VENDIM
NË EMËR TË REPUBLIKËS
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, i përbërë prej:
Ardian Dvorani Kryesues
Arjana Fullani Anëtare
Andi Çeliku Anëtar
mori në shqyrtim në dhomën e këshillimit të datës 03.03.2016, çështjen administrative që i përket:
PADITËS: VJOLLCA KODRA; MYZEJEN KUSI;
I PADITUR: GJENDJA CIVILE, BASHKIA TIRANË; GJENDJA CIVILE, NJËSIA Nr.3 TIRANË
OBJEKTI I PADISË:
Ndryshimin për plotësimin e rubrikës, ,
që nuk pasqyron përbërësit mbi bazën e aktit të origjinës.
Baza Ligjore: Nenet 153,154/a, 156 të K.Pr.C, dhe 324/a, 325 e vijues i tij,
ligji nr.10129 datë 11.05.2009 “Për Gjendjen Civile”, nenet 30, 36 i tij.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë me vendimin nr.5988 datë 29.05.2013 vendosi:
“Pranimin e kërkesë padisë. Detyrimin e palës së paditur Zyra e Gjendjes Civile, Bashkia Tiranë dhe Zyra e Gjendjes Civile, njësia nr.3, Tiranë të ndryshojë dhe plotësojë në përbërësit e gjendjes civile në rubrikën e atësisë dhe amësisë të të ndjerës Nadire Dalipi (Xhepa) nga Ismail dhe Semiha të pasqyruara gabim në Xhemal dhe Hava që janë në të vërtetë. Shpenzimet gjyqësore në ngarkim të palës së paditur”.
Gjykata e Apelit Tiranë, me vendimin nr.776 datë 11.03.2014 vendosi:
“Lënien në fuqi të vendimit nr.5988 datë 29.05.2013 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë”.
Kundër vendimit nr.776 datë 11.03.2014 të Gjykatës së Apelit Tiranë, ka ushtruar rekurs, brenda afatit ligjor, pala e paditur Bashkia Tiranë e cila kërkon ndryshimin e vendimeve dhe rrëzimin e padisë, duke parashtruar shkaqet e mëposhtme:
-
Në interpretim të nenit 30 të ligjit nr.10129/2009 “Për gjendjen civile”, nuk jemi përpara faktit të plotësimit në regjistrin kombëtar të gjendjes civile, pasi çdo rubrikë e regjistrit është plotësuar.
-
Nuk jemi përpara gabimit material pasi si atësia dhe mëmësia e të ndjerës ndryshojnë në thelb si emra dhe nuk mund të pretendohet një gabim material.
-
Gabimi në atësinë dhe mëmësinë e të ndjerës është bërë në të njëjtën lagje ku e ndjera ka pasur regjistrimin fillestar.
-
Ka kaluar një kohë e gjatë dhe paditëset kanë pasur ne dispozicion një kohë të gjatë për të kërkuar ndreqjen.
-
Palës paditëse i mungon certifikata e lindjes e së ndjerës Nadire dhe në këto kushte nuk jemi përpara faktit të korrigjimit të gabimit material por përpara një vërtetimi fakti sipas nenit 388 të KPC.
KOLEGJI ADMINISTRATIV I GJYKATËS SË LARTË
Pasi dëgjoi relacionin e gjyqtares Arjana Fullani dhe diskutoi çështjen në tërësi,
V Ë R E N
1. Siç rezulton nga aktet e administruara në dosjen gjyqësore, paditëset Vjollca Kodra dhe Myzejen Kusi janë vajzat e të ndjerës Nadire Dalipi (Xhepa) e cila ka ndërruar jetë në datën 25.07.1994.
2. Paditëset pasi kanë tërhequr pranë zyrave të gjendjes civile certifikatën e vdekjes së nënës së tyre, ka rezultuar se përbërësit e gjendjes civile në rubrikën atësia dhe amësia e se ndjerës Nadire Dalipi(Xhepa) janë pasqyruar gabimisht Ismail dhe Semiha ndërkohë që atësia dhe amësia e vërtetë e të ndjerës është Xhemal dhe Hava.
3. Sa më sipër paditëset i janë drejtuar Zyrës së Gjendjes Civile të Njësisë Bashkiake nr.3 dhe Zyrës së Gjendjes Civile Bashkia Tiranë dhe kanë konstatuar se gabimi është bërë gjatë kalimit të të dhënave nga regjistri themeltar i viteve 1930 – 1945 në regjistrin e viteve 1945 – 1950.
4. Ndodhur në këto kushte paditëset Vjollca Kodra dhe Myzejen Kusi i janë drejtuar gjykatës me padinë objekt gjykimi.
5. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë me vendimin nr.5988 datë 29.05.2013 vendosi:” Pranimin e kërkesë padisë. Detyrimin e palës së paditur Zyra e Gjendjes Civile, Bashkia Tiranë dhe Zyra e Gjendjes Civile, njësia nr.3, Tiranë të ndryshojë dhe plotësojë në përbërësit e gjendjes civile në rubrikën e atësisë dhe amësisë të të ndjerës Nadire Dalipi (Xhepa) nga Ismail dhe Semiha të pasqyruara gabim në Xhemal dhe Hava që janë në të vërtetë. Shpenzimet gjyqësore në ngarkim të palës së paditur”.
5.1 Arsyetimi i Gjykatës: “Rezultoi e provuar se nëna e paditëseve e ndjera Nadire Dalipi(Xhepa) është e datëlindjes 07.05.1920. Sipas certifikatës negative të datës 10.05.2013 lëshuar nga Zyra e Gjendjes Civile Rrethi Tiranë me nr.003970040 rezulton se në Bashkinë e Tiranës në Arkivin e Zyrës së Gjendjes Civile akt lindjet fillojnë nga viti 1929 para këtij viti nuk disponohen akt lindje nga ana e kësaj zyre. Nga regjistri themeltar i shtetasve i viteve 1930 – 1945 rezulton se e ndjera nëna e paditëseve figuron Nadire Xhepa e bija e Xhemalit dhe e Havasë e datëlindjes 07.05.1920 lindur ne Tiranë. Ky fakt provohet dhe nga certifikata martesore me nr.002011132 datë 11.12.2012 lëshuar nga Zyra e Gjendjes Civile Bashkia Tiranë nga ku rezulton se e ndjera Nadire Xhepa është e bija e Xhemalit dhe Havasë dhe se pas martese ka ndryshuar mbiemrin nga ‘’Xhepa ‘’ ne ‘’Dalipi’’. Nga provat shkresore të administruara në gjykim rezulton se në regjistrin themeltar te vitit 1945-1950 janë pasqyruar gabim emri i babait dhe nënës të ndjerës Nadire Dalipi (Xhepa) nga ‘’Xhemal ‘’ dhe “Hava”qe janë atësia dhe amësia e vërtetë e të ndjerës ne “Ismail” dhe “Semiha” qe janë atësia dhe amësia e gabuar e nënës së paditëseve. Në këto kushte Gjykata çmon se pasaktësia në dokumentacion e pasqyruar në regjistrat themeltare të vitit 1940-1950, nga Zyra e Gjendjes Civile Bashkia Tiranë cenon interesin e paditëseve dhe për rrjedhim ato legjitimohen në kërkimin e tyre.”.
6. Gjykata e Apelit Tiranë, me vendimin nr.776 datë 11.03.2014 vendosi: “Lënien në fuqi të vendimit nr.5988 datë 29.05.2013 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë”.
6.1 Arsyetimi i gjykatës: “I njëjtë me atë të faktit”.
7. Kundër vendimit nr.776 datë 11.03.2014 të Gjykatës së Apelit Tiranë, ka ushtruar rekurs, brenda afatit ligjor, pala e paditur Bashkia Tiranë e cila kërkon ndryshimin e vendimeve dhe rrëzimin e padisë, duke parashtruar shkaqet e pasqyruar në pjesën hyrëse të këtij vendimi.
LIGJI I ZBATUESHËM
8. Dispozitat e ligjit nr.49/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatave Administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”;
8.1 Neni 1/2: “Dispozitat e këtij ligji plotësohen me parashikimet e Kodit të Procedurës Civile, me përjashtim të rasteve dhe për aq sa ky ligj nuk parashikon ndryshe”.
8.2 Neni 17/2: “Gjykata zgjidh mosmarrëveshjet në përputhje me dispozitat ligjore dhe normat e tjera në fuqi, që janë të detyrueshme. Ajo bën një cilësim të saktë të fakteve dhe veprimeve që lidhen me mosmarrëveshjen, pa u lidhur me përcaktimin që mund të propozojnë palët”.
8.3. Neni 54: “Gjykata Administrative e Apelit prish vendimin e gjykatës administrative të shkallës së parë dhe ia dërgon çështjen organit kompetent për rigjykim kur: a) gjykata administrative e shkallës së parë ka shkelur dispozitat mbi juridiksionin dhe kompetencën lëndore dhe funksionale....”.
9. Dispozitat e Kodit të Procedurës Civile;
9.1. Neni 467: “Gjykata e apelit prish vendimin e gjykatës së shkallës së parë dhe e dërgon çështjen për rigjykim kur: a) gjykata e shkallës së parë ka shkelur dispozitat mbi juridiksionin dhe kompetencën...”
10. Vendimi unifikues nr.3 datë 06.12.2013 i Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë;
11. Dekreti nr.8349 datë 14.10.2013 i Presidentit të Republikës së Shqipërisë;
KOLEGJI ADMINISTRATIV I GJYKATËS SË LARTË VLERËSON:
12. Se pas shqyrtimit të akteve procedurale që ndodhen në dosjen gjyqësore, objektit dhe shkakut të padisë, pretendimeve të palëve të parashtruara në këto akte, vendimit të gjykatës dhe parashtrimeve të rekursit, në interpretim të dispozitave ligjore të zbatueshme për rastin konkret, arrin në konkluzionin se vendimi i dhënë nga Gjykata e Apelit Tiranë është marrë në shkelje të ligjit procedural, në kushtet kur kjo gjykatë ka shkelur dispozitat ligjore për kompetencën lëndore. Prandaj, për këtë shkelje të dispozitave procedurale, vendimi i dhënë prej saj duhet të prishet e çështja të dërgohet për gjykim pranë Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë.
13. Gjykata e Lartë, pa i hyrë analizës së provave, nga shqyrtimi i materialeve të dosjes gjyqësore dhe pretendimeve të parashtruara në rekurs evidenton nëse nga gjykatat e faktit janë lejuar ose jo shkelje të normave procedurale dhe nëse ligji material është respektuar drejtë ose jo. Në varësi të zgjidhjes së këtyre çështjeve nga gjykatat e faktit, Gjykata e Lartë, në realizim të funksionit të saj rishikues, shprehet për bazueshmërinë ose jo në ligj të vendimeve për të cilat është paraqitur rekurs.
14. Në analizë të akteve dhe provave të administruara në dosjen gjyqësore rezulton se paditëset Vjollca Kodra dhe Myzejen Kusi i janë drejtuar me padi gjykatës, duke kërkuar ndryshimin dhe korrigjimin e përbërësve të të dhënave të nënës së tyre në regjistrat kombëtarë të gjendjes civile.
15. Me vendimin nr.5988 datë 29.05.2013, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, në përfundim të gjykimit ka vendosur të pranojë padinë. Mbi ankimin e palës së paditur, Gjykata e Apelit Tiranë me vendimin nr.776 datë 11.03.2014 ka vendosur të lërë në fuqi vendimin e gjykatës së rrethit gjyqësor.
16. Në rastin konkret nga objekti i gjykimit, akti që kundërshtohet në këtë gjykim, si dhe nga shkaku ligjor i kërkimeve të padisë, Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë konstaton se natyra e çështjes në gjykim është administrative.
17. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë pa i hyrë zgjidhjes në themel të çështjes konstaton se nga Gjykata e Apelit Tiranë janë lejuar shkelje të ligjit procedural që lidhen me kompetencën lëndore të gjykatës për të gjykuar çështjen, të cilat pasjellin zhvillimin e një procesi jo të rregullt ligjor.
18. Kolegji Administrativ e gjen me vend të konfirmojë qëndrimin se kompetenca e gjykatës nga pikëpamja lëndore për gjykimin e një mosmarrëveshje është shumë e rëndësishme si një element që garanton procesin e rregullt ligjor. Nëse një gjykatë nuk ka juridiksion/kompetencë për të gjykuar çështjen objekt shqyrtimi, në përputhje me dispozitat që zbatohen sipas legjislacionit përkatës, ajo nuk është një gjykatë “e krijuar me ligj” sipas kuptimit të nenit 42/2 të Kushtetutës dhe nenit 6/1 të Konventës Evropiane. Nëse një gjykatë nuk ka juridiksion/kompetencë për të gjykuar çështjen objekt shqyrtimi, në përputhje me dispozitat që zbatohen sipas legjislacionit përkatës nuk mund të kryejë asnjë veprim procedural.
19. Në kuptimin e së drejtës procedurale, kompetenca lëndore është një kusht i domosdoshëm procedural, që bën të vlefshëm procesin gjyqësor, si dhe të gjitha aktet e marra në administrim gjatë zhvillimit të tij, në kuptimin që një gjykatë jokompetente nuk mund të kryejë asnjë veprimtari procedurale dhe një gjykatë jokompetente duhet të deklarojë moskompetencën e saj, (neni 61 K.Pr.Civile, neni 7 i Ligjit 49/2012). Këto parime janë përcaktuar qartë në Ligjin nr.9877, datë 18.02.2008 “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”, në Ligjin nr.49/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e gjykata administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative” si dhe në Kodin e Procedurës Civile.
20. Me Dekretin nr.8349 datë 14.10.2013 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë është përcaktuar data 04.11.2013 si datën e fillimit të funksionimit të Gjykatave Administrative. Ndërkohë që, Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë, me vendimin nr.3 datë 6.12.2013, kanë konkluduar se: “Gjykatat administrative të shkallës së parë, Gjykata e Apelit Administrativ dhe Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, të krijuara me ligjin nr.49, datë 03.05.2012 “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”, janë kompetente për shqyrtimin e të gjitha çështjeve, të cilat sipas nenit 7 të këtij ligji përbëjnë mosmarrëveshje administrative, pavarësisht gjendjes, fazës apo shkallës së gjykimit. Këto gjykata janë kompetente për çështjet administrative për të cilat padia, ankimi ose rekursi është depozituar përpara datës 04.11.2013, respektivisht në gjykatat e shkallës së parë, të apelit apo në Gjykatë të Lartë dhe deri në këtë datë shqyrtimi në këto gjykata nuk ka përfunduar akoma”.
21. Si rrjedhojë, duke nisur nga data 04.11.2013 të gjitha mosmarrëveshjet që kanë qenë administrative, janë në kompetencë dhe janë objekt gjykimi i gjykatave administrative sipas parashikimeve të ligjit 49/2012, pavarësisht nëse çështja gjyqësore i është paraqitur gjykatës për shqyrtim është regjistruar ose ka qenë në gjykim, në çdo shkallë të gjykimit, përpara datës 04.11.2013.
22. Kolegji vëren se vendimi i Gjykatës së Apelit Tiranë është shpallur në datën 11.03.2014, pra pas datës 04.11.2013. Nisur nga sa u trajtua më sipër të gjitha çështjet që përbëjnë mosmarrëveshje administrative pas datës 04.11.2013 duhet të shqyrtoheshin nga gjykatat administrative, ndërkohë që Gjykata e Apelit Tiranë nuk e ka konstatuar mungesën e kompetencës lëndore për shqyrtimin e çështjes dhe ka dhënë një vendim në kundërshtim me dispozitat ligjore të zbatueshme duke sjellë si pasojë zgjidhjen e çështjes nga gjykata jo kompetente nga pikëpamja lëndore.
23. Në përfundim, Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë arrin në konkluzionin se mosrespektimi i kompetencës lëndore nga ana e gjykatës përbën shkelje të rëndë procedurale, e cila ndikon drejtpërsëdrejti në dhënien e vendimit, e cila e bën vendimin gjyqësor absolutisht të pavlefshëm. Gabimet në procedim, të cilat parashikohen në nenin 467/a të K.Pr.Civile dhe në nenin 54 të ligjit nr.49/2012, shqyrtohen nga gjykata edhe kryesisht, pikërisht për shkak të efektit të drejtpërdrejtë që ato kanë në vendimin e dhënë.
24. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë vlerëson të theksojë se në çështjen objekt gjykimi, nuk mund të marrë në shqyrtim dhe të analizojë, nëse ligji material është zbatuar drejtë apo jo nga gjykatat e faktit.
25. Për sa më sipër, Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë vlerëson se vendimi nr.776 datë 11.03.2014 i Gjykatës së Apelit Tiranë duhet të prishet dhe çështja t’i dërgohet Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë si gjykatë kompetente nga pikëpamja lëndore për shqyrtimin e çështjes.
PËR KËTO ARSYE
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, në bazë të nenit 63 të ligjit nr.49/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”
V E N D O S I
Prishjen e vendimit nr.776 datë 11.03.2014 të Gjykatës së Apelit Tiranë dhe dërgimin e çështjes për shqyrtim në Gjykatën Administrative të Apelit Tiranë.
Tiranë, më 03.03.2016
Nr. 31001-00152-00-2014 i Regj. Themeltar
Nr. 00 - 2016 - 1259 i Vendimit (138)
Do'stlaringiz bilan baham: |