VENDIM NË EMËR TË REPUBLIKËS
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë i përbërë nga:
Xhezair Zaganjori Kryesues
Evelina Qirjako Anëtare
Medi Bici Anëtar
Në datën 12.11.2015, në Dhomë Këshillimi, mori në shqyrtim çështjen administrative me nr.01705/2013 akti, që u përket palëve:
PADITËS: DHIMO NASI
PALË E PADITUR: DREJTORIA RAJONALE E SIGURIMEVE SHOQËRORE TIRANË
OBJEKTI:
Detyrimin e palës së paditur Drejtoria Rajonale
e Sigurimeve Shoqërore Tiranë për:
Rillogaritjen e pensionit te parakohshëm për vjetërsi shërbimi
të fituar në përputhje me kushtet dhe kriteret e përcaktuara
në Ligjin nr.8661, datë 18.09.2000 ”Per sigurimin Shoqëror suplementar
te Punonjësve te Policisë se shtetit”;
Detyrimin e të paditurit Drejtoria Rajonale e Sigurimeve Shoqërore Tiranë,
të paguajë diferencat mes vlerës së pensionit të parakohshëm
për vjetërsi shërbimi që përfitonte paditësi në momentin kur i ka lindur e drejta,
në datën 16.04.2008 dhe pensionit te përfituar pas rillogaritjes se datës 01.07.2009.
Baza Ligjore: Nenet 4,42 dhe 132 & 1 të Kushtetutës se RSH ;
ligji 8661 datë 18.09.2000 “Per Sigurimin suplementar
te punonjësve të Policisë së Shtetit” i shfuqizuar me ligjin 10142 , datë 15.05.2009
“Për sigurimin shoqëror Suplementar të ushtarakëve
të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë,
Punonjësve të Policisë së Shtetit , të gardës së Republikës ,
te Sherbimit Informativ te Shtetit , te policisë se burgjeve,
të Policisë së Mbrojtjes nga zjarri dhe të shpëtimit të punonjësve
të shërbimit të kontrollit të brendshëm në RSH”
Neni 29 i ligjit 10142 datë 15/05.2009 “Për Sigurimin suplementar të punonjësve
te Policisë së Shtetit” i shfuqizuar me ligjin 10142, datë 15.05.2009
“Per sigurimin shoqëror Suplementar të ushtarakëve
të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë,
Punonjësve të Policisë së Shtetit ,të gardës se Republikës ,
të Shërbimit Informativ të Shtetit, të policisë së burgjeve ,
të Policisë së Mbrojtjes nga zjarri dhe të shpëtimit të punonjësve
të shërbimit të kontrollit të brendshëm në RSH” ;
VKM nr.443 datë 16.06.2005
“Për kushtet, kriteret dhe masën e përfitimeve
nga sigurimi shoqëror suplementar i punonjësve
të Policisë së shtetit dhe të anëtareve të familjes se tyre,
në rastet kur punonjësi i policisë ndërpret karrierën;
Vendim nr.33 datë 24.06.2010 i Gjykatës Kushtetuese;
Neni 31, 321, 153, 154/a i Kodit të Procedurës Civile.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendimin nr.3376, datë 09.04.2012, ka vendosur :
Pranimin pjesërisht të kërkesë padisë së ngritur nga paditësi Dhimo Nasi.
Detyrimi i palës së paditur DRSSH Tiranë për t’i paguar pensionin e parakohëshëm për vjetërsi shërbimi paditësit Dhimo Nasi, në masën e llogaritur në bazë të Ligjit nr.8661, datë 18.09.2000 “Për Sigurimin Shoqëror Suplementar të Punjonjësve të Policisë së Shtetit“ nga data 01.07.2009 (datë e uljes së pensionit të parakohëshëm për vjetërsi shërbimi) dhe deri në rillogaritjen e kësaj mase në zbatim të Ligjit nr.10142, datë 15.05.2009.
Gjykata e Apelit Tiranë, me vendimin nr.438 datë 21.02.2013, ka vendosur:
Lënien në fuqi te vendimit nr.3376, datë 09.04.2012 te Gjykatës se Shkalles se Pare Tiranë.
Kundër këtij vendimi, ka paraqitur rekurs pala e paditur Drejtoria Rajonale e Sigurimeve Shoqërore Tiranë, e cila kërkon ndryshimin e vendimit nr.438, datë 21.02.2013 të Gjykatës së Apelit Tiranë dhe vendimit nr.3376, datë 09.04.2012 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, dhe rrëzimin e padisë, duke parashtruar shkaqet e mëposhtme:
-
Masa e pensionit për paditësin është caktuar duke zbatuar ligjin nr.8661 datë 18.09.2000 “Per sigurimin shoqëror suplementar te policisë se shtetit “
-
Në datën 27.06.2009 ka hyre në fuqi ligji 10142 “Per sigurimet Shoqërore Suplementare te ushtarakeve, policisë se shtetit, SHISH, policisë se burgjeve. Neni 31 i ligjit të sipërcituar ka shfuqizuar Ligjin nr.8661,datë 18.09.2000 “Per Sigurimin Shoqëror Suplementar te Policisë se Shtetit”.
-
Neni 29 i këtij ligji shprehet se të drejtat e fituara në ligjin nr.8661 datë 18.09.2000 “Per Sigurimin Shoqëror Suplementar të Policisë së Shtetit “ do të ripërllogariten, llogaritja do të bëhet në bazë të nenit 14/1,16,18 dhe 20 të ligjit 10142 sipas pagës referuese që ka patur paditësi në momentin e lindjes te se drejtës për përfitim.
-
Aktet nënligjore që dolën për zbatim te ligjit të sipërcituar do ti shtrijnë efektet e llogaritjes që nga data 27.06.2009, datë e hyrjes në fuqi të ligjit .
-
Vendimi i Këshillit te Ministrave nr.793 datë 24.09.2010 i cili ka dalë për zbatim të ligjit 10142 ka përcaktuar rregullat e plota mbi të cilat kryhet rillogaritja.
-
-Pavarësisht se Gjykata Kushtetuese ka nxjerre antikushtetues nenin 14 te Ligjit nr.10142, Vendimi i Këshillit të Ministrave shprehet se deri në reflektimin ligjor të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, nr.33 datë 24.06.2010, përfitimet dhe efektet financiare që rrjedhin prej tyre llogariten dhe zbatohen sipas Ligjit nr.10142, datë 15.04.2009.
KOLEGJI ADMINISTRATIV I GJYKATËS SË LARTË
Pasi dëgjoi relatimin e gjyqtares Evelina Qirjako,verifikoi legjitimitetin e palës rekursuese, Drejtoria Rajonale e Sigurimeve Shoqërore Tiranë, si dhe e bisedoi çështjen në tërësi,
V Ë R E N
1. Rezulton nga aktet e administruara në dosjen gjyqësore se paditësi Dhimo Nasi, i ditëlindjes 15 Shtator 1954, është titulluar oficer aktiv në vitin 1979. Ai ka shërbyer deri në datën 16.04.2008, kur me kërkesën e tij është larguar nga Policia e Shtetit me Urdhrin nr.591, datë 08.04.2008 të Ministrit. Ditën e daljes në lirim, paditësi ka patur pagën referuese 71.400 lekë, gradën nënkomisar dhe një periudhë shërbimi 29 vjet.
2. Paditësi, duke ju referuar kërkesave të Ligjit nr.8661, datë 18.09.2000, ka kërkuar pranë palës së paditur Drejtoria Rajonale e Sigurimeve Shoqërore Tiranë, përfitimin e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi.
3. Mbasi e ka marrë në shqyrtim kërkesën, pala e paditur me Vendimin nr.18, datë 30.04.2008 ka vendosur te caktojë përfitimin financiar për efekt të pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi për paditësin në masën 53.000 lekë në muaj (me shtesat e mëpasshme në shumën 57.876 lekë) me të drejtë pagese nga data 16.04.2008.
4. Rezulton se pala e paditur në njoftimin me nr.2860/1 datë 11.04.2011 ka cituar Njoftimin e bërë prej Institutit të Sigurimeve Shoqërore nr.3379 datë 0707.2009 sipas të cilit, përfitimi financiar i masës së pensionit është ulur pasi Ligji nr.10142, datë 15.05.2009 “Për Sigurimin Shoqëror Suplementar të Ushtarakëve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, Punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të shpëtimit të punonjësve të shërbimit të kontrollit të brendshëm në RSH“, ka shfuqizuar Ligjin nr.8661, datë 18.09.2000. Si rezultat, përfitimet financiare, do të rillogariten në përputhje me kërkesat e këtij ligji.
5. Sipas shkresës së cituar me lart ne ketë vendim, përcaktohet se në kushtet kur ligji i ri ka hyrë në fuqi në datën 27.06.2009, për të mos shkaktuar efekte financiare të pambështetura në ligj, për kohën deri sa të miratohen aktet e tjera nënligjore, në përputhje me kërkesat e neneve “14/1e 2, 29 dhe 31, porositet marrja e masave si më poshtë “Për të gjithë pensionet e parakohshëm për vjetërsi shërbimi, masa e të cilave kapërcen tavanin e vendosur sipas nenit 14/1 e 2, do të vendosen në kufirin e dy pensioneve bazë të pleqërisë në shkallë vendi, të përcaktuar nga Këshilli i Ministrave në përputhje me Ligjin nr.7703, datë 11.05.1993 në datën e lindjes së të drejtës për të përfituar pensionin e parakohshëm për vjetërsi shërbimi. Mbi masën e re paraprake të zbatoni koeficientet e rritjes apo të indeksimit të përfitimit sipas VKM-ve të veçanta nga momenti i lindjes së të drejtës, deri në datën e hyrjes në fuqi të ligjit. Nga ana juaj të merren masa për ndjekjen e procedurave të mbylljes së urdhër pagesave ekzistuese dhe zëvendësimin e tyre me urdhër pagesa ekzistuese dhe zëvendësimin e tyre me urdhër pagesa të reja sipas llogaritjeve paraprake të mësipërme.
6. Paditësi duke pretenduar se masa e përfitimit financiar është përllogaritur në mënyre të gabuar dhe se ajo duhet të vazhdonte paguhej sipas kërkesave të ligjit të sipërcituar nr.8661, datë 18.09.2000, ka paraqitur para Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, kërkesë padinë objekt shqyrtimi.
7. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë,me Vendimin nr.3376, datë 09.04.2012, ka vendosur :
Pranimin pjesërisht të kërkesë padisë së ngritur nga paditësi Dhimo Nasi.
Detyrimi i palës së paditur DRSSH Tiranë për t’i paguar pensionin e parakohshëm për vjetërsi shërbimi paditësit Dhimo Nasi, në masën e llogaritur në bazë të Ligjit nr.8661, datë 18.09.2000 “Për Sigurimin Shoqëror Suplementar të Punonjësve të Policisë së Shtetit“ nga data 01.07.2009 (datë e uljes së pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi) dhe deri në rillogaritjen e kësaj mase në zbatim të Ligjit nr.10142, datë 15.05.2009.
7/1 Kjo gjykatë ka arsyetuar se:
“Ligji i aplikueshëm për zgjidhjen e mosmarrëveshjes është ligji nr.10142 datë 17.05.2009 “Per sigurimin shoqëror suplementar te ushtarakeve .
Paditësi është subjekt i ligjit nr.8661 datë 18.09.2000 nga ku ka përfituar pension për vjetërsi shërbimi qe nga data 16.04.2008, por në vijim është edhe subjekt i ligjit 10142 datë 17.05.2009,neni 29 i te cilit rregullon posaçërisht edhe rillogaritjen e përfitimit për paditësin. Parimi i vendosur nga Gjykata Kushtetuese në interpretim te rillogaritjes se këtij përfitimi për mosndryshimin e masës në përkeqësim te situatës se përfituesve duhet te ishte mbajtur në konsiderate nga organet kompetente qe do te miratojnë aktet nënligjore për zbatimin e kësaj rillogaritje te përcaktuar në ligj. Nuk mund te jete objekt shqyrtimi një konflikt qe nuk ekziston midis paditësit dhe te paditurve dhe i mbështetur vetëm mbi pretendimin e paditësit se mund te ndodhe apo se nuk duhet te ndodhe, pasi do të cenonte parimin e sigurisë juridike. Kërkimi i paditësit për te përfituar diferencat mes vlerës se pensionit te parakohshëm qe përfitonte në datën 16.04.2008 dhe pensionit te përfituar pas datës 01.07,2009 është i mbështetur pjesërisht pasi nisur edhe nga argumentimi i lartpërmendur, paditësi do të marre diferencën mes vlerës së pensionit të parakohshëm që ka përfituar në datën 16.04.2008 e deri në rillogaritjen e kësaj mase në zbatim te ligjit 10142 datë 15.05.2009.
8. Gjykata e Apelit Tiranë, me vendimin nr.438 datë 21.02.2013, ka vendosur:
Lënien në fuqi te vendimit nr.3376, datë 09.04.2012 te Gjykatës se Shkalles se Pare Tiranë.
8/1 Kjo gjykatë ka arsyetuar se:
“Duke pare në tërësinë e tij, Vendimi i Gjykatës se Shkalles së Parë në raport me ankimet respektive dhe rrethanat e ceshtjes, është marre në përputhje me kërkesat ligjore. Me të drejte arsyetohet nga kjo gjykatë se për periudhën e pretenduar nga pala paditëse, e drejta e përfitimit financiar është e rregulluar nga Ligji 8661/2000, rregullim ligjor të cilin pala e paditur nuk e ka marre në konsideratë dhe as e ka zbatuar pas datës 01.07.2009 me hyrjen në fuqi te ligjit 10142/15.05.2009. Është e vërtete se paditësi në momentin kur ka dale në lirim ka qenë subjekt i ligjit 8661/2000, por me hyrjen në fuqi te ligjit te ri, paditësi është subjekt edhe i tij .Është i pambështetur pretendimi i palës paditëse se kërkimet e tij duhet te analizohen sipas kërkesave ligjore te ligjit 8661/2000 meqë te drejtat i kanë lindur para hyrjes në fuqi te ligjit 10141/2009, kjo për arsye se Gjykata Kushtetuese përmes vendimit të saj 33/2010 ka shfuqizuar si antikushtetues piken 2 te nenit 14 te këtij ligji. Ky vendim përcakton se Neni 29 i ligjit zgjidh në mënyre përfundimtare gjendjen e përfituesve te pensionit suplementar si dhe te atyre qe përfitojnë vjetërsi shërbimi duke u rillogaritur masa e pensionit në tërësi. Është i drejte konkluzioni i Gjykatës se Shkallës së Parë kur përcakton se deri në llogaritjen nga pala e paditur DRSSH Tirane, te pensionit te parakohshëm në përputhje me kërkesat e ligjit te ri, pala paditëse duhet te përfitoje masën e pensionit për vjetërsi shërbimi qe është trajtuar para datës 01.07.2009. Gjykata e Shkalles se Parë në mënyrë të drejtë argumenton se mosndryshimi i masës në përkeqësim të situatës së përfituesve, është një parim që do të duhej te mbahej në konsiderate nga organet kompetente qe do te miratojnë aktet nënligjore për zbatimin e kësaj rillogaritje te përcaktuar në ligj. Në ketë këndvështrim çmohet ligjor përfundimi se nuk mund te jete objekt shqyrtimi i një mosmarrëveshjeje që nuk ekziston midis paditësit dhe të paditurit (rillogaritja sipas ligjit 10142/2009), vetëm mbi pretendimin e paditësit Dhimo Nasi se mund të ndodhe apo më saktë nuk duhet të ndodhë, pasi do cënonte parimin e sigurisë juridike. Në çdo kohe,secili individ,sikundër edhe paditësi, eventualisht mund te kundërshtojë një akt i cili gjithashtu eventualisht mund te cenoje një drejte te caktuar .
9. Kundër këtij vendimi, ka paraqitur rekurs pala e paditur Drejtoria Rajonale e Sigurimeve Shoqërore Tiranë, e cila kërkon ndryshimin e vendimit nr.438, datë 21.02.2013 të Gjykatës së Apelit Tiranë dhe vendimit nr.3376, datë 09.04.2012 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë,duke parashtruar ato shkaqe që citohen në pjesën hyrëse, të këtij vendimi.
KOLEGJI ADMINISTRATIV I GJYKATËS SË LARTË VLERËSON:
10. Vendimi nr.438, datë 21.02.2013 i Gjykatës së Apelit Tiranë,i cili ka lënë në fuqi vendimin nr.3376, datë 09.04.2012 te Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë është marrë në mosrespektim të ligjit procedurial dhe atij material, e për rrjedhojë, ai duhet të prishet dhe çështja duhet të dërgohet për rigjykim, pranë Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë.
11. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, vlerëson se, Gjykata e Apelit Tiranë, në çështjen objekt gjykimi, nuk ka realizuar “një hetim gjyqësor të plotë dhe të gjithanshëm në përputhje me ligjin” ajo nuk ka kuptuar dhe interpretuar drejtë, dispozitat e linjës materiale të detyrueshme për t’u zbatuar në çështjen objekt gjykimi dhe për rrjedhoje nuk e ka zgjidhur konfliktin në përputhje me ligjin.
12 Referuar natyrës juridike të mosmarrëveshjes, Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, vlerëson se çështja objekt shqyrtimi lidhet me mosmarrëveshje të krijuar në fushën e sigurimeve shoqërore. Objekt i këtij gjykimi është kërkimi i paditësit për të përfituar pensionin e parakohshëm për vjetërsi shërbimi te policit, në bazë të ligjit të zbatueshëm. Konflikti midis palëve ndërgjyqëse, qëndron në faktin se, si do të llogaritet pensioni i parakohshëm për vjetërsi shërbimi, që i takon paditësit si ish-punonjës i Policisë së Shtetit. Rezulton se kërkimet e paditësit në këtë gjykim janë: “1. Detyrimi i palës së paditur për të më llogaritur pensionin e parakohshëm për vjetërsi shërbimi, të fituar në përputhje me kushtet dhe kriteret e përcaktuara në ligjin nr.8661, datë 18.09.2000 “Për Sigurimin Shoqëror Suplementar të Punonjësve të Policisë së Shtetit”, 2- Detyrimin e te paditurit, te paguaje diferencat mes vlerës se pensionit te parakohshëm për vjetërsi shërbimi që përfitonte paditësi në momentin kur i ka lindur e drejta , në datën 16.04.2008 dhe pensionit te përfituar pas rillogaritjes së datës 01.07.2009.
13. Rezulton nga aktet që ndodhen në dosjen gjyqësore se, paditësi Dhimo Nasi, ka përfituar pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi si ish-punonjës i Policisë së Shtetit, në masën prej 55,650lekë në muaj (me indeksimet përkatëse ky pension deri në datën 30.06.2009 ka arritur vlerën prej 57,876 lekë). Ketë pension e ka marre deri me datën 01.07.2009. Me hyrjen në fuqi të Ligjit nr.10142, datë 15.05.2009 "Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të forcave të armatosura, të punonjësve të policisë së shtetit, të gardës së republikës, të shërbimit informativ të shtetit, të policisë së burgjeve, të policisë së mbrojtjes nga zjarri dhe të shpëtimit e të punonjësve të shërbimit të kontrollit të brendshëm në Republikën e Shqipërisë”, DRSSH Tiranë ka kryer rivlerësimin e pensionit të palës paditëse dhe i ka përcaktuar paditësit pensionin e parakohshëm në masën prej 18,892 lekë.
14. Paditësi me padinë objekt shqyrtimi, ka pretenduar se pala e paditur ka cënuar parimin e sigurisë juridike të një të drejte të fituar më parë, pasi referuar vendimit nr.33, datë 24.06.2010 të Gjykatës Kushtetuese, pensionet e parakohshme për vjetërsi shërbimi vërtetë duhet të përllogariteshin sipas nenit 29 të ligjit 10142, datë 15.05.2009, por masa e pensionit sipas kësaj përllogaritje nuk duhet të jetë më e vogël nga ajo që subjekti ka përfituar më parë. Pra, gjendja e subjekteve përfituese nga ky ligj nuk duhet të cënohet negativisht nga përllogaritja e pensionit të parakohshëm. Për këtë arsye, kjo palë ka ngritur pretendimin se, rillogaritja e pensionit në referim të nenit 29 të Ligjit nr.10142, datë 15.05.2009 është kryer në kundërshtim me ligjin, pasi është zvogëluar në raport me masën fillestare që ky subjekt ka përfituar nga momenti i daljes në pension e deri në datën 30.06.2009.
15. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, në gjykimin e çështjes konkrete, konstaton se paditësit i ka lindur e drejta për përfitim pensioni të parakohshëm të ushtarakut, në datën 16.04.2008, kohë në të cilën, si ligj i zbatueshëm, ka qenë ai me nr.8661, datë 18.9.2000 "Për sigurimin suplementar të punonjësve të Policisë së Shtetit". Ky ligj rezulton të jetë shfuqizuar me Ligjin nr.10142, datë 15.05.2009 "Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të forcave të armatosura, të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të shërbimit informativ të shtetit, të policisë së burgjeve, të policisë së mbrojtjes nga zjarri dhe të shpëtimit e të punonjësve të shërbimit të kontrollit të brendshëm në Republikën e Shqipërisë”.
16. Sipas nenit 29 të ligjit të sipërcituar, i titulluar “Rillogaritja e të drejtave të njohura”, pika 2 e tij, parashikohet se: “2. Pensionet e parakohshme për vjetërsi shërbimi dhe pensionet suplementare, të caktuara në përputhje me ligjet nr.8087, datë 13.3.1996 "Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë", të ndryshuar dhe nr.8661, datë 18.9.2000 "Për sigurimin suplementar të punonjësve të Policisë së Shtetit", si edhe ato të caktuara me vendime të gjykatave, pavarësisht nga mosha e vjetërsia në punë, në çastin e fillimit të së drejtës, do të rillogariten. Rillogaritja bëhet sipas rregullave të përcaktuara në këtë ligj dhe në bazë të pagave referuese, në çastin që i ka lindur e drejta për përfitim. Mbi këtë masë përfitimi të rivlerësuar zbatohen koeficientet e rritjes apo të indeksimit të pensionit, sipas vendimeve të veçanta të Këshillit të Ministrave, nga çasti i lindjes së të drejtës dhe deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji. Masa e pensionit, e rivlerësuar si më lart, në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, vlerësohet si shumë përfundimtare e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi ose e pensionit suplementar.” Pra, ky ligj ka parashikuar qartazi që të gjitha pensionet e përfituara para hyrjes në fuqi të këtij ligji, janë objekt rishqyrtimi dhe rivlerësimi i tyre, do të kryhet sipas parashikimeve të këtij ligji.
17. Në analizë të dispozitës së mësipërme dhe në referim të akteve të dosjes gjyqësore, Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë vlerëson se, pavarësisht se paditësi e ka përfituar të drejtën e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi sipas Ligjit nr.8661, datë 18.9.2000 "Për sigurimin suplementar të punonjësve të Policisë së Shtetit", masa e pensionit të parakohshëm të pleqërisë për paditësin duhet rillogaritur, sipas parashikimeve të ligjit të fundit që është në fuqi dhe që rregullon këtë të drejtë, duke i filluar efektet, nga momenti që ai ka hyrë në fuqi (pra nga data 30.06.2009).
18. Ky Kolegj, vlerëson të theksojë se, e drejta për sigurime shoqërorë në pleqëri është e drejtë themelore e njeriut, e parashikuar posaçërisht nga Kushtetuta në nenin 52, dhe që i garantohet personit kur përmbush kushte të caktuara sipas ligjit. Por, nëse sigurimi shoqëror bazë është një e drejtë kushtetuese ekonomiko-sociale dhe si e tillë lidhet me detyrimin e shtetit për të qenë aktiv, e për t’u garantuar shtetasve sigurimin e mjeteve të përshtatshme për nevoja jetësore në rastet e fatkeqësive, sëmundjeve, invaliditetit, pleqërisë dhe papunësisë së padëshiruar, ndryshimi i skemës së përfitimeve suplementare mbetet në diskrecion të politikave dhe mundësive të ekzekutivit, kurse prekja e skemës së sigurimeve shoqërore bazë nuk duhet kurrsesi të pësojë ndryshime të tilla, që të përkeqësojë ndjeshëm jetën e shtetasve që përfitojnë këtë sigurim.
19. Gjykata Kushtetuese, në vendimin nr.2 datë 18.02.2013, ka mbajtur këtë qëndrim “megjithëse skema e re e llogaritjes së masës së sigurimit suplementar ka sjellë uljen e të ardhurave për përfituesit, kjo ndërhyrje është në përpjesëtim të drejtë me qëllimin që e ka diktuar atë. Siç u tha më lart, qëllimi që kërkon të arrijë ekzekutivi/ligjvënësi me anë të rregullimit të ri është mbajtja e skemës së sigurimeve brenda parimeve bazë të saj, pra të raporteve të drejta dhe të arsyeshme midis masës së sigurimit të parakohshëm dhe pagës mesatare neto nga puna. Diferencimet që ekzistonin para kësaj ndërhyrjeje cënonin parimet dhe rregullat në fushën e pagave dhe të tatimit mbi të ardhurat personale si dhe shkaktonin një detyrim të papërballueshëm për buxhetin e shtetit duke e rrezikuar atë seriozisht. Gjykata konstaton se masa e pensionit e përllogaritur sipas formulës së re mbështetet në mundësitë reale buxhetore, ajo siguron respektimin e parimeve të funksionimit të skemave suplementare, si dhe ruajtjen e raporteve të arsyeshme midis pensionit suplementar të ushtarakëve, atij të pleqërisë dhe pagës neto nga puna”. Në këtë kuptim, rillogaritja e pensionit të parakohshëm për paditësin nga ana e palës së paditur, është një detyrim i përcaktuar me ligj dhe nuk mund të konsiderohet cënim i të drejtës së tij të përfituar më parë, me Ligjin nr.8661, datë 18.9.2000 "Për sigurimin suplementar të punonjësve të Policisë së Shtetit".
20. Në nenin 14, prg.1 të Ligjit nr.10142, datë 15.05.2009, i ndryshuar, parashikohen kriteret për llogaritjen e pensionit të parakohshëm për personat që kanë plotësuar kushtet ligjore për këtë lloj përfitimi, si vijon: “1. Pensioni i parakohshëm për personat, që plotësojnë kushtet e përfitimit, është 50 për qind e pagës mesatare referuese mujore. Për çdo vit tjetër të vjetërsisë në shërbim, sipas përcaktimit, masa e pensionit shtohet me 2 për qind të pagës mesatare referuese”. Në nenin 4 të ligjit të sipërcituar, i ndryshuar jepet definicioni rreth pagës referuese, në të cilin parashikohet se: “1. Përfitimet, që jepen nga ky ligj, llogariten në bazë të pagës referuese. 2. Paga referuese përbëhet nga paga bazë mujore për gradë, sipas viteve të shërbimit dhe shtesat mbi pagë, ose nga paga bazë mujore për funksion dhe shtesat, të cilat përcaktohen e zbatohen për të njëjtën gradë apo funksion në datën e lindjes së të drejtës së një përfitimi. Për efekt të llogaritjes së përfitimeve: a) Paga referuese neto është paga që rezulton pas zbritjes, nga paga referuese, të kontributit të detyrueshëm të sigurimit shoqëror dhe shëndetësor plus tatimin mbi të ardhurat personale plus kontributin suplementar, sipas këtij ligji, të cilat mbahen nga paga. b) Paga mesatare referuese llogaritet si mesatare e pagave referuese sipas periudhave të qëndrimit në atë gradë apo funksion. c) Paga mesatare referuese neto është paga e barabartë me pagën referuese mesatare, pasi i zbritet shuma e kontributit të sigurimit shoqëror shëndetësor, tatimit mbi të ardhurat dhe kontributit suplementar, sipas këtij ligji, të cilat mbahen nga paga. Pagat referuese të njësuara, rregullat e llogaritjes së pagës referuese neto dhe rregullat e llogaritjes së pagës mesatare referuese neto, për të gjithë karrierën, përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave". Parashikimet e këtij neni lidhen ngushtësisht me zbatimin dhe aplikimin e nenit 29 të Ligjit nr.10142, datë 15.05.2009, i ndryshuar, ku në paragrafin e dytë të tij është konkluduar se, rillogaritja e pensionit të parakohshëm duhet të kryhet duke ju referuar nocionit të pagës referuese. Për këtë arsye, gjykatat në shqyrtimin e kësaj çështje, duhet të mbanin në konsideratë këto parashikime ligjore.
21. Në çështjen objekt gjykimi te dyja gjykatat me të ulta kanë arritur në përfundimin e “Detyrimit të palës së paditur DRSSH Tiranë për t’i paguar pensionin e parakohshëm për vjetërsi shërbimi paditësit Dhimo Nasi, në masën e llogaritur në bazë të Ligjit nr.8661, datë 18.09.2000 “Për Sigurimin Shoqëror Suplementar të Punonjësve të Policisë së Shtetit“ nga data 01.07.2009 (datë e uljes së pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi) dhe deri në rillogaritjen e kësaj mase në zbatim të Ligjit nr.10142, datë 15.05.2009.”
Pikërisht ky konkluzion i arritur nga këto gjykata vjen ne kundërshtim të plotë me ligjin material te detyrueshëm te zbatohet ne çështjen objekt gjykimi. Rezulton se ne këtë gjykim gjykatat më të ulëta jo vetëm që nuk kanë patur parasysh dhe nuk kane zbatuar drejt kërkesat e ligjit nr.10142, datë 15.05.2009 si dhe urdhërimet e tij ,( në pjesën që detyrojnë anën e paditur për t’i paguar pensionin e parakohshëm për vjetërsi shërbimi paditësit Dhimo Nasi, në masën e llogaritur në bazë të Ligjit nr.8661, datë 18.09.2000 “Për Sigurimin Shoqëror Suplementar të Punonjësve të Policisë së Shtetit“ nga data 01.07.2009 (datë e uljes së pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi), por në te njëjtën kohë nuk i kane dhëne përgjigje dhe kërkimit kryesor të paditësit nëse urdhërimet e këtij ligji janë zbatuar apo jo drejt nga ana e paditur
22. Për sa më sipër, ky Kolegj, çmon se Gjykata e Apelit Tiranë, ndonëse i ka pasur të gjitha mundësitë ligjore që të konstatonte të metat e gjykimit në shkallë të parë dhe t’i ndreqte ato, ka vepruar në kundërshtim me dispozitat proceduriale dhe materiale për zgjidhjen e kësaj mosmarrëveshje, duke anashkaluar sqarimin plotësisht të rrethanave ligjore që lidhen me gjykimin e çështjes, si dhe nuk ka analizuar dhe kthyer përgjigje pretendimeve të paraqitura nga palët në proces, pra, nëse rillogaritja e pensionit të paditësit është bërë në përputhje me përcaktimet e ligjit të zbatueshëm, Ligjit nr.10142, datë 15.05.2009, i ndryshuar, i cili rregullon mosmarrëveshjen objekt shqyrtimi, si dhe akteve nënligjore të dala në bazë dhe për zbatim të tij. Për këtë arsye, vendimi i Gjykatës së Apelit Tiranë, duhet të prishet dhe çështja të dërgohet për t’u rishqyrtuar në Gjykatën Administrative të Apelit Tiranë.
23. Kjo gjykatë, duhet të përsërisë hetimin gjyqësor në bazë të nenit 465 të K.Pr.Civile ku parashikohet se “Në shqyrtimin e çështjes në gjykatën e apelit mbahen parasysh për aq sa janë të zbatueshme dispozitat mbi procedurën e gjykimit në shkallë të parë”, dhe të analizojë nëse rillogaritja e masës së pensionit të parakohshëm që i takon paditësit, është kryer nga ana e DRSSH Tiranë në përputhje me parashikimet ligjore në fuqi apo jo. Kjo gjykatë mund të caktojë kryesisht ekspertë, specialistë të fushës financiare, në mënyrë që t’i japë përgjigje kërkimeve të palës paditëse dhe prapësimeve të palës së paditur të ngritura në këtë gjykim (neni 225 i K.Pr.Civile).
24. Gjykata Administrative e Apelit Tiranë, në shqyrtimin dhe zgjidhjen e kësaj mosmarrëveshje, për aq sa janë të zbatueshme dhe pa cënuar interesat dhe të drejtat e palëve në proces, duhet të ketë parasysh edhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese nr.2/2013, të cilat rregullojnë këtë veprimtari dhe ndihmojnë në zgjidhjen e mosmarrëveshjes objekt gjykimi, në përputhje me ligjin. Në rigjykim, kjo gjykatë duhet t’u bëjë të qartë palëve që është detyrë e secilës prej tyre, që në përputhje me ligjin, të provojnë faktet mbi të cilat bazojnë pretendimet për të drejtat që kërkojnë. Palët ashtu siç kanë të drejtat kanë dhe detyrimet që rrjedhin prej këtij procesi, në format dhe afatet e parashikuara.
25. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, çmon se Gjykata Administrative e Apelit Tiranë, duhet të lejojë të dyja palët që të paraqesin prova shkresore me anën e të cilave ato të provojnë pretendimet e tyre, bazuar në nenin 12 dhe 19 të K.Pr.Civile dhe t’i lejojë ato, që t’ia nënshtrojnë hetimit e debatit gjyqësor. Ky Kolegj, çmon gjithashtu se, kryerja e veprimeve të përmendura më sipër, si dhe e të tjerave që eventualisht mund të lindin gjatë rigjykimit, do të lejojnë gjykatën të arrijë në përfundime të drejta dhe objektive, lidhur me zgjidhjen e çështjes objekt shqyrtimi.
PËR KËTO ARSYE
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, mbështetur në nenin 63 të Ligjit 49/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”,
V E N D O S I
Prishjen e vendimit nr.438, datë 21.02.2013 të Gjykatës së Apelit Tiranë dhe kthimin e çështjes për rigjykim në Gjykatën Administrative të Apelit Tiranë.
Tiranë, më 12.11.2015
Nr. 11243-03273-00-2013 i Regj. Themeltar
Nr. 00-2015- 4591 i Vendimit (606)
Do'stlaringiz bilan baham: |