, për veprën penale “Vrasja dhe plagosja në rrethana rënduese”.
Sipas Z. Q. K Interpol Tirana, Shtetasi Arjan Bytyci është identifikuar si: Arjan Bytyci alias Kristian Morina (Marinaj) alias Hilë Joka alias Hilë Morina, lindur në Pukë, më dt. 02.02.1977 alias Ilir Morina, lindur në Drenicë, Kosovë, më dt. 22.02.1977.
Shkresës së Zyrës Qendrore Kombëtare të Interpol Tiranës i është bashkëlidhur dokumentacioni i mëposhtëm: Kopje e Urdhrit të Arrestit Ndërkombëtar (Diffusion) lëshuar ndaj shtetasit Kristian Marinaj nga Interpol Bruksel, më datë 26.01.2015; Kopje e rezultateve të nxjerra nga kontrolli në sistemin e-ASF2 të Interpolit lëshuar në emër të Kristjan Marinaj.
Ministria e Drejtësisë me shkresën nr.345/4 datë 30.03.2015 ka dërguar pranë autoriteteve Belge të drejtësisë kërkesën për ndihmë juridike me objekt vënien në dispozicion të akteve dhe provave që ndodhen në dosjen hetimore të autoriteteve belge të drejtësisë dhe që kanë të bëjnë me shtetasin Mark Frroku, dhe Arjan Bytyci alias Kristjan Morina alias Hile Joka alias Hile Morina alias Ilir Morina. Aktet e ekzekutimit të kësaj letërporosie janë dërguar në rrugë diplomatike nga autoritetet belge dhe i janë transmetuar Prokurorisë së Përgjithshme me shkresën nr.266/20 Prot., datë 24.04.2015 të Ministrisë së Drejtësisë.
Me urdhrin e datës 03.04.2015 të prokurorit, mbështetur në nenin 253 të K.Pr.Penale, nisur nga rreziku i ikjes është urdhëruar ndalimi i shtetasit Arjan Bytyci alias Kristian Morina (Marinaj) alias Hilë Joka alias Hilë Morina, lindur në Pukë, më dt. 02.02.1977 alias Ilir Morina, lindur në Drenicë, Kosovë, më dt. 02.02.1977, për veprën penale të “Vrasjes me paramendim e kryer në bashkëpunim”, e parashikuar nga nenet 78/1 e 25 të K.Penal.
Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, me shkresën nr.9868/11 Prot., dt. 26.05.2015, ka njoftuar se urdhri i ndalimit nuk ka qenë i mundur të ekzekutohet pasi personi nuk është gjetur.
Duke qenë se procedimi penal ndaj shtetasit Arjan Bytyci alias Kristian Morina (Marinaj) alias Hilë Joka alias Hilë Morina, lindur në Pukë, më dt. 02.02.1977 alias Ilir Morina, lindur në Drenicë, Kosovë, më dt. 02.02.1977, është një procedim penal i lidhur me faktet dhe rrethanat e kryera nga ana e shtetasit Mark Frroku, me funksion anëtar i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, bazuar në nenet 12/c, 14/a, 74, 75/b, 82, 277 e vijues të K.Pr.Penale, Prokuroria ka paraqitur kërkesën për caktimin e masës së sigurimit pranë Gjykatës së Lartë.
Me vendimin nr.22, dt. 25.06.2015 Gjykata e Lartë ka vendosur:
-
Pranimin e kërkesës.
-
Caktimin e masës së sigurimit personal “Arresti në burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, ndaj personit nën hetim, në mungesë, Arjan Bytyci alias Kriastian Morina (Marinaj) alias Hilë Joka alias Hilë Morina, lindur në Pukë, më datë 02.02.1977 alias Ilir Morina, lindur në Drenicë, Kosovë, më dt. 02.02.1977, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Vrasjes me paramendim” e kryer në bashkëpunim, e parashikuar nga neni 78/1 dhe 25 i K.Penal.
Më datë 25.06.2015, Prokurori ka nxjerrë Urdhrin “Për ekzekutimin e vendimit penal në ngarkim të shtetasit Kristjan Marinaj duke urdhëruar ekzekutimin e vendimit nr.22, datë 25.06.2015 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë ndaj shtetasit Kristjan Marinaj, i biri i Frang dhe i Prenë, lindur më 18.02.1975 në Kërcirë, Pukë, Shqipëri alias Arjan Bytyçi, alias Kristian Morina, alias Hilë Joka, alias Hilë Morina, lindur në Pukë më datë 02.02.1977, alias Ilir Morina i lindur në Drenicë, Kosovë.
Nga kërkimet e kryera nga ana e Policisë Gjyqësore dhe nga përgjigjet e administruara me shkresën me nr.9868/21, dt. 14.10.2015 ka rezultuar se ky shtetas i fshihet hetimit.
-
Në lidhje objektin e gjykimit.
Bazuar në sa më sipër, Prokuroria e Përgjithshme ka paraqitur përpara kësaj Gjykate kërkesën me objekt:
-
Deklarimi i ikjes së shtetasit Arjan Bytyci alias Kristian Morina (Marinaj) alias Hilë Joka alias Hilë Morina, lindur në Pukë, më dt. 22.02.1977 alias Ilir Morina, lindur në Drenicë, Kosovë, më dt. 22.02.1977, i cili dyshohet për kryerjen e veprës penale të “Vrasjes me paramendim” e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 78/1 e 25 të K.Penal, ndaj të cilit është caktuar masa e sigurimit “Arrest në burg” në mungesë.
2- Caktimin e një avokati mbrojtës kryesisht për personin e ikur Arjan Bytyci alias Kristian Morina (Marinaj) alias Hilë Joka alias Hilë Morina, lindur në Pukë, më datë 22.02.1977 alias Ilir Morina, lindur në Drenicë, Kosovë, më datë 22.02.1977.
Duke parashtruar se nga kërkimet e kryerja nga Policia Gjyqësore në funksion të ekzekutimit të vendimit nr.22, dt. 25.06.2015 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë me të cilin është caktuar masa e sigurimit “Arrest në burg” në mungesë ndaj personit për të cilin kërkohet deklarimi i ikjes, ka rezultuar se ai i fshihet hetimit dhe meqenëse ndaj tij janë kryer të gjitha kërkimet e mundshme dhe ai i fshihet hetimit, është e domosdoshme shpallja e deklarimit të ikjes së tij bazuar në nenin 247/1/2/3 të K.Pr.Penale.
-
Qëndrimi i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë.
Në lidhje me kërkesën e paraqitur Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, vëren se:
Kërkesa e paraqitur nga Prokuroria e Përgjithshme për deklarimin e ikjes të shtetasit Kristian Marinaj alias Arjan Bytyci, alias Kristian Morina, alias Hilë Joka, alias Hilë Morina, lindur në Pukë, më dt. 02.02.1977 alias Ilir Morina, lindur në Drenicë, Kosovë, më dt. 02.02.1977, dhe caktimin e një mbrojtësi kryesisht për të, është e bazuar në ligj dhe në prova dhe si e tillë do të pranohet.
Fakti penal për të cilin po hetohet personi për të cilin kërkohet deklarimi i ikjes:
Në datë 05.03.1999, viktima Aleksandër KURTI, lindur më 03.01.1975, u qëllua me thikë për vdekje nga 4 autorë, ndërmjet të cilëve shtetasi Besnik VUKA, në hyrje të stacionit “Midi” në Saint – Gilles, Bruksel. Autor i kësaj ngjarje besohet të jetë shtetasi Mark FRROKU, i njohur ndryshe si Besnik MORINA, i njohur ndryshe si FRROKU Dritan, i njohur si Piro SFRANI (SOFRANI). Sipas disa dëshmitarëve, shtetasi Besnik VUKA ishte autori i goditjeve me thikë. Viktima kishte rënë në dashuri me një prostitutë, me emrin “L.S”. Kjo vrasje e paramenduar shtrihet brenda fushës së vrasjes mafioze e organizuar nga qarqet e tutorëve. Shtetasja L.S. kishte lënë takim me viktimën në ditën e ngjarjes (fakteve). Aleksandër KURTI kishte menduar se do të takonte prostitutën por ai ra në grackë, e cila rezultoi fatale për të. MARINAJ Kristian, i njohur si Arjan BYTYCI, si dhe Lek Bib DJAFA ishin bashkëpunëtorë të VUKA Besnik. Dëshmitarët kishin përmendur numrin e autorëve. Ata u arratisën jashtë vendit, disa ditë pas ngjarjes.
Prokurori i Përgjithshëm i Brukselit e akuzon shtetasin Arjan Bytyci, për kryerjen e veprës penale të “Vrasjes me paramendim”. Me vendim të datës 15 janar 2010 në mungesë, ndaj të akuzuarve Besnik MORINA, Besnik VUKA, Arjan BYTYCI dhe Bib Lek DJAFA, Gjykata e Krimeve të Rënda të Rrethit të Brukselit, ka dënuar secilin prej tyre me nga 10 vjet heqje lirie.
Duke qenë se, nga personat e dënuar është ankimuar vendimi i dënimit, Gjykata e Kasacionit me vendimin e datës 24 Mars 2010, ka kthyer çështjen për rigjykim Gjykatës për Krime të Rënda të Provincës Brabant-Wallon, Belgjikë.
Nga veprimet hetimore të Prokurorisë së Përgjithshme të Brukselit ka rezultuar se:
Nga këqyrja e vendit të ngjarjes, më datë 5 Mars 1999, rreth orës 17:45, Policia e Saint-Gilles, ka zbuluar në një rrugë në hyrje të Stacionit “Gare du Midi”, nr.47A të Avenue Fonsny, Bruksel, trupin e një djali të ri në agoni. Nga këqyrja rezultoi se, hunda e tij ishte e mbuluar me gjak, kishte hematoma të rënda tek sytë, plagë në dorë dhe gjoksin e gjakosur me tre gjurmë goditjeje me thikë. Viktima, në bazë të dokumentave të identifikimit që ju gjetën, është identifikuar si Azem SHKRELI, lindur në Jugosllavi, më 8 shtator 1980.
Policia ka konstatuar dhe marrë poshtë një kamioni, një thikë të madhe mishi, me një dorezë prej druri, tehu i të cilës ishte njollosur me gjak. Veprimet e para hetimore kanë treguar se bëhej fjalë për larje hesapesh ndërmjet personash të përfshirë në rrjetin e prostitucionit shqiptar.
Nga deklarimi i shtetasit Nickolas Kurti, vëllai i viktimës, i cili është pyetur nga hetuesit më 7 dhjetor 2000, ka rezultuar se vëllai tjetër i tij, i quajtur George, e ka informuar për “mbledhjen e baballarëve”, të mbajtur në Shqipëri, më 28 mars 1999. Zakoni shqiptar parashikon në rastet e gjakmarrjes se, baballarët e përgjegjësve të këtij krimi paraqiten para familjes së viktimës dhe japin informacionin mbi identitetin e autorëve. Gjatë kësaj mbledhjeje, baballarët e përgjegjësve japin shpjegime mbi rrethanat e vrasjes dhe e pranojnë ose jo përgjegjësinë e tyre. Kjo mbledhje duhet t’i bëjë të mundur familjes së viktimës, të mund të ushtrojë më pas të drejtën e gjakmarrjes Në «mbledhjen e baballarëve» të zhvilluar në një fshat të Shkodrës, nga ku viktima është me origjinë, kanë qenë prezentë: babai i viktimës, vëllai i viktimës, George KURTI, Preng FRROKU, babai i Mark FRROKU (Besnik MORINA), Bibe DJAFA, babai i Lek Bib JAFA (Lek Bib DJAFA) dhe Fran Ded JOKA, babai i Hile JOKA (Arjan BYTYCI). Babai i autorit të katërt, Nikoll VUKOL nuk është paraqitur në mbledhje pasi, djali i tij Alex VUKA (Besnik VUKA) nuk e vlerëson veten përgjegjës për vdekjen e viktimës, duke pretenduar se viktima kishte vdekur para se ai të ndërhynte. Megjithë mungesën e babait të Alex VUKA (Besnik VUKA), borxhi i gjakut është vënë dhe secila prej katër familjeve duhet që këtej e tutje «të paguante një jetë» që të vendosej sërish paqja.
Sipas këtij zakoni, një dënim i rëndë në Belgjikë është i barabartë me një jetë. Mbledhja konfirmoi se, arsyeja e vrasjes së Aleksandër KURTI ka qenë larja e hesapeve në lidhje me shtetasen “L. A”. Sipas Nickolas KURTI, vëllai i tij Aleksandër, kishte disa probleme me një farë Ben, (Arben FRROKU), më të madhin e tre vëllezërve FRROKU, tutor i prostitutave me emrat “L”, “M” dhe “Z”. Nickolas KURTI, ka deklaruar se Arben FRROKU ishte porositës i vrasjes së shtetasit Aleksandër KURTI, e kryer nga vëllai i tij “Mark” alias Besnik MORINA. Lek Bib DJAFA (Xhafa) i ka deklaruar shumë shqiptarëve se, ka marrë shumën 10.000 dollarë amerikanë për ekzekutimin e shtetasit Aleksandër KURTI. Nga shpjegimet e shtetasit Nickolas KURTI, rezulton se ditën e ngjarjes, ka patur një debat midis viktimës dhe tre djemve të baballarëve, në Gare du Midi në Bruksel. Një person i katërt ka ndërhyrë, toni është rritur dhe personi ka nxjerrë thikën. Motivi i vrasjes së tij: raporti midis viktimës dhe shtetases “L” po bëhej më shumë se profesional dhe mund të vinte në rrezik organizatën e shfrytëzimit të qenieve njerëzore shqiptare nga Italia, Brukseli deri në Londër.
Në shtator dhe tetor 2000, Nickolas KURTI deklaron në polici se kunati i tij është lidhur me Markun (Besnik MORINA) dhe shtetasin Hilë JOKA për të vrarë shtetasin Aleksandër Kurti. Prindërit e KURTI-t jetojnë në Amerikë me djalin e tyre Nickolas. Vëllai i tij Georges është larguar nga Shqipëria për një destinacion të panjohur në Evropë. Ai është i kërkuar nga banda e të katërve.
Marku, me vëllezërit e tij Nardi dhe Arben, ka qenë përgjegjës për tre prostituta, që banojnë bashkë. Sipas dëshmitarit anonim ata quhen FRROKU. Viktima me origjinë nga Shkodra (Shqipëri) është hequr si polic i Interpolit dhe se në Shqipëri e njeh familjen e shtetases “L”. Nga frika se mos familja e saj mësonte mbi punën që ajo bënte në Belgjikë, shtetasja “L” i telefonon tutorit të saj Nardi (FRROKU alias Shkurt LASKU) i cili ndodhej në atë kohë në Shqipëri. Ai e këshillon të njoftojë të vëllain Dritan (Besnik MORINA). Dritani e fton t’i ngrejë një kurth viktimës në Gare du Midi. Shtetasja L. kontakton me telefon me Aleksandër KURTI dhe e siguron se ajo do të ishte vetëm me të në takim. Në orën dhe vendin e caktuar, nuk është “L” e cila pret viktimën, por katër persona të cilët kanë për qëllim ta vrasin.
Informacion i rëndësishëm është marrë dhe nga dëshmitarët e tjerë të pyetur në belgjikë, thëniet e të cilëve gjenden të pasqyruara në akt akuzën e dërguar nga autoritetet belge.
Mbi bazën e këtyre fakteve Prokuroria e Përgjithshme i ka dërguar autoriteteve Belge me nr.345/4 datë 30.03.2015 shkresën me objekt vënien në dispozicion së të gjitha provave që ndodhen në dosjen hetimore të autoriteteve belge që kanë të bëjnë me shtetasit Mark Frroku dhe Arjan Bytyci alias Kristian Morina, alias Hilë Joka, alias Hilë Morina, alias Ilir Morina. Këto akte janë dërguar nga autoritetet belge me shkresën nr.266/20 prot, datë 24.04.2015.
Edhe pse është urdhëruar ndalimi i shtetasit Arjan Bytyci me urdhrin dt. 03.04.2015 të prokurorit, ndalimi i tij nuk ka qenë i mundur pasi ai nuk gjendet.
Me vendimin nr.22, dt. 25.06.2015 Gjykata e Lartë ka vendosur:
-
Pranimin e kërkesës.
-
Caktimin e masës së sigurimit personal “Arresti në burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, ndaj personit nën hetim, në mungesë, Arjan Bytyci alias Kriastian Morina (Marinaj) alias Hilë Joka alias Hilë Morina, lindur në Pukë, më dt. 02.02.1977 alias Ilir Morina, lindur në Drenicë, Kosovë, më dt. 02.02.1977, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Vrasjes me paramendim” e kryer në bashkëpunim, e parashikuar nga neni 78/1 dhe 25 i K.Penal.
Më dt. 25.06.2015, Prokurori ka nxjerrë Urdhrin “Për ekzekutimin e vendimit penal në ngarkim të shtetasit Kristjan Marinaj duke urdhëruar ekzekutimin e vendimit nr.22, dt. 25.06.2015 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë ndaj shtetasit Kristjan Marinaj, i biri i Frang dhe i Prenë, lindur më 18.02.1975 në Kërcirë, Pukë, Shqipëri alias Arjan Bytyçi, alias Kristian Morina, alias Hilë Joka, alias Hilë Morina, lindur në Pukë më dt. 02.02.1977, alias Ilir Morina i lindur në Drenicë, Kosovë.
Gjatë shqyrtimit gjyqësor rezultoi se, zbatimi i kësaj mase nuk është bërë i mundur pasi personi nën hetim është larguar dhe nuk gjendet edhe pse është kërkuar nga ana e autoriteteve shqiptare dhe edhe pse është i shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Nga kërkimet e kryera nga ana e Policisë Gjyqësore dhe nga përgjigjet e administruara me shkresën me nr.9868/21, dt. 14.10.2015 ka rezultuar se ky shtetas i fshihet hetimit.
Nga përmbajtja e akteve bashkangjitur kërkesës së organit të akuzës për deklarimin e ikjes, në lidhje me ekzekutimin e masës së sigurimit ka rezultuar se nga kërkimet e bëra personit nën hetim nuk ndodhej në banesën e tij por ishte larguar prej saj. Kërkimet janë shtrirë në të gjithë territorin e republikës dhe në plan ndërkombëtar, por sërish nuk ka patur asnjë rezultat.
Në këto kushte prokurori i çështjes kërkon nga gjykata konform nenit 247 të K.Pr.Penale, deklarimin e ikjes së personit nën hetim dhe caktimin e një mbrojtësi kryesisht për të mbrojtur këtë shtetas, në mënyrë që të mundësohet vazhdimi i hetimeve ndaj këtij personi.
Lidhur me sa më sipër, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë vëren se, neni 247 i K.Pr.Penale parashikon: “1. Kur personi ndaj të cilit është marra masa nuk gjendet, oficeri ose agjenti i policisë gjyqësore mban procesverbal, në të cilin tregon kërkimet e bëra dhe ia dërgon ata gjykatës që ka dhënë vendimin. 2. Kur gjykata çmon se, kërkimet janë bërë të plota, deklaron ikjen e personit. 3. Me aktin që deklaron ikjen, gjykata i cakton personit që ka ikur një mbrojtës dhe urdhëron që të depozitohet në sekretari kopja me të cilin është caktuar masa e zbatuar....”.
Në rastin konkret rezultoi se, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë me vendimin nr.22, datë 25.06.2015, ka caktuar ndaj personit nën hetim në mungesë masën e sigurimit “Arrest në burg”, të parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale. Gjithashtu rezultoi se, zbatimi i kësaj mase sigurimi nuk është bërë i mundur, për shkak se personi nën hetim është larguar nga banesa e tij dhe nuk është arritur të gjendet pavarësisht kërkimeve të kryera në të gjithë territorin e vendit.
Një fakt i tillë rezultoi i provuar nga administrimi në seancë gjyqësore i shkresës nr.9868/21, datë 14.10.2015 si dhe akteve të tjera të paraqitura nga organi i akuzës.
Sa më sipër Gjykata, në vështrim të paragrafit të dytë dhe të tretë të nenit 247 të K.Pr.Penale çmon se, duhet deklaruar ikja e personi nën hetim Kristian Morina (Marinaj) alias Arjan Bytyci alias Hilë Joka alias Hil Morina, i lindur në Pukë më datë 02.02.1977 alias Ilir Morina i lindur në Drenicë, Kosovë, në datë 02.02.1977 dhe i cakton kryesisht si mbrojtës avokatin e Dhomës së Avokatisë Tiranë, Albert Golemi, me qëllim për të mundësuar më tej vazhdimin e procedurave ligjore hetimore.
PËR KËTO ARSYE
Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, mbështetur në nenin 247 të Kodit të Procedurës Penale,
V E N D O S I
Pranimin e kërkesës.
Deklarimin e ikjes së shtetasit Kristian Morina (Marinaj) alias Arjan Bytyci alias Hilë Joka alias Hil Morina, i lindur në Pukë më datë 02.02.1977 alias Ilir Morina, i lindur në Drenicë, Kosovë, në datë 02.02.1977, i cili dyshohet për kryerjen e veprës penale të “Vrasjes me paramendim” e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 78/1 dhe 25 të K.Penal, ndaj të cilit është caktuar masa e sigurimit “Arrest në burg” në mungesë.
Caktimin si avokat kryesisht për personin e ikur Kristan Morina (Marinaj), Albert Golemi.
Të njoftohet avokati Albert Golemi i caktuar kryesisht nga gjykata për personin e deklaruar të ikur.
Tiranë, më 05.11.2015
Nr.29/2/2015 i Regj.Themeltar
Nr.29/2 i Vendimit
Do'stlaringiz bilan baham: |