VENDIM
NË EMËR TË REPUBLIKËS
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, i përbërë prej:
Xhezair Zaganjori Kryesues
Evelina Qirjako Anëtare
Andi Çeliku Anëtar
Tom Ndreca Anëtar
Admir Thanza Anëtar
Mori në shqyrtim në seancë gjyqësore të datës 10.11.2015, çështjen administrative që i përket:
PADITËS: ALBERT JOLE.
E PADITUR: ZYRA VENDORE E REGJISTRIMIT TË PASURIVE TË PALUAJTSHME KORÇË.
OBJEKTI:
1. Kundërshtim i aktit administrativ nr.230 Prot., datë 19.01.2010.
2. Detyrimin e palës së paditur ZVRPP Korçë të regjistrojë
në sistemin e ri të regjistrimit pronën time.
Baza Ligjore: Neni 32, 324, e vijues
dhe 331/3 i Kodit të Procedurës Civile,
ligji nr.7843 datë 13.07.1994, i ndryshuar
si dhe neni 192 e vijues i Kodit Civil.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë, me vendimin nr.682 datë 09.03.2012 ka vendosur:
“Rrëzimin e kërkesë padisë të paditësit, Albert Jole, me të paditur, Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Korçë, me persona të tretë: Kristaq Jole, Ilirjan Mërtiri, Frosina Jole, Nadjezhda Jole, Anila Jole, me objekt: Detyrimin e Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Korçë, të fshijë regjistrimin fillestar për objektin e tipit “ndërtese” me sipërfaqe 77.8 m2, e ndodhur brenda sipërfaqes së truallit prej 187.5 m2, ndërtese e regjistruar në emër të trashëgimtarëve të Mihal Jole, që i përkasin pasurisë me nr.1/36, të ndodhur në Z.K 8563, si të pabazuar në prova dhe në ligj.”.
Gjykata e Apelit Korçë me vendimin nr.503, datë 09.07.2012 vendosi:
“Lënien në fuqi të vendimit nr.682 datë 09.03.2012 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë”.
Kundër vendimit nr.503, datë 09.07.2012 të Gjykatës së Apelit Korçë, ka ushtruar rekurs, brenda afatit ligjor, paditësi Albert Jole, i cili kërkon prishjen e vendimit nr.682 date 09.03.2012 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë i cili është lënë në fuqi me vendimin nr.503, datë 09.07.2012 të Gjykatës së Apelit Korçë dhe pranimin e padisë, duke parashtruar shkaqet e mëposhtme:
-
Paditësi ka bërë një aplikim të mëhershëm për regjistrimin e ndërtesës sipas nenit 24/b, në muajin Maj 2002, duke paraqitur dhe dokumentacionin referues bashkëngjitur aplikimit dhe i ndryshëm përsa i përket origjinës së truallit. Ndërkohë, Zyra e Regjistrimit, regjistron ne vitin 2005, pasurinë duke marrë për bazë në mënyrë të njëanshme vetëm dokumentacionin jo korrekt të paraqitur nga personi i trete Kristaq Jole duke marrë atributet e një gjykate, kur ka marrë në shqyrtim dokumentacionin e origjinës së truallit të paraqitura nga paditësit në emër të Vaskë Jole dhe te dytat në emër të Mihal Jole.
-
Në distancën kohore të aplikimit të dy personave të mësipërm, objekti shtëpi me sip. 78 m2 u prish dhe u rindërtua pa leje nga paditësi. Nuk rezulton që Z.R.P..Paluajtshme, të ketë bërë verifikimin, nëse ekzistonte ndërtesa e vjetër, apo ishte materializuar një ndërtim i ri, i cili nuk përputhej me pasqyrimin e tij në plan-rilevimet.
-
Nuk ekziston asnjë vendim për ankuesin, në lidhje me pranimin e kërkesës për regjistrim, përkundrazi në vitin 2005, kjo Zyrë, e pajis Kristaq Jolen me çertifikatë pronësie në emër të gjithë bashkëpronarëve sipas raporteve të sipërcituar.
-
Sipas paditësit, dokumentacioni i paraqitur për aplikim nga personi i tretë Kristaq Jole është i pamjaftueshëm, për faktin se, deklaratave të pronarëve kufitar i mungon nënshkrimi i tyre, i mungon vërtetimi i Rajonit Administrativ për banesën e kërkuesit, i cili sipas tij, prej vitit 1969 nuk është banor i Qytetit të Korçës si dhe rezulton e paqartë origjina e truallit.
-
Në referim të praktikës dokumentare të paraqitur në Z.V.R.P. Korçë, e cila ka shërbyer për regjistrimin e kësaj pasurie, nga ky institucion nuk janë zbatuar në mënyrë korrekte neni 24/b, si dhe pika 16-16/5, e rregullores “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme”.
-
Gjykata e apelit dhe ajo e shkallës së parë, në arsyetimin e saj duket se nuk ka kuptuar si duhet shkakun ligjor të ngritjes së padisë. Paditësi ka ngritur këtë padi, pasi ka konstatuar se, është Z.V.R.P.P Korçë e cila është bërë shkak me veprimet e saj të paligjshme, (procedura e parregullt e n. 24/b), dhe ka sjellë pasoja për paditësin dhe bashkëpronarët e tij duke regjistruar një objekt të paligjshëm dhe inekzistent në momentin e regjistrimit. Ligji parashikon se paditësi që kundërshton procedurën e nenit 24/b mund t'i drejtohet menjëherë gjykatës.
-
Të dyja gjykatat në kundërshtim me nenin 6 të K.Pr.Civile kanë marrë në analizë dhe janë shprehur në lidhje me një vendim gjyqësor pjesëtimi (faza e parë), kryesisht, pa e pasur objekt i shqyrtimi gjyqësor, pra as nga ana e paditësit nuk është paraqitur as në cilësinë e provës një vendim i tillë. Gjykatat kanë arsyetuar dhe kanë analizuar këtë vendim sikur ky të ishte pjesë e shqyrtimit gjyqësor.
-
Gjykata e Apelit arsyeton në mënyrë të gabuar kur orienton se mjeti i përdorur nga paditësi nuk është i drejtë, si dhe në lidhje me ndërgjyqësinë e thirrur prej tij. Paditësi nuk pretendon të drejta pronësie nga palët e treta dhe as ndryshime të raporteve të tyre të bashkëpronësisë, por pretendon se regjistrimi i objektit shtëpi banimi është bërë nëpërmjet procedurës së nenit 24/b në kundërshtim të hapur me ligjin, në mungesë të ekzistencës fizike të vetë sendit, në momentin e regjistrimit të tij.
-
Çregjistrimi i sendit nuk sjell humbjen e të drejtës së pronësisë për palët ndërgjyqëse pasi çertifikata e pronësisë në vetvete nuk është titull pronësie. Mënyra e rregullimit të ndërgjyqësisë nga paditësi është e drejtë pasi ai ia atribuon shkeljen e të drejtave të tij ZVRPP dhe ka thirrur në gjykim persona të tretë personat që mendon se kanë interes në këtë gjykim.
-
Paditësi gjatë gjithë gjykimit ka mbajtur qëndrimin se sendi në momentin e regjistrimit nuk ka ekzistuar fizikisht duke iu referuar sendit të ndërtuar në vitin 1957 për të cilin palët janë bashkëpronar pasi ky send ishte prishur dhe në vend të tij, pa leje ndërtimi ishte ngritur një send i ri i cili po i nënshtrohet procedurës së legalizimit send i cili nuk mund të regjistrohet pa një dokumentacion ligjor.
KOLEGJI ADMINISTRATIV I GJYKATËS SË LARTË
pasi dëgjoi relacionin e gjyqtarit Xhezair Zaganjori, konstatoi mosparaqitjen në gjykim të palës paditur dhe personave të tretë të cilët megjithëse kishin dijeni dhe nuk u paraqitën pa ndonjë shkak ligjor, dëgjoi përfaqësuesin e paditësit, Av. Sokol Mëngjesi, i cili kërkoi ndryshimin e vendimeve dhe pranimin e padisë, dhe si diskutoi çështjen në tërësi,
V Ë R E N
Rrethanat e çështjes
-
Paditësi Albert Jole është një nga bashkëpronarët e pasurisë së paluajtshme truall me sipërfaqe 187,5 m2, brenda të cilit shtrihet një ndërtim dy katësh prej 77.8 m2, regjistruar me nr.1/36, ndodhur në ZK 8563. Për truallin prej 187.5 m2, ekziston një origjinë e hershme hipotekore në emër të Mihal Jole, e cila e ka burimin në një kontrate premtim për shitblerje trualli nr.5110 rep., nr.2393 kol., datë 18.09.1956 me palë shitëse shtetin (N.L.Sh Komunale Korçë). Ndërkohë lidhur me ndërtimin e kryer nuk ka leje ndërtimi apo kontratë për shitblerjen e banesës. Banesa është ndërtuar në vitin 1957 me kredi të marrë nga shteti nga ana e trashëgimlënësit Mihal Jole. Ndërkohë në vitin 2002-203 ajo është rikonstruktuar tërësisht, duke iu bërë edhe një shtesë veç asaj ekzistuese nga paditësi Albert Jole.
-
Nga ana e paditësit Albert Jole është pretenduar se është kërkuar pranë palës së paditur regjistrimi në bashkëpronësi i sipërfaqes së truallit dhe i ndërtesës, ndërsa pala e paditur nuk e ka marrë parasysh këtë kërkesë. Ndërkohë, pala e paditur ka regjistruar pasuritë e mësipërme (truall dhe ndërtesë) mbi kërkesën njërit prej bashkëpronarëve mbi këto pasuri, Kristaq Jole. Konkretisht, regjistrimi i objektit mbi këtë truall, është bërë në bazë të procedurës së nenit 24 “b”, të ligjit nr.7843 datë 13.07.1994 “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme”, të ndryshuar. Në këtë pasuri janë konsideruar bashkëpronar Kristaq Jole me 1/3 pjesë, Mirka Martiri me 1/3 pjesë (në vendin e saj ka hyrë i biri si trashëgimtar i vetëm ligjorë i saj, Ilir Sotiri), Frosina Jole me 1/12 pjesë, Nadjezhda Jole me 1/12 pjesë, Albert Jole me 1/12 pjesë dhe Anila Jole me 1/12 pjesë.
-
Paditësi kërkon fshirjen e këtij regjistrimi (të kryer në vitin 2005), me arsyetimin se, në këtë periudhë nuk ka ekzistuar prona e re, banesa e ndërtuar prej tij dhe se ky regjistrim bie ndesh me procedurën e parashikuar ne nenin 24/b të ligjit 7843 datë 13.07.1994 “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme”. Kjo pasi, Z.V.R.P.P nuk mund të ligjërojë ndërtime të reja pa dokumentacionin ligjor përkatës, siç ishte leja e ndërtimit, dhe aq më tepër, duke e shtrirë këtë paligjshmëri dhe duke bërë pjesë të saj të gjithë rrethin e bashkëpronarëve në disfavor të drejtave të bashkëpronarëve që kanë investuar në këtë send. Paditësi ka pretenduar se ndërtesa që ndodhet mbi këtë truall, është rikonstruktuar dhe është shtuar nga paditësi. Po kështu, sipas paditësit, dokumentacioni i paraqitur për aplikim nga personi i tretë Kristaq Jole është i pamjaftueshëm, për faktin se, deklaratave të pronarëve kufitarë i mungon nënshkrimi i tyre; mungon vërtetimi i Rajonit Administrativ për banesën e tij, i cili sipas tij, prej vitit 1969 nuk është banor i Qytetit të Korçës.
-
Me shkresën nr.3603/3 prot. datë 25.10.2011 Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë, shprehet se me shkresën nr.3403/1 prot, datë 18.10.2011, të dërguar nga ana e Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Korçë, është informuar se pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë është në gjykim, çështja Civile me nr.regj 2/3/715/42/906, me palë ndërgjyqëse paditësin dhe personat e tretë me objekt: “Pjesëtim sendi në bashkëpronësi” dhe Kryeregjistruesit, mbështetur në nenin 36 te K.Pr.Civile është shprehur se nuk mund të marr në shqyrtim pretendimet e paditësit, për shkak të qenien së çështjes në gjykim. Po kështu, me Vendimin e nr.13, datë 15.03.2007 Gjykata e Apelit Korçë ka vendosur lënien në fuqi të vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, duke lejuar pjesëtimin e sendit me sipërfaqe trualli dhe shtëpi banimi, por me ndryshimin, që të pjesëtohet 100% të shtëpisë (ndërkohë që Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë, në dispozitivin e saj ishte shprehur vetëm për 32 % të vlerës ekzistuese të kësaj shtëpie, krahasuar me shtëpinë e origjinës, ndërtuar në vitin 1957, referuar aktit të ekspertimit, duke përcaktuar rrethin e prestarëve përfitues dhe pjesët ideale të tyre, (ndërgjyqësve). Pas ushtrimit të rekursit nga ana e paditësit Albert Jole, Gjykata e Lartë me Vendimin nr.433, date 18.11.2010, ka vendosur: “Lënien në fuqi të Vendimit nr.13 datë 15.03.2007 të Gjykatës së Apelit Korçë”. Pala paditëse duke mos qenë dakord me vendimin e Kryeregjistruesit, i është drejtuar Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë me padinë objekt gjykimi.
-
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë me vendimin nr.682 datë 09.03.2012 ka vendosur rrëzimin e kërkesë padisë. Kjo gjykatë ka arsyetuar se në kohën që paditësi i është drejtuar Kryeregjistruesit, në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Korçë ka qenë në gjykim është në gjykim, çështja civile me palë ndërgjyqëse paditësin dhe personat e tretë me objekt: “Pjesëtim sendi në bashkëpronësi” dhe Kryeregjistruesit, referuar nenit 36 te K.Pr.Civile ishte në pamundësi të dispononte, sipas paragrafit të parë të nenit 52 të ligjit nr.7843 datë 13.07.1994, i ndryshuar, pas ushtrimit të ankimit të paditësit.
-
Po kështu, sipas gjykatës së shkallë së parë, paditësi është në proces gjyqësor me personat e tretë, për këtë pasuri të paluajtshme, me objekt pjesëtimin e tij dhe gjykimi i fazës së parë ka marrë formë të prerë. Ky vendim është marrë mbi bazën e një çertifikate pronësie të lëshuar nga Z.R.P.P. Korçë. Pranimi i padisë së paditësit në këtë rast nga gjykata, do të bënte një cenim të drejtpërdrejtë të këtij procesi gjyqësor të formës së prerë, duke bërë në mënyrë të njëanshme çregjistrimin e pronës, duke i hequr në mënyrë jo ligjore pronën personave të tretë, pa qenë palë në gjykim, të cilët tashmë janë përcaktuar dhe me vendime gjykatash për fazën e parë të pjesëtimit, si bashkëpjesëtar të kësaj prone në tërësi, me pjesët ideale takuese. Çdo veprim në regjistër, që ka si efekt ndryshimin e gjendjes juridike të pasurisë së paluajtshme, bëhet nëpërmjet një vendimi gjyqësor, që ka si kërkim thelbësor mbrojtjen apo rivendosjen, vlefshmërinë e veprimeve juridike dhe jo një kërkim të karakterit dytësor, siç ka vepruar në rastin konkret paditësi në padinë e tij, kur e konsideron regjistrimin e pasurisë së paluajtshme si mënyrë fitimi të pronësisë. Sipas kësaj gjykate, Z.V.R.P.P. në këto raste, nuk mund të thirret si palë në gjykim, pasi në bazë të nenit 90 te K.Pr.Civile, palë në gjykim janë personat në emër, ose kundër të cilëve zhvillohet gjykimi, personat që kanë një interes të ligjshëm për ta mbrojtur apo për ta kundërshtuar atë. Përsa i përket legjitimimit aktiv, të drejtat e pretenduara prej tij, paditësi i ka me personat e tretë, jo me zyrën e regjistrimit dhe në këtë kuptim, ai duhet të rregullojë këto marrëdhënie direkt me ta, qoftë dhe gjyqësisht.
-
Gjykata e Apelit Korçë me vendimin nr.503, datë 09.07.2012 vendosi lënien në fuqi të vendimit nr.682 datë 09.03 .2012 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë”. Në këtë vendim është arsyetuar se ndryshe nga sa pretendon paditësi ndërtimi nuk është i ri, por ekzistues dhe i vjetër. Paditësi ka bërë vetëm rikonstruksion të banesës ekzistuese dhe një shtesë me sipërfaqe 59,94 m2. Paditësi ka qenë në proces gjyqësor me personat e tretë për pjesëtimin e kësaj pasurie dhe në ato gjykime për fazën e parë të pjesëtimit që ka përfunduar në të tri shkallët e gjykimit, është lejuar pjesëtimi i pasurisë sipas pjesëve ideale që ndodhen në aktin e pronësisë, të regjistruar pranë palës së paditur. Ky vendim ka marrë formë të prerë dhe nuk mund të cënohet me këtë padi me objekt fshirje regjistrimi, pasi prezumohet se përsa pretendon paditësi është marrë në shqyrtim dhe është vlerësuar në gjykimin me objekt pjesëtim pasurie. Të drejtat e pretenduara ia kontestojnë personat e treta në këtë gjykim dhe jo ZRPP Korçë, e në këtë aspekt ai konfliktin e ka me personat e tretë të cilët kanë legjitimitet pasiv përsa pretendon paditësi.
-
Kundër vendimit nr.503, datë 09.07.2012 të Gjykatës së Apelit Korçë, ka ushtruar rekurs, brenda afatit ligjor, paditësi Albert Jole, i cili kërkon prishjen e vendimit nr.682 date 09.03.2012 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë i cili është lënë në fuqi me vendimin nr.503, datë 09.07.2012 të Gjykatës së Apelit Korçë dhe pranimin e padisë, duke parashtruar shkaqet e përmendura në mënyrë të përmbledhur në pjesën hyrëse të këtij vendimi.
Vlerësimi i Kolegjit Administrativ
-
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë pasi u njoh me aktet e dosjes gjyqësore, vendimet e gjykatave dhe shkaqet e parashtruara në rekurs vlerëson se vendimi nr.503, datë 09.07.2012 i Gjykatës së Apelit Korçë është i drejtë dhe duhet lënë në fuqi.
-
Kolegji vëren se nga ana e personit të tretë Kristaq Jole ishte kërkuar pjesëtimi i pasurisë truall dhe banesë dhe me vendimin e fazës së parë të pjesëtimit, gjykata e shkallës së parë Korçë ka lejuar pjesëtimin vetëm të 32% të sipërfaqes së banesës, pasi nga akti i ekspertimit ka rezultuar se banesa ekzistuese është ruajtur vetëm në 32 % të saj, ndërsa pjesa e rikonstruktuar zë 68 % të banesës. Gjykata e Apelit me vendimin nr.13 datë 15.03.2007, ka vendosur pjesëtimin e të gjithë sipërfaqes së banesës, me arsyetimin që pavarësisht se paditësi ka rikonstruktuar banesën, kjo nuk e bën atë të vetmin pronar të pjesës prej 68 % të banesës, kur ai ka vetëm 1/12 pjesë të pandarë në këtë pasuri. Në rekursin e paraqitur ndaj atij vendimi në Gjykatë të Lartë, rekursuesi Albert Jole (në atë gjykim i paditur kundërpaditës) ka pretenduar se në momentin e paraqitjes së padisë së pjesëtimit, banesa nuk ishte e regjistruar si pronë e vjetër, por është kryer regjistrimi i ndërtimit të ri, të kryer prej tij në viti 2002-2003. Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë me vendimin nr.433 datë 18.11.2010 ka vendosur lënien në fuqi të vendimit të gjykatës së apelit lidhur me fazën e parë të pjesëtimit të pasurisë. Në këtë vendim, ndër të tjera, Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë është shprehur se, lidhur me investimet e kryera nga Albert Jole në masën 68% në raport me banesën ekzistuese, nuk mund të jenë objekt diskutimi në këtë fazë gjykimi.
-
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë vëren se në padi kërkohet fshirja e regjistrimit të kryer nga ana e njërit nga bashkëpronarët Kristaq Jole dhe regjistrimi i pasurisë sipas kërkimit të paditësit. Regjistrimi i pasurisë në ZVRPP Korçë (mbi bazën e kërkesës së Kristaq Jole) nuk ka ndonjë ndryshim me vendimin gjyqësor të formës së prerë të fazës së parë të pjesëtimit (përsa i përket pjesës së bashkëpronarëve mbi sendin objekt gjykimi). Pavarësisht, se në padi nuk thuhet qartë ku cenohet paditësi dhe ku qëndron dallimi në regjistrimin e kryer me atë që paditësi pretendon të kryhet, nga shqyrtimi në tërësi i çështjes dhe pa u lidhur me cilësimet që palët i bëjnë fakteve, gjykatat kanë sqaruar objektin e kërkimeve të paditësit. Pra, ky i fundit nëpërmjet regjistrimit prej tij, kërkon ndryshimin e pjesëve të bashkëpronarëve në pasurinë banesë, në raport me investimet e kryera nga ai.
-
Kolegji thekson se ashtu siç janë shprehur gjykatat e faktit, për sendin e paluajtshëm banesë (i përfshirë tashmë në qarkullimin civil) me vendim gjykate të formës së prerë është përcaktuar se ajo është në bashkëpronësinë e të gjithë bashkëpronarëve, duke u përcaktuar edhe pjesët e tyre përkatëse në këtë pasuri. Në këtë drejtim, vihet në dukje se faza e parë e pjesëtimit të pasurisë mund të shndërrohet në një gjykim mbi njohjen e të drejtës së pronësisë, në rastet kur ka mosmarrëveshje lidhur me sendin që do të pjesëtohet dhe pjesët takuese të bashkëpronarëve. Pikërisht kjo ka ndodhur edhe në rastin në gjykim, ku gjykatat kanë analizuar se pavarësisht që paditësi ka kryer investime në 68% të pjesës së objektit banesë, kjo nuk e përjashton atë nga pjesëtimi si dhe nuk ndryshon pjesët takuese të bashkëpronarëve në këtë pasuri. Megjithatë, pretendimet e paditësit lidhur me investimet e kryera i nënshtrohen fazës së dytë të gjykimit, ku përcaktohen të drejtat dhe detyrimet e bashkëpronarëve ndaj njëri tjetrit, në raport me pronën objekt pjesëtimi. Pra, gjykatat i kanë marrë një herë në shqyrtim në fazën e parë të pjesëtimit të pasurisë, pretendimet e paditësit lidhur me ndryshimin e pjesëve takuese në objektin banesë. Regjistrimi në ZVRPP nuk krijon titull pronësie, por ndër të tjera, pasqyron bashkëpronarët e sendeve të paluajtshme dhe raportet e të drejtave të tyre mbi këtë send. Pra, pavarësisht regjistrimit fillestar në zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme, është vendimi gjyqësor i fazës së parë të pjesëtimit, ai që ka marrë në shqyrtim të drejtat e pretenduara të pronësisë të gjithë bashkëpronarëve dhe raporteve të tyre mes njëri tjetrit në këtë pasuri. Pikërisht ky vendim i fazës së parë të pjesëtimit përbën titull pronësie për secilin nga bashkëpronarët, përsa i përket pjesëve të tyre ideale në sendin e përbashkët të paluajtshëm.
-
Në rekursin e tij, paditësi ka pretenduar se gjykatat në kundërshtim me nenin 6 të K.Pr.Civile kanë marrë në analizë dhe janë shprehur në lidhje me një vendim gjyqësor pjesëtimi (faza e parë), pa e pasur objekt shqyrtimi gjyqësor. Kolegji thekson se, me të drejtë gjykatat kanë marrë në analizë dhe janë mbështetur në vendimet gjyqësore, lidhur me fazën e parë të pjesëtimit të pasurisë, për arsyet e përmendura më sipër. Për më tepër, gjykatat në fazën e parë të pjesëtimit i kanë dhënë përgjigje edhe pretendimeve të paditësit, lidhur me raportet e pronësisë mbi pasurinë banesë, ku ka kërkuar përfshirjen vetëm të një pjese të saj në procesin e pjesëtimit të pasurisë. Në gjykimin aktual, paditësi në një formë tjetër, synon të arrijë të njëjtën të drejtë të pretenduar prej tij, të cilës i është dhënë përgjigje në një vendim themeli. Ky vendim themeli (i fazës së parë të pjesëtimit) siç u përmend më lart, përbën titull pronësie të regjistrueshëm për secilin nga bashkëpronarët, pavarësisht regjistrimit të mëparshëm të kryer nga ZVRPP Korçë, mbi bazën e aplikimit të personit të tretë Kristaq Jole. Regjistrimi i një pasurie në ZVRPP, nuk përbën titull pronësie dhe në një gjykim pjesëtimi i shërben gjykatës vetëm për të identifikuar se cila është pasuria që do të pjesëtohet (e cila pranohet se ekziston nga paditësi). Ndërkohë, bashkëpronarët dhe pjesët e tyre takuese, pavarësisht regjistrimit të kryer në zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme, kur ka kundërshtime, janë objekt shqyrtimi nga gjykata në fazë e parë të pjesëtimit të pasurisë, e cila vendos duke ballafaquar titujt e pronësisë të secilës palë kundërshtare.
-
Me anë të padisë së tij paditësi kërkon që të kryejë regjistrimin e një pasurie të paluajtshme dhe të pjesëve takuese të bashkëpronarëve në të, në kundërshtim me një vendim gjyqësor të formës së prerë, i cili ka njohur se kush janë bashkëpronarët dhe pjesët e tyre në atë send të paluajtshëm. Ashtu siç kanë analizuar gjykatat e faktit, në këtë rast mosmarrëveshja e paditësit nuk qëndron me palën e paditur ZVRPP Korçë, por me personat e tretë, të cilëve u kundërshton të drejtën e bashkëpronësisë mbi banesë sipas vendimit të gjykatës. Një kundërshtim i tillë nuk mund të ngrihet me anë të padisë objekt gjykimi, por me anë të një padie themeli, ku palët në mosmarrëveshje ballafaqojnë të drejtat e tyre mbi pasurinë e paluajtshme. Çdo veprim në regjistër, që ka si efekt ndryshimin e gjendjes juridike të pasurisë së paluajtshme, bëhet nëpërmjet regjistrimeve të akteve që ligji i ka parashikuar si tituj pronësie mbi një pasuri të paluajtshme. Në rastin konkret, të drejtat e pronësisë të bashkëpronarëve mbi pronën objekt gjykimi, të njohura me anë të një vendimi të formës së prerë (siç është vendimi i fazës së parë të pjesëtimit) nuk mund të kundërshtohen me anë të padisë së ngritur. Padia me objekt ç`regjistrimin apo regjistrimin e një pasurie, është një kërkim dytësor në një gjykim dhe ka të bëjë kryesisht me zgjidhjen e pasojave të çështjes përsa i përket, në rastin konkret, të drejtës së pronësisë mbi sendin e paluajtshëm. Në këto raste, gjykata urdhëron kryerjen e disa veprimeve apo mosveprimeve të caktuara nga zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme, veprime të cilat nuk mund të kryhen pa u zgjidhur më parë konflikti ndërmjet palëve ndërgjyqëse lidhur me të drejtën e pretenduar të pronësisë mbi sendin e paluajtshëm, e drejtë e cila njihet apo rivendoset përmes një padie themeli.
-
Në këto kushte, Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë vlerëson se vendimi nr.503, datë 09.07.2012 i Gjykatës së Apelit Korçë është i mbështetur në ligj dhe si i tillë duhet lënë në fuqi.
PËR KËTO ARSYE
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, në bazë të ligjit 49/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative” i ndryshuar.
V E N D O S I
Lënien në fuqi të vendimit nr.503, datë 09.07.2012 të Gjykatës së Apelit Korçë.
Tiranë, më 10.11.2015
Nr. 11243-01705-00-2013 i Regj. Themeltar
Nr. 00 - 2015 - 4569 i Vendimit (605)
Do'stlaringiz bilan baham: |