VENDIM NË EMËR TË REPUBLIKËS
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë i përbërë nga:
Ardian Nuni Kryesues
Majlinda Andrea Anëtare
Mirela Fana Anëtare
në seancën gjyqësore të datës 31.03.2016 mori në shqyrtim çështjen civile me nr.03246/13, që u përket palëve:
KËRKUES: Viktor Sherifaj (në mungesë)
PERSONA Të INTERESUAR: AGIM SHEHU, BARDHYL SHEHU, të përfaqësuar nga av. Shpëtim Beqiraj
OBJEKTI:
Sigurimi i padisë duke pezulluar ekzekutimin e vendimit
nr.445, datë 21.02.2008 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë,
lënë në fuqi me vendimin nr.462 datë 17.05.2010 të Gjykatës së Apelit Vlorë.
Baza Ligjore: Neni 203 i K.Pr.Civile
i lidhur me nenet 202, 205, dhe 206, të Kodit të Procedurës Civile.
Gjykata e Apelit Tiranë, me vendimin nr.466, datë 26.07.2013, ka vendosur:
“Pranimin e kërkesës. Pezullimin e ekzekutimit të vendimit gjyqësor nr.445 dt. 21.02.2008 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë derisa të shqyrtohet në Gjykatën e Apelit Tiranë, çështja e themelit të gjykimit”.
Kundër këtij vendimi ka ushtruar rekurs Agim Shehu me të cilin kërkon “Prishjen e vendimit nr.466, datë 26.07.2013 të Gjykatës së Apelit Tiranë dhe pushimin shqyrtimit të kërkesës, për këto shkaqe:
-
Së pari: Gjykimi i kësaj kërkese është bërë në mungesën tonë dhe në kundërshtim me parashikimin e nenit 205/2 i K.Pr.Civile. Sipas kësaj dispozite Kërkesa, si rregull, shqyrtohet në prani të palëve, por në raste të veçanta ose të ngutshme, mund të shqyrtohet edhe pa u thirrur pala tjetër. Në rastin tonë Gjykata e Apelit për asnjë moment nuk arsyeton se përse ne këtë rast ndodhemi në kushtet veçanta apo të ngutshme, që e bënin të domosdoshme zhvillimin e këtij gjykimi në mungesë, kur për më tepër vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë i pezulluar prej saj është dhënë që në vitin 2008, pra mbi 5 vjet më parë.
-
Së dyti: Sipas nenit 205/1 të K.Pr.Civile rezulton se Sigurimi i padisë mund të lejohet për të gjithë padinë, ose vetëm për ato pjesë të saj, që gjykata i gjen të bazuara, në përputhje me rregullat e parashikuara në nenin 202 të këtij Kodi. Nga kjo dispozitë rezulton qartësisht se Gjykata mund të vendosë masën e sigurimit të padisë vetëm për sa i përket objektit të padisë që është njëkohësisht edhe objekt i mosmarrëveshjes. Vendimi nr.445, datë 21.02.2008 i Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë nuk është objekt i padisë, por përkundrazi objekt është ligjshmëria e vendimit nr.64, datë 12.12.1996 të KKKP Vlorë. Pra, në këtë rast Gjykata e Apelit ka disponuar tej objektit të mosmarrëveshjes duke u marrë me një çështje tjetër gjyqësore.
-
Së treti: Gjykata e Apelit Tiranë, ka dhënë një vendim haptazi në mungesë të kompetencës së saj lëndore. Dispozita ku Gjykata e Apelit bazohet në dhënien e këtij vendimi është neni 203/1 i K.Pr.Civile, dispozitë e cila parashikon se: Sigurimi i padisë lejohet për të gjitha llojet e padive dhe në çdo fazë të gjykimit, derisa vendimi të marrë formë të prerë. Sigurimi i padisë lejohet edhe nga Gjykata e Apelit, kur padia është duke u shqyrtuar prej saj.
-
Fjalia e fundit e këtij paragrafi është i zbatueshëm vetëm në ato raste kur Gjykata e Apelit gjykon me juridiksion fillestar, pra, si gjykatë e shkallës së parë. Një juridiksion i tille për këtë gjykatë parashikohet në rastin e ligjit nr.8471, datë 08.04.1999 "Për nxjerrjen e detyrimeve debitorë dhe kthimin e vlerave pasurore në llogarinë e personave juridikë, jobankar që kanë marrë hua nga publiku i gjerë", ligji nr.9877, datë 18.02.2008 "Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë" dhe ligji nr.8737, datë 12.02.2001 "Për organizimin e prokurorisë në Republikën e Shqipërisë, por përkundrazi ajo është duke shqyrtuar ankimin kundër vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë. Pra, në rastin konkret Gjykata e Apetit Tiranë është duke shqyrtuar ligjshmërinë e vendimit e gjykatës më të ulët dhe jo padinë e paraqitur nga palët.
-
Së katërti: Ky kërkim i paditësit Viktor Sherifaj është paraqitur edhe në Gjykatën e Shkallës së Parë Tiranë, e cila me vendim të ndërmjetëm vendosi rrëzimin e kësaj kërkesë. Në këtë rast paditësit Viktor Sherifaj i njihej mundësia që bashkë me ankimin kundër vendimit përfundimtar të bënte edhe ankim për rrëzimin e masës së sigurimit, por në ankimin e paraqitur prej tij një kërkim i tillë nuk është pasqyruar as në objektin e ankimit dhe as në përmbajtjen e tij. Përsa më sipër në bazë të nenit 459 të K.Pr.Civile, ky ankim i tij ka rënë në dekadencë dhe nuk mundej që të paraqitej si një kërkesë e veçantë dy muaj mbasi ishte dhënë vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë e cila mban datën 27.05.2013, ndërkohë që kërkesa në Gjykatën e Apelit për sigurimin e padisë është paraqitur me datë 25.07.2013, pra jashtë afatit 15 ditor.
-
Së pesti: Gjykata e Apelit Tiranë në dhënien e këtij vendimi ka vepruar në kundërshtim me konkluzionet e vendimit unifikues nr.10, datë 24.03.2004 të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë të cilat kanë përcaktuar se:
-
Gjykatat vendimin për marrjen e masës se përkohshme për sigurimin e padisë nuk duhet ta mbështesin në fakte apo veprime, si dhe në cilësimin juridik të tyre, që kanë të bëjnë me shqyrtimin dhe zgjidhjen e çështjes në themel.
-
Gjithashtu shqyrtimi i kërkesës për marrjen e masës së sigurimit të padisë duhet të trajtohet në një mënyrë të tillë që të shmangë çdo lloj perceptimi sipas të cilit gjykata e ka paragjykuar zgjidhjen e çështjes në themel apo nuk është e paanshme në gjykim.
-
Në kundërshtim me sa më sipër Gjykata e Apelit Tiranë, në paragrafin 23 të vendimit, faqe 8, shprehet se “Për sa më lart duke qenë se provohet pretendimi i kërkuesit se dokumenti Akt-Njoftunie Zotenimi, nr.89, datë 20 korrik 1942 së bashku me skicën e vendosjes se pronës, janë të falsifikuara...”.
-
Nga sa më sipër rezulton qartësisht se Gjykata e Apelit Tiranë e ka mbështetur vendimin e saj në fakte, veprime dhe në cilësime që kanë të bëjnë me themelin e çështjes. E thënë ndryshe për Gjykatën e Apelit, këto dy dokumente janë të falsifikuara, pra i ka dhënë zgjidhje themelit të çështjes.
-
Duke vepruar në këtë mënyrë kjo gjykata ka treguar se tashmë e ka të paragjykuar çështjen dhe zgjidhjen e saj.
-
Së gjashti: Gjykata e Apelit Tiranë, në mënyrë të kundraligjshme dhe duke cenuar parimin e sigurisë juridike ka pezulluar zbatimin e një vendimi gjyqësor të formës së prerë. Kështu siç rezulton edhe nga vete përmbajtja e vendimit gjyqësor objekt ankimi rezulton se vendimi nr.445, datë 21.02.2008 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, është lënë në fuqi me vendimin nr.462, datë 17.05.2010 të Gjykatës së Apelit Vlorë, ndërsa Gjykata e Lartë me vendimin nr.00-2012-861, datë 12.04.2012 ka vendosur mospranimin e rekursit.
-
Pra, në këtë rast Gjykata e Apelit Tiranë e ka konsideruar vetën e saj si një gjykatë me të lartë dhe eprore në raport me Gjykatën e Apelit Vlorë dhe me Gjykatën e Lartë, duke i pezulluar atyre vendimet gjyqësore, kur një e drejtë e tillë në fakt i është lënë vetëm Gjykatës së Lartë në bazë të nenit 479 të K.Pr.Civile.
-
Përkundrazi, konkluzionet që ka arritur Gjykata Shkallës së Parë Vlore, Gjykata e Apelit Vlorë dhe Gjykata e Lartë janë detyruese për vetë Gjykatën e Apelit Tiranë. Gjykata Kushtetuese është shprehur: “Gjykata çmon se vendimi gjyqësor i formës së prerë që përbën "gjë të gjykuar” është shprehje e konkretizim i të drejtës mbi marrëdhënien juridike dhe ka qëllim t'i japë jo vetëm qartësi, por dhe siguri kësaj marrëdhënie.
-
Siguria juridike nënkupton, ndërmjet të tjerash, garantimin e besueshmërisë së individit tek shteti, institucionet e tij dhe tek aktet që ato nxjerrin. Ndërsa, në kontekstin e çështjes në shqyrtim, siguria juridike nënkupton që, në rastet kur gjykata ka vendosur përfundimisht për një çështje, vendimi i sai nuk duhet të vihet në dyshim”.
KOLEGJI CIVIL I GJYKATËS SË LARTË
pasi dëgjoi relatimin e gjyqtarit Ardian Nuni; përfaqësuesin e subjekteve të interesuar Agim Shehu dhe Bashkim Shehu, avokatin Shpëtim Beqiraj, që kërkoi prishjen e vendimit të gjykatës së apelit dhe pushimin e gjykimit të çështjes, dhe si bisedoi çështjen në tërësi,
V Ë R E N
Rrethanat e Çështjes
1. Nga materialet e dosjes gjyqësore rezulton se midis kërkuesit të këtij gjykimi Viktor Sherifaj e Petrit Sherifaj dhe Agim Shehu, Bardhyl Shehu, Petrit Bakalli, Esmeralda Abdi (Bakalli) etj., Agjensia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave Tiranë janë zhvilluar disa procese gjyqësore.
2. Rezulton se mbi padinë e Bardhyl Shehu kundër të paditurit Petrit Sherifaj e person i tretë Viktor Sherifaj, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë, me vendimin nr.445, datë 21.02.2008, ka detyruara të paditurin Petrit Sherifi dhe personin e tretë Viktor Sherifi “...të lirojnë dhe dorëzojnë sipërfaqen e truallit prej 614 m2 në vendin e quajtur ‘Tregu i orizit” me këtë kufij...” dhe “Detyrimin e të paditurit Petrit Sherifi të kthejë këtë truall në gjendjen e mëparshme duke prishur të gjitha ndërtimet që ka bërë”.
2.1. Gjykata e Apelit Vlorë, me vendimin nr.462, datë 17.05.2010, lënë në fuqi vendimin nr.445, datë 21.02.2008 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë.
2.2. Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë, me vendimin nr.861, datë 12.04.2012, nuk ka pranuar rekursin e paraqitur nga i padituri Petrit Sherifi dhe personi i tretë Viktor Sherifi kundër vendimit nr.462, datë 17.05.2010 të Gjykatës së Apelit Vlorë.
3. Rezulton se mbi padinë e Petrit Sherifaj dhe Viktor Sherifaj kundër Agim Shehu, Bardhyl Shehu, Petrit Bakalli, Esmeralda Abdi (Bakalli) etj., Agjensia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave Tiranë, me objekt: Kundërshtimin e vendimit të Komisionit të kthimit dhe Kompensimit të Pronave të qarkut Vlorë me nr.64, datë 12.12.1994, sigurimin e padisë me pezullim të ekzekutimit të vendimit nr.445, datë 21.02.2008 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, lënë në fuqi me vendimin nr.462, datë 17.05.2010 të Gjykatës së Apelit Vlorë, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendimin nr.5867, datë 27.05.2013, ka vendosur rrëzimin e kërkesë padisë.
3.1. Kundër këtij vendimi pala paditëse, Viktor Sherifaj më datë 05.06.2013 ka ushtruar ankim dhe Gjykata e Apelit Tiranë, me vendimin nr.1213, datë 04.04.2014, ka prishur vendimin e gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe e ka dërguar çështjen për rigjykim po pranë asaj gjykate me tjetër trup gjykues.
3.3. Në rigjykim, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendimin nr.8966, datë 19.09.2014 ka shpallur moskompetencën tokësore dhe ka dërguar çështjen për shqyrtim në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Vlorë.
3.4. Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë, me vendimin nr.00-2015-3215, datë 29.09.2015, ka lënë në fuqi vendimin nr.8966, datë 19.09.2014 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe çështja vazhdon të jetë në shqyrtim nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë.
4. Ndërkohë, kërkuesi i këtij gjykimi, Viktor Sherifaj me pretendimin se është vënë në dijeni prej “Shoqërisë Përmbarimore Private AB”, Tiranë për ekzekutimin e vendimit nr.445, datë 21.02.2008 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, lënë në fuqi me vendimin nr.462, datë 17.05.2010 të Gjykatës së Apelit Vlorë.
5. Në këto rrethana dhe gjatë kohës që në Gjykatën e Apelit ishte regjistruar për shqyrtim çështja që i përkiste kundërshtimit të vendimit nr.5867, datë 27.05.2013 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, kërkuesi Viktor Sherifaj, bazuar në “Neni 202 i K.Pr.Civile i lidhur me nenet 202, 205 dhe 206/b të K.Pr.Civile”, ka paraqitur kërkesë pranë Gjykatës së Apelit Tiranë,[1] duke kërkuar: “Sigurimi i padisë duke pezulluar ekzekutimin e vendimit nr.445, datë 21.02.2008 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, lënë në fuqi me vendimin nr.462, datë 17.05.2010 të Gjykatës së Apelit Vlorë”.
5.1. Në themel të kërkimit kërkuesi Viktor Sherifaj ka parashtruar: (i) vendimi nr.445, datë 21.02.2008 i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë dhe vendimi nr.64, datë 12.12.1994 i Komisionit të Kthimit të Pronave janë bazuar në dokumente të falsifikuara; (ii) çështja me të cilin është kundërshtuar vendimi nr.64, datë 12.12.1994 i Komisionit të Kthimit të Pronave për të cilën është dhënë vendimi nr.5867, datë 27.05.2013 nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë është për shqyrtim pranë Gjykatës së Apelit Tiranë; (iii) ekzekutimi i vendimit të formës së prerë nr.445, datë 21.02.2008 i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë “...do të sillte një dëm të rëndë dhe të pariparueshëm të të drejtave pasurore të palës paditëse, kërkuesit Viktor Sherifaj”, pasi do të prishet shtëpia ku banon familja dhe ndërkohë ky ndërtim është në proces legalizimi; (iv) ekzistojnë kushtet e kërkuara nga nenet 202, 203, 205 dhe 206/b të Kodit të Procedurës Civile për t’u vendosur sigurimi i padisë duke u pezulluar vendimi gjyqësor i formës së prerë i vënë në ekzekutim të detyrueshëm.
6. Gjykata e Apelit Tiranë, me vendimin nr.466, datë 26.07.2013, ka pranuar kërkesën duke vendosur: “Pezullimin e ekzekutimit të vendimit gjyqësor nr.445, dt. 21.02.2008, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë derisa të shqyrtohet në Gjykatën e Apelit Tiranë, çështja e themelit të gjykimit”.
6.1. Në pranimin e kërkesës, gjykata e apelit, pasi citon nenet 202, 203 dhe 206 të Kodit të procedurës Civile, arsyeton: - referuar vendimit gjyqësor të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë nr.5867, datë 27.05.2013 “U provua në gjykim se çështja është regjistruar në Gjykatën e Apelit Tiranë, me nr.4282 Regj. Themeltar dt. 26.07.2013, por ende nuk është hedhur në short elektronik”, ndërkohë “Pala paditëse Viktor Sherifaj është vënë në dijeni prej “Shoqërisë Përmbarimore Private AB”, Tiranë..., për ekzekutimin e vendimit nr.445, datë 21.02.2008 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë,...”; - “..., pala paditëse ka zbuluar fakte që ky vendim është marrë mbi bazën e dokumenteve të falsifikuara të vërtetuara me vendim të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë dhe Aktit të Ekspertimit”; - “Në referencë dhe në interpretim të neneve 202 dhe 203 të K.Pr.Civile, në gjykime të këtij lloji, në mënyrë që gjykata të vendosë për marrjen e një mase sigurimi padie (të parashikuara këto të fundit në nenin 206 të K.Pr.Civile), duhet të hetojnë ekzistencën e dy kushteve themelore: a) ekzistenca e mundshme e një të drejte për të cilën kërkohet mbrojtje gjatë procesit të gjykimit të padisë; dhe b) ekzistenca e frikës, që ekzekutimi i vendimit për të drejtën që kërkohet të mbrohet do të bëhet i pamundur ose i vështirë”; - “Në gjykimin e kërkesës për sigurimin e padisë nuk është e domosdoshme, që të jetë vërtetuar plotësisht ekzistenca e së drejtës që është edhe objekti i shqyrtimit gjyqësor dhe që ka lidhje me themelin e çështjes, por vetëm të ekzistojë mundësia e të drejtës që kërkohet të rivendoset si dhe frika, që ekzekutimi i vendimit për të drejtën që kërkohet të mbrohet do të bëhet i pamundur ose i vështirë”; - “Është e qartë që në nenin 202, paragrafi “b” të K.Pr.Civile është bërë edhe një parashikim tjetër që gjykata të mund të marrë apo të lejojë masën për sigurimin e padisë, siç është dhënia e një garancie nga ana e palës paditëse për zhdëmtimin e dëmeve eventuale që mund t’i vijnë anës së paditur nga kjo lloj mase; por, në interpretim dhe analizë të dispozitës së mësipërme (neni 202 duhet interpretuar në tërësinë e tij), rezulton që nuk është e domosdoshme plotësimi në mënyrë të menjëhershme dhe të kondicionuar i të dyja kushteve të parashikuara në këtë normë procedurale. Është pikërisht gjykata, ajo e cila në respektim të kësaj norme procedurale, pasi konstaton se plotësohen kushtet themelore për marrjen e kësaj mase (kushtet e përmendura më sipër) vendos nëse është e domosdoshme të vihet edhe garanci pasurore apo jo nga ana e palës paditëse”; - “Gjykata e Apelit vlerëson se marrja e kësaj mase nuk përbën masë që përshtatet me kërkimin e themelit që bën pala paditëse. Kjo masë nga ana tjetër nuk paragjykon as vendimin përfundimtar që do të japë gjykata. Gjykata është e pavarur dhe e paanshme në marrjen e vendimit përfundimtar dhe këtë të fundit e mbështet vetëm në faktet dhe provat që dalin gjatë hetimit gjyqësor dhe në përputhje me drejtën që zbatohet në rastin konkret”; - “Për sa më lart, duke qenë se provohet pretendimi i kërkuesit se, dokumenti Akt-Njoftunie Zotënimi, nr.89, date 20 korrik 1942, së bashku me skicën e vendosjes së pronës, janë të falsifikuara, Gjykata e Apelit Tiranë çmon se duhet të pranohet kërkesa duke marrë masën paraprake të sigurimit të padisë e duke vendosur pezullimin e ekzekutimit te vendimit nr.445, date 21.02.2008 te Gjykatës se Rrethit Gjyqësor Vlorë, lënë në fuqi me vendimin nr.462, date 17.05.2010 te Gjykatës se Apelit Vlore, deri sa të shqyrtohet çështja e themelit të gjykimit në Gjykatën e Apelit Tiranë”.
7. Kundër këtij vendimi ka ushtruar rekurs Agim Shehu me të cilin kërkon “Prishjen e vendimit nr.466, datë 26.07.2013 të Gjykatës së Apelit Tiranë dhe pushimin shqyrtimit të kërkesës, për shkaqet e pasqyruara në pjesën hyrëse të këtij vendimi.
LIGJI I ZBATUESHËM
8. Dispozitat e Kodit të Procedurës Civile në të cilat është parashikuar:
8.1. Neni 1§1 i K.Pr.Civile: “Kodi i Procedurës Civile i Republikës së Shqipërisë cakton rregulla të detyrueshme, të njëjta e të barabarta, për gjykimin e mosmarrëveshjeve civile e të mosmarrëveshjeve të tjera të parashikuara në këtë Kod e në ligje të veçanta”.
8.2. Neni 16 i K.Pr.Civile: “Gjykata zgjidh mosmarrëveshjen në përputhje me dispozitat ligjore dhe normat e tjera në fuqi, që janë të detyrueshme të zbatohen prej saj. Ajo bën një cilësim të saktë të fakteve dhe veprimeve që lidhen me mosmarrëveshjen, pa u lidhur me përcaktimin që mund të propozojnë palët”.
8.3. Neni 469 i K.Pr.Civile: “Kur prishet vendimi i shkallës së parë dhe çështja dërgohet për rigjykim, pezullohet ekzekutimi i vendimit.
Gjykata e apelit me kërkesën e palës mund të vendosë pezullimin e ekzekutimit të vendimit edhe kur ajo le në fuqi vendimin e gjykatës së shkallës së parë, kur kundër vendimit të saj bëhet rekurs në Gjykatën e Lartë dhe nga ekzekutimi i menjëhershëm i vendimit mund të vijnë pasoja të rënda ose të pariparueshme, si dhe kur pala që ka bërë rekursin jep garanci materiale që siguron ekzekutimin e vendimit”.
KOLEGJI CIVIL I GJYKATËS SË LARTË VLERËSON
9. Se ndodhemi përpara kushteve ligjore kur duhet të vendoset pushimi i gjykimit të çështjes.
10. Nga materialet e dosjes gjyqësore evidentohet se kërkuesi Viktor Sherifaj, me pretendimin se: (i) ekzekutimi i vendimi të formës së prerë nr.445, datë 21.02.2008 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë “...do të sillte një dëm të rëndë dhe të pariparueshëm të të drejtave pasurore të palës paditëse, kërkuesit Viktor Sherifaj”; (ii) ky vendim dhe vendimi nr.64, datë 12.12.1994 i Komisionit të Kthimit të Pronave janë bazuar në dokumente të falsifikuara dhe se (iii) çështja, që i përket vendimit nr.5867, datë 27.05.2013 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, me të cilin është rrëzuar padia për kundërshtimin e vendimit nr.64, datë 12.12.1994 të Komisionit të Kthimit të Pronave, është për shqyrtim pranë Gjykatës së Apelit Tiranë, ka kërkuar: “Sigurimi i padisë duke pezulluar ekzekutimin e vendimit nr.445, datë 21.02.2008 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, lënë në fuqi me vendimin nr.462, datë 17.05.2010 të Gjykatës së Apelit Vlorë”.
11. Gjykata e Apelit Tiranë, me vendimin nr.466, datë 26.07.2013, ka pranuar kërkesën, duke pezulluar ekzekutimin e “...vendimit gjyqësor nr.445 dt. 21.02.2008 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë derisa të shqyrtohet në Gjykatën e Apelit Tiranë, çështja e themelit të gjykimit”.
11.1. Në pranimin e kërkesës, gjykata e apelit, referuar çështjes civile që është regjistruar pranë saj me nr.4282 Regj. Themeltar, datë 26.07.2013, në thelb, arsyeton: (i) “..., pala paditëse ka zbuluar fakte që ky vendim është marrë mbi bazën e dokumenteve të falsifikuara të vërtetuara me vendim të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë dhe Aktit të Ekspertimit”; (ii) referuar neneve 202, 203, 205 dhe 206/b të Kodit të Procedurës Civile “Është pikërisht gjykata, ajo e cila në respektim të kësaj norme procedurale, pasi konstaton se plotësohen kushtet themelore për marrjen e kësaj mase (kushtet e përmendura më sipër) vendos nëse është e domosdoshme të vihet edhe garanci pasurore apo jo nga ana e palës paditëse”; (iii) “Gjykata e Apelit vlerëson se marrja e kësaj mase nuk përbën masë që përshtatet me kërkimin e themelit që bën pala paditëse. Kjo masë nga ana tjetër nuk paragjykon as vendimin përfundimtar që do të japë gjykata”; (iv) “Për sa më lart, duke qenë se provohet pretendimi i kërkuesit se, dokumenti Akt-Njoftunie Zotënimi, nr.89, date 20 korrik 1942, së bashku me skicën e vendosjes së pronës, janë të falsifikuara, Gjykata e Apelit Tiranë çmon se duhet të pranohet kërkesa duke marrë masën paraprake të sigurimit të padisë e duke vendosur pezullimin e ekzekutimit te vendimit nr.445, date 21.02.2008 te Gjykatës se Rrethit Gjyqësor Vlorë, lënë në fuqi me vendimin nr.462, date 17.05.2010 te Gjykatës se Apelit Vlore, deri sa të shqyrtohet çështja e themelit të gjykimit në Gjykatën e Apelit Tiranë”.
12. Kundër këtij vendimi ka ushtruar rekurs Agim Shehu me të cilin kërkon “Prishjen e vendimit nr.466, datë 26.07.2013 të Gjykatës së Apelit Tiranë dhe pushimin shqyrtimit të kërkesës, për shkaqet e pasqyruara në pjesën hyrëse të këtij vendimi.
12.1. Gjykata e Lartë është vënë në lëvizje mbi ankimin e palës paditëse të gjykimit për të cilin është dhënë vendimi gjyqësor i formës së prerë ekzekutimi i të cilit kërkohet të pezullohet dhe, njëkohësisht është edhe i paditur në gjykimin e çështjes tjetër që është për shqyrtim pranë Gjykatës së Apelit Tiranë.
12.2. Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë, referuar dispozitave të Kodit të Procedurës Civile dhe praktikës së njësuar të Gjykatës së Lartë[1] në raport me situatën juridike të mësipërme, ankuesin e konsideron si një nga subjekt që i njihet e drejta për të ushtruar ankim kundër vendimit nr.466, datë 26.07.2013 të Gjykatës së Apelit Tiranë.
13. Ndërkohë, nga materialet e dosjes gjyqësore evidentohet se Gjykata e Apelit Tiranë ka marrë në shqyrtim ankimin e Viktor Sherifaj kundër vendimit nr.5867, datë 27.05.2013 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe me vendimin nr.1213, datë 04.04.2014, ka prishur vendimin e gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe e ka dërguar çështjen për rigjykim po pranë asaj gjykate me tjetër trup gjykues.
13.1. Në rigjykim, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendimin nr.8966, datë 19.09.2014, ka shpallur moskompetencën tokësore dhe ka dërguar çështjen për shqyrtim në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Vlorë dhe çështja vazhdon të jetë në shqyrtim nga po kjo gjykatë.
14. Në referencë të përmbajtjes së vendimit gjyqësor të formës së prerë të vënë në ekzekutim të detyrueshëm dhe vendimit gjyqësor që është ankimuar dhe ka qenë për shqyrtim pranë Gjykatës së Apelit Tiranë rezulton se ndodhemi përpara dy çështjeve të ndryshme civile që janë inicuar nga padi të ndryshme. Në se këto çështje kanë ose jo lidhje e ndërvarje nga njëra tjetra, kjo nuk është objekt shqyrtimi i kërkesës së paraqitur nga Viktor Sherifaj.
15. Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë, në vështrim të dispozitave të Kodit të Procedurës Civile që rregullojnë kompetencën lëndore të gjykatave civile të apelit dhe të ligjit “Për Organizimin e Pushtetit Gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”[2], në raport me: (i) të drejtën subjektive të synuar për tu mbrojtur nga pala kërkuese nëpërmjet kërkesës së paraqitur; (ii) objektin e kërkesës dhe (iii) shkakun e saj, arrin në përfundimin se për rastin konkret gjykimi i kësaj çështje në Gjykatën e Apelit Tiranë është tej kompetencës lëndore të kësaj gjykate.
16. Ky kolegj sjell në vëmendje të gjykatës së apelit se nuk mund të njësohet dhe të gjejnë zbatim dispozitat e Kodit të Procedurës Civile që parashikojnë masat e sigurimit të padisë edhe në rastet kur kërkohet pezullimi i ekzekutimit të detyrueshëm të një titulli ekzekutiv, sikurse gabimisht ka arsyetuar gjykata e apelit.
16.1. Pra, gjykata e apelit gabon kur njëson sigurimin e padisë me pezullimin e ekzekutimit të detyrueshëm të një titulli ekzekutiv, për rastin të një vendimi gjyqësor të formës së prerë. Pavarësisht nga ngjashmëritë që kanë këto dy institute të së drejtës proceduriale civile, si masa me karakter të përkohshëm, ato dallojnë nga njëri tjetri si për nga përmbajtja, për nga natyra e tyre juridike, ashtu edhe për nga kompetenca lëndore e gjykatës që merr në shqyrtim kërkesën përkatëse.
16.1.a) Sigurimi i padisë ka për qëllim që, përpara se të jetë vërtetuar vullneti i ligjit nëpërmjet një vendimi gjyqësor të formës së prerë apo gjatë gjykimit të vërtetimit të këtij vullneti, të garantojë dhe/ose të shmangë paraprakisht rrezikun që ekzekutimi i vendimit për të drejtat e paditësit apo kundërpaditësit të bëhet i pamundur ose i vështirë.
16.1.b) Kërkesa për sigurimin e padisë është gjithmonë e lidhur me një marrëdhënie funksionale dhe plotësueshmërie me padinë e ngritur ose që do të ngrihet së shpejti. Kjo marrëdhënie jepet dhe përcaktohet nga fakti që, sigurimi që kërkohet, ka për qëllim që të garantojë rezultatin e dobishëm të padisë.
16.1.c) Shqyrtimi i kërkesës së sigurimit të padisë është në kompetencë lëndore të gjykatave të shkallëve të para dhe/ose i gjykatave të apelit. Këto të fundit kanë kompetencë të shqyrtojnë dhe të marrin masën e sigurimit të padisë vetëm atëherë “kur padia është duke u shqyrtuar prej saj” dhe në asnjë rast kjo masë nuk mund të merret gjatë fazës së ekzekutimit (neni 203 i K.Pr.Civile).[1] Për më tepër, kjo masë e përkohshme nuk mund të merret ndaj një vendimi gjyqësor civil të formës së prerë tej padisë mbi të cilën ai ka dalë dhe për një padi tjetër, sikurse është rasti në shqyrtim.
16.2. E ndryshme është situata juridike dhe ajo faktike kur kërkohet pezullimi i ekzekutimit të një titulli ekzekutiv. Si rregull, në këto raste gjejnë zbatim dispozitat e pjesës së katërt të Kodit të Procedurës Civile, sipas të cilave shqyrtimi i kërkesave për pezullim të ekzekutimit të detyrueshëm është në kompetencën lëndore të gjykatave të shkallëve të para, me përjashtim të rasteve të parashikuara nga nenet 469 dhe 479 të Kodit të Procedurës Civile dhe në rastet kur gjykatat e apelit gjykojnë si shkallë e parë, parashikuar në ligje të veçanta.[2]
16.2.a) Sipas nenit 469 të Kodit të Procedurës Civile, gjykata e apelit merr në shqyrtim kërkesën për pezullim të ekzekutimit të vendimit kur: (i) le në fuqi vendimin e gjykatës së shkallës së parë ndaj të cilit është ushtruar rekurs në Gjykatën e Lartë; (ii) nga ekzekutimi i menjëhershëm i këtij vendimi mund të vijnë pasoja të rënda ose të pariparueshme, si dhe (iii) kur pala që ka bërë rekursin jep garanci materiale që siguron ekzekutimin e vendimit; por gjithnjë për një vendim të dhënë prej kësaj gjykate pas shqyrtimit të ankimit dhe jo për rastet kur kërkohet pezullimi i një vendimi gjyqësor të formës së prerë që është marrë mbi një padi tjetër, sikurse ka vepruar gjykata e apelit në rastin konkret.
17. Duke iu kthyer rastit konkret vlerësohet se nuk janë të qenësishme asnjë prej kushteve ligjore të mësipërme që gjykata e apelit të ishte investuar për shqyrtimin e kërkesës së kërkuesit Viktor Sherifaj.
17.1. Fakti se pranë kësaj gjykate ka qenë për shqyrtim ankimi i kërkuesit kundër një vendimi tjetër gjyqësor dhe se këto dy çështje kanë lidhje me njëra tjetrën apo janë të ndërvaruara nga njëra tjetra nuk përbën shkak ligjor për marrjen në shqyrtim dhe pezullimin e ekzekutimit të vendimit nr.445, datë 21.02.2008 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë.
17.2. Mjetet juridike për të realizuar pezullimin e vendimit gjyqësor të venë në ekzekutim të detyrueshëm, sikurse u parashtrua ut supra, janë të ndryshme nga ajo që ka zgjedhur kërkuesi Viktor Sherifaj. Është në vlerësimin e tij të zgjedhë dhe të përdorë mjetin e duhur juridik për të parashtruar pretendimet lidhur me “pasojat e rënda e të pariparushme” që mund t’i shkaktohen nga ekzekutimi i menjëhershëm i vendimit nr.445, datë 21.02.2008 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, por kurrsesi Gjykata e Apelit Tiranë nuk mund të marrë drejtpërdrejt në shqyrtim e të vendosë pezullimin e ekzekutimit të këtij vendimi.
18. Sa më sipër dhe në rrethanat kur Gjykata e Apelit Tiranë ka marrë në shqyrtim një kërkesë tej kompetencës së saj lëndore, Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë vlerëson se ka vend të pushojë gjykimin e çështjes.
PËR KËTO ARSYE
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë mbështetur në nenin 485 të Kodit të Procedurës Civile.
V E N D O S I
Prishjen e vendimit nr.466, datë 26.07.2013 të Gjykatës së Apelit Tiranë dhe pushimin e gjykimit të çështjes.
Tiranë, më 31.03.2016
Nr. 11216-01015-00-2013 Rregj. Themeltar
Nr. 00-2016-909 i Vendimit (114)
Do'stlaringiz bilan baham: |