VENDIM NË EMËR TË REPUBLIKËS
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, i përbërë nga:
Ardian Dvorani Kryesues
Arjana Fullani Anëtare
Andi Çeliku Anëtar
Evelina Qirjako Anëtare
Medi Bici Anëtar
Në datën 10.03.2016 mori në shqyrtim në dhomën e këshillimit çështjen administrative me nr.31003-02066-00-2014 akti që iu përket palëve:
PADITËS: VANGJUSH JANAQI
I PADITUR: BASHKIA KORÇË
OBJEKTI:
Detyrimin e palës së paditur Bashkia Korçë për të përmbushur
detyrimin kontraktor që rrjedh nga kontrata e datës 27.12.2006
lidhur midis palëve për mbikëqyrjen e punimeve të objektit
“sistemim dhe asfaltim i rrugës “Koli Tupa”, detyrim që kap vlerën 340.000 lekë.
Shpërblimin e dëmit të pësuar si rezultat i vonesës në pagimin e këtij detyrim
i deri në ditën e ekzekutimit të vendimit gjyqësor.
Baza Ligjore: Nenet 419, 445, 450, 476, etj të Kodit Civil.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë, me vendimin nr.2250, datë 30.10.2013 ka vendosur:
Pranimin e kërkesëpadisë.
Detyrimin e palës së paditur Bashkia Korçë për t’i paguar paditësit Vangjush Janaqi shumën 340.000 (treqind e dyzet mijë) lekë, si detyrim që rrjedh nga kontrata e datës 27.12.2006, lidhur midis palëve.
Detyrimin e palës së paditur Bashkia Korçë për t’i paguar paditësit Vangjush Janaqi dëmin e shkaktuar si rezultat i vonesës në përmbushjen e detyrimit, në masën 122.132 lekë (njëqind e njëzet e dy mijë e njëqind e tridhjetë e dy) lekë, së bashku me interesin deri në momentin e ekzekutimit të detyrimit, të llogaritur në masën 55 lekë/ditë.
Shpenzimet gjyqësore në masën 70.000 (shtatëdhjetë mijë) lekë, të parapaguara nga paditësi, i ngarkohen palës së paditur.
Gjykata e Apelit Korçë, me vendimin nr.123, datë 27.03.2014 ka vendosur:
Lënien në fuqi të vendimit nr.2250, datë 30.10.2013 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë, përsa i përket detyrimit të palës së paditur Bashkia Korçë për t’i paguar paditësit Vangjush Janaqi shumën 340.000 lekë si detyrim që rrjedh nga kontrata e datës 27.12.2006 si dhe për shpenzimet gjyqësore.
Ndryshimin e pjesës tjetër të vendimit, duke u detyruar pala e paditur Bashkia Korçë t’i paguajë paditësit Vangjush Janaqi shumën prej 92.735 lekë si dëm që rrjedh nga vonesa në përmbushjen e detyrimit deri në datën 04.05.2012.
Ndaj vendimit të sipërcituar rezulton të ketë paraqitur rekurs pala e paditur Bashkia Korçë, e cila kërkon:
Ndryshimin e vendimit nr.2250, datë 30.10.2013 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë dhe të vendimit nr.123, datë 27.03.2014 të Gjykatës së Apelit Korçë dhe rrëzimin e kërkesëpadisë.
Shkaqet që pala e paditur Bashkia Korçë paraqet në rekurs, janë:
-
Bashkia Korçë, përfaqësuar nga titullari i saj dhe paditësi Vangjush Janaqi kanë lidhur një kontratë të datës 27.12.2006 me objekt mbikëqyrjen e punimeve në sistemimin dhe asfaltimin e Rrugës Koli Tupa.
-
Në bazë të kësaj kontrate Bashkia Korçë detyrohet ti paguajë paditësit shumën prej 340.000 lekë. Theksojmë se kjo kontratë vjen në vijim të kontratës së sipërmarrjes të datës 26.12.2006 lidhur midis Bashkisë Korçë dhe sipërmarrësve Shoqëria “Simaku” Shpk dhe “Vashtmia” Shpk. Vlera e kontratës së sipërmarrjes është 39.449.659 lekë. Ky fond do të përballohej nga buxheti i shtetit, kaluar për llogari të Bashkisë Korçë si transfertë e kushtëzuar, pra me destinacion përdorimi të mirëpërcaktuar.
-
Kjo shumë nuk është derdhur në llogari të Bashkisë Korçë me qëllim që kjo e fundit të vazhdonte me procedurat e mëtejshme si hartimi i situacionit përfundimtar, hartimi i aktit të kolaudimit e deri në pagesën e plotë sipas përcaktimeve në kontratë.
-
Përsa i përket detyrimit ndaj paditësit prej 340.000 lekë, pavarësisht faktit se nuk është hartuar situacioni përfundimtar dhe akti i kolaudimit Bashkia Korçë e njeh dhe ka ndjekur të gjitha hapat ligjore për të kaluar këtë shumë në llogari të paditësit.
-
Konkretisht me shkresën nr.815 prot, datë 16.05.2012 drejtuar Degës së Thesarit Korçë, është parashikuar edhe zëri mbikëqyrje e rikonstruksionit të Rrugës “Koli Tupa” në masën 340.000 lekë, shumë kjo që i korrespondon detyrimit të Bashkisë ndaj paditësit.
-
Dega e Thesarit Korçë ka refuzuar kryerjen e pagesës për shkak se paditësi ka mbyllur licencën e mbikëqyrjes. Pra paditësi nuk njihet nga dega e thesarit si personi fizik Vangjush Janaqi, por si subjekt i licencuar në mbikëqyrjen e punimeve, sikundërse parashikohet edhe në nenin 3 të kontratës të datës 27.12.2006. në kushtet kur ai nuk dispononte me një licencë, Dega e Thesarit nuk ka kryer pagesën. Pra nga sa rezulton me sipër Bashkia Korçë njeh detyrimin kontraktor ndaj paditësit në masën 340.000 lekë.
-
Masa e shpërblimit prej 92.735 lekë dhe shpenzimet gjyqësore ngarkuar palës së paditur Bashkia Korçë nuk qëndrojnë dhe si të tilla duhet të rrëzohen, interpretimi që bën gjykata e apelit referuar nenit 134 të Kodit Civil nuk qëndron, pasi edhe në referim të tij e drejta për të kërkuar shpërblimin e dëmit është parashkruar. Pra e drejta e paditësit për të kërkuar shpërblimin e dëmit ka lindur në vitin 2007, ndërsa Bashkia Korçë ka depozituar urdhër pagesën në datën 04.05.2012. Gjatë kësaj periudhe 5 vjeçare është parashkruar e drejta për të kërkuar shpërblimin e dëmit dhe rrjedhimisht nuk ndodhemi përpara faktit të pezullimit të parashkrimit. Përfundimisht kërkesa e paditësit për shpërblimin e dëmit është parashkruar. Në kuptim të nenit 115/dh dhe 117 të Kodit Civil paditë për shpërblimin e dëmit .... parashkruhen brenda tre viteve, afati i parashkrimit fillon nga dita kur subjektit i ka lindur e drejta e padisë. Gjatë gjykimit u provua se e drejta e padisë paditësit i kishte lindur në vitin 2007, ndërkohë që kjo e drejtë është ushtruar në vitin 2013, pra 6 vjet më vonë. Në këto kushte kërkesa për shpërblimin e dëmit duhet të rrëzohet.
-
Bashkia Korçë kundërshton edhe lënien në ngarkim të saj të të gjitha shpenzimeve gjyqësore. Minimalisht shpenzimet gjyqësore duhet ti ishin ngarkuar Bashkisë Korçë në përputhje me masën e pranimit të padisë.
KOLEGJI ADMINISTRATIV I GJYKATËS SË LARTË
pasi dëgjoi relatimin e gjyqtarit Medi Bici dhe bisedoi çështjen në tërësi, në dhomën e këshillimit, në përfundim;
V Ë R E N
1. Në Gjykatën e Lartë me datë 03.06.2014 është regjistruar çështja administrative nr.31003-02066-00-2014 regj. them, që u përket palëve ndërgjyqëse: paditës Vangjush Janaqi dhe e paditur Bashkia Korçë, me objekt: Detyrimin e palës së paditur Bashkia Korçë për të përmbushur detyrimin kontraktor që rrjedh nga kontrata e datës 27.12.2006 lidhur midis palëve për mbikëqyrjen e punimeve të objektit “sistemim dhe asfaltim i Rrugës “Koli Tupa”, detyrim që kap vlerën 340.000 lekë. Shpërblimin e dëmit të pësuar si rezultat i vonesës në pagimin e këtij detyrimi deri në ditën e ekzekutimit të vendimit gjyqësor.
2. Vendimi nr.123, datë 27.03.2014, i Gjykatës së Apelit Korçë, është marrë në shkelje të rënda të rregullave procedurale, pasi kësaj gjykate i mungonte kompetenca në lëndë, prandaj vendimi i saj duhet të prishet dhe çështja të dërgohet për tu shqyrtuar në gjykatën kompetente, që është Gjykata Administrative e Apelit.
I. Rrethanat e çështjes:
3. Në referim të dokumentacionit ligjor të administruar në dosje rezulton se paditësi Vangjush Janaqi si subjekt tregtar dhe pala e paditur Bashkia Korçë, kanë lidhur midis tyre një kontratën e datës 27.12.2003, me objekt mbikëqyrjen e punimeve në objektin “sistemim dhe asfaltim i rrugës Koli Tupa”.
4. Në nenin 2 të kontratës është përcaktuar edhe vlera e kryerjes së këtij shërbimi, në masën 340.000 (treqind e dyzet mijë) lekë, vlerë kjo e përcaktuar në bazë të VKM nr.444, datë 05.09.1994 “Për tarifat e studimit, projektimit, drejtimit dhe kolaudimit të veprave të ndërtimit”, ndërsa sipas nenit 5 të kësaj kontratë, paditësi si subjekt tregtar, ka marrë përsipër mbikëqyrjen e punimeve në Rrugën “Koli Tupa”.
5. Kjo kontratë është lidhur në vijim të kontratës se sipërmarrjes datë 26.12.2006, që Bashkia Korçë ka lidhur me sipërmarrësit Shoqëria “Simaku” Shpk dhe “Vashtmia” Shpk, që kanë marrë përsipër kryerjen e punimeve për sistemimin dhe asfaltimin e kësaj rrugë.
6. Pas përfundimit të punimeve të parashikuara në kontratën e sipërmarrjes dhe përmbushjes së detyrimit të marrë përsipër nga paditësi sipas kontratës si mbikëqyrës i punimeve, nga ana e palës së paditur nuk është përmbushur detyrimi i saj kontraktor për pagimin e vlerës prej 340.000 lekë në favor të paditësit.
7. Nga ana e palës së paditur nuk është realizuar as përmbushja e detyrimit të përcaktuar në kontratën e sipërmarrjes në lidhje me pagesën e shoqërive sipërmarrëse “Simaku” Shpk dhe “Vashtmia” Shpk. Këto shoqëri i janë drejtuar gjykatës, duke kërkuar gjyqësisht detyrimin e Bashkisë Korçë për pagimin e shumës 12.950.888 lekë, detyrim i rrjedhur nga kontrata e sipërmarrjes datë 26.12.2006.
8. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë, me vendim nr.1301, datë 17.05.2010 ka vendosur pranimin e kërkesëpadisë dhe detyrimin e palës së paditur për pagimin e kësaj shumë. Kjo, pasi gjykata në atë gjykim ka konstatuar se pala paditëse Shoqëria “Simaku” Shpk dhe “Vashtmia” Shpk, kishin kryer të gjitha punimet e parashikuara në kontratë brenda afateve ligjore dhe kushteve teknike, punime të cilat edhe ishin marrë në dorëzim nga ana e palës së paditur, duke u mbajtur edhe akti i kolaudimit datë 31.12.2007 në përfundim të këtyre punimeve. Vendimi është lënë në fuqi nga Gjykata e Apelit Korçë, me vendimin e saj nr.529, datë 20.12.2010.
II. Vendimet e gjykatave dhe arsyetimi i tyre:
9. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë, me vendimin nr.2250, datë 30.10.2013 ka vendosur:
Pranimin e kërkesëpadisë.
Detyrimin e palës së paditur Bashkia Korçë për t’i paguar paditësit Vangjush Janaqi shumën 340.000 (treqind e dyzet mijë) lekë, si detyrim që rrjedh nga kontrata e datës 27.12.2006, lidhur midis palëve.
Detyrimin e palës së paditur Bashkia Korçë për t’i paguar paditësit Vangjush Janaqi dëmin e shkaktuar si rezultat i vonesës në përmbushjen e detyrimit, në masën 122.132 lekë (njëqind e njëzet e dy mijë e njëqind e tridhjetë e dy) lekë, së bashku me interesin deri në momentin e ekzekutimit të detyrimit, të llogaritur në masën 55 lekë/ditë.
Shpenzimet gjyqësore në masën 70.000 (shtatëdhjetë mijë) lekë, të parapaguara nga paditësi, i ngarkohen palës së paditur.
10. Gjykata e rrethit gjyqësor ndër të tjera arsyeton:
Në rrethanat e mësipërme, mbështetur edhe në nenin 420 të K.Civil, kur detyrimi i lindur nga një kontratë është konkret, i provuar dhe referuar nenit 481 të K.Civil është bërë i kërkueshëm, pasi debitori konsiderohet se është në vonesë, gjykata çmon se ka vend për pranimin e kërkimit për përmbushjen e këtij detyrimi, duke u detyruar pala e paditur të paguajë në favor të paditësit shumën e përcaktuar në kontratë si masë e shpërblimit për punën e realizuar prej tij.
Po ashtu, gjykata çmon se pala e paditur duhet të detyrohet të paguajë edhe dëmin e shkaktuar si rezultat i mospërmbushjes në kohë të detyrimit nga ana e saj, vonesë e cila fillon që prej datës 27.12.2007 dhe duhet të shtrihet deri në datën e ekzekutimit të këtij vendimi gjyqësor.
Në lidhje me dëmin e shkaktuar si rezultat i mospërmbushjes në kohë të detyrimit nga ana e Bashkisë Korçë, gjykata i referohet nenit 476 të K.Civil, i cili parashikon se: Çdo mangësi në ekzekutimin e detyrimeve e detyron debitorin të shpërbleje dëmin që ka pësuar kreditori, përveç kur ai provon se mospërmbushja nuk ka ndodhur për fajin e tij.
Gjatë gjykimit u pretendua nga pala e paditur se shkak për mosshlyerjen e këtij detyrimi ishte bërë Dega e Thesarit Korçë, e cila ka refuzuar kalimin e shumës për shkak se paditësi ka mbyllur aktivitetin e tij tregtar. Gjithashtu u pretendua se shkak i mospagimit në kohë të detyrimit është edhe mungesa e fondit për të realizuar këtë pagese nga ana e Bashkisë dhe çelja e tij me vonesë nga Ministria përkatëse.
Gjykata çmon se këto pretendime të palës së paditur nuk mund të shërbejnë si argument për të provuar mungesën e fajësisë të kësaj pale në përmbushjen e detyrimit.
Kjo për faktin se mbyllja e aktivitetit tregtar të paditësit, nuk është shkak për mosshlyerjen e detyrimit, pasi paditësi nëpërmjet çertifikatës për çregjistrim të lëshuar nga QKR, i provoi gjykatës që e ka mbyllur aktivitetin në datë 27.10.2008, pra afro një vit me vone nga lindja e detyrimit të palës së paditur. Nëse detyrimi do të ishte përmbushur në kohë, një rrethanë e tillë nuk mund të përbente pengese për kalimin e shumës në llogari të paditësit si subjekt tregtar, pasi në atë kohe ai ka qenë me status aktiv. Gjithsesi kjo rrethanë nuk mund të shërbejë si argument për të justifikuar mospagesën në vazhdimësi, palët mund të gjejnë forma apo të bien dakord për mënyra të tjera të kalimit të kësaj shume që përfaqëson përmbushjen e një detyrimi të rrjedhur që nga koha kur paditësi ka qene subjekt tregtar.
Gjithashtu pretendimi për mungesë fondesh nuk është shkak i arsyeshëm për mosshlyerjen e detyrimit në kohë, pasi paditësi ka kryer një shërbim që është kërkuar nga pala e paditur, porse pala e paditur nuk e ka shpërblyer për shërbimin e kryer jo vetëm në kohën e përfundimit të tij në vitin 2007, por as deri me sot. Fakti që Bashkia Korçë i është drejtuar disa herë Ministrisë së Brendshme për çelje fondi, por nuk ka marrë përgjigje prej saj, nuk mund ta shmangë atë nga përgjegjësia për mospërmbushjen në kohë të këtij detyrimi kontraktor.
Në lidhje me llogaritjen e dëmit në formën e interesave për detyrimin që përmban kontrata, gjykata konform nenit 224/a të K.Pr.Civile caktoi si eksperte kontabël të regjistruar Anila Cunoti.
Në përgjigje të detyrës të caktuar nga gjykata, ekspertja i është referuar normës mesatare vjetore të interesit të publikuar nga Banka e Shqipërisë, duke supozuar që vlera e detyrimit prej 340.000 lekë do të futej në ankandin e Bonove të Thesarit të zhvilluar nga Banka e Shqipërisë me afate maturimi sipas periudhave përkatëse të zhvilluara në vite.
Më konkretisht, për periudhën 27.12.2007-31.12.2007 interesi vjetor është llogaritur 5.70%, për periudhën 01.01.2008-31.12.2008 interesi vjetor është llogaritur 6.86%, për periudhën 01.01.2009-31.12.2009 interesi vjetor është llogaritur 6.75%, për periudhën 01.01.2010-31.12.2010 interesi vjetor është llogaritur 6.07%, për periudhën 01.01.2011-31.12.2011 interesi vjetor është llogaritur 5.87%, për periudhën 01.01.2012-31.12.2012 interesi vjetor është llogaritur 5.38%, dhe për periudhën 01.01.2013-07.10.2013 interesi vjetor është llogaritur 5.00%.
Mbasi është llogaritur interesi vjetor bruto, atij i është zbritur 10% e vlerës konform legjislacionit në fuqi.
Kështu për periudhën 27.12.2007-07.10.2013 (pra deri në datën e përpilimit të aktit të ekspertimit) shuma e interesave është 121.597 lekë, shumë e cila përfaqëson dëmin në formën e fitimit të munguar për shkak të mospërmbushjes në kohë të detyrimit kontraktor, kontratë e datës 27.12.2006 lidhur midis palëve, deri në datën e hartimit të aktit.
Ekspertja gjithashtu ka llogaritur normën e interesit ditor për shumën e mësipërme, referuar periudhës aktuale, nga ka rezultuar se ajo është në masën 55 lekë në ditë.
Në këtë mënyrë, deri në datën e sotme të shpalljes se vendimit, shuma e interesave është në masën 122.132 lekë (njëqind e njëzet e dy mijë e njëqind e tridhjetë e dy) lekë, vlerë për të cilën duhet detyruar pala e paditur ta paguajë në favor të paditësit.
11. Gjykata e Apelit Korçë, me vendimin nr.123, datë 27.03.2014 ka vendosur:
Lënien në fuqi të vendimit nr.2250, datë 30.10.2013 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë, përsa i përket detyrimit të palës së paditur Bashkia Korçë për t’i paguar paditësit Vangjush Janaqi shumën 340.000 lekë si detyrim që rrjedh nga kontrata e datës 27.12.2006 si dhe për shpenzimet gjyqësore.
Ndryshimin e pjesës tjetër të vendimit, duke u detyruar pala e paditur Bashkia Korçë t’i paguajë paditësit Vangjush Janaqi shumën prej 92.735 lekë si dëm që rrjedh nga vonesa në përmbushjen e detyrimit deri në datën 04.05.2012.
12. Gjykata e apelit ndër të tjera arsyeton:
Gjykata e Apelit vlerëson të drejtë arsyetimin dhe përfundimin e arritur nga gjykata e faktit në lidhje me detyrimin që duhet t’i paguajë pala e paditur Bashkia Korçë paditësit Vangjush Janaqi në shumën 340.000 lekë. Porse, Gjykata e Apelit konstaton se Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë ka gabuar që ka detyruar palën e paditur Bashkia Korçë të paguajë dëmin e shkaktuar deri ditën e gjykimit të çështjes në shumën 122.132 lekë dhe mandej nga 55 lekë në ditë deri në momentin e ekzekutimit të vendimit. Kjo për faktin se nga aktet që ndodhen në dosje rezulton se pala e paditur Bashkia Korçë në datën 04.05.2012 ka depozituar në Degën e Thesarit Korçë urdhrin për likuidim të paditësit Vangjush Janaqi në shumën 340.000 lekë. Gjykata e Apelit vlerëson se që nga ky moment pala e paditur Bashkia Korçë nuk ka më përgjegjësi për mosmarrjen e lekëve nga paditësi Vangjush Janaqi.
Nga dosja konstatohet se në momentin e xhirimit të lekëve paditësi Vangjush Janaqi kishte mbyllur licencën e tij si kontrollues dhe Dega e Thesarit Korçë ka hasur vështirësi për të gjetur një forme për të xhiruar lekët, mbasi si subjekt tregëtar në momentin e depozitimit të lekëve në Degën e Thesarit, paditësi nuk kishte status aktiv.
Pavarësisht nga ky fakt, nëse është përgjegjës Dega e Thesarit për moslikuidim të lekëve në kohë ndaj paditësit, apo është paditësi përgjegjës që ka mbyllur licencën dhe për faj të tij është bërë i pamundur arkëtimi i lekëve, gjykata e apelit konstaton se kjo është një marrëdhënie midis këtyre dy palëve pra, paditësit Vangjush Janaqi dhe Degës së Thesarit Korçë dhe për këtë shkak nuk mund të ngarkohet pala e paditur Bashkia Korçë me sanksione për shpërblim dëmi mbas momentit që ajo e ka depozituar këtë shumë lekësh (datë 04.05.2012). në qofte se paditësi Vangjush Janaqi ka pretendime për shpërblim dëmi dhe pas kësaj datë (04.05.2012), ai këto kërkime duhet t’ia drejtojë Degës së Thesarit Korçë dhe jo palës së paditur në këtë gjykim Bashkisë Korçë.
Referuar aktit të ekspertimit të datës 07.10.2013 të ekspertes Anila Çunoti, rezulton se dëmi i shkaktuar paditësit si rezultat i vonesës së likuidimit të shumës prej 340.000 lekë nga data 27.12.2007 deri në datën 04.05.2012 e vlerësuar sipas normave të interesit të publikuar nga Banka e Shqipërise, kap shumën 92.735 lekë.
Përsa sipër, Gjykata e Apelit Korçë arrin në përfundimin se për këtë pjesë të vendimit që ka të bëjë me kohëzgjatjen e dëmit të shkaktuar si rezultat i vonesës në përmbushjen e detyrimeve, ka vend të pranohet kërkesa ankimore dhe të reduktohet kjo kohe deri në datën 04.05.2012 që është dita kur pala e paditur ka urdhëruar Degën e Thesarit Korçë për likuidimin e shumës prej 340.000 lekë.
Të pabazuar e gjen gjykata e apelit pretendimin e palës së paditur Bashkia Korçë të ngritur në kërkesën ankimore sipas të cilit: Kërkesa e paditësit për shpërblimin e dëmit është parashkruar, mbasi si rezulton nga aktet, në datën 04.05.2012 pala e paditur Bashkia Korçë ka depozituar në Degën e Thesarit Korçë Urdhrin nr.81, nëpërmjet të cilit njeh në mënyrë të plotë dhe të saktë të drejtën e kreditorit Vangjush Janaqi për shumën 340.000 lekë. në të tilla rrethana, gjykata e apelit çmon se vendimi nr.2250, datë 30.10.2013 i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë duhet të lihet në fuqi për pjesën që ka detyruar palën e paditur Bashka Korçë t’i paguajë paditësit Vangjush Janaqi shumën 340.000 lekë. Ndërsa për pjesën tjetër ka vend të ndryshohet, duke u detyruar pala e paditur Bashkia Korçë t’i paguajë paditësit Vangjush Janaqi shumën prej 92.735 lekë që përbën dëmin e pësuar nga vonesa në shlyerjen e detyrimit deri në datën 04.05.2012.
III. Ligji i zbatueshëm:
13. Neni 7 germa “a” i ligjit nr.49/2012 “Për Organizimin dhe Funksionimin e Gjykatave Administrative” parashikon se:
Gjykatat administrative janë kompetente për: Mosmarrëveshjet që lindin nga aktet administrative individuale, aktet nënligjore normative dhe kontratat administrative publike, të nxjerra gjatë ushtrimit të veprimtarisë administrative nga organi publik.
14. Vendimi unifikues nr.03, datë 06.12.2013 i Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë, të cilat ndërmjet të tjerave thonë se:
....Gjykatat administrative të shkallës së parë, Gjykata e Apelit Administrativ dhe Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, të krijuara me ligjin nr.49, datë 03.05.2012 “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”, janë kompetente për shqyrtimin e të gjitha çështjeve, të cilat sipas nenit 7 të këtij ligji përbëjnë mosmarrëveshje administrative, pavarësisht gjendjes, fazës apo shkallës së gjykimit. Këto gjykata janë kompetente për çështjet administrative për të cilat, padia, ankimi ose rekursi është depozituar përpara datës 04.11.2013, respektivisht në gjykatat e shkallës së parë, të apelit apo në Gjykatën e Lartë dhe deri në këtë datë, shqyrtimi në këto gjykata nuk ka përfunduar akoma....
IV. Arsyetimi i Kolegjit Administrativ dhe zgjidhja e çështjes:
15. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë vlerëson se, rekursi i paraqitur nga pala e paditur Bashkia Korçë, përmban shkaqe nga ato që parashikohen në ligj, pasi Gjykata e Apelit Korçë nuk ka qenë kompetente nga pikëpamja lëndore, prandaj ka arsye ligjore që vendimi i saj të cënohet.
16. Kolegji Administrativ, pasi shqyrtojë aktet procedurale që ndodhen në dosjen gjyqësore, objektin dhe shkakun ligjor të padisë, pretendimet e palëve të parashtruara në këto akte, vendimin e gjykatës dhe parashtrimet e rekursit, në interpretim të dispozitave ligjore të zbatueshme për rastin konkret, arrin në konkluzionin se vendimi i dhënë nga Gjykata e Apelit Korçë është marrë në shkelje të ligjit procedural, në kushtet kur kjo gjykatë ka shkelur dispozitat ligjore mbi kompetencën lëndore, prandaj për këtë shkak, vendimi i dhënë prej saj duhet të prishet dhe çështja të dërgohet për rishqyrtim, pranë Gjykatës Administrative të Apelit.
17. Gjykata e Lartë, pa i hyrë analizës së provave, nga shqyrtimi i materialeve të dosjes gjyqësore dhe pretendimeve të parashtruara në rekurs evidenton nëse nga gjykatat e faktit janë lejuar ose jo shkelje të normave procedurale dhe nëse ligji material është respektuar drejtë ose jo nga ato. Në varësi të zgjidhjes së këtyre çështjeve nga gjykatat e faktit, Gjykata e Lartë, në realizim të funksionit të saj rishikues, shprehet për bazueshmërinë ose jo në ligj të vendimeve për të cilat është paraqitur rekurs përpara saj.
18. Në analizë të akteve dhe provave të administruara në dosjen gjyqësore rezulton se, pala paditëse Vangjush Janaqi i është drejtuar Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë me kërkesëpadi, duke kërkuar Detyrimin e palës së paditur Bashkia Korçë për të përmbushur detyrimin kontraktor që rrjedh nga kontrata e datës 27.12.2006 lidhur midis palëve për mbikëqyrjen e punimeve të objektit “sistemim dhe asfaltim i Rrugës “Koli Tupa”, detyrim që kap vlerën 340.000 lekë. Shpërblimin e dëmit të pësuar si rezultat i vonesës në pagimin e këtij detyrimi deri në ditën e ekzekutimit të vendimit gjyqësor. Gjykata e Apelit Korçë, në përfundim të gjykimit me vendimin nr.123, datë 27.03.2014 ka vendosur Lënien në fuqi të vendimit nr.2250, datë 30.10.2013 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë, përsa i përket detyrimit të palës së paditur Bashkia Korçë për t’i paguar paditësit Vangjush Janaqi shumën 340.000 lekë si detyrim që rrjedh nga kontrata e datës 27.12.2006 si dhe për shpenzimet gjyqësore. Ndryshimin e pjesës tjetër të vendimit, duke u detyruar pala e paditur Bashkia Korçë t’i paguajë paditësit Vangjush Janaqi shumën prej 92.735 lekë si dëm që rrjedh nga vonesa në përmbushjen e detyrimit deri në datën 04.05.2012.
19. Në këtë rast kërkohen detyrimet që rrjedhin nga një kontratë administrative, prandaj, duke u bazuar në nenin 7, germa “a” të ligjit nr.49/2012 “Për Organizimin dhe Funksionimin e Gjykatave Administrative dhe Gjykimin e Mosmarrëveshjeve Administrative”, çështja ka patur natyrë krejtësisht administrative dhe Gjykata e Apelit Korçë ka dhënë vendim për një çështje të tillë (me natyrë administrative) pas datës 04.11.2013, në një kohë kur në zbatim të Dekretit nr.7818, datë 16.11.2012 të Presidentit të Republikës kanë filluar veprimtarinë e tyre gjykatat administrative.
20. Meqenëse ligji nr.49/2012 “Për Organizimin dhe Funksionimin e Gjykatave Administrative”, në dispozitat e tij tranzitore heshte për mënyrën se si do të veprohej me çështjet administrative të regjistruara në gjykatën civile para datës 04.11.2013, për të unifikuar praktikën gjyqësore Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë me vendimin nr.03/2013 kanë arritur në këtë përfundim unifikues: ....Gjykatat administrative të shkallës së parë, Gjykata e Apelit Administrativ dhe Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, të krijuara me ligjin nr.49, datë 03.05.2012 “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”, janë kompetente për shqyrtimin e të gjitha çështjeve, të cilat sipas nenit 7 të këtij ligji përbëjnë mosmarrëveshje administrative, pavarësisht gjendjes, fazës apo shkallës së gjykimit. Këto gjykata janë kompetente për çështjet administrative për të cilat, padia, ankimi ose rekursi është depozituar përpara datës 04.11.2013, respektivisht në gjykatat e shkallës së parë, të apelit apo në Gjykatën e Lartë dhe deri në këtë datë, shqyrtimi në këto gjykata nuk ka përfunduar akoma....
21. Duke qenë se çështja kishte natyrë administrative dhe gjykimi i saj nuk kishte përfunduar akoma, në zbatim të nenit 7/a të ligjit nr.49/2013 “Për Organizimin dhe Funksionimin e Gjykatave Administrative dhe Gjykimin e Mosmarrëveshjeve Administrative” dhe vendimit unifikues nr.03/2013 të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë, Gjykata e Apelit Korçë ka qenë e detyruar që të vendoste moskompetencën e saj lëndore dhe dërgimin e çështjes për shqyrtim në gjykatën kompetente, që është Gjykata Administrative e Apelit.
22. Kolegji Administrativ thekson se kompetenca lëndore nuk duhet të shikohet vetëm me kërkesë të palëve të ngritura në ankim ose rekurs, por edhe vetë kryesisht nga gjykata e apelit ose Gjykata e Lartë, pasi kjo kompetencë nuk mund të “kurohet” qoftë edhe me zgjidhjen e drejtë të çështjes në themel nga gjykata më e ulët. Çështja e kompetencës lëndore konsiderohet e një rëndësie të veçantë në respektim të zhvillimit të një procesi të rregullt ligjor. Gjykata në çdo shkallë gjykimi është e detyruar që të marrë në shqyrtim dhe të vendosë në lidhje me kompetencën e saj lëndore përpara se të gjykojë çështjen që i paraqitet për shqyrtim. Ky detyrim i gjykatës për të vepruar edhe kryesisht është e lidhur drejtpërdrejt me zbatimin dhe respektimin e parimit të një procesi të rregullt ligjor, i sanksionuar në nenin 42/2 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe nenin 6 të KEDNJ. Nëse një gjykatë nuk ka kompetencë lëndore për të gjykuar çështjen objekt shqyrtimi, në përputhje me dispozitat që zbatohen sipas legjislacionit përkatës nuk mund të kryejë asnjë veprim tjetër procedural në lidhje me këtë çështje.
23. Duhet theksuar se, në kuptimin e së drejtës procedurale, kompetenca lëndore është një kusht i domosdoshëm procedural, që e bën të vlefshëm procesin gjyqësor, si dhe të gjitha aktet e marra në administrim gjatë zhvillimit të tij, në kuptimin që një gjykatë jokompetente nuk mund të kryejë asnjë veprimtari procedurale dhe një gjykatë jokompetente duhet të deklarojë moskompetencën e saj, (neni 61 i K.Pr.Civile, neni 7 i ligjit 49/2012). Ndarja e kompetencës, është përcaktuar qartë në ligjin nr.9877, datë 18.02.2008 “Për Organizimin e Pushtetit Gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”, ligjin nr.49/2012 “Për Organizimin dhe Funksionimin e Gjykatave Administrative dhe Gjykimin e Mosmarrëveshjeve Administrative” dhe Kodin e Procedurës Civile.
24. Përsa u thanë më sipër, Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë arrin në përfundimin se, moskompetenca lëndore për zgjidhjen e çështjes përbën shkelje të rëndë të rregullave procedurale, e cila ndikon drejtpërdrejt në dhënien e vendimit në kuptimin që, mosrespektimi i saj e bën vendimin gjyqësor absolutisht të pavlefshëm. Gabimet në procedim, të cilat parashikohen në nenin 467/a të K.Pr.Civile dhe nenin 54 të ligjit nr.49/2012 “Për Organizimin dhe Funksionimin e Gjykatave Administrative dhe Gjykimin e Mosmarrëveshjeve Administrative”, shqyrtohen nga gjykata edhe kryesisht, pikërisht për shkak të efektit të drejtpërdrejt që ato kanë në vendimin e dhënë, prandaj vendimi i Gjykatës së Apelit Korçë duhet të prishet dhe çështja të dërgohet për rishqyrtim në Gjykatën Administrative të Apelit.
PËR KËTO ARSYE
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, duke u bazuar në nenet 7 dhe 63/c të ligjit nr.49, datë 03.05.2012 “Për Organizimin dhe Funksionimin e Gjykatave Administrative dhe Gjykimin e Mosmarrëveshjeve Administrative”;
V E N D O S I
Prishjen e vendimit nr.123, datë 27.03.2014, të Gjykatës së Apelit Korçë dhe dërgimin e çështjes për rishqyrtim në Gjykatën Administrative të Apelit.
Tiranë, më 10.03.2016
Nr. 11211-03463-00-2014 Regj.Themeltar
Nr. 00-2016-1083 Vendimi (158)
Do'stlaringiz bilan baham: |