RAUNDI I, APLIKIMI & KUSHTET
Të gjithë kandidatët, për ndjekjen e studimeve në universitetet publike dhe private, në ciklin e parë të studimeve Bachelor, duhet të kryejnë procesin e aplikimit online në portalin e Maturës Shtetërore. Të drejtën të aplikojnë e kanë kandidatët që kanë përfunduar arsimin e mesëm të lartë, janë pajisur me dokumentacionin ligjor të këtij niveli arsimor, nuk rezultojnë të regjistruar në asnjë program studimi, në universitetet publike apo private, plotësojnë kushtin e notës mesatare 6 të përcaktuar nga Këshilli i Ministrave, si dhe kriteret e vendosura nga universitetet publike dhe private për programet e studimit për të cilat aplikojnë.
Në udhëzimin e MAS-it, përcaktohet se maturantët përpara se të bëjnë aplikimin në portalin e maturës, duhet të kryejnë pagesën e tarifës së aplikimit në vlerën 2.000 lekë, në zyrat e postës apo në bankat e nivelit të dytë në llogari të AKP-së. Maturantët mandatin e pagesës së tarifës së aplikimit e dorëzojnë në shkollat ku kanë kryer plotësimin e Formularit A1/A1Z. Vetëm pas dorëzimit të këtij mandati pagese, sekretaritë e shkollave hedhin në sistem notën mesatare për pranimin e maturantëve në ciklin e parë të studimeve. Afati i fundit është data 10 gusht 2016. Kriteri i notës mesatare 6, nuk është kusht vetëm për ata kandidatë që do të aplikojnë në programet dyvjeçare me karakter profesional.
“Të gjithë kandidatët që duan të ndjekin studimet në institucionet e arsimit të lartë, përfshirë edhe kandidatët që kanë përfunduar arsimin e mesëm jashtë vendit, pas pagesës së tarifës së aplikimit dhe hedhjes në sistem të notës mesatare, do të aplikojnë në Portalin e Maturës Shtetërore, nëpërmjet formularit të aplikimit, për çdo DAR/ZA sipas kalendarit të mëposhtëm, në datat 01-11 gusht 2016”, përcaktohet në udhëzim.
Aplikimi nëpërmjet formularit të aplikimit në Portalin e Maturës Shtetërore, kryhet në cilindo mjedis që ka akses interneti. Kandidatët hyjnë në portal me kredencialet e tyre: ID-ja e kandidatit; emri, atësia, mbiemri; karta e identitetit; e-maili i kandidatit etj., duke zgjedhur deri në 10 programe studimi nga lista e programeve të studimit që ofrohen nga 34 universitetet publike dhe jopublike, për vitin 2016-2017.
Sistemi i Portalit të Maturës Shtetërore nuk do të pranojë aplikime nga kandidatë të cilët nuk plotësojnë kriterin e notës mesatare, të përcaktuar me vendim nga Këshilli i Ministrave, si dhe kriteret specifike të përcaktuara nga universitetet. P.sh., nëse një kandidat e ka notën mesatare të gjimnazit më të vogël se 8.5, sistemi nuk i lejon atij aplikimin në programet e studimit si Mjekësi e Përgjithshme, Stomatologjia apo Farmaci në Universitetin e Mjekësisë.
Foto+18/ Bleona godet serish... poza superseksi nga Karaibet
Bleona Qerreti ka goditur sërish. Këngëtarja shqiptare që jeton prej 10 vitesh në Los Anxhelos të SHBA është shfaqur këtë verë në Karaibe në ishullin St Barth.
“Splashnews” ka postuar disa foto ku ajo duket gjysmë e zhveshur.
Më në forme se çdo herë tjetër, Bleona është fotografuar në disa pozicione.
Nuk dihet nëse e shoqëruar nga njeri apo është vetëm, por Bleona Qerreti ka ngjallur mjaft diskutime vitin e fundit.
Ndër të tjera për jetën e saj private dhe për deklaratat se është “single”. Ndërkohë ajo ka sqaruar një pjesë të pozicionit të saj në SHBA në një intervistë për “Opinion.al”.
28/07/2016/............................................
Vrasja e Artur Kurtit, hetimet i kalojnë Prokurorisë së Tiranës: Nuk është krim i rëndë
Prokuroria e Krimeve të Rënda ka shpallur moskompetencë dhe i ka kaluar çështjen Prokurorisë së Tiranës për krimin në familje që ndodhi disa muaj më parë, për të cilin janë të dyshuar Jurgen Kurti dhe daja e tij Leonard Ristani.
“Top-Channel” raporton se, prokurorët e Krimeve të Rënda nuk mund ta hetojnë këtë ngjarje si krim të rëndë brenda familjes, pasi fillimisht u dyshua se ka qenë bashkëpunim mes Leonard Ristanit dhe nipit të tij Jurgen Kurti për të vrarë babain e këtij të fundit, Artur Kurti.
Djali 23-vjeçar Jurgen Kurti, u lirua nga qeli pasi u arrestua, kurse daja i tij Leonard Ristani po mbahet nën arrest me burg. Sipas ekspertizës, Ristani qëlloi me thikë Artur Kurtin, pasi ky i fundit kërcënonte të vriste atë dhe bashkëshorten e vet.
Këtë qëndrim të Ristanit e konfirmuan më pas edhe ekspertizat e Mjekësisë Ligjore, që iu përgjigjën prokurorëve të Krimeve të Rënda se, Ristani kishte plagë të shumta në duar, gjurmë këto që i bindën prokurorët se, Leonard Ristani ishte përpjekur ta neutralizonte viktimën, duke tentuar t’i rrëmbente thikën.
Video/ Borsh, 3 “zonja” bëjnë sherr me grushte e shqelma në plazh
Nëse jeni në plazh, bëni mirë të kujdeseni që të mos uleni në një çadër të zënë sepse mund ta pësoni keq. Rasti më i fundit vjen nga Borshi, ku një vajzë është ulur në çadrën e një zonje.
Kjo e fundit i merr kamerdaren dhe ia përplas më tutje, si për të thënë që vendi është i zënë.
Vajza që kishte kamerdaren e shtyn zonjën, ndërsa në ndihmë të kësaj të fundit ka ardhur menjëherë e bija. Ajo fillon ta godasë vajzën me shpulla dhe me shqelma, siç duket në video.
Më pas mes tyre ndërhyn bashkëshorti i vajzës që zuri çadrën, i cili është me fëmijë në krah. Sipas raportuesit, menjëherë në vendngjarje ka mbërritur policia, e cila nuk ka lejuar që të vazhdojë konflikti, ndërsa vajza me bashkëshortin dhe fëmijën e saj janë larguar, pas konfliktit me pushueset tjera.
Foto/ Alarm! Po shkatërrohet Parku Kombëtar i Karavastasë
Në lagunën e Karavastasë, shoqata “PPNEA” ka vënë re një pamje aspak të zakontë për Parkun Kombëtar Divjakë-Karavasta. Në zonën pranë kanalit të Vaut kryhen gërmime dhe konkretisht brenda në lagunën e Karavastasë.
Zona më e rëndësishme ligatinore në Shqipëri, i vetmi vend folezimi për pelikanin kaçurrel, e shpallur si zonë “RAMSAR”, po kërcënohet drejtpërdrejt nga ndërhyrje akoma të paqarta dhe të pa bëra publike me projekte konkrete.
Siç shihet në foto, makineri gërmuese janë instaluar prej ditësh brenda në lagunë dhe po gërmojnë për të hapur një kanal përgjatë gjithë gjatësisë së lagunës.
Sipas burimeve lokale, këto ndërhyrje po bëhen për ta kthyer kanalin të lundrueshëm për varka.
Zona ku po kryhen punimet është rreptësisht e ndaluar të ketë ndërhyrje të tilla, pasi thyen të gjitha ligjet mjedisore si për zonat e mbrojtura, që në këtë rast ka statusin e “Parkut Kombëtar” apo dhe konventën ndërkombëtare “Ramsar”, ku laguna e Karavastasë si zonë qëndrore e parkut mbrohet që prej vitit 1995, si një ligatinë me rëndësi botërore.
Për më tepër, laguna e Karavastasë është identifikuar si një Zonë Parësore e Biodiversitetit (Key Biodiversity Area), zonë “Emerald” dhe një biotop “CORINE”, klasifikime që theksojnë rëndësinë ndërkombëtare të kësaj zone për ruajtjen e diversitetit biologjik.
Kërkojmë reagimin e autoriteteve përgjegjëse që të ndalojnë menjëherë këtë ndërhyrje me pasoja katastrofike në një zonë me rëndësi të madhe biologjike, jo vetëm në shkallë kombëtare por dhe më gjerë.
Vjen edhe një tjetër goditje për Turqinë
Numri i të huajve, që kanë vizituar Turqinë, ka rënë mbi 40% në qershor, në nivelet më të ulëta këtë vit. Ndikimi i sulmeve dhe tensionet me Rusinë shkaktuan rrënimin e industrisë së turizmit, sipas AFP.
Statistikat e fundit, nuk marrin parasysh sulmin e 28 qershorit në aeroportin ndërkombëtar të Stambollit, apo tentativën për grusht shteti të 15 korrikut, të cilat sipas APF kanë ndikuar edhe më shumë në largimin e turistëve.
Vitin e kaluar, kjo industri solli rreth 35 miliardë dollarë të ardhura në Turqi.
Rreth 2.43 milionë të huaj vizituan Turqinë në muajin qershor, një rënie prej 40.86% krahasuar me qershorin e vitit 2015, ka njoftuar Ministria turke e Turizmit.
“National Geographic”: Shqipëria, mes 10 vendeve për t'u vizituar
Armenia, Nikaragua, Nepali, Irani, Kosova, Uzbekistani, Shqipëria, Timori Lindor, Gjeorgjia, Tunizia. Në pamje të parë nuk kanë asgjë të përbashkët, janë shtete që shtrihen nga njëri kontinent në tjetrin, por gjithsesi e kanë një të përbashkët. Revista “National Geographic” i përfshin ato në një listë tepër të vyer të vendeve që meritojnë më shumë turistë. Sipas saj, këto janë destinacione të mrekullueshme dhe që do t’iu lënë me gojën hapur.
Sa i përket Shqipërisë, “National Geographic” e nis përshkrimin e vendit tonë me faktin që këtu mund të gjesh amfiteatre greko-romake, kisha ortodokse të tejmbushura me ikona, si dhe plazhe të paprekura nga dora e njeriut.
Situata në terren
Për dekada të tëra, Shqipëria ka qenë mes vendeve më pak të vizituara të Europës Juglindore, madje edhe e fundit e aksesueshme për vizitorë nga mbarë bota. Një fortesë virtuale nën regjimin izolues të diktatorit komunist, Enver Hoxha, i cili shpenzoi gati 40 vite në ndërtimin e mbi 700 mijë bunkerëve të panevojshëm e shpesh edhe të padobishëm mbrojtës në mbarë vendin, Shqipëria u përfshi nga kaosi pas vdekjes së tij në vitin 1995, si dhe pas shpërbërjes së ish-Bashkimit Sovjetik. Gjithsesi, sot Shqipëria nuk është më pak e sigurtë sesa vendet e tjera të nëpërkëmbura të Adriatikut. Një industri turizmi në lulëzim, e përqëndruar kryesisht mbi fshatra dhe qytete të ruajtura me përpikmëri dhe të mbrojtura nga UNESCO, përfshi këtu Beratin e Gjirokastrën, si dhe me një vijë të gjatë bregdetare të njohur sot si Riviera shqiptare, tashmë i sjellin vendit rreth 3.5 milionë turistë në vit.
Pse duhet të vizitohet tani?
E ndërsa plazhet e Adriatikut në fqinjët e saj, Itali e Kroaci, janë transformuar në komplekse e resorte hipermoderne dhe të tejmbushura, bregdeti i Shqipërisë i mbushur plot me rrënoja të amfiteatrove greko-romake dhe të zbukuruara, me kisha ortodokse të tejmbushura me ikona, është ndër të paktët në Europë ku mund të gjesh vend për t’u shtrirë buzë rërës, edhe në pikun më të ngjeshur të sezonit veror. Në jug të Vlorës, apo në atë që njihet edhe si bregdeti më i bukur shqiptar, fshatra si Dhërmiu, Vunoi dhe Himara - të mbushura me kafene me veranda, tregtarë ushqimesh me bazë deti dhe me rrugë të ngushta e gjarpëruese, - janë të mbytura nga ndërtesa të familjarëve dhe banorëve vendas që i ofrojnë ato për jo më shumë se 25 dollarë nata. Udhëtarë nga jashtë Ballkanit janë ende të rrallë, por fuqimisht të mirëpritur. Mos u surprizoni kur vendasit të këmbëngulin t’iu vozisin me motorbarka përgjatë bregdetit, apo t’iu sfidojnë në ndonjë garë se kush konsumon më shumë raki.
Për të mos u humbur
Zhvillimi relativisht i munguar i Shqipërisë është fokusuar më së shumti në vendet e Trashëgimisë Botërore të mbrojtura nga UNESCO, mes të cilëve edhe kompleksi gjigant dhe zvarritës i Butrintit, një prej qyteteve më të shtrenjta dhe më mirë të ruajtura të periudhës greko-romake në Europë. Vetëm 20 minuta larg me autobus nga qyteti bregdetar i Sarandës, pranë kufirit me Greqinë, Butrinti është i ngjashëm me Epheusin e Indiana Jones. Një grumbull virtualisht i braktisur dhe i rrethuar amfiteatrosh dhe kolonash, vende të hershme pagëzuese të krishtera, bazilikata bizantine dhe mozaikë romakë. Në mes të rrugës midis Sarandës dhe Butrintit, mos e humbisni një ndalesë në plazhin me restorante në formë kasolleje, siç është Ksamili, një fshat ku vendasit të ofrojnë gjithçka, ndërsa natyra të ofron edhe disa ishuj jo larg bregut të detit.
E pavarësisht sistemit gjoja gjithëpërfshirës të autobusëve, thuajse asgjë në Shqipëri nuk ecën në orarin e shkruar nëpër guidat online. Shpesh drejtuesit e mjeteve heqin dorë nga oraret e përcaktuara nga kompanitë e mëdha të udhëtimit, dhe përfshihen në një situatë “anarkie”, madje duke të ofruar edhe udhëtime me furgonë apo minibusë, veçanërisht duke u nisur nga jugu i Vlorës. Këta furgonë, të cilët udhëtojnë përgjatë një itinerari të përcaktuar, shpesh i zbresin dhe i hipin pasagjerët si t’iu vijë për mbarë në rrugë, pavarësisht orarit, por gjithsesi të dërgojnë në destinacionin ku ti dëshiron. Ndërkohë, mos harroni të shijoni edhe kafen e fortë shqiptare kudo përgjatë bregdetit, por mos e quani atë “turke”, nëse nuk do të donit të përfshiheni në një debat të zhurmshëm, e me siguri do të nisni të mendoni se “do të rikthehem këtu sërish, shumë shpejt”./Top Channel/
29/07/2016/.......................................
Dosja e skandalit, kërkonin para për një vërtetim fakti
Dosja që u bë burim korrupsioni në Gjykatën e Lartë kishte gati një vit që ishte në pritje për t’u shqyrtuar. Rezulton të jetë regjistruar në nëntor 2014, me palë paditëse shtetasen Gjeorgjia Gjoka dhe gjatë kësaj kohe ka qëndruar në pritje deri në datën 12 korrik 2016, kur edhe është dhënë vendimi në dhomë këshillimi.
E dorëzuar si çështje nga Avokatura e Shtetit, që kishte bërë rekurs, palët që janë familjarë dhe trashëgimtarë të Gjokës kërkojnë që të lihen në fuqi vendimet e shkallëve të mëparshme për përcaktimin e kufijve të truallit në Ksamil, Sarandë dhe që çështja të mos rikthehet për gjykim.
Prokuroria thotë se Ilia Cabiri është i afërm i palës paditëse, që nga ana e vet këmbëngul se është ish-pronar i shpronësuar pas vitit 1945. Në këtë betejë gjyqësore rezulton se në shtator 2012, Gjykata e Sarandës lëshon vërtetim fakti, ku edhe konfirmon se cilët janë kufijtë e pronësisë së Gjeorgjia Gjokës me sipërfaqe 40 hektarë.
Ky vendim është lënë në fuqi në mars 2014 nga Gjykata e Apelit Gjirokastër, ndërkohë që kundër këtyre vendime i është drejtuar Gjykatës së Larte ish-komuna Ksamil dhe Avokatura e Shtetit.
Që prej nëntorit 2014, dosja ka qenë nën studim, një praktikë 'studimore’ kjo e ndjekur shpesh në Gjykatën e Larte edhe për çështje të tjera./TCh/
Shtohen dyshimet mbi projektin e Karpenit: Nuk e beson as vetë mazhoranca
Ka ngjallur mjaft interes dhe mbi të gjitha skepticizëm një projektligj për një plan për ndërtimin e një porti gjigant në Karpen të Kavajës, me vlerë 5 miliardë dollarë, sa gjysma e prodhimit të brendshëm të Shqipërisë.
Projekti, sipas draftit investimin në një port të thellë që mundëson hyrjen e anijeve tregtare, zonë ekonomike dhe logjistike dhe ndërtimin e një terminali rigazifikimi LNG dhe një centrali për prodhim energjie (central energjie me gaz ose biomase), duke mundësuar hapjen e 70 mijë vendeve pune. Negocimi po bëhet me Star Bridge Port Developments Limited, që është një subjekt për qëllime të veçanta, i regjistruar në Angli dhe Uells dhe i përbërë nga kompani prestigjoze në fushën e projektimit dhe ndërtimit të porteve, arkitekturës dhe konsulencës për projektet e porteve e më gjerë, të tilla si AECOM, SFTA, Ramboll, RVT Architects, Summa.
Monitor ka kontaktuar ditët e fundit me deputetë e qeveritarë të mazhorancës për të mësuar më shumë detaje rreth këtij projekti. Nën zë, ata janë skeptikë, teksa thonë që projekti është shumë i bukur për të qenë i vërtetë. Pikëpyetjet teknike që ngrihen janë disa:
-Së pari nuk ka një plan financiar të qartë për mënyrën se si do të financohet projekti. Në momentin që nuk kemi këtë plan është e kotë të diskutojmë më tej, thotë një zyrtar i lartë i qeverisë. Ministri i Transporteve Edmond Haxhinasto ka pohuar më herët në Kuvend se është e pamundur që të pregatitet një studim fizibiliteti i mirëfilltë me termat e nevojshme që ka studimi i fizibilitetit për një projekt të përmasave të tilla.
-Së dyti, është e vërtetë që emrat që qëndrojnë pas Star Bridge Port Developments Limited (pavarësisht kjo e fundit është një kompani me kapital vetëm 100 stërlina dhe e dyshimtë), janë të mëdha, por deri tani mësohet se këto firma të mëdha kanë shprehur vetëm letër interesi, por nuk kanë nënshkruar ndonjë kontratë angazhimi.
-Së treti, pse u zgjodh Karpeni, një zonë me det të cekët dhe të papërshtatshëm për një Port të thellë dhe jo psh zona e Vlorës, ku deti është më i thellë. Kjo zonë ka ndërkohë një potencial të lartë në turizëm, pasi është nga të paktat zona në Golem që nuk është e zënë me ndërtime masive.
-Së katërti, një projekt i përmasave të tilla do të kërkonte një infrastrukturë dhe ndërlidhje shumë të mirë rajonale. Sot kjo infrastrukturë mungon dhe ndonëse është në plan të zhvillohet nuk dihet se kur mund të jetë gati (minimumi, Shqipëria sot nuk ka hekurudhë funksionale), duke e nxjerrë jashtë loje Portin. Një shqetësim i tillë mësohet se është ngritur dhe nga një për përfaqësuesve të kompanive të mëdha. Sipas relacionit projekti synon që duke ndërtuar një port të ri, modern, të thellë, të shoqëruar me një park ekonomik, do të bëhet i domosdoshëm për shumë nga vendet evropiane të Mesdheut dhe për zhvillimin e ardhshëm të shumë vendeve të Ballkanit dhe të Evropës Qendrore dhe Lindore pa dalje në det, duke arritur kështu edhe një tranzit më ekonomik të mallrave. Por, nëse nuk ka lidhje eficiente tokësore me vendet pa det, atëhere projekti del jashtë funksioni.
-Së pesti, sipas projektligjit afati për negocim i nje kontrate 5 miliardë USD është vetëm 60 ditë dhe më pas 10 ditë kohë për miratim, ndërkohë që në projekt flitet për zhvendosje njerezish dhe numerohen 220 prona.
-Së gjashti, ka pikëpyetje të shumta lidhur me impiantin e gazifikimin (projekti parashikon ndërtimin e një terminali rigazifikimi të gazit natyror të lëngshëm-LNG). Impiante rigazifikimi bëhen në vende ku importohet LPG nga Katari apo nga vende prodhuese qa e eksportojna me Anije. Nese gazsjellësi TAP do të ketë një dalje për konsum në Shqipëri, ç’kuptim ka që të ndërtojnë edhe impiant rigazifikimi? Për më tepër, nëse ekziston një leje për një impiant të tillë në Seman ( i dhënë nga qeveria e mëparshme dhe që nuk është zhvlerësuar akoma), pse duhet edhe një në Karpen?
Për më tepë impiantet e rigazifikimit bëhen në zona që nuk kanë afërsi me qendra urbane, ndërsa Karpeni është përballë Durrësit, në një gji të cekët, ku përqendrimi i banorëve është shumë i lartë në kohë vere…
Projekti, sipas relacionit zyrtar
Sipas relacionit zyrtar të qeverisë, parashikohet përcaktimi e një procedure të veçantë, për negocimin dhe lidhjen e kontratës, ndërmjet shtetit shqiptar dhe kompanisë “Star Bridge Port Developments Limited” për projektimin, ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe menaxhimin e Portit të Karpenit, zonës mbështetëse të portit dhe asaj ekonomike. Star Bridge Port Developments Limited është një subjekt për qëllime të veçanta, i regjistruar në Angli dhe Uells dhe i përbërë nga kompani prestigjoze në fushën e projektimit dhe ndërtimit të porteve, arkitekturës dhe konsulencës për projektet e porteve e më gjerë, të tilla si AECOM, SFTA, Ramboll, RVT Architects, Summa. Kjo kompani nuk është e regjistruar si subjekt i ligjit shqiptar pasi në këtë fazë nuk është detyrim ligjor. Kompania do të regjistrohet pas nënshkrimit të kontratës.
Projekti “Morgan”, parashikon ndërtimin e një porti me thellësi të madhe në zonën e Karpen, Kavajë, të ambienteve mbështetëse të portit, të shoqëruar me një zonë të lirë tregtare, si dhe ndërtimin e një terminali rigazifikimi të gazit natyror të lëngshëm (LNG) dhe një centrali për prodhim energjie, përkatësisht:
Projekti “Deep Water Port” – Porti detar me thellësi të madhe;
Projekti “Port Centric Logistics and Enterprise Zone” – Zona ekonomike.
Ky projekt përfaqëson një investim në total prej 5 miliardë USD-sh për një periudhë 5-10 vjet. Porti propozohet të ndërtohet në zonën e Karpenit, për të lejuar hyrjen e anijeve të mëdha tregtare, që kanë nevojë për thellësi prej 20m. Për realizimin e qëllimit të këtij porti, është e domosdoshme të ndërtohen edhe zona ekonomike, e cila në përfundim të projektit është parashikuar të këtë një shtrirje prej1700 ha-sh.
Zona e portit parashikohet të përbëhet nga ambientet mbështetëse të portit (magazina, terminale, qendër logjistike), nga një zonë e re banimi pranë kompleksit, një serë me teknologji te lartë dhe akademi sporti.
Gjithashtu, parashikohet ndërtimi edhe i një terminali rigazifikimi LNG dhe një centrali për prodhim energjie (central energjie me gaz ose biomase).
Asnjë port në detin Mesdhe nuk i ka mundësitë për të pritur në mol anijet e gjeneratës së fundit post-Panamax, të cilat janë anijet kargo që përdoren sot nga industria moderne e transportit detar. Disa porte i presin këto anije në ankorazhe me bova larg dokut, por kjo gjë krijon problematika logjistike dhe operacionale që rezultojnë në inefiçenca gjatë proceseve të ngarkimit dhe shkarkimit.
Karpeni është zgjedhur pasi Porti i Durrësit nuk i ka kapacitetet dhe nuk ka mundësi zgjerimi për kargo. Zhvillimi i një porti të ri pranë Durrësit preferohet pasi shumica e investimeve të huaja ndodhen afër zonës Tiranë/Durrës dhe një port ekzistues në Durrës nevojitet për elementet mbështetëse që ai ofron, si krahu i punës, shoqëritë e transportit, agjentët e anijeve etj., të cilët janë tashmë të atashuar në atë zonë. Për më tepër, Karpeni është i lidhur me rrugët kryesore (SH4) – që i shërben Durrësit, por edhe Fierit, ku ndodhet dhe stacioni terminal i TAP-it. Rafineria e naftës në Ballsh dhe burime të tjera të gazit që ndodhen aty pranë, janë një tjetër avantazh i kësaj zone. Ky projektpropozim është në përputhje edhe me kontrata të tjera koncesionare që ka lidhur qeveria shqiptare, pasi Karpeni shtrihet në një zonë jashtë gjirit të Durrësit.
Projekti synon që duke ndërtuar një port të ri, modern, të thellë, të shoqëruar me një park ekonomik, do të bëhet i domosdoshëm për shumë nga vendet evropiane të Mesdheut dhe për zhvillimin e ardhshëm të shumë vendeve të Ballkanit dhe të Evropës Qendrore dhe Lindore pa dalje në det, duke arritur kështu edhe një transit më ekonomik të mallrave.
Ndërtimi do të fillojë ndërmjet muajit të 12-16. Faza e ndërtimit do të marrë 5-6 vjet, por porti do të bëhet operacional brenda kësaj periudhe.
Projektligji ka të parashikuar edhe ndërtimin e një zone ekonomike. Kjo zonë do të përmbajë ambiente mbështetëse të portit (magazina, terminal etj.), si dhe një zonë industriale, tregtare dhe një zonë rezidenciale pranë kompleksit.
Për vijueshmërinë e operacioneve tregtare dhe industriale projekti parashikon edhe ndërtimin e një centrali të ri për prodhimin e energjisë në Karpen, së bashku me zhvillimin e një zinxhiri furnizimi me energji të shumëllojshme, të tillë si një terminal rigazifikimi me gaz natyror të lëngshëm, për t’i shërbyer nevojave më të gjera të vendit dhe rajonit të Ballkanit.
Portit dhe zonës ekonomike që do të ndërtohet u nevojiten afërsisht 120-130 MW. Sipas parashikimeve të projektpropozimit, sasia e prodhuar e energjisë që tejkalon nevojat e zonës së portit, do të tregtohet brenda vendit ose do të eksportohet në vendet e rajonit, sipas kontratave bilaterale që investitori mund të nënshkruajë me palët e interesuara. Nëse këto kontrata lidhen, prodhimi nga ky central do të rritet afërsisht në 1200 MW, çka do të sjellë kërkesën e një terminali rigazifikimi LNG.
Propozimi aktual për ndërtimin e ambienteve mbështetëse të portit dhe zonës rezidenciale është parashikuar të këtë një shtrirje prej 750 ha-sh, me parashikim për t’u zgjeruar me 450 ha brenda 12 muajve, si dhe 500 ha shtesë brenda 5 vjetëve. Në total, parashikohet që zona të shtrihet në 1700 ha. Projekti parashikon disa alternativa për ristrehimin dhe shpërblimin e pronarëve të tokave ku do të realizohet zona ekonomike. Sipas propozimit, në zonën ekonomike janë regjistruar një total prej 220 strukturash (banesa, ndërtesa të braktisura, ferma, një stacion karburanti i braktisur dhe disa cisterna karburanti). Alternativat e propozuara përfshijnë ndërtimin e një sere moderne me teknologji të lartë për të rritur produktivitetin e fermerëve ekzistues, duke siguaruar fitim neto vjetor më të lartë se ai që fitojnë aktualisht, trajnim dhe punësim në zonën ekonomike, ose kompesim për tokën e tyre sipas vlerës së tregut. Të gjithë rezidentëve do t’u ofrohet një akomodim alternativ i përshtatshëm, me cilësi më të mirë se pasuritë e tyre ekzistuese.
Në përfundim të realizimit të projektit, parashikohet të gjenerohen 70 100 vende pune për ekonominë shqiptare, që përfaqësojnë një rritje të nivelit të punësimit me 6.4%.
Procedura e negociimit për lidhjen e kontratës do të ndiqet nga Komisioni i Negociimit të Kontratës, i kryesuar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Ministria e Trasportit dhe Infrastrukturës dhe Ministria e Energjisë dhe Industrisë, me anëtarë, përfaqësues të Ministrisë së Financave, Ministrisë së Drejtësisë dhe Avokaturës së Shtetit.
Ky projekt është një projekt-propozim i pa kërkuar i paraqitur nga Star Bridge Port Developments Limited, një subjekt për qëllime të veçanta, i regjistruar në Angli dhe Uells. Në këtë rast, subjekti regjistrohet me një numër aksionesh deri në 100 të autorizuara, me vlerë nominale 1£ secili, ndërkohë që hartohet dhe ekzekutohet plani i biznesit. Numri i aksioneve të autorizuara rritet vetëm pasi projekti të jetë siguruar.
SPV-ja e krijuar u shërben kompanive investitore AECOM nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, AECOM Capital dhe banka e investimeve globale William Blair me qendër në Londër, si dhe investitorëve të tjerë potencialë për të realizuar projektin e paraqitur.
Ndërsa kompanitë zbatuese që do të implementojnë projektin janë Ramboll nga Britania e Madhe, RTV Architects nga Britania e Madhe, STFA nga Turqia, dhe Summa po nga Turqia (regjistruar ne Turqi 1989).
Të gjithë anëtarët e konsorciumit, sipas relacionit kanë të ardhura të kombinuara vjetore prej mbi 21 miliardë dollarë në 2014, dhe kanë punësuar mbi 120.000 persona. Ata kanë përfunduar projekte me vlerë përtej 60 miliardë dollarë në total, duke përfshirë ndër të tjera, Duqm Port në Oman, Safi Port në Marok, Porti i Skagen në Danimarkë, Bay Port i Hustonit në Teksas, Porti i Kingstonit në Jamaika, Kompleksi i Kontenierëve në Dubai, Durban Port në Afrikën e jugut, Terminali i Kontenierëve Damieta në Egjipt, dhe Porti i Los Angelos në Kaliforni. Konsorciumi ka financuar projekte të kësaj natyre shumë herë të tjera më parë dhe ka akses në fonde globale të dedikuara për projekte në infrastrukturë të një rëndësie të ngjashme me projektin e propozuar në Karpen.
Në portofolin e punëve të kompanisë amerikane AECOM përfshihen drejtimi i punimeve për ndërtimin e Terminalit të Kontejnerëve të New York dhe zgjerimin e Portit të Botany në Sydney, Australi. AECOM ishte gjithashtu përgjegjëse për menaxhimin e programit dhe të ndërtimit të London Gateway Port, Qatar Hamad’s Port, menaxhimin e ndërtimit të Terminalit Jugor të Kontejnerëve të Colombos në Sri Lanka përfshi menaxhimin e programit të Terminalit të ri të Kontejnerëve të Busan, në Korenë e Jugut.
Për t’i rritur nivelin e efiçencës dhe menaxhimit të fondeve të projektit, Star Bridge ka ftuar William Blair për t’iu bashkuar këtij konsorciumi. William Blair është një bankë investimi globale e themeluar në Chicago që nga 1935 me mbi 1200 punonjës të vendosur në 22 zyra nëpër botë. Objekti i veprimtarisë së tyre është rritja e kapitalit, shërbime konsulence për bashkimet dhe përthithjet dhe menaxhim i aseteve. Që nga 2010, William Blair ka këshilluar mbi 750 transaksione me mbi 250 miliardë dollarë, duke përfshirë kompani dhe investitorë nga e gjithë bota.
Do'stlaringiz bilan baham: |