VENDIM
NË EMËR TË REPUBLIKËS
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë i përbërë nga:
Majlinda Andrea Kryesuese
Ardian Dvorani Anëtar
Mirela Fana Anëtare
Admir Thanza Anëtar
Artan Broci Anëtar
Në seancën gjyqësore të datës 25.11.2015, mori në shqyrtim çështjen civile me nr.31001-00686-00-2012, që u përket palëve:
PADITËS: YMER DERVISHI.
TË PADITUR: FOTINA BEDINI, HATIXHE PASHO, SHPRESA GJINI, FLUTURA PASHO, NATASHA PASHO.
ARKKP QARKU VLORË,
KRRT BASHKIA VLORË.
OBJEKTI:
Pezullimin e ekzekutimit të lejes për mur rrethues
datë 20.10.2005 si masë provizore.
Shfuqizimin e aktit administrativ "leje për mur rrethues".
Anulimin e vendimit nr.89, datë 16.10.1995 të K.K.K.P pranë Bashkisë Vlorë.
Fshirjen nga hipoteka e sipërfaqes së truallit të të paditurve.
Baza Ligjore: Nenet 202, 206, 324, 325 të K.Pr.Civile,
neni 35 i ndryshuar i ligjit nr.7843/1994.
Gjykata e Shkallës së Parë Vlorë, me vendimin nr.542, datë 03.03.2008, ka vendosur:
“1. Pranimin pjesërisht të padisë të paditësit Ymer Dervishi.
2. Anulimin pjesërisht të vendimit nr.89, datë 16.10.1995 të Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave ish-Pronarëve pranë Bashkisë Vlorë dhënë në favor të trashëgimtarëve të Memisha Muharremit: në pikën “1.b” paragrafi i dytë përsa i përket njohjes dhe kthimit në natyrë të sipërfaqes 110 (njëqind e dhjetë) metra katror sipas kufizimeve përkatëse; pikes “2” të vendimit i cili bën fjalë për të drejtën e ish-pronarit për ndërtimin e katit të dytë mbi furrën e bukës.
3. Anulimin e lejes së ndërtimit për mur rrethues datë 20.10.2005, dhënë në favor të të paditurve Fotina Pasho, Muharrem Muharremi, Atixhe Muharremi dhe Shpresa Gjini.
4. Rrëzimin e padisë përsa i përket kërkimeve të tjera në objektin e padisë të ngritura prej paditësit Ymer Dervishi.
5. Fshirjen nga regjistrat e pasurive të paluajtshme të regjistrimit nr.5194, datë 29.12.1995 të sipërfaqes së truallit prej 110 metra katror në emër të të paditurve.”
Gjykata e Apelit Vlorë, me vendimin nr.623, date 15.06.2011, ka vendosur:
“Lënien në fuqi të vendimit nr.542, datë 03.03.2008, të Gjykatës së shkallës së parë Vlorë”.
Kundër vendimit të Gjykatës së Apelit Vlorë, nr.623, datë 15.06.2011, në mbështetje të nenit 472 të K.Pr.Civile, brenda afatit ligjor, ka ushtruar rekurs pala e paditur Fotina Bedini, Hatixhe Pasho dhe Natasha Pasho, duke kërkuar ndryshimin e vendimeve dhe rrëzimin e padisë, për këto shkaqe:
Gjykatat kanë zbatuar keq ligjin procedural dhe atë material. Në funksion të nenit 154/a të KPrC kërkesë padia është ngritur nga bija dhe avokati i palës paditëse, tej tagreve të njohur në prokurë.
Nisur nga dispozita e nenit 324 të KPrC, kundërshtimi i akteve administrative bëhet brenda një afati 30 ditor. Po ashtu edhe në vështrim të nenit 112 të K.Civil kundërshtimi i vendimit të KKKP Vlorë është bërë pas 12 vjetësh, tej afatit 10 vjeçar.
Pala paditëse nuk gëzon legjitimitetin aktiv në ngritjen e padisë pasi nuk provoi asnjë interes të ligjshëm që cenohet nga titulli ynë i pronësisë dhe zotërimi i sendit prej nesh në cilësinë e pronarëve të ligjshëm.
Vetë kërkimi i palës paditëse është absurd në disponimin për fshirjen e hipotekës, pasi prona e palës së paditur nuk ka të regjistruar asnjë veprim juridik të tille, në reference të dispozitave të K.Civil.
Nuk është provuar as me aktin e ekspertimit që pronat që ne zotërojmë të kenë mbivendosje me pronën e palës paditëse.
Pala paditëse pretendon se sipërfaqja në pronësinë tonë është truall funksional i furrës së bukës, kur kjo e fundit është transformuar në kafe dhe asnjëherë nuk ka patur rrugë kalimi në pronën tonë. Pala paditëse kërkon të ndërtoje pallat mbi sipërfaqen objekt gjykimi.
KOLEGJI CIVIL I GJYKATËS SË LARTË
pasi dëgjoi relatimin e gjyqtarit Artan Broci, dhe pasi e bisedoi çështjen në tërësi,
V Ë R E N
Se vendimi nr.623 datë 15.06.2011 i Gjykatës së Apelit Vlorë është marrë në zbatim të ligjit e si i tillë duhet të lihet në fuqi.
-
RRETHANAT E ÇËSHTJES
Nga aktet e administruara në dosjen gjyqësore gjykatat e faktit kanë pranuar të provuar si vijon: Paditësi Ymer Dervishi është pronar mbi një pjesë të godinës ish-furra e bukës dhe sipërfaqen e truallit ku shtrihet ajo me sipërfaqe ndërtimore 84 (tetëdhjetë e katër) metra katror të ndodhur në lagjen “24 Maji”, Vlorë. Pronësinë paditësi rezulton ta ketë fituar me anë të kontratës së shitjes datë 08.05.2001 të lidhur midis tij si blerës dhe Administratorëve të Përbashkët të Shoqërisë “Cenaj” në Administrim me cilësinë e shitësit. Mbas fitimit të pronësisë paditësi ka bërë edhe regjistrimin e pasurisë në regjistrat e pasurive të paluajtshme fakt ky i cili provohet me certifikatën e pronësisë datë 09.10.2007 të lëshuar nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Vlorë.
Në lidhje me sipërfaqen e truallit ku shtrihet prona e paditësit kanë rivendikuar të drejta pronësie edhe të paditurit trashëgimtarët e Memisha Muharremit, me cilësinë e ish-pronarit të një sipërfaqe trualli prej 4350 (katërmijë e treqind e pesëdhjetë) metra katror.
Në bazë të kërkesës së tyre me vendimin nr.89 datë 16.10.1995 të Komisioni të Kthimit të Kompensimit të Pronave ish-Pronarëve pranë Bashkisë Vlorë është vendosur: “1. Të njohë si ish-pronar të kësaj prone z.Memisha Muharremi (trashëgimtarët e tij).
-Mbi një sipërfaqe trualli prej 4350 metra katror e ndodhur në lagjen “24 Maji” Vlorë me kufi: perëndimi-Selami Dani, lindje-rrugë, veriu-rrugë, jugu-rrugë.
1.b Të kthejë në natyrë sipërfaqen e truallit prej 170 metra katror e ndodhur në lagjen “24 Maji”, Vlorë me kufi: veriu-rrugë, perëndimi-rrugë, lindje-mur rrethues i banesës shtetërore sipas planvendosjes bashkëngjitur vendimit.
1c. Të kthejë në natyrë sipërfaqen e truallit prej 110 (njëqind e dhjetë) metra katror i ndodhur në lagjen “24 Maji” me kufi veriu-muri rrethues i banesës shtetërore pronë e zot, jugu- furri i metër larg, perëndimi-rrugë sipas planvendosjes bashkëngjitur këtij vendimi).
1c. Të kompensojë sipërfaqen e truallit prej 4070 metra katror sipas disponibilitetit që do të ketë komisioni.
2. Në bazë të nenit 20 të ligjit nr.7698 date ish-pronarit i lind e drejta e ngritjes së katit të dytë mbi furrën e pjekjes që ndodhet në pronën e tij....”
Mbas rivendosjes të drejtave si ish-pronar Memisha Muharremi (trashëgimtarët e tij) kanë bërë edhe regjistrimin në regjistrat e pasurive të paluajtshme për sipërfaqet e kthyera në natyrë fakt ky i cili provohet me vërtetimin nga dokumenti hipotekor datë 29.09.2005 të lëshuar nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Vlorë.
Me cilësinë e pronarit të paditurit si trashëgimtar të ish-pronarit Memisha Muharremi në lidhje me të drejtën e posedimit mbi sipërfaqen e truallit prej 110 metra katror mbi të cilën janë rivendosur të drejtat e pronësisë, janë pajisur me leje datë 20.10.2005 nga seksioni urbanistikës pranë Bashkisë Vlorë për rrethimin e sipërfaqes së kthyer nga Komisioni me mur rrethues. Mbas marrjes së lejes të paditurit kanë bërë rrethimin me mur.
Në lidhje me disponimin nga ana e Komisionit në favor të trashëgimtarëve të Memisha Muharremit, paditësi pretendon se vendimi është dhënë në kundërshtim me ligjin mbasi ai nuk kanë qënë pronar mbi tokën e pretenduar.
Për të provuar këtë pretendim paditësi paraqiti me cilësinë e provës: Dekret-Ligjin nr.597, datë 28.04.1948 me të cilin provohet se Memisha Muharremit i është falur një sipërfaqe toke prej 1000 (njëmijë) metra katror pronë shtet, në lagjen Kume; vendimin gjyqësor nr.478, datë 21.02.1994 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë me të cilën provohet se trashëgimtarët e Memisha Muharremit kanë vërtetuar faktin juridik të pronësisë mbi një sipërfaqe toke truall prej 4350 metra katror në lagjen “24 Maji” me kufizimet përkatëse; vërtetim datë 11.10.2005 i lëshuar nga Zyra e Kadastrës Vlorë me të cilën provohet se në listën e pronësisë të personave që kanë përfituar tokë mbas reformës agrare z.Memisha Muharremit i është dhënë si ekonomi ndihmëse një sipërfaqe toke prej 4650 metra katror prej të cilës: 4350 metra katror toke pemishte dhe 300 metra katror truall; vërtetim datë 30.03.1994, i lëshuar nga Zyra e Arkivës Vlorë me të cilën provohet se për Memisha Muharremin nuk është gjetur vendim shpronësimi; vërtetimin nr.1759/1 datë 04.10.2007 të lëshuar nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Vlorë me të cilën provohet se në lidhje me ndërtimin i cili ndodhet në krahun lindor të pronës së paditësit Ymer Dervishi dhe që pretendohet prej të paditurve rezulton që ai të jetë ngritur në një sipërfaqe 1192 metra katror e shënuar në regjistër në pronësi të shtetit.
Nga ana e të paditurve u kundërshtuan pretendimet e paditësit në lidhje me pretendimin e pronësisë duke pretenduar se ata kanë qenë ish-pronar mbi të gjithë sipërfaqen e truallit prej 4350 metra katror dhe se disponimi i Komisionit për të rivendosur të drejtën e pronësisë mbi sipërfaqet e truallit prej 110 metra katror si dhe duke i njohur të drejtën e ngritjes së katit të dytë mbi objektin egzistues është dhënë në mbështetje të ligjit nr.7698 datë 15.04.1993 “Për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave ish-Pronarëve “ si truall i lirë. Për të provuar pretendimet e pronësisë të paditurit paraqiten me cilësinë e provës dokumentacionin e pronësisë si ish-pronar mbi bazën e e të cilës Komisioni është shprehur me vendimin nr.89, datë 16.101995. Siç rezulton nga përmbajtja e dosjes, Komisioni ka njohur të drejtën e pronësisë si ish-pronar z. Memisha Muharremi mbi bazën e vendimit gjyqësor nr.478 datë 21.02.1994 për vërtetimin gjyqësor të faktit të pronësisë mbi sipërfaqen 4350 metra katror, vërtetimin datë 11.10.1995 të Zyrës së Kadastrës me të cilën provohet se Memisha Muharremi ka përfituar si ekonomi ndihmëse sipërfaqen 4650 metra katror, vërtetimin negativ të Arkivës Vlorë me cilin provohet që nuk ka dokument shpronësimi për Memisha Muharremin.”
Gjykata e Shkallës së Parë Vlorë, me vendimin nr.542, datë 03.03.2008, ka vendosur:
“1. Pranimin pjesërisht të padisë të paditësit Ymer Dervishi.
2. Anulimin pjesërisht të vendimit nr.89, datë 16.10.1995 të Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave ish-Pronarëve pranë Bashkisë Vlorë dhënë në favor të trashëgimtarëve të Memisha Muharremit: në pikën “1.b” paragrafi i dytë përsa i përket njohjes dhe kthimit në natyrë të sipërfaqes 110 (njëqind e dhjetë) metra katror sipas kufizimeve përkatëse; pikës “2” të vendimit i cili bën fjalë për të drejtën e ish-pronarit për ndërtimin e katit të dytë mbi furrën e bukës.
3. Anulimin e lejës së ndërtimit për mur rrethues datë 20.10.2005, dhënë në favor të të paditurve Fotina Pasho, Muharrem Muharremi, Atixhe Muharremi dhe Shpresa Gjini.
4. Rrëzimin e padisë përsa i përket kërkimeve të tjera në objektin e padisë të ngritura prej paditësit Ymer Dervishi.
5. Fshirjen nga regjistrat e pasurive të paluajtshme të regjistrimit nr.5194, datë 29.12.1995 të sipërfaqes së truallit prej 110 metra katror në emër të të paditurve.”
Gjykata ndër të tjera ka arsyetuar se: “... Ashtu siç u provua nga provat e paraqitura nga palët ndërgjyqëse për të njëjtën pronë dhe konkretisht për sipërfaqen e truallit prej 84 metra katror në bazë të dokumentacionit të pronësisë, ekziston e regjistruar në regjistrat e pasurive të paluajtshëm si pronë e paditësit Ymer Dervishi, ndërkohë në bazë të vendimit të komisionit ish-pronarit Memisha Muharremi (trashëgimtarëve të tij) i është njohur e drejta për të ndërtuar mbi ndërtesën kat shtesë si dhe njëkohësisht ka disponuar për sipërfaqen funksionale të objektit shtetëror i cili më pas është privatizuar duke kthyer pjesë të tij në natyrë. Në kushtet kur paditësi cenohet në gëzimin e pronës së tij nga rivendosja e pronësisë e të paditurve gjykata mori në shqyrtim të drejtën e pronësisë të të paditurve nëse është e ligjshme. Për këtë qëllim u mor me cilësinë e provës dokumentacioni i pronësisë si për paditësin ashtu edhe të paditurin. Duke qene së paditësi e ka fituar pronësinë mbi bazën e kontratës së shitjes dhe nuk kontestohet prej të paditurve ligjshmëria e saj dhe pretendohet nga paditësi cenimi nga rivendosja e pronësisë e të paditurve si pronë e vjetër, për të vërtetuar pretendimet e tyre në kushtet kur jemi përpara një padie rivendikimi në bazë të pretendimeve të palëve gjykata shtriu hetimin gjyqësor në lidhje me origjinën e pronësisë. Në bazë të provave të paraqitura përsa i përket pretendimeve në lidhje me pronësinë e vjetër të sipërfaqes së truallit prej 4350 metra katror gjykata nga provat e shqyrtuara konstaton se Memisha Muharremi nuk ka qënë pronar i kësaj sipërfaqe toke. Përsa i përket pretendimeve të të paditurve trashëgimtarëve të Memisha Muharremit në bazë të dokumentacionit që të paditurit kanë paraqitur në Komision si dhe të verifikimit të bërë në regjistrat hipotekor u provua se prona e njohur dhe kthyer në natyrë nuk ka origjine pronësie që do të thotë se nuk provohet të kenë qenë ish-pronar. Pronësinë e vjetër të paditurit e kanë vërtetuar gjyqësisht me vendimin nr.478 datë 21.02.1994 ku ndër të tjera është vërtetuar edhe pronësia e vjetër mbi një sipërfaqe toke truall prej 4350 metra katror e ndodhur në lagjen “24 Maji”, Vlorë. Gjithashtu provohet se nuk është shpronësuar mbasi nuk rezulton të këtë akt shpronësimi si dhe në regjistrin kadastral të pronarëve që kanë përfituar tokë mbas reformës agrare, figuron edhe Memisha Muharremi për sipërfaqen e truallit prej 4650 metra katror. Gjykata në bazë të këtyre provave arrin në konkluzionin se vendimi i Komisionit nr.89, datë 16.10.1995 te K.K.K.Pronave Vlorë është marrë në kundërshtim me nenin 1 të ligjit nr.7698, datë 15.04.1993 “Për kthimin dhe kompensimin e Pronave ish-Pronarëve” në të cilin parashikohet se: “Ky ligj u njeh ish-pronarëve apo trashëgimtarëve të tyre të drejtën e pronësisë për pronat e shtetëzuara të shpronësuara apo të konfiskuara sipas akteve ligjore, nënligjore e vendimeve të gjykatës të dala pas datës 29.12.1944, ose të marra pa të drejtë nga shteti në çdo mënyrë tjetër, si dhe përcakton mënyrat dhe masat për kthimin apo kompensimin e tyre.” Siç rezulton nga përmbajtja e kësaj dispozite qëllimi i ligjit ka qenë ndreqja e një padrejtësie që i është bërë pronarëve nga marrja pa të drejtë e pronës nga shteti. Në bazë të provave të paraqitura u provua se paditësi Memisha Muharremi nuk ka qënë pronar mbi sipërfaqen e truallit prej 4350 metra katror mbi të cilën ai është njohur ish-pronar. Ashtu siç është përmendur më lart njohja dhe kthimi i sipërfaqes së truallit prej 4350 metra katror nga Komisioni është bërë mbi bazën e vendimit gjyqësor nr.478, date 21.02.1994 për njohjen e pronësisë sipas pretendimit të të paditurve për pronësinë mbi truallin. Siç rezultoi e provuar nga vërtetimi i kadastral kjo sipërfaqe trualli mbi të cilën është njohur pronar ka qënë pronë shtetërore dhe i është dhënë Memisha Muharremit si ekonomi ndihmëse mbas reformës agrare e cila sipas ligjeve në fuqi të kohës ligji nr.108 datë 29.08.1946 “Mbi reformën agrare” dhe nenit 2 të Dekret Ligjit nr.253 datë 27.05.1945 “Mbi disa ndryshime të ligjit shtojce ligjeve të Reformës Agrare”, ka qenë masë ndihmuese nga shteti për ti ardhur në ndihmë familjeve me të ardhura të pamjaftueshme për të përballuar jetesën familjare. Siç rezulton e provuar nga lista e pronarëve që kanë përfituar tokë shtetërore në sipërfaqen e përgjithshme prej 4650 metra katror, 4350 janë tokë pemishte ndërsa pjesa tjetër prej 300 metra katror është tokë truall mbi të cilën rezulton që Memisha Muharremi të këtë ndërtuar shtëpi banimi. Ky fakt konfirmohet dhe nga vërtetimi i lëshuar nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Vlorë nga e cila rezulton që të paditurit kanë në posedim një sipërfaqe prej 4650 metra katror tokë shtetërore mbi të cilën ka ndërtuar një shtëpi banimi. Siç u provua nga akti i ekspertimit shtëpia e të paditurve kufizohet në pjesën lindore me pronën e paditësit e njohur si ish-furra e bukës dhe si objekte shtrihen në sipërfaqen e tokës pronë shtetërore dhënë Memisha Muharremit si ekonomi ndihmëse dhe mbi të cilën i padituri nuk ka qënë asnjëherë pronar por vetëm posedues. Gjithashtu u provua se me Dekret-Ligjin nr.597, datë 28.04.1948 se z.Memisha Muharremi ka përfituar nëpërmjet faljes një sipërfaqe tokë truall shtet prej 1000 metra katror në lagjen Kume, Vlorë ç’ka e hedh poshtë pretendimin e të paditurve se ai ka qenë ish-pronar pra subjekt i shpronësuar në kushtet kur provohet se në mënyrë të dyfishtë ai është trajtuar me tokë bujqësore dhe truall si ekonomi ndihmëse si dhe i është falur një sipërfaqe trualli prej 1000 metra katror nga prona shtetërore. Meqënëse nga të dy palët ndërgjyqëse pretendohet se ka mbivendosje të pronësisë së truallit ku është njohur pronësia trashëgimtarëve të Memisha Muharremit gjykata bazuar në nenin 224 te K.Pr.Civile mori me cilësinë e provës një akt ekspertimi topografik për të provuar faktin e pretenduar të mbivendosjes së pronësisë së vjetër me atë të njohur dhe të kthyer për Memisha Muharremi. Në bazë të konkluzioneve të aktit të ekspertimit rezulton se sipërfaqja prej 1000 metra katror e cila i është falur trashëgimtarit të paditësave me Dekret-Ligjin nr.597, datë 28.04.1948 nuk ndodhet në zonën kadastrale në të cilën Komisioni ka njohur një sipërfaqe prej 4350 metra katror ish-pronarit Memisha Muharremi. Gjithashtu u provua se sipërfaqja e truallit prej 110 metra katror e kthyer në natyrë është pjesë e sipërfaqes funksionale prej 495 metra katror e objektit shtetëror furra e bukës. Në kushtet kur vendndodhja e objektit është vërtetuar gjyqësisht dhe kur ky fakt i vërtetuar prej të paditurve kundërshtohet në bazë të dokumentave të pronësisë së vjetër ai nuk sjell pasoja për paditësin i cili nuk ka qenë palë në gjykim si dhe është i karakterit deklarativ. Komisoni ka vepruar në kundërshtim me ligjin mbasi i ka njohur dhe i ka kthyer z.Memisha Muharremi (trashëgimtarëve të tij) një sipërfaqe trualli e cila nuk ka qenë ndonjëherë në pronësi të tij. Gjykata çmon se megjithëse nga gjykimi u provua se të paditurit nuk janë pronar mbi gjithë sipërfaqen prej 4350 metra katror, paditësi legjitimohet në kërkimet e tij pjesërisht vetëm për pjesën e këtij vendimi që cenon interesat e tij pasurore që ka të bëjë me të drejtën e njohur të drejtën e të paditurve për të ndërtuar katin e dytë mbi objektin pronë e tij dhe për sipërfaqen e kthyer në natyre prej 110 metra katror e cila provohet se është pjesë funksionale e objektit furrë buke sipas dokumentacionit të privatizimit të tij. Gjithashtu në kushtet kur u provua se të paditurit (trashëgimtarët e Memisha Muharremit) nuk janë pronar mbi sipërfaqen e truallit të pretenduar prej tyre të gjitha veprimet që janë kryer në lidhje me regjistrimin e pronësisë duke filluar nga regjistrimi fillestar si dhe për ushtrimin e të drejtës së posedimit duke bërë rrethimin e sipërfaqes prej 110 metra katror me mur rrethues janë të pavlefshme dhe si të tilla duhet të anulohen...”
Gjykata e Apelit Vlorë, me vendimin nr.623, datë 15.06.2011, ka vendosur:
“Lënien në fuqi të vendimit nr.542, datë 03.03.2008, të Gjykatës së shkallës së parë Vlorë”.
Kundër vendimit të Gjykatës së Apelit Vlorë nr.623, datë 15.06.2011, në mbështetje të nenit 472 të KPrC, brenda afatit ligjor, ka ushtruar rekurs pala e paditur Fotina Bedini, Hatixhe Pasho dhe Natasha Pasho, duke kërkuar ndryshimin e vendimeve dhe rrëzimin e padisë.
II. LIGJI I ZBATUESHËM
Neni 41 i Kushtetutës, i cili shprehet se “1. E drejta e pronës private është e garantuar.
2. Prona fitohet me dhurim, me trashëgimi, me blerje dhe me çdo mënyrë tjetër klasike të parashikuar në Kodin Civil.
3. Ligji mund të parashikojë shpronësime ose kufizime në ushtrimin e së drejtës së pronës vetëm për interesa publikë.
4. Shpronësimet ose ato kufizime të së drejtës së pronës që barazohen me shpronësimin, lejohen vetëm përkundrejt një shpërblimi të drejtë.
5. Për mosmarrëveshjet lidhur me masën e shpërblimit mund të bëhet ankim në gjykatë.”;
Neni 42 i Kushtetutës, i cili shprehet se “1. Liria, prona dhe të drejtat e njohura me Kushtetutë dhe me ligj nuk mund të cenohen pa një proces të rregullt ligjor.
2. Kushdo, për mbrojtjen e të drejtave, të lirive dhe të interesave të tij kushtetues dhe ligjorë, ose në rastin e akuzave të ngritura kundër tij, ka të drejtën e një gjykimi të drejtë dhe publik brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme e caktuar me ligj.”;
Neni 1 i Protokollit nr.1 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, i cili shprehet se “Çdo person fizik apo juridik ka të drejtën e gëzimit paqësor të pronës së tij. Asnjë person nuk do të privohet nga prona e tij me përjashtimin e interesave të publikut dhe kur u nënshtrohet kushteve të parashikuara nga ligji dhe nga parimet e përgjithshme të së drejtës ndërkombëtare. Dispozitat pararendëse, sidoqoftë, nuk do të cenojnë në asnjë mënyrë të drejtën e një shteti për të zbatuar këto ligje në mënyrën që e gjykon të nevojshme për të kontrolluar përdorimin e pronës në përputhje me interesin e përgjithshëm apo për të siguruar pagimin e taksave ose të ndonjë kontributi apo detyrimi tjetër”;
Neni 163 i Kodit Civil, i cili shprehet se “Pronësia fitohet nëpërmjet mënyrave të caktuara në këtë Kod dhe mënyrave të tjera të caktuara me ligj të veçantë.”;
Neni 296 i Kodit Civil, i cili shprehet se “Pronari ka të drejtë të ngrejë padi për të kërkuar sendin e tij nga çdo posedues ose mbajtës. Këtë të drejtë e ka edhe çdo bashkëpronar për sendin e përbashkët, me qëllim që ai t’u dorëzohet gjithë bashkëpronarëve.”;
III. KOLEGJI CIVIL I GJYKATËS SË LARTË VLERËSON
Se pretendimet e parashtruara në rekursin e paraqitur nga pala e paditur nuk përbëjnë shkaqe ligjore në kuptim të Nenit 472 të Kodit të Procedurës Civile që të motivojnë cenimin e vendimit nr.623, datë 15.06.2011, i Gjykatës së Apelit Vlorë.
Neni 16 i K.Pr.Civile parashikon se: “Gjykata zgjidh mosmarrëveshjen në përputhje me dispozitat ligjore dhe normat e tjera në fuqi që janë të detyrueshme të zbatohen prej saj. Ajo bën një cilësim të saktë të fakteve dhe veprimeve që lidhen me mosmarrëveshjen, pa u lidhur me përcaktimin që mund të propozojnë palët. Megjithatë, gjykata nuk mund të ndryshojë bazën juridike të padisë pa kërkesën e palës”. Në këtë kuptim ky nen përbën një detyrim i cili duhet të respektohet nga gjykatat.
Në kuptim të nenit 16 të K.Pr.Civile, cilësimi i saktë i fakteve dhe i veprimeve, ose më saktë i ngjarjeve dhe i veprimeve që përbëjnë fakte juridike, që lidhen me mosmarrëveshjen bëhet nga gjykata që shqyrton çështje, ndërsa përcaktimi i bazës juridike bëhet nga paditësi që me paraqitjen e padisë dhe është në disponim të plotë të tij, t’a ndryshojë deri në përfundim të hetimit gjyqësor, duke i bërë kërkesë gjykatës në një formë të përshtatshme proceduriale.
Gjithashtu ky Kolegj Civil mban parasysh se ngritja e padisë, hartimi dhe paraqitja e kërkesë padisë janë mjeti procedurial me anë të së cilit paditësi vë në lëvizje gjykatën, kur pretendon se ka një të drejtë subjektive për ta njohur dhe për ta mbrojtur, e cila gjen mbështetje në të drejtën pozitive si nga pikëpamja materiale ashtu edhe nga ajo proceduriale (për t’ju drejtar gjykatës)....Nëse ajo që paditësi pretendon se i është cënuar apo që duhet t’i njihet, parashikohet nga e drejta pozitive në aspektin material, e akoma më tej, nëse e drejta pozitive i njeh paditësit të drejtën që këtë të kërkojë t’a realizojë nëpërmjet gjykatës, atëherë gjykata ka detyrimin të vijojë me shqyrtimin dhe zgjidhjen e çështjes për të verifikuar nëse ajo kërkohet konkretisht me padi (në objekt) është e mbështetur në prova, arsyetim në unison të plotë edhe me Vendimin Unifikues të Gjykatës së Lartë nr.3 viti 2012.
Ky Kolegj vlerëson të drejtë vendimin e gjykatës së apelit Vlorë. Pretendimet e paraqitura në rekurs kanë të bëjnë me analizën dhe vlerësimin e provave, proces ky që është objekt i shqyrtimit nga gjykatat e faktit dhe jo i Kolegjit Civil të Gjykatës së Lartë.
Në juridiksionin rishikues të Gjykatës së Lartë përfshihen vetëm rastet rigorozisht të përcaktuara në nenin 472 të Kodit të Procedurës Civile, që lidhen me mosrespektimin ose zbatimin e gabuar të ligjit, si dhe me shkeljet e rënda të normave proceduriale apo shkelje proceduriale që kanë ndikuar në dhënien e vendimit.
Në shqyrtim të tërësisë së gjykimit të kësaj çështje, të akteve që ndodhen në dosjen gjyqësore e të administruara gjatë gjykimeve, objektit dhe shkakut të padisë, pretendimeve e prapësimeve të palëve, të vendimeve të gjykatave të faktit, shkaqeve të rekursit, si dhe parashtrimeve në seancë gjyqësore, Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë vlerëson se arsyetimi dhe përfundimi i arritur nga gjykata e apelit është rrjedhojë e respektimit dhe zbatimit të kërkesave të ligjit material dhe atij procedurial.
Ky Kolegj evidenton se gjykata e apelit ka zhvilluar një proces të rregullt ligjor, duke garantuar zhvillimin e një hetimi të plotë e të gjithanshëm të mosmarrëveshjes objekt gjykimi, si dhe iu ka dhënë përgjigje të gjitha kërkimeve dhe pretendimeve të palëve të ngritura në gjykim dhe në ankim.
Sipas gërmës “a” të nenit 472 të Kodit të Procedurës Civile, kërkohet që nga ana e gjykatave të faktit të mos jetë respektuar ose të jetë zbatuar keq ligji. Në rekursin e paraqitur nga ana e palës paditëse nuk argumentohet një gjë e tillë. Pretendimi se gjykata e apelit ka zbatuar gabim ligjin nr.9235 date 29.07.2004 “Për kthimin dhe kompensimin e pronës” të ndryshuar, nuk rezulton të gjejë mbështetje në vetë këtë ligj e aktet nënligjore, në raport me të drejtën e pretenduar dhe gjendjen e faktit të vërtetuar gjatë gjykimit.
Gjykata e apelit, sikurse gjykata e shkallës së parë, pasi ka analizuar dhe vlerësuar provat e paraqitura nga palët, ka arritur në përfundimin se, për rastin, paditësi legjitimohet në ngritjen e padisë objekt gjykimi.
Rezulton se këto fakte e rrethana janë vënë në diskutim gjatë gjykimit dhe janë vlerësuar nga gjykata e apelit në tërësinë e provave të administruara.
Sipas gërmës “b” të nenit 472 të Kodit të Procedurës Civile kërkohet që nga ana e gjykatës së shkallës së parë dhe ajo e apelit të ketë shkelje të rënda të normave proceduriale (neni 467 i K.Pr.Civile). Në rastin konkret nuk ngrihen në rekurs dhe nuk rezulton që, si gjykata e shkallës së parë dhe ajo e apelit, të kenë shkelur dispozitat mbi juridiksionin dhe kompetencën, që përbërja e trupit gjykues të ketë qenë e parregullt apo vendimi të mos jetë nënshkruar nga anëtarët e tij, që çështja të jetë gjykuar në mungesë të palëve, që të mos jetë formuar drejt ndërgjyqësia apo të mungojnë ose të jenë të pavlefshme aktet procedurale që kanë ndikuar në dhënien e vendimit.
Edhe në lidhje me këtë rast, sikurse rezulton nga gjykimi i çështjes në shkallë të parë, nga ankimi, nga gjykimi në apel dhe nga rekursi, pala paditëse jo vetëm që nuk ka ngritur pretendime të tilla, por edhe nga shqyrtimi e akteve proceduriale nuk konstatohen shkelje të normave procedurale.
Përsa më sipër, Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë vlerëson se vendimi nr.623, datë 15.06.2011 të Gjykatës së Apelit Vlorë duhet të lihet në fuqi.
PËR KËTO ARSYE
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë, mbështetur në nenin 485/a të K.Pr.Civile
V E N D O S I
Lënien në fuqi të vendimit nr.623, datë 15.06.2011, të Gjykatës së Apelit Vlorë.
Tiranë, më 25.11.2015
Nr. 11243-02311-00-2012 i Regj. Themeltar
Nr. 00-2015-3960 i Vendimit (492)
Do'stlaringiz bilan baham: |