TEMATIKA E SOTME
Modeli i Tilerit përmblodhi parimet më të mira të hartimit të kurrikulës në gjysmën e parë të shekullit të njëzetë. Ky model është shfrytëzuar dhe përshtatur nga mjaft specialistë kurrikulash. Në fakt, shumë zbatues në shkolla e vlerësojnë modelin e Tilerit si përshkrim gjithë-përfshirës i mënyrës së krijimit të kurrikulave. Megjithatë, në këtë kohë, përshkrimet gjithë-përfshirëse, qofshin të kurrikulës, sociale, ekonomike ose politike, po kundërshtohen. Zbatuesit dhe dijetarët e kurrikulës janë të vetëdijshëm se studimi i kurrikulës dhe miratimi i saj në kohët e sotme është herë-herë i paqartë dhe gjithnjë i ndërlikuar.107 Për disa, ne kemi hyrë në epokën e përfytyrimeve kaleidoskopike postmoderne dhe nuk mund ta tkurrim kurrikulën në një çështje të veçantë ose një perceptim të vetëm të një përshkrim të ri gjithë-përfshirës.108 Nëse pranojmë se jetojmë në një kohë postmoderne, sigurisht duhet të pranojmë se kurrë më parë nuk ka patur kohë më të ndërlikuar se kjo.
Analizat e kohërave të sotme dhe atyre që po vijnë, sugjerojnë se vendim-marrësit e kurrikulave duhet të mbajnë lidhje me të ngushta me historianët e kurrikulës, sidomos me ata historianë të kurrikulës që përqëndrohen në kohët e fundit. Siç vë në dukje Gudsan, nevoja që specialistët e kurrikulave të angazhohen në dialog me historianët e kurrikulave, do të vazhdojë të shtohet me ndërgjegjësimin që puna hulumtuese do t’u mundësojë arsimtarëve një kuptim më të plotë të kuadrit të përgjithshëm brenda të cilit janë krijuar, krijohen dhe zhvillohen kurrikulat.109 Historianët e kurrikulave do të zbulojnë nëntekste që kanë ekzistuar dhe vazhdojnë të ekzistojnë brenda veprimtarisë njerëzore të vendosur në një kuadër kohor.
Ka kaluar koha kur mund të pranojmë pa mëdyshje “llojin e shkencës që ka sunduar në hulumtimin në arsim, përfshirë zhvillimin (e kurrikulës), që ka ushqyer besimin në përpikmërinë e nxjerrë jashtë kontekstit, me qëllimin e vetëm të administrimit dhe kontrollit.”110 Kjo çoi në modele preskriptive të kurrikulës dhe mësimdhënies, metoda të njëtrajtshme të mësimdhënies e testimit, dhe rezultate të të mësuarit që mund të standardizohen e të maten. Kjo prirje drejt parimeve shkencore, pranimi i një përshkrimi gjithë-përfshirës në lidhje me hartimin e kurrikulave dhe hulumtimet në arsim, në përgjithësi, ka sjellë si pasojë forma joshprehëse dhe joemocionale të arsimit, një arsim asnjanës ndaj vlerave, teknik dhe që shpërfill shpirtin njerëzor.111
Sot një numër specialistësh të kurrikulave, si Maik Epëll, Maksin Grin, Herb Klibard, Gail Mekuçën, Uilliam Pinar dhe Uilliam Doll, e kanë humbur besimin në aftësinë e parimeve shkencore dhe modeleve teknike për zgjidhjen e problemeve të kurrikulës. Ashtu si Eisner, ata u janë kthyer koncepteve të ndryshme vetjake, estetike dhe gjuhësore për formulimin ose, më mirë akoma, riformulimin e kurrikulës.
Nëse besoni se studimi i bazave historike do të mundësojë një kuptim më të mirë të fushës së kurrikulës si në të shkuarën ashtu dhe në të tashmen, mund të zhgënjeheni. Sigurisht, ky studim do të na lejojë të krijojmë programe, por ne duhet të ndërgjegjësohemi se krijimet tona nuk janë procedura shkencore të përhershme në të cilat mund të mbështetemi, pavarësisht nga kohërat. Përkundrazi, procedurat tona ndikohen mjaft nga kohërat, nga nivelet e njohjes së koncepteve dhe parimeve të krijimit dhe përdorimit të kurrikulës, dhe nga fakti se jemi njerëz në ndryshim, në rritje.
Në pranimin e historisë së kurrikulës si bazë themelore për të gjithë ata që janë përfshirë në veprimtarinë për kurrikulën, angazhimet tona me kurrikulën duhet t’i lidhim me të gjitha sferat e veprimtarisë njerëzore. Duke patur ndjenjën historike, do të bëhemi të vetëdijshëm se dialogu dhe bashkëpunimi janë të rëndësishëm. Ne duhet të kuptojmë se veprimtaria për kurrikulën ekziston brenda “konfiguracioneve të faktorëve që lidhen me kohën dhe specifikën sipas kontekstit” dhe nga kjo dinamikë më tepër lindin veprimet e duhura në kohë të caktuara se sa një sistem i vetëm si më i miri.112
Ndjenja historike e kurrikulës na mundëson të kuptojmë dhe provojmë faktin se fusha e kurrikulës është dinamike dhe vazhdon të zhvillohet. Ajo po shtrihet përtej shkollave dhe po përfshin programe në fushat e biznesit, industrisë, ushtrisë, qeverisjes dhe shëndetësisë, po përfshin përmbajtje dhe njohuri nga shumë disiplina të tjera si filozofia, psikologjia, sociologjia dhe shkenca politike. Kjo fushë ka shfrytëzuar edhe dijet që shtrihen përtej fizikes dhe asaj që duket. Përmasat shpirtërore të qenieve njerëzore po vlerësohen si përmbajtja e duhur e kurrikulës.
Këto drejtime të reja do të ngrejnë çështje të shumta dhe do të nxisin metoda të reja hulumtimi, procedura të reja kërkimi. Specialistët e kurrikulave po përshtasin mjetet e metodologjive cilësore dhe sasiore të hulumtimit: duke shfrytëzuar fushat e shkencës kompjuterike dhe kibernetikës, metodat e reja në teknologjinë e mësimdhënies; dhe duke përfshirë procedura të reja të analizës së sistemit. Më një fjalë, kurrikula përbën një fushë studimore gjithnjë e më dinamike e të larmishme; në kuptimin modern e postmodern, ajo po bëhet më ndërdisiplinore, shkencore dhe cilësore.
PËRFUNDIM
Nga periudha koloniale deri pak para Luftës së Parë Botërore, kurrikula ishte çështje e evoluimit të përmbajtjes. Disa ide për reformë kishin të bënin me parimet pedagogjike, kryesisht si pasojë e ndikimit evropian dhe lindjes së lëvizjes përparimtare për reformë në mes dhe në fund të shekullit të nëntëmbëdhjetë. Por këto ide kufizoheshin në diskutime teorike dhe vetëm në pak shkolla të reja. Kurrikula perenialiste, që e vinte theksin në klasikët dhe vlerat e amshuara dhe absolute të mbështetura tek feja dhe më pas doktrinat morale, mbetën sunduese për 150 vitet e para të historisë së kombit tonë.
Me fillimin e shekullit të njëzetë, bashkë me theksin në parimet shkencore dhe filozofinë progresive, filloi të marrë formë edhe ideja e parimeve dhe proceseve të kurrikulës. Që nga vitet 1920, kurrikula si fushë studimi, me metodat, teoritë dhe mënyrat e veta të zgjidhjes së problemeve, ka bërë një përparim të dukshëm. Në të vërtetë, shumë prej përparimeve kanë ndodhur që kur Tiler shkroi tekstin themelor mbi kurrikulën. Pjesa më e madhe e këtyre përparime diskutohen përsëri në këtë tekst.
Do'stlaringiz bilan baham: |