VENDIM
NË EMËR TË REPUBLIKËS
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, i përbërë prej:
Ardian Dvorani Kryesues
Arjana Fullani Anëtare
Evelina Qirjako Anëtare
Andi Çeliku Anëtar
Medi Bici Anëtar
mori në shqyrtim në dhomën e këshillimit të datës 01.03.2016, çështjen administrative që i përket:
PADITËS: MERITA ELEZI (SUKNIQI)
TË PADITUR: HIDER GOGA,
SAFET PASMACIU,
PETRIT ELEZI,
AHMET VOGLI,
FADIL SHEHU,
ALUIZNI TIRANË DREJTORIA Nr.3,
KOMUNA NDROQ, ZYRA E MENAXHIMIT DHE MBROJTJES SË TOKËS,
KOMISIONI VENDOR I VLERËSIMIT TË TITUJVE TË PRONËSISË PRANË PREFEKTIT TË QARKUT TIRANË,
ZVRPP TIRANË
OBJEKTI :
Kostatimin absolutisht plotësisht ose/dhe pjesërisht të pavlefshëm
të akteve administrative të mëposhtme:
1. AMTP-së me nr.akti nuk ka, datë 20.01.2001, tokë me sipërfaqe 1000 m2
në emër të Hider Goga, në Ndroq Qendër, me këto kufizime:
veri-rrugë nacionale, lindje Lul Nuri, jug Petrit Elezi,
perëndim-posta, pasuria me nr.166 dhe Pasuria me nr.166/1,
me sipërfaqe 300 m2 truall + 800 m2 pemëtore.
2. Konstatimin absolutisht të pavlefshëm të kësaj AMTP-je.
3. Konstatimin absolutisht të pavlefshëm të AMTP-së me nr.122, datë nuk ka,
ngastra me këto kufizime: veri-Posta, lindje Petrit Elezi, jug-nuk lexohet,
perëndim-Ahmet Vogli, pasuria me nr.206 dhe 206/1
totali tokë me sipërfaqe 1000 m2.
4. Konstatimin absolutisht të pavlefshëm të AMTP-së të Ahmet Vogli,
me nr.akti 158, datë 14.11.1992, për ngastrën nr.3 tek shtëpia gjithsej toke
me sipërfaqe 690 m2 arë, nga kjo 390 arë dhe 390 truall, në Ndroq Qendër.
5. Konstatimin absolutisht të pavlefshëm të AMTP-së të Fadil Shehu,
me nr.akti 157, datë -nuk ka, për ngastrën nr.3 tek shtëpia
gjithsej tokë me sipërfaqe 300 m2 truall, në Ndroq Qendër.
Konstatimin absolutisht të pavlefshëm të kësaj AMTP-je vetëm për ngastrën nr.3.
6. Konstatimin absolutisht të pavlefshëm të Lejes së Legalizimit
me nr.69133, datë 07.05.2013, lëshuar nga Drejtoria Rajonale
e ALUIZNI-t Tirana 2 (SOT 3), nr.2
dhe mos regjistrimin e kësaj leje pranë ZVRPP-së Tiranë.
7. Detyrimin për të më njohur pronar, lirimin
dhe dorëzimin e sendit (sipërfaqeve të pushtuara).
Pushimin e cënimit të pronësisë në të ardhmen.
8. Kthimin e frutave civile të sendit (fitimin e munguar të këtyre pronave)
si përdorues në keqbesim të këtyre pronave.
9. Rregullimin e pasojave ligjore që kanë sjellë këto akte,
duke urdhëruar çregjistrimet e këtyre titujve të pronësisë
nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Tiranë.
10. Detyrimin e Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë,
të kryejë regjistrimin e plotë të vendimit nr.281 datë 26.01.1996,
të Komisionit të Kthimit e Kompensimit të Pronave ish-pronarëve
në favor të trashëgimtarëve të Shaqir Mancakut.
11. Prishjen e ndërtimit pa leje, të realizuar nga Safet Pasmaçiu brenda pronës sonë.
Baza Ligjore: Ligji nr.49/2012 "Për organizimin dhe funksionimin
e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative";
Vendimet Unifikues me nr.2/2014 dhe nr.4/2013
të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë;
nenet 31, 32, 151 e në vijim të K.Pr.Civile,
nenet 115, 116/b/c të K.Pr.Administrative e në vijim;
neni 296 dhe në vijim i Kodit Civil;
ligji me nr.7501 datë 19.07.1991 “Për tokën”, i ndryshuar;
ligji nr.9948 datë 07.07.2008 "Për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore
të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore";
ligji nr.7698 datë 15.04.1993 “Për Kthimin dhe Kompensimin e Pronës", i ndryshuar;
ligji nr.33/2012 "Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme";
ligji nr.9482 datë 03.04.2006 "Për legalizimin, Urbanizimin dhe Integrimin
e Ndërtimeve pa leje", i ndryshuar;
ligji nr.9780 datë 16.07.2007 "Për inspektimin e ndërtimit".
Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Tiranë, me vendimin datë 23.06.2015 ka vendosur:
“Rrëzimin e kërkesës për nxjerrjen jashtë juridiksionit të çështjes me palë paditëse Merita Elezi dhe të paditur Hider Goga, Safet Pasmaçiu, Petrit Elezi, Ahmet Vogli, ALUIZNI, Tiranë Drejtoria nr.3, Komuna Ndroq, Zyra e Menaxhimit dhe Mbrojtjes së Tokës dhe Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit pranë kësaj komune, Komisioni Vendor për vlefshmërinë e titujve pranë Prefekturës, Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë”.
Kundër vendimit datë 23.06.2015 të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, kanë ushtruar ankim të veçantë në Gjykatën e Lartë, disa nga të paditurit Prefekti i Qarkut Tiranë dhe Hider Goga, Safet Pasmaciu, Ahmet Vogli, duke parashtruar shkaqet e mëposhtme:
Ankimi i veçantë i Prefektit të Qarkut Tiranë
-
Në mosmarrëveshjen administrative të mësipërme palë e paditur është Komisioni Vendor i Vlerësimit të Titujve të Pronësisë (KV) dhe Prefekti i Qarkut Tiranë në seancën e datës 23.06.2015 kërkoi me shkresën nr.2278, datë 11.05.2015, nxjerrjen e çështjes jashtë juridiksionit gjyqësor.
-
Për çështjen me palë dhe objekt si më lartë është dhënë vendim i gabuar nga Gjykata Administrative e Shkallës se Parë sepse në bazë të nenit 7/2, a të ligjit nr.9948 datë 7.7.2008 "Për verifikimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore", i ndryshuar. Komisioni Vendor i Vlerësimit të Titujve të Pronësisë (KV), pranë Prefektit të Qarkut Tiranë, drejton të gjithë veprimtarinë për shqyrtimin e vlefshmërisë së krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore nëpërmjet shqyrtimit dhe verifikimit të ankesave, kërkesave, informacioneve që i paraqiten nga shtetasit dhe strukturat shtetërore, veprimtaria e të cilave lidhet me pronësinë mbi tokën bujqësore.
-
Nga Komisionin Vendor nuk është shqyrtuar vlefshmëria ligjore e titullit të pronësisë për subjektet Hider Goga, Safet Pasmaçiu, Petrit Elezi, Ahmet Vogli, Fadil Shehu, por objekti i çështjes është konstatim i pavlefshmërisë absolute ose e pjesshme e AMTP-ve, e cila është në kompetencë të këtij komisioni.
-
Prefekti i Qarkut Tiranë kërkon prishjen e vendimit të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë datë 23.06.2015 dhe shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të titujve të pronësisë të subjekteve të paditura në Komisionin Vendor të Vlerësimit të Titujve të Pronësisë, pranë Prefektit të Qarkut Tiranë.
Ankim i veçantë i të paditurve Hider Goga, Safet Pasmaçiu, Ahmet Vogli
-
Të paditurit bazuar në nenin 59 të K.Pr.Civile, kërkojnë shpalljen e moskompetencës gjyqësore për shqyrtimin e mosmarrëveshjes administrative nga kjo gjykate, për shkak se palë e paditur në këtë proces është Komisioni Vendor i Verifikimit të Titujve të pronësisë pranë Prefektit të Qarkut Tiranë, i cili nuk ka një kërkesë për verifikimin e vlefshmërisë ligjore të titujve të pronësisë AMTP në emër të të paditurve. Për rrjedhojë nuk ka marrë një vendim për të shqyrtuar vlefshmërinë e titujve të pronësisë të të paditurve.
-
Ligji nr.9948 datë 07.07.2008, ka përcaktuar KVVTP pranë Prefektit të Qarkut për t’a shqyrtuar vlefshmërinë e këtij titulli pronësie. Në rastin konkret kjo nuk është bërë për shkak të moskërkimit pranë këtij institucioni të një gjëje të tillë nga pala paditëse. Është në tagrin e këtij komisioni që të bëjë hetim administrativ të mirëfilltë duke marrë informacion të nevojshëm shkresor nga institucione të tjera. Në fund të këtij verifikimi ky komision e dërgon çështjen për gjykim pranë Gjykatës Administrative.
-
Nga ana e palës paditëse kërkohet pavlefshmëri absolute e AMTP-ve të personave të paditur duke pretenduar kryesisht për sipërfaqet truall të këtyre akteve.
-
KVVTP pranë Prefektit të Qarkut ka tagrin që të shqyrtojë këto tituj pronësie, të cilat janë jo të veçuara sipas zërave kadastral për çdo familje bujqësore, dhe hetimi administrativ i këtij komisioni shtrihet në të gjitha ngastrat/parcelat që përmban AMTP.
-
Të paditurit kërkojnë ndryshimin e vendimit të ndërmjetëm datë 23.06.2015 të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë, Tiranë, pranimin e kërkesës për nxjerrjen e çështjes jashtë juridiksionit gjyqësor të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë.
KOLEGJI ADMINISTRATIV I GJYKATËS SË LARTË
Pasi dëgjoi relatimin e gjyqtares Arjana Fullani, si dhe pasi bisedoi çështjen në tërësi,
V Ë R E N
1. Nga shqyrtimi i akteve në dosjen gjyqësore rezulton se, paditësja Merita Elezi i është drejtuar gjykatës me padinë objekt gjykimi duke pretenduar se është trashëgimtare ligjore e subjektit të shpronësuar Shaqir Ismail Mansaku, bazuar në vendimin e trashëgimisë me nr.7912, datë 23.05.1995 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.
2. Paditësja ka pretenduar se me vendimin nr.281, datë 26.0 1.1996, të Komisionit të Kthimit dhe të Kompensimit të Pronave ish-pronarëve, trashëgimtarëve ligjore të Shaqir Ismail Mansakut, u është njohur dhe është kthyer fizikisht një pronë e cila ndodhet në Fshatin Ndroq, Komuna Ndroq, sipas pranëvendosjes së kësaj prone bashkëngjitur vendimit të mësipërm, brenda vijave kufizuese të kësaj komune.
3. Kjo pronë ju është njohur trashëgimtarëve ligjore të Shaqir Ismail Mansakut, duke ju kthyer një zonë e lirë me sipërfaqe prej 2277 m2 dhe duke ju njohur e drejta e kompensimit sipas dispozitave të mëtejshme ligjore për sipërfaqen prej 3723 m2.
4. Kjo pronë e kthyer sipas vendimit të mësipërm është regjistruar në ZVRPP Tiranë në vitin dhe për këtë regjistrim paditësja pretendon se është pajisur me çertifikatë pronësie. Sipas vërtetimit të pronësisë datë 13 shkurt 1998, përcaktohet se në regjistrin hipotekor me nr.765, datë 13.02.1998 figuron i regjistruar një truall i lirë me sipërfaqe 2277 m2, brenda vijave kufizuese, ky regjistrim është bazuar në vendimin e mësipërm. Por pas vendimeve të mësipërme të KKKP-së qarku Tiranë kanë ndodhur ndarje të kësaj toke truall me ligjin 7501 duke krijuar mbivendosje me pronën time njëkohësit ka pasur ndërtime pa leje për të cilat janë në proces legalizimi.
5. Paditësja i është drejtuar Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, me padinë objekt gjykimi, duke thirrur si të paditur Hider Goga, Safet Pasmaçiu, Petrit Elezi, Ahmet Vogli, Fadil Shehu(për të cilin është vendosur pushimi i gjykimit), ALUIZNI-Tiranë, Drejtoria nr.3., Komuna Ndroq, Zyra e Menaxhimit dhe Mbrojtjes se Tokës dhe Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit pranë kësaj Komune, Komisioni Vendor për Vlefshmërinë e Titujve pranë Prefekturës dhe Zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë, me objektin e cituar në pjesën hyrëse të këtij vendirni.
6. Gjatë gjykimit në seancën përgatitore të datës 23.06.2015, gjykata mori në shqyrtim kërkesën për nxjerrjen e çështjes jashtë juridiksionit, të bërë nga përfaqësuesi i Prefektit të Qarkut Tiranë si dhe përfaqësuesi i të paditurve Ahmet Vogli, Hider Goga dhe Safet Pasmaçiu.
7. Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Tiranë, me vendimin datë 23.06.2015, ka vendosur: “Rrëzimin e kërkesës për nxjerrjen jashtë juridiksionit të çështjes me palë paditëse Merita Elezi dhe të paditur Hider Goga, Safet Pasmaçiu, Petrit Elezi, Ahmet Vogli, ALUIZNI, Tiranë Drejtoria nr.3, Komuna Ndroq, Zyra e Menaxhimit dhe Mbrojtjes së Tokës dhe Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit pranë kësaj Komune, Komisioni Vendor për vlefshmërinë e titujve pranë Prefekturës, Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë”.
7.1 Arsyetimi i gjykatës: “gjykata vuri ne diskutim juridiksionin e saj për gjykimin e kësaj ceshtje dhe vëren se ne analize te dispozitave te mësipërme ligjore dhe te padisë,para saj për shqyrtim , i cili ka te beje me konstatimin e pavlefshmërisë absolute te aktit, kushti shterimit te rrugës administrative, si shkak i pretenduar nga përfaqësuesi i Prefektit dhe përfaqësuesi i te paditurve te sipërcituar, nuk qëndron, pasi ka te beje me rastet kur gjykimi para gjykatës janë kërkimet ne lidhje me shfuqizimin e akteve administrative qe kane lidhje me rastet e pavlefshmërisë relative te aktit administrativ, raste për te cilat është e detyrueshme ezaurimi i rrugës administrative, ne parim. Në rastin konkret ne gjykim kemi te bëjmë me kërkime qe kane lidhje me pavlefshmërinë absolute te aktit administrativ. Ne kuptim te nenit 117, pika 2 te Kodit te Procedurave Administrative dhe 1, pika 8 te ligjit 49/2012, pavlefshmëria absolute e një akti administrativ mund te ngrihet ne gjykate dhe pa patur si kusht shterimin e rrugës administrative.
Në kushtet, kur para saj gjykata ka për shqyrtim padi me objekt pavlefshmëri absolute akti administrativ, nuk është e detyrueshme ezaurimi i rrugës administrative, prandaj dhe kërkimin për nxjerrjen e çështjes jashtë juridiksionit gjyqësor, gjykata e gjen te pabazuar ne ligj”.
8. Kundër vendimit datë 23.06.2015 të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, kanë ushtruar ankim të veçantë në Gjykatën e Lartë, disa nga të paditurit Prefekti i Qarkut Tiranë dhe Hidër Goga, Safet Pasmaciu, Ahmet Vogli, duke parashtruar shkaqet e pasqyruar në pjesën hyrëse të këtij vendimi.
LIGJI I ZBATUESHËM
9. Dispozitat e ligjit nr.49/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative” në të cilat është parashikuar:
9.1. Neni 9 i ligjit 49/2012: 1. Gjykata në çdo fazë dhe shkallë të gjykimit, qoftë edhe kryesisht, kur konstaton se çështja nuk bën pjesë në juridiksionin gjyqësor, merr vendim për nxjerrjen e çështjes jashtë juridiksionit dhe dërgimin e akteve organit kompetent.
2. Kundër vendimit të gjykatës mund të bëhet ankim i veçantë në Kolegjin Administrativ të Gjykatës së Lartë. Kolegji vendos në dhomë këshillimi brenda 10 ditëve nga data e marrjes së akteve, nëse çështja përfshihet ose jo në juridiksionin gjyqësor. Gjykimi i filluar pezullohet derisa të jepet vendimi për zgjidhjen e mosmarrëveshjes për juridiksionin. Gjykata mund të marrë vetëm masa për sigurimin e padisë dhe të kryejë veprime procedurale që nuk presin.
3. Kur Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë konstaton se çështja është brenda juridiksionit gjyqësor, prish vendimin dhe e dërgon çështjen për vazhdimin e gjykimit me të njëjtin trup gjykues në gjykatën që kishte vendosur nxjerrjen e çështjes jashtë juridiksionit.
9.2 Neni 16 i ligjit nr.49/2012 Padia ndaj veprimit administrativ mund të ngrihet vetëm pas shterimit të ankimit administrativ;
10. Dispozitat e Kodit të Procedurës Administrative në të cilat është parashikuar:
10. 1 Neni 137 i K.Pr.A: 1. Çdo palë e interesuar ka të drejtë të ankohet kundër një akti administrativ ose kundër një refuzimi për nxjerrjen e aktit administrativ.
2. Organi administrativ, të cilit i drejtohet ankimi, shqyrton ligjshmërinë dhe rregullsinë e aktit të kontestuar.
3. Në parim, palët e interesuara mund t’i drejtohen gjykatës në gjyq vetëm pasi të kenë ezauruar rekursin administrativ
11. Dispozitat e ligjit nr.9948, datë 07.07.2008 “Për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore”, në të cilat është parashikuar:
11.1. Neni 7: “1. KV-ja krijohet pranë prefektit të çdo qarku dhe drejtohet nga drejtori i KV-së, nën autoritetin dhe varësinë e drejtpërdrejtë të prefektit.
2. KV-ja drejton të gjithë veprimtarinë për shqyrtimin e vlefshmërisë së krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore në juridiksionin e prefekturës, nëpërmjet:
a) shqyrtimit dhe verifikimit të ankesave, kërkesave, informacioneve, që i paraqiten nga shtetasit dhe strukturat shtetërore, veprimtaria e të cilave lidhet me pronësinë mbi tokën bujqësore;
b) kontrolleve të drejtpërdrejta, të ushtruara me nismën e vet, mbi veprimtarinë dhe veprimet e kryera nga ish-komisionet e tokës, të të gjitha niveleve, në procesin e ndarjes së tokës. Këto kontrolle kryhen të plota në sipërfaqen e tokave të ish-NB-ve dhe të zonës së zhvillimit me përparësi të turizmit, të përcaktuara sipas ligjit nr.7665, datë 21.01.1993 “Për zhvillimin e zonave, që kanë përparësi turizmin”, të ndryshuar dhe akteve nënligjore në zbatim të tij;
11.2. Neni 8: “KV-ja ka detyrat dhe përgjegjësitë e mëposhtme:
1. Zgjidh mosmarrëveshjet e evidentuara:
a) për kufijtë e tokës bujqësore, ndërmjet rretheve, brenda qarkut;
b) për kufijtë e tokës bujqësore ndërmjet fshatrave (subjekteve), që kanë qenë në përbërje të së njëjtës ish-kooperativë bujqësore. Vendimi u njoftohet komunave dhe/ose bashkive, nën juridiksionin të cilave ndodhen këto fshatra;
c) ndërmjet individëve dhe ish-komisionit të tokës së fshatit.
Shqyrtimi i mosmarrëveshjeve bëhet me kërkesën e palëve ose me nismën e vetë KVsë.
2. Merr vendimet përkatëse për çdo mosmarrëveshje ose konflikt të lindur ndërmjet personave fizikë ose juridikë, për bazueshmërinë ligjore të titujve të pronësisë, të krijuar mbi tokën bujqësore.
Kur objekti i konfliktit ndërmjet palëve rezulton në zona kadastrale ku është kryer regjistrimi i tokës, me cilësinë e pasurisë së paluajtshme dhe ky regjistrim është marrë në dorëzim nga zyra vendore e regjistrimit të pasurive të paluajtshme (ZVRPP), ose kur në zonën kadastrale përkatëse ka përfunduar periudha 90-ditore e afishimit të rezultateve të regjistrimit fillestar të pasurive të paluajtshme, vendimi i KV-së i dërgohet për veprim ZVRPP-së së rrethit dhe për informim e evidentim Seksionit të Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës (SAMT) në qark.
3. ...
4. ...
5. Shqyrton drejtpërdrejt dhe merr vendime për konflikte dhe mosmarrëveshje ndërmjet palëve, kur për to është vendosur rishqyrtimi, në rrugë administrative, me vendim të formës së prerë të organeve gjyqësore. Në këtë rast, vendimi i KV-së është përfundimtar. Ankimimi kundër këtij vendimi mund të bëhet në gjykatën që ushtron veprimtarinë në juridiksionin ku ndodhet toka bujqësore, për të cilën ka lindur konflikti.
11.3. Neni 9: “1. Kur gjatë verifikimit të dokumentacionit konstatohet se titulli i pronësisë mbi tokën bujqësore është lëshuar në kundërshtim me dispozitat e përcaktuara në nenet 2, 3 dhe 4 të kreut I të këtij ligji dhe mbajtësi i titullit të pronësisë e posedon dhe e shfrytëzon tokën bujqësore faktikisht, KV-ja merr vendim:
a) për pavlefshmërinë ligjore të titullit të pronësisë, kur “akti i marrjes së tokës në pronësi” është lëshuar mbi:
i) tokat bujqësore të ish-NB-ve, të cilat përjashtohen për kalim në pronësi nga dispozitat e ligjit nr.8053, datë 21.12.1995 “Për kalimin në pronësi, pa shpërblim, të tokës bujqësore”;
ii) tokat bujqësore të ish-kooperativave bujqësore, që shtrihen në zonën e zhvillimit me përparësi të turizmit, të përcaktuar me vendim të Këshillit të Ministrave, si dhe sipërfaqe të tjera të tokës bujqësore, që me vendime të organeve kompetente kanë kaluar në zërin kadastral “Tokë urbane” (truall) dhe përfshihen brenda vijave kufizuese të qendrave të banuara në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji;
iii) çdo sipërfaqe të përcaktuar në pikën 2 të nenit 2 të këtij ligji;
iv) çdo sipërfaqe toke, për të cilën Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronës (AKKP) dhe zyrat rajonale të saj u kanë konfirmuar njohjen e pronësisë dhe të drejtën e kompensimit fizik subjekteve të shpronësuara;
v) çdo sipërfaqe toke, në të cilën preken interesa të ligjshëm të personave të tretë dhe/ose ekzistojnë konflikte mbi të;
11.4. Neni 10 i ligjit nr.9948, datë 07.07.2008: “Procedurat për titujt e pronësisë, të krijuar në kundërshtim me ligjin.
1. Kur KV-ja, gjatë verifikimit të dokumentacionit dhe të vendimeve përkatëse të komisioneve të tokës, vëren se krijimi i titullit të pronësisë mbi tokën është dhënë në kundërshtim me dispozitat e përcaktuara në nenet 2, 3 e 4 të këtij ligji dhe me vendimet e tij, të marra sipas neneve 8 pikat 2 e 3 dhe 9 pika 2 të këtij ligji, i paraqet gjykatës së rrethit gjyqësor përkatës një kërkesë për anullimin e aktit administrativ, “akt i marrjes së tokës në pronësi”.
2. Kërkesa i paraqitet subjektit përkatës nga Prefekti i Qarkut brenda 7 ditëve nga data e njoftimit të vendimit për paligjshmërinë e aktit të pronësisë mbi tokën bujqësore. Objekt i kërkesës së prefektit është deklarimi i pavlefshmërisë së “aktit të marrjes së tokës në pronësi”, shfuqizimi i tij dhe kthimi i pronës në pronësi të shtetit.
3. Gjykata shqyrton kërkesën e prefektit brenda 60 ditëve, duke thirrur në proces gjyqësor edhe Avokatin e Shtetit”.
KOLEGJI ADMINISTRATIV I GJYKATËS SË LARTË VLERËSON:
12. Se ankimi i veçantë i paraqitur nga të paditurit Prefekti i Qarkut Tiranë dhe Hider Goga, Safet Pasmaciu, Ahmet Vogli nuk përmban shkaqe ligjore që të motivojnë cënimin e vendimit nr.Regj.Them 3293 datë 23.06.2015 të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, me të cilin është vendosur rrëzimi i kërkesës për nxjerrjen e çështjes jashtë juridiksionit gjyqësor.
13. Në shqyrtim të akteve të ndodhura në dosjen gjyqësore, objektit dhe shkakut të padisë, pretendimeve të parashtruara në këto akte, vendimit të gjykatës, shkaqeve të ankimit, Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë konkludon se mosmarrëveshja objekt shqyrtimi i përket juridiksionit gjyqësor.
14. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, çmon se, vendimi nr.Regj.Them 3293 datë 23.06.2015 i Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, është marrë në përputhje me dispozitat e ligjit procedural dhe atij material, e për rrjedhojë, ai duhet lënë në fuqi.
15. Juridiksioni konsiderohet si një nga çështjet me të rëndësishme procedurale, mosrespektimi dhe moszgjidhja e drejtë i të cilit passjell prishjen e vendimit. Për këtë arsye në nenin 9 të ligjit nr.49/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative” parashikohet shprehimisht se: “Gjykata në çdo fazë dhe shkallë të gjykimit, qoftë edhe kryesisht, kur konstaton se çështja nuk bën pjesë në juridiksionin gjyqësor, merr vendim për nxjerrjen e çështjes jashtë juridiksionit dhe dërgimin e akteve organit kompetent. Kundër vendimit të gjykatës mund të bëhet ankim i veçantë në Kolegjin Administrativ të Gjykatës së Lartë”.
16. Në analizë të dispozitës së sipërcituar del qartë se gjykata në çdo shkallë gjykimi ka të drejtë të marrë në shqyrtim dhe të vendosë në lidhje me juridiksionin e saj në gjykimin e një çështjeje. Kjo e drejtë e gjykatës për të vepruar edhe kryesisht është e lidhur drejtpërsëdrejti me zbatimin dhe respektimin e parimit për një proces të rregullt ligjor të sanksionuar në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe në nenin 6 të KEDNJ.
17. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë vlerëson se në çështjen objekt gjykimi është e rëndësishme të merret në analizë se dispozitat e cilit ligj do të jenë të zbatueshme, dhe ne varësi të sa me sipër, gjykata përcakton juridiksionin të cilit i përket çështja.
18. Në referim të akteve të dosjes gjyqësore të marra në shqyrtim nga gjykatat më të ulëta, ky Kolegj konstaton se marrëdhënia juridike për shkak të së cilës ka lindur konflikti objekt gjykimi, rregullohet nga ligji i posaçëm nr.9948, datë 07.07.2008 “Për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore”.
19. Në kuptim të ligjit nr.9948/2008 “Për shqyrtimin, e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore”, i ndryshuar, konkretisht nenet 7 dhe 8 të këtij ligji, bëjnë fjalë për komisionin vendor të vlerësimit të titujve të pronësisë (KV), duke përcaktuar kompetencat dhe detyrat, si dhe përgjegjësitë e tij.
20. Sipas pikës 2 të nenit 8, KV-ja “merr vendimet përkatëse për çdo mosmarrëveshje ose konflikt të lindur ndërmjet personave fizikë ose juridikë, për bazueshmërinë ligjore të titujve të pronësisë, të krijuar mbi tokën bujqësore” dhe sipas nenit 10: “Kur KV-ja, gjatë verifikimit të dokumentacionit dhe të vendimeve përkatëse të komisioneve të tokës, vëren se krijimi i titullit të pronësisë mbi tokën është dhënë në kundërshtim me dispozitat e përcaktuara në nenet 2, 3 e 4 të këtij ligji dhe me vendimet e tij, të marra sipas neneve 8, pikat 2 e 3 dhe 9, pika 2 të këtij ligji, i paraqet gjykatës së rrethit gjyqësor përkatës një kërkesë për anullimin e aktit administrativ, “akt i marrjes së tokës në pronësi”.
21. Në ligj parashikohet se KV-të mund të vihen në lëvizje kryesisht ose me kërkesë, ankesë, informacione që mund t’i paraqiten “nga shtetasit dhe strukturat shtetërore, veprimtaria e të cilave lidhet me pronësinë mbi tokën bujqësore”.
22. Strukturat shtetërore të ngritura mbi bazën e ligjit nr.9948 datë 07.07.2008 (KV-të), pavarësisht nga mënyra se si vihen në lëvizje (mbi kërkesë, ankim, informacion apo kryesisht) kanë kompetencë të bëjnë verifikimin e situatës dhe kur arrijnë në konkluzionin që ligji nr.7501, datë 19.07.1991 “Për Tokën”, si dhe legjislacioni tjetër që ka rregulluar dhe/ose rregullon kalimin në pronësi private të tokës bujqësore të ish-kooperativave bujqësore, të ish-ndërmarrjeve bujqësore, tokës pyjore, livadheve dhe kullotave është zbatuar keq, kanë të drejtë shprehen me vendim, por nuk zgjidhin përfundimisht mosmarrëveshjen, pasi sipas nenit 10 të këtij ligji prefekti i qarkut duhet t’i drejtohet gjykatës për të kërkuar anullimin tërësisht ose pjesërisht të aktit të marrjes së tokës në pronësi.
23. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë e gjen me vend të parashtrojë se juridiksioni është çështje që përcaktohet shprehimisht nga ligji dhe nuk mund të përcaktohet mbi interpretimet apo qëndrimet që rrjedhin nga dispozitat me karakter lejues apo referues.
24. Pra, një çështje mund të nxirret jashtë juridiksionit gjyqësor vetëm kur ligji në mënyrë eksplicite ka përcaktuar se subjekti pretendues, përpara se t’i drejtohet gjykatës duhet të shterojë juridiksionin administrativ. Në këto raste mosndjekja e juridiksionit administrativ pengon marrjen në shqyrtim të çështjes nga ana e gjykatës.
25. Për sa më sipër, Kolegji Administrativ gjykon se konkluzioni i Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë është i drejtë, pasi në vështrim ligjit nr.9948, datë 07.07.2008 “Për shqyrtimin, e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore” nuk ka ndonjë dispozitë që të parashikojë në mënyrë të detyrueshme, pa ekuivoke rrugën administrative të ankimit ndaj këtyre vendimeve, si dhe modalitetet e ankimit, e cila do t’i paraprijë procedurës gjyqësore dhe as të shmang aksesin e drejtpërdrejtë në gjykatë të individëve të pajisur me akt të marrjes së tokës në pronësi.
26. Për këto arsye, Kolegj Administrativ, nisur nga natyra e kësaj mosmarrëveshje, arrin në përfundimin se çështja objekt gjykimi nuk mund të nxirret jashtë juridiksionit gjyqësor sikurse pretendohet nga të paditurit.
27. Për sa më sipër, Kolegji Administrativ, arrin në përfundimin se vendimi nr.Regj.Them 3293 datë 23.06.2015 të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, duhet të lihet në fuqi.
PËR KËTO ARSYE
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë mbështetur në nenin 9 të ligjit 49/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”
V E N D O S I
Lënien në fuqi të vendimit nr.Regj.Them 3293 datë 23.06.2015 të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë.
Tiranë, më 01.03.2016
Nr. 31003-00224-00-2016 i Regj. Themeltar
Nr. 00-2016-1295 i Vendimit
Do'stlaringiz bilan baham: |