VENDIM
NË EMËR TË REPUBLIKËS
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë i përbërë nga:
Majlinda Andrea Kryesuese
Guxim Zenelaj Anëtar
Admir Thanza Anëtar
Në datën 15.03.2016, mori në shqyrtim në dhomën e këshillimit çështjen civile, që u përket palëve:
PADITËS: FATMIR DANO
I PADITUR: SHOQËRIA “SHËRBIMI PËRMBARIMOR ZIG” SH.P.K
AGJENCIA E TRAJTIMIT TË KREDIVE
OBJEKTI:
Kërkohet pavlefshmëria e titullit ekzekutiv,
“Akt Marrëveshje Huaje, datë 26.07.1995”
të kreditorit Agjencia e Trajtimit të Kredive vënë në ekzekutim
me urdhrin e ekzekutimit të vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë
nr.1522, datë 02.05.2012 pasi detyrimi i caktuar me këtë vendim
nuk ekziston për paditësin Fatmir Mehmet Dano.
Kundërshtimin e veprimeve të Shërbimit Përmbarimor ZIG sh.p.k,
të përmbaruesit gjyqësor Alketa Goxhi (Tanushi) të njoftuara
me “Njoftimin për vazhdimin e ekzekutimit të urdhrit të ekzekutimit
të vendimi të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë nr.1522, datë 02.05.2012
vënë në dijeni paditësin më datë 14.11.2015.
Kërkohet pezullimi i ekzekutimit të titullit ekzekutiv
“Akt Marrëveshje Huaje, datë 26.07.1995”
pasi ekzekutimi i menjëhershëm i këtij titulli ekzekutiv
për një detyrim që nuk ekziston për paditësin Fatmir Dano në invaliditet të plotë,
do të sillte pasoja të rënda e të pariparueshme për këtë pensionist.
Kërkohet që pala e paditur për këto veprime të kryera në mënyrë të paligjshme
dhe me faj të dëmshpërblejë paditësin për dëmin pasuror e moral të shkaktuar ndaj tij.
Palës së paditur t’i ngarkohen shpenzimet gjyqësore.
Baza Ligjore: Kodi Civil nenet 608, 609, 625, 640;
Kodi i Procedurës Civile nenet 106, 609 e 610;
Ligji nr.119/2014 “Për të drejtën e informimit”.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendimin nr.76, datë 15.01.2016, ka vendosur:
Deklarimin jo kompetente nga pikëpamja tokësore të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë për gjykimin e çështjes civile me nr.Regj.Them 3688 që i përket palëve ndërgjyqëse: Paditës: Fatmir Dano; Të Paditur: 1. Shoqëria “Shërbimi Përmbarimor ZIG” sh.p.k 2. Agjencia e Trajtimit të Kredive;
Kalimin e kësaj çështjeje për gjykim Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë.
Kundër vendimit nr.76, datë 15.01.2016, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, ka paraqitur ankim të veçantë pala e paditur Shoqëria “Shërbimi Përmbarimor ZIG” Sh.p.k, që kërkon prishjen e vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë për shpalljen e kompetencës tokësore dhe vazhdimin e gjykimit pranë kësaj gjykate, duke parashtruar ndër të tjera se:
-
Gjykata ka vendosur në mënyrë të gabuar dhe në kundërshtim me nenin 43, të Kodit të Procedurës Civile duke shpallur kryesisht mos kompetencën për gjykimin e çështjes dhe dërgimin pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë.
-
Pala e paditur Agjencia e Trajtimit të Kredive dhe Shoqëria “Shërbimi Përmbarimor ZIG” Sh.p.k si palë në proces e kanë selinë në Tiranë e cila provohet nga ekstrakti i QKR-së.
-
Paditësi ka qenë dakord për vazhdimin e gjykimit nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe në seancë është shprehur se e ka ngritur këtë padi sipas nenit 43 të Kodit të procedurës Civile.
-
Shoqëria “Shërbimi Përmbarimor ZIG” Sh.p.k është person juridik me qendër në Tiranë dhe nuk ka asnjë degë në qytetin e Vlorë.
KOLEGJI CIVIL I GJYKATËS SË LARTË
pasi dëgjoi relacionin përkatës dhe diskutoi çështjen në tërësi në dhomën e këshillimit,
V Ë R E N
I. Rrethanat e çështjes
1. Nga materialet e dosjes gjyqësore rezulton se referuar përmbajtjes së Akt Marrëveshjes së huasë të datës 26.07.1995 të lidhur ndërmjet ish Bankës Tregtare Agrare, Dega Vlorë dhe shoqërisë “Danaj” sh.p.k e përfaqësuar nga Naim Danaj, rezulton se kjo e fundit të ketë marrë si hua shumën prej 7,452,000 (shtatë milionë e katërqind e pesëdhjetë e dy mijë) lekë për një periudhë 7 (shtatë) vjeçare me interes 19 % në vit.
2. Me qëllim për të garantuar kthimin e huasë së sipërcituar ndërmjet ish Bankës Kombëtare Tregtare, Dega Vlorë dhe kredimarrësve Fatmir e Neim Dano rezulton të jetë lidhur një kontratë hipoteke sipas së cilës këta të fundit rezulton të kenë lënë si garanci për shlyerjen e huasë: a) Një shtëpi banimi e përbërë nga pesë dhoma, një korridor, dy veranda me këto kufizime : V – Xhelo Meçi ; J – Rustem Rexhepi ; L – Dine Ramohito dhe P – Rrugë e ndodhur në Tragjas, Vlorë e regjistruar në pronësi të Fatmir Dano; b) Tokë bujqësore me sipërfaqe 2,5 ha e ndodhur në Tragjas, Vlorë në pronësi të Fatmir Dano.
3. Referuar vërtetimit të pronësisë të lëshuar nga ana e Zyrës së Ipotekës Vlorë rezulton se pasuria e paluajtshme e llojit banesë e përshkruar më lart të jetë inskriptuar në favor të ish Bankës Kombëtare Tregtare, Dega Vlorë me qëllim garantimin e huasë së dhënë prej kësaj të fundit.
4. Pala e paditur në këtë gjykim Agjencia e Trajtimit të Kredive në zbatim të përcaktimeve të ligjit nr.8894, datë 14.05.2002 “Për Agjencinë e Trajtimit të Kredive” si përfituese e të drejtave të ish Bankës Kombëtare Agrare për trajtimin e kredive të pakthyera rezulton t’i jetë drejtuar Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë me kërkesë për lëshimin e urdhrit të ekzekutimit për Akt – Marrëveshjen e Huasë të datës 26.07.1995.
5. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë me vendimin nr.1522 akti, datë 02.05.2012 rezulton të ketë vendosur: “ Lëshimin e urdhrit të ekzekutimit për akt marrëveshjen e huasë e lidhur midis BTA Dega Vlorë dhe debitorit Naim Danaj të transferuar tek ATK në shumën 18.937.429 lekë. Urdhërohet Zyra e Përmbarimit Vlorë të zbatojë në mënyrë të detyrueshme këtë urdhër ekzekutimi”.
6. Pala e paditur në këtë gjykim Agjencia e Trajtimit të Kredive në zbatim të përcaktimeve të nenit 515 të K.Pr.Civile rezulton të ketë regjistruar kërkesën e saj për vënien në ekzekutim të titullit ekzekutiv: “Akt Marrëveshje Huaje, datë 26.07.1995” pranë palës së paditur në këtë gjykim shoqërisë “Shërbimi Përmbarimor ZIG” sh.p.k.
6.1 Pala e paditur në këtë gjykim shoqëria “Shërbimi Përmbarimor ZIG” sh.p.k pas regjistrimit të kërkesës së kreditorit Agjencia e Trajtimit të Kredive Tiranë rezulton të ketë vijuar procedurat përmbarimore për vënien në ekzekutim të titullit ekzekutiv të sipërcituar duke vijuar për këtë qëllim ndër të tjera edhe me vendosjen e sekuestros konservative me anë të urdhrit të datës 23.11.2015 mbi pasurinë e paluajtshme në pronësi të paditësit në këtë gjykim Fatmir Dano të llojit shtëpi banimi e ndodhur në Tragjas, Vlorë e vënë si garanci për kthimin e kredisë nga ana e këtij të fundit.
7. Pas vënies në dijeni të veprimit përmbarimor të sipërcituar paditësi në këtë gjykim Fatmir Dano me pretendimin se detyrimi i përcaktuar në titullin ekzekutiv Akt Marrëveshje Huaje e datës 26.07.1995 nuk ekzistonte për këtë të fundit rezulton t’i jetë drejtuar Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë me kërkesëpadi me anë të së cilës ndër të tjera si pasojë e kundërshtimit të titullit ekzekutiv të sipërcituar rezulton të ketë kërkuar edhe anulimin e veprimeve përmbarimore të ndërmarra nga ana e palës së paditur në këtë gjykim shoqërisë “Shërbimi Përmbarimor ZIG” sh.p.k mbi pasurinë e paluajtshme në pronësi të tij.
8. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë me vendimin nr.76, datë 15.01.2016, ka vendosur: Deklarimin jo kompetente nga pikëpamja tokësore të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, si dhe kalimin e kësaj çështjeje për gjykim Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë.”
8.1. Në marrjen e këtij vendimi gjykata arriti duke arsyetuar (ndër të tjera) se: “...(omissis)...Referuar natyrës së pretendimit të sipërcituar të parashtruar në kërkesëpadi nga ana e paditësit Fatmir Dano e cila përbën edhe shkakun ligjor të kërkesë padisë së paraqitur për shqyrtim arrihet në përfundimin se të zbatueshme në rastin konkret me qëllim përcaktimin e kompetencës tokësore të gjykimit të kësaj çështjeje do të jenë parashikimet e nenit 609 të K.Pr.Civile, dispozitë kjo e emërtuar “Pavlefshmëria e titullit ekzekutiv”. Në nenin 609 paragrafi 1të K.Pr.Civile parashikohet shprehimisht se: “Debitori mund të kërkojë në gjykatën kompetente të vendit të ekzekutimit, që të deklarohet se titulli ekzekutiv është i pavlefshëm ose se detyrimi nuk ekziston, ose ekziston në një masë më të vogël ose është shuar më pas”. Nga përmbajtja e dispozitës së sipërcituar rezulton që të jetë përcaktuar shprehimisht që paditë me objekt pavlefshmërinë e tërësore apo të pjesshme të titullit ekzekutiv të ngrihen në gjykatën kompetente të vendit të ekzekutimit. Një fakti i tillë të shpie në përfundimin se kompetente për gjykimin e kësaj mosmarrëveshjeje të fazës së ekzekutimit të jetë Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë, ku dhe rezulton që të ndodhet pasuria e paluajtshme e llojit shtëpi banimi mbi të cilën nga ana e palës së paditur në këtë gjykim rezulton të ketë vijuar ekzekutimi...(...)...Kundërshtimi i veprimeve përmbarimore në rastin konkret rezulton të jetë kërkuar si pasojë e pretendimit për mosekzistencën e detyrimit ndaj paditësit në këtë gjykim Fatmir Dano si dhe për përjashtimin e pasurisë së këtij të fundit nga sekuestrimi dhe shitja në referim kjo edhe të përcaktimeve të nenit 612 të K.Pr.Civile, pasuri e paluajtshme kjo e cila rezulton që të ndodhet në Tragjas, Vlorë...(...)”
9. Kundër vendimit nr.76, datë 15.01.2016, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, ka paraqitur ankim të veçantë pala e paditur Shoqëria “Shërbimi Përmbarimor ZIG” Sh.p.k, që kërkon prishjen e vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë për shpalljen e kompetencës tokësore dhe vazhdimin e gjykimit pranë kësaj gjykate.
II. Ligji i zbatueshëm
10. Dispozitat e Kodit të Procedurës Civile, në të cilat është parashikuar:
10.1. Neni 16§1 i K.Pr.Civile: “Gjykata zgjidh mosmarrëveshjen në përputhje me dispozitat ligjore dhe normat e tjera në fuqi, që janë të detyrueshme të zbatohen prej saj. Ajo bën një cilësim të saktë të fakteve dhe veprimeve që lidhen me mosmarrëveshjen, pa u lidhur me përcaktimin që mund të propozojnë palët”.
10.2. Neni 41 i K.Pr.Civile: “Në kompetencë të gjykatës së shkallës së parë janë të gjitha mosmarrëveshjet civile e mosmarrëveshjet e tjera të parashikuara në këtë Kod e në ligje të tjera.”
10.3. Neni 61 i K.Pr.Civile: “Gjykata, kur konstaton se nuk është kompetente për gjykimin e çështjes kryesisht ose me kërkesën e palëve, vendos mos kompetencën e saj dhe i dërgon aktet në gjykatën kompetente.”
10.4. Neni 49 i K.Pr.Civile: “Paditë, për të kërkuar ekzekutimin e detyrueshëm mbi sende, ngrihen në gjykatën e vendit ku ndodhen ato ose pjesa më e madhe e vlerës së tyre. Paditë për të kërkuar ekzekutimin e detyrueshëm për kryerjen ose moskryerjen e një veprimi të caktuar, ngrihen në gjykatën e vendit ku duhet të përmbushet një detyrim i tillë.”
10.5. Neni 50 i K.Pr.Civile: “Paditë që kanë për objekt kundërshtimin e veprimeve të kryera nga përmbaruesi për ekzekutimin e detyruar, ngrihen në gjykatën e vendit të ekzekutimit.”
10.6. Neni 609§1 i K.Pr.Civile: “Debitori mund të kërkojë në gjykatën kompetente të vendit të ekzekutimit që të deklarohet se titulli ekzekutiv është i pavlefshëm ose se detyrimi nuk ekziston, ose ekziston në një masë më të vogël ose është shuar më pas”.
10.7. Neni 610§1-3 i K.Pr.Civile: “Kundër veprimeve të përmbaruesit gjyqësor dhe kundër refuzimit për të kryer një veprim, palët mund të bëjnë ankim në gjykatën që ekzekuton vendimin brenda 5 ditëve nga dita e kryerjes së veprimit apo refuzimit, kur palët kanë qenë të pranishme në kryerjen e veprimit ose kanë qenë thirrur edhe në raste të tjera nga dita që i është njoftuar ose ka marrë dijeni për veprimin ose refuzimin. Ankimi shqyrtohet brenda 20 ditëve nga gjykata e vendit të ekzekutimit, e cila kur e sheh të nevojshme mund të thërrasë edhe palët. Kundër veprimeve të personave, përmbaruesit gjyqësorë, që ushtrojnë veprimtarinë publike të shërbimit përmbarimor gjyqësor të organizuar mbi baza private, pala debitore mund të paraqesë ankim në gjykatën, ku ekzekutohet titulli ekzekutiv, brenda 5 ditëve nga data e kryerjes së veprimit”.
-
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë vlerëson
11. Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë, në shqyrtim e në vlerësim të akteve që ndodhen në dosjen gjyqësore e të administruara gjatë gjykimit, pretendimeve të palës ankuese, si dhe pjesës arsyetuese të vendimit gjyqësor, arrin në përfundimin se në marrjen e vendimit nr.76, datë 15.01.2016, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë janë respektuar dispozitat e ligjit procedural civil duke bërë një cilësim të saktë të fakteve dhe veprimeve që lidhen me mosmarrëveshjen, si dhe duke e zgjidhur atë në përputhje me dispozitat ligjore dhe normat e tjera në fuqi (neni 16 §1 i K.Pr.Civile).
12. Kolegji Civil i Gjykatë së Lartë pikësëpari thekson se termi “gjykatë”, i cili karakterizohet në kuptimin material nga funksioni i saj gjyqësor, ka të bëjë me zgjidhjen e çështjeve të cilat janë në kompetencë të saj, në një proces të zhvilluar mbi një procedurë ligjërisht të përcaktuar dhe në pajtim me shtetin e së drejtës. Në analizë të natyrës së mosmarrëveshjes, shkakut ligjor të saj, objektit të kërkesë padisë, si dhe kohës së shqyrtimit të saj, Kolegji Civil konstaton se, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka zbatuar drejtë dispozitat procedurale lidhur me kompetencën tokësore të këtij procesi gjyqësor duke zhvilluar një proces të rregullt ligjor në mbështetje të nenit 42/1 të Kushtetutës dhe nenit 6/1 të KEDNJ (shih vendimet nr.23/2009, nr.7/2009 dhe nr.31/2005 dhe nr.16/2012 të Gjykatës Kushtetuese).
13. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë në datën 15.01.2016, në mbështetje të nenit 61, të Kodit të Procedurës Civile ka konstatuar se nuk është kompetente nga pikëpamja tokësore dhe në këto kushte ka vendosur dërgimin e akteve pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë.
14. Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë për zgjidhjen e çështjes konkrete referon në rregullimet e bëra në Kreun e III, Titulli III, Pjesa e Parë të Kodit të Procedurës Civile (ratio legis) dhe në parimet e së drejtës (ratio iuris) në lidhje me kompetencën tokësore të gjykatave për shqyrtimin e mosmarrëveshjeve civile të parashikuara në po këtë Kod dhe në ligje të tjera të veçanta, në të cilat është pasur parasysh, midis të tjerave, që palëve të mos u bëhet i vështirë aksesi në drejtësi. Në këtë kontekst i vlerësueshëm është fakti se për kategori të caktuara mosmarrëveshjesh procesi duhet të zhvillohet përpara një gjykate, vendndodhja e së cilës të ndihmojë që ai të zhvillohet në mënyrë sa më efektive dhe brenda një afati të arsyeshëm (Neni 6 i Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, neni 42 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe neni 4 i Kodit të Procedurës Civile).
15. Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë vlerëson se, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë e ka zgjidhur çështjen konform shkakut që rezulton nga shqyrtimi në tërësi i kërkesëpadisë, duke bërë lidhjen midis fakteve që pretendohen prej paditësit se kanë ngjarë dhe të drejtave apo interesave që ai pretendon se i janë cenuar (qëndrim ky i mbajtur në vendimin unifikues nr.3/2012 të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë)
16. Ky Kolegj, referuar natyrës juridike të mosmarrëveshjes në shqyrtim dhe palëve ndërgjyqëse, momentit të ngritjes së padisë dhe shqyrtimit të çështjes në shkallë të parë, vlerëson se në përcaktimin e kompetencës tokësore për shqyrtimin e saj duhet referuar në nenet 609 e 610 të Kodit të Procedurës Civile.
17. Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë e gjen me vend të parashtrojë se normat juridike të pjesës së katërt të Kodit të Procedurës Civile rregullojnë marrëdhëniet procedurale që krijohen gjatë procesit të ekzekutimit të detyrueshëm të titujve ekzekutivë. Gjithashtu, aspekte që kanë të bëjnë me ekzekutimin e detyrueshëm rregullohen edhe nga ligje të veçanta, sikurse janë ligji nr.8730, datë 18.01.2001 “Për Organizimin dhe funksionimin e Shërbimit të Përmbarimit Gjyqësor” dhe ligji nr.10031, datë 11.12.2008, “Për Shërbimin Përmbarimor Gjyqësor Privat”.
18. Në dispozitat e pjesës së katërt të Kodit të Procedurës Civile, ndër të tjera, parashikohen dhe mjetet e mbrojtjes gjatë procesit të ekzekutimit të detyrueshëm, që në thelb dallohen në dy kategori kryesore: (i) paditë që ngrihen gjatë procesit përmbarimor e që lidhen me mbrojtjen e të drejtave që rrjedhin nga e drejta materiale (nenet 609, 612-614) dhe (ii) ankimi (kundërshtimi) ndaj veprimeve ose mosveprimeve të përmbaruesit (nenet 610-611).
19. Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë vlerëson se për sa i përket kompetencës tokësore, gjykatat duhet ta mbështetin qëndrimin dhe disponimin e tyre në dispozitën e posaçme që rregullon kompetencën tokësore të mosmarrëveshjes konkrete objekt gjykimi. Nëse nuk ka të tillë, gjykata i referohet sipas radhës dispozitës që përmban rregullim më të përgjithshëm të çështjeve të kompetencës tokësore.
20. Kompetenca tokësore për gjykimin e këtyre mjeteve përcaktohet nga ligji, Kodi i Procedurës Civile. Në nenet 49 dhe 50 të këtij Kodi parashikohen rregullat e përgjithshme për përcaktimin e kompetencës tokësore gjatë procesit të ekzekutimit të detyrueshëm.
20.1.a) Në nenin 49 përcaktohet kompetenca tokësore për dy raste padish që lidhen me ekzekutimin e detyruar. Paragrafi i parë i kësaj dispozite përcakton kompetencën tokësore të gjykatës për paditë që ngrihen për të kërkuar ekzekutimin e detyrueshëm mbi sende. Në këtë rast, kompetente është gjykata ku ndodhen sendet ose pjesa më e madhe e tyre; parë kjo në raport me vlerën e tyre ekonomike. Ndërsa paragrafi i dytë i kësaj dispozite e lidh përcaktimin e kompetencës tokësore, për paditë që ngrihen për të kërkuar ekzekutimin e detyrueshëm për kryerjen ose moskryerjen e një veprimi të caktuar, me kriterin e vendit ku duhet të përmbushet një detyrim i tillë. Për këtë rast vendi i ekzekutimit duhet të caktohet me vendimin e gjykatës që ka marrë formë të prerë.
20.2.b) Në nenin 50 të po këtij Kodi është përcaktuar se paditë “...që kanë për objekt kundërshtimin e veprimeve të kryera nga përmbaruesi për ekzekutimin e detyruar, ngrihen në gjykatën e vendit të ekzekutimit”.
21. Në nenin 609§1 të Kodit të Procedurës Civile është përcaktuar se “Debitori mund të kërkojë në gjykatën kompetente të vendit të ekzekutimit, që të deklarohet se titulli ekzekutiv është i pavlefshëm ose se detyrimi nuk ekziston, ose ekziston në një masë më të vogël ose është shuar më pas”. Po kështu, i njëjti rregullim ligjor gjendet edhe në disa dispozita të tjera të Kodit të Procedurës Civile. Nga përmbajtja e këtyre dispozitave del se kriteri që përcakton kompetencën tokësore të gjykatës është “vendi i ekzekutimit”.
22. Me togfjalëshin “vend i ekzekutimit” të detyrueshëm kuptohet vendi ku përmbushet diçka apo zbatohet një urdhërim ose një vendim, pra një titull ekzekutiv. Ky vend i përgjigjet vendit ku kryhen veprimtarinë e tij dhe ka pasuri të luajtshme apo të paluajtshme mbi të cilat do të shtrihen veprimet përmbarimore gjatë procesit të ekzekutimit.
23. Për sa më sipër, Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë, arrin në konkluzionin se vendimi nr.76, datë 15.01.2016, i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, është i drejtë dhe duhet të lihet në fuqi.
PËR KËTO ARSYE
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë, në bazë të nenit 62 dhe 485 të Kodit të Procedurës Civile,
V E N D O S I
Lënien në fuqi të vendimit nr.76, datë 15.01.2016, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Tiranë, më 15.03.2016
Nr. 11243-00837-00-2016 i Regj. Themeltar
Nr. 00-2016-666 i Vendimit
Do'stlaringiz bilan baham: |