VENDIM NË EMËR TË REPUBLIKËS
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, i përbërë nga :
Ardian Dvorani Kryesues
Arjana Fullani Anëtare
Evelina Qirjako Anëtare
Andi Çeliku Anëtar
Medi Bici Anëtar
Në datën 08.03.2016, mori në shqyrtim në seancë gjyqësore çështjen administrative me nr.31001-01962-00-2012 akti që ju përket palëve :
PADITËS: SHOQËRIA “S.I.A.L. PEL” SHPK KORÇË.
E PADITUR: DEGA E DOGANËS KORÇË.
OBJEKTI:
Anullimin e vendimit nr.29, datë 10.09.2010 të Degës së Doganës Korçë.
Shfuqizimin e vendimit administrativ nr.12925/3, datë 30.11.2010
të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave Tiranë.
Rimbursimin e shumës 4 802 250 lekë të mbajtura padrejtësisht
nga Dega e Doganës Korçë.
Baza Ligjore: Nenet 34, 324-328 të K.Pr.Civile,
nenet 34-37, 136-149 të Kodit Doganor,
pikat 272-325 të VKM nr.205, datë 13.03.1999
“ Për dispozitat zbatuese të Kodit Doganor”,
ndryshuar me VKM nr.686, datë 02.11.2005,
ligji nr.9920, datë 19.05.2008
“Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, neni 20,
Udhëzimi i Ministrisë së Financave nr.17, datë 13.05.2008
“Për tatimin mbi Vlerën e shtuar”,
pika 20.1.2 “Rimbursimi i eksportuesve”.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë, me vendimin nr.2780, datë 22.11.2011 ka vendosur:
Pranimin pjesërisht të kërkesëpadisë së palës paditëse Shoqëria “S.I.A.L – PEL” shpk.
Anullimin e pikës 1 dhe 4 të aktit administrativ, vendimit nr.29, datë 10.09.2010 të Degës së Doganës Korçë lidhur me detyrimin doganor të papaguar (TVSH) në masën 4 602 250 lekë.
Rrëzimin e kërkesëpadisë përsa i përket kërkimit për anullimin e pikës 2 të vendimit nr.29, datë 10.09.2010 të Degës së Doganës Korçë, lidhur me gjobën në masën 200 000 lekë (parapaguar në masën 80 000 lekë mbetur për të paguar dhe 120 000 lekë)
Rrëzimin e kërkesëpadisë lidhur me kërkimin për shfuqizimin e vendimit administrativ nr.12925/3 prot, datë 30.11.2010 të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave Tiranë.
Detyrimin e Degës Doganës Korçë që me marrjen formë të prerë të këtij vendimi, t’i kthej palës paditëse shumën prej 4 602 250 lekë, të depozituar si parapagim i detyrimit doganor të nxjerrë sipas pikës 1 të vendimit nr.29, datë 10.09.2010 të Degës së Doganës Korçë.
Shpenzimet gjyqësore në masën 12 000 lekë (taksë gjyqësore, parapaguar nga pala paditëse) i ngarkohen palës së paditur, Degës së Doganës Korçë në masën 115 2000 lekë dhe palës paditëse, Shoqërisë “S.I.A.L-PEL” shpk 4 800 lekë.
Gjykata e Apelit Korçë, me vendimin nr.104, datë 22.02.2012 ka vendosur:
Lënien në fuqi të vendimit nr.2780, datë 22.11.2011 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë.
Kundër vendimit të Gjykatës së Apelit Korçë, kanë ushtruar rekurs pala e paditur Dega e Doganës Korçë, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave si dhe Avokatura e Shtetit të cilat kërkojnë prishjen e këtij vendimi dhe vendimin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë nr.2780, datë 22.11.2011 e vendosjen e rrëzimit të padisë, duke parashtruar këto shkaqe;
Shkaqet e ngritura në rekursin e Degës së Doganës Korçë:
-
Nga verifikimet e kryera në sistem dhe ballafaquar me dokumentin e mbylljes së regjimit të përpunimit Aktiv nr.5751, datë 13.05.2008 rezulton se lëkura e importuar e papërpunuar në gjithë sasinë e saj është rieksportuar me procedurë EXP 3. Kimikatet e importuara në total me deklaratat doganore që i referohen këtij autorizimi janë në sasinë 211 776 kg. Të cilave ju korrespondon vlera 337 320 euro. Nga kjo sasi kimikatesh është përdorur 114 440 kg. me vlerë 168 875,20 Euro për përpunuar lëkurët e importuara, ndërsa sasia prej 97 335 kg. Dhe vlerë 168 444,85 Euro është përdorur për përpunimin e lëkurëve në vënd. Për këtë sasi, referuar nenit 305 të VKM nr.205, datë 13.04.1999, duhet të paguajë detyrimet doganore të papaguara në vlerën 4 602 250 lekë.
-
Veç detyrimit doganor, për mosrespektim të afateve në mbështetje të nenit 275/1, pala e paditur e ka dënuar me gjobë në vlerën 200 000 lekë.
-
Gjykatat kanë vendosur anullimin e pikës 1 dhe 4 të vendimit nr.29, datë 10.09.2010 duke dhënë një zgjidhje të gabuar mbështetur në dispozitat e ligjit material.
-
Gjykatat nga njëra anë kanë pranuar se kundërvajtja qëndron, ndërsa nga ana tjetër nuk pranon faktin se paditësi duhet të paguaj vlerën e detyrimit për këtë mall që është objekti i kundërvajtjes administrative. Kjo zgjidhje përbërë nosens juridik, pasi lë pa kuptim nenin 256/4 të Kodit Doganor ku thuhet:”Pagesa e gjobës, që zbatohet për shkeljen doganore, në asnjë rast nuk do të jetë shkak për të përjashtuar shkelësin nga pagimi i detyrimeve doganore që duhen paguar për mallrat objekt i shkeljes”.
-
I padituri në parashtresat para gjykatës ka sqaruar se në asnjë rast nuk është pretenduar vendosja e mallit në qarkullim të lirë; por kemi theksuar se vendosja e nenit 305 të Dispozitave Zbatuese, në arsyetimin e vendimit, i referohet faktit të parashtruar më sipër se meqenëse malli është përdorur jashtë kushteve të regjimit doganor, pra është subjekt i kundërvajtjes siç pranon dhe vet gjykata, duhet të llogariteshin detyrimet për këtë mall dhe si rrjedhim neni 305 përcakton mënyrën e llogaritjes së detyrimeve që i korrespondojnë këtij malli dhe elementëve të taksimit në momentin e marrjes së vendimit, pasi nëse i referohemi dispozitivit të vendimit ai përmban dispozitën e nenit 275 dhe nenin 256/4 e cila i referohet pagesës së detyrimeve doganore.
-
Gjykatat kanë pranuar pretendimin e paditësit se nuk duhet të paguajë këtë detyrim, meqenëse malli është eksportuar, do të thotë të lësh pa kuptim dhe ti shëndrosh në dispozita boshe të gjitha dispozitat e këtij Kodit Doganor dhe dispozitave zbatuese të cilat rregullojnë futjen e mallrave nën regjimimin e përpunimit aktiv, funksionimit dhe mbylljes se regjimit doganor.
-
Shoqëria përmes pajisjes me autorizimin e Regjimit të Përpunimit Aktiv ka futur në territorin doganor mallin “ lëkurë të papërpunuara dhe gjysëm të përpunuara, kimikate për përpunimin e lëkurëve, duke u përjashtuar nga pagesa e detyrimit.
-
Regjimi i përpunimit Aktiv është rregulluar nga VKM nr.2005 “ Për dispozita Zbatuese të Kodit Doganor” i cili parashikon në nenin 286 se:” Deklarata për vendosjen e mallrave nën regjimin e përpunimit aktiv bëhet në përputhje me nenet 121 deri 161.
-
Rieksportimi i mallit nuk mund të konfondohet me termin “eksportim “, siç ka ndodhur në rastin konkret, kur malli është nxjerrë nga territori doganor jo në formën e Ex3 që do të mundësonte mbylljen e regjimit, por ka dal nga ky territor me deklaratë Ex1 që presupozon daljen në këtë mënyrë të mallrave shqiptare si dhe të mallrave të huaja për të cilat është bërë pagesa e detyrimit doganor në doganë në momentin e hyrjes nën këtë regjim.
-
Në rastin në shqyrtim në deklaratat e eksportit të subjektit nuk gjejmë referim të faktit se malli që eksportohet, i referohet regjimit të përpunimit aktiv dhe se dalja nga territori doganor i këtij malli (kimikatit) në mënyrë që të mundësohet mbyllja e regjimit dhe më kryesorja përputhja e vlerës së mallit të futur në territorin doganor të Shqipërisë me atë të dalë nga ky territor duhet të bëhet vetëm për Exp.3 dhe jo Exp.1. Në kushtet kur malli ka dalë nga territori doganor shqiptar, me EXP 1 në mbështetje të dispozitave ligjore bëhet e pagueshme vlera e detyrimit doganor për këtë mall, ndaj autoriteti doganor me vendimin objekt kundërshtimi ka vendosur pagimin e detyrimit përkatës për këtë mall.
-
Gjykatat kanë krijuar kushtet që subjektet që merren me të njëjtën veprimtari të vendosen në pozita të pabarabarta, pasi subjektet që përpunojnë mallin e vendit me kimikatin e importuar, paguajnë detyrimet doganore në momentin e futjes në territorin doganor të mallit (kimikat), ndërsa paditësi nuk ka paguar detyrimin për këtë mall.
Shkaqet e ngritura në rekursin e Drejtorisë Përgjithshme të Doganave:
-
Pala paditëse në kërkesëpadi ka pretenduar se autoriteti doganor në marrjen e vendimit ka shkelur procedurat e përcaktuara në ligj, referuar marrjes së informacionit, njohjes me dokumentacionin dhe vënien në dijeni lidhur me prekjen e interesave të tij dhe si rrjedhojë kërkon pavlefshmërinë e aktit. Autoriteti doganor ka vënë në dijeni paditësin mbi gjithë sa kishte konstatuar dhe jo vetëm për vendimin por për të gjithë procesin e vendimmarrjes.
-
Regjimi i Përpunimit Aktiv është rregulluar nga Vendimi i KM nr.205 “Për dispozita zbatuese të Kodit Doganor” i cili parashikon në nenin 289 se “ Deklarata për vendosjen e mallrave nën regjimin e përpunimit aktiv (sistemi me pezullim) bëhet në përputhje me nenet nga 121 deri 161. Deklarata e importit të mallrave nën këtë regjim duhet të përmbajë detyrimisht përshkrimin e mallrave në deklaratën e cila duhet të përputhet me specifikimet e dhëna në autorizim, gjithashtu duhet të përmbajë kodin IM5, në të cilin të shënohet numri dhe data e autorizimit për përpunim aktiv në mënyrë që të identifikohen mallrat e futura në territorin doganor në këtë regjim me qëllim mbikëqyrjen e tij.
-
Në nenin 8 pika 15 të Kodit Doganor përcaktohen destinacionet doganore. Me destinacion doganor të mallrave kuptohet : a)vendosja e mallrave nën regjim doganor b) hyrja e tyre në një zonë të lirë ose një magazinë të lirë dhe c) riekspertimi i tyre nga territori doganor i RSH-së. Riekspertimi i mallit nuk mund të konfondohet me termin “ ekspertim “ siç ka ndodhur në rastin konkret, kur malli është nxjerrë nga territori doganor në formën e Ex3 që do të mundësonte mbylljen e regjimit, por ka dalë nga ky territor me deklaratë Ex1 që presupozon dhe të mallrave të huaja për të cilat është bërë pagesa e detyrimit doganor në doganë në momentin e hyrjes nën këtë regjim.
-
Në nenin 290 i Dispozitave Zbatuese parashikon se “ Deklarata për vendosjen e produkteve kompesuese ose mallrave në gjendje të pandryshuar në njërin prej destinacioneve doganore përmban gjithë hollësirat që nevojiten për mbylljen e procedurës”. Në rastin në shqyrtim në deklaratat e eksportit të subjektit nuk gjejmë referim të faktit se malli që po eksportohet, i referohet regjimit të përpunimit aktiv.
-
Afati i rieksportimit për këtë regjim është 360 ditë dhe shoqëria duhej që brenda datës 13.05.2011 të paraqiste dokumentin e mbylljes së regjimit.
-
Autoriteti Doganor nuk ka vënë në dyshim faktin nëse kimikati do të përdorej apo jo për përpunimin e lëkurëve, por kemi theksuar se dalja nga territori doganor i këtij malli (kimikati) në mënyrë që të mundësohet mbyllja e regjimit duhet të bëhet vetëm për rieksportim Exp3 dhe jo për Exp.1.
-
Gjykatat kanë konstatuar dhe arsyetuar se jemi vërtetë para kushteve të kryerjes së kundërvajtjes administrative nga ana e paditësit, por nga ana tjetër nuk pranon faktin se paditësi duhet të paguaj vlerën e detyrimit për këtë mall, që është objekt i kundërvajtjes administrative, duke anashkaluar nenin 256/4 të Kodit Doganor ku thuhet:” :”Pagesa e gjobës, që zbatohet për shkeljen doganore, në asnjë rast nuk do të jetë shkak për të përjashtuar shkelësin nga pagimi i detyrimeve doganore që duhen paguar për mallrat objekt i shkeljes”.
-
Gjykatat kanë vendosur në kundërshtim me nenin 181 të Kodit Doganor ku përcaktohet eksportimi i mallrave shqiptare.
-
Të dy gjykatat si ajo e rrethit dhe e apelit kanë arsyetuar se paditësi nuk duhet të paguajë këtë detyrim, meqenëse malli është eksportuar duke kuptuar dhe zbatuar gabim ligjin specifik, Kodin Doganor dhe dispozitave Zbatuese dhe duke lënë pa kuptim dispozitat të cilat rregullojnë futjen e mallrave nën Regjimin e Përpunimit Aktiv, mbylljes së regjimit doganor, përputhjes së vlerës së mallrave të hyra me ato të dala nga territori doganor nën kushtet e respektimit të regjimit të përpunimit aktiv.
-
Vendimi i gjykatës që urdhëron kthimin e detyrimit doganor nuk gjënë mbështetje në ligjin nr.7928, datë 27.04.1995 “ Për Tatimin e Vlerës së Shtuar” si dhe Udhëzimit nr.17, datë 13.05.2008, pika 20.1 “ Rimbursimi i eksportuesve” ku eshte parashikuar se:”Ndaj çdo refuzimi për rimbursim, personi i tatueshëm mund të apelojë si për çdo akt tjetër të organeve tatimore”.
-
Konfliktin për TVSH-së shoqëria duhet ta zgjidh me organet tatimore dhe jo me doganën e cila është thjeshtë agjente për mbledhjen e TVSH-së dhe nuk ka asnjë kompetencë dhe detyrim për njohjen, rimbursimin apo kreditimin e TVSH-së.
Shkaqet e parashtruara në rekursin e Avokaturës së Shtetit:
-
Nga kontrolli i ushtruar rezultoi se gjithë lëkura e importuar e papërpunuar në gjithë sasinë e saj është rieksportuar me procedurë EXP 3, ndërsa kimikatet një pjesë janë përdorur për përpunimin e lëkurëve të blera në vend. Kjo sasi lëkure e blerë në vend dhe e përpunuar me kimikatet e importuara IMP5 është eksportuar me EXP1 si “ eksport definitiv” dhe për pasojë nuk është bërë e mundur mbyllja e përpunimit Aktiv nr.5751 dhe për pasojë në mbështetje të nenit 305 to VKM nr.205/1999, për sasinë e kimikateve të përdorura për përpunimin e këtyre lëkurëve duhet të paguajë detyrimin doganor.
-
Në veprimet e mësipërme paditësi ka kryer kundërvajtje administrative doganore të parashikuara në nenet 256/1.a, 256/2 dhe 275/1 dhe duhet të paguajë detyrimin në vlerën 4 602 250 lekë si dhe gjobën në vlerën 200 000 lekë.
-
Gjykata ka konstatuar dhe arsyetuar se jemi vërtetë para kushteve të kryerjes së kundërvajtjes administrative nga ana e paditësit, por nga ana tjetër nuk pranon faktin se nga paditësi duhet të paguhet vlera e detyrimit për këtë mall, që është objekt i kundërvajtjes. Kjo zgjidhje përbën nonsens juridik, pasi e lë pa kuptim dispozitën e nenit 256/4 të Kodit Doganor.
-
Gjykata duke pranuar pretendimin e paditësit për kthimin e vlerës që përbënë vlerën e detyrimit, pavarësisht se e ka vendosur si bazë ligjore që rrjedh nga rregullimi i pasojave të pikës 1 të vendimit të cilin e ka konsideruar të paligjshëm dhe jo të mbështetur në bazën ligjore të vendosur nga vet paditësi, ligji nr.7928, datë 27.04.1995 “ Për tatimin e Vlerës së Shtuar “.
-
Në udhëzimin nr.17, pika 20.1 “Rimbursimi i eksportuesve” përcaktohet se quhen eksportues ajo kategori tatimpaguesish qe eksporton sipas kuptimit të nenit 181 dhe 182 të Kodit Doganor.
-
Kodi Doganor në dispozitat 136-149 të Kodit Doganor dhe VKM nr.205/1999 “ Për dispozitat zbatuese të Kodit Doganor” parashikohet se Regjimi i Përpunimit Aktiv lejon hyrjen e mallrave në territorin doganor të RSH-së nën këtë regjim në dy mënyra:
1. Pa iu nënshtruar detyrimeve të importit (sistemi pezullim) siç është dhe rasti në shqyrtim dhe
2. Duke iu nënshtruar detyrimeve të importit të mallit (sistemi me rimbursim), por me rimbursim të detyrimeve të paguara në rastin e riekspertimit të mallit.
Pala paditëse ka futur lëkurë të papërpunuar dhe kimikate për përpunimin e tyre duke u përjashtuar nga pagesa e detyrimit.
-
Regjimi i përpunimit aktiv është rregulluar nga VKM nr.205/1999 i cili parashikon në nenin 286 ku thuhet:”Deklarata për vendosjen e mallrave nën regjimin e përpunimit aktiv (sistemi me pezullim) bëhet në përputhje me nenet 121 deri 161. Çdo deklarate duhet të përmbajë kodin IM5, në të cilën shënohet numri dhe data e autorizimit për përpunim aktiv në mënyrë që të identifikohen mallrat e futura në territorin doganor nën këtë regjim dhe me qëllim mbikëqyrjen e tij.
KOLEGJI ADMINISTRATIV I GJYKATËS SË LARTË
Pasi dëgjoi në seancë gjyqësore relatimin e gjyqtarit Ardian Dvorani; mbrojtjen e përfaqësuesit të palës së paditur Dega e Doganës Korçë, juristen Ornela Biti dhe avokatin e shtetit Abaz Deda, që kërkuar ndryshimin e vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë dhe të vendimit të Gjykatës së Apelit Korçë dhe rrëzimin e padisë; dhe si e bisedoi çështjen në tërësi në dhomën e këshillimit
V Ë R E N
Vendimi nr.2780 datë 22.11.2011 i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë dhe vendimi nr.104 datë 22.02.2012 i Gjykatës së Apelit Korçë janë dhënë në zbatim të gabuar të ligjit, prandaj të dy këto vendime gjyqësore duhet të ndryshohen dhe të rrëzohet kërkesëpadia.
Kolegjit Administrativ të Gjykatës së Lartë, nga vendimet e dhëna nga gjykata e shkallës së parë dhe gjykata e apelit, i rezulton se pala paditëse S.I.A.L. PEL shpk është shoqëri e së drejtës shqiptare, me qendër në qytetin e Korçës dhe me objekt kryesor të veprimtarisë së saj përpunimi i lëkurës dhe nënprodukteve të saj.
Në përgjigje të kërkesës së datës 08.05.2008 të palës paditëse S.I.A.L. PEL shpk, ky subjekt ka qenë e pajisur nga ana e autoriteteve doganore me autorizim për përpunim aktiv, i cili mban nr.5751 datë 13.05.2008, me sistem të autorizuar me pezullim (pika 2) dhe me afat vlefshmërie 12 muaj (pika 11). Në këtë autorizim, saktësohet në pikën 3/a se mallrat në përpunim janë lëkurë e papërpunuar dhe gjysmë e përpunuar, si edhe kimikate për punimin e lëkurëve.
Gjatë zhvillimit të veprimtarisë së saj nën këtë regjim doganor, pala paditëse S.I.A.L. PEL shpk ka përdorur lëkurë të papërpunuar të importit, duke i përpunuar me kimikatet e importuara edhe këto nën regjimin e përpunimit aktiv.
Pala paditëse S.I.A.L. PEL shpk, në vijim të veprimtarisë së saj, i ka dorëzuar palës së paditur Dega e Doganës Korçë mbylljen e regjimit doganor nr.5751 datë 13.05.2008, duke i bashkëlidhur të dhënat përkatëse dhe bilancin e mbylljes së veprimtarive nën këtë regjim.
Pala e paditur Dega e Doganës Korçë, me shkresën nr.1154 datë 11.08.2010, ka njoftuar palën paditëse S.I.A.L. PEL shpk se dokumentacioni i mbylljes së veprimtarive nën regjimin doganor të autorizuar nuk ishte konfirmuar nga ana e autoritetit doganor, për shkak se nuk ishin pasqyruar:
“- Sasia dhe vlera e kimikateve të shfrytëzimit për çdo deklaratë dhe jo e grupuar.
- Duhet të pasqyrohej koeficienti i shfrytëzimit për çdo deklaratë, si për artikullin lëkurën ashtu dhe për kimikatet.
- Të pasqyrohet vetëm sasia dhe vlera e kimikateve ku është përdorur procedura EX 3 ...”
Në datën 08.09.2010 strukturat e kontrollit a posterior pranë palës së paditur kanë ushtruar kontroll dokumentar pranë palës paditëse S.I.A.L. PEL shpk lidhur me respektimin e dispozitave në fuqi për veprimtaritë e zhvilluara nën regjimin e përpunimit aktiv të autorizuar me nr.5751 datë 13.05.2008. Në përfundim të kontrollit inspektorët kanë mbajtur procesverbal me anë të të cilit kanë konstatuar shkelje të regjimit doganor të autorizuar.
Mbi këtë bazë, pala e paditur Dega e Doganës Korçë ka nxjerrë aktin administrativ, vendimin nr.29 datë 10.09.2010 duke disponuar sa vijon:
“1. Subjekti “S.I.A.L-PEL“ me NIPT J64103064A,.....bazuar në nenin 256/4, të paguajë detyrimin doganor të papaguar në vlerë 4 602 250 lekë.
2. Subjekti “S.I.A.L-PEL”..... në mbështetje të nenit 275/1 të ndëshkohet me gjobë në vlerë 200 000 lekë
3. Vlera e debisë në total e subjektit është vlera 4 802 250 lekë.
4. Doganieri i Regjimeve Doganore dhe Kontrolli Aposterior i Degës së Doganës Korçë të kryejnë veprimet për mbylljen e regjimit...”
Pala e paditur Dega e Doganës Korçë ka nxjerrë aktin administrativ të sipërcituar mbi këto motive kryesore:
“...rezulton se lëkura e importuar e papërpunuar në të gjithë sasinë e saj është rieksportuar me procedurë EXP3. Kimikatet e importuara në total me deklaratat doganore që i referohen këtij autorizimi janë në sasinë 211 775 kg. të cilave u korrespondon vlera 337 320 Euro.
Nga kjo sasi kimikatesh është përdorur 114 440 kg. Me vlerë 168 875,29 Euro për përpunimin e lëkurëve të importuara, ndërsa sasia prej 97 335 kg. dhe vlerë 168 444,85 është përdorur për përpunimin e lëkurëve të blera në vend.
Kjo sasi lëkure e blerë në vend dhe e përpunuar me kimikatet e importuara me IMP5 është eksportuar me EXP1 si “eksport definitiv“, si rezultat nuk është bërë e mundur mbyllja e Regjimit të Përpunimit Aktiv nr.5751, datë 13.05.2008, referuar sasisë së kimikateve.
Në këto kushte, në mbështetje të nenit 305 të Vendimit të Këshillit të Ministrave nr.205, datë 13.04.1999 “ Për dispozitat zbatuese të Kodit Doganor”, për sasinë e kimikateve të përdorura për përpunimin e lëkurëve të blera në vend, subjekti “S.I.A.L-PEL”, duhet të paguajë detyrimet doganore.
Për sa më sipër veprimet e mësipërme përbëjnë kundërvajtje administrative doganore të parashikuara nga nenet 256/1,a, 256/2 dhe 275/1...”.
Pala paditëse S.I.A.L. PEL shpk, duke mos qenë dakord me këtë akt administrativ të palës së paditur Dega e Doganës Korçë e ka ankimuar atë pranë organit epror të tij, palës së paditur Drejtoria e Përgjithshme të Doganave.
Pala e paditur Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, pasi shqyrtimin të kërkesës ankimore, me vendimin nr.12925/3 prot. datë 30.11.2010, ka vendosur: ”Lënien në fuqi të vendimit nr.29 prot. datë 10.09.2010 të Degës Doganore Korçë, si të mbështetur në ligj dhe në prova”.
Në rrethana të tilla, pala paditëse S.I.A.L. PEL shpk ka ngritur në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Korçë padinë objekt i këtij gjykimi, me shkak ligjor dhe objekt anulimin e aktit administrativ vendimit nr.29 prot. datë 10.09.2010 të nxjerrë nga pala e paditur Dega e Doganës Korçë, shfuqizimin e vendimit 12925/3 prot. datë 30.11.2010 të palës së paditur Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, si edhe rimbursimin e shumës 4.802.250 lekë të mbajtur padrejtësisht si detyrim doganor prej tyre.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë, në përfundim të shqyrtimit gjyqësor të çështjes, ka vendosur ta pranojë pjesërisht padinë duke anuluar pikën 1 dhe 4 të aktit administrativ, vendimin nr.29 prot. datë 10.09.20109 të palës së paditur Dega e Doganës Korçë, lidhur me detyrimin doganor të papaguar (TVSH) në shumën 4.602.250 lekë, rrëzimin e padisë për anulimin e pikës 2 të të këtij akti për dënimin me gjobë në shumën 200 000 lekë. Gjithashtu, kjo gjykatë ka rrëzuar padinë për kërkimin për shfuqizimin e vendimit 12925/3 prot. datë 30.11.2010 të palës së paditur Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, si edhe detyrimin e palës së paditur Dega e Doganës Korçë ti kthejë palës paditëse S.I.A.L. PEL shpk shumën 4.602.250 lekë.
Kjo gjykatë, në mënyrë të përmbledhur, arsyeton se nga gjykimi nuk rezultojnë shkelje për sa i përket formës dhe procedurës së ndjekur nga palët e paditura në nxjerrjen e akteve administrative objekt gjykimi dhe pretendimi për pavlefshmëri absolute të tyre nuk është i bazuar në prova dhe ligj. Gjithashtu, argumentet e palës paditëse nuk shmangin fajin e këtij subjekti si element i përgjegjësisë administrative sipas nenit 4 të ligjit nr.10279/2010 “Për kundërvajtjet administrative”, dispozitave të Kodit Doganor dhe atyre të nxjerra në zbatim të tij. Ishte detyrë e këtij subjekti të plotësonte deklaratën doganore EX 3, sikurse ka vepruar për produktin kompensues të përfituar nga përpunimi i lëkurës së importuar me kimikate të importuara nën regjimin e përpunimit aktiv dhe me sistem pezullimi. Shkelja e ligjit, nenit 256 pika 2 dhe 310 pika 4 të Kodit Doganor, konsiston në mosplotësimin e deklaratës EX 3, për nxjerrjen jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë të produktit kompensues (lëkurë vendi plus kimikat i importuar) të kryer me deklaratë EX 1.
Megjithatë, kjo gjykatën arsyeton se ka vend për tu pranuar padia për sa i përket pavlefshmërisë relative të aktit administrativ. Ndryshe nga sa konstaton dhe ka disponuar pala e paditur Dega e Doganës Korçë në çështjen objekt gjykimi, pala paditëse S.I.A.L-PEL shpk, kimikatet e trajtuara si të hedhura në qarkullim të lirë, në fakt i ka përdorur për përpunimin e lëkurës së blerë në vend dhe të nxjerrë nga territori i RSH-s- gabimisht me deklaratë EX1 (eksport definitiv) dhe jo me deklaratë EX 3. Fakti që kjo sasi kimikatesh nuk është hedhur në qarkullim të lirë në kuptimin e mësipërm (që mund të jetë shitja, dhurimi, braktisja) pranohet dhe nga pala e paditur Dega e Doganës Korçë, se ndryshe do të kishim kontrabandë.
Sipas nenit 216 e vijues të Kodit Doganor, mbi lindjen e borxhit doganor të importit, në asnjë nga këto dispozita nuk parashikohet lindja e një detyrimi të tillë që lidhet me rastin që i përket palës paditëse, në kushtet kur provohet se malli kimikat i importuar nën regjimin e përpunimit aktiv me sistem pezullimi nuk është hedhur në qarkullim të lirë, por ka dalë nga territori shqiptar gabimisht, jo me deklaratë doganore EX 3 (rieksportim), por me atë EX 1. Si i tillë, ky veprim i palës paditëse, megjithëse përbënë një kundërvajtje administrative doganore, nuk kushtëzohet në asnjë nga dispozitat e Kodit Doganor me lindjen e një borxhi doganor në import siç është ai mbi TVSH-në.
Për sa i përket kthimit të shumës 4 602 250 lekë, parapaguar nga pala paditëse S.I.A.L. PEL shpk për llogari të autoritetit doganor, padia duhet të pranohet jo në kuadër të së drejtës së rimbursimit të TVSH-së në zbatim të ligjit nr.7928/1995, por nisur nga rregullimi i pasojave të një akti administrativisht të pavlefshëm.
Kundër vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë, ka paraqitur ankim në Gjykatën e Apelit Korçë palët e paditura Drejtoria e Përgjithshme e Doganave dhe Dega e Doganës Korçë.
Gjykata e Apelit Korçë, pasi ka shqyrtuar çështjen, duke parashtruar në thelb të njëjtin arsyetim mbi provat dhe ligjin e zbatueshëm, ka ardhur në përfundimin se vendimi i gjykatës së shkallës së parë duhet të mbetet në fuqi për arsye se është i bazuar në prova dhe është dhënë në zbatim të drejtë të ligjit.
Kundër vendimit të Gjykatës së Apelit Korçë, palët e paditura Drejtoria e Përgjithshme e Doganave dhe Dega e Doganës Korçë, si edhe avokati i shtetit kanë paraqitur rekurs në Gjykatën e Lartë duke pretenduar zbatimin e gabuar të ligjit nga gjykata e shkallës së parë dhe gjykata e apelit, sikurse parashtrohen në mënyrë të përmbledhur në pjesën hyrëse të këtij vendimi.
Fillimisht, Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë konstaton se rekurset e paraqitura nga avokati i shtetit dhe pala e paditur Drejtoria e Përgjithshme e Doganave janë brenda afatit 30 ditor. Ndërsa rekursi i palës së paditur Dega e Doganës Korçë është paraqitur jashtë afatit 30 ditor dhe, si i tillë, shkaqet e këtij rekursi nuk shqyrtohen nga Kolegji në gjykimin dhe dhënien e vendimit për çështjen objekt i këtij gjykimi.
Ndërmjet të tjerave, në rekursin e palës së paditur Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, lidhur me ligjin e zbatueshëm dhe zbatimin e gabuar të tij, pretendohet se, sipas Kodit Doganor dhe vendimit të Këshillit të Ministrave nr.205/1999 “Për dispozita zbatuese të Kodit Doganor”deklarata e importit të mallrave duhet të përmbajë detyrimisht përshkrimin e tyre i cili duhet të përputhet me specifikimet e dhëna në autorizim. Gjithashtu duhet të përmbajë kodin IM5, në të cilin të shënohet numri dhe data e autorizimit për përpunim aktiv në mënyrë që të identifikohen mallrat e futura në territorin doganor në këtë regjim me qëllim mbikëqyrjen e tij.
Sipas Kodit Doganor ku përcaktohen destinacionet doganore, rieksportimi i mallit nuk mund të konfondohet me termin eksportim. Në rastin objekt gjykimi malli nuk është nxjerrë nga territori doganor në formën e EX 3 (si rieksportim) që do të mundësonte mbylljen e regjimit, por ka dalë me deklaratën EX 1 (si eksportim) që presupozon dalje të mallrave shqiptare ose të huaja për të cilat është bërë pagesa e detyrimit doganor në doganë në momentin e hyrjes nën këtë regjim.
Ndërsa në nenin 290 të vendimit të Këshillit të Ministrave nr.205/1999 për dispozitat zbatuese të Kodit Doganor parashikohet se deklarata për vendosjen e produkteve kompensuese ose mallrave në gjendje të pandryshuar në njërin prej destinacioneve doganore përmban gjithë hollësirat që nevojiten për mbylljen e procedurës. Por, në rastin objekt gjykimi, në deklaratat e eksportit të palës paditëse S.I.A.L. PEL shpk nuk gjenden referime mbi faktin se malli që po eksportohet i referohet regjimit të përpunimit aktiv. Nga ana tjetër, afati i rieksportimit për këtë regjim mallrash është 360 ditë dhe pala paditëse S.I.A.L. PEL shpk kishte detyrimin ligjor që, brenda datës 13.05.2011, të paraqiste dokumentin e mbylljes së regjimit.
Autoriteti Doganor nuk ka vënë në dyshim faktin nëse kimikati duhet të përdorej ose jo për përpunimin e lëkurëve, por ka përmbushur detyrimin ligjor për të verifikuar që dalja nga territori doganor i këtij malli (kimikate), me të cilin mundësohej edhe mbyllja e regjimit, duhet të bëhet vetëm për rieksportim në formën EX 3 dhe jo me atë EX 1 (për eksport).
Nga njëra anë, të dy gjykatat kanë konstatuar dhe arsyetuar se jemi përpara kryerjes së kundërvajtjes administrative nga ana e palës paditëse S.I.A.L. PEL shpk. Por, nga ana tjetër, gjykatat nuk arsyetojnë ligjin për motivin përse kjo palë nuk duhet të paguajë vlerën e detyrimit për këtë mall që është objekt i kundërvajtjes administrative, duke anashkaluar nenin 256/4 të Kodit Doganor ku përcaktohet se: “Pagesa e gjobës, që zbatohet për shkeljen doganore, në asnjë rast nuk do të jetë shkak për të përjashtuar shkelësin nga pagimi i detyrimeve doganore që duhen paguar për mallrat objekt i shkeljes”. Kjo zgjidhje përbën nonsens juridik, pasi e lë pa kuptim këtë dispozitë të Kodit Doganor.
Kodi Doganor, në dispozitat e neneve 136-149 dhe ato të vendimit të Këshillit të Ministrave nr.205/1999 përcaktojnë se regjimi i përpunimit aktiv lejon hyrjen e mallrave në territorin doganor shqiptar nën këtë regjim në dy mënyra. Së pari, pa iu nënshtruar detyrimeve të importit (sistemi pezullim), siç është edhe rasti objekt i këtij gjykimi. Së dyti, duke iu nënshtruar detyrimeve të importit të mallit (sistemi me rimbursim), por me rimbursim të detyrimeve të paguara në rastin e rieksportimit të mallit.
Pala paditëse ka futur lëkurë të papërpunuar dhe kimikate për përpunimin e tyre duke u përjashtuar nga pagesa e detyrimit. Por, nga kontrolli i ushtruar, ka rezultuar se lëkura e importuar e papërpunuar në të gjithë sasinë e saj me një pjesë të kimikateve është rieksportuar me procedurë EX 3, ndërsa pjesa tjetër e kimikateve janë përdorur për përpunimin e lëkurëve të blera në vend. Kjo sasi lëkure e blerë në vend dhe e përpunuar me një pjesë të kimikateve të importuara IMP5 është eksportuar me formën EX 1 si “eksport definitiv” dhe, për pasojë, meqenëse nuk është bërë e mundur mbyllja e përpunimit aktiv nr.5751, në mbështetje të nenit 305 të vendimit të Këshillit të Ministrave nr.205/1999, për sasinë e kimikateve të përdorura për përpunimin e këtyre lëkurëve pala paditëse S.I.A.L. PEL shpk duhet të paguajë detyrimin doganor.
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë vlerëson se, disa nga shkaqet e ngritura në rekurset e avokatit të shtetit dhe palës së paditur Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, lidhur me zbatimin e gabuar të ligjit nga gjykatat e shkallës së parë dhe ajo e apelit, janë të mbështetura në ligj.
Gjykata e shkallës së parë dhe gjykata e apelit kanë arsyetuar drejt ligjin kur kanë pranuar si të provuar që pala paditëse S.I.A.L. PEL shpk ka shkelur ligjin dhe ka konsumuar kundërvajtje administrative në veprimet e kryera prej saj me mallrat e vendosura nën regjimin doganor të përpunimit aktiv me nr.5751 akti datë 13.05.2008, për të cilat edhe është dënuar me gjobë me aktin administrativ objekt gjykimi.
Gjithashtu, drejt kanë arsyetuar gjykata e shkallës së parë dhe gjykata e apelit kur kanë konkluduar që nuk rezultojnë shkelje për sa i përket formës dhe procedurës së ndjekur nga palët e paditura në nxjerrjen e akteve administrative objekt gjykimi dhe pretendimi për pavlefshmëri absolute të tyre nuk është i bazuar në prova dhe ligj.
Por, nga ana tjetër, si gjykata e shkallës së parë ashtu edhe gjykata e apelit kanë zbatuar dhe interpretuar në mënyrë të gabuar ligjin kur arsyetojnë se konsumimi i kundërvajtjes administrative nuk mund të sjellë njëkohësisht edhe detyrimin e palës paditëse S.I.A.L. PEL shpk për të paguar detyrimet doganore të lidhura me këtë shkelje administrative, në thelb, duke arsyetuar që një shkelje e tillë administrative nuk përcaktohet nga ligji që të lindë edhe detyrime doganore.
Kolegji Administrativ vlerëson se, për zgjidhjen e drejtë të çështjes, për sa i përket ligjit të zbatueshëm, ndërmjet të tjerave, në Kodin Doganor parashikohet se:
“ Neni 8
7.“Mallra shqiptare” do të thotë:
a) mallrat që përftohen ose prodhohen tërësisht në territorin doganor të Republikës së Shqipërisë sipas kushteve të përcaktuara në nenin 29 dhe që nuk kanë në përbërje mallra të importuara nga vende ose territore të tjera;
b) mallrat e importuara nga vende ose territore të tjera dhe të vendosura në qarkullim të lirë në territorin doganor të Republikës së Shqipërisë;
c) mallrat që përftohen ose prodhohen në territorin doganor të Republikës së Shqipërisë, qoftë vetëm prej mallrash të përmendura në nënparagrafin (b), qoftë prej mallrash të përmendura në të dy nënparagrafët e mësipërm (a) dhe (b).
8. “Mallra joshqiptare” do të thotë: të gjitha mallrat që nuk përfshihen në paragrafin 7.
Neni 136
1. ........regjimi i përpunimit aktiv lejon që mallrat e përmendura më poshtë të përdoren në territorin doganor të Republikës së Shqipërisë, në një ose më shumë operacione përpunimi:
a) mallrat joshqiptare të destinuara për t’u rieksportuar nga territori doganor i Republikës së Shqipërisë në formën e produkteve kompensuese, pa iu nënshtruar detyrimeve të importit ose masave të politikës tregtare;......
2. Shprehjet e mëposhtme nënkuptojnë:
a) “sistem me pezullim”: masat lehtësuese të regjimit të përpunimit aktiv për rieksportimin, siç është parashikuar në paragrafin 1(a);.....
c) “operacione përpunimi”:
......iv) përdorimin e disa mallrave, të përcaktuara në aktet nënligjore në zbatim të këtij Kodi, të cilat nuk gjenden në produktet kompensuese, por që lejojnë ose lehtësojnë prodhimin e këtyre produkteve, edhe sikur ato të jenë përdorur tërësisht ose pjesërisht gjatë procesit të punës;
d) “produkte kompensuese”: të gjitha produktet që rezultojnë nga operacionet e përpunimit;
Neni 139
1. Autoritetet doganore përcaktojnë afatin brenda të cilit produktet kompensuese duhet të jenë eksportuar ose rieksportuar ose t’u jetë caktuar një destinacion doganor tjetër. Ky afat merr parasysh kohën e nevojshme për kryerjen e operacioneve të përpunimit dhe të vënies në dispozicion të produkteve kompensuese.......
Neni 181
1. Regjimi i eksportit lejon që mallrat shqiptare të dalin nga territori doganor i Republikës së Shqipërisë. Eksportimi sjell zbatimin e formaliteteve të daljes, duke përfshirë edhe masat e politikës tregtare dhe, kur është rasti, detyrimet e eksportit....
Neni 197
1. Mallrat joshqiptare mund:
a) të rieksportohen jashtë territorit doganor të Republikës së Shqipërisë;......
Neni 256
2. Çdo veprim ose mosveprim, që bie ndesh me dispozitat e parashikuara në këtë Kod, me aktet nënligjore të tij dhe me dispozita të tjera në fuqi, me përjashtim te rasteve të fuqisë madhore, quhet kundërvajtje administrative doganore dhe dënohet si e tillë......
4. Pagesa e gjobës, që zbatohet për shkeljen doganore, në asnjë rast nuk do të jetë shkak për të përjashtuar shkelësin nga pagimi i detyrimeve doganore që duhen paguar për mallrat objekt i shkeljes.
Neni 275
1. Për shkeljet, të cilave u referohet neni 256 paragrafi 2 dhe të paparashikuara shprehimisht në këtë kre, zbatohet një gjobë që shkon nga 50 000 lekë deri në 200 000 lekë..... ”.
Në vendimin e Këshillit të Ministrave nr.205/1999 “Për dispozita zbatuese të Kodit Doganor”, ndërmjet të tjerave, parashikohet se :
“Neni 2
8. Për qëllim të nenit 272 deri 325:
a) “Produkte kompensuese kryesore” do të thotë: produktet kompensuese për përftimin e të cilave është dhënë autorizim për përdorimin e regjimit të përpunimit aktiv;
Neni 287
1. Në vijim të nenit 112 të Kodit, regjimi i përpunimit aktiv (sistemi me pezullim) mbyllet kur produktet kompensuese ose mallrat në gjendje të pandryshuar jane deklaruar për një destinacion të ri doganor dhe janë respektuar gjithë kushtet e tjera për përdorimin e regjimit.....
3. Mbyllja e regjimit kryhet ose mbi bazën e sasisë së mallrave të importit të cilave u korrespondojnë produktet kompensuese të cilave u është caktuar njëri nga destinacionet doganore të përmendura në paragrafin 1 ose 2, ose mbi bazën e sasisë së mallrave në gjendje të pandryshuar, të cilave u është caktuar njëri prej destinacioneve në fjalë.
4. Deklarata per vendosjen e produkteve kompensuese ose mallrave ne gjendje te pandryshuar në njërin prej destinacioneve doganore përmban gjithë hollësirat që nevojiten për mbylljen e procedurës.
Neni 291
1. Deklarata për mbylljen e regjimit të përpunimit aktiv (sistemi me pezullim) përpilohet në përputhje me dispozitat që rregullojnë destinacionin doganor përkatës.
2. Përshkrimi i produkteve kompensuese ose mallrave në gjendje të pandryshuar në deklaratën e mbylljes së regjimit duhet të përputhet me veçantitë e autorizimit.
Neni 295
1. Kur lind një borxh doganor lidhur me produkte kompensuese ose mallra në gjendjen e tyre të pandryshueshme, interesi kompensues duhet të paguhet në bazë te detyrimit doganor të importit që zbatohet në rastin konkret......
Pala paditëse S.I.A.L. PEL shpk, duke mos qenë dakord me këtë akt administrativ të palës së paditur Dega e Doganës Korçë e ka ankimuar atë pranë organit epror të tij, palës së paditur Drejtoria e Përgjithshme të Doganave.
Kolegji Administrativ, bazuar në vetë rrethanat e faktit të pranuara nga palët ndërgjyqëse si edhe nga gjykatat e faktit në vendimet e tyre, vlerëson se në zbatim të drejtë të ligjit, pala paditëse S.I.A.L. PEL shpk ka shkelur dispozitat e legjislacionit doganor lidhur me regjimin e përpunimit aktiv të mallrave joshqiptare të hyra dhe të përdorura në territorin doganor shqiptar dhe të destinuara për t’u rieksportuar nga ky territor doganor në një tjetër në formën e produkteve kompensuese, pa iu nënshtruar detyrimeve të importit.
Pala paditëse S.I.A.L. PEL shpk, duke u pajisur nga ana e autoriteteve doganore me autorizim për përpunim aktiv të mallrave (sistem me pezullim) ka importuar një sasi lëkurësh të papërpunuar dhe gjysmë e përpunuar, si edhe një sasi kimikatesh për përpunimin e lëkurëve. Në një rast të tillë, sipas dispozitave doganore të sipërcituara, pala paditëse S.I.A.L. PEL shpk nuk do të ngarkohej me pagesën e detyrimeve doganore përkatëse të importit me kushtin që këto mallra të importuara ti përfshinte në operacione përpunimi dhe ti rieksportonte në formën e produkteve kompensuese, brenda një afati dhe me modalitetet e përcaktuara konkretisht në autorizim. Nëse do të vepronte ndryshe, pra nuk do të rieksportonte mallrat nën regjimin e përpunimit aktiv p.sh në formën e produktit kompensues, nëse nuk do të kryente këto operacione brenda afatit të përcaktuar etj., atëherë, përkatësisht për sasinë e mallit nën regjim aktiv të përpunimit të parieksportuar, në tërësi apo pjesërisht apo në vonesë, pala paditëse S.I.A.L. PEL shpk do të ndëshkohej për kryerje të kundërvajtjes administrative të parashikuara nga neni 256 e 275 i Kodit Doganor, si edhe detyrimin doganor përkatës për importin e mallit (neni 275/4).
Nga vendimet e gjykatave të faktit pranohet se pala paditëse S.I.A.L. PEL shpk, nga të dy mallrat “joshqiptare” të importuara nën regjimin e përpunimit aktiv, ka përdorur vetëm një pjesë të mallit “kimikate” për përpunimin e lëkurëve të importuara, të rieksportuara në formën e “produkteve kompensuese”. Ky operacion është zhvilluar dhe deklaruar me formën EX 3 (rieksportim).
Pjesën tjetër të këtij malli joshqiptar “kimikate” të importuar nën regjimin doganor të përpunimit aktive, pala paditëse S.I.A.L. PEL shpk e ka përdorur për përpunimin e lëkurëve të blera në tregun vendas (mall shqiptar). Madje, akoma më tej, produktin e nxjerrë nga ky operacion përpunimi, e ka nxjerrë jashtë territorit doganor shqiptar nëpërmjet “eksportimit” dhe të deklaruar në formën EX 1 (eksport definitiv).
Kjo sjellje e palës paditëse S.I.A.L. PEL shpk vjen ndesh me legjislacionin doganor, me detyrimet e subjektit doganor që ka importuar në territorin shqiptar mallra joshqiptare nën autorizimin e regjimit të përpunimit aktiv dhe rieksportimit të produkteve kompensuese brenda afateve, sasisë dhe kushteve të treguara në autorizimin e lëshuar nga palët e paditura.
Rieksportimi me vonesë apo mospërdorimi i mallit joshqiptar të importuar nën regjimin e përpunimit aktiv për prodhimin e produkteve kompensuese nga këto mallra joshqiptare apo përdorimi i tyre në operacione të tjera të paautorizuara nga autoriteti doganor përbëjnë shkelje doganore për të cilat lind borxhi doganor dhe zbatohet edhe dënimi përkatës me gjobë.
Nëse një mall joshqiptar hyn në territorin doganor shqiptar nën regjimin e përpunimit aktiv, për këtë mall subjekti doganor nuk paguan detyrimin doganor të importit. Detyrimi ligjor dhe borxhi doganor nuk lind nëse ky mall, pas përpunimit, rieksportohet në një destinacion tjetër doganor. Por, nëse ky mall joshqiptar përdoret për qëllime të tjera nga ato të përcaktuara në autorizim atëherë lind borxh doganor dhe subjekti duhet të paguajë detyrimin dhe gjobën përkatëse për shkelje të regjimit të përpunimit aktiv të parashikuar nga Kodi Doganor dhe dispozitat zbatuese të tij.
Pala paditëse S.I.A.L. PEL shpk, një pjesë të mallit joshqiptar (kimikate) të importuar nën regjimin përpunimit aktiv e ka përdorur për përpunimin e të gjithë sasisë së lëkurëve të importuara nën të njëjtin regjim, pra në përputhje me qëllimin dhe kushtet e dhënies së autorizimin nga palët e paditura. Por, një pjesë të mallit joshqiptar (kimikate) të importuar nën regjimin përpunimit aktiv, e ka përdorur për qëllime të tjera, për të përpunuar jo mallin lëkurë të importuar nën të njëjtin regjim por lëkurë të blerë në vend (mall shqiptar), të cilin, këtë të fundit e eksporton jashtë territorit doganor shqiptar. Në këtë mënyrë, duke përdorur një mall joshqiptar të importuar, për të cilin nuk kishte paguar detyrimin doganor të importit dhe të destinuar për një qëllim tjetër, në një operacion tjetër industrial e duke realizuar produkte (mall) për eksport dhe duke i eksportuar këto mallra, pala paditëse S.I.A.L. PEL shpk ka shmangur pagesën e detyrimit doganor të importit që do të duhet të paguante nëse të njëjtin mall do ta importonte normalisht dhe jo nën njërin nga regjimet përjashtimore doganore, sikurse është ai i përpunimit aktiv të mallit.
Prandaj, Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë konkludon se, mbi provat e çmuara dhe rrethanat e faktit të sipërcituara, të vërtetuara nga vetë gjykatat e faktit, në interpretim dhe zbatim të drejtë të ligjit, vjen në përfundimin se jemi përpara rastit të nxjerrjes së një akti administrativ të ligjshëm të nxjerrë nga pala e paditur dega e Doganës Korçë, për rrjedhojë, është vendi që vendimet e të dy gjykatave më të ulëta të ndryshohen dhe padia të rrëzohet.
PËR KËTO ARSYE
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, në mbështetje të shkronjës “dh” të nenit 63 të ligjit nr.49/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”
V E N D O S I
Ndryshimin e vendimit nr.2780 datë 22.11.2011 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë dhe të vendimit nr.104 datë 22.02.2012 i Gjykatës së Apelit Korçë dhe rrëzimin e padisë.
Tiranë, më 08.03.2016
Nr. 11241-01595-00-2013 i Regj. Themeltar
Nr. 00-2016-1489 i Vendimit (141)
Do'stlaringiz bilan baham: |